Muslim99Muslim99
← Tafsir library

4. An-Nisaa

The Women · Medinan · 176 ayahs

سُورَةُ النِّسَاءِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 141–150 of 176

141

ٱلَّذِينَ يَتَرَبَّصُونَ بِكُمْ فَإِن كَانَ لَكُمْ فَتْحٌۭ مِّنَ ٱللَّهِ قَالُوٓا۟ أَلَمْ نَكُن مَّعَكُمْ وَإِن كَانَ لِلْكَٰفِرِينَ نَصِيبٌۭ قَالُوٓا۟ أَلَمْ نَسْتَحْوِذْ عَلَيْكُمْ وَنَمْنَعْكُم مِّنَ ٱلْمُؤْمِنِينَ ۚ فَٱللَّهُ يَحْكُمُ بَيْنَكُمْ يَوْمَ ٱلْقِيَٰمَةِ ۗ وَلَن يَجْعَلَ ٱللَّهُ لِلْكَٰفِرِينَ عَلَى ٱلْمُؤْمِنِينَ سَبِيلًا

ata që përgjojnë se çka do të bëhet me ju. E, nëse ju vie juve fitorja nga Perëndia, ata thonë: “A nuk ishim vallë na me ju?” E, nëse mohuesit arrijnë fitore, hipokritët u thanë mohuesve: “A thua nuk u ndihmuam deri në fitore dhe ju mbrojtëm prej besimtarëve të vërtetë? Perëndia do të gjykojë mes jush në Ditën e Kijametit. Perëndia nuk do t’ju jap kurrë rast mohuesve që t’i shkatërrojnë besimtarët.

Ata(hipokritët)presin se çfarë do të bëhet me ju. -Munafikët shohin me vëmendje ecurinë e ngjarjeve dhe perspektivën që i pret besimtarët, për të përgatitur përgjigjen, si munafikë që janë, për çdo rast, për mirë apo për keq.Nëse, me ndihmën e Allahut, ju ngadhënjeni, ata thonë: “A nuk ishim edhe ne me ju?” -Kur ndihma vjen për besimtarët, atëherë munafikët shfaqen sikur janë me ta, që të ruhen nga qortimet dhe marrja në përgjegjësi, si edhe për të marrë pjesë në plaçkën e luftës. Gjithashtu, ata shtiren si miq, që të përfitojnë nga aleanca me muslimanët nëse kanë nevojë.E nëse jobesimtarët arrijnë ndonjë fitore... -Këtu Allahu i Lartësuar nuk thotë siç tha për besimtarët “ndihmë nga Allahu”, por thotë: “ndonjë fitore”, domethënë fitore të përkohshme. Kjo sepse, edhe nëse Zoti, me urtësinë e Tij, u mundëson qafirëve ndonjë fitore, kjo nuk mund të jetë e vazhdueshme për ta, sikurse ndodh me besimtarët, por e përkohshme dhe e paqëndrueshme. Kur ndodh kjo, munafikët u thonë qafirëve:...hipokritët u thonë atyre: “A nuk ju ndihmuam në fitoren tuaj dhe a nuk ju mbrojtëm prej besimtarëve?” -Pra, a nuk ju kemi mbështetur dhe ndihmuar me të gjitha mënyrat e mundshme kundër besimtarëve, duke ndërmjetësuar tek ata për ju, madje edhe duke i penguar ata që t’ju luftojnë.Por Allahu do t’ju gjykojë në Ditën e Gjykimit. -Ai do t’i shpërblejë besimtarët me Xhenet, ndërsa munafikët, qafirët dhe idhujtarët do t’i ndëshkojë me Xhehenem.Allahu nuk do t’u japë kurrë jobesimtarëve epërsi të plotë mbi besimtarët. -Ata kurrë nuk mund t’i nënshtrojnë besimtarët tërësisht dhe përfundimisht. Gjithmonë do të jetë një grup besimtarësh që do të shfaqin të vërtetën dhe të cilët do të jenë të ndihmuar nga Allahu i Lartësuar. Ata nuk mund të dëmtohen as nga munafikët e pabesë dhe as nga ata që e kundërshtojnë rrugën e tyre. Allahu i Madhërishëm gjithmonë hap mundësi të reja për të ndihmuar besimtarët dhe për të poshtëruar qafirët. Madje, ka shumë besimtarë në shtete qafirësh, që jetojnë me krenari dhe aspak të poshtëruar. Kjo është një mirësi dhe përkujdesje e madhe nga i Gjithmëshirshmi për robërit e Tij të bindur. Falënderimi i qoftë Allahut të Lartësuar për të gjitha mirësitë e Tij!

An-Nisaa 4:141Listen in Qur'an →
142

إِنَّ ٱلْمُنَٰفِقِينَ يُخَٰدِعُونَ ٱللَّهَ وَهُوَ خَٰدِعُهُمْ وَإِذَا قَامُوٓا۟ إِلَى ٱلصَّلَوٰةِ قَامُوا۟ كُسَالَىٰ يُرَآءُونَ ٱلنَّاسَ وَلَا يَذْكُرُونَ ٱللَّهَ إِلَّا قَلِيلًۭا

Me të vërtetë, hipokritët përpiqen ta mashtrojnë Perëndinë, por ai i mashtron ata (i dënon). Kur ata ngritën për namaz, ngriten pritueshëm, duke u paraqitur karshi botës (që janë besimtarë), e Perëndinë e përmendin pak herë.

Hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i bën ata të mashtrohen. -Allahu i Lartësuar na flet rreth munafikëve dhe cilësive të tyre të ndyra. Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, duke u hequr si muslimanë dhe duke fshehur kufrin e tyre. Ata mendojnë se kështu do të shpëtojnë nga Allahu i Madhërishëm. Por është Allahu i Lartësuar Ai që i lë ata të mashtrojnë vetveten dhe të mos e kuptojnë këtë gjë. Që në momentin kur ata synojnë të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, ata, në të vërtetë, janë duke mashtruar vetveten. E ku ka njeri më të mashtruar se ai që dëmton vetveten, që e poshtëron dhe e privon atë nga mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit?! Madje, kjo tregon edhe për mangësi në mendjen e tij. Ai jo vetëm që kryen një poshtërsi të madhe, por e sheh atë si të mirë dhe pandeh se tregohet i zgjuar. Subhanallah, çfarë bën injoranca me ata që i ka vënë poshtë vetes! Kështu i zhgënjen ata i Madhërishmi në këtë dynja, ndërsa në Ditën e Gjykimit, zhgënjimi që ata do të përjetojnë do të jetë shumë herë më i dhimbshëm: “Atë Ditë do t'i shihni besimtarët dhe besimtaret tek u ndriçon drita përpara dhe në të djathtë të tyre. (Atyre do t'u thuhet:) “Përgëzim për ju sot janë kopshtet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jeni përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.” Atë Ditë munafikët dhe munafiket do t'u thonë besimtarëve: “Na prisni pak, që edhe të ndriçohemi prej dritës suaj!” Atyre do t'u thuhet: “Kthehuni pas (në dynja) dhe kërkoni atje ndonjë dritë!” Atëherë, ndërmjet tyre vendoset një mur, që ka një derë. Nga brenda tij është mëshira, ndërsa nga jashtë tij është dënimi. Ata (munafikët) u thërrasin (besimtarëve): “A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!?” - “Po, por ju e shkatërruat veten, sepse ju prisnit kob të zi për besimtarët, dyshonit në çështjet e fesë dhe ju mashtroi jeta e dynjasë, derisa ju erdhi kaderi i Zotit. Gënjeshtari ju mashtroi rreth Allahut. Sot prej jush (o munafikë)nuk pranohet asnjë lloj kompensimi dhe as prej jobesimtarëve. Zjarri është vendi juaj, sepse atë meritoni. Sa përfundim i keq është ai!” [El hadid 12 – 15]. Disa nga cilësitë e tyre që përmend Allahu i Lartësuar janë:Ata, kur ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë,... -Pra, edhe në kryerjen e namazit, që është adhurimi më i rëndësishëm, ata shfaqin dembelizëm dhe plogështi. Kjo ndodh veçse për shkak të mungesës së dëshirës së tyre për të kryer këtë adhurim. Zemrat e tyre janë të zbrazëta nga imani dhe shpresa për shpërblimin e Allahut të Madhërishëm, madje edhe kur bëhet fjalë për një adhurim kaq të rëndësishëm dhe të shpërblyeshëm, siç është falja e namazit. Nëse në zemrat e tyre do të kishte iman dhe shpresë për shpërblimin e Zotit, ata nuk do të shfaqnin kurrë përtaci....vetëm sa për t’u dukur para botës... -Vetëm syfaqësia i shtyn që të bëjnë ndonjë vepër që duket. Ata duan që të shihen dhe të lëvdohen nga njerëzit për punët që kryejnë. Pra, qëllimi i tyre nuk është që të kënaqin Allahun e Lartësuar....ndërsa Allahun e përmendin fare pak. -Zemrat e tyre janë të mbushura me hipokrizi, prandaj nuk kanë vend për dashurinë dhe madhërimin e Allahut të Lartësuar. Përmendja e Allahut të Lartësuar në mënyrë të vazhdueshme mund të bëhet …

An-Nisaa 4:142Listen in Qur'an →
143

مُّذَبْذَبِينَ بَيْنَ ذَٰلِكَ لَآ إِلَىٰ هَٰٓؤُلَآءِ وَلَآ إِلَىٰ هَٰٓؤُلَآءِ ۚ وَمَن يُضْلِلِ ٱللَّهُ فَلَن تَجِدَ لَهُۥ سَبِيلًۭا

Luhaten në mes dilemës – as nuk janë me këta (muslimanët), as me ata (mohuesit). Cilitdo që Perëndia ia humbë udhën, ti (o Muhammed!) nuk do të mundesh t’u gjesh rrugë atyre.

Ata luhaten në mëdyshje: nuk janë as me këta, as me ata... -Ata luhaten sa nga ana e besimtarëve, sa nga ana e qafirëve. Me shpirt e trup njëkohësiht, ata nuk janë as me qafirët, as me besimtarët. Ata janë me trup dhe nga ana e dukshme me besimtarët, por nga ana e brendshme shpirtërore janë me qafirët. Ky është devijimi më i madh, prandaj i Lartësuari thotë:Për ata që Allahu i shpie në humbje, ti nuk do të mund të gjesh(rrugë për)shpëtim. -Pra, nuk do të gjesh asnjë mundësi për ta udhëzuar në rrugën e drejtë dhe për ta shpëtuar nga humbja, sepse për të është mbyllur porta e mëshirës dhe është hapur dera e ndëshkimit. Rrjedhimisht, kuptohet se besimtarët nuk i kanë këto cilësi të ulëta, por kanë të kundërtat e tyre. Ata i karakterizon vërtetësia në fjalë dhe në punë. Ata, gjithashtu, janë plot energji dhe aktivë në kryerjen e adhurimeve, sidomos të namazit. Ata e kujtojnë shumë Allahun e Madhërishëm. Ata janë të udhëzuar nga Allahu i Lartësuar në rrugën e drejtë dhe të vazhdueshëm në të. Le të krahasojë secili veten e vet me të dyja këto grupe dhe le të gjykojë se cilëve iu përket. Allahu është i vetmi Ndihmëtar dhe Udhëzues!

An-Nisaa 4:143Listen in Qur'an →
144

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ لَا تَتَّخِذُوا۟ ٱلْكَٰفِرِينَ أَوْلِيَآءَ مِن دُونِ ٱلْمُؤْمِنِينَ ۚ أَتُرِيدُونَ أَن تَجْعَلُوا۟ لِلَّهِ عَلَيْكُمْ سُلْطَٰنًۭا مُّبِينًا

O besimtarë! Mos merrni mohuesit për miq në vend të besimtarëve! A mos vallë doni t’i afroni Perëndisë dëshmi konkrete, kundër jush?

O ju që keni besuar! Mos i merrni për miq jobesimtarët, në vend të besimtarëve! -Allahu i Lartësuar pasi tregoi që munafikët miqësojnë qafirët dhe lënë anash besimtarët, tani i urdhëron adhuruesit e Tij besimtarë që të largohen nga ky veprim i shëmtuar. Ai i ndalon besimtarët që t’u përngjajnë munafikëve në veprat dhe fjalët e tyre:A mos, vallë, doni t’i sillni Allahut dëshmi të qartë kundër vetvetes?! -Kjo vepër e shëmtuar është provë e qartë dhe mëse e mjaftueshme që Allahu i Madhërishëm t’ju ndëshkojë. Ai na paralajmëron dhe na tregon pasojat e këtij veprimi, prandaj, nëse ne përsëri e bëjmë këtë gabim, kjo është provë e qartë dhe e mjaftueshme për t’u ndëshkuar. Ky ajet është tregues i drejtësisë së plotë të Alahut të Madhërishëm. Ai nuk ndëshkon asnjë para se t’ia sqarojë argumentet. Ky ajet është, gjithashtu, një paralajmërim për t’u larguar nga haramet. Kush i vepron ato, e ka bërë hak ndëshkimin e Allahut të Lartësuar.

An-Nisaa 4:144Listen in Qur'an →
145

إِنَّ ٱلْمُنَٰفِقِينَ فِى ٱلدَّرْكِ ٱلْأَسْفَلِ مِنَ ٱلنَّارِ وَلَن تَجِدَ لَهُمْ نَصِيرًا

Padyshim, hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të xhehennemit, dhe ti (o Muhammed!) kurrsesi nuk do t’ju gjesh ndihmëtarë atyre,

Hipokritët do të jenë në shtresën më të ulët të Zjarrit dhe për ta kurrë nuk do të gjesh mbrojtës. -Allahu i Madhërishëm na tregon se si munafikët do të jenë në nivelin më të thellë të Zjarrit, ku do të përjetojnë ndëshkimin dhe dhimbjet më poshtëruese. Munafikët do të jenë edhe më thellë se qafirët, sepse ata jo vetëm që kanë mohuar Zotin dhe janë bërë armiq me Profetin dhe me besimtarët, por ata shtiren si muslimanë dhe fusin konflikte në radhët e besimtarëve. Ata janë më të rrezikshëm për besimtarët edhe se vetë qafirët, sepse qëndrojnë mes radhëve të tyre dhe i kanë më të shumta mundësitë për t’i dëmtuar ata, pa u dalluar dhe kuptuar. Madje, ata trajtohen si muslimanë në mesin e muslimanëve dhe përfitojnë gjithçka që përfitojnë muslimanët, pa e merituar. Për këto arsye dhe të tjera, ata meritojnë ndëshkimin më të rreptë dhe poshtërues. Askush nuk mund t’i shpëtojë ata nga ky përfundim i tmerrshëm dhe i përjetshëm. Ky është një paralajmërim për çdo munafik, përveç atyre që Allahu Bujar dhe i Gjithëmëshirshëm u mundëson, me mëshirën e Tij, që të pendohen dhe të kthehen në rrugën e drejtë. Ai thotë:

An-Nisaa 4:145Listen in Qur'an →
146

إِلَّا ٱلَّذِينَ تَابُوا۟ وَأَصْلَحُوا۟ وَٱعْتَصَمُوا۟ بِٱللَّهِ وَأَخْلَصُوا۟ دِينَهُمْ لِلَّهِ فَأُو۟لَٰٓئِكَ مَعَ ٱلْمُؤْمِنِينَ ۖ وَسَوْفَ يُؤْتِ ٱللَّهُ ٱلْمُؤْمِنِينَ أَجْرًا عَظِيمًۭا

përpos atyre që janë penduar, përmirësuar dhe mbështetur te Perëndia dhe që besimin e tyre ndaj Perëndisë e shfaqin haptas. Këta do të jenë me besimtarët e vërtetë. Me të vërtetë, Perëndia, do t’u japë shpërblim të madhe besimtarëve.

Përveç atyre që u penduan, u përmirësuan, iu mbështetën Allahut dhe fenë e tyre e zbatuan sinqerisht vetëm për Allahun... -Pra, përveç atyre të cilët pendohen sinqerisht dhe angazhohen seriozisht për të bërë disa gjëra të rëndësishme. Kështu, së pari, ata duhet të përpiqen sinqerisht për t’u korrigjuar në të gjitha drejtimet. Ata duhet të rregullojnë sjelljen e tyre të jashtme, por edhe besimin e brendshëm, duke treguar sinqeritet në marrëdhëniet me Zotin dhe me besimtarët. Së dyti, ata duhet të tregohen të vendosur për t’iu përmbajtur porosive të Allahut dhe Profetit. Ata duhet të kapen fort pas litarit të Allahut, duke kërkuar të mirat dhe shpëtimin nga e keqja vetëm prej Tij. Së treti, ata duhet t’ia përkushtojnë të gjitha adhurimet e tyre vetëm Allahut të Lartësuar, duke u përpjekur të kompletojnë veten me të gjitha nivelet e besimit: islamin, imanin dhe ihsanin.Me fjalë të tjera, ata duhet të japin maksimumin e tyre që çdo vepër të mirë të jashtme dhe të brendshme t’ia përkushtojnë vetëm Allahut të Madhërishëm, duke u pastruar nga syfaqësia dhe hipokrizia. Kështu, ata që vishen me këto cilësi:Këta do të jenë bashkë me besimtarët. Allahu ka për t’iu dhënë besimtarëve shpërblim të madh. -Pra, këta do të trajtohen njëlloj si besimtarët, në dynja, në jetën e varrit dhe në Ditën e Gjykimit. Allahu i Gjithëmëshirshëm do t’u dhurojë atyre shpërblim shumë të madh, të cilin askush tjetër nuk mund ta përkufizojë dhe dijë, veçse Atij që ua jep. Atje do të kenë gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe mendja nuk ka arritur t’i mendojë. Vini re! Allahu i Madhërishëm ka vënë si kushte për faljen e munafikëve vendosmërinë për t’iu përmbajtur mësimeve të Tij, mbështetjen tërësisht tek Ai për çdo çështje dhe kryerjen e të gjitha adhurimeve vetëm për Allahun e Madhëruar, edhe pse këto bëjnë pjesë në pikën e parë, pra, në urdhrin për t’u rregulluar dhe përmirësuar në të gjitha drejtimet. Kështu kuptojmë se sa të nevojshme janë këto porosi, kur duam të pastrohemi nga nifak-u ose hipokrizia. Ato zemra ku ka depërtuar dhe ka zënë rrënjë hipokrizia kërkojnë doza të mëdha nga ky “ilaç”: përkushtim i madh ndaj Allahut dhe mbështetje e plotë tek Ai, zbatim rigoroz i udhëzimeve të Tij, vazhdimësi dhe këmbëngulje në adhurimin e Tij, duke treguar përunjësi dhe nevojë për mëshirën e Tij, për të shpëtuar nga kjo sëmundje shkatërruese. Sinqeriteti dhe përkushtimi ndaj porosive të Zotit, pastrojnë zemrën nga nifak-u nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, i bëjnë punët e kryera të pranueshme te Zoti. Kjo është arsyeja që këto dy porosi janë theksuar më tepër. Shihni edhe diçka! Nëse ata i kryejnë këto porosi, atëherë nuk thuhet që: “Allahu ka për t’iu dhënë shpërblim të madh atyre që u penduan nga nifak-u, por thuhet: “Allahu ka për t’iu dhënë shpërblim të madh besimtarëve.”. Këtu kemi të bëjmë me një stil mahnitës, të cilin Allahu i Urtë e përsërit disa herë në Kur’ân. Nëse Allahu i Lartësuar premton që do të japë shpërblim ose ndëshkim për një kategori të veçantë, që është pjesë e një kategorie më të përgjithshme, atëherë Ai e lidh ngushtë shpërblimin ose ndëshkimin me cilësinë e përbashkët të kategorisë së përgjithshme, në të cilën bën pjesë edhe kategoria …

An-Nisaa 4:146Listen in Qur'an →
147

مَّا يَفْعَلُ ٱللَّهُ بِعَذَابِكُمْ إِن شَكَرْتُمْ وَءَامَنتُمْ ۚ وَكَانَ ٱللَّهُ شَاكِرًا عَلِيمًۭا

Përse t’ju ndëshkojë Perëndia, - nëse jeni falenderues dhe besimtarë? E, Perëndia, është falenderues (duke dhënë shpërblim) dhe i Gjithëdijshëm.

Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju jeni mirënjohës dhe besoni (në Të)?! Allahu është Mirënjohës dhe i Gjithëditur. -Pra, si t’ju ndëshkojë Allahu, kur dihet se Ai është i Gjithëditur dhe Mirënjohës, qoftë edhe për veprat tuaja më të vogla? Me bujarinë e Tij, Ai shpërblen shumë edhe për punët më të pakëta. Atyre që tregohen durimtarë në adhurim, Ai u premton begati e mirësi. Atyre që tregohen durimtarë në lënien e të këqijave, Ai u premton se do t’ua zëvendësojë me gjëra më të mira se ato që kanë lënë për hir të Tij. Mos harroni për asnjë çast që Ai është i Gjithëditur për gjithçka që ju bëni, vepra të dukshme e të fshehta, të sinqerta dhe jo të tilla. Ai dëshiron prej jush që gjithmonë të pendoheni dhe të ktheheni tek Ai të përulur dhe të bindur. Nëse ju veproni kështu, atëherë pse mendoni se Zoti do t’ju ndëshkojë? Ai nuk ka nevojë dhe as qëllim që t’ju ndëshkojë. Ai as nuk përfiton gjë nga kjo. Të pabindurit dëmtojnë veç vetveten, ashtu sikurse edhe të bindurit punojnë veç për veten e vet. Mirënjohja është: përulësia e zemrës kur kujton mirësitë e Zotit, lavdërimi i Tij me fjalë, veprimi në bindje ndaj Tij dhe mosshfrytëzimi i mirësive për gjynahe.

An-Nisaa 4:147Listen in Qur'an →
148

۞ لَّا يُحِبُّ ٱللَّهُ ٱلْجَهْرَ بِٱلسُّوٓءِ مِنَ ٱلْقَوْلِ إِلَّا مَن ظُلِمَ ۚ وَكَانَ ٱللَّهُ سَمِيعًا عَلِيمًا

Perëndia nuk don që të flitet sheshazi e keqja (nga askush), përveç nga të dëmtuarit. Se Perëndia çdo gjë dëgjon dhe çdo gjë dinë.

Allahu nuk e do thënien hapur të shprehjeve të këqija,... -Allahu i Lartësuar na tregon se Ai nuk i do fjalët e këqija, kur thuhen hapur. Ai i urren dhe ndëshkon për to. Këtu përfshihen të gjitha llojet e fjalëve të këqija, të cilat njerëzit i njohin si të tilla. Fjalë të këqija janë ato që të bëjnë të ndihesh keq, të shqetësojnë, të mërzisin dhe trishtojnë, si sharjet, shpifjet, gënjeshtrat etj. Të gjitha këto janë të ndaluara dhe të urryera nga Allahu i Lartësuar. Kuptimi i ajetit tregon, gjithashtu, se fjalët e mira janë të dashura për Allahun dhe të shpërblyeshme prej Tij. Të tilla janë, për shembull: dhikri, fjalët e ngrohta dhe të buta etj. Pastaj i Lartësuari thotë:...përveçse nga ata që u është bërë padrejtësi. -Pra, të dëmtuarve u lejohet që të luten dhe të ankohen kundër atyre që i kanë bërë padrejtësi. U lejohet edhe që të shajnë dhe të flasin keq kundër atyre që i kanë sharë e ofenduar, por pa thënë gënjeshtra e shpifje. Gjithashtu, ata nuk duhet ta teprojnë e të fyejnë edhe të tjerët që nuk janë të përzier. Megjithatë, fakti që ky veprim është i lejuar nuk do të thotë që është zgjedhja më e mirë. Sigurisht, falja dhe toleranca është rruga më e mirë, sikurse thotë i Lartësuari: “Ai që fal dhe përmirëson e ka shpërblimin tek Allahu.”.Allahu Dëgjon dhe Di gjithçka. -Pasi ajeti na mësoi rreth fjalëve të lejuara, fjalëve të këqija dhe fjalëve të mira, Allahu i Lartësuar na kujton një fakt shumë të rëndësishëm, që të shërbejë si këshillë për fjalët që themi dhe veprimet që kryejmë. Kështu, Ai është El Semiu - Dëgjuesi. Ai dëgjon të gjitha fjalët që ne themi, prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm, në mënyrë që të mos nxjerrim nga goja fjalë me të cilat zemërohet Allahu, sepse Ai do t’i ndëshkojë njerëzit për to. I parë ndryshe, ajeti nxit për të thënë fjalë të mira dhe të dobishme. Allahu është gjithashtu El Alim - i Gjithëditur. Ai i njeh mirë qëllimet që fshihen brenda shpirtit tonë dhe shkakun e fjalëve tona. Pastaj i Lartësuari thotë:

An-Nisaa 4:148Listen in Qur'an →
149

إِن تُبْدُوا۟ خَيْرًا أَوْ تُخْفُوهُ أَوْ تَعْفُوا۟ عَن سُوٓءٍۢ فَإِنَّ ٱللَّهَ كَانَ عَفُوًّۭا قَدِيرًا

Në qoftë se ju bëni ndonjë vepër të mirë haptazi ose fshehurazi, ose falni ndonjë vepër të keqe, (Perëndia edhe juve ua falë). Se, Perëndia është falës imadh dhe i Plotëfuqishëm.

Nëse ju bëni ndonjë punë të mirë haptazi ose fshehtazi -Këtu bëhet fjalë për çdo lloj të mire, me fjalë a me vepra, punë të shfaquara a të fshehta, punë të detyrueshme a të pëlqyeshme....ose falni dikë për ndonjë vepër të keqe... -Pra, tregohuni falës dhe tolerantë ndaj atyre që ju kanë dëmtuar në trup, në pasuri, në nder apo në dinjitetin tuaj, sepse shpërblimi do të jepet sipas veprave që ju bëni. Kush tregohet falës dhe tolerant, ta dijë se edhe Allahu i Madhërishëm do të tregohet Falës dhe Mëshirues ndaj tij. Kush tregohet bamirës, ta dijë se Allahu do të jetë Bamirës me të.Allahu është Falës i madh e i Plotfuqishëm. -Allahu i fal gabimet dhe gjynahet e mëdha të robërve të Tij. Ai ua mbulon mangësitë dhe i trajton me faljen dhe mëshirën e Tij të madhe, që burojnë nga pushteti i Tij absolut. Ky ajet është nxitje për t’u thelluar në kuptimin e emrave dhe cilësive të Allahut të Madhërishëm. Krijimi dhe pushteti janë vetëm në dorën e Tij, dhe kjo tregohet nga emrat dhe cilësitë e Tij. Atëherë, përse duhet të jemi falës dhe tolerantë ndaj të tjerëve? Sepse Allahu i Madhërishëm është Falës i madh dhe i Plotpushtetshëm, i Cili i shpërblen ata që falin të tjerët me të njëjtën mënyrë. Ky shpërblim nuk është përmendur konkretisht, por është nënkuptuar duke përmendur emrat dhe cilësitë e Tij të mësipërme. Për ata që mendojnë, kaq mjafton si nxitje për të bërë punë të mira.

An-Nisaa 4:149Listen in Qur'an →
150

إِنَّ ٱلَّذِينَ يَكْفُرُونَ بِٱللَّهِ وَرُسُلِهِۦ وَيُرِيدُونَ أَن يُفَرِّقُوا۟ بَيْنَ ٱللَّهِ وَرُسُلِهِۦ وَيَقُولُونَ نُؤْمِنُ بِبَعْضٍۢ وَنَكْفُرُ بِبَعْضٍۢ وَيُرِيدُونَ أَن يَتَّخِذُوا۟ بَيْنَ ذَٰلِكَ سَبِيلًا

Me të vërtetë, ata që mohojnë Perëndinë dhe pejgamberët e Tij (në besim) dhe të cilët thonë: “Na diçka besojmë, e diçka nuk besojmë” dhe dëshirojnë që në mes të kësaj të zgjedhin një rrugë – (ndëmjet besimit e mohimit),

Ata që e mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe dëshirojnë të ndajnë(besimin në)Allahun nga(besimi në) profetët e Tij, duke thënë “Disa i besojmë e disa nuk i besojmë” dhe duan të zgjedhin një rrugë të ndërmjetme,... -Këtu janë përmendur dy grupe, me cilësi të qarta për këdo. Njëri grup beson në Allahun, në të gjithë profetët dhe librat e Tij, ndërsa grupi tjetër mohon gjithçka nga këto. Megjithatë, mbetet edhe një grup i tretë, i cili pretendon se u beson disa profetëve, por mohon disa të tjerë, duke pretenduar se në këtë mënyrë do të shpëtojnë nga ndëshkimi i Zotit. Por kjo është thjesht ëndërr me sy hapur nga ana e tyre. Ata dëshirojnë të ndajnë besimin në Allahun nga besimi në profetët e Tij. Në të vërtetë, ai që e do Allahun e Madhërishëm duhet të dojë të gjithë profetët e Tij. Dashuria për të gjithë profetët e Zotit është plotësuese dhe shenjë treguese e dashurisë për Zotin. Armiqësia qoftë edhe ndaj njërit prej profetëve të Tij, konsiderohet si armiqësi ndaj Allahut dhe ndaj të gjithë profetëve të Tij, sikurse thotë i Madhëruari: “Kush është armik i Allahut, i melekëve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe i Mikailit, ta dijë se Allahu është armik i jobesimtarëve.” [Bekare 98]. Kështu, çdokush që mohon një profet, ka mohuar të gjithë profetët, madje edhe Profetin të cilin pretendon se e beson. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë:

An-Nisaa 4:150Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.