Ne do t’ua heqim urrejtjen(dhe armiqësinë)nga zemrat, -Kjo tregon bujarinë dhe bamirësinë e madhe të Allahut të Lartësuar mbi banorët e Xhenetit. Urrejtja, smira dhe armiqësia që mbajnë zemrat në këtë botë, nuk do të ekzistojnë më në Xhenet. Allahu i Lartësuar ka për t’ua pastruar zemrat nga të tilla sëmundje dhe ata do të jenë vëllezër të dashur dhe miq të sinqertë, sikurse thotë Allahu i lartësuar: "Dhe Ne do të heqim prej zemrave të tyre çdo ndjenjë urrejtjeje e ata do të jenë si vëllezër në shtretër dhe përballë njëri- tjetrit." [El hixhr 37]. Madje, jo vetëm që i pastron zemrat nga të tilla sëmundje, por edhe krijon brenda tyre ndjenja fisnike dhe dashamirësie, aq sa secili prej tyre do të arrijë një nivel të papërshkrueshëm të kënaqësisë, gëzimit dhe lumturisë. Gjithësecili do ta shohë veten në kënaqësinë dhe lumturinë më të madhe, duke ndjerë se askush tjetër nuk i ka mirësitë që gëzon ai. Banorët e Xhenetit do të jenë të pastër nga urrejtja nga zilia, sepse edhe shkaktarët e tyre nuk do të ekzistojnë....ndërsa poshtë tyre do të rrjedhin lumenj. -Banorët e Xhenetit do t’i bëjnë këta lumenj që të shpërthejnë dhe të rrjedhin ku dhe kur të dëshirojnë ata. Nëse dëshirojnë që lumenjtë të rrjedhin brenda kështjellave të tyre, në dhomat e larta dhe të zbukuruara apo mes kopshteve të bukura plot gjelbërim dhe lule, ashtu do të ndodhë. Numri i lumenjve nuk është i kufizuar, ashtu si edhe mirësitë që ata do të përjetojnë.Ata do të thonë: “I lavdëruar qoftë Allahu, i Cili na udhëzoi për këtë (lumturi). - Sigurisht, ishte mirësia dhe bujaria Allahut që na zbukuroi dhe na e bëri të dashur imanin për zemrat tona, prandaj ato u nënshtruan dhe u mbushën me dashuri, shpresë dhe frikërespekt për Allahun e Lartësuar. Këto zemra të mbushura me këto ndjenja të mrekullueshme, të dhuruara nga i Lartësuari, i nënshtruan trupat e tyre për të bërë ato vepra që Zoti i përcaktoi si të vetmen rrugë për të arritur kënaqësinë dhe Xhenetin e Tij. Falënderimi, lavdia dhe mirënjohja e plotë i qofshin Allahut të Lartësuar, që, me mëshirën dhe bujarinë e Tij, na dhuroi këtë besim! Pasi na fali imanin, Allahu i Lartësuar e ruajti atë dhe u kujdes që ne të vazhdojmë të bëjmë vepra të mira. Është, pa dyshim, përkujdesja e Tij e vazhdueshme, plot mëshirë e butësi, falje dhe bujari, ajo që na solli në këtë vend të mirësive të përjetshme. Sa Zot i mirë dhe bujar është Zoti ynë, i Vetmi që meriton adhurimet tona! Ishte Ai që na zgjodhi dhe na dhuroi mirësitë e Tij, para se ne të shprehnim mirënjohjen për to. Ai na mbuloi tërësisht me mirësi të dukshme dhe të padukshme, aq sa askush nuk mund t’i numërojë dhe përkufizojë ato. Allahut i qoftë falënderimi, lavdia dhe mirënjohja e plotë, që na udhëzoi në këto mirësi!Ne kurrë nuk do të dinim ta gjenim udhëzimin, sikur të mos na drejtonte Allahu. -Kuptimi: Shpirtrat tanë nuk ishin të denjë dhe të aftë për ta përqafuar këtë udhëzim, sikur të mos ishte mëshira dhe bujaria e Allahut të Lartësuar ndaj nesh. Ai na bëri të denjë për ta ndjekur udhëzimin e Tij dhe për të pasuar profetët dhe shpalljet e Tij.Vërtet, të dërguarit e Zotit na e sollën të vërtetën!” - Ata i thonë këto fjalë në momentin kur shijojnë mirësitë dhe begatitë për të …