Muslim99Muslim99
← Tafsir library

7. Al-A'raaf

The Heights · Meccan · 206 ayahs

سُورَةُ الأَعۡرَافِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 41–50 of 206

41

لَهُم مِّن جَهَنَّمَ مِهَادٌۭ وَمِن فَوْقِهِمْ غَوَاشٍۢ ۚ وَكَذَٰلِكَ نَجْزِى ٱلظَّٰلِمِينَ

Për ta janë përgatitur shtretër zjarri, e mbi ta do të ketë mbulesa zjarri. Kështu Na i ndëshkojmë zullumqarët.

Për ata është përgatitur Xhehenemi, si shtrat nga poshtë dhe si mbulesë nga lart. -Shtratin poshtë do ta kenë prej zjarri dhe mbulesën lart gjithashtu prej zjarri. Kështu, ata do të jenë të rrethuar tërësisht nga zjarri.Kështu i shpërblejmë Ne të padrejtët. - Ky është ndëshkimi për ata që janë ‘dhâlimin’ - të padrejtë, që shkatërrojnë vetveten, sepse Allahu nuk i bën padrejtësi askujt.

Al-A'raaf 7:41Listen in Qur'an →
42

وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ لَا نُكَلِّفُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَآ أُو۟لَٰٓئِكَ أَصْحَٰبُ ٱلْجَنَّةِ ۖ هُمْ فِيهَا خَٰلِدُونَ

Ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – Na nuk i ngarkojmë më tepër, veç sa kanë mundësi – ata janë banorë të xhennetit, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë.

Pasi përshkroi gjendjen e të pabindurve dhe zullumqarëve, Allahu i Lartësuar na tregon për shpërblimin e të bindurve dhe vepërmirëve:Kurse ata që besojnë dhe bënë vepra të mira... -Domethënë, ata që besojnë me zemër dhe bëjnë vepra të mira të dukshme, ata që janë të kujdesshëm në kryerjen e detyrimeve dhe largimin nga haramet. Nocioni “vepra të mira” përmbledh të gjitha llojet e punëve të mira, të detyrueshme apo të pëlqyeshme qofshin ato. Por, shpeshherë, disa vepra të mira mund të jenë jashtë mundësive të njeriut, prandaj i Lartësuari thotë më pas:- dhe Ne nuk detyrojmë njeri përtej mundësive, - -Allahu i Lartësuar nuk ngarkon asnjë tej mundësive dhe aftësive me të cilat e ka pajisur. Ky parim vlen për të gjitha ligjet e Tij. Sigurisht, çdo dispozitë që Zoti ka vendosur për robërit e Tij është brenda mundësive të tyre për ta zbatuar. Për këtë arsye, ata duhet të përpiqen sinqerisht me të gjitha mundësitë për të zbatuar çdo porosi të Zotit dhe të Profetit të Tij. Nëse ndodh që, ndonjëherë, për shkaqe të ndryshme, ndonjë porosi të tejkalojë mundësitë e njeriut, ai është i justifikuar tek Allahu i Lartësuar, i Cili thotë: "Allahu nuk e ngarkon asnjë përtej mundësive të tij: ai (robi) do të marrë atë çfarë ka fituar dhe do të ketë kundër atë çfarë ka merituar." [El bekare 286]. Dhe thotë: "Allahu nuk ngarkon asnjë më tepër se sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Allahu sjell lehtësim." [El talak 7]. Dhe thotë: " .... nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi." [El haxh 78]. Dhe thotë: "Bëhuni të devotshëm ndaj Allahut sa të mundeni, dëgjoni, binduni dhe shpenzoni për bamirësi! Kjo është në të mirën tuaj. Kush i ruhet koprracisë së vetes, është i shpëtuar." [El tegabun 16]. Kështu, nuk ka detyrim në rast pamundësie dhe nuk ka haram në raste domosdoshmërie....ata janë banorë të Xhenetit, ku do të jenë përgjithmonë. - Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të jetojnë përgjithmonë. Ata nuk kanë për t’u larguar më prej tij dhe nuk kanë për të kërkuar a pëlqyer diçka tjetër veç tij. Ata nuk do të dëshirojnë kurrë të largohen nga ai vend, për shkak të shumëllojshmërisë së begative dhe mirësive, të cilat i tejkalojnë të gjitha përfytyrimet dhe dëshirat e tyre. Askush nuk ka mundësi që të synojë dhe ëndërrojë diçka më të përkryer se mirësitë dhe kënaqësitë që gjenden në Xhenet.

Al-A'raaf 7:42Listen in Qur'an →
43

وَنَزَعْنَا مَا فِى صُدُورِهِم مِّنْ غِلٍّۢ تَجْرِى مِن تَحْتِهِمُ ٱلْأَنْهَٰرُ ۖ وَقَالُوا۟ ٱلْحَمْدُ لِلَّهِ ٱلَّذِى هَدَىٰنَا لِهَٰذَا وَمَا كُنَّا لِنَهْتَدِىَ لَوْلَآ أَنْ هَدَىٰنَا ٱللَّهُ ۖ لَقَدْ جَآءَتْ رُسُلُ رَبِّنَا بِٱلْحَقِّ ۖ وَنُودُوٓا۟ أَن تِلْكُمُ ٱلْجَنَّةُ أُورِثْتُمُوهَا بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ

Na, nga krahërori i tyre do të zhgulim çdo urrejtje; e nën ta do të rrjedhin lumenjtë. Dhe ata thonë: “Qoftë lavdëruar Perëndia që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar sikur të mos na udhëzonte Perëndia. Me të vërtetë, të dërguarit e Zotit tonë, e kanë sjellë të vërtetën”. Dhe ata do të thërrasin: “Ky është xhenneti që ju është dhënë në trashëgim, për atë që keni punuar”.

Ne do t’ua heqim urrejtjen(dhe armiqësinë)nga zemrat, -Kjo tregon bujarinë dhe bamirësinë e madhe të Allahut të Lartësuar mbi banorët e Xhenetit. Urrejtja, smira dhe armiqësia që mbajnë zemrat në këtë botë, nuk do të ekzistojnë më në Xhenet. Allahu i Lartësuar ka për t’ua pastruar zemrat nga të tilla sëmundje dhe ata do të jenë vëllezër të dashur dhe miq të sinqertë, sikurse thotë Allahu i lartësuar: "Dhe Ne do të heqim prej zemrave të tyre çdo ndjenjë urrejtjeje e ata do të jenë si vëllezër në shtretër dhe përballë njëri- tjetrit." [El hixhr 37]. Madje, jo vetëm që i pastron zemrat nga të tilla sëmundje, por edhe krijon brenda tyre ndjenja fisnike dhe dashamirësie, aq sa secili prej tyre do të arrijë një nivel të papërshkrueshëm të kënaqësisë, gëzimit dhe lumturisë. Gjithësecili do ta shohë veten në kënaqësinë dhe lumturinë më të madhe, duke ndjerë se askush tjetër nuk i ka mirësitë që gëzon ai. Banorët e Xhenetit do të jenë të pastër nga urrejtja nga zilia, sepse edhe shkaktarët e tyre nuk do të ekzistojnë....ndërsa poshtë tyre do të rrjedhin lumenj. -Banorët e Xhenetit do t’i bëjnë këta lumenj që të shpërthejnë dhe të rrjedhin ku dhe kur të dëshirojnë ata. Nëse dëshirojnë që lumenjtë të rrjedhin brenda kështjellave të tyre, në dhomat e larta dhe të zbukuruara apo mes kopshteve të bukura plot gjelbërim dhe lule, ashtu do të ndodhë. Numri i lumenjve nuk është i kufizuar, ashtu si edhe mirësitë që ata do të përjetojnë.Ata do të thonë: “I lavdëruar qoftë Allahu, i Cili na udhëzoi për këtë (lumturi). - Sigurisht, ishte mirësia dhe bujaria Allahut që na zbukuroi dhe na e bëri të dashur imanin për zemrat tona, prandaj ato u nënshtruan dhe u mbushën me dashuri, shpresë dhe frikërespekt për Allahun e Lartësuar. Këto zemra të mbushura me këto ndjenja të mrekullueshme, të dhuruara nga i Lartësuari, i nënshtruan trupat e tyre për të bërë ato vepra që Zoti i përcaktoi si të vetmen rrugë për të arritur kënaqësinë dhe Xhenetin e Tij. Falënderimi, lavdia dhe mirënjohja e plotë i qofshin Allahut të Lartësuar, që, me mëshirën dhe bujarinë e Tij, na dhuroi këtë besim! Pasi na fali imanin, Allahu i Lartësuar e ruajti atë dhe u kujdes që ne të vazhdojmë të bëjmë vepra të mira. Është, pa dyshim, përkujdesja e Tij e vazhdueshme, plot mëshirë e butësi, falje dhe bujari, ajo që na solli në këtë vend të mirësive të përjetshme. Sa Zot i mirë dhe bujar është Zoti ynë, i Vetmi që meriton adhurimet tona! Ishte Ai që na zgjodhi dhe na dhuroi mirësitë e Tij, para se ne të shprehnim mirënjohjen për to. Ai na mbuloi tërësisht me mirësi të dukshme dhe të padukshme, aq sa askush nuk mund t’i numërojë dhe përkufizojë ato. Allahut i qoftë falënderimi, lavdia dhe mirënjohja e plotë, që na udhëzoi në këto mirësi!Ne kurrë nuk do të dinim ta gjenim udhëzimin, sikur të mos na drejtonte Allahu. -Kuptimi: Shpirtrat tanë nuk ishin të denjë dhe të aftë për ta përqafuar këtë udhëzim, sikur të mos ishte mëshira dhe bujaria e Allahut të Lartësuar ndaj nesh. Ai na bëri të denjë për ta ndjekur udhëzimin e Tij dhe për të pasuar profetët dhe shpalljet e Tij.Vërtet, të dërguarit e Zotit na e sollën të vërtetën!” - Ata i thonë këto fjalë në momentin kur shijojnë mirësitë dhe begatitë për të …

Al-A'raaf 7:43Listen in Qur'an →
44

وَنَادَىٰٓ أَصْحَٰبُ ٱلْجَنَّةِ أَصْحَٰبَ ٱلنَّارِ أَن قَدْ وَجَدْنَا مَا وَعَدَنَا رَبُّنَا حَقًّۭا فَهَلْ وَجَدتُّم مَّا وَعَدَ رَبُّكُمْ حَقًّۭا ۖ قَالُوا۟ نَعَمْ ۚ فَأَذَّنَ مُؤَذِّنٌۢ بَيْنَهُمْ أَن لَّعْنَةُ ٱللَّهِ عَلَى ٱلظَّٰلِمِينَ

Dhe banorët e xhennetit u thonë banorëve të zjarrit: “Na e kemi gjetur të vërtetën, atë që na është premtuar nga Zoti ynë, e ju, a e keni gjetur të vërtetën, atë që u ka premtuar Zoti juaj?” Ata thonë: “Po!” e, atëherë, një lajmëtar në mes tyre thërret: “Me të vërtetë, mallkimi i Perëndisë u takon zullumqarëve”,

Pas përshkrimit të vendqëndrimeve të besimtarëve e të jobesimtarëve në ahiret, duke theksuar se ata do ta shohin që gjithçka për të cilën folën profetët dhe shpalljet e Zotit ishte e vërtetë, vijohet me një dialog që zhvillohet mes banorëve të Xhenetit dhe banorëve të Zjarrit. I Lartësuari thotë:Banorët e Xhenetit do t'u thërrasin banorëve të Zjarrit e do t'u thonë: “Ne e gjetëm të vërtetë atë që na kishte premtuar Zoti ynë. - Banorët e Xhenetit u drejtohen banorëve të Zjarrit me këto fjalë, të cilat ua shtojnë më tepër vuajtjen: Allahu i Lartësuar na premtoi se, nëse do ta besonim Atë sinqerisht dhe do të bënim vepra të mira që i dikton ky besim, Ai do të na fuste në Xhenet. Dhe, vërtet, sot i Madhëruari na ka futur në Xhenet, duke na lejuar të gëzojmë shpërblimet e mëdha dhe lumturinë e përjetshme të premtuar.Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju kishte premtuar Zoti juaj?” Ata do të thonë: “Po”. -Pyeten jobesimtarët: Po ju, a e gjetët ndëshkimin e premtuar për mosbesimin dhe mosbindjen ndaj Zotit? Përgjigjja vjen me përvuajtje dhe plot dhimbje: “Po, ne po e dëshmojmë se çdo paralajmërim që na u bë ishte i vërtetë.” Të gjitha krijesave, pa përjashtim, do t’u bëhet e qartë e vërteta pa asnjë fije dyshimi. Allahu i Lartësuar realizon çdo gjë që e ka premtuar nëpërmjet profetëve dhe shpalljeve të Tij, dhe askush nuk është më i vërtetë se Allahu në premtim. Në ahiret, çdokujt do t’i largohen dyshimet që ka patur, sepse është dita kur të gjithë do të jetojnë realisht atë që është premtuar. Besimtarët do të gëzohen dhe lumturohen me premtimin e Allahut, ndërsa mohuesit do të dëshpërohen dhe me dhimbje do të pranojnë se e meritojnë plotësisht ndëshkimin.Atëherë, një thirrës do të shpallë mes tyre: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët.” - Mes banorëve të Zjarrit dhe banorëve të Xhenetit dëgjohet një zë, që thotë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët!” Mallkimi është largim nga çdo mirësi. Zullumqarët e meritojnë një ndëshkim të tillë, sepse kur Allahu i Madhëruar ua hapi atyre portat e mëshirës së Tij, ata refuzuan të hynin, duke i bërë padrejtësi vetes. Madje, jo vetëm që humbën vetveten, por tërhoqën në humbje edhe të tjerët, që pasuan hapat e tyre:

Al-A'raaf 7:44Listen in Qur'an →
45

ٱلَّذِينَ يَصُدُّونَ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ وَيَبْغُونَهَا عِوَجًۭا وَهُم بِٱلْءَاخِرَةِ كَٰفِرُونَ

të cilët i pengojnë të tjerët nga rruga e Perëndisë dhe kërkojnë ta shtrembërojnë, e nuk besojnë në jetën tjetër!”

“...të cilët penguan nga rruga e Allahut, që kërkuan shtrembërimin e saj dhe që ishin mohues të botës tjetër!” - Këta të mjerë i pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut, duke ua paraqitur atë si të shtrembër dhe të gabuar. Allahu i Madhëruar e bëri rrugën e Tij të jetë e drejtë dhe e qartë, ndërsa këta të mallkuar e paraqesin atë si të shtrembër dhe të gabuar. Allahu i Madhëruar i përshkruan ata si mosbesues të ahiretit dhe të Ditës së Gjykimit. Ky mosbesim i bën që të devijojnë nga rruga e drejtë dhe të përkushtohen të verbuar në përmbushjen e dëshirave të tyre të shfrenuara, që Zoti i ka bërë haram. Mosbesimi në ringjallje, mungesa e frikërespektit për Zotin dhe e shpresës për shpërblimin e Tij të mrekullueshëm i bën të harrohen në humbjen e thellë. Kur Allahu i Madhëruar deklaron mallkimin mbi këta mosbesimtarë zullumqarë, nga ana tjetër ne kuptojmë që besimtarët do t’i përfshijë mëshira, bujaria, mirësitë dhe begatitë e pandërprera të Tij. Këta fatlumë do të jenë përjetësisht mes mirësive dhe shpërblimeve pa kufij të Allahut të Lartësuar.

Al-A'raaf 7:45Listen in Qur'an →
46

وَبَيْنَهُمَا حِجَابٌۭ ۚ وَعَلَى ٱلْأَعْرَافِ رِجَالٌۭ يَعْرِفُونَ كُلًّۢا بِسِيمَىٰهُمْ ۚ وَنَادَوْا۟ أَصْحَٰبَ ٱلْجَنَّةِ أَن سَلَٰمٌ عَلَيْكُمْ ۚ لَمْ يَدْخُلُوهَا وَهُمْ يَطْمَعُونَ

Në mes tyre është perdja (muri), e, në majë të tij, janë njerëzit, të cilët të gjithë i njohin sipas fizionomisë. Dhe ata i thërrasin banorët e xhennetit: “Kënaqësia qoftë mbi ju!” Ata (njerëzit nga muri, ende) s’kanë hyrë në xhennet, por atë e dëshirojnë.

Mes tyre(dy grupeve)do të jetë një mur ndarës, mbi të cilin do të qëndrojnë burra që e njohin secilin grup sipas shenjave të tyre. -Mes banorëve të Xhenetit dhe banorëve të Zjarrit ndodhet një mur ndarës, që quhet El ea'râf, i cili nuk është as pjesë e Xhenetit dhe as pjesë e Zjarrit. Që prej atje mund të shihen të dyja vendet. Mbi këtë mur qëndrojnë disa njerëz, të cilët arrijnë t’i dallojnë banorët e Xhenetit dhe banorët e Zjarrit nëpërmjet shenjave dhe veçorive të tyre, që i dallojnë nga njëri tjetri. Kurshikojnë banorët e Xhenetit, u thonë:Ata do t'u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Selami qoftë mbi ju!”. Ata nuk do të kenë hyrë në të, por do të shpresojnë. - Ata i përshëndesin dhe i urojnë atyre paqe, ndërkohë që vetë ende nuk kanë hyrë në Xhenet, por shpresojnë që të hyjnë aty. Sigurisht, kjo shpresë që Allahu u ka vendosur në zemër tregon se Ai dëshiron t’i nderojë e mëshirojë dhe t’i bëjë banorë të Xhenetit.

Al-A'raaf 7:46Listen in Qur'an →
47

۞ وَإِذَا صُرِفَتْ أَبْصَٰرُهُمْ تِلْقَآءَ أَصْحَٰبِ ٱلنَّارِ قَالُوا۟ رَبَّنَا لَا تَجْعَلْنَا مَعَ ٱلْقَوْمِ ٱلظَّٰلِمِينَ

E kur t’ju kthehet shikimi kah banorët e zjarrit, thonë: “O Zoti ynë, mos na bënë (shoqëri) me zullumqarët!”

Kur shikimi i tyre do të shkojë nga ata të Xhehenemit, do të thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me keqbërësit!” - Kur hedhin sytë drejt banorëve të Xhehenemit, shohin një pamje të frikshme. Përballë kësaj gjendjeje, ata menjëherë luten dhe thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me keqbërësit!” Në këto momente, edhe banorët e Xhenetit dëshirojnë e shpresojnë që banorët e Ea’rafit të jenë së bashku me ta në Xhenet. Dëshira e tyre është që t’i përshëndesin ata me selam. Gjithashtu, kur vështrimi i banorëve të Ea'rafit, jo me përzgjedhjen e tyre, zhvendoset drejt banorëve të Zjarrit, ata i luten Allahut që të mos ndëshkohen si banorët e atij vendi të tmerrshëm. Kjo qe një tablo e përgjithshme, pas së cilës vjen një përshkrim më i hollësishëm:

Al-A'raaf 7:47Listen in Qur'an →
48

وَنَادَىٰٓ أَصْحَٰبُ ٱلْأَعْرَافِ رِجَالًۭا يَعْرِفُونَهُم بِسِيمَىٰهُمْ قَالُوا۟ مَآ أَغْنَىٰ عَنكُمْ جَمْعُكُمْ وَمَا كُنتُمْ تَسْتَكْبِرُونَ

Ata që gjenden në mur, u thërrasin disa njerëzve, të cilët i njihnin sipas fizionomisë duke ju thënë: “Nuk ju ndihmoi as grumbullimi i pasurisë suaj, as ajo që u sollët me mendjemadhësi (ndaj të Vërtetës).

Këta të murit do t'u thërrasin pastaj disa burrave të tjerë, që do t'i njohin nga shenjat e tyre,... - Ata janë banorë të Zjarrit, ndërkohë që në dynja janë njohur si njerëz fisnikë dhe të respektuar. Ata kishin pasuri dhe fëmijë, me të cilët krenoheshin. Pikërisht këtyre njerëzve, të cilët janë të vetmuar në ndëshkim, pa asnjë ndihmëtar dhe mbështetës, banorët e Ea’rafit u thonë:...dhe t'u thonë: “Sa ju vlejti ajo që grumbullonit dhe mendjemadhësia që tregonit? - Ku janë mbështetësit tuaj të dynjasë, me të cilët ju mbroheshit nga rreziqet dhe arrinit të përmbushnit synimet tuaja? Sot u zhdukën të gjitha aleancat tuaja, të cilat nuk ju bëjnë më asnjë dobi. As arroganca juaj ndaj të vërtetës dhe ithtarëve të saj nuk ju vlen tani. Ndërsa sot ju vuani ndëshkimin, ata kënaqen me mirësitë e Xhenetit. Pastaj u drejtohen banorëve të Zjarrit dhe u tregojnë rreth disa besimtarëve, që tashmë lumturohen në Xhenet, të cilët në jetën e dynjasë ishin të varfër, të dobët dhe objekt talljeje e ndëshkimi për ata mendjemëdhenj. Kështu, ata u thonë banorëve të Zjarrit:

Al-A'raaf 7:48Listen in Qur'an →
49

أَهَٰٓؤُلَآءِ ٱلَّذِينَ أَقْسَمْتُمْ لَا يَنَالُهُمُ ٱللَّهُ بِرَحْمَةٍ ۚ ٱدْخُلُوا۟ ٱلْجَنَّةَ لَا خَوْفٌ عَلَيْكُمْ وَلَآ أَنتُمْ تَحْزَنُونَ

A janë këta, për të cilët ju u betuat se nuk do t’i arrijë mëshira e Perëndisë? (Atyre, të cilët janë nënçmuar, u thuhet): “Hyni në xhennet! Për ju s’ka frikë as pikëllim!”

Ja. A nuk janë këta njerëzit për të cilët ju betoheshit se mëshira e Allahut nuk kishte për t’i përfshirë kurrë?”. – Vallë, këta të cilët Zoti i futi në Xhenet dhe tashmë po lumturohen dhe kënaqen, janë ata për të cilët ju betoheshit se Zoti kurrë nuk kishte për t’i mëshiruar?! Ju i përçmonit ata, i fyenit dhe i keqtrajtonit, të fryrë dhe të magjepsur nga mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi. Por sot dolën bosh betimet tuaja dhe ju po përballeni me diçka që kurrë nuk e patët llogaritur. Sot, atyre "të dobtëve" dhe të "parëndësishmëve" u thuhet:Hyni në Xhenet, se për ju nuk do të ketë as frikë e as brenga! - Hyni në Xhenet, për të marrë shpërblimin e veprave tuaja! Tani, nuk keni për të patur më frikë për të ardhmen dhe nuk do të keni asnjë brengë për të shkuarën në dynja. Ju do të jeni absolutisht të sigurt, të qetë dhe të lumtur me çdo mirësi që do të keni në përjetësi. Këto ajete ngjajnë me disa ajete të tjera kuranore, ku Allahu i Madhëruar thotë: "Vërtet, keqbërësit talleshin me besimtarët, dhe kur kalonin pranë tyre, ata ia bënin me sy njëri-tjetrit. Kur ktheheshin në familjet e veta, ata ishin të kënaqur. Kur i shihnin, thoshin: “Me të vërtetë, këta janë të humbur!” Por Ne nuk i caktuam ata si roje të tyre. Por sot, janë besimtarët që do të tallen me jobesimtarët. Duke qëndruar mbështetur në kolltukë, ata do të vështrojnë. A u shpërblyen plotësisht jobesimtarët për atë që kanë bërë?" [Mutafifin 29 - 36]. Dijetarët e tefsirit kanë dhënë shpjegime të ndryshme për sa i përket përcaktimit se cilët do të jenë banorë të Ea'rafit dhe çfarë karakteristikash kanë veprat e tyre. Mendimi më i saktë për këtë çështje është se ata janë njerëz që i kanë të barabarta punët e mira me të këqijat. Peshorja e tyre nuk anon as nga veprat e këqija, që të hyjnë në Zjarr, dhe as nga veprat e mira, që të hyjnë në Xhenet. Për këtë arsye, ata do të qëndrojnë mbi Ea’raf aq sa të dëshirojë Allahu i Lartësuar, i Cili, me mëshirën e Tij, do t’i fusë më pas në Xhenet, sepse mëshira e Allahut e tejkalon zemërimin e Tij dhe mëshira e Tij përfshin gjithçka.

Al-A'raaf 7:49Listen in Qur'an →
50

وَنَادَىٰٓ أَصْحَٰبُ ٱلنَّارِ أَصْحَٰبَ ٱلْجَنَّةِ أَنْ أَفِيضُوا۟ عَلَيْنَا مِنَ ٱلْمَآءِ أَوْ مِمَّا رَزَقَكُمُ ٱللَّهُ ۚ قَالُوٓا۟ إِنَّ ٱللَّهَ حَرَّمَهُمَا عَلَى ٱلْكَٰفِرِينَ

Banorët e zjarrit do t’u thonë banorëve të xhennetit: “Derdhni pak ujë në ne, ose diçka nga ajo që u ka dhuruar Perëndia!” – Ata thonë: “Me të vërtetë, Perëndia këto i ka ndaluar për mohuesit,

Banorët e Zjarrit do t'u thërrasin banorëve të Xhenetit:... - Kur ndëshkimi të arrijë në kulm dhe kur t'i ketë dërrmuar uria dhe etja, banorët e Zjarrit do t’u drejtohen banorëve të Xhenetit për ndihmë, duke u thënë:“Na jepni ndopak ujë ose diçka nga ato që ju ka dhënë Allahu!” -Na jepni pak prej ushqimeve dhe mirësive që ju ka falur Zoti! Por banorët e Xhenetit do t’u kthejnë këtë përgjigje:Ata do të përgjigjen: “Allahu i ka ndaluar këto gjëra për jobesimtarët.” - Allahu i Lartësuar e ka bërë të ndaluar ushqimin dhe pijet e Xhenetit për mohuesit. Ky është ndëshkimi i merituar për mosbesimin e tyre në Shpalljen e Zotit. Ky është ndëshkimi për ata që tallen me fenë e Zotit, për të cilën janë urdhëruar të jetojnë sipas saj. Nëse do ta zbatonin këtë fe, do të meritonin shpërblimin e mrekullueshëm në Xhenetin e përjetësisë. Por ata të mjerë e panë me mospërfillje fenë e Zotit dhe u tallën me të, sikur ishte një lojë e parëndësishme, në vend që ta nderonin e respektonin, duke e zbatuar dhe jetuar sipas saj. Ata u harruan në dëfrimet dhe kotësitë e kësaj jete mashtruese, duke lënë pas shpine vetë qëllimin pse ata u krijuan.

Al-A'raaf 7:50Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.