Muslim99Muslim99
← Tafsir library

7. Al-A'raaf

The Heights · Meccan · 206 ayahs

سُورَةُ الأَعۡرَافِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 51–60 of 206

51

ٱلَّذِينَ ٱتَّخَذُوا۟ دِينَهُمْ لَهْوًۭا وَلَعِبًۭا وَغَرَّتْهُمُ ٱلْحَيَوٰةُ ٱلدُّنْيَا ۚ فَٱلْيَوْمَ نَنسَىٰهُمْ كَمَا نَسُوا۟ لِقَآءَ يَوْمِهِمْ هَٰذَا وَمَا كَانُوا۟ بِـَٔايَٰتِنَا يَجْحَدُونَ

të cilët e kanë marrë fenë lojë dhe argëtim, dhe të cilët, i ka mashtruar jeta e kësaj bote. Ne sot do t’i harrojmë ata, ashtu siç e kanë harruar ata takimin me këtë Ditë dhe për shkak se i kanë mohuar argumentet Tona.

Këta janë ata që fenë e tyre e merrnin si tallje e lojë dhe që u mashtruan nga jeta e dynjasë. -Ata i mashtroi jeta e kësaj bote me zbukurimet dhe joshjet e saj të larmishme. Mashtruesit dhe të mashtruarit i tërhiqnin drejt kësaj dynjaje, derisa ata u kënaqën dhe gjetën prehje me të. Në atë gjendje, ata e shihnin lumturinë veçse duke rendur pas bukurive mashtruese, prandaj e harruan ahiretin dhe i kthyen shpinën atij.Atë ditë Ne do t'i harrojmë ata, siç e harruan ata takimin e kësaj dite... -Allahu i Lartësuar do t’i lërë ata të harruar në ndëshkim, për shkak se ata e harruan ditën e takimit me Të. Ata ishin të pavëmendshëm ndaj ahiretit, a thua se ishin krijuar vetëm për të shijuar kënaqësitë e dynjasë dhe sikur nuk i priste asnjë llogari përpara Zotit....dhe për shkak se kundërshtuan Shenjat Tona. - Ata i kundërshtuan argumentet e Zotit, jo për shkak se ato ishin të paqarta apo të mangëta, por për shkak të arrogancës.

Al-A'raaf 7:51Listen in Qur'an →
52

وَلَقَدْ جِئْنَٰهُم بِكِتَٰبٍۢ فَصَّلْنَٰهُ عَلَىٰ عِلْمٍ هُدًۭى وَرَحْمَةًۭ لِّقَوْمٍۢ يُؤْمِنُونَ

Por, Ne u dëguam atyre Librin, të cilin ua kemi shpjeguar gjerësisht, si udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.

Ne u sollëm atyre një libër, të cilin ua shtjelluam hollësisht me dituri... - Në këtë libër, Allahu i Lartësuar sqaroi çdo çështje për të cilën krijesat kanë nevojë të dinë. Kjo Shpallje është zbritur me diturinë absolute të Zotit. Allahu i Lartësuar është i gjithëditur për gjendjen dhe nevojat e robërve në çdo kohë, gjendje dhe vend. Ai e di mirë se çfarë është më e dobishme për ta dhe çfarë jo. Po kështu, edhe qartësimi i Shpalljes nuk është bërë nga dikush që nuk i njeh çështjet apo që mund t’i fshihet ndonjë aspekt prej gjendjes së krijesave. Një i paditur nuk do të gjykonte kurrë me drejtësi dhe urtësi. Përkundrazi, shtjellimi i kësaj Shpalljeje është bërë nga Allahu i Lartësuar, dituria dhe mëshira e të Cilit ka përfshirë gjithçka. Allahu është i Gjithëdituri dhe i Gjithëmëshirshmi, prandaj e solli Shpalljen që të jetë:...për të qenë udhërrëfyes e mëshirë për të gjithë ata që besojnë. - Nëpërmjet saj, besimtarët do të dallojnë qartë rrugën e drejtë nga humbja. Ajo bën dallimin mes të vërtetës dhe të kotës, rrugës së drejtë dhe devijimit. Prandaj besimtarët i dallojnë lehtë të vërtetën dhe të kotën. Nëpërmjet diturisë dhe punës me sinqeritet për të kënaqur Allahun e Lartësuar, ata përfitojnë mëshirën që përmban Kur'ani. Me fjalë të tjera, ata i mundësojnë vetes çdo mirësi që u sjell lumturinë në këtë botë dhe në tjetrën. Ata janë të sigurt nga humbja dhe dëshpërimi. Nga ana tjetër, të mjerët, ata që meritojnë ndëshkimin, nuk e besojnë këtë libër madhështor dhe nuk zbatojnë urdhëresat e tij. Kështu, atyre nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të shikojnë realisht zbatimin e premtimit të Kur’anit, domethënë ndëshkimin e tyre. I Lartësuari thotë:

Al-A'raaf 7:52Listen in Qur'an →
53

هَلْ يَنظُرُونَ إِلَّا تَأْوِيلَهُۥ ۚ يَوْمَ يَأْتِى تَأْوِيلُهُۥ يَقُولُ ٱلَّذِينَ نَسُوهُ مِن قَبْلُ قَدْ جَآءَتْ رُسُلُ رَبِّنَا بِٱلْحَقِّ فَهَل لَّنَا مِن شُفَعَآءَ فَيَشْفَعُوا۟ لَنَآ أَوْ نُرَدُّ فَنَعْمَلَ غَيْرَ ٱلَّذِى كُنَّا نَعْمَلُ ۚ قَدْ خَسِرُوٓا۟ أَنفُسَهُمْ وَضَلَّ عَنْهُم مَّا كَانُوا۟ يَفْتَرُونَ

A mos vallë ata presin realizimin konkret të tij? E, kur t’u vijë ajo që e presin (premtimi dhe qortimi), do të thonë për atë që e kanë harruar më parë: “Pejgamberët e Zotit tonë na kanë sjellë të vërtetën! A ka ndonjë ndërmjetësues që angazhohet për ne, ose të kthehemi (në këtë jetë), që të punojmë ndryshe seç kemi punuar”. Me të vërtetë, ata e kanë shkatërruar veten, e u zhdukën edhe ato që i trilluan.

Mos vallë, ata po presin realizimin e tij (premtimit të Zotit)? -A po presin gjë tjetër, vallë, veç realizimit të tij, ashtu sikurse është paralajmëruar?! Le ta dinë se:Atë ditë kur ai të realizohet, ata të cilët më parë e kishin harruar do të thonë: “Vërtet, të dërguarit e Zotit tonë erdhën me fakte të vërteta.” -Të penduar e me keqardhje të plotë për çfarë bënë në jetën e kësaj bote si dhe duke kërkuar ndërmjetësim për t’u falur gjynahet e tyre, ata do të thonë: “Vërtet, të dërguarit e Zotit tonë erdhën me fakte të vërteta.". Ata do të pranojnë gjithçka që u kishin thënë profetët, prandaj do të kërkojnë ndërmjetësim për falje gjynahesh. Atë ditë do të kërkojnë që të kthehen edhe njëherë në dynja dhe të bëjnë vepra të mira, ndryshe nga ç'vepruan më përpara, por koha e pendimit tashmë ka përfunduar. Kërkesat e tyre nuk do të kenë rezultat, sikurse thotë Allahu i Lartësuar:Ditën kur ai të realizohet, ata që e kishin harruar do të thonë: “Vërtet, të dërguarit e Zotit tonë na kanë sjellë të vërtetën. A ka ndonjë që të ndërmjetësojë për ne? A mund të kthehemi e të veprojmë ndryshe nga ç’kemi bërë?” -Gjithsesi, edhe kërkesa e tyre për t’u kthyer në dynja dhe për të bërë vepra të mira është një mashtrim. Ata thjesht duan të shpëtojnë nga ndëshkimi, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në këtë ajet: “Po, atyre u del në shesh ajo që më parë e mbanin fshehur. Por, edhe sikur të ktheheshin, ata do ta kryenin sërish atë që u ishte ndaluar. Me të vërtetë, ata janë gënjeshtarë." [En'am 28].Në të vërtetë, ata kanë humbur vetveten... -Ata e kanë shkatërruar vetveten që në momentin kur hodhën hapin e gabuar në kufër, duke u privuar kështu nga të gjitha mirësitë dhe begatitë që besimi i drejtë të garanton. Ata zgjodhën rrugën e humbjes dhe të rrënimit. Ky dështim nuk është aspak si humbja e pasurisë apo qoftë edhe humbja e njerëzve më të dashur, pasi ai nuk mund të ndreqet a zëvendësohet më kurrë....dhe iluzionet(idhujt)e tyre nuk do t'u sjellin asnjë dobi. - Çdo iluzion i ushqyer nga vetja apo nga Shejtani i mallkuar tashmë zhduket, duke lënë pas veçse dhimbjen dhe dëshpërimin. Madje, ata do të përballen me diçka që kurrë nuk e kishin menduar. Ata do e shohin qartë kotësinë pas të cilës kishin vrapuar. Tashmë, ajo që e kishin paralajmëruar profetët është bërë realitet, që për ta është një realitet shumë i hidhur.

Al-A'raaf 7:53Listen in Qur'an →
54

إِنَّ رَبَّكُمُ ٱللَّهُ ٱلَّذِى خَلَقَ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ فِى سِتَّةِ أَيَّامٍۢ ثُمَّ ٱسْتَوَىٰ عَلَى ٱلْعَرْشِ يُغْشِى ٱلَّيْلَ ٱلنَّهَارَ يَطْلُبُهُۥ حَثِيثًۭا وَٱلشَّمْسَ وَٱلْقَمَرَ وَٱلنُّجُومَ مُسَخَّرَٰتٍۭ بِأَمْرِهِۦٓ ۗ أَلَا لَهُ ٱلْخَلْقُ وَٱلْأَمْرُ ۗ تَبَارَكَ ٱللَّهُ رَبُّ ٱلْعَٰلَمِينَ

Me të vërtetë, Zoti juaj është Perëndia, që i ka krijuar qiejt dhe tokën për gjashtë ditë (periudha të caktuara kohe), e pastaj e mbisundoi gjithësinë. Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë; e Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhërit të Tij. Vetëm ai krijon dhe sundon. I Lartësuar është Perëndia, Zoti i gjithësisë!

Duke e qartësuar se Ai është i vetmi Zot që meriton të adhurohet si Një, i Vetëm dhe i Pashoq, i Lartësuari thotë:Vërtet, Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj qëndroi mbi Fron. -Allahu krijoi qiejt, tokën dhe çdo gjë mes tyre, me gjithë madhështinë, gjerësinë dhe përpikmërinë e tyre. Ai i krijoi ato në formën më të rregullt, dhe këtë e bëri për gjashtë ditë. Dita e parë e krijimit ishte dita e diel dhe e fundit ishte e xhumaja. Pasi e përsosi këtë krijim, duke vendosur rregullin e çdo gjëje, i Lartësuari qëndroi mbi Fron. Ai është një fron madhështor, i cili ka përfshirë qiejt, tokën dhe gjithçka në to dhe mes tyre. Ai u lartësua mbi Fron ashtu siç i takon madhështisë, lartësisë dhe pushtetit të Tij. Allahu u ngrit mbi Fron dhe përfshiu nën sundim të gjithë krijimin e Tij. Është Ai që rregullon dhe administron çështjet e gjithësisë së krijuar prej Tij. Ai vendosi në këtë gjithësi rregullat dhe ligjet e krijimit, nëpërmjet të cilëve funksionon gjithçka. Asgjë nuk del jashtë ligjeve të Allahut. Gjithashtu, është Allahu, i vetmi të Cilit i takon të vendosë edhe ligjet fetare e të jetesës, të cilat janë të detyrueshme të zbatohen nga robërit e Tij.Ai e mbulon ditën me natën,... - Ai e mbulon dritën e ditës me errësirën e natës. Kështu, njerëzit gjejnë prehjen dhe krijesat strehohen në vendbanimin e tyre për t’u qetësuar nga lodhja e ditës....që me të shpejtë e kërkon atë sërish. -Sa herë që vjen nata, largohet dita dhe sa herë që vjen dita, largohet nata. Kështu vazhdon të funksionojnë ligjet e Tij në mënyrë të rregullt, deri kur të vijë dita që Allahu ta palosë këtë botë dhe robërit të zhvendosen në një tjetër vendbanim: në Xhenet ose në Zjarr.Edhe Dielli, Hëna dhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. - Gjithçka i është nënshtruar ligjit dhe urdhrave të të Madhërishmit. Kjo tregon se Ai ka cilësi të plota të madhështisë dhe pushtetit. Krijimi i kësaj gjithësie madhështore dëshmon për pushtetin dhe fuqinë e Tij absolute. Përsosmëria, rregulli dhe përpikmëria e funksionimit të saj dëshmojnë për urtësinë e plotë dhe të paanë të Allahut. Mirësitë dhe dobitë e shumta që Ai ka vendosur në këtë gjithësi për krijesat e Tij, qofshin ato domosdoshmëri, pa të cilat jeta është e pamundur, qofshin mirësi më të vogla, të gjitha këto tregojnë se sa e gjerë është dituria dhe mëshira e Allahut. Të gjitha këto së bashku tregojnë bindshëm se Ai është i Vetmi që meriton të adhurohet me dashuri, shpresë dhe frikërespekt. Vetëm Allahut duhet t’i përkushtohen të gjitha adhurimet.Vetëm Atij i takon Krijimi dhe Sundimi. -Vetëm Allahu është Krijuesi, Ai që krijoi të gjitha qeniet tokësore dhe ato qiellore, me cilësitë dhe veçoritë e tyre. Allahut i takon gjykimi dhe kontrolli i çdo çështjeje. Është Ai që vendos ligjet dhe të gjithë e kanë detyrë t’i zbatojnë dhe të jetojnë sipas tyre. Në dorë të Allahut është dhënia e profetësisë dhe gjithçka që lidhet me të, si mrekullitë, shpallja etj. Vetëm Ai shpërblen dhe ndëshkon me drejtësi, në varësi të zbatimit ose jo të ligjit të vendosur nga Ai. Fjala ‘Atij i takon krijimi’ nënkupton se në dorë të Allahut janë ligjet e ekzistencës dhe funksionimit të kësaj gjithësie. Ndërsa fjala …

Al-A'raaf 7:54Listen in Qur'an →
55

ٱدْعُوا۟ رَبَّكُمْ تَضَرُّعًۭا وَخُفْيَةً ۚ إِنَّهُۥ لَا يُحِبُّ ٱلْمُعْتَدِينَ

Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe ngadalë! Ai, me të vërtetë, nuk i do ata që e kalojnë kufirin.

Luteni Zotin tuaj me përulësi dhe fshehtaz! - Allahu i Lartësuar na urdhëron që t’i drejtohemi Atij me të dyja format e lutjeve: me kërkesa të drejtpërdrejta dhe me adhurime.I Madhëruari i porosit robërit e Tij që të luten me përunjësi e përgjërim, duke qenë të përkushtuar dhe të vazhdueshëm në adhurimin ndaj Atij. Gjithashtu, lutjet e tyre drejtuar Allahut duhet të stolisen edhe me një cilësi tjetër: ato duhet të bëhet me përunjësi, jo me zë të lartë e me shfaqje të tepruara, si për sytë e njerëzve.Ai nuk i do ata që e teprojnë. - Allahu nuk i do ata që e kalojnë masën, në çdo çështje qoftë. Kalimi i masës në lutje ndodh kur kërkon gjëra që nuk janë të lejueshme, kur e tepron me përzgjedhjen e fjalëve ose rimën e tyre, kur ngre zërin ose kur shfaq hapur përgjërim të ekzagjeruar.Shih tefsirin e ajetit 186 të sures Bekare.

Al-A'raaf 7:55Listen in Qur'an →
56

وَلَا تُفْسِدُوا۟ فِى ٱلْأَرْضِ بَعْدَ إِصْلَٰحِهَا وَٱدْعُوهُ خَوْفًۭا وَطَمَعًا ۚ إِنَّ رَحْمَتَ ٱللَّهِ قَرِيبٌۭ مِّنَ ٱلْمُحْسِنِينَ

Dhe mos bëni çrregullime në tokë, kur në të është vënë rregulli, e Atij lutjuni duke iu friguar dhe shpresuar; se, me të vërtetë, mëshira e Perëndisë është afër bamirësve.

Mos shkaktoni trazira në tokë, pasi është vendosur rregulli në të... - Mos përhapni shkatërrim e kaos në tokë nëpërmjet gjynaheve, mosbindjes ndaj Allahut të Lartësuar dhe poshtërsive, pasi është vendosur rregull përmes bindjes e nënshtrimit ndaj Allahut dhe adhurimit të Tij! Nuk ka dyshim se mosbindja ndaj Zotit dhe gjynahet e shkatërrojnë moralin, veprat e krijesave dhe mirëqenien e tyre, sikurse ka thënë i Lartësuari në një ajet tjetër: "Për shkak të veprave të këqija të njerëzve, është shfaqur në tokë e në det shkatërrimi, në mënyrë që të vuajnë një pjesë të ndëshkimit që meritojnë dhe me shpresë që të heqin dorë prej tyre." [Rum 41]. Nga ana tjetër, nëpërmjet bindjes, punëve të mira dhe adhurimit të Allahut të Lartësuar përmirësohen morali e veprat e robërve dhe zbret begatia prej Tij. Nëpërmjet bindjes rregullohen të gjitha çështjet e dynjasë dhe të ahiretit....dhe lutjuni Atij me drojë dhe me shpresë(në zemër)! Mëshira e Allahut është gjithmonë pranë vepërmirëve. - Lutjuni Allahut duke pasur frikë ndëshkimin e Tij dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij. Lutuni duke shpresuar që Ai ta pranojë lutjen tuaj, por edhe të frikësuar se mos Ai e refuzon atë. Mos u lutni si të përkëdhelur, të vetëkënaqur dhe duke mbivlerësuar veten. Gjithashtu, mos u lutni thjesht me fjalë që vërtiten në gojë, që dalin nga një zemër e shpërqendruar dhe e hutuar, por lutuni me përqendrim të plotë dhe insistim maksimal. Siç shihet, ndër normat e lutjes, ashtu siç i ka përmendur Allahu i Lartësuar, janë:1. Të jetë e sinqertë vetëm për Allahun e Lartësuar, dhe kjo kuptohet nga këshilla për t’u lutur me përunjësi.2. Zemra të jetë e mbushur me frikë dhe me shpresë, dhe jo duke qenë të shpërqendruar dhe të pavëmendshëm. 3.Duaja të bëhet duke kërkuar me këmbëngulje përgjigjen, dhe jo sa për të kaluar radhën apo pa u shqetësuar shumë në do t’i përgjigjet Allahu apo jo.

Al-A'raaf 7:56Listen in Qur'an →
57

وَهُوَ ٱلَّذِى يُرْسِلُ ٱلرِّيَٰحَ بُشْرًۢا بَيْنَ يَدَىْ رَحْمَتِهِۦ ۖ حَتَّىٰٓ إِذَآ أَقَلَّتْ سَحَابًۭا ثِقَالًۭا سُقْنَٰهُ لِبَلَدٍۢ مَّيِّتٍۢ فَأَنزَلْنَا بِهِ ٱلْمَآءَ فَأَخْرَجْنَا بِهِۦ مِن كُلِّ ٱلثَّمَرَٰتِ ۚ كَذَٰلِكَ نُخْرِجُ ٱلْمَوْتَىٰ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ

Ai i dërgon erërat si lajme të gëzuara para mëshirës së Tij; e kur erërat lëvizin retë e rënda me shi, Na i çojmë ato kah vendi i vdekur, e lëshojmë shi në të dhe nxjerrim lloj-lloj frutash; po kështu do t’i ngjallim të vdekurit, për të menduar ju!

Allahu i Madhëruar na shpalos një shenjë të pushtetit dhe mëshirës së Tij të pamatë kur thotë:Është Ai që i lëshon erërat si përgëzim para mëshirës së Tij. - Është Allahu që i dërgon erërat paralajmëruese të shiut, aq të nevojshëm për jetën në tokë. Nëpërmjet ujit të shiut, me lejen dhe mëshirën e Allahut të Madhërishëm, toka gjallërohet dhe krijesat gëzohen.Kur erërat bartin re të mëdha, Ne i sjellim ato mbi një tokë të vdekur dhe atje e zbresim shiun, -Kur erërat bashkojnë retë, atëherë i Gjithëmëshirshmi bën që shiu të bjerë poshtë, në tokën e zhuritur për ujë, ku krijesat janë pranë vdekjes dhe pa shpresë ndaj mëshirës së Allahut. Kur bie shiu, bashkë me të zbret jeta, shpresa dhe gëzimi. Ai bie me butësi dhe shpërndahet aq bukur nëpërmjet erës, për të ngopur tokën dhe krijesat mbi të. Kështu, jeta fillon të gëlojë nga e para, siç thotë i Madhëruari më pas:...nëpërmjet të cilit bëjmë që të dalin nga të gjitha prodhimet. - Dhe krijesat lumturohen me mëshirën dhe bujarinë e Allahut ndaj tyre. Në vijim, i Madhëruari thotë diçka që duhet t’i bëjë njerëzit të reflektojnë:Kështu do t’i nxjerrim të vdekurit; kësisoj ju mund të kujtoni. - Ashtu siç e ringjallim tokën e vdekur duke nxjerrë prej saj bimësinë, po kështu do t’i nxjerrim të vdekurit nga varret, pasi të jenë bërë pluhur e tretur një me tokën. Ky është një argumentim tejet i qartë dhe i kuptueshëm për pushtetin absolut të Allahut të Lartësuar. Nuk ka asnjë ndryshim mes dy rasteve. Prandaj, çdokush që e mohon ringjalljen, - edhe pse vazhdimisht sheh shëmbëllimet e saj në natyrë, - e bën këtë thjesht nga inati e kryeneçësia. Madje, mund të thuhet se kështu mohon një fakt të vërtetueshëm nga shqisat. Këto ajete janë gjithashtu nxitje për të këqyrur shenjat e Allahut me syrin e atij që kërkon të nxjerrë mësime, e jo fare me shpërfillje. Në vijim, i Madhëruari na përmend llojet e tokave, ku zbret shiu:

Al-A'raaf 7:57Listen in Qur'an →
58

وَٱلْبَلَدُ ٱلطَّيِّبُ يَخْرُجُ نَبَاتُهُۥ بِإِذْنِ رَبِّهِۦ ۖ وَٱلَّذِى خَبُثَ لَا يَخْرُجُ إِلَّا نَكِدًۭا ۚ كَذَٰلِكَ نُصَرِّفُ ٱلْءَايَٰتِ لِقَوْمٍۢ يَشْكُرُونَ

Toka e mirë i jep frutet me lejën e Zotit të saj, e ajo tokë që është e ligë jep vetëm me mund. Që kështu, Na, në mënyrë të ndryshme ua shpjegojmë dokumentet Tona popullit mirënjohës.

Toka e mirë i jep prodhimet e saj me lejen e Zotit, -Së pari, është toka e mirë, toka pjellore. Kur mbi të bie shi, ajo jep prodhim, me lejen e Krijuesit të saj, Allahut të Madhëruar. Sidoqoftë, asgjë nuk mund të dalë jashtë vullnetit dhe përcaktimit të të Urtit të Gjithëpushtetshëm. Shkaqet mund të sjellin pasojat e tyre veçse me dëshirën e Zotit të Madhëruar, që ka në dorë çdo të shkak dhe pasojë....ndërsa toka e keqe mezi jep diçka. -Nga ana tjetër, toka e keqe prodhon veçse bimë të këqija, të cilat nuk kanë asnjë dobi.Kështu i shpjegojmë Ne argumentet Tona për ata që janë mirënjohës. - Kështu, me shembuj konkretë, i bëjmë të larmishme dhe të qarta argumentet Tona, në mënyrë që mirënjohësit ndaj Allahut të përfitojnë dhe nxjerrin mësime prej tyre. Ata që e lavdërojnë Allahun dhe i shprehin mirënjohjen Atij për mirësitë që u ka dhuruar, pikërisht ata dinë të përfitojnë nga shembujt e sjellë nga i Madhërishmi, i Cili është i Gjithëditur dhe i Urtë. Ata arrijnë ta dallojnë udhën e drejtë dhe i kuptojnë lehtësisht dispozitat e Zotit për jetën e tyre. E si të ndodhë ndryshe, kur ata e konsiderojnë Shpalljen e Zotit si mirësinë më të madhe, të cilës duhet t’i përkushtohesh dhe për të cilën duhet t’i shprehësh Atij mirënjohjen e plotë. Për ta, ajo është vetë jeta e dhuruar. Këtë mirësi ata e presin me gëzim dhe e pranojnë me përunjësi, për vetë domosdoshmërinë e saj. Ata meditojnë thellë në të. Në varësi të mirësisë dhe gradës së besimit të tyre, ata përfitojnë nga ‘uji’ i Shpalljes së Zotit. Ashtu sikurse toka pas shiut prodhon në varësi të cilësisë së saj, ashtu edhe zemra e njeriut, në varësi të imanit, përfiton nga Shpallja dhe jep frytet e saj. Për sa u përket zemrave të nxira dhe të ngurta, kur mbi to zbret Shpallja e Zotit, nuk gjen vend të përshtatshëm për të dhënë frytet e saj. Ajo gjen zemra të shkujdesura e mospërfillëse, madje kundërshtuese të saj. Shpallja kalon nëpër këto zemra ashtu si uji që rrëshqet në një tokë shkëmbore apo uji që humbet pa asnjë dobi në tokë ranore. Kjo ngjan me thënien e Allahut të Madhëruar: “Ai zbret nga qielli ujë, që rrjedh nëpër lumenj me masë, ndërsa vala nxjerr shkumën mbi sipërfaqe. Edhe ajo që del nga shkrirja (e xeherorit) në zjarr për të bërë me të ndonjë stoli ose ndonjë mjet, është shkumë e ngjashme si ajo. Kështu e sqaron Allahu shembullin e së vërtetës dhe të së pavërtetës. Sepse zgjyra zhduket si shkuma, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve, mbetet në tokë. Kështu i shpjegon Allahu shembujt.” [Ra'd 17].

Al-A'raaf 7:58Listen in Qur'an →
59

لَقَدْ أَرْسَلْنَا نُوحًا إِلَىٰ قَوْمِهِۦ فَقَالَ يَٰقَوْمِ ٱعْبُدُوا۟ ٱللَّهَ مَا لَكُم مِّنْ إِلَٰهٍ غَيْرُهُۥٓ إِنِّىٓ أَخَافُ عَلَيْكُمْ عَذَابَ يَوْمٍ عَظِيمٍۢ

Na me të vërtetë, ua kemi dërguar Nuhun popullit të tij, i cili u tha: “O populli im! Adhuronie Perëndinë, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! – Unë frikësohem për ju nga dënimi në Ditën e madhe!”

Pas një sërë argumentesh rreth njëshmërisë së Tij, Allahu i Madhëruar vijon me historitë që flasin për profetët dhe thirrjen e tyre për nënshtrimin ndaj Allahut e për ta adhuruar Atë si një të vetëm. Këtu tregohet mospranimi i ftesës nga njerëzit e këqij dhe ndihma që Zoti u dha profetëve dhe pasuesve të tyre, që ishin njësues e të sinqertë. Allahu i shkatërroi kryeneçët, ata të cilët nuk u bindën dhe nuk ndoqën rrugën e profetëve të Tij. Nga këto histori kuptojmë se mesazhi i të gjithë profetëve ka qenë i njëjtë. Thirrja e tyre ka qenë adhurimi i një Zoti të vetëm. Kështu e fillon Allahu i Madhëruar historinë e të parit profet të dërguar pas Ademit a.s, duke thënë:Ne e dërguam Nuhun te populli i vet... -Nuhu i ftoi ata të adhuronin një Zot të vetëm, sepse ata adhuronin idhujt...dhe ai u tha: “O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet. -Adhuroni Allahun si Një, të Vetëm dhe të Pashoq, sepse Ai është Krijuesi, Furnizuesi dhe Rregulluesi i të gjitha çështjeve, ndërsa gjithçka tjetër është krijesë e varfër, nevojtare dhe e nënshtruar, që nuk ka asgjë në dorë. Nëse nuk e bëni, dijeni se ju pret një ndëshkim i dhembshëm.Unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të madhe.” - Ky moment dëshmon kujdesin e madh të Nuhut (a.s) për të këshilluar popullin dhe dhembshurinë e tij ndaj tyre. Profeti Nuh i frikësohej ndëshkimit të ashpër të Zotit mbi ta. Të tillë ishin të gjithë profetët e Zotit. Ata ishin më të dhembshur për popujt e tyre sesa prindi për fëmijën. Kur Profeti (a.s)u tha këto fjalë, ata iu përgjigjën në formën më të shëmtuar.

Al-A'raaf 7:59Listen in Qur'an →
60

قَالَ ٱلْمَلَأُ مِن قَوْمِهِۦٓ إِنَّا لَنَرَىٰكَ فِى ضَلَٰلٍۢ مُّبِينٍۢ

Paria e popullit të tij thanë: “Na me të vërtetë, të shohim ty në humbje të madhe”.

Paria e popullit i tha: “Ne po të shohim se ti je krejt i përhumbur.” - Kështu u përgjigjën sundimtarët e popullit të tij. Ka qenë traditë thuajse e pandryshueshme, që sundimtarët të shprehnin mendjemadhësi ndaj ftesës së profetëve. Ata nuk bindeshin për të punuar e jetuar sipas Shpalljes së Zotit. Përgjigjja e tyre ishte: “Ju jeni njerëz të humbur.” Allahu i shëmtoftë dhe i poshtëroftë! Nuk mjaftonte që nuk pranonin të zbatonin porositë e profetëve, por shprehnin edhe arrogancë, madje i sulmonin profetët me fyerje e shpifje të ulëta. Populli e konsideroi Nuhun (a.s) si njeri të humbur dhe fare të parëndësishëm. Kjo shpifje ishte tregues i një arrogance të pashembullt ndaj të dërguarit dhe fesë së Zotit. Megjithatë, ajo mund të ndikonte veçse te mendjelehtët, të cilët ishin të verbuar nga të mirat e kësaj bote dhe pushteti i atyre mjeranëve. Madje, të humbur ishin pikërisht ata, që refuzuan Shpalljen e Zotit. Të humbur ishin ata, të cilët gdhendnin puta me duart e tyre, dhe pastaj i adhuronin si zota, duke iu flijuar kurbane dhe duke iu kushtuar adhurime, që i meriton veçse Allahu i Madhërishëm. Edhe ajo pak logjikë që mund të kenë në kokë idhujtarët nuk u vlen aspak. Ata nuk do të kenë asnjë lloj arsyetimi para të Madhërishmit në Ditën e Llogarisë. Kështu, edhe të çmendurit janë në pozicion më të mirë se ata. Por Nuhu (a.s)përsëri, me dhembshurinë dhe butësinë e tij u tha:

Al-A'raaf 7:60Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.