Muslim99Muslim99
← Tafsir library

7. Al-A'raaf

The Heights · Meccan · 206 ayahs

سُورَةُ الأَعۡرَافِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 91–100 of 206

91

فَأَخَذَتْهُمُ ٱلرَّجْفَةُ فَأَصْبَحُوا۟ فِى دَارِهِمْ جَٰثِمِينَ

Dhe i goditi ata tërmeti katastrofal, e mbetën të vdekur në shtëpitë e tyre, të shtangur.

Ata i përfshiu një tërmet i fortë dhe aguan në shtëpitë e tyre si kufoma të gjunjëzuara. - Ata i kapi një tronditje e fuqishme, që i ktheu në kufoma të shtrira e të ftohta.

Al-A'raaf 7:91Listen in Qur'an →
92

ٱلَّذِينَ كَذَّبُوا۟ شُعَيْبًۭا كَأَن لَّمْ يَغْنَوْا۟ فِيهَا ۚ ٱلَّذِينَ كَذَّبُوا۟ شُعَيْبًۭا كَانُوا۟ هُمُ ٱلْخَٰسِرِينَ

Ata që e kanë konsideruar Shuajbin gënjeshtar – (u zhdukën), thuajse nuk kanë ekzistuar kurrë; ata që e kanë konsideruar Shuajbin gënjeshtar, u zhdukën krejtësisht.

Kundërshtarët e Shuajbit u bënë sikur të mos kishin qenë kurrë më parë. -Dukej sikur ata nuk kishin ekzistuar fare më parë në vendbanimet e tyre, sikur nuk ishin argëtuar kurrë aty, sikur nuk ishin çlodhur kurrë në hijet e kopshteve, sikur nuk ishin ata që ishin kënaqur në ujërat e freskët dhe nuk kishin shijuar frutat e pemëve të tyre. Ata i kapi ndëshkimi befas, duke i hedhur në çast nga vendi i kënaqësisë e argëtimit, në vendin e ndëshkimit dhe mallkimit.Ata që e mohuan Shuajbin - ata ishin të humburit. - Allahu i Lartësuar e përkufizon dështimin pikërisht tek ata fatzinj, sepse ishin ata që humbën si fenë, ashtu edhe vetveten dhe familjet e tyre. Pas këtij shkatërrimi, profeti Shuajb (a.s) u flet kufomave të tyre, duke u kthyer shpinën dhe me një ton qortues.

Al-A'raaf 7:92Listen in Qur'an →
93

فَتَوَلَّىٰ عَنْهُمْ وَقَالَ يَٰقَوْمِ لَقَدْ أَبْلَغْتُكُمْ رِسَٰلَٰتِ رَبِّى وَنَصَحْتُ لَكُمْ ۖ فَكَيْفَ ءَاسَىٰ عَلَىٰ قَوْمٍۢ كَٰفِرِينَ

E, Shuajbi u largua prej tyre dhe tha: “O populli im, unë u kam sjellë urdhërat e Zotit tim dhe ju kam këshilluar. E pse të hidhërohem unë për popullin mohues?!”

Ai(Shuajbi)u ktheu shpinën e tha: “O populli im! Unë jua kumtova qartë Shpalljen e Zotit tim e ju këshillova...” -Unë jua qartësova plotësisht Shpalljen e Zotit, por ju nuk i pranuat fjalët dhe udhëzimet e mia. Përkundrazi, ju i shkelët ato dhe kaluat kufijtë e Allahut....Prandaj pse të më vijë keq për një popull mohues?” - Pse të merakosem për një popull që nuk kishte asnjë të mirë dhe të cilët nuk e pranuan dhuratën që iu dha. Ata ishin të lidhur ngushtë me ligësinë, prandaj nuk kishte pse të vinte keq për ta. Përkundrazi, duhet të gëzoheshe me dënimin që morën. O Zot i madh, Ty të lutemi dhe të kërkojmë mbrojtje, që të na ruash nga një ndëshkim i tillë! E ku ka ndëshkim më të madh për njerëzit, sesa të arrijnë në atë gjendje që, prej tyre të distancohej krijesa më e mirë dhe më e dashur, profeti i Zotit?!

Al-A'raaf 7:93Listen in Qur'an →
94

وَمَآ أَرْسَلْنَا فِى قَرْيَةٍۢ مِّن نَّبِىٍّ إِلَّآ أَخَذْنَآ أَهْلَهَا بِٱلْبَأْسَآءِ وَٱلضَّرَّآءِ لَعَلَّهُمْ يَضَّرَّعُونَ

Na nuk kemi dërguar asnjë pejgamber – në ndonjë vendbanim, e që të mos i kemi dënuar banorët e tij, me skamje dhe sëmundje (për shkak të padëgjueshmërisë), për t’u përulur.

Sa herë që kemi dërguar pejgamber në ndonjë popull, Ne i kemi sprovuar ata me vuajtje e fatkeqësi, me qëllim që të përuleshin. - Allahu i Lartësuar i ka dërguar të gjithë profetët me mesazh të qartë: të adhurojnë Atë si Zot të vetëm. Kështu, ata i ftonin popujt e tyre në teuhid dhe i ndalonin nga e keqja ku kishin rënë. Kur nuk bindeshin, i Madhëruari i godiste me fatkeqësi dhe sprova, si me varfëri, sëmundje e telashe të tjera, me një qëllim të caktuar: që ata të përuleshin Allahut të Lartësuar për të pasuar të vërtetën. Por nëse kjo mënyrë nuk funksiononte dhe ata vazhdonin me arrogancën e tyre, atëherë:

Al-A'raaf 7:94Listen in Qur'an →
95

ثُمَّ بَدَّلْنَا مَكَانَ ٱلسَّيِّئَةِ ٱلْحَسَنَةَ حَتَّىٰ عَفَوا۟ وَّقَالُوا۟ قَدْ مَسَّ ءَابَآءَنَا ٱلضَّرَّآءُ وَٱلسَّرَّآءُ فَأَخَذْنَٰهُم بَغْتَةًۭ وَهُمْ لَا يَشْعُرُونَ

Pastaj, ua shndërruam fatkeqësinë me lumturi, e kur u shtuan dhe u madhështuan, ata thanë: “Edhe prindërit tonë i patën goditur hidhërimet e gëzimet”. E atëherë i dënuam ata papritmas, e ata nuk e hetuan (ardhjen e dënimit).

Pastaj ua kemi zëvendësuar vuajtjen me mirësi ... -U ktheheshin sërish mirësitë e begatitë e shumta dhe u largoheshin fatkeqësitë. Kështu, duke u kënaqur me mirësitë e Allahut, ata harronin kohën e fatkeqësive.... derisa shumoheshin e begatoheshin e thoshin: “Edhe etërit tanë kanë vuajtur e kanë qenë në skamje(kështu e ka jeta)”.Atëherë i dënonim në befasi, pa u kuptuar fare nga ata.” - Ata pandehnin se kishin nën kontroll absolut gjithçka që u kishte dhuruar Allahu dhe as që e prisnin shkatërrimin, që i kapi në befasi.

Al-A'raaf 7:95Listen in Qur'an →
96

وَلَوْ أَنَّ أَهْلَ ٱلْقُرَىٰٓ ءَامَنُوا۟ وَٱتَّقَوْا۟ لَفَتَحْنَا عَلَيْهِم بَرَكَٰتٍۢ مِّنَ ٱلسَّمَآءِ وَٱلْأَرْضِ وَلَٰكِن كَذَّبُوا۟ فَأَخَذْنَٰهُم بِمَا كَانُوا۟ يَكْسِبُونَ

Sikur banorët e vendbanimeve të besonin dhe të ruheshin prej mëkateve, Na do t’i vërshonim me dhunti nga qielli dhe toka, por ata gënjyen, prandaj, i dënuam për atë që vepruan.

Në ajetet e mëparshme, Allahu i Lartësuar na tregoi se i sprovon mohuesit me dy mënyra: me fatkeqësi, me qëllim që të reflektojnë e të pendohen, dhe duke u hapur portat e kënaqësive të kësaj bote, për t’i hutuar dhe për t’i ndëshkuar më pas në befasi. Pas këtij mesazhi të qartë, Allahu i Madhëruar na jep një mësim të çmuar për lumturinë në dynja dhe në ahiret:Sikur popujt e vendeve të kishin besuar(në Allahun)dhe të ishin të devotshëm, Ne do t’ua kishim hapur të gjitha llojet e begative nga qielli e nga toka... -Nëse do të besonin sinqerisht me zemër dhe nëse këtë e vërtetonin me vepra, atëherë Allahu i Madhëruar dhe Bujar do t’ua hapte portat e begative të qiejve dhe të tokës. Nga qielli do të binte ujë i bollshëm dhe i begatshëm, ndërsa toka do të mbushej me bimë e fruta, si ushqim i pasur për njerëzit dhe kafshët e tyre. Kështu, ata do të jetonin mes bollëkut, pa provuar lodhje, mundim, frikë e ankth. Por ata nuk i plotësuan këto dy kushte të lumturisë: ata as nuk besuan dhe as nuk u bindën ndaj porosive të Zotit. E cili qe rezultati? I Lartësuari thotë:...por ata mohuan(të vërtetën). Prandaj Ne i dënuam me shkatërrim, siç e merituan.- Për shkak të mosbesimit dhe gjynaheve të tyre, ata pësuan fatkeqësi dhe u privuan nga mirësitë e të Madhërishmit. Në fakt, kjo qe vetëm një pjesë e vogël e asaj që ata meritonin. Nëse Allahu do t’i ndëshkonte për të gjitha gjynahet e tyre, nuk do të linte në tokë asnjë gjallesë. Fatkeqësitë vijnë për shkak të gjynaheve të njerëzve, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “E keqja është shfaqur në tokë e në det për shkak të asaj që bënë duart e njerëzve, që ata të shijojnë një pjesë të ndëshkimit që meritojnë dhe me shpresë që të kthejnë rrugë (nga e këqja).” [Rum 41].

Al-A'raaf 7:96Listen in Qur'an →
97

أَفَأَمِنَ أَهْلُ ٱلْقُرَىٰٓ أَن يَأْتِيَهُم بَأْسُنَا بَيَٰتًۭا وَهُمْ نَآئِمُونَ

A janë të sigurtë banorët e vendbanimeve, se nuk do t’i arrijë dënimi Ynë, natën, - duke qenë ata në gjumë?

A ndihen të sigurt banorët e vendeve nga ndëshkimi Ynë që mund të vijë natën, kur ata janë në gjumë? - Bëhet fjalë për ata njerëz që mohojnë Zotin, ashtu sikurse kuptohet nga konteksti i ajeteve të mësipërme. Pra, mos vallë, janë siguruar këta banorë nga ndëshkimi i ashpër i Zotit, që mund t’i përshijë befas atëherë kur ata janë në gjumë apo të rehatuar?

Al-A'raaf 7:97Listen in Qur'an →
98

أَوَأَمِنَ أَهْلُ ٱلْقُرَىٰٓ أَن يَأْتِيَهُم بَأْسُنَا ضُحًۭى وَهُمْ يَلْعَبُونَ

A janë të sigurtë banorët e vendbanimeve, se nuk do t’i arrijë dënimi Ynë, ditën, - duke qenë në argëtim?

A ndihen të sigurt banorët e vendeve nga ndëshkimi Ynë që mund të vijë ditën për diell, kur janë duke dëfryer? - Çfarë i bën ata që të jenë të sigurt nga ky ndëshkim, ndërkohë që i kanë kryer të gjitha veprat që e sjellin atë?! Ata kanë kryer krime aq të mëdha, saqë vetëm një pjesë e tyre do të mjaftonte për të merituar ndëshkimin.

Al-A'raaf 7:98Listen in Qur'an →
99

أَفَأَمِنُوا۟ مَكْرَ ٱللَّهِ ۚ فَلَا يَأْمَنُ مَكْرَ ٱللَّهِ إِلَّا ٱلْقَوْمُ ٱلْخَٰسِرُونَ

A janë të sigurtë ata nga dënimi i Perëndisë? Dënimit të Perëndisë, nuk i frikësohen vetëm ata që janë të humbur.

A ndihen të sigurt ata nga ndëshkimi i Allahut? -Askush nuk mund të jetë i sigurt nga ndëshkimi i Allahut, i Cili u lë afat zullumqarëve dhe gradualisht i fut thellë ata në shtegun e ndëshkimit, pa u kuptuar fare nga ata. Ai vërtet i afatizon, por ndëshkimi i Tij është i pakthyeshëm dhe i ashpër. Njeriu i mençur nuk ndihet asnjëherë i siguruar prej ndëshkimit të Zotit të Madhërishëm. Për ata që ndihen rehat dhe mospërfillës ndaj këtij ndëshkimi, Allahu thotë:Askush nuk ndihet i sigurt nga ndëshkimi i Allahut, veç njerëzve të humbur. - Ata të cilët pretendojnë se janë të sigurt nga ndëshkimi i Allahut të Lartësuar, ata në të vërtetë nuk besojnë në gjykimin e drejtë të Tij. Në këtë mënyrë, ata dëshmojnë se nuk i besojnë profetët dhe shpalljet e Zotit. Ky ajet është një kërcënim i ashpër për njeriun, që të mos ndihet kurrë i shkujdesur dhe i sigurt në vetvete, me pretendimin se ka iman në zemrën e tij. Përkundrazi, robi duhet të jetë vazhdimisht i kujdesshëm, se ndoshta ndonjë fatkeqësi e sprovë nga Zoti mund të bëhet shkak që prej tij të largohet edhe ai iman që ka. Njeriu duhet të lutet gjithmonë: "Ja mukal-libel kulub! Theb-bit kalbi ala dinik!" - “O Ti që i ndryshon zemrat! Forcoje zemrën time në fenë Tënde!" Përveç kësaj, ai duhet të përpiqet me çdo mënyrë të treguar nga Zoti për të shpëtuar nga e keqja, sidomos në kohën e sprovave. Mos harroni një fakt: sado i plotësuar të ndihet në veten e vet njeriu, kurrë nuk duhet të ndihet i sigurt për shpëtimin.

Al-A'raaf 7:99Listen in Qur'an →
100

أَوَلَمْ يَهْدِ لِلَّذِينَ يَرِثُونَ ٱلْأَرْضَ مِنۢ بَعْدِ أَهْلِهَآ أَن لَّوْ نَشَآءُ أَصَبْنَٰهُم بِذُنُوبِهِمْ ۚ وَنَطْبَعُ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ فَهُمْ لَا يَسْمَعُونَ

A nuk iu është e qartë atyre që e trashëguan tokën e banorëve të mëparshëm të saj, se, nëse Na dëshirojmë, - i dënojmë ata për mëkatet e tyre dhe u vëmë vulë në zemrat e tyre, e ata nuk e ndiejnë (nuk e pranojnë).

Allahu i Madhëruar u drejtohet pasrendësve të popujve që u shkatërruan, duke thënë:A nuk është e qartë për ata që trashëguan tokën e banorëve të saj të hershëm se, nëse dëshirojmë, Ne mund t'i dënojmë për gjynahet e tyre dhe t'ua vulosim zemrat, që ata të mos dëgjojnë? - A nuk morën mësim njerëzit nga shkatërrimi i popujve të mëparshëm mosbesimtarë, të cilët Zoti i ndëshkoi pikërisht për shkak të mosbesimit dhe gjynaheve të tyre?! A nuk i tremben ngjashmërisë me popujt e shkatërruar në gjynahet e tyre?! Ata duhet të jenë të bindur se, Allahu i Lartësuar, nëse dëshiron, ka për t’i ndëshkuar ashpër për mosbesimin dhe gjynahet e tyre. Le ta kujtojnë gjithmonë se ky është rregulli i pakthyeshëm i të Madhërishmit, që nuk ka për të ndryshuar kurrë, si për të parët, ashtu edhe për të fundit. Mosbesimi dhe mosbindja kanë për t’u ndëshkuar ashpër. Madje, Allahu i Madhëruar thotë: "... dhe ua vulosim zemrat, që ata të mos dëgjojnë”. Ky është një kërcënim i frikshëm për ata që mendojnë. Allahu i Madhëruar u kujton njerëzve ndëshkimin e Tij dhe i udhëzon që të nënshtrohen sipas udhëzimit të Tij. Ai i qorton dhe kërcënon vazhdimisht, që ata t’i përmbahen porosive të Tij. Por ata, sa herë që këshillohen, nuk nxjerrin mësim, sa herë që qortohen nuk reflektojnë, sa herë që udhëzohen, e shpërfillin udhëzimin. Atëherë, mbi ta godet dënimi i të Drejtit dhe Krenarit, dënim që të urtët dhe të mençurit i druhen shumë. Ky dënim quhet: “vulosja e zemrave, që ata kurrë më të mos dëgjojnë dhe as të gjejnë udhëzimin në rrugën e drejtë”. Kështu, ata mund t’i dëgjojnë argumentet e Zotit me veshët e tyre, por kjo nuk u bën efekt. Ata dëgjojnë thjesht për të mos pasur më asnjë argument para Zotit të tyre.

Al-A'raaf 7:100Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.