Muslim99Muslim99
← Tafsir library

3. Aal-i-Imraan

The Family of Imraan · Medinan · 200 ayahs

سُورَةُ آلِ عِمۡرَانَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 1–10 of 200

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

1

الٓمٓ

Elif Lám Mim.

Gati 80 ajetet e para të kësaj sureje trajtojnë mënyrën e polemikës me të krishterët, duke hedhur poshtë pretendimet dhe tezat e tyre të pabaza për fenë e Zotit. Ata ftohen, gjithashtu, për të pasuar fenë Islame. Në fillim të kësaj sureje flitet rreth të krishterëve, ashtu si fillim të sures Bekare flitej rreth çifutëve.

Aal-i-Imraan 3:1Listen in Qur'an →
2

ٱللَّهُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلْحَىُّ ٱلْقَيُّومُ

Perëndia është (një), s’ka zot tjetër përveç Tij, (i Cili) jeton përgjithmonë dhe zotëron (mbi të gjitha krijesat).

Allahu është Një! Nuk ka të adhuruar tjetër(me meritë)përveç Tij. Ai është(El Hajju)i Gjallë dhe(El Kajûm)i Përjetshëm. -Allahu i Lartësuar e fillon këtë sure duke përmendur njëshmërinë e Tij në meritën për adhurim, ose me teuhidin uluhije. Allahu është Zoti. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Tij. Adhurimi dhe nënshtrimi nuk lejohet të bëhen për asnjë tjetër veç Tij. Çdo i adhuruar tjetër, veç Tij, është i kotë, i padobishëm, i pavlefshëm. I Adhuruari i vërtetë është Allahu, sepse Ai i ka cilësitë që duhet të ketë një i adhuruar. Dy cilësitë kryesore të Tij si Zot janë ato që tregojnë dy emrat e përmendur në këtë ajet: Hajju dhe Kajjûm. El Hajju quhet ai që gëzon jetën e plotë nga çdo aspekt, pa asnjë mangësi. Nëse Allahu ka këtë emër dhe cilësi, atëherë patjetër që duhet të ketë edhe cilësi të tjera absolute të Qenies së Tij, sikurse janë: të dëgjuarit, të shikuarit, dituria, pushteti, fuqia etj., sepse ndryshe Ai nuk do ta meritonte të quhej El Hajju, me kuptimin e plotë të kësaj fjale. Emri i Allahut El Kajjum tregon se Ai nuk ka nevojë për asgjë dhe për asnjë përkujdesje, ndërkohë që gjithçka tjetër ka nevojë për përkujdesjen e Tij. Ai ekziston pa pasur nevojën dhe ndihmën e asgjëje. Ai është i pavarur nga gjithçka, ndërsa të gjitha krijesat janë të varura prej Tij, sepse Ai i krijon, i furnizon dhe u mundëson vazhdimësinë e ekzistencës. Ai i udhëzon robërit e Vet drejt çdo të mire që rregullon jo vetëm trupin, por edhe zemrën dhe shpirtin e tyre. Shenjë e përkujdesjes së Tij për krijesat, madje treguesi më i madh i mëshirës së Tij ndaj tyre, është shpallja e Kur’ânit dhe dërgimi i Profetit (a.s).

Aal-i-Imraan 3:2Listen in Qur'an →
3

نَزَّلَ عَلَيْكَ ٱلْكِتَٰبَ بِٱلْحَقِّ مُصَدِّقًۭا لِّمَا بَيْنَ يَدَيْهِ وَأَنزَلَ ٱلتَّوْرَىٰةَ وَٱلْإِنجِيلَ

Ai ta ka shpallur Librin ty, të vërtetën e saktë duke vërtetuar ato të mëparshmet. Ai e ka zbritur Teuratin dhe Ungjillin. –

Është Ai që ta zbriti ty (Muhamed) Librin me të vërtetën, -Ky është libri më i madh dhe më i rëndësishëm që është shpallur. Ai përmban dhe qartëson të vërtetën e sigurt. Të vërteta janë të gjitha kumtet që ky libër sjell për njerëzit. Të drejta janë ligjet dhe dispozitat e ligjëruara nëpërmjet tij. Kumtet, urdhrat, ndalesat dhe kufijtë e sqaruar në të janë të vërtetë, të garantuar prej Zotit të botëve. Këtë të vërtetë të sigurt Allahu i Lartësuar e ka shpallur me një qëllim madhështor: që krijesat të adhurojnë Zotin e gjithësisë dhe të studiojnë e jetojnë sipas udhëzimeve të sjella në librin e Tij të qartë....si vërtetues të librave të mëparshëm. -Kur’âni është vërtetues i librave hyjnorë të mëparshëm, pra, që u shpallën para tij. Ai shërben si i vetmi matës për të dalluar vërtetësinë e lëndës që ndodhet në librat hyjnorë të mëparshëm që kanë arritur në duart e njerëzve. Të vërteta në librat e mëparshëm, ose ajo çka mbetur prej tyre, janë vetëm ato që Kur’âni i dëshmon dhe i konsideron si të tilla. Çdo gjë që ky libër e refuzon, konsiderohet e papranueshme. Ai është në përputhje të plotë me linjën e drejtë e të pandryshueshme të të gjithë profetëve. Të gjithë librat hyjnorë kanë dëshmuar për vërtetësinë dhe sinqeritetin e këtij Profeti, sepse bazat e rrugës së tyre janë të njëjta. Ithtarët e Librit, nga ana tjetër, nuk kanë asnjë mundësi për të vërtetuar saktësinë e librave të tyre, përveçse nëpërmjet profetit Muhamed (a.s.). Vetëm nëse besojnë këtë profet dhe shpalljen që i është dhuruar atij nga Zoti i gjithësisë, ata mund të vërtetojnë saktësinë e librave të tyre dhe mund të konsiderohen se, vërtet i besojnë ato. Nëse e mohojnë Profetin dhe Shpalljen që atij i është dhënë, ata kanë dëshmuar, me ose pa dashje, mohimin e librave të cilat ende kanë mbetur në duart e tyre.

Aal-i-Imraan 3:3Listen in Qur'an →
4

مِن قَبْلُ هُدًۭى لِّلنَّاسِ وَأَنزَلَ ٱلْفُرْقَانَ ۗ إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ بِـَٔايَٰتِ ٱللَّهِ لَهُمْ عَذَابٌۭ شَدِيدٌۭ ۗ وَٱللَّهُ عَزِيزٌۭ ذُو ٱنتِقَامٍ

më parë udhërrëfyes për njerëzit, dhe ka zbritur Furkanin, që dallon të vërtetën nga e pavërteta. Ata që nuk besojnë versetet e Perëndisë, i pret dënimi i ashpër, se Perëndia është dënues i Plotëfuqishëm.

Ai e zbriti më parë Teuratin dhe Ungjillin, si udhëzim për njerëzit -Para shpalljes së Kur’ânit, Allahu i Lartësuar i shpalli Teuratin Musait dhe Ungjillin Isait (a.s.). Këto shpallje Ai i solli si udhëzim për njerëzit dhe u sqaroi atyre udhëzimin nga devijimi. Kush e pranon udhëzimin e Allahut, do të gjejë rrugën e drejtë, dhe kush e shpërfill atë, do të mbesë në errësirat e humbjes.dhe shpalli Dalluesin(e të vërtetës nga e kota). -Allahu i bëri librat e Tij si dallues të së vërtetës, duke sjellë në to fakte të sigurta, që tregojnë qëllimin e Tij me njerëzimin. Nëpërmjet shpalljeve të Tij, Allahu ka qartësuar për njerëzit gjithçka për të cilën ata kanë nevojë. Tashmë njerëzit janë të qartë për të gjitha dispozitat dhe ligjet që Zoti ka përcaktuar për ta. Edhe ligjet e Zotit janë tanimë shumë të qarta dhe shumë të thjeshta për t’u kuptuar, saqë askush nuk mund të ketë më justifikim përpara Tij, askush nuk mund të justifikojë mosbesimin dhe mosbindjen ndaj Zotit të gjithësisë. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë më tej:Ata që mohojnë argumentet e Allahut, i pret ndëshkimi i rreptë. -Ata që i mohojnë shpalljet e Zotit, pasi u janë sqaruar plotësisht, ata i pret një dënim shumë i rëndë, të cilin nuk mund ta përfytyrojë apo ta përshkruajë askush, veç Atij që e ka krijuar.Allahut është Ngadhënjimtar e Shpagimtar. -Allahu është Ngadhënjimtar. Askush nuk mund t’i shpëtojë llogarisë dhe gjykimit të Tij të drejtë. Ai është gjithashtu Shpagimtar i atyre që tregohen të pabindur e mospërfillës ndaj udhëzimit të Tij.

Aal-i-Imraan 3:4Listen in Qur'an →
5

إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَخْفَىٰ عَلَيْهِ شَىْءٌۭ فِى ٱلْأَرْضِ وَلَا فِى ٱلسَّمَآءِ

Pa dyshim, Perëndisë nuk i mbetet asgjë sekrete, as në Tokë as në qiell!

S’ka dyshim se Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë në Tokë dhe as në qiell. -Kjo tregon se Allahu i Lartësuar ka përfshirë me dijen e Tij absolute gjithçka që ekziston dhe që mund të dihet. Ai njeh atë që duket dhe atë që nuk duket, të shfaqurën dhe të fshehtën. Zoti di edhe për embrionin në barkun e nënës. Ai shikon atë që shikimi i krijesave nuk mund ta arrijë. Ai di atë që krijesat kurrë nuk mund ta dinë. Ai përkujdeset për ta në mënyrën më të mirë. Ai i krijon dhe përcakton për ta çdo gjë që e kanë të nevojshme.

Aal-i-Imraan 3:5Listen in Qur'an →
6

هُوَ ٱلَّذِى يُصَوِّرُكُمْ فِى ٱلْأَرْحَامِ كَيْفَ يَشَآءُ ۚ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلْعَزِيزُ ٱلْحَكِيمُ

Ai ju formon juve në mitër ashtu si don Ai; s’ka zot tjetër përveç Tij, të Plotëfuqishëm dhe të Gjithëdijshëm!

Është Ai që ju krijon ju në mitër, ashtu si dëshiron. –Ai, me urtësinë e Tij, përcakton që këto krijesa të ekzistojnë ashtu sikurse e do Ai. Për dikë përcakton që të dalë i plotë, për dikë tjetër cakton që të jetë i mangët, dikë e bën të bukur, e dikë tjetër të shëmtuar, dikë e përcakton të jetë mashkull, e dikë tjetër femër.Nuk ka të adhuruar me meritë përveç Tij. Ai është Ngadhënjimtar dhe i Urtë. -Këtu pohohet përsëri se adhurimin e meriton vetëm Allahu. Në këto ajete, nga njëra anë, kundërshtohen të krishterët, të cilët pretendojnë se Isai (Jezusi) është Zot dhe se ai e meriton të adhurohet, e nga ana tjetër, tregohet se Allahu i Lartësuar është i plotë dhe absolut si Hajjun dhe Kajjum, sikurse e përmendëm, që do të thotë se Allahu i Lartësuar është i plotë e absolut në të gjitha cilësitë e Tij. Ajetet tregojnë se Allahu i Lartësuar ka bërë gjithmonë ligje dhe dispozita, të cilat udhëzojnë njerëzimin drejt lumturisë në të dyja jetët. Megjithatë, njerëzit gjithmonë janë ndarë në dy grupe: të udhëzuar dhe të humbur, e këtu deklarohet ndëshkimi i atyre që nuk e pranojnë dhe e shpërfillin udhëzimin. Ajetet tregojnë, gjithashtu, dijen gjithëpërfshirëse të Krijuesit, si edhe faktin që dëshira dhe urtësia e Tij janë vendimtare dhe të pakthyeshme.

Aal-i-Imraan 3:6Listen in Qur'an →
7

هُوَ ٱلَّذِىٓ أَنزَلَ عَلَيْكَ ٱلْكِتَٰبَ مِنْهُ ءَايَٰتٌۭ مُّحْكَمَٰتٌ هُنَّ أُمُّ ٱلْكِتَٰبِ وَأُخَرُ مُتَشَٰبِهَٰتٌۭ ۖ فَأَمَّا ٱلَّذِينَ فِى قُلُوبِهِمْ زَيْغٌۭ فَيَتَّبِعُونَ مَا تَشَٰبَهَ مِنْهُ ٱبْتِغَآءَ ٱلْفِتْنَةِ وَٱبْتِغَآءَ تَأْوِيلِهِۦ ۗ وَمَا يَعْلَمُ تَأْوِيلَهُۥٓ إِلَّا ٱللَّهُ ۗ وَٱلرَّٰسِخُونَ فِى ٱلْعِلْمِ يَقُولُونَ ءَامَنَّا بِهِۦ كُلٌّۭ مِّنْ عِندِ رَبِّنَا ۗ وَمَا يَذَّكَّرُ إِلَّآ أُو۟لُوا۟ ٱلْأَلْبَٰبِ

Ai ta ka shpallur Librin ty (Kur’anin). Disa nga versetet janë të qarta, me kuptim konkret e të hapët sheshazi, ato janë themelet e Librit, e për disa të tjera nevojitet komepntimi (pasi që me pak fjalë shprehen shumë kuptime të thella). Ata, që janë zemërkëqinj – priren kah shpjegimi i atyre që janë më pak të qarta, duke krijuar pështjellim dhe duke komentuar sipas dëshirës së vet. Por, komentimin e tyre e di vetëm Perëndia. E, ata që janë thelluar në dijeni thonë: “Na i besojmë (Kur’anit). Të gjitha këto janë nga Zoti ynë!” Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.

Ajetet e Kur’ânit janë cilësuar si muĥkemâtun dhe muteshâbihât. Muĥkemâtun vjen nga rrënja “ĥakeme jaĥkumu” ose “aĥkeme juĥkimu”, që ka disa kuptime, si për shembull: “i përkryer në gjykimet që jep”, ose: “absolutisht i qartë dhe i kuptueshëm”. Nëse merret kuptimi i parë, mund të themi se të gjitha ajetet e Kur’ânit janë të përkryera, për sa i përket gjykimit që ato japin. Me këtë kuptim, në fakt, kjo fjalë është përdorur në ajetin e parë të sures Hudë, ku Allahu i Lartësuar thotë: “(Ky është) Libër ajetet e të cilit (uĥkimet) u zbritën plot urtësi...” Kështu, ky libër është i përsosur në çdo aspekt. Ai është i saktë, i plotë, i drejtë dhe i mrekullueshëm në udhëzimet e Tij. Plot urtësi në çdo gjykim e ligj. Ai është i vetmi burim i gjykimit të drejtë për çdo çështje qoftë. Në suren Maide, ajeti 50, Allahu i Lartësuar thotë: “E kush është më i mirë se Allahu në gjykimet (ĥukmen) e Tij...”. Edhe fjala “muteshâbih” ka dy kuptime:1. I ngjashëm, i përafërt, i njëjtë.2. I paqartë, i pakuptueshëm, që ka nevojë të sqarohet, të qartësohet, që ka më shumë se një kuptim.Nëse e marrim me kuptimin e parë, pra: i ngjashëm, i përafërt ose i njëjtë, atëherë, si shpjegim të ajetit të mësipërm, mund të themi se të gjitha ajetet e Kur’ânit janë të ngjashme, të njëjta e të përafërta me njëra-tjetrën, për sa i përket bukurisë, madhështisë dhe lartësisë së fjalëve të tyre. Të gjitha ajetet janë të përafërta e vërtetuese të njëra-tjetrës. Megjithatë, në ajetin që po trajtojmë, fjala “muĥkem” ka kuptimin: “i qartë, absolutisht i kuptueshëm, që nuk ka nevojë të sqarohet më shumë”. Ndërsa fjala “muteshâbih”ka kuptimin: “i paqartë, që ka më shumë se një kuptim, që ka nevojë të sqarohet dhe të qartësohet”. Thotë i Lartësuari:Është Ai(Allahu) që ta zbriti ty(o Muhammed)Librin(Kur'anin). Në të ka ajete të qarta(muhkematun), të cilat janë baza e Librit. Në të ka ajete të tjera, që janë jo krejtësisht të qarta (muteshabihat). -Në librin e shpallur nga Allahu i Lartësuar ka ajete muĥkemât, pra, të qarta e të prera në kumtin e tyre e shumë të lehta për t’u kuptuar. Pikërisht këto ajete, Allahu i Lartësuar i ka quajtur si “baza e Librit”, pra, themeli mbi të cilin ndërtohen të gjitha gjykimet. Ato përbëjnë shumicën e ajeteve kur’ânore dhe nën dritën e tyre shpjegohen e kuptohen edhe ajetet e tjera, që kanë nevojë të sqarohen. Pra, në Kur’ân ka edhe ajete të tjera, të cilat Allahu i Lartësuar i quan muteshâbihât, të paqarta, të cilat keqkuptohen nga mendje të ndryshme, sepse ato përmbajnë shumë kuptime dhe, rrjedhimisht, edhe argumentimi me to është i paqëndrueshëm, i paqartë ose jo i sqaruar plotësisht. Madje, disa mund të marrin nga të tilla ajete kuptime të nxituara, të gabuara, nëse nuk i shohin nën dritën e ajeteve të tjera, që janë muĥkemât. Kështu, Allahu i Lartësuar na tregon se në Kur’ân ka ajete të qarta e të kuptueshme lehtë nga çdokush, të cilat janë pjesa dërrmuese e librit. Ato duhet të shërbejnë si bazë për të ndërtuar gjykimet tona. Nën dritën e tyre duhet parë çdo ajet tjetër i këtij libri, që mund të jetë i paqartë e që ka nevojë të kthjellohet dhe të drejtkuptohet. Por ka edhe ajete që janë muteshâbih, të paqarta për disa njerëz. Ato janë të pakuptueshme, …

Aal-i-Imraan 3:7Listen in Qur'an →
8

رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِن لَّدُنكَ رَحْمَةً ۚ إِنَّكَ أَنتَ ٱلْوَهَّابُ

Zoti ynë! Mos na i shmang zemrat tona, pasi që na i ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe epna nga mëshira Juaj; Ti, me të vërtetë je Ai që dhuron shumë!

"O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të devijojnë, pasi na drejtove! –Kuptimi: Mos i lejo zemrat tona që të devijojnë, të largohen nga e vërteta, për shkak të injorancës apo arrogancës tonë! Të lutemi të na bësh të përqendruar e të vazhdueshëm në rrugën e drejtë. Të lutemi Ty, të na bësh të udhëzuar dhe udhëzues. Na forco dhe na bëj të qëndrueshëm dhe besnikë në rrugën Tënde të drejtë! Na ruaj nga devijimi dhe sëmundja e zemrave të të devijuarve!Na dhuro mëshirën Tënde! Pa dyshim, Ti je Dhuruesi i madh!" -Na dhuro mëshirën e madhe, që të kemi sukses në arritjen e çdo të mire dhe në ruajtjen nga rreziku i çdo të keqeje, sepse ti je Bamirës e Dhurues i madh! Mirësia Jote ka përfshirë çdo gjallesë.

Aal-i-Imraan 3:8Listen in Qur'an →
9

رَبَّنَآ إِنَّكَ جَامِعُ ٱلنَّاسِ لِيَوْمٍۢ لَّا رَيْبَ فِيهِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يُخْلِفُ ٱلْمِيعَادَ

Zoti ynë! Ti je tubues i njerëzve në ditën që nuk ka farë dyshimi. Me të vërtetë, Perëndia e realizon premtimin.

"O Zoti ynë! Ti je Ai që do t’i tubosh njerëzit në një ditë, për të cilën nuk ka dyshim. Allahu nuk e shkel premtimin e Vet." -Allahu i Lartësuar do t’i tubojë njerëzit dhe do t’i shpërblejë ata sipas punëve të tyre: vepërmirët me të mira dhe vepërkëqijtë me ndëshkim. Kështu, Allahu i Lartësuar i ka përshkruar dijetarët me shtatë cilësi të vyera, të cilat i sjellin lumturinë robit në të dyja jetët: Ata kanë dije të dobishme, e cila është rruga e vetme që të çon tek Allahu i Lartësuar, sepse nëpërmjet saj qartësohen ligjet e Tij. Ata nuk kanë thjesht dije të dobishme, por kanë dije të thellë. Kush zotëron një dije të tillë është një dijetar i madh. Në fakt, Allahu i Lartësuar u ka mësuar atyre dijen sipërfaqësore dhe dijen e thellë. Këta të zgjedhur janë shumë të ditur për sa u përket të fshehtave dhe imtësive të Sheriatit, dhe kjo dije duket në veprat që ata kryejnë.- Allahu i Lartësuar na tregon se këta të zgjedhur i besojnë të gjitha ajetet e Librit (Ata thonë: “Të gjitha (ajetet) janë nga Zoti ynë....”) dhe për të shpjeguar ajetet muteshâbih, ata bazohen në ajetet muĥkeme. Ata vazhdimisht dhe me përulje i kërkojnë Allahut t’i ruajë e shpëtojë nga çdo e keqe, me të cilat Allahu i Lartësuar ka sprovuar ata që parapëlqyen devijimin kundrejt udhëzimit të qartë të Zotit të tyre.- Ata vazhdimisht i kujtojnë mirësitë e Zotit ndaj tyre dhe tregojnë mirënjohje për to. Ata thonë: “Mos lejo që zemrat tona të devijojnë, pasi na drejtove!”.- Ata e lusin vazhdimisht Allahun e Mëshirshëm që t’u dhurojë nga mëshira e Tij. Kjo lutje për mëshirë u mundëson atyre arritjen e çdo të mire që e dëshirojnë dhe ruajtjen e shpëtimin nga çdo e keqe, së cilës i ruhen dhe i frikësohen. Ata thonë: “Na dhuro mëshirën Tënde!”- Ata afrohen dhe kërkojnë ndërmjetësime tek Allahu më anë të lutjeve të tyre dhe me mënyra të lejuara afrimi dhe ndërmjetësimi. Ata afrohen më shumë te Zoti i tyre duke u lutur me emrin e Tij El uehhâb (Dhurues).- Allahu i Lartësuar na tregon se ata kanë dije dhe siguri të plotë rreth Ditës së Gjykimit. Kjo i nxit gjithmonë ata që të punojnë vepra të mira dhe vazhdimisht t’i ruhen devijimit dhe gjynaheve.

Aal-i-Imraan 3:9Listen in Qur'an →
10

إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ لَن تُغْنِىَ عَنْهُمْ أَمْوَٰلُهُمْ وَلَآ أَوْلَٰدُهُم مِّنَ ٱللَّهِ شَيْـًۭٔا ۖ وَأُو۟لَٰٓئِكَ هُمْ وَقُودُ ٱلنَّارِ

Me të vërtetë atyre që nuk besojnë, nuk do t’i shpëtojë asgjë nga dënimi i Perëndisë, - as pasuria as fëmijët e tyre. Ata do të jenë lëndë djegëse e zjarrit,

Atyre që nuk besojnë nuk do t’u vlejë asgjë para Allahut, as pasuria e as fëmijët e tyre. -Allahu i Lartësuar tregon se ata që mohojnë Atë dhe profetët e Tij, ata që refuzojnë të binden dhe të pasojnë fenë dhe Librin e Tij (Kur’ânin), meritojnë një ndëshkim të ashpër. Askush nuk mund t’i shpëtojë ata nga ky ndëshkim i merituar: as pasuria, as fëmijët e tyre, sepse këto nuk do t’u vlejnë aspak tek Allahu i Lartësuar. Në jetën e dynjasë, ndoshta, me pasurinë dhe fëmijët e tyre, ata mund të shpëtojnë prej rreziqeve që u kanosen. Për këtë arsye, ata thonë, sikurse tregon Allahu i Lartësuar në suren Sebe, ajetet 35-37: “Ne kemi shumë pasuri dhe fëmijë, prandaj nuk do të ndëshkohemi apo të vuajmë ndonjëherë”. Porse Ditën e Gjykimit, ata do të përballen me diçka që kurrë nuk e kanë llogaritur dhe menduar, siç thotë Allahu në suren Zumer, ajetet 47 dhe 48: “Edhe sikur e tërë çka gjendet në tokë, plus edhe një herë aq, të ishte e jobesimtarëve, ata do ta jepnin të gjithën për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në Ditën e Kijametit. Ata do të kenë prej Allahut atë (lloj ndëshkimi) që nuk kanë mundur as ta mendojnë. Ata do të përballen me të këqijat që me duart e tyre i fituan. Për ta u bë i pashmangshëm dënimi, për shkak të talljeve që ata bëjnë.”. Tek Allahu nuk kanë asnjë vlerë pasuria dhe fëmijët e robit, por atje bëjnë dobi veçse besimi i sinqertë, i shoqëruar me vepra të mira. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë:...Ata(jobesimtarët)do të jenë lënda djegëse e Zjarrit. - Dënimi i këtyre mohuesve do të jetë zjarri i Xhehenemit, madje ata do të jenë lënda djegëse e tij. Ata do të qëndrojnë në të përjetësisht e pandërprerë.

Aal-i-Imraan 3:10Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.