Muslim99Muslim99
← Tafsir library

2. Al-Baqara

The Cow · Medinan · 286 ayahs

سُورَةُ البَقَرَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 1–10 of 286

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

1

الٓمٓ

Elif, Lam, Mim.

Për sa i përket “Bismilah”-it, folëm më sipër. Ndërsa për sa u përket gërmave të alfabetit, të përmendura në fillim të sures, ndoshta është më e udhës heshtja ndaj kuptimit të tyre, kur nuk ka prova e dëshmi të qarta nga feja. Ne nuk themi asnjë fjalë të prerë rreth kuptimit të tyre, por për diçka jemi të sigurt: Allahu i Madhëruar nuk i ka zbritur ato pa qëllim. Ato fshehin urtësi që ne nuk i dimë.

2

ذَٰلِكَ ٱلْكِتَٰبُ لَا رَيْبَ ۛ فِيهِ ۛ هُدًۭى لِّلْمُتَّقِينَ

Ky libër, është i padyshimtë, udhëzues për të gjithë ata që i druajnë dënimit të Perëndisë.

Ky është Libri - Ky është një Libër i madh në të gjitha aspektet. Ai është përfshirës i asaj çka asnjë libër tjetër, i të parëve e i të fundmëve, nuk e ka përfshirë. Lëndë e tij është dija madhështore, është e vërteta e qartë, e sigurt dhe e pakundërshtueshme.Në të nuk ka mëdyshje... - Ky, pra, është një libër, tek i cili nuk mund të kihet asnjë mëdyshje a dyshim. Mohimi i mëdyshjeve e dyshimit nënkupton pohimin e të kundërtës së tij, dhe e kundërta e dyshimit është siguria (jaķîn). Ky libër është zbulues i dijes së sigurt, e cila largon çdo dyshim apo mëdyshje. Ja pra, sapo u përmend një rregull shumë i dobishëm në Islam, që thotë: “Mohimi i një cilësie negative nuk mund të konsiderohet kurrë si lavdërim, nëse nuk shoqërohet me pohimin e të kundërtës së saj, e cila është dhe duhet të jetë e përkryer.” Vetë mohimi, i shkëputur, nuk përmban lavdërim nëse nuk shoqërohet me atë çka përmendëm. Duke qenë se ky Libër përmban në vetvete jakin-in (sigurinë apo dijen e sigurt) dhe duke ditur se udhëzimi në Rrugën e Drejtë mund të arrihet veçse duke marrë dijen e sigurt, atëherë Allahu i Madhëruar dëshmon dhe na jep siguri se ky libër prej të cilit duhet të marrim diturinë është:Ai është Udhëzim për të devotshmit - Fjala ‘hudâ’ (udhëzim) nënkupton gjithçka me anë të së cilës dallohet rruga e drejtë nga e gabuara, dallohet dija e sigurt nga dyshimi dhe mëdyshjet. ‘Udhëzim’ quhet gjithçka që tregon dhe qartëson rrugët e dobishme që duhet të ndjekë robi në këtë jetë. Diçka tjetër shumë e këndshme, që nuk mund të lihet pa u përmendur, është edhe fakti se Allahu i Madhëruar e ka përdorur fjalën hudâ në trajtën e pashquar, pra, duke mos përcaktuar se për çfarë drejtimi apo sfere është udhëzim ky libër. Ai nuk ka thënë: “Udhëzim për të arritur këtë apo atë gjë të dobishme”. Kuptohet që kjo bëhet me qëllim të përfshirjes së një hapësire të pafund mirësish. Pra, kur i Lartësuari thotë që ky libër është “udhëzim për të devotshmit”, kjo do të thotë që ai është udhëzim për të zbuluar dhe ndjekur të gjitha rrugët e mirësive, të dynjasë e të ahiretit qofshin. Ai është zbulues i mirësive kryesore dhe i degëzimeve të tyre, qartësues i së vërtetës nga e kota dhe i të saktës nga e pasakta, sqarues i rrugëve të humbjes dhe kërcënues për t’u larguar prej tyre. Ai është tregues i të gjitha mundësive të shpëtimit: dëftues i rrugëve të lumturisë së kësaj jete dhe të jetës tjetër.Në ajet thuhet se Kur’âni është udhëzim për të devotshmit (mutekin), nga mund të kuptohet se ai është udhëzim vetëm për ta. Por, në një vend tjetër në Kur’ân, Allahu i Madhëruar pohon që ky libër është: “Udhëzim për të gjithë njerëzit”. Kur’âni, në vetvete, është udhëzues për të gjitha krijesat, por të mjerët e fatzinjtë nuk përfitojnë nga ky udhëzim i përgjithshëm dhe nuk e pranojnë udhëzimin e plotë të Allahut. Ky udhëzim i përgjithshëm nuk ndryshon asgjë tek ata, veç faktit që justifikimi i tyre para Krijuesit nuk do të ketë vlerë, dhe kështu bëhet i meritueshëm ndëshkimi prej Allahut Krenar dhe të Drejtë. Ndërsa të devotshmit japin maksimumin për të merituar udhëzimin e vërtetë, që përmendet në Kur’ân, prandaj vetëm ata e meritojnë këtë udhëzim. Të japësh maksimumin për të merituar udhëzimin e …

3

ٱلَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِٱلْغَيْبِ وَيُقِيمُونَ ٱلصَّلَوٰةَ وَمِمَّا رَزَقْنَٰهُمْ يُنفِقُونَ

të cilët u besojnë gjërave të padukshme (në bazë të argumenteve mendore) dhe bëjnë namaz dhe japin nga ajo që Ju kemi dhënë;

... të cilët e besojnë të fshehtën - Esenca e besimit qëndron në pohimin dhe pranimin pa mëdyshje të gjithçkaje rreth së cilës na kanë lajmëruar profetët. Kjo nënkupton nënshtrimin e plotë të të gjithë qenies tonë ndaj këtyre kumteve. Siç shihet, problemi nuk qëndron në besimin e çështjeve të prekshme dhe të konceptueshme nga shqisat, sepse ky lloj besimi nuk e dallon mohuesin nga besimtari. E gjithë çështja është e përqendruar te besimi në të fshehtat, të cilat as i kemi parë e as i kemi dëshmuar, por që i besojmë thjesht duke u mbështetur në kumtet që na vijnë nga Allahu i Lartësuar dhe nga Profeti (a.s). Pikërisht ky është besimi që bën dallimin mes mohuesit dhe besimtarit. Ky besim është miratim i pastër dhe pohim i sinqertë i gjithçkaje që vjen nga Allahu i Lartësuar. Besimtari beson dhe miraton gjithçka rreth së cilës na ka lajmëruar Allahu dhe Profeti i Tij (a.s), pavarësisht nëse e ka parë apo jo atë gjë rreth së cilës njoftohet. Ai e beson atë, pavarësisht nëse e kupton apo ende nuk ka arritur ta kuptojë e konceptojë tërësisht atë gjë për të cilën urdhërohet ta besojë. Natyrisht, kjo është në kontrast të thellë me gjendjen që i karakterizon mohuesit dhe keqbërësit, të cilët i mohojnë çështjet e fshehta. Ata i mohojnë kumtet rreth të fshehtave, thjesht dhe vetëm për shkak se mendjet e tyre të ngushta dhe të varfra nuk arrijnë t’i kuptojnë dhe t’i konceptojnë ato. Ata i mohojnë, edhe pse nuk japin as minimumin e tyre për t'u pajisur me dijen e nevojshme për të gjykuar drejt rreth këtyre kumteve. Ndërsa mendjet e besimtarëve, që miratojnë dhe pohojnë të vërtetën, që drejtohen me udhëzimin e zbritur nga Allahu i Madhëruar, janë të ndriçuara dhe të kthjellëta. Të besosh në të fshehtën do të thotë të besosh gjithçka rreth së cilës ka lajmëruar Allahu i Madhëruar, të jesh i sigurt rreth ngjarjeve të së shkuarës dhe të së ardhmes (që përshkruhen në tekstet hyjnore), rreth gjendjeve dhe skenave të Ditës së Gjykimit, si edhe për vërtetësinë e cilësive dhe emrave të Allahut të Madhëruar. Besimtarët i besojnë të gjitha këto. Ata besojnë në ekzistencën dhe vërtetësinë e këtyre ngjarjeve e kumteve dhe janë të sigurt rreth tyre, edhe pse ndoshta nuk mund t’i konceptojnë dhe t’i kuptojnë hollësisht dhe konkretisht se si janë në të vërtetë këto çështje. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë:E përkryejnë namazin … -Allahu i Madhëruar, për të treguar se si e falin namazin të devotshmit, ka përdorur fjalën ‘juķîmûne’, domethënë: e kryejnë në mënyrën më të plotë atë. Ai nuk ka thënë thjesht: “jefalûne” – “e bëjnë”, ose “je'tûne bihi”– “e paraqesin namazin”, sepse për të kryer namazin në formën e kërkuar, me të cilën meriton gradën “i devotshëm”, nuk mjafton ta paraqesësh atë thjesht në formën dhe në veprimet e jashtme. “Të përkryesh namazin” do të thotë ta realizosh atë të plotë, si në aspektin e kushteve, shtyllave, detyrave dhe syneteve të tij të jashtme, ashtu edhe në aspektin e kushteve, shtyllave, detyrave dhe syneteve që kanë të bëjnë me zemrën dhe shpirtin (aspektin e brendshëm). Kjo e fundit kryhet duke u përkujdesur që të shijosh “shpirtin” dhe ëmbëlsinë e namazit, e cila arrihet duke qenë me zemrën tënde vazhdimisht i pranishëm në gjithçka që thua …

4

وَٱلَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِمَآ أُنزِلَ إِلَيْكَ وَمَآ أُنزِلَ مِن قَبْلِكَ وَبِٱلْءَاخِرَةِ هُمْ يُوقِنُونَ

të cilët besojnë që të ka zbritur Ty (Kur’ani) dhe atyre para Teje (pejgamberëve tjerë) dhe që padyshim i besojnë jetës tjetër.

…dhe për ata të cilët besojnë në atë që t'u shpall ty - Muhamedit (a.s) iu shpall Kur’âni dhe Suneti, sikurse qartëson i Madhëruari kur thotë: “Allahu të shpalli ty Kur’ânin dhe Urtësinë (Sunetin)”. Të devotshmit, pra, besojnë gjithçka që iu shpall Profetit (a.s). Ata kurrë nuk bëjnë dallime mes pjesëve të Shpalljes që i erdhi atij, duke besuar diçka dhe duke mohuar diçka tjetër. Mohimi mund të bëhet në këto forma: ose duke mos e pranuar atë që është shpallur nga Allahu, ose duke i dhënë asaj që është shpallur interpretime që bien ndesh me qëllimet dhe synimet që ka pasur Allahu i Madhëruar dhe Profeti i Tij (a.s). Në këtë gabim të fundit kanë rënë shumë të humbur, të cilët, kur hasin në ajete dhe hadithe që bien ndesh me mentalitetin e tyre, ua shtrembërojnë kuptimin si pa të keq, tregues ky i mospranimit të kuptimit të tyre të vërtetë. Ata, edhe pse pretendojnë se i besojnë tekstet, në momentin që i keqinterpretojnë ato, deklarojnë mohimin e tyre dhe tregojnë se, në të vërtetë, nuk i kanë besuar ato.…dhe në atë që është shpallur para teje … - Këtu flitet për besimin në librat dhe shpalljet hyjnore paraardhëse të Kur'anit. Besimi te librat hyjnorë nënkupton edhe besimin te profetët të cilëve iu shpallën këta libra. Ky besim nënkupton në mënyrë të veçantë besimin te përmbajtja thelbësore e librave kryesorë të shpallur para Kur’ânit, të cilët ishin: Teurati, Zeburi dhe Ungjilli. Kjo, pra, është një veçori tjetër e besimtarëve të vërtetë. Ata besojnë të gjitha shpalljet qiellore dhe të gjithë profetët të cilëve iu zbritën këto shpallje, pa bërë asnjë dallim mes tyre. Më pas, Allahu i Madhëruar vazhdon duke përmendur veçori të tjera të mutekin-ëve:… dhe për botën tjetër (ahiretin), ata janë të bindur plotësisht. - El âħiratu është një emër që përfshin gjithçka që do të vijë pas vdekjes. Këtu vërejmë se Allahu i Madhëruar e ka veçuar përkujtimin e kësaj dite, pasi e përmend në fillim në mënyrë të përgjithësuar (kur flet për besimin në të fshehtën). Dihet që besimi në botën e përtejme është pjesë e besimit të muslimanit, madje shtyllë e këtij besimi. Allahu i Madhëruar e veçon përmendjen e kësaj dite, sepse ajo është një nga nxitëset më të fuqishme të veprave dhe të ndjenjave të domosdoshme të adhurimit, sikurse janë shpresa dhe frikë-respekti ndaj Allahut të Madhëruar. Jakin-i, nga ana tjetër, nënkupton dijen e plotë dhe të sigurt, që nuk lë as me të voglin dyshim e luhatje dhe që domosdoshmërisht të nxit të veprosh.

5

أُو۟لَٰٓئِكَ عَلَىٰ هُدًۭى مِّن رَّبِّهِمْ ۖ وَأُو۟لَٰٓئِكَ هُمُ ٱلْمُفْلِحُونَ

Ata janë, me të vërtetë, në rrugën e Zotit dhe vetëm ata janë të shpëtuar.

…Vetëm ata janë të udhëzuar në rrugën e drejtë nga Zoti i tyre … - Fjala “huden” (drejtim, udhëzim) vjen në trajtën e pashquar, formë e cila (në arabisht) tregon madhështinë dhe rëndësinë e asaj që shënon kjo fjalë. Pra, ajeti kuptohet kështu: Ata janë në një udhëzim madhështor, të përkryer dhe shumë të rëndësishëm prej Zotit të tyre. A ka udhëzim më të mirë dhe më të rëndësishëm sesa ai që të jep sukses të stolisesh me të tilla cilësi të vyera, që janë fryte të besimit të pastër dhe nxitje për vepra të mira dhe të drejta?! A mund të ketë udhëzim tjetër të vërtetë, përveç atij që gëzojnë këta të zgjedhur?! Vetëm ky mund të quhet "udhëzim". Gjithçka tjetër e ka emrin “humbje”. Para fjalës “huden”, është përdorur parafjala “ala” (mbi, lart, sipër). Pra, fjalë për fjalë, kuptimi është: “Ata janë mbi një udhëzim”, për të treguar lartësinë e të udhëzuarve dhe faktin që ata qëndrojnë mbi të tjerët. Kurse kur flet për të humburit, Allahu thotë që ata janë “fi đalâl”, duke përdorur parafjalën ‘fi’ (në, brenda), që do të thotë se ata janë: “në humbje”, ose më qartë: “të zhytur brenda humbjes”. Kjo duket edhe në këtë ajet kur’ânor: “Pa dyshim që, ne ose ju, jemi ose të lartësuar në një udhëzim (alâ huden), ose të zhytur në një humbje të sigurt (fî đalâl...)”. Në fakt, i udhëzuari është gjithmonë lart, a thua se është hipur mbi “udhëzim”, dhe ashtu mbi të, ai udhëton drejt Zotit. Ndërsa i humburi është i zhytur në humbje, i poshtëruar dhe i pavlefshëm. Pastaj i Madhëruari thotë:…dhe vetëm ata janë të shpëtuarit – “El felâĥ” quhet fitimi i asaj që dëshiron dhe shpëtimi nga ajo së cilës i druhesh. Allahu i Lartësuar e ka kufizuar dhe veçuar “felâĥ -un” vetëm për ta, sepse e vetmja rrugë që të çon drejt tij është rruga e tyre. Rrugët e tjera të çojnë veçse në trishtim, shkatërrim dhe dëshpërim. Pasi tregon cilësitë e vërteta të besimtarëve, Allahu jep edhe cilësitë e jobesimtarëve, të cilët e shfaqin haptazi mosbesimin dhe kokëfortësinë inatçore ndaj Profetit (a.s)

6

إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ سَوَآءٌ عَلَيْهِمْ ءَأَنذَرْتَهُمْ أَمْ لَمْ تُنذِرْهُمْ لَا يُؤْمِنُونَ

Me të vërtetë, për ata që janë (këmbëngulës) në mohim, është njësoj si i paralajmërove ti apo nuk i paralajmërove – ata nuk besojnë.

Nuk ka dyshim se për ata që mohojnë Besimin, është njëlloj: i paralajmërove apo nuk i paralajmërove, ata nuk besojnë. – Këtu Allahu i Madhëruar na flet rreth një kategorie njerëzish, që e kanë mohuar Atë. Cilësia dalluese e tyre është mohimi (kufr), i cili është bërë tipar dhe veçori e pandashme e shpirtit të tyre. I Madhëruari na tregon se këta (lloj njerëzish) nuk i kthen asgjë pas nga mohimi i tyre. Ndaj tyre nuk bën dobi asnjë lloj qortimi dhe vërejtjeje. Çfarëdo që të bësh, ata do të vazhdojnë në kufr-in e tyre. Për ta është njëlloj: i qortove apo jo, ata nuk e gjejnë rrugën e besimit. Kuptimi thelbësor i kufr-it është pikërisht refuzimi dhe mospranimi i kumtit që përcolli Profeti (a.s.), qoftë edhe i një pjese sado të vogël të tij. Ftesa në rrugën e besimit për këta mohues nuk ka asnjë lloj ndikimi tek ata, përveç faktit që ata humbasin të drejtën e justifikimit para Zotit. Sqarimi i gjithçkaje rreth besimit nuk u lë atyre asnjë hapësirë argumentuese përpara Krijuesit për mohimin dhe refuzimin e tyre. Me sa duket, me këtë ajet, Allahu i Madhëruar kërkonte ta bindte Profetin (a.s.) që të hiqte dorë nga ideja se ata mund të besonin dhe të mos ndiente keqardhje dhe trishtim për refuzimin dhe mohimin e tyre. Pastaj Allahu i Madhëruar tregon shkaqet që i pengojnë ata të besojnë, duke thënë:

7

خَتَمَ ٱللَّهُ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ وَعَلَىٰ سَمْعِهِمْ ۖ وَعَلَىٰٓ أَبْصَٰرِهِمْ غِشَٰوَةٌۭ ۖ وَلَهُمْ عَذَابٌ عَظِيمٌۭ

Perëndia ua ka vulosur atyre zemrat dhe veshët dhe në sy kanë perde, dhe ata i pret denimi i madh.

Allahu ua ka vulosur zemrat dhe të dëgjuarit e tyre – Pra, ua ka vulosur ato në mënyrë të atillë, që në ato zemra të mos hyjë kurrë besimi. Ata, pas këtij bllokimi, nuk e kuptojnë më atë gjë që u bën dobi dhe nuk mund të dëgjojnë diçka që atyre do t’u vlente.dhe në shikimet e tyre ka perde … - Allahu u ka vendosur perde, që i ndalon ata të shohin atë çka u vlen dhe u bën dobi. Pa dyshim, këto të trija (zemra, të dëgjuarit dhe shikimi) janë rrugët e dijes dhe rrugët e marrjes së informacionit. Kjo do të thotë që rrugët e dijes dhe të mirësisë qëndrojnë të mbyllura para këtyre njerëzve. Nuk ka më shpresë që ata të besojnë, madje asnjë e mirë nuk mund të shpresohet prej tyre. Sidoqoftë, duhet të jemi të sigurt se këto rrugë të përfitimit, domethënë rrugët e marrjes së njohurive dhe të mirësive, qëndrojnë të mbyllura para tyre veç për një shkak, i cili është i thjeshtë dhe i kuptueshëm: mohimi, refuzimi dhe kryeneçësia që ata tregojnë ndaj së vërtetës, pasi janë sqaruar plotësisht rreth saj. Në suren En’am, ajeti 110, Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre.”. Kjo nënkupton ndëshkimin e përshpejtuar, të cilin ata do ta ‘shijojnë’ dhe do ta përjetojnë që në këtë dynja. Ndërsa rreth ndëshkimit të rezervuar për ta Ditën e Gjykimit, Allahu i Madhëruar thotë:Ata do të kenë dënim të madh. - Ndëshkimi i madh, i përmendur këtu, është pikërisht ndëshkimi që do të përjetojnë në zjarrin e Xhehenemit. Atje do të vuajnë edhe zemërimin e të Pamposhturit dhe Krenarit (Allahut). Ky ndëshkim do të jetë i përjetshëm dhe i pandërprerë. Më tej, Allahu i Madhëruar na jep edhe një përshkrim të munafikëve (hipokritëve), të cilët, në dukje, shfaqin Islamin, por në shpirt janë të gatuar me mosbesim:

8

وَمِنَ ٱلنَّاسِ مَن يَقُولُ ءَامَنَّا بِٱللَّهِ وَبِٱلْيَوْمِ ٱلْءَاخِرِ وَمَا هُم بِمُؤْمِنِينَ

Ka disa njerëz që thonë: “Besojmë në Perëndinë dhe jetën tjetër!” – por, ata nuk janë besimtarë.

Mësoje se hipokrizia (nifâķ) është: Të shfaqurit e mirësisë, duke fshehur përbrenda të keqen. Në këtë përkufizim hyjnë dy lloje të hipokrizisë: ajo e cila shfaqet në veprime e sjellje dhe ajo që shfaqet në besim. Si shembull të llojit të parë mund të përmendim ato veprime e sjellje që i ka përshkruar Profeti (a.s) në hadithin e tij, kur thotë: “Shenjat treguese të hipokritit janë: Kur flet, gënjen, kur premton, e thyen premtimin, dhe kur i besohet diçka, të tradhton.”. Në një transmetim tjetër përmendet edhe kjo shenjë: “Kur polemizon, i tejkalon kufijtë (ose nuk përmbahet).” Ndërsa hipokrizia që shfaqet dhe lë gjurmë në besim, është ajo që e nxjerr njeriun nga Islami dhe është treguese e kufrit të tij. Pra, ai që e ka këtë lloj hipokrizie është kâfir (femohues, qafir), jashtë Islamit. Pikërisht për këtë lloj nifak-u flitet në ajetet e mësipërme. Në fakt, kjo lloj hipokrizie nuk ka ekzistuar dhe nuk është shfaqur para hixhretit (emigrimit të besimtarëve mekas) për në Medinë. Madje edhe pas hixhretit nuk pati shenja të tij, derisa ndodhi ngjarja e madhe e luftës së Bedrit, ku Allahu i Lartësuar, me fitoren që u dhuroi besimtarëve, tregoi fuqishëm krenarinë e tyre dhe ngriti lart famën e tyre. Në këtë moment, munafikët që jetonin në Medinë provuan poshtërimin dhe turpin. Shumë prej këtyre të poshtëruarve, për të ruajtur jetën, privilegjet dhe pasuritë e tyre, u shtirën sikur ishin në krahun e besimtarëve, ndërkohë që në zemrat e tyre fshihej mosbesimi dhe urrejtja. Por Allahu i Madhëruar, për të shprehur butësinë dhe mëshirën e Tij ndaj besimtarëve, e përshkruan me hollësi gjendjen shpirtërore të hipokritëve, si edhe cilësitë dalluese të tyre, në mënyrë që asnjë besimtar të mos mashtrohej nga ata. Ai i shfaqi cilësitë e tyre edhe për një arsye tjetër: që ata të frenoheshin dhe të largoheshin nga shumë vepra të pista dhe të poshtra, që i bënin haptazi dhe në mënyrë të paturpshme. Allahu i Madhëruar thotë në suren Teube, ajeti 64: “Hipokritët tremben se mos zbret ndonjë sure që u nxjerr në shesh atë që kanë në zemër.....”. Allahu i Madhëruar i përshkruan ata, duke nxjerrë në pah esencën e hipokrizisë së tyre, kur thotë:“Ka nga njerëzit që thonë: “Ne besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit”, por(në të vërtetë)ata nuk janë besimtarë.” - Ata shprehin me fjalë diçka që nuk ekziston në zemrat e tyre, por Allahu i Madhëruar e përgënjeshtron këtë pretendim kur thotë: “…ata nuk janë besimtarë.”. Që të meritosh emrin ‘besimtar’ duhet ai besim, për të cilin zemra dhe gjuha janë në përputhje të plotë. Ky pretendim bosh nga ata nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje e kotë për të mashtruar Allahun e Madhëruar dhe besimtarët që e adhurojnë Atë.

9

يُخَٰدِعُونَ ٱللَّهَ وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَمَا يَخْدَعُونَ إِلَّآ أَنفُسَهُمْ وَمَا يَشْعُرُونَ

Ata përpiqen të mashtrojnë Perëndinë dhe ata që besojnë, por vetëm mashtrojnë veten, e ketë nuk e vërejnë.

“Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe ata që besojnë…” – Mashtrimi është vepra e hipokritit, i cili shfaq diçka dhe fsheh diçka tjetër, për të mashtruar dhe për të arritur qëllimet e tij kundrejt të mashtruarit. E tillë është sjellja e munafikëve kundrejt Allahut të Lartësuar dhe adhuruesve të Tij besimtarë. Por, ky mashtrim dhe kjo hipokrizi kthehet kundër tyre:“…por, në fakt, ata mashtrojnë veçse vetveten, dhe këtë nuk e ndiejnë…” – Vërtet, kjo është e çuditshme, sepse mashtruesit, në përgjithësi, ose kanë sukses me mashtrimet e tyre, duke e arritur atë që synojnë, ose dalin as të humbur e as të fituar. Por kjo nuk ndodh me ata që përpiqen të mashtojnë Allahun dhe besimtarët. Dëmet e mashtrimit dhe të hipokrizisë, në këtë rast, rëndojnë dhe godasin pikërisht vepruesit e tyre. Ata nuk bëjnë gjë tjetër, por veçse thurin kurthe dhe mashtrime për të dëmtuar vetveten, sepse Allahu i Madhëruar kurrë nuk mund të dëmtohet nga kurthet dhe mashtrimet e tyre. Edhe ndaj adhuruesve të Tij besimtarë, kurthet e tyre mashtruese nuk kanë asnjë lloj ndikimi a dëmi. Fakti që hipokritët shfaqin besimin, nuk i dëmton dhe nuk i mashtron aspak besimtarët. Edhe pse me këtë hile ata mund të ruajnë të paprekur pasuritë e tyre dhe të shpëtojnë kokën, ata kurrsesi nuk mund t'i shpëtojnë poshtërimit që përjetojnë në shpirtin e tyre, nuk mund t'i shpëtojnë dëshpërimit dhe përuljes, që vijnë si pasojë e krenarisë, forcës dhe suksesit që përjetojnë besimtarët në mënyrë të vazhdueshme. Pastaj, në jetën tjetër, për ta është rezervuar një ndëshkim i ashpër, i dhembshëm dhe befasues, si pasojë e mohimit dhe e poshtërsisë së tyre. Megjithatë, për shkak të injorancës dhe mendjelehtësisë që kanë, ata nuk e ndiejnë këtë kërcënim.

10

فِى قُلُوبِهِم مَّرَضٌۭ فَزَادَهُمُ ٱللَّهُ مَرَضًۭا ۖ وَلَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌۢ بِمَا كَانُوا۟ يَكْذِبُونَ

Zemrat e tyre janë të sëmura (me injorancë) e Perëndia ua shtoi atyre sëmundjen; ata i pret dënim i ashpër, për shkak se gënjejnë.

“Në zemrat e tyre ka sëmundje, dhe Allahu ua shton sëmundjen e tyre.” -Sëmundja për të cilën flitet në këtë ajet është pikërisht sëmundja e dyshimit dhe hipokrizisë. Dije se zemra është e predispozuar të goditet nga dy lloje sëmundjesh, të cilat e nxjerrin atë nga natyra e vet dhe nga pastërtia e natyrshmërisë:1. sëmundja e dyshimeve të kota, që të çojnë teposhtë, në humbje;2. sëmundja e epsheve, dëshirave dhe pasioneve të shfrenuara.Mohimi i Zotit, mosbesimi, hipokrizia, dyshimet dhe sajesat në fe, të gjitha janë simptoma të sëmundjes së dyshimeve të kota. Ndërsa imoraliteti, dëshirat dhe tendencat drejt shfrenimit, animi nga gjynahet dhe veprimi i tyre janë simptoma të sëmundjes së epsheve dhe pasioneve të shfrenuara. Allahu i Lartësuar, kur këshillon gratë e Profetit (a.s) që të jenë të ruajtura dhe të kujdesshme në shfaqjen apo fjalët e tyre, thotë më pas: “…që të mos joshet ai që ka sëmundje në zemrën e tij.” [Ahzabë, 32]. Këtu, pra, është fjala për sëmundjen e epsheve të shfrenuara dhe imoralitetit. Kushdo që Allahu i Madhëruar e ruan nga këto dy sëmundje, përfiton, së pari, siguri të plotë dhe besim të patundur, dhe, së dyti, durim kundrejt çdo poshtërsie dhe gjynahu. Këto dy cilësi e ruajnë zemrën të shëndetshme dhe të paprekur.Thënia e Allahut të Madhëruar rreth munafikëve: “…Në zemrat e tyre ka sëmundje, dhe Allahu ua shton sëmundjen e tyre”, na jep të kuptojmë një urtësi të madhe të Tij në lidhje me përcaktimin e veprave të këqija që bëjnë gjynahqarët. Duhet të kuptohet se këto gjynahe që ata bëjnë janë të përcaktuara nga Zoti i Madhëruar, si pasojë e gjynaheve paraardhëse që ata kanë bërë. Pra, këdo që merr guximin të kalojë kufijtë, Allahu i Lartësuar e sprovon me gjynahe të tjera të mëtejshme, të cilat meritojnë ndëshkimin e Tij, sikurse thuhet në suren Enam, ajetet 110,111: “Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre. Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën).” Ndërsa në suren Saf, ajeti 5, Ai thotë: “Por kur ata devijuan, edhe Allahu ua devijoi zemrat. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull që kalon kufijtë." Në suren Teube, ajetet 75 -78, Allahu i madhëruar thotë: “Ka nga ata, që i janë zotuar Allahut, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga mirësitë e Tij, sigurisht që do të japim sadaka dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë.” Por kur Ai u dha nga mirësitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën. Prandaj, Ai ua ka hedhur hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në Ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin e dhënë Allahut dhe sepse vazhdimisht gënjenin. Vallë, a nuk e dinë ata se Allahu i di sekretet e tyre dhe çdo bisedë të fshehtë dhe se Allahu është Ai që i di të gjitha të fshehtat?” Më tej, po në suren Teube, ajetet 124-126, thuhet: “Sa herë që shpallet ndonjë sure, disa prej tyre thonë: “Kujt ia shtoi besimin kjo sure?” Po. Besimtarëve ua shton besimin dhe ata gëzohen. E, sa u përket …

Al-Baqara 2:10Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.