...për ata që pranojnë të Dërguarin, Profetin arab,... - Allahu i Madhëruar e veçon rëndësinë e besimit te Profeti i Tij i përzgjedhur, duke e dalluar mbi besimin e të gjithë profetëve. Ky profet, i cili nuk dinte të lexonte dhe të shkruante, është Muhamed Ibn Abdilah Ibn Abdul Mutalib a.s. Ajetet kanë objektiv të veçantë bijtë e Izraelit, për t’u bërë të qartë se besimi në profetin Muhamed është kusht i domosdoshëm që ata të konsiderohen si besimtarë të vërtetë. Ata duhet ta besojnë dhe ta pasojnë këtë Profet madhështor, si dhe të jetojnë sipas Shpalljes së tij. Këto ajete tregojnë qartë se besimtarë të vërtetë janë ata të cilët e pasojnë profetin Muhamed dhe pikërisht këta e meritojnë mëshirën e plotë të Allahut të Madhërishëm. Allahu i Lartësuar e ka cilësuar Profetin si ‘umij’, sepse ai ishte pjesë e popullit arab, që konsiderohej si një popull analfabet, që nuk dinin shkrim e lexim dhe nuk kishin dituri rreth librave. Gjithashtu, ata nuk kishin asnjë libër qiellor, përpara Kur’anit, nga ku të merrnin mësim. Dihet botërisht se ata ishin popull që nuk kishin njohuri për librat e Zotit. Ky është Profeti që, sikurse thotë Allahu i Lartësuar:...të cilin e gjejnë të cilësuar në Teurat dhe në Ungjill,... -Ata e gjejnë të përshkruar në Teurat dhe Ungjill me emrin dhe me cilësitë e tij. Një ndër cilësitë më të rëndësishme të profetit Muhamed (a.s) ishte shpallja e Kur'anit, si mesazh për botën mbarë. Profeti ftoi njerëzimin për të pranuar dhe për të jetuar sipas normave të mrekullueshme të shpallura nga Zoti i Urtë e i Gjithëditur....që i urdhëron ata për të mirë dhe i ndalon nga e keqja,... -Ky profet urdhëron në çdo gjë që është e mirë, e dobishme dhe e pastër. Ai i ndalon nga çdo gjë që është e keqe dhe e shëmtuar për logjikën e shëndoshë dhe për natyrën e pastër të njeriut. Ai urdhëron për namaz, për zekat, për agjërim, për haxh, për mbajtjet e lidhjeve farefisnore, për bamirësi ndaj prindërve, për sjellje të mirë ndaj komshiut, madje edhe ndaj shërbëtorëve dhe robërve. Ai urdhëron për të qenë bamirës dhe të dobishëm me të gjitha krijesat. Ai urdhëron për çiltërsi dhe sinqeritet, për ndershmëri e drejtësi dhe për të qenë këshillues të dashur. Nga ana tjetër, ky profet ndalon nga kufri dhe idhujtaria, nga vrasja dhe imoraliteti, nga alkooli dhe çdo gjë që shkatërron logjikën e njeriut, nga çdo lloj padrejtësie ndaj krijesave, nga mashtrimi, gënjeshtrat, nga krimet dhe shfrenimet e nga të gjitha llojet e ligësive. Në fakt, nga argumentet më të forta e më të qarta që dëshmojnë se Muhamedi (a.s) ishte vërtet i dërguari i Allahut të Lartësuar janë pikërisht normat e ligjet që ai vendosi, për t’u treguar njerezve se çfarë është hallall dhe çfarë është haram:...që u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet,... -Ai quan të lejuar çdo gjë që është e këndshme dhe e mirë, qofshin ushqime, pije apo gjëra e çështje të tjera. Gjithashtu, ai bën të ndaluar për njerëzit çdo gjë që është e pisët, e shëmtuar dhe e dëmshme për ta. Allahu i Madhëruar e përshkruan më tej Profetin e Tij, duke thënë:...që u heq barrën e rëndë dhe prangat. -Feja e tij është e thjeshtë, e lehtë dhe e bukur për t’u zbatuar. Ajo nuk të ngarkon me detyrime të rënda dhe …