Muslim99Muslim99
← Tafsir library

7. Al-A'raaf

The Heights · Meccan · 206 ayahs

سُورَةُ الأَعۡرَافِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 161–170 of 206

161

وَإِذْ قِيلَ لَهُمُ ٱسْكُنُوا۟ هَٰذِهِ ٱلْقَرْيَةَ وَكُلُوا۟ مِنْهَا حَيْثُ شِئْتُمْ وَقُولُوا۟ حِطَّةٌۭ وَٱدْخُلُوا۟ ٱلْبَابَ سُجَّدًۭا نَّغْفِرْ لَكُمْ خَطِيٓـَٰٔتِكُمْ ۚ سَنَزِيدُ ٱلْمُحْسِنِينَ

(Kujtoju atyre) kur u është thënë: “Vendosuni në këtë vendbanim dhe hani në të si të doni dhe thuani: “Falna mëkatet! Dhe hyni të përulur në derë; e Na do t’u falim mëkatet dhe do t’u shtojmë bamirësve shpërblimin”, -

Atyre iu tha: “Jetoni në këtë vend... -Allahu i Lartësuar i udhëzoi që të hynin në atë vendbanim, që do të ishte atdheu i tyre. Bëhet fjalë për vendin e quajturIljae....dhe merrni nga mirësitë e tij ku të dëshironi, -Atje kishte plot pemë, fruta e bereqet, dhe Allahu i Lartësuar u dha leje të merrnin e të hanin ku të dëshironin. Por, gjithashtu, Ai i urdhëroi të bënin diçka të thjeshtë, që do të tregonte pendimin e tyre të sinqertë dhe nënshtrimin ndaj Tij:por thoni “Na fal!” dhe hyni në portat e tij duke rënë në sexhde, që t’jua falim gjynahet, ndërsa vepërmirëve t’ua shtojmë shpërblimin!" - Kur të hyni në portat e këtij vendi, thoni: "Hittatun!" – “Na fal e na i fshi gjynahet tona!”"...dhe hyni në portat e tij duke rënë në sexhde, që t’jua falim gjynahet,... -Hyni në portat e këtij vendbanimi me përunjësi dhe mirënjohje ndaj Zotit tuaj. Kështu, ata u urdhëruan që të hynin në atë vend duke kërkuar falje dhe duke shprehur përulje e respekt ndaj Zotit, dhe kundrejt kësaj, Zoti u premtoi falje të gjynaheve dhe një shpërblim të mrekullueshëm që në jetën e kësaj bote. Madje, Ai u premtoi edhe një shpërblim të përjetshëm, që do t’u jepej Ditën e Gjykimit:...ndërsa vepërmirëve t’ua shtojmë shpërblimin!” - Të mirëve do t’ua shtojmë të mirat e dynjasë dhe të ahiretit. Megjithatë, zullumqarët nuk e zbatuan këtë urdhër hyjnor dhe të mrekullueshëm të Allahut të Lartësuar por:

Al-A'raaf 7:161Listen in Qur'an →
162

فَبَدَّلَ ٱلَّذِينَ ظَلَمُوا۟ مِنْهُمْ قَوْلًا غَيْرَ ٱلَّذِى قِيلَ لَهُمْ فَأَرْسَلْنَا عَلَيْهِمْ رِجْزًۭا مِّنَ ٱلسَّمَآءِ بِمَا كَانُوا۟ يَظْلِمُونَ

e atëherë, mëkatarët, ndërruan fjalët me tjera që nuk iu kanë thënë, dhe Na u dërguam atyre dëni nga qielli, sepse bënin zullum.

Por të këqijtë nga mesi i tyre e ndryshuan fjalën që u ishte dhënë me një tjetër fjalë; prandaj... - Ata nuk iu bindën Allahut të Lartësuar, por e thyen dhe e përçmuan urdhrin e Tij. Ata e zëvendësuan fjalën që iu kërkua me një fjalë tjetër. Në vend të "hitta", ata thanë: "hinta", që do të thotë ‘kokërr gruri’. Edhe atë fjalë, që ishte aq e thjeshtë për t’u thënë, ata e zëvendësuan me tjetër fjalë, nga ligësia që kishin në zemër. Atëherë, mendo pak se si do të reagonin ata ndaj urdhrit tjetër, që mbase ishte pak më i vështirë: të hynin të përulur në portat e qytetit! Sigurisht, që edhe këtë nuk do ta zbatonin. Ndaj, kur u afruan në portat e qytetit, ata u futën duke tërhequr zvarrë të prapmet e tyre. Ky qe një akt i shëmtuar kundërshtimi dhe padrejtësie, prandaj Allahu i Lartësuar thotë:...Ne zbritëm kundër tyre një dënim të madh nga qielli për padrejtësitë e tyre. - Ngaqë kundërshtuan urdhrin e Tij, Allahu i Lartësuar lëshoi mbi ta ndëshkim prej qiellit, që mund të ketë qenë sëmundje ose diçka tjetër. Allahu i Lartësuar nuk u bëri asnjë padrejtësi atyre me këtë ndëshkim, por ata i bënë padrejtësi vetes. Ky qe rezultat i veprave që bënë me duart e tyre, pa i detyruar kush dhe pa patur asnjë arsye. I vetmi shkak ishte poshtërsia, që u kishte mbushur shpirtrat.

Al-A'raaf 7:162Listen in Qur'an →
163

وَسْـَٔلْهُمْ عَنِ ٱلْقَرْيَةِ ٱلَّتِى كَانَتْ حَاضِرَةَ ٱلْبَحْرِ إِذْ يَعْدُونَ فِى ٱلسَّبْتِ إِذْ تَأْتِيهِمْ حِيتَانُهُمْ يَوْمَ سَبْتِهِمْ شُرَّعًۭا وَيَوْمَ لَا يَسْبِتُونَ ۙ لَا تَأْتِيهِمْ ۚ كَذَٰلِكَ نَبْلُوهُم بِمَا كَانُوا۟ يَفْسُقُونَ

Pyeti ata për qytetin që gjendej në bregdet, kur ata e thyen dispozitën e së shtunës: atë ditë u vinin peshqit me shumicë, e ditëve tjera që nuk i kremtonin, nuk u vinin ata. Kështu, Ne, ata i vënim në provë, sepse vënin mëkate.

Pyeti ata për fshatin që gjendej në bregdet... -Pyeti ata, domethënë, bijtë e Izraelit, për popullin që jetonin në bregdet dhe që kishin marrë nga i Madhërishmi disa porosi tepër të rëndësishme. Pyeti ata për historinë e tyre, se si ata e shkelën rregullin e sabathit, për të mos punuar ditën e shtunë! Pyeti edhe për ndëshkimin e ashpër të të Plotpushtetshmit mbi ta!...dhe që shkelte rregullin e të shtunës(sabathit)! -Allahu i Lartësuar i kishte urdhëruar që të respektonin sabathin, domethënë rregullin për të mos gjuajtur dhe peshkuar ditën e shtunë. Në këtë mënyrë, Ai donte të vinte në provë bindjen dhe respektin që ata kishin për Të dhe urdhrat e Tij, prandaj pikërisht ditën e shtunë peshqit vinin me shumicë pranë rrjetave të tyre, aq sa ata i shihnin me sy. I Madhëruari thotë:Të shtunën, peshqit u vinin sheshazi mbi ujë,... -Peshqit vinin tufa-tufa përpara syve të tyre, në sipërfaqe të ujit dhe ishte shumë e lehtë për t’i kapur....ndërsa ditët e tjera, që nuk e kishin të ndaluar punën, nuk u vinin. -Por kur kalonte dita e shtunë, nuk shihje më peshq aty. Allahu i Lartësuar thotë:Kështu Ne i sprovonim, sepse ata i kalonin kufijtë. - Ishte shkak prirja e tyre për të shkelur kufijtë e Allahut të Lartësuar dhe për të mos iu bindur Atij, që u sprovuan në atë mënyrë. Nëse do të ishin më të bindur, Allahu i Lartësuar nuk do t’u jepte këtë sprovë aq të vështirë. Kështu, të vënë në provë, ata filluan të mendonin hile, se si të kapnin peshk ditën e shtunë. Përfundimisht, ata morën masa që të hidhnin rrjetat para të shtunës, t’i linin ato të hapura ditën e shtunë kur vinte peshku, dhe t’i mblidhnin pastaj ditën e dielë, meqë të shtunën nuk lejohej. Këtë gjë filluan ta bënin shumë prej tyre. Në fakt, ata u ndanë në tre grupe. Shumica e tyre e kaluan kufirin dhe morën guximin që ta shkelnin urdhrin e Zotit, madje e bënin këtë hapur. Një grup tjetër vendosi që t’i ndalojnë, këshillojnë dhe qortojnë grupin e parë. Ndërsa një grup i tretë u mjaftua me këshillimin që bënin të tjerët, prandaj nuk reaguan ndaj grupit të parë. Madje, grupi i tretë i drejtohet grupit të dytë dhe i thotë:

Al-A'raaf 7:163Listen in Qur'an →
164

وَإِذْ قَالَتْ أُمَّةٌۭ مِّنْهُمْ لِمَ تَعِظُونَ قَوْمًا ۙ ٱللَّهُ مُهْلِكُهُمْ أَوْ مُعَذِّبُهُمْ عَذَابًۭا شَدِيدًۭا ۖ قَالُوا۟ مَعْذِرَةً إِلَىٰ رَبِّكُمْ وَلَعَلَّهُمْ يَتَّقُونَ

(Kujtoje) kur disa prej tyre thanë: “Pse e këshilloni popullin, të cilin Perëndia do ta zhdukë ose do ta ndëshkojë me ndëshkim të ashpër?” (Këshilltarët) u përgjegjën: “Për t’u arsyetuar para Zotit tuaj dhe për t’i ruajtur ata nga mëkatet”.

Kur disa prej tyre thanë “Përse e këshilloni një popull që Allahu do ta shkatërrojë ose do t’i japë një dënim të ashpër?”,... -Ata dukej sikur thoshin: Nuk ka asnjë dobi këshilla drejtuar atyre që kanë marrë guximin të shkelin kufijtë e Allahut të Lartësuar. Ata as që ua vënë veshin qortimeve dhe këshillave tuaja, por vazhdojnë me mospërfillje në rrugën e kundërshtimit. Për këtë arsye, nuk ka dyshim që Allahu i Lartësuar ka për t’i shkatërruar ata, por:...këshilluesit thanë: “Për të kryer detyrën para Zotit tuaj...- Ne i qortojmë dhe i këshillojmë për t’u justifikuar para Zotit, si edhe:...dhe me shpresë që ata mund t'i frikësohen.” - Me shpresë që ata do të heqin dorë nga mosbindja ndaj Allahut të Madhëruar. Ne nuk e humbin shpresën që Allahu i Lartësuar mund t’i udhëzojë ata në rrugë të drejtë. Mbase këshilla jonë do të ketë sukses dhe do të lërë gjurmë në zemrat e tyre. Këto janë dy qëllimet madhore pse këshillojmë dhe ftojmë të tjerët në rrugë të drejtë: si justifikim i drejtë para Allahut të Lartësuar dhe me shpresë se ndoshta Allahu i Lartësuar ka për t’i udhëzuar ata, nëpërmjet këshillës që u bëjmë atyre.

Al-A'raaf 7:164Listen in Qur'an →
165

فَلَمَّا نَسُوا۟ مَا ذُكِّرُوا۟ بِهِۦٓ أَنجَيْنَا ٱلَّذِينَ يَنْهَوْنَ عَنِ ٱلسُّوٓءِ وَأَخَذْنَا ٱلَّذِينَ ظَلَمُوا۟ بِعَذَابٍۭ بَـِٔيسٍۭ بِمَا كَانُوا۟ يَفْسُقُونَ

Dhe kur e harruan atë, për të cilën ishin këshilluar, Na i shpëtuam ata që të tjerët i pengonin nga të këqiat, kurse i ndëshkonim me ndëshkim të ashpër ata që bënin zullum, për shkak të mëkateve të tyre.

Por kur ata i shpërfillën paralajmërimet që u qenë bërë, Ne i shpëtuam ata që ndalonin të këqijat;... -Kur ata shpërfillën këshillat dhe vazhduan në rrugën e tyre të keqe, Allahu i Madhëruar i ndëshkoi, por nga ana tjetër, Ai shpëtoi këshilluesit, që ndalonin nga të këqijat. Ky është rregulli i pandryshueshëm i Allahut të Lartësuar me robërit e Tij: kur Ai ndëshkon një popull, nga ky ndëshkim shpëtojnë vetëm ata që urdhërojnë për të mira dhe ndalojnë nga të këqijat....ndërsa ata që kundërshtuan, i ndëshkuam me një dënim të ashpër për shkak se ishin të shfrenuar. - Allahu i Madhërishëm i ndëshkoi rëndë ata të cilët e meritonin, sepse bënë padrejtësi dhe shkelën rregullin e sabathit. Ndërsa për ata që u thanë këshilluesve: "Pse këshilloni një popull të cilin Allahu dëshiron ta ndëshkojë", shpjeguesit e Kur'anit kanë dhënë mendime të ndryshme. Megjithatë, si mendim më i saktë dhe më i përhapur është se edhe ata shpëtuan, pasi Allahu i Lartësuar na tregon se ndëshkimin e Tij e kufizoi vetëm për ata që bënë padrejtësi, që kaluan kufijtë dhe shkelën rregullin e të shtunës. Gjithashtu, dihet se detyra e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga të këqijat është e tillë që, nëse e kryen një grup besimtarësh, atëherë nuk është më detyrim për të tjerët. Edhe ai grup u mjaftua me atë që kishin bërë të tjerët. Përveç kësaj, ata thanë: "Pse e këshilloni një popull të cilin Allahu dëshiron ta ndëshkojë?!" Kjo tregon se ata e urrenin atë grup për shfrenimin e tyre dhe e dinin shumë mirë se Allahu do t’i ndëshkonte ata. Ata i urrenin veprat e të padrejtëve, daljen nga kufijtë e Allahut të Lartësuar dhe mosbindjen ndaj urdhrave të Tij. Për këtë arsye, ata nuk mund të ndëshkoheshin njëlloj si ata të cilët bënin gjynahe. E si mund të ndëshkoheshin, kur ata e urrenin të keqen dhe ishin të bindur se Allahu i Lartësuar do t’i ndëshkonte ashpër të padrejtët?!

Al-A'raaf 7:165Listen in Qur'an →
166

فَلَمَّا عَتَوْا۟ عَن مَّا نُهُوا۟ عَنْهُ قُلْنَا لَهُمْ كُونُوا۟ قِرَدَةً خَٰسِـِٔينَ

Meqë ata e refuzuan me mendjemadhësi, atë që u ishte ndaluar, Na ju thamë: “Bëhuni majmunë të urryer”.

Kur ata ngulmuan me arrogancë të hapur në atë që u ishte ndaluar, Ne u thamë atyre: "Bëhuni majmunë të përbuzur e të mohuar!" - Zemrat e tyre u ashpërsuan dhe u mbushën me arrogancë, në vend që të zbuteshin dhe të dëgjonin këshillat e dashamirësve për t’u kthyer në rrugën e Allahut të Lartësuar. Pas kësaj, ndëshkimi për ta ishte i pashmangshëm. Allahu i Lartësuar, me gjykimin e Tij të drejtë, vendosi t’i kthente në majmunë të shëmtuar e të përbuzur, duke i larguar nga mëshira e Tij. Pastaj Allahu thotë se, edhe për ata që do të mbeteshin gjallë do të shkruhej poshtërimi dhe nënçmimi.

Al-A'raaf 7:166Listen in Qur'an →
167

وَإِذْ تَأَذَّنَ رَبُّكَ لَيَبْعَثَنَّ عَلَيْهِمْ إِلَىٰ يَوْمِ ٱلْقِيَٰمَةِ مَن يَسُومُهُمْ سُوٓءَ ٱلْعَذَابِ ۗ إِنَّ رَبَّكَ لَسَرِيعُ ٱلْعِقَابِ ۖ وَإِنَّهُۥ لَغَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ

(Kujtoje) kur Zoti yt ka paralajmëruar se do të dërgojë tek ata dikend, i cili do t’i mundojë, në mënyrën më të keqe, deri në Ditën e Kijametit. Me të vërtetë, Zoti yt dënon shpejt, por Ai, është edhe falës e mëshirues.

Zoti Yt shpalli qartas se, mbi ta do të vendosë deri Ditën e Kijametit, sundimin e dikujt, që ka për t'i ndëshkuar ata me mënyrën më të keqe. -Allahu i Lartësuar thotë qartë se çfarë ndëshkimi morën ata: poshtërim dhe përçmim prej sunduesve të tyre, deri Ditën e Gjykimit. Mbi ta do të ketë vazhdimisht sundues, që do t’i shtypin dhe nënçmojnë.Zoti yt është, vërtet Ndëshkues i shpejtë,... –Allahu është ndëshkues i shpejtë për këdo që nuk u bindet urdhrave të Tij. Këta lloj njerëzish do t’i përfshijë ndëshkimi që në jetën e kësaj bote. Por Allahu i Lartësuar nuk është vetëm ndëshkues i rreptë:...por Ai është gjithashtu edhe Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Allahu është Falës, mbulues i të metave dhe Mëshirues i atyre që pendohen dhe i kthehen të përulur Atij. Ai ua pranon veprat e mira që kryejnë dhe pastaj i shpërblen ata, me bujarinë e Tij. Kështu vepron Allahu i Lartësuar me robte e Tij. Ai premton shpërblim për të mirët dhe u jep shumë më tepër sesa meritojnë. Nga ana tjetër, të këqijtë do të marrin si ndëshkim vetëm aq sa meritojnë, e jo më tepër, madje Allahu fal shumë. Ata që nuk i binden Allahut të Lartësuar dhe nuk pranojnë të jetojnë sipas ligjeve e normave të Tij, do të jenë vazhdimisht të nënçmuar dhe të poshtëruar nga tiranë mbi krye. Ata nuk do të kenë kurrë përfaqësues të denjë dhe ndihmëtarë, që t’u japin sukses e fitore.

Al-A'raaf 7:167Listen in Qur'an →
168

وَقَطَّعْنَٰهُمْ فِى ٱلْأَرْضِ أُمَمًۭا ۖ مِّنْهُمُ ٱلصَّٰلِحُونَ وَمِنْهُمْ دُونَ ذَٰلِكَ ۖ وَبَلَوْنَٰهُم بِٱلْحَسَنَٰتِ وَٱلسَّيِّـَٔاتِ لَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ

Dhe Na, i kemi shpërndarë ata në Tokë si popuj: Disa prej tyre janë të mirë e disa jo. Na, i kemi vënë në sprovë ata me gjëra të mria dhe të këqia për (pendim) t’u kthyer.

Ne i shpërndamë ata në këtë Tokë grupe-grupe. -Ne i shpërndamë dhe i përhapëm ata nëpër tokë, pasi kishinqenë njëherë të mbledhur e të bashkuar.Prej tyre ka të mirë, por ka edhe jo të tillë. -Prej tyre ka që janë të mirë, të cilët i zbatojnë detyrimet e Allahut të Lartësuar dhe i japin hakun çdokujt që e meriton. Por ka edhe të tjerë, që nuk janë të tillë, sepse bëjnë padrejtësi dhe dëmtojnë vetveten. Allahu i Lartësuar i sprovon robte e Tij për të dalë në pah të gjithë kategoritë e njerëzve. Në këtë mënyrë dallohen të shkëlqyeshmit, që plotësojnë si detyrimet ndaj Allahut të Lartësuar, ashtu edhe ato ndaj krijesave, do të duken cilët janë mesatarë, që kërkojnë hakun e tyre, por do të dalin në pah edhe ata që i bëjnë padrejtësi vetes, duke shkelur urdhëresat e Allahut të Lartësuar.Ne i vumë në provë ata edhe me mirësi edhe me fatkeqësi, që të kthenin rrugë. - Ky është rregulli i Allahut të Lartësuar me të gjithë popujt në këtë botë. Ai i sprovon me të mira dhe me të këqija, me begati dhe me vështirësi, me qëllim që ata të kthehen nga rruga e humbjes dhe të marirn rrugën e drejtë, atë për të cilën edhe u krijuan. Brezat që erdhën më pas e shtuan ligësinë dhe u larguan shumë nga rruga e Allahut të Lartësuar:

Al-A'raaf 7:168Listen in Qur'an →
169

فَخَلَفَ مِنۢ بَعْدِهِمْ خَلْفٌۭ وَرِثُوا۟ ٱلْكِتَٰبَ يَأْخُذُونَ عَرَضَ هَٰذَا ٱلْأَدْنَىٰ وَيَقُولُونَ سَيُغْفَرُ لَنَا وَإِن يَأْتِهِمْ عَرَضٌۭ مِّثْلُهُۥ يَأْخُذُوهُ ۚ أَلَمْ يُؤْخَذْ عَلَيْهِم مِّيثَٰقُ ٱلْكِتَٰبِ أَن لَّا يَقُولُوا۟ عَلَى ٱللَّهِ إِلَّا ٱلْحَقَّ وَدَرَسُوا۟ مَا فِيهِ ۗ وَٱلدَّارُ ٱلْءَاخِرَةُ خَيْرٌۭ لِّلَّذِينَ يَتَّقُونَ ۗ أَفَلَا تَعْقِلُونَ

Pas tyre erdh gjenerata, e cila e trashëgoi Librin (Teuratin), duke i marrë gjërat e kalueshme (pavlefshme) të kësaj bote. Dhe thonin: “Do të na falet! E, nëse prapë u binte në dorë diçka e ngjashme, prapë e merrnin. Vallë, a nuk është marrë nga ana e tyre premtimi solemn në Libër (Teurat), që për Perëndinë të thonë vetëm të vërtetën. E, ata, kanë mësuar çka ka në të (Libër): Bota tjetër (e përhershme) është më e mirë për besimtarët, prandaj, vallë a nuk e kuptoni këtë?!

Pas tyre erdhën të tjerë, që trashëguan Librin,... -Brezat më vonë trashëguan Librin e Zotit, prandaj do të duhej që populli të kthehej te mësimet hyjnore të këtij Libri. Por, në të vërtetë, ata filluan të ndryshonin tekstin dhe përmbajtjen e Librit, sipas dëshirave të tyre. Ata po kërkonin të pasuroheshin përmes fetvave që jepnin, duke ndryshuar fenë e tyre. Atëherë filloi të përhapej në masë ryshfeti, saqë Allahu i Lartësuar thotë për ta:...por që zgjodhën për vete stolitë e pavlera të kësaj bote dhe thoshin: “Do të na falet (gjithçka).” -Ata e pranonin që e kishin gabim, prandaj thoshin: “Do të na falet”. Ata bënin gjynahe, pastaj thoshin më kot: “Do të na falen këto që bëjmë”, pa patur asnjë garanci prej Allahut të Lartësuar. Në fakt, qëndrimi i tyre nuk mund të konsiderohej si pendesë e sinqertë për gabimet, sepse po të ishte ashtu, ata do të vendosnin e do të zotoheshin që të mos i përsërisnin më ato gjynahe.Por kur u vinte ndonjë kotësi tjetër e ngjashme, ata përsëri shkonin pas saj. -Kur u vinte përsëri rasti për të bërë gjynah, që ata e pëlqenin, përsëri e bënin dhe përsëri thoshin të njëjtat fjalë. Në këtë mënyrë, ata shpërfillën normat e Allahut dhe i shitën për gjëra të vogla të kësaj bote. Ata hodhën tutje ndershmërinë e mirësinë që ofron Allahu i Lartësuar, duke parapëlqyer atë që është e ulët dhe poshtëruese për dynjanë dhe për ahiretin. Duke i qortuar për padrejtësinë që bënin, Allahu i Lartësuar thotë:A nuk janë zotuar ata në Libër që të mos thonë për Allahun asgjë tjetër veç së vërtetës dhe e patën studiuar mirë gjithçka në të? -Si është e mundur që ata thonë të pavërteta rreth Allahut të Lartësuar?! Me gjithë zotimet e tyre, ata vazhdojnë të ndjekin dëshirat e tyre, duke rendur pas kësaj dynjaje. Ata vazhdonin me zullumet e tyre, ndërkohë që e kishin studiuar mirë Librin e Zotit. Kështu, ata e njihnin të vërtetën, por e kundërshtonin me vetëdije të plotë atë. Ata e kishin shumë të qartë se cila qe e drejta, por sërish bënin ashtu si u donte qejfi. Ky është një gjynah shumë më i rëndë sesa i atij që nuk di dhe gjykon nga padituria, prandaj edhe qortimi që u drejton Allahu i Lartësuar është më i rëndë e, sigurisht, ndëshkimi i tyre do të jetë më i ashpër. Kjo sjellje ishte tregues i mendjelehtësisë së tyre, pasi ata i jepnin përparësi jetës së kësaj bote, kundrejt ahiretit, që është i përjetshëm, siç thotë Allahu i Madhëruar:Bota tjetër është më e mirë për ata që janë të devotshëm. -Ahireti është shumë më i mirë për ata që tregohen të devotshëm, duke zbatuar urdhëresat e Allahut të Lartësuar. Ata largohen nga ushqimet e ndaluara dhe nga pasuria që fitohet me mënyra të padrejta. Ata i largohen ryshfetit, që merret për të dhënë një gjykim të padrejtë.A nuk logjikoni? - A nuk keni logjikë, që të kuptoni se çfarë kërkon përparësi dhe çfarë duhet të shpërfillni?! Një mendje e shëndoshë gjykon drejt për sa i përket asaj se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për njeriun. Ata që nxitohen në gjykim shikojnë vetëm në jetën e kësaj bote, e cila është e parëndësishme dhe shumë e shkurtër. Këtyre njerëzve u shpëtojnë mirësi të shumta, por, mbi të gjitha, ata do të privohen nga mirësitë e Xhenetit, pranë Allahut të Lartësuar. …

Al-A'raaf 7:169Listen in Qur'an →
170

وَٱلَّذِينَ يُمَسِّكُونَ بِٱلْكِتَٰبِ وَأَقَامُوا۟ ٱلصَّلَوٰةَ إِنَّا لَا نُضِيعُ أَجْرَ ٱلْمُصْلِحِينَ

E, ata që i përmbahen dispozitave të Librit dhe që e kryejnë namazin, - Na, me të vërtetë, nuk do t’u humbim shpërblimin të mirëve.

Ata që i përmbahen me besnikëri Librit dhe e përkryejnë namazin le ta dinë se Ne nuk ua humbim shpërblimin punëmirëve. - Ata kapen fort pas Librit të Zotit, duke e studiuar dhe duke e zbatuar atë. Ata përnxjerrin prej tij mësime të dobishme, që forcojnë lidhjen e tyre me Allahun e Lartësuar dhe mbi të cilat ndërtojnë jetën e tyre. Ata nuk mjaftohen vetëm me nxënien e diturisë së dobishme, por edhe punojnë me të. Ata e konsiderojnë Librin e Zotit si qetësues dhe kënaqësi të shpirtit e të syrit, si rregullues të dynjasë dhe ahiretit të tyre. Pa dyshim ndër urdhëresat më të mëdha, që duhet kryer me sinqeritet për Allahun e Lartësuar, është falja e namazit. Namazi plotësohet me të gjitha fjalët dhe veprat e tij, si nga ana e jashtme, ashtu dhe nga ajo e brendshme shpirtërore. Allahu i Lartësuar e ka përmendur namazin në mënyrë të veçantë, për shkak të rëndësisë së madhe që ai ka mes gjithë detyrimeve të tjera. Namazi konsiderohet si matës i saktë i gradës së besimit. Falja e rregullt e namazit hap rrugën e të gjitha adhurimeve të tjera për njeriun. Veprat e kategorisë së përzgjedhur të adhuruesve janë të gjitha të mira, si për ata vetë, edhe për të tjerët, prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk ua humbim shpërblimin të mirëve.”. Ky ajet dhe shumë të tjerë të ngjashëm tregojnë se Allahu i Lartësuar e dërgoi Profetin (a.s)si rregullues e përmirësues, me shumë mirësi e begati, dhe nuk e dërgoi që të jetë shkatërrues. Në fakt, të gjithë profetët janë dërguar me këtë mision: që të rregullojnë çështjet e dynjasë dhe ahiretit të njerëzve. Kësisoj, njerëzit që më tepër ndreqin punë e janë bamirës duhet të jenë model për të tjerët.

Al-A'raaf 7:170Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.