Muslim99Muslim99
← Tafsir library

4. An-Nisaa

The Women · Medinan · 176 ayahs

سُورَةُ النِّسَاءِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 81–90 of 176

81

وَيَقُولُونَ طَاعَةٌۭ فَإِذَا بَرَزُوا۟ مِنْ عِندِكَ بَيَّتَ طَآئِفَةٌۭ مِّنْهُمْ غَيْرَ ٱلَّذِى تَقُولُ ۖ وَٱللَّهُ يَكْتُبُ مَا يُبَيِّتُونَ ۖ فَأَعْرِضْ عَنْهُمْ وَتَوَكَّلْ عَلَى ٱللَّهِ ۚ وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ وَكِيلًا

Dhe ata (hipokritët) thonë: “T’u kemi bind ty”. E kur largohen prej teje, një grup nga ata shjellojnë diçka tjetër nga ato që t’i thanë ty. Por Perëndia i shënon shtjellimet e tyre. Dhe largohu prej tyre, e mbështetu te Perëndia! Se Perëndia të mjafton ty për mbrojtës.

Ata thonë: “Të jemi bindur”, por kur largohen prej teje, një grup prej tyre shtjellojnë diçka tjetër nga ajo që u thua ti. -Kur veçohen, ata veprojnë të kundërtën. Ata vendosin të sigurt për të mos iu bindur Zotit dhe Profetit. Këtë kuptim ka fjala ‘bejjete’në ajet: “planifikon dhe vendos me bindje për diçka”. Domethënë, ata vendosën me bindje për të mos zbatuar porositë e Allahut dhe të Profetit (a.s.), por Allahu i Lartësuar i kërcënon për këtë dhe thotë:Por Allahu e shënon atë që ata planifikojnë. -Ai do t’ua shkruajë veprat e tyre dhe do t’u japë shpërblimin e duhur. Ky, sigurisht, është një kërcënim për ta. Pastaj i Lartësuari e urdhëron Profetin e Tij që t’u kthejë shpinën dhe të distancohet prej tyre. Kështu, Profeti këshillohet që të mos zemërohet, sepse ata nuk mund ta dëmtojnë nëse ai i mbështetet Allahut dhe kërkon ndihmën e Tij:Prandaj largohu prej atyre e mbështetju Allahut! Allahu të mjafton si Mbrojtës.

82

أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ ٱلْقُرْءَانَ ۚ وَلَوْ كَانَ مِنْ عِندِ غَيْرِ ٱللَّهِ لَوَجَدُوا۟ فِيهِ ٱخْتِلَٰفًۭا كَثِيرًۭا

A nuk e meditojnë ata Kur’anin! Sikur ai mos të ishte prej Perëndisë, do të gjenin në të shumë kontradiksione.

A nuk meditojnë ata rreth Kur’ânit? -Allahu i Lartësuar na urdhëron që të meditojmë thellë rreth Librit të Tij, që të kuptojmë qartë ajetet e Tij, mesazhin e tyre nga fillimi në mbarim dhe detyrat që dalin. Studimi i Librit të Allahut të Lartësuar është çelësi i shumë njohurive. Prej tij nxirret çdo e mirë dhe përftohet çdo lloj njohurie. Nëpërmjet Kur’ânit shtohet besimi dhe rrënjët e tij ngulen në zemër. Nëpërmjet Kur’ânit njihet Zoti i Lartësuar, i vetmi i Adhuruar me meritë, njihen emrat dhe cilësitë e pranueshme për Të dhe ato nga të cilat Ai është i pastër. Në Kur’ân është treguar qartë rruga që të çon te Zoti dhe cilësitë e atyre që ndjekin këtë rrugë. Aty është treguar shpërblimi që i pret besimtarët kur të mbërrijnë te Zoti i tyre. Në Kur’ân zbulohet se cili është armiku yt i vërtetë, me të gjitha intrigat dhe kurthet që ai përgatit kundra teje. Në Kur’ân tregohen rrugët që të çojnë drejt ndëshkimit dhe mënyra si të mbrohesh prej tyre dhe të shpëtosh. Ai përshkruan cilësitë e atyre që ndjekin rrugën drejt ndëshkimit dhe vuajtjes. Kur’âni tregon se çfarë i pret ata të cilët kryejnë gjynahe dhe çdo gjë që të shpie drejt ndëshkimit. Sa më shumë të studiohet Kur’âni, aq më shumë shtohet dija e dobishme, qartësia në besim dhe veprat e mira që sjellin lumturinë në të dyja jetët. Kjo është arsyeja që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për këtë gjë. Madje, Ai na ka njoftuar se Kur’âni është zbritur veçse që të meditojmë rreth tij, siç thotë në ajetet: “Libër i begatshëm, të cilin Ne ta shpallëm që t’ia studiojnë ajetet dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend”. [Sad 29]. “A nuk meditojnë ata për Kur'anin, apo i kanë zemrat të kyçura?” [Muhamed 24]. Ndër dobitë më të rëndësishme të meditimit rreth Kur’ânit është se, nëpërmjet tij, njeriu arrin siguri të plotë se ky libër është vërtet shpallje e Zotit të Lartësuar. Pra, Kur’âni vërteton dhe verifikon vetveten. Në të përmenden dhe përsëriten histori të shumta, por ato janë plotësisht në përputhje dhe harmoni të plotë me njëra-tjetrën. Mes tyre nuk ka asnjë kundërthënie. Nga kjo kuptohet se Kur’âni është fjala e vërtetë e Zotit, i Cili është Gjithëpërfshirës dhe Absolut në dijen e Tij:Sikur të ishte prej dikujt tjetër, e jo prej Allahut, do të kishin gjetur në të shumë kundërthënie. -Pra, duke qenë se Kur’âni është prej Allahut të Lartësuar, në të nuk mund të gjesh kurrë kundërthënie.

83

وَإِذَا جَآءَهُمْ أَمْرٌۭ مِّنَ ٱلْأَمْنِ أَوِ ٱلْخَوْفِ أَذَاعُوا۟ بِهِۦ ۖ وَلَوْ رَدُّوهُ إِلَى ٱلرَّسُولِ وَإِلَىٰٓ أُو۟لِى ٱلْأَمْرِ مِنْهُمْ لَعَلِمَهُ ٱلَّذِينَ يَسْتَنۢبِطُونَهُۥ مِنْهُمْ ۗ وَلَوْلَا فَضْلُ ٱللَّهِ عَلَيْكُمْ وَرَحْمَتُهُۥ لَٱتَّبَعْتُمُ ٱلشَّيْطَٰنَ إِلَّا قَلِيلًۭا

Kur t’u vijë atyre ndonjë lajm i rëndësishëm që i përket sigurisë ose frikës, ata e përhapin ate, por në qoftë se ata këtë lajm ia përcjellin Pejgamberit dhe parisë (bashkëpunëtorëve të afërm të tij) do të kuptonin prej tyre vetëm atë, që dëshirojnë ta marrin vesh. Sikur të mos ishte mirësia e Perëndisë dhe mëshira e Tij, përpos një numri të vogël, ju të gjithë do të ndiqnit djallin.

Kur u vjen ndonjë lajm qetësues ose shqetësues, ata e përhapin menjëherë atë. -Kjo është një këshillë nga Allahu i Lartësuar, me të cilën Ai edukon adhuruesit e Tij që të largohen prej cilësive dhe sjelljeve jo të mira, që nuk iu shkojnë besimtarëve. Kështu, nëse ata dëgjojnë ndonjë lajm të rëndësishëm, që ka të bëjë me interesin e besimtarëve, sigurinë dhe ruajtjen e tyre, apo ndonjë lajm që ka të bëjë me ndonjë kërcënim kundër muslimanëve, fillimisht duhet ta verifikojnë dhe të mos nxitojnë në përhapjen e tij. Ata duhet të njoftojnë Profetin (a.s.) (kur ishte gjallë) apo udhëheqësit dhe dijetarët e tyre. Ata duhet të njoftojnë njerëzit e mençur dhe specialistët, që i njohin mirë çështjet dhe dinë të japin gjykim të drejtë rreth anëve pozitive dhe negative, si dhe dinë të përcaktojnë drejt përparësitë. Nëse përhapja e tyre është e dobishme dhe sjell gëzim për besimtarët, apo i bën ata më të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm për t’iu ruajtur rreziqeve, ata e përhapin lajmin, e nëse jo, ata e fshehin dhe nuk e përhapin atë, siç thotë i Lartësuari:Por, nëse këtë lajm do t’ia përcillnin Profetit ose parisë së tyre, hulumtuesit e vërtetë do të dinin të nxirrnin përfundime. -Nëpërmjet logjikës së mprehtë dhe njohurive të mëdha, dijetarët do të japin një gjykim më të drejtë rreth atyre çështjeve. Ky është një rregull i rëndësishëm: nëse shtrohet nevoja për trajtimin e një çështjeje, ajo duhet t’u lihet atyre që janë specialistë të saj. Askush nuk duhet të flasë para tyre. Kjo bën të mundur që t’i afrohesh më shumë të vërtetës dhe të jesh më pak i rrezikuar nga gabimi. Gjithashtu ky ajet na porosit që të mos jemi të nxituar dhe të papërmbajtur në reagimet ndaj lajmeve që na vijnë apo ndaj situatave të ndryshme me të cilat përballemi. Përkundrazi, ne duhet të mendohemi mirë dhe gjatë para se të veprojmë. Pastaj i Lartësuari thotë:Sikur të mos ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, atëherë ju, përveç një pakice, do të kishit ndjekur rrugën e Shejtanit. -Mirësia e Allahut është suksesi i dhuruar prej Tij për të ndjekur udhën e drejtë, është feja që solli për ne, janë porositë e vyera për çdo fushë dhe çështje, është dija e vlefshme që Ai na dhuroi, dije që ne nuk e kishim. Pra, nëse nuk do të ishin këto mirësi të dhuruara nga Zoti, ne do të mashtroheshim nga Shejtani i mallkuar, përveç një pakice të vogël. Arsyeja është se njeriu është i prirur drejt injorancës dhe padrejtësisë. Egoja e tij e urdhëron veçse për të këqija, por nëse ai i drejtohet me përgjërim dhe përunjësi Zotit të tij dhe kërkon strehim tek Ai, duke dhënë maksimumin e tij në këtë drejtim, Zoti i tij me siguri do ta ndihmojë për arritjen e çdo të mire dhe për të shpëtuar nga çdo e keqe; Ai do ta ruajë nga Shejtani i mallkuar dhe kurthet e tij.

84

فَقَٰتِلْ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ لَا تُكَلَّفُ إِلَّا نَفْسَكَ ۚ وَحَرِّضِ ٱلْمُؤْمِنِينَ ۖ عَسَى ٱللَّهُ أَن يَكُفَّ بَأْسَ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ ۚ وَٱللَّهُ أَشَدُّ بَأْسًۭا وَأَشَدُّ تَنكِيلًۭا

Lufto në rrugën e Perëndisë! Vetëm ti je i obliguar; e nxiti edhe besimtarët! Perëndia e pengon fuqinë e mohuesve. Se Perëndia është më i fuqishëm dhe më i ashpër në dënime.

Kjo është sjellja më e mirë e njeriut: të përpiqet e të luftojë me vetveten dhe me armikun për plotësimin e urdhrave të Allahut, si edhe të nxisë të tjerët në këtë drejtim. Megjithatë, mund të ndodhë që njeriu të mos ketë asnjërën nga këto veti ose të ketë veç njërën prej tyre. Prandaj Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të Tij:Prandaj lufto në rrugën e Allahut! Ti je përgjegjës veçse për veten tënde. -Kuptimi: Ti nuk ke pushtet mbi të tjerët. Ti nuk do të merresh në përgjegjësi për çfarë bëjnë të tjerët, por vetëm për veprat e tua.Dhe nxiti besimtarët... -Inkurajimi i besimtarëve përfshin gjithçka që u jep forcë atyre dhe që i ndihmon ata të jenë të shkathët, të gjallë e me moral të ngritur. Kjo mund të arrihet me disa mënyra: herë duke përmendur dobësinë dhe dështimet e qafirëve, e herë duke përmendur shpërblimin e madh që Allahu i Lartësuar ka përgatitur për luftëtarët dhe për ata që përpiqen në rrugën e Tij si dhe ndëshkimin që ka përgatitur për armiqtë e besimtarëve. Pra, këto dhe shumë mënyra të tjera janë nxitje e besimtarëve për të luftuar dhe për t’u përpjekur në rrugën e Zotit.se Allahu do ta sprapsë fuqinë e të pafeve! Allahu është më i fuqishmi dhe e ka dënimin më të ashpër. -Nëpërmjet luftës dhe përpjekjeve në rrugën e Allahut dhe nëpërmjet nxitjes së njëri-tjetrit për këtë çështje, Allahu i Lartësuar e ndalon padrejtësinë e qafirëve dhe shkatërrimin që ata përhapin. Allahu i Lartësuar është më i Forti dhe Ndëshkuesi më i drejtë për këdo që bën padrejtësi. Nëpërmjet ndëshkimit të Tij të drejtë dhe të urtë, Ai i jep atë që meriton të padrejtit, por u jep një mësim të mirë edhe të tjerëve, që të mos bien në të njëjtin gabim. Nëse do të dëshironte Allahu i Lartësuar, Ai do t’i mposhte qafirët vetë dhe nuk do të linte gjallë asnjë prej tyre. Por me urtësinë e Tij, Ai i sprovon njerëzit me njëri-tjetrin. Kështu dallohen besimtarët e vërtetë, të cilët besojnë dhe bëjnë me dëshirë punë të mira, nga ata që shtiren si besimtarë, por që besimi i tyre nuk i sjell asnjë dobi.

85

مَّن يَشْفَعْ شَفَٰعَةً حَسَنَةًۭ يَكُن لَّهُۥ نَصِيبٌۭ مِّنْهَا ۖ وَمَن يَشْفَعْ شَفَٰعَةًۭ سَيِّئَةًۭ يَكُن لَّهُۥ كِفْلٌۭ مِّنْهَا ۗ وَكَانَ ٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ مُّقِيتًۭا

Ai që përpiqet për të mirë – edhe ai do të ketë pjesë në shpërblim, e ai që angazhohet për të keqe – edhe ai do të ketë pjesë në ndëshkim. – Se Perëndia është i Gjithëpushtetshëm.

Kush ndihmon për të mirë, do të ketë pjesë nga ajo, dhe kush ndihmon për të keq, do të ngarkohet me të. -Këtu bëhet fjalë për ndihmën që njeriu mund t’i japë dikujt tjetër për punë a çështje të ndryshme. Pra, nëse ai ndihmon dhe përpiqet së bashku me dikë tjetër për arritjen dhe plotësimin e një pune të mirë, siç është, për shembull, ndihma për të larguar një padrejtësi, ai do të marrë shpërblim në varësi të mundit të ofruar, por pa iu zvogëluar aspak shpërblimi vepruesit kryesor të tij. Po kështu edhe ata që ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për vepra të këqija do të kenë përgjegjësi në varësi të ndihmës së ofruar dhe dëmit që sjellin. Kjo është një porosi e mrekullueshme nga Allahu, që ne të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin për vepra të mira, për devotshmëri dhe për t’iu ruajtur armiqësisë dhe urrejtjes mes nesh. Allahu i Lartësuar e përforcon këtë porosi, duke thënë:Allahu është Dëshmues i drejtë për gjithçka. -Pra, Allahu i Lavdëruar është Dëshmuesi, që shikon dhe di gjithçka, Ai i ka regjistruar të gjitha veprat e njeriut dhe do ta marrë atë në llogari për çdo gjë që ka bërë, duke i dhënë shpërblimin apo ndëshkimin e merituar.

86

وَإِذَا حُيِّيتُم بِتَحِيَّةٍۢ فَحَيُّوا۟ بِأَحْسَنَ مِنْهَآ أَوْ رُدُّوهَآ ۗ إِنَّ ٱللَّهَ كَانَ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍ حَسِيبًا

Kur të ju përshëndet dikush me respekt, kthenia përshëndetjen në mënyrë më të bukur, ose si ajo! Se Perëndia është llogaritar për çdo gjë.

Kur t’ju përshëndesin, ju kthejani me një përshëndetje më të mirë ose me të njëjtën formë. -Përshëndetja është një fjalë ose shprehje e ngrohtë e dashamirëse në formë lutjeje, që thuhet nga dy persona kur takohen me njëri-tjetrin. Përshëndetje quhet edhe një veprim që shpreh respekt e dashuri, si një buzëqeshje etj. Një ndër mënyrat e përshëndetjes, e cila ka bazë në Sheriat është dhënia e selamit. Kështu Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar besimtarët që, nëse përshëndeten nga dikush, me çfarëdolloj përshëndetjeje, ta kthejnë atë me një përshëndetje më të mirë se ajo, qoftë në fjalët e përzgjedhura, qoftë në mënyrën e dhënies së saj, ose ta kthejnë njëlloj me përshëndetjen e marrë. Kjo tregon që moskthimi i përshëndetjes është haram, ashtu si edhe kthimi i saj me një formë më të ulët se e para. Nga ajeti kuptohet, gjithashtu, se është e pëlqyeshme që të jemi të parët që përshëndesim. Kjo kuptohet në këto dy aspekte:1. Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që përshëndetjen ta kthejmë me një formë më të mirë se ajo ose të njëjtë me të. Kjo tregon se Sheriati e nxit të përshëndeturit dhe, si i tillë, garimi për këtë veprim është po ashtu i inkurajuar.2. Thënia: “...kthejani me një përshëndetje më të mirë...” nxit për të qenë i pari që përshëndet, sepse ky është tregues tjetër i “përshëndetjes më të mirë”, për të cilën na ka urdhëruar Sheriati.Megjithatë, nga fusha e këtij urdhri përjashtohen disa raste, siç është, për shembull, rasti i njeriut që është duke lexuar Kur’ân, apo duke dëgjuar hytben, duke falur namaz etj. Pra, në këto raste, nuk është detyrë kthimi i përshëndetjes apo selamit. Gjithashtu, rast përjashtues është edhe me ata individë të cilët Sheriati urdhëron që të bojkotohen dhe të mos përshëndeten e as t’u kthehet përshëndetja, siç ndodh me gjynahqarët që i bëjnë haramet haptazi dhe nuk pendohen. Sidoqoftë, është kusht që mospërshëndetja e tyre të ketë efekt pozitiv dhe t’i bëjë ata të kthejnë rrugë, pasi nëse nuk ndodh kjo, atëherë me ta veprohet ndryshe. Detyrimi i kthimit të përshëndetjes vlen edhe për ato përshëndetje që njerëzit i kanë zakon dhe që nuk bien ndesh me Sheriatin. Pra, muslimani është i urdhëruar që t’i kthejë me formë më të mirë ose të njëjtë edhe të tilla përshëndetje. Pastaj Allahu i Lartësuar na kujton se ai është Llogaritës i drejtë i të gjitha veprave tona të mira apo të këqija, dhe do të na shpërblejë me drejtësi për to:Allahu është Llogaritës i drejtë për gjithçka. -Çdo fjalë e vepër e njeriut, e mirë apo e keqe qoftë, e madhe apo e vogël, e dukshme apo e fshehur, është e regjistruar korrektësisht, dhe do të vijë dita që njeriu do të shpërblehet për to, me bujarinë, drejtësinë, urtësinë dhe gjykimin e drejtë të Allahut të Lartësuar.

87

ٱللَّهُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ۚ لَيَجْمَعَنَّكُمْ إِلَىٰ يَوْمِ ٱلْقِيَٰمَةِ لَا رَيْبَ فِيهِ ۗ وَمَنْ أَصْدَقُ مِنَ ٱللَّهِ حَدِيثًۭا

Perëndia është një, i vetëm, - i pashoq. Ai me të vërtetë, do t’ju tubojë në Ditën e Kijametit. Për këtë nuk ka dyshim fare! E, kush është në fjalë më i drejtë se Perëndia?

Allahu është Ai që Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. -Allahu i Lartësuar na tregon për njëshmërinë e Tij në meritueshmërinë e adhurimit. Ai është Zoti i vetëm që meriton t’i përkushtohesh me madhërimin, nënshtrimin, bindjen dhe dashurinë tënde. Vetëm Ai është i Adhuruari me meritë në gjithësi, sepse vetëm Ai është Absoluti në Qenien dhe në cilësitë e Tij. Vetëm në dorën e Tij është krijimi, sundimi, mbretërimi dhe përkujdesja për krijesat dhe çështjet e tyre. Ai është Zotëruesi dhe Dhuruesi i të gjitha mirësive të dukshme dhe të fshehta. Ky përshkrim është, gjithashtu, një urdhër për ta njësuar Allahun në adhurim. Vetëm Ai duhet të jetë i Adhuruari, të Cilin duhet ta duam me gjithë qenien tonë, ta madhërojmë, t’i bindemi e nënshtrohemi me drojë. Ne duhet të përpiqemi të afrohemi tek Allahu me të gjitha llojet e adhurimeve të cilat Ai i ka përcaktuar si të tilla në Librin e Tij dhe në Traditën e Profetit të Tij. Vetëm Ai do t’i shpërblejë krijesat për gjithçka që bëjnë në këtë jetë, për adhurimet apo për shpërfilljen e tyre, prandaj i Lartësuari betohet për vërtetësinë e Ditës së madhe të Shpërblimit me drejtësi dhe urtësi:Pa dyshim, Ai do t’ju tubojë Ditën e Gjykimit, për të cilën nuk ka dyshim. -Kuptimi: Ditën e Gjykimit, Allahu ka për t'iu grumbulluar të gjithëve, nga i pari deri tek i fundit, në të njëjtin vend. Ajo është dita që nuk ka dyshim për vërtetësinë e saj. Argumentet logjike dhe fetare për atë ditë janë të shumta, si për shembull:- Ringjallja e tokës së vdekur nëpërmjet ujit të zbritur nga qielli, si mëshirë prej Zotit.- Krijimi i parë nga hiçi dëshmon se rikrijimi dhe rikthimi në jetë i krijesave pas vdekjes është më i pranueshëm dhe më i thjeshtë.- Nëse Zoti është i Urtë, kjo e bën të detyrueshme që të ketë ringjallje, llogari dhe shpërblim me drejtësi të krijesave, sepse Ai nuk do t’i krijonte kurrë krijesat pa një qëllim, që thjesht të jetonin e të vdisnin, e kështu të vazhdonin në pafundësi. Drejtësia, urtësia dhe mëshira e Tij duhet t’i gjykojë dhe shpërblejë ato ashtu si e meritojnë.- Ndërsa argumentet fetare të ardhura nga Profeti (a.s.) janë të shumta, siç është ky ajet dhe të tjerë të ngjashëm. I Lartësuari thotë më pas: “E cili mund të jetë në fjalë më i vërtetë se Allahu?!”. Pra, Allahu i Lartësuar betohet për vërtetësinë e kësaj dite, ashtu siç ka urdhëruar Profetin e Tij në disa raste në Kur’ân që të betohet për këtë të vërtetë. Në fakt, të gjithë profetët kanë folur për këtë të vërtetë të madhe dhe kanë këshilluar për t’u përgatitur për të.Dhe, cili mund të jetë në fjalë më i vërtetë se Allahu?! -Kjo tregon se fjala e Zotit dhe rrëfimet e Tij janë në shkallën më të lartë të vërtetësisë. Çdo gjë që thuhet në drejtim të besimit, fesë dhe riteve e që bie ndesh me fjalët dhe porositë e Zotit, ajo është e gabuar dhe e gënjeshtërt. Ajo nuk ka se si të jetë e vërtetë, sepse bie ndesh me fjalën absolutisht të vërtetë të Allahut të Lartësuar.

88

۞ فَمَا لَكُمْ فِى ٱلْمُنَٰفِقِينَ فِئَتَيْنِ وَٱللَّهُ أَرْكَسَهُم بِمَا كَسَبُوٓا۟ ۚ أَتُرِيدُونَ أَن تَهْدُوا۟ مَنْ أَضَلَّ ٱللَّهُ ۖ وَمَن يُضْلِلِ ٱللَّهُ فَلَن تَجِدَ لَهُۥ سَبِيلًۭا

Përse ju u ndajtët në dy grupe për çështjen e hipokritëve, kur Perëndia për shkak të veprave të tyre, i rrokullisi ata në pabesim? A mos vallë, dëshironi t’i ktheni në rrugë të drejtë ata, të cilëve Perëndia ua ka humbur rrugën, e, atë që Perëndia e lë në humbje, ti nuk mund të gjesh rrugë të drejtë për të.

Përse ndaheni në dy grupe për çështjen e munafikëve? Allahu i ka zhytur ata në mohim për shkak të veprave të tyre(të këqia)?! A mos doni të udhëzoni në rrugë të drejtë atë që Allahu e ka lënë të humbur?! Për atë që Allahu i ka lënë të humbur, ju nuk keni për të gjetur rrugëdalje. -Munafikët, për të cilët aludohet në këtë ajet, ishin ata që në dukje shfaqeshin si muslimanë. Ata, përveçse nuk kishin hequr dorë nga kufri i tyre, nuk emigruan për hir të Zotit. Kështu që, sahabët ishin të paqartë dhe kishin qëndrime të ndryshme ndaj kësaj kategorie. Disa prej tyre ndiheshin ngushtë dhe hezitonin për vrasjen dhe luftën kundër tyre, qoftë edhe për ndërprerjen e marrëdhënieve me ta. Kjo ndodhte për shkak të atyre veprave që ata i shfaqnin si muslimanë. Ndërsa sahabët e tjerë gjykonin për ta duke u nisur nga veprat që tregonin se ata ende ishin në kufër dhe larg Islamit. Atëherë, Allahu i Lartësuar shpalli këto ajete, në të cilat dha urdhrin e prerë, që ne të mos ngurrojmë në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajmë ndaj të tillëve. Ne duhet të kemi veç një qëndrim ndaj munafikëve, sepse shenjat e tyre të kufrit janë të përsëritura, madje:

89

وَدُّوا۟ لَوْ تَكْفُرُونَ كَمَا كَفَرُوا۟ فَتَكُونُونَ سَوَآءًۭ ۖ فَلَا تَتَّخِذُوا۟ مِنْهُمْ أَوْلِيَآءَ حَتَّىٰ يُهَاجِرُوا۟ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ ۚ فَإِن تَوَلَّوْا۟ فَخُذُوهُمْ وَٱقْتُلُوهُمْ حَيْثُ وَجَدتُّمُوهُمْ ۖ وَلَا تَتَّخِذُوا۟ مِنْهُمْ وَلِيًّۭا وَلَا نَصِيرًا

Ata dëshirojnë që edhe ju të mos besoni, ashtu siç nuk besojnë as ata, e të bëheni të barabartë me ta. Kurrsesi mos u bëni shokë me ta, përderisa të mos bëjnë emigrim në rrugën e Perëndisë. E, nëse ata shmangen, arratisni e mbytni ata, kudo që t’i gjeni! Dhe mos zgjedhni nga ata as miq as ndihmëtarë,

Ata(munafikët)dëshirojnë që edhe ju të mos besoni, sikurse nuk besojnë ata vetë, dhe kështu të bëheni të njëjtë.” -Kjo është dëshira e tyre: që ju të mohoni besimin e drejtë dhe të vërtetë dhe të bëheni si ata.Mos zini miq prej tyre, derisa ata të mërgojnë për hir të Allahut! -Ata nuk duhen dashur dhe mbështetur, sepse miqësia është shprehje e dashurisë dhe e vlerësimit për ta. Por kjo nënkupton edhe urrejtjen për ta, sepse urdhri për të bërë diçka nënkupton edhe ndalimin nga e kundërta e saj. Megjithatë, ky qëndrim është i kushtëzuar: derisa edhe ata të emigrojnë në rrugën e Zotit. Nëse emigrojnë si muslimanët, edhe atyre u takon i njëjti trajtim me muslimanët. Kështu i trajtonte Profeti (a.s.) ata që emigruan në Medinë, pavarësisht a ishin besimtarë të vërtetë apo të shtirur. Nëse ata nuk emigrojnë drejt shtetit Islam dhe refuzojnë një gjë të tillë, atëherë:Por nëse refuzojnë, atëherë, kudo që t’i gjeni, kapini dhe vritini dhe mos i zini kurrë as si miq e as si mbështetës, -Pra, në çdo kohë, vend e rrethanë ata vriten dhe luftohen. Ky ajet është një nga argumentet që tregojnë se dispozita për ndalesën e luftës gjatë muajve të shenjtë është e shfuqizuar. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Ndërsa të tjerë thonë se tekstet fetare që tregojnë për luftë të pakufizuar ndaj mohuesve duhen parë në kontekstin reduktues dhe përjashtues të teksteve që tregojnë për respektimin e muajve të shenjtë dhe ndalimin e luftës në to. Pastaj Allahu i Lartësuar përjashton nga urdhri për t’u luftuar tri kategori njerëzish, dhe e para e tyre është:

90

إِلَّا ٱلَّذِينَ يَصِلُونَ إِلَىٰ قَوْمٍۭ بَيْنَكُمْ وَبَيْنَهُم مِّيثَٰقٌ أَوْ جَآءُوكُمْ حَصِرَتْ صُدُورُهُمْ أَن يُقَٰتِلُوكُمْ أَوْ يُقَٰتِلُوا۟ قَوْمَهُمْ ۚ وَلَوْ شَآءَ ٱللَّهُ لَسَلَّطَهُمْ عَلَيْكُمْ فَلَقَٰتَلُوكُمْ ۚ فَإِنِ ٱعْتَزَلُوكُمْ فَلَمْ يُقَٰتِلُوكُمْ وَأَلْقَوْا۟ إِلَيْكُمُ ٱلسَّلَمَ فَمَا جَعَلَ ٱللَّهُ لَكُمْ عَلَيْهِمْ سَبِيلًۭا

përpos atyre që janë strehuar te një popull me të cilin ju keni marrëveshje, ose atyre që kanë ardhë te ju, e u vjen rënd që të luftojnë kundër jush ose të luftojnë kundër popullit të vet. Sikur të kishte dashur Perëndia, do t’u kishte dhënë pushtet mbi ju, dhe ata do të luftonin kundër jush. Në qoftë se ata tërhiqen prej jush dhe nuk hyjnë në luftë kundër jush, e ju afrojnë paqe juve, atëherë për ju Perëndia nuk lë shtek që të luftoni kundër tyre.

Përveç atyre që strehohen te një popull me të cilin ju keni marrëveshje... -Ata të cilët kanë bërë pakt me shtetin që ka marrëveshje paqeje me muslimanët. Pra, edhe këta kanë të njëjtin gjykim me popullin që ka pakt paqeje me muslimanët: pasuria dhe jeta e tyre janë të ruajtura dhe të sigurta. Kategoria e dytë janë ata për të cilët Zoti thotë:...e përveç atyre që vijnë te ju, sepse u vjen rëndë të luftojnë kundër jush ose kundër popullit të vet. -Ata të cilët nuk ua lejon shpirti që të luftojnë muslimanët, por as popullin e vet, prandaj si rrugë të mesme zgjedhin neutralitetin mes dy palëve. Pra, edhe për këtë kategori Zoti ka urdhëruar që të mos i luftojmë. Ky qëndrim ka urtësi të shumta. Ja si thotë Allahu i Lartësuar:Sikur të donte Allahu, Ai do t’u jepte atyre fuqi e pushtet mbi ju, dhe kështu ata do t’ju luftonin. Në qoftë se ata tërhiqen, nuk ju luftojnë dhe ju ofrojnë paqe, atëherë Allahu nuk ju jep të drejtë kundër tyre. -Kuptimi: Mundësitë e veprimit të tyre janë tre:1. Të bashkohen me ju e të luftojnë kundër armiqve tuaj, mes të cilëve është edhe populli i tyre. Por kjo është thuajse e pamundur për t’u pranuar prej tyre.2. Të bashkohen me armiqtë tuaj dhe t’ju luftojnë juve, dhe kjo do të ishte një vështirësi e madhe.3. Të mos luftojnë as kundër jush, as kundër popullit të tyre, dhe kjo është zgjidhja e mesme dhe më e thjeshtë.Ju, o muslimanë, pranojeni këtë zgjidhje të tretë, që është e pranueshme dhe më e lehtë për ju. Allahu i Lartësuar është i Plotpushtetshëm që t’u mundësojë atyre edhe që t’ju luftojnë së bashku, prandaj pranojeni lehtësimin e ofruar prej Tij dhe falënderojeni Atë, që i ndaloi duart e tyre kundër jush. Ndërsa kategoria e tretë janë ata që synojnë thjesht të arrijnë qëllimet e popullit të vet, pa shfaqur mbështetje për muslimanët. Allahu i Lartësuar thotë për ta:

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.