Muslim99Muslim99
← Tafsir library

7. Al-A'raaf

The Heights · Meccan · 206 ayahs

سُورَةُ الأَعۡرَافِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 31–40 of 206

31

۞ يَٰبَنِىٓ ءَادَمَ خُذُوا۟ زِينَتَكُمْ عِندَ كُلِّ مَسْجِدٍۢ وَكُلُوا۟ وَٱشْرَبُوا۟ وَلَا تُسْرِفُوٓا۟ ۚ إِنَّهُۥ لَا يُحِبُّ ٱلْمُسْرِفِينَ

O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kurdo që të luteni! Dhe hani e pini, por mos e teproni; se Ai (Perëndia) nuk i do ata që e teprojnë.

O bijtë e Ademit! Vishuni bukur për çdo namaz,... -Mbuloni auretin në të gjitha namazet farze dhe nafile. Mbulimi i auretit e zbukuron njeriun, ashtu sikundër zbulimi i tij e shëmton atë. Ka mundësi që ajeti të flasë për më tepër sesa mbulimin e auretit, duke na nxitur që të përzgjedhim rrobat më të bukura dhe më të pastra për të falur namazin. Ajeti është njëkohësisht urdhër për mbulimin e auretit gjatë namazit, si dhe një porosi për t’u veshur bukur për faljen e namazit. Ai urdhëron për pastërti dhe për t’u larguar nga çdo gjë e ulët dhe episët. Pastaj i Lartësuari thotë:...hani e pini dhe mos e teproni,... -Hani dhe pini nga mirësitë me të cilat Allahu i Lartësuar ju ka furnizuar! Por mos e teproni në këtë drejtim! Teprimi mund të bëhet në disa aspekte: ose në masë, pra, duke ngrënë e pirë tej masës së nevojshme, gjë e cila e dëmton trupin; ose në drejtim të cilësisë, në lidhje me përzgjedhjen e ushqimeve, pijes apo veshjeve; ose në drejtim të kalimit nga hallalli në haram, pra, duke i kaluar kufijtë e hallallit e duke përdorur ushqime, pije dhe veshje haram....sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë. - Allahu i Lartësuar e urren të tepruarit. Teprimi e dëmton trupin e njeriut dhe jetesën e tij. Ndonjëherë, të tepruarit në shpenzime mund të pengojë plotësimin e detyrimeve dhe respektimin e të drejtave. Ky ajet na urdhëron për t’u ushqyer me masë. Urdhërimi për të ngrënë me masë të mjaftueshme duhet kuptuar njëkohësisht edhe si ndalim nga të ngrënit e tepërt, deri në atë masë sa të na dëmtojë.

Al-A'raaf 7:31Listen in Qur'an →
32

قُلْ مَنْ حَرَّمَ زِينَةَ ٱللَّهِ ٱلَّتِىٓ أَخْرَجَ لِعِبَادِهِۦ وَٱلطَّيِّبَٰتِ مِنَ ٱلرِّزْقِ ۚ قُلْ هِىَ لِلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ فِى ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا خَالِصَةًۭ يَوْمَ ٱلْقِيَٰمَةِ ۗ كَذَٰلِكَ نُفَصِّلُ ٱلْءَايَٰتِ لِقَوْمٍۢ يَعْلَمُونَ

Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë e Perëndisë, të cilat, Ai i ka krijuar për robërit e vet, dhe ushqimet e këndshme?” Thuaj: “Ato janë për besimtarë në këtë botë (dhe për të tjerët); e, në botën tjetër, vetëm për besimtarë. Që, kështu, Na ua shpjegojmë argumentet njerëzve që dijnë.

Duke nënkuptuar ata të cilët, me kokëfortësi të pakuptimtë, bëjnë haram ato mirësi që janë të lejuara për njerëzit, Allahu i Lartësuar thotë:Thuaj: “Kush i ka ndaluar dhuratat e bukura të Allahut dhe gjërat e pastra, që Ai i ka krijuar si furnizim (për robërit)?" -Këtu flitet për të gjitha llojet e veshjeve, ushqimeve dhe pijeve, që janë të pastra, të mira dhe të lejuara. Pra, kush është ai që guxon të bëjë të ndaluara mirësitë, të cilat Zoti ua dhuroi robërve të Tij? Kush është ai që ngushton ato gjëra që Zoti i ka lënë të lirë robërit që t’i shijojnë? Allahu i Lartësuar e ka zgjeruar hapësirën e mirësive dhe të përfitimit prej tyre, me qëllim që të ndihmohen për një adhurim sa më të plotë ndaj Tij. Me fjalë të tjera, Allahu i Lartësuar i ka lejuar këto mirësi në mënyrë të veçantë vetëm për besimtarët, prandaj thotë:Thuaj: “Ato janë në këtë botë për besimtarët dhe të posaçme vetëm për ta Ditën e Kijametit.” -Besimtarët nuk do të merren në përgjegjësi dhe nuk do të pyeten për këto mirësi. Nga ajeti kuptohet se për jobesimtarët, sidomos për ata që i shfrytëzojnë këto mirësi për gjynahe dhe mosbindje ndaj Allahut, këto mirësi janë të ndaluara dhe do të gjykohen se i kanë përfituar e shfrytëzuar ato në mënyrë të palejueshme. Ata do të ndëshkohen për shkak të shfrytëzimit të padrejtë të tyre.Kështu ua sqarojmë Ne argumentet atyre që kuptojnë. - Kështu i sqarojmë shenjat Tona për njerëzit e mençur. Janë pikërisht të mençurit ata që përfitojnë nga mësimet e qarta të Allahut të Lartësuar. Ata janë të bindur se ato vijnë nga Allahu i Lartësuar, prandaj meditojnë thellë për t’i kuptuar sa më mirë. Në vijim, Allahu i Lartësuar flet për gjërat që i ka bërë haram në çdo legjislacion të caktuar prej Tij:

Al-A'raaf 7:32Listen in Qur'an →
33

قُلْ إِنَّمَا حَرَّمَ رَبِّىَ ٱلْفَوَٰحِشَ مَا ظَهَرَ مِنْهَا وَمَا بَطَنَ وَٱلْإِثْمَ وَٱلْبَغْىَ بِغَيْرِ ٱلْحَقِّ وَأَن تُشْرِكُوا۟ بِٱللَّهِ مَا لَمْ يُنَزِّلْ بِهِۦ سُلْطَٰنًۭا وَأَن تَقُولُوا۟ عَلَى ٱللَّهِ مَا لَا تَعْلَمُونَ

Thuaj: “Zoti im i ka ndaluar vetëm punët e këqia, - qofshin të hapta ose të fshehta dhe mëkatet, shtypjen (dhunimin) pa të drejtë, të bëmurit shok Perëndisë, për të cilën nuk ka kurrfarë argumenti, dhe ka ndaluar të flisni për Perëndinë atë që nuk e dini.

Thuaj: “Gjërat që ka ndaluar Zoti janë veprat e turpshme...” -Allahu bëri të ndaluara gjynahet e mëdha, veprat e shëmtuara, të cilat çdo natyrë e pastër i konsideron të tilla, sikurse është zinaja, homoseksualiteti e të tjera të ngjashme.“...qofshin ato të hapura ose të fshehta...” -Qofshin gjynahe që kryhen me gjymtyrë dhe janë të dukshme, qofshin gjynahe që bëhen me zemër, si arroganca, vetëkënaqësia, syfaqësia, hipokrizia etj."...gjynahet, shkelja e kufijve(të Tij)dhe padrejtësitë...” - Gjynah janë ato vepra të këqija që cenojnë detyrimet ndaj Allahut të Lartësuar dhe, si të tilla, e rëndojnë vepruesin e tyre dhe e bëjnë që të meritojë ndëshkimin. Kurse ‘el bag’ju’- dhunimi, është shkelja e të drejtave të njerëzve, është dhunimi i jetës, pasurisë dhe nderit të tyre. Kështu, Allahu i Lartësuar na ndalon nga të gjitha llojet e gjynaheve dhe padrejtësive, qofshin ato ndaj Allahut të Lartësuar, qofshin ndaj krijesave.“...t'i bësh shokë Allahut, pa pasur asnjë argument të shpallur...” - Për teuhidin ose monoteizmin ka argumente të shumta prej Zotit. Nga ana tjetër, shirku është të adhurosh diçka tjetër së bashku me Allahun, dhe kjo vepër është e ndaluar kategorikisht. Madje, në këtë ndalesë hyn edhe shirku i vogël, ku futen vepra si: hipokrizia, syfaqësia, betimi në diçka tjetër veç Allahut etj. Me fjalë të tjera, Allahu i Madhëruar na ndalon nga çdo lloj shirku dhe urdhëron për teuhid të pastër.“...dhe të thuash gjëra për Allahun për të cilat s'ke asnjë dijeni.” - Muslimani e ka të ndaluar që të flasë për diçka për të cilën nuk ka njohuri. Ndalesa është shumë më e fortë kur bëhet fjalë për Allahun e Lartësuar, për emrat, cilësitë dhe veprat e Tij, si dhe për ligjin e Tij. Askush nuk duhet të flasë në lidhje me Zotin dhe fenë e Tij pa dituri dhe pa argumente të sigurta nga Ai. Të gjitha sa u përmendën më sipër janë vepra të ndaluara, të cilat Allahu i Lartësuar i ka bërë haram. Allahu i Lartësuar i ka ndaluar robërit e Tij që të bëjnë të tilla vepra, për shkak të dëmeve të mëdha individuale dhe kolektive që ato shkaktojnë. Ato janë vepra të ndërtuara mbi padrejtësinë, paturpësinë dhe mosrespektimin e madhështisë së Allahut, nga njëra anë, dhe padrejtësinë e armiqësinë ndaj krijesave, nga ana tjetër. Ato janë vepra të cilat çojnë në ndryshimin dhe tjetërsimin e fesë së Zotit dhe ligjeve të Tij.

Al-A'raaf 7:33Listen in Qur'an →
34

وَلِكُلِّ أُمَّةٍ أَجَلٌۭ ۖ فَإِذَا جَآءَ أَجَلُهُمْ لَا يَسْتَأْخِرُونَ سَاعَةًۭ ۖ وَلَا يَسْتَقْدِمُونَ

Çdo popull e ka fundin e vet, dhe kur t’i vijë koha e fundit, nuk mund të shtyhet as të shpejtohet, kurrsesi.

Allahu i Lartësuar i vendosi bijtë e Ademit në tokë dhe u mundësoi që të banojnë në të për një kohë të caktuar. Askush nuk mund ta zgjasë apo shkurtojë afatin e vendosur nga i Lartësuari për të jetuar në këtë botë, ku do të punojë, për t'u shpërblyer me drejtësi në ahiret nga Allahu i Lartësuar.

Al-A'raaf 7:34Listen in Qur'an →
35

يَٰبَنِىٓ ءَادَمَ إِمَّا يَأْتِيَنَّكُمْ رُسُلٌۭ مِّنكُمْ يَقُصُّونَ عَلَيْكُمْ ءَايَٰتِى ۙ فَمَنِ ٱتَّقَىٰ وَأَصْلَحَ فَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ

O bijtë e Ademit, nëse nga mesi juaj vijnë pejgamberë që ju shpjegojnë dispozitat e Mia, atëhrë, ata që i frikësohen Perëndisë dhe punojnë vepra të mira, nuk ka frikë as pikëllim për ata.

O bijtë e Ademit! Nga mesi juaj gjithmonë do t’ju vijnë të dërguar që t’ju kumtojnë Shpalljet e Mia.... -Kur Allahu i Lartësuar e nxori Ademin (a.s) nga Xheneti, e vendosi në këtë tokë për ta sprovuar. Ai e njoftoi njeriun se do t’i dërgonte profetë dhe do t’i shpallte libra. Nëpërmjet shpalljeve, njerëzit lexojnë ajetet e Allahut dhe mësojnë ligjet e Tij. Profetët kanë ardhur me udhëzime të qarta dhe fe të drejtë. Ata i edukuan njerëzit me sinqeritetin dhe vlerat e larta. Kështu, njerëzit do të sprovohen në këtë botë për t’u dalluar qartë kush i respekton me sinqeritet profetët dhe shpalljet e Zotit dhe kush i shpërfill ato, duke u dhënë përparësi plotësimit të dëshirave dhe bukurive të kësaj bote. Në vijim, Allahu i Lartësuar tregon për mirësinë dhe gradën e lartë të atyre që iu përgjigjen profetëve dhe besojnë shpalljet e Allahut dhe, nga ana tjetër, humbjen dhe dëshpërimin e madh që i pret ata që veprojnë të kundërtën:Kush bëhet i devotshëm dhe përmirësohet, nuk do të ketë frikë dhe as nuk do të brengoset. - Të shpëtuarit dhe të lumturit janë përshkruar me këto cilësi: Ata ruhen nga çdo gjë të cilën e ka ndaluar Allahu i Lartësuar, si shirku, gjynahet e mëdha dhe gjynahet e vogla. Ata përmirësojnë punët e tyre, të dukshme apo të fshehta qofshin. Me fjalë të tjera, ata përpiqen me të gjitha forcat që veprat e tyre të jenë të mira.Për këta, i Madhëruari thotë se ata nuk do të kenë frikë dhe as nuk do të brengosen. Ata nuk do të kenë frikë nga asgjë që frikëson të tjerët dhe nuk do të brengosen për çfarë ka kaluar. Kjo tregon se ata do të jenë në siguri dhe paqe të plotë, në gëzim dhe lumturi të përjetshme. Nëpërmjet këtyre cilësive, ata kanë arritur çdo të mirë dhe kanë shpëtuar nga çdo e keqe në dynja dhe ahiret. Duke përshkruar cilësitë e të ndëshkuarve, i Lartësuari thotë:Puna quhet e mirë nëse plotëson dy kushte: së pari, të jetë e sinqertë vetëm për kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij dhe, së dyti, të jetë në përputhje me mësimet e Allahut dhe Profetit të Tij.

Al-A'raaf 7:35Listen in Qur'an →
36

وَٱلَّذِينَ كَذَّبُوا۟ بِـَٔايَٰتِنَا وَٱسْتَكْبَرُوا۟ عَنْهَآ أُو۟لَٰٓئِكَ أَصْحَٰبُ ٱلنَّارِ ۖ هُمْ فِيهَا خَٰلِدُونَ

Kurse ata që i mohojnë argumentet e Mia, dhe sillen me mendjemadhësi ndaj tyre, ata do të jenë banorë të zjarrit, në të do të qëndrojnë përgjithmonë.

Ndërsa ata që i konsiderojnë si gënjeshtra faktet Tona dhe me kryelartësi largohen prej tyre, ata janë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përjetësisht. - Nuk besojnë me zemër, por i konsiderojnë si gënjeshtra shpalljet e Allahut. As fizikisht nuk nënshtrohen për të zbatuar porositë e Allahut të Lartësuar, por shprehin arrogancë dhe vrapojnë pas çdo dëshire dhe kënaqësie të kësaj jete. Për këta, Allahu i Lartësuar thotë: “Ata janë banorë të Zjarrit, ku do qëndrojnë përjetësisht”. Ashtu sikurse ata nuk i respektojnë shpalljet e Allahut, duke i mohuar me kokëfortësi, po ashtu do të marrin ndëshkimin e përjetshëm, nga i cili nuk do të shpëtojnë kurrë.

Al-A'raaf 7:36Listen in Qur'an →
37

فَمَنْ أَظْلَمُ مِمَّنِ ٱفْتَرَىٰ عَلَى ٱللَّهِ كَذِبًا أَوْ كَذَّبَ بِـَٔايَٰتِهِۦٓ ۚ أُو۟لَٰٓئِكَ يَنَالُهُمْ نَصِيبُهُم مِّنَ ٱلْكِتَٰبِ ۖ حَتَّىٰٓ إِذَا جَآءَتْهُمْ رُسُلُنَا يَتَوَفَّوْنَهُمْ قَالُوٓا۟ أَيْنَ مَا كُنتُمْ تَدْعُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ ۖ قَالُوا۟ ضَلُّوا۟ عَنَّا وَشَهِدُوا۟ عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمْ أَنَّهُمْ كَانُوا۟ كَٰفِرِينَ

Kush është më zullumqarë se ai që trillon gënjeshtra kundër Perëndisë ose që mohon argumente të Tij? Atyre do t’u jepet e tërë ajo që është shënuar (në Levhi Mahfudh). E, kur t’u vijnë të dërguarit Tonë (engjëjt), për t’ua marrë shpirtin, do t’u thonë (engjëjt): “Ku janë ata, të cilët ju i adhuroni, përveç Perëndisë”. Ata thonë: “Humbën prej nesh”. Kështu ata dëshmojnë kundër vetes, që kanë qenë mohues.

E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut, ose që i mohon shpalljet e Tij? Atyre do t'u jepet(prej dynjasë)pjesa që u është përcaktuar(nga Zoti). -Nuk ka zullumqarë më të mëdhenj sesa ata qëkanë këto dy cilësi:1. Trillojnë gënjeshtra për Allahun. Të tillë janë ata që bëjnë shirk, duke adhuruar dikë tjetër veç Tij, ata të cilët e përshkruajnë Allahun me emra, cilësi dhe vepra, që nuk i shkojnë madhështisë së Tij, edhe ata të cilët flasin në emër të Zotit gjëra të cilat Ai nuk i ka thënë.2. Nuk pranojnë argumentet e Allahut, të cilat janë plotësisht të qarta dhe udhëzuese në rrugën e drejtë. Këta njerëz, edhe nëse përjetojnë kënaqësitë e kësaj dynjaje dhe arrijnë të realizojnë ndonjë qëllim të tyre në këtë dynja, - që, në fund të fundit, është përcaktuar për ta në Leuhi Mahfudh, - përsëri kjo nuk ka për t’i ndihmuar në ahiret. Ata do të kënaqen pak në këtë botë, - ku si besimtari, edhe jobesimtari marrin vetëm aq sa u ka përcaktuar i Madhi Zot, - por në ahiret i pret vetëm ndëshkimi. I Lartësuari thotë:Kur të dërguarit (melekët)Tanë të shkojnë për t’u marrë shpirtin, do t’u thonë:... -Këtu bëhet fjalë për melekët që janë ngarkuar për marrjen e shpirtit, pas plotësimit të exhelit. Kështu, kur melekët afrohen për t’u marrë shpirtin, do t’u drejtohen me fjalë të ashpra, duke u thënë:“Ku janë ata që u luteshit përveç Zotit?” -Ku janë tani putat dhe idhujt tuaj, që ju i adhuronit dhe u luteshit me përgjërim? Ky është çast tepër i vështirë për ju. Nëse besoni se ata mund t’ju ndihmojnë, tani është koha më e përshtatshme për t’iu lutur. Lutuni, se mbase ju përgjigjen! Por duke vuajtur peshën e këtyre fjalëve torturuese, ata të mjerë do të thonë:Ata do të thonë: “Kanë humbur prej nesh”. -Ikën, u tretën, u zhdukën. Jo vetëm që nuk na shpëtojnë nga ndëshkimi i Allahut, por as nuk na e lehtësojnë ndopak atë. Kështu, ata dëshmojnë kundër vetes së tyre, sikurse thotë Allahu i Lartësuar më pas:Kështu, ata do të dëshmojnë kundër vetes se e kanë mohuar Allahun. - Ata do të dëshmojnë kundër vetes së tyre se kanë qenë mohues të së vërtetës dhe mosbesimtarë ndaj Zotit. Kjo i bëri ta meritojnë ndëshkimin poshtërues dhe të përjetshëm.

Al-A'raaf 7:37Listen in Qur'an →
38

قَالَ ٱدْخُلُوا۟ فِىٓ أُمَمٍۢ قَدْ خَلَتْ مِن قَبْلِكُم مِّنَ ٱلْجِنِّ وَٱلْإِنسِ فِى ٱلنَّارِ ۖ كُلَّمَا دَخَلَتْ أُمَّةٌۭ لَّعَنَتْ أُخْتَهَا ۖ حَتَّىٰٓ إِذَا ٱدَّارَكُوا۟ فِيهَا جَمِيعًۭا قَالَتْ أُخْرَىٰهُمْ لِأُولَىٰهُمْ رَبَّنَا هَٰٓؤُلَآءِ أَضَلُّونَا فَـَٔاتِهِمْ عَذَابًۭا ضِعْفًۭا مِّنَ ٱلنَّارِ ۖ قَالَ لِكُلٍّۢ ضِعْفٌۭ وَلَٰكِن لَّا تَعْلَمُونَ

(Perëndia) u thotë: “Hyni në zjarr me popujt – xhindët dhe njerëzit – të cilët kanë qenë para jush. Dhe kurdo që një popull hyn në zjarr, e mallkon shokun tjetër. E, kur të tubohen të gjthë në të, atëherë ai i fundit u thotë atyre të parëve: “O Zoti ynë, këta na kanë sjellë në humbje, epju dënimin e dyfishtë të zjarrit!” (Perëndia) u thotë: “Për çdonjërin (nga ju) ka dënim të dyfishtë, por ju nuk e dini”.

Melekët do t’u thonë: “Hyni në Zjarr, mes popujve që shkuan para jush - xhinde dhe njerëz!” Sa herë që një popull hyn aty, mallkon atë të mëparshmin. -Hyni edhe ju mes shumë e shumë popujve që shkuan para jush, të cilët u zhytën në kufër dhe mendjemadhësi! Të gjithë ju e meritoni poshtërimin dhe ndëshkimin. Sa herë që hidhet në zjarr një popull jobesimtar, të gjithë fillojnë e mallkojnë njëri-tjetrin, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: "... Por, në Ditën e Kijametit ju do ta mohoni dhe do ta mallkoni njëri- tjetrin. Fundi juaj do të jetë zjarri dhe për ju nuk do të ketë asnjë ndihmëtar.”. [Ankebut 25]. Në vijim, Allahu i Lartësuarthotë:Dhe, kur të gjithë të tubohen në të,.... -Pasi të grumbullohen të gjithë banorët e Zjarrit, nga i pari deri tek i fundit, si udhëheqësit, ashtu edhe të udhëhequrit, mes tyre fillon një polemikë:...grupi i fundit thotë për grupin e parë: “Zoti ynë, janë këta që na çuan ne në humbje,..” -Të mëvonshmit që hyjnë në Zjarr dhe ata që kanë qenë pasues të prijësave të tyre mundohen të justifikohen tek Allahu duke thënë se ishin prijësit ata që i devijuan nga rruga e drejtë.“...prandaj shumëfishoja atyre dënimin me zjarr!” -Ndëshkoji më shumë ata, o Zot, sepse ishin ata që na devijuan ne, ishin ata që na i zbukuruan punët e këqija dhe mosbindjen ndaj Teje. Ndërkohë paria, prijësit dhe brezat paraardhës u drejtohen pasuesve të tyre dhe u thonë:Ai do të thotë: “Për secilin nga ju dënimi është i shumëfishuar, por ju nuk e dini.” - Secili prej jush do të marrë pjesën e merituar të ndëshkimit. Megjithatë, dihet se ndëshkimi i udhëheqësve të humbjes është shumë më i ashpër dhe poshtërues se ndëshkimi i pasuesve, ashtu sikurse shpërblimi për prijësit e rrugës së drejtë është shumë më i madh se shpërblimi i pasuesve. Allahu i Lartësuar thotë: “Atyre, që nuk besuan dhe penguan nga rruga e Allahut, do t'u shtojmë dënim mbi dënim për shkak se bënin shkatërrime. “ [Nahl 88]. Këto ajete dhe të tjera të ngjashme tregojnë se të gjithë ata që kanë mohuar shpalljet e Allahut do të ndëshkohen përjetësisht, edhe pse do të kenë nivele të ndryshme ndëshkimi, në varësi të veprave që kanë kryer, në varësi të rebelimit dhe kokëfortësisë së tyre, në varësi të padrejtësive dhe shpifjeve kundër të vërtetës. Përveç kësaj, lidhja e dashurisë dhe afrimiteti që ata kanë në këtë botë mes njëri-tjetrit, Ditën e Kijametit do të shndërrohet në mallkim dhe armiqësi.

Al-A'raaf 7:38Listen in Qur'an →
39

وَقَالَتْ أُولَىٰهُمْ لِأُخْرَىٰهُمْ فَمَا كَانَ لَكُمْ عَلَيْنَا مِن فَضْلٍۢ فَذُوقُوا۟ ٱلْعَذَابَ بِمَا كُنتُمْ تَكْسِبُونَ

U thonë të parët atyre të fundit: “Ju nuk keni kurrfarë përparësie mbi ne, prandaj shijoni dënimin për atë që keni punuar.

Pastaj i pari do t’i thotë të fundit: “Ju nuk jeni më të mirë se ne; prandaj shijojeni dënimin, për gjithçka që bëtë!” - Të gjithë e kemi zgjedhur vetë rrugën që kemi ndjekur, prandaj në këtë aspekt jemi të barabartë. Ashtu si ne, edhe ju i kryet me vullnet të lirë veprat që na sollën në ndëshkim. Ju nuk keni asnjë avantazh kundrejt nesh. Allahu i Lartësuar do të thotë për të dyja palët:

Al-A'raaf 7:39Listen in Qur'an →
40

إِنَّ ٱلَّذِينَ كَذَّبُوا۟ بِـَٔايَٰتِنَا وَٱسْتَكْبَرُوا۟ عَنْهَا لَا تُفَتَّحُ لَهُمْ أَبْوَٰبُ ٱلسَّمَآءِ وَلَا يَدْخُلُونَ ٱلْجَنَّةَ حَتَّىٰ يَلِجَ ٱلْجَمَلُ فِى سَمِّ ٱلْخِيَاطِ ۚ وَكَذَٰلِكَ نَجْزِى ٱلْمُجْرِمِينَ

me të vërtetë, ata që argumentet Tona i konsiderojnë gënjeshtra e të cilët, janë sjellë me mendjemadhësi ndaj atyre, nuk do t’u hapën dyert e qiellit, as që do të hyjnë në xhennet, derisa të mos kalojë devja nëpër birë të gjilpërës. Kështu Na i ndëshkojmë mëkatarët.

Nuk ka dyshim se atyre që mohojnë Argumentet Tona dhe tregohen kryeneçë ndaj tyre, nuk u hapen dyert e qiellit... -Allahu i Lartësuar na tregon rreth ndëshkimit të atyre që mohojnë shpalljet e Tij, duke i konsideruar ato si gënjeshtra. Ata nuk i besojnë shpalljet e Zotit, edhe pse ato janë të mbushura me argumente të qarta dhe bindëse. Ata refuzojnë me arrogancë që të nënshtrohen dhe të punojnë sipas ligjeve dhe porosive të Zotit. Rrjedhimisht, tek ata nuk ka më shpresa se kanë për të arritur ndonjë të mirë. Kur të vdesin, shpirtrave të tyre nuk do t’u hapen portat e qiellit. Ata do të kërkojnë leje për t’u ngjitur lart tek Allahu, por nuk do të lejohen. Ashtu sikurse në këtë botë shpirtrat e tyre nuk ngrihen lart nëpërmjet besimit të pastër, nuk u pastrohen me njohjen dhe dashurinë për Allahun, ashtu atyre nuk do t’u lejohet që, pas vdekjes, të ngrihen lart në qiell për të shkuar tek Allahu i Lartësuar. Shpërblimi jepet sipas llojit të punës që ke bërë. Nga ajeti kuptohet se shpirtrat e besimtarëve që iu binden urdhrave dhe porosive të Allahut do të lejohen të ngjiten lart. Kur ata të vdesin, do të ngjiten në qiell, deri atje ku dëshiron Allahu i Lartësuar. Ata do të lumturohen nga afërsia me Zotin e tyre. Allahu i Lartësuar thotë për banorët e Zjarrit:...dhe nuk do të hyjnë në Xhenet derisa deveja të futet në vrimën e gjilpërës. -Aq sa mund të futet një deve në vrimën e gjilpërës, po aq mund të futen në Xhenet mohuesit e shpalljeve të Zotit. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Bëjnë kufër ata që thonë: “Allah është Mesihu, biri i Merjemes”. Por Mesihu ka thënë: “O bijtë e Israilit! Adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj! Kushdo që adhuron zota të tjerë përveç Allahut, Allahu do t'ia ndalojë Xhenetin dhe Zjarri do të jetë vendbanimi i tij. Për zullumqarët nuk ka asnjë ndihmëtar.” [Maide 72]. Kurse në këtë ajet i Lartësuari thotë:Kështu i shpërblejmë Ne keqbërësit. - Ky është shpërblimi i merituar për ata që e teprojnë me krimet dhe shfrenimin e tyre.

Al-A'raaf 7:40Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.