Muslim99Muslim99
← Tafsir library

7. Al-A'raaf

The Heights · Meccan · 206 ayahs

سُورَةُ الأَعۡرَافِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 21–30 of 206

21

وَقَاسَمَهُمَآ إِنِّى لَكُمَا لَمِنَ ٱلنَّٰصِحِينَ

Dhe ai (djalli) iu betua atyre (duke thënë): “Unë jam për ju, me të vërtetë, këshilltar i sinqertë!”

Dhe iu betua atyre, duke u thënë: “Unë jam këshillues i sinqertë për ju.” - Me këto që ju thashë, dëshiroj veçse t’ju këshilloj për të mirën tuaj. Kështu, ata u mashtruan, sepse në atë moment egoja e tyre mbizotëroi logjikën dhe arsyetimin e matur.

Al-A'raaf 7:21Listen in Qur'an →
22

فَدَلَّىٰهُمَا بِغُرُورٍۢ ۚ فَلَمَّا ذَاقَا ٱلشَّجَرَةَ بَدَتْ لَهُمَا سَوْءَٰتُهُمَا وَطَفِقَا يَخْصِفَانِ عَلَيْهِمَا مِن وَرَقِ ٱلْجَنَّةِ ۖ وَنَادَىٰهُمَا رَبُّهُمَآ أَلَمْ أَنْهَكُمَا عَن تِلْكُمَا ٱلشَّجَرَةِ وَأَقُل لَّكُمَآ إِنَّ ٱلشَّيْطَٰنَ لَكُمَا عَدُوٌّۭ مُّبِينٌۭ

Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij. Pasi që e shijuan (frutin) e drurit, iu zbuluan vendet e turpshme atyre dhe nisën të mbulohen me gjethet e xhennetit. E, ata i thirri Zoti i tyre: “A nuk ju kam ndaluar atë? (frutin e drurit); dhe, a nuk ju kam thënë: “Se, me të vërtetë, djalli është armiku juaj i hapët?”

Kështu, me anë të mashtrimit, ai i mposhti ata. -Ai i mposhti, duke i zbritur nga grada e lartë, larg gjynaheve dhe mosbindjes ndaj Allahut, në gradën e ulët të përlyerjes me gjynahe. Kështu, ata hëngrën nga pema.Kur e shijuan pemën, atyre iu zbuluan vendet e turpshme dhe filluan t’i mbulonin me gjethet e Xhenetit. -Secilit prej tyre iu shfaq aureti, që më parë ishte i mbuluar. Kështu, cenimi i devotshmërisë së brendshme la gjurmë edhe në pamjen e jashtme, me heqjen e mbulesës së auretit. Në këtë gjendje, ata, të turpëruar, nisën të mbuloheshin menjëherë me gjethet e pemëve të Xhenetit. Atëherë, Allahu i Madhëruar i qorton e u thotë:Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua pata bërë të ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se Shejtani është armiku juaj i hapur?” - Pse bëtë atë që jua kisha ndaluar dhe pse iu bindët armikut tuaj?

Al-A'raaf 7:22Listen in Qur'an →
23

قَالَا رَبَّنَا ظَلَمْنَآ أَنفُسَنَا وَإِن لَّمْ تَغْفِرْ لَنَا وَتَرْحَمْنَا لَنَكُونَنَّ مِنَ ٱلْخَٰسِرِينَ

Ata thanë: “O Zoti ynë! Na vetes i kemi bërë dëm; e nëse Ti nuk na falë dhe nuk na mëshiron, na do të jemi nga ata që janë të humbur”.

Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë dëm vetes sonë. Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi të humbur.” - Atëherë, Allahu i Gjithmëshirshëm u bëri mirësi duke u mundësuar të pendoheshin dhe duke ua pranuar pendimin. Ata e pranuan gabimin dhe iu lutën Allahut duke thënë: “Zoti ynë, ne i bëmë dëm vetes sonë. Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi të humbur.” Ne vërtet kryem një gabim, nga i cili na pate ndaluar duke dëmtuar kështu vetveten. Ne kryem atë që shkakton shkatërrimin dhe dëshpërimin tonë. Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne do të marrim fund të shkatërruar. Allahu i Madhëruar ua pranoi atyre pendimin dhe i fali, sikurse thotë në ajet tjetër: “Ademi theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi. Më pas, Zoti i vet e bëri atë të zgjedhur, ia pranoi pendimin dhe e vuri në rrugën e drejtë.” [Ta Ha 121, 122]. Kështu u pendua Ademi (a.s) dhe Allahu ia pranoi pendimin, madje e përzgjodhi për ta udhëzuar në rrugën e drejtë. Ndërsa Iblisi nuk veproi kështu. Pas qortimit që i bëri Allahu, ai jo vetëm që nuk shfaqi keqardhje e pendim për gabimin e tij, por vazhdoi me mendjemadhësi në të tijën. Për këtë arsye, çdokush që vepron si Ademi, domethënë që, pas gabimit, ndien keqardhje dhe pendohet, Allahu i Madhëruar ka për ta udhëzuar në rrugën e duhur. Ndërsa ata që i përngjajnë Iblisit, domethënë ata që, sa herë që bëjnë gjynahe, nuk pendohen, por zhyten thellë e më thellë në gjynahe, këtyre Allahu i Madhëruar veçse ka për t’u shtuar humbjen.

Al-A'raaf 7:23Listen in Qur'an →
24

قَالَ ٱهْبِطُوا۟ بَعْضُكُمْ لِبَعْضٍ عَدُوٌّۭ ۖ وَلَكُمْ فِى ٱلْأَرْضِ مُسْتَقَرٌّۭ وَمَتَٰعٌ إِلَىٰ حِينٍۢ

(Perëndia) tha: “Zbritni! Ju, njëri-tjetrit jeni armik. Në Tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë”.

Allahu tha: “Uluni poshtë! Ju do të jeni armiq të njëri-tjetrit. - Pasardhësit e Ademit do të jenë armiq të Iblisit dhe të pasardhësve të tij. Dihet shumë mirë se armiku përpiqet me të gjitha mënyrat që ta godasë kundërshtarin e tij me të këqija ose t’ia pengojë të mirat atij. Ky është një paralajmërim për t’u ruajtur prej Shejtanit. Allahu i Lartësuar thotë: “Shejtani është armiku juaj dhe si të tillë konsiderojeni! Ai i thërret pasuesit e vet për t'u bërë banorë të Zjarrit.” Ndërsa në suren Kehf, ajeti 50, thotë: “Vallë, në vend Timin, do ta konsideroni si mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërkohë që ata janë armiqtë tuaj? Sa këmbim i shëmtuar dhe i padrejtë është ky!” Pastaj Allahu i Lartësuar tregon destinacionin e zbritjes së Ademit me bashkëshorten e tij.Në tokë do ta keni vendbanimin dhe do të gjeni mjetet e jetesës deri në një afat të caktuar.” - Kuptimi: Për ju toka do të jetë vendqëndrimi dhe vendjetesa, deri në një afat të caktuar. Aty do të kaloni vitet e jetës suaj, për të shkuar pastaj në ahiret, në vendin për të cilin ju u krijuat dhe i cili u krijua për ju. Jeta juaj në tokë do të jetë e përkohshme, prandaj nuk meriton të quhet ‘vendprehjeje’, me plot kuptimin e fjalës. Kjo tokë është veçse një stacion, ku ne furnizohemi, për të shkuar në destinacionin përfundimtar. Ajo nuk është një vend ku ne mund të gjejmë prehjen dhe qetësinë e plotë e të përjetshme.

Al-A'raaf 7:24Listen in Qur'an →
25

قَالَ فِيهَا تَحْيَوْنَ وَفِيهَا تَمُوتُونَ وَمِنْهَا تُخْرَجُونَ

(Perëndia) tha: “Në të do të jetoni, në të do të vdisni dhe prej saj do të dilni (ringjalleni)”.

Allahu tha: "Aty do të jetoni, aty do të vdisni dhe prej saj do të nxirreni(në fund). - Pasi Ademi me gruan e tij u zbritën në tokë, Allahu i Lartësuar u përshkruan natyrën e jetës së tyre në të. Kështu, jeta në tokë do të ndërpritet nga vdekja. Veç kësaj, ajo do të jetë e mbushur me sprova dhe vështirësi të ndryshme. Sidoqoftë, për sa kohë do të jenë në tokë, Allahu i Madhëruar do të dërgojë mes tyre profetë dhe do t’u shpallë librat e Tij. Kështu, ata duhet të jetojnë sipas porosive të Tij, derisa t’u vijë vdekja, pas së cilës ata do të varrosen në tokë. Më pas, kur të vijë Kijameti, Allahu i Madhëruar do t’i ringjallë dhe do t’i rinxjerrë nga toka, për t’i llogaritur dhe shpërblyer me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij, sipas punëve të tyre dhe në varësi të plotësimit të porosive të Tij, të sjella nëpërmjet profetëve dhe shpalljeve. Ajo do të jetë jeta e përjetshme, e cila nuk do të ketë fund. Pastaj Allahu i Madhëruar përmend disa nga mirësitë e Tij të shumta, mes të cilave është veshja, qoftë ajo e domosdoshme, qoftë ajo që përdoret për zbukurim.

Al-A'raaf 7:25Listen in Qur'an →
26

يَٰبَنِىٓ ءَادَمَ قَدْ أَنزَلْنَا عَلَيْكُمْ لِبَاسًۭا يُوَٰرِى سَوْءَٰتِكُمْ وَرِيشًۭا ۖ وَلِبَاسُ ٱلتَّقْوَىٰ ذَٰلِكَ خَيْرٌۭ ۚ ذَٰلِكَ مِنْ ءَايَٰتِ ٱللَّهِ لَعَلَّهُمْ يَذَّكَّرُونَ

O bijtë e Ademit, Na ju dërguam rrobet që t’jua mbulojnë vendet e turpshme, si edhe rrobet luksoze; por, rrobet e virtyteve janë më të mirat. – Këto janë disa argumente të Perëndisë për t’i kujtuar ju (mirësitë e Perëndisë).

O bijtë e Ademit, Ne ju kemi dhënë veshje, si mbuluese për vendet tuaja të turpshme si edhe për zbukurim. -Të tilla janë edhe mirësitë e tjera, si ushqimi, pija, mjetet për ngarkesë etj. Allahu i Lartësuar ua lehtësoi njerëzve këto mirësi, duke u falur atyre jo vetëm aq sa u nevojitet, por edhe më shumë se kaq. Megjithatë, Ai sqaron se, të gjitha këto mirësi nuk janë dhe nuk duhet të jenë për ta qëllim në vetvete. Allahu i Madhëruar i mundësoi ato për të qenë në ndihmë të njerëzve, sidomos për arritjen e qëllimit të vetëm të jetës së tyre, që është adhurimi i Allahut të Lartësuar dhe bindja ndaj Tij. Prandaj i Lartësuari thotë më pas:Por veshja e devotshmërisë - ajo është më e mira. -Devotshmëria është më e mirë sesa veshja e bukur dhe stolitë e kësaj dynjaje. Veshja e devotshmërisë e shoqëron robin në mënyrë të pandashme dhe është zbukuruese e zemrës dhe e shpirtit. Ndërsa veshjet dhe stolitë e kësaj dynjaje mbulojnë ose zbukurojnë vetëm trupin për njëfarë kohe të kufizuar. Edhe sikur të ndodhë që, në ndonjë rast të jashtëzakonshëm, robi të mbetet pa veshje të jashtme, thjesht do të zbulohet trupi i tij, dhe në këtë rast ai është i justifikuar. Ndërsa kur hiqet rroba e devotshmërisë, atëherë kjo sjell poshtërimin dhe turpërimin e tij.Këto janë disa nga shenjat e Allahut, me qëllim që ata të kujtojnë (mirësitë e Zotit). - Çështja e veshjes le t’ju shërbejë si kujtim dhe për të menduar me kujdes rreth gjërave që ju sjellin dobi dhe atyre që ju sjellin dëm. Le të shërbejë ky si një kujtim dhe si një nxitje për ju që, ashtu sikurse kujdeseni për rrobat dhe stolitë tuaja të jashtme e të dukshme, ashtu edhe të kujdeseni për rrobën dhe stolinë e brendshme.

Al-A'raaf 7:26Listen in Qur'an →
27

يَٰبَنِىٓ ءَادَمَ لَا يَفْتِنَنَّكُمُ ٱلشَّيْطَٰنُ كَمَآ أَخْرَجَ أَبَوَيْكُم مِّنَ ٱلْجَنَّةِ يَنزِعُ عَنْهُمَا لِبَاسَهُمَا لِيُرِيَهُمَا سَوْءَٰتِهِمَآ ۗ إِنَّهُۥ يَرَىٰكُمْ هُوَ وَقَبِيلُهُۥ مِنْ حَيْثُ لَا تَرَوْنَهُمْ ۗ إِنَّا جَعَلْنَا ٱلشَّيَٰطِينَ أَوْلِيَآءَ لِلَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ

O bijtë e Ademit, le të mos u mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga xhenneti (meqë i mashtroi), duke u zhveshur rrobat për t’ju dukur vendet e turpshme të tyre. Ai (djalli) dhe ushtria e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Na i kemi bërë djajtë ndihmës të atyre që nuk besojnë.

Duke këshilluar bijtë e Ademit dhe duke i paralajmëruar që të mos i mashtrojë Shejtani i mallkuar, ashtu siç veproi me prindërit e tyre, Allahu i Lartësuar thotë:O bijtë e Ademit! Kurrsesi të mos ju mashtrojë Shejtani, sikurse bëri me prindërit tuaj që i nxori nga Xheneti, duke i zhveshur për t'u nxjerrë në shesh lakuriqësinë. - Kujdesuni dhe përpiquni me të gjitha forcat dhe rrugët e mundshme, që të mos e lejoni Shejtanin e mallkuar t’jua zbukurojë mosbindjen ndaj Allahut dhe t’ju joshë për të shkelur kufijtë e Tij! Mos lejoni që t’ju mashtrojë me ftesën dhe ngacmimet e Tij të shumta, dhe pastaj të përfundoni si pasues të tij! Kujtojeni mirë se, në këtë mënyrë, ai i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke i zbritur nga ai vend i lartë, në këtë tokë dhe vend sprovash! Edhe me ju ai dëshiron të njëjtën gjë: t’ju sprovojë dhe t’ju devijojë nga e drejta dhe e mira. Atëherë, mos e lejoni që, me përpjekjet e tij, Shejtani të triumfojë mbi ju! Jini gjithmonë vigjilentë ndaj intrigave dhe ngacmimeve të tij! Kujtoni vazhdimisht se ju jeni në gjendje lufte të ashpër me të, prandaj asnjëherë mos u bëni të pakujdesshëm, sidomos në lidhje me rrugët dhe hapësirat nëpërmjet të cilave ai ju lufton dhe dëmton!Ai dhe skota e tij ju sheh juve, ndërsa ju nuk mund t'i shihni ata. -Shejtani bashkë me ushtrinë e tij të xhindëve ju kanë në shënjestër dhe synojnë shkatërrimin tuaj. Ata ju shikojnë, ndërsa ju nuk i shikoni, prandaj bëni kujdes dhe ruajuni nga çdo kurth dhe intrigë e tyre, duke plotësuar porositë e Zotit tuaj. Vetëm duke zbatuar porositë e Zotit tuaj dhe me besim të plotë tek Ai, ju do të jeni të ruajtur dhe të shpëtuar.Ne i kemi bërë shejtanët miq (vetëm)të atyre që nuk besojnë. - Nëse robi bëhet mik dhe pasues i Shejtanit të mallkuar, kjo ndodh për shkak të mosbesimit. Me fjalë të tjera, në varësi të cenimit të imanit, do të jetë dhe afrimiteti me Shejtanin. Po në këtë gradë do të jetë dhe pushteti që i mallkuari do të ketë mbi njeriun, për ta devijuar atë, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe që vetëm Zotit të tyre i janë mbështetur. Ai mund të kontrollojë vetëm ata që e përkrahin atë dhe ata që, për shkak të tij, bëhen idhujtarë.” [Nahl 99, 100].

Al-A'raaf 7:27Listen in Qur'an →
28

وَإِذَا فَعَلُوا۟ فَٰحِشَةًۭ قَالُوا۟ وَجَدْنَا عَلَيْهَآ ءَابَآءَنَا وَٱللَّهُ أَمَرَنَا بِهَا ۗ قُلْ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَأْمُرُ بِٱلْفَحْشَآءِ ۖ أَتَقُولُونَ عَلَى ٱللَّهِ مَا لَا تَعْلَمُونَ

E kur të punojnë vepër të shëmtuar, thonë: “Na i kemi gjetur prindërit tonë në to; por edhe Perëndia na ka urdhëruar me këte”. Thuaj: “Perëndia nuk urdhëron të punohen vepra të shëmtuara! Përse flisni për Perëndinë atë që nuk e dini?”

Kur ata bëjnë diçka të shëmtuar, thonë: “Kështu i gjetëm prindërit tanë." dhe "Allahu na urdhëroi për këtë.” - Allahu i Lartësuar përshkruan gjendjen e shëmtuar të idhujtarëve, të cilët kryejnë poshtërsi dhe, me paturpësi, shpifin duke thënë se është Allahu i Lartësuar Ai që i ka urdhëruar për to. Vetë fjala ‘el fâhishetu’tregon gjynahe që janë shumë të ulta dhe të shëmtuara. I tillë ishte, për shembull, tavafi që bënin rreth Qabes, duke qenë të zhveshur lakuriq. Kur kryenin të tilla poshtërsi, ata thoshin: “Kështu i gjetëm prindërit tanë" dhe "Allahu na urdhëroi për to.” Ata thoshin të vërtetën, për sa i përket pjesës së parë, domethënë, që ashtu i gjetën të parët e tyre, por gënjenin për pjesën e dytë, që ishte Allahu që i urdhëroi për këto poshtërsi. Prandaj Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë këtë pretendim, dukethënë:Thuaj: “Jo. Allahu nuk urdhëron kurrë për turpësi. -Allahu i Lartësuar është i Plotë, pa të meta dhe absolutisht i Urtë që të mund t’i urdhërojë njerëzit për të bërë poshtërsi, të çfarëdo lloji qofshin. Ky pretendim është tërësisht një shpifje dhe padrejtësi. I Lartësuari thotë më pas:A po thoni për Allahun gjëra që nuk i dini?!” - E ku ka shpifje më të madhe se kjo?! Të flasësh rreth Allahut pa dije është nga padrejtësitë më të mëdha.

Al-A'raaf 7:28Listen in Qur'an →
29

قُلْ أَمَرَ رَبِّى بِٱلْقِسْطِ ۖ وَأَقِيمُوا۟ وُجُوهَكُمْ عِندَ كُلِّ مَسْجِدٍۢ وَٱدْعُوهُ مُخْلِصِينَ لَهُ ٱلدِّينَ ۚ كَمَا بَدَأَكُمْ تَعُودُونَ

Thuaj: “Zoti im urdhëron – drejtësi. Dhe drejtohuni vetëm Atij, kurdo që bëni lutje, dhe lutjuni sinqerisht Atij, duke i bërë përulje! Ashtu siç ju ka krijuar prej asgjëje, ashtu do t’ju ringjallë.

Thuaj: “Zoti im ka urdhëruar drejtësi. -Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për drejtësi dhe barazi në të gjitha fushat e çështjet. Ai na ka urdhëruar për vepra të pastra e të bukura, qoftë për adhurimet ndaj Tij, qoftë për bashkëpunimin e marrëdhëniet me njerëzit.Kthehuni tërësisht drejt Zotit në çdo xhami... -Drejtojuni Allahut dhe përpiquni maksimalisht për t’i përsosur adhurimet tuaja dhe, në mënyrë të veçantë, namazin! Përkryejeni atë qoftë në aspektin e jashtëm, qoftë në aspektin e brendshëm shpirtëror! Ruajeni dhe pastrojeni namazin tuaj nga çdo mangësi që e cenon atë!...dhe lutjuni Atij, duke qenë të sinqertë në adhurimin e Tij! - Lutjuni Allahut duke synuar me këtë vetëm kënaqësinë e Tij, që është i Vetëm dhe i Pashoq. Kjo është një porosi për t’iu drejtuar Allahut me të dyja llojet e lutjeve: lutja e kërkesës (duau mesele) dhe lutjet e shprehur nëpërmjet adhurimeve (duâul ibâdeh).Atëherë, drejtohuni Allahut me të gjitha format, por bëjeni këtë jo duke u shtirur dhe sa për t’u dukur, por duke pasur një qëllim të vetëm: adhurimin e sinqertë të Allahut dhe synimin për ta kënaqur Atë.Ashtu sikurse e nisi krijimin tuaj herën e parë, ashtu do të ktheheni sërish tek Ai.” -Ashtu sikurse Ai ju krijoi herën e parë, po ashtu do t’ju krijojë sërish e do t’ju ringjallë. Ai që ishte i Plotfuqishëm për ta nisur krijimin tuaj nga hiçi, është i Plotfuqishëm ta ribëjë edhe njëherë e t’ju rikthejë në jetë. Madje, ribërja është më e thjeshtë sesa shpikja e parë.Shiko tefsirin e ajetit 186 të sures El bekare.

Al-A'raaf 7:29Listen in Qur'an →
30

فَرِيقًا هَدَىٰ وَفَرِيقًا حَقَّ عَلَيْهِمُ ٱلضَّلَٰلَةُ ۗ إِنَّهُمُ ٱتَّخَذُوا۟ ٱلشَّيَٰطِينَ أَوْلِيَآءَ مِن دُونِ ٱللَّهِ وَيَحْسَبُونَ أَنَّهُم مُّهْتَدُونَ

Një pjesë i ka udhëzuar në rrugë të drejtë, kurse pjesa tjetër e ka merituar humbjen. Ata e kanë bërë djallin mik, përpos Perëndisë, dhe mendojnë se janë në rrugë të drejtë.

Një pjesë Ai e udhëzoi në rrugë të drejtë, ndërsa pjesa tjetër e meritoi të jetë e humbur. - Allahu i Lartësuar u dha sukses disave, që të nënshtrohen dhe të pasojnë udhëzimin e drejtë, duke ua lehtësuar rrugët dhe faktorët për arritjen dhe vazhdimësinë e tij, si dhe duke u larguar çdo pengesë në rrugën drejt Tij. Ndërsa për disa të tjerë u bë e pashmangshme dhe e detyrueshme humbja dhe largimi nga e vërteta, sepse ishin vetë ata që ia shkaktuan vetes humbjen dhe devijimin, nëpërmjet punëve të tyre. Ja disa nga shkaqet e humbjes së tyre:Në të vërtetë, ata kanë zgjedhur për miq shejtanët në vend të Allahut dhe mendojnë se janë të udhëzuar në rrugë të drejtë. - I Madhëruari thotë në një ajet tjetër: “...E, kush e bën mik shejtanin, e jo Allahun, me të vërtetë ka dështuar me një dështim të qartë.” [Nisa 119]. Kështu, kur ata iu larguan miqësisë me Allahun, nënshtrimit ndaj Tij dhe mbështetjes tek Ai, ata thelluan afrimitetin dhe miqësinë me Shejtanin. Në këtë mënyrë, ata ranë në dështimin më të madh, sepse me vullnetin e tyre i hynë rrugës së dëshpërimit dhe humbjes. Më e keqja është se ata e pandehin veten si të drejtudhëzuar, duke e parë të kotën si të vërtetë dhe të vërtetën si të kotë. Ajetet dëshmojnë se urdhrat e Allahut të Lartësuar ndërtohen mbi urtësinë absolute të Tij dhe synojnë të japin më të mirën e më të dobishmen për njerëzit. Allahu i Lartësuar thotë se është e pamundur që Ai të urdhërojë për diçka të shëmtuar, për diçka të cilën logjika e shëndoshë nuk e pranon dhe e konsideron si të neveritshme, por Ai urdhëron vetëm për gjëra të mira, të pastra e të dobishme. Gjithashtu, ajetet tregojnë se udhëzimi në rrugën e drejtë është dhuratë nga Allahu i Lartësuar, ndërsa humbja është ndëshkim i drejtë i dhënë prej Tij, për shkak të padrejtësisë dhe injorancës së robit, i cili përzgjedh si mik Shejtanin, duke preferuar në këtë mënyrë devijimin, kundrejt udhëzimit të Allahut. Nga ajeti kuptohet se, edhe nëse dikush mund të mendojë se është i udhëzuar në rrugën e drejtë, duke qenë në fakt në humbje të thellë, kjo nuk shërben si justifikim për të para Allahut të Lartësuar, sepse ai e ka mundësinë për të kuptuar dhe zbuluar udhëzimin e drejtë. Ai mendon ashtu, për shkak të padrejtësive të tij dhe shpërfilljes së rrugës së drejtë.

Al-A'raaf 7:30Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.