Muslim99Muslim99
← Tafsir library

4. An-Nisaa

The Women · Medinan · 176 ayahs

سُورَةُ النِّسَاءِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 61–70 of 176

61

وَإِذَا قِيلَ لَهُمْ تَعَالَوْا۟ إِلَىٰ مَآ أَنزَلَ ٱللَّهُ وَإِلَى ٱلرَّسُولِ رَأَيْتَ ٱلْمُنَٰفِقِينَ يَصُدُّونَ عَنكَ صُدُودًۭا

Po kur t’u thuhet atyre: “Përvetësoni atë që ka shpallur Perëndia dhe Pejgamberi” i sheh hipokritët se si largohen krejtësisht prej teje.

Kur u thuhet atyre “Ejani te Shpallja që ka sjellë Allahu dhe tek i Dërguari!”, dyfytyrakët të kthejnë shpinën. -pra nuk pranojnë që të gjykojnë me ligjin e Zotit dhe traditën e Profetit të Tij.

62

فَكَيْفَ إِذَآ أَصَٰبَتْهُم مُّصِيبَةٌۢ بِمَا قَدَّمَتْ أَيْدِيهِمْ ثُمَّ جَآءُوكَ يَحْلِفُونَ بِٱللَّهِ إِنْ أَرَدْنَآ إِلَّآ إِحْسَٰنًۭا وَتَوْفِيقًا

Si do të jetë gjendja e tyre, kur t’i godas ata katasrofa, për ate që vetë kanë punuar, e të vijnë te ti, duke u betuar në Perëndinë, thonë: “Na kemi dashur vetëm të bëjmë mirësi dhe harmoni”.

Atëherë, si do të jetë gjendja e tyre kur t’i godasë gjëma, për shkak të veprave që kanë bërë vetë, me duart e tyre?Ata do të vinë tek ti e duke u betuar në Allahun(do të thonë): “Ne kemi dëshiruar veçse përmirësim e pajtim”. -Kuptimi: Mos do t’u bëjë dobi, vallë, fakti që vijnë tek ti dhe betohen se dëshirojnë veçse të mirën?! Patjetër që kjo është një gënjeshtër e pacipë e tyre, sepse e mira dhe e drejta gjenden vetëm në gjykimin me ligjin e Zotit dhe në nënshtrimin ndaj tij. E vetmja rrugë për të arritur mirësinë dhe drejtësinë është zbatimi i porosive të Zotit dhe të Profetit, e jo gjykimi sipas tagut-it. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “E cili është më i mirë se Allahu në gjykim, për një popull besimtar?” Por Allahu i Lartësuar, edhe pse ata shfajësohen dhe justifikohen me lloj-lloj arsyetimesh, e di se çfarë fshehin zemrat e tyre, prandaj thotë:

63

أُو۟لَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ يَعْلَمُ ٱللَّهُ مَا فِى قُلُوبِهِمْ فَأَعْرِضْ عَنْهُمْ وَعِظْهُمْ وَقُل لَّهُمْ فِىٓ أَنفُسِهِمْ قَوْلًۢا بَلِيغًۭا

Këta janë ata, për të cilët Perëndia di se ç’kanë në zemrat e tyre. Largohu prej tyre, (mos ua prano arsyetimet) e këshilloi ata dhe thuaju fjalë që kanë ndikim te ta.

Këta janë ata të cilëve Allahu ua di çfarë kanë në zemrat e tyre. Por ti rri larg tyre, por qortoji dhe thuaju fjalë që prekin zemrat. -Pra, i Gjithëdituri ua di qëllimet e zeza që fshehin në shpirt dhe hipokrizinë me të cilën janë mbushur. Ai na këshillon që të distancohemi prej tyre. Thjesht, mos u kushto rëndësi dhe shpërfilli ata! Megjithatë, përsëri këshilloji dhe qortoji, duke u treguar gjykimin e Zotit të Lartësuar, dhe nxiti për të punuar dhe për t’iu nënshtruar Atij. Gjithashtu, paralajmëroji për ndëshkimin që i pret nëse e braktisin gjykimin e Zotit. Ndoshta këshilloji veçmas për të vërtetën, se kështu është më mirë dhe ka më tepër mundësi të dalë me sukses. Ky ajet dëshmon se, edhe pse duhet të distancohesh prej atyre që bëjnë vepra të rënda, ata përsëri duhen këshilluar e qortuar fshehtas, që të arrihet qëllimi kryesor, pra, ndreqja dhe kthimi i tyre në rrugën e drejtë.

64

وَمَآ أَرْسَلْنَا مِن رَّسُولٍ إِلَّا لِيُطَاعَ بِإِذْنِ ٱللَّهِ ۚ وَلَوْ أَنَّهُمْ إِذ ظَّلَمُوٓا۟ أَنفُسَهُمْ جَآءُوكَ فَٱسْتَغْفَرُوا۟ ٱللَّهَ وَٱسْتَغْفَرَ لَهُمُ ٱلرَّسُولُ لَوَجَدُوا۟ ٱللَّهَ تَوَّابًۭا رَّحِيمًۭا

Dhe Na kemi dërguar pejgamber vetëm me qëllim, që njerëzit me lejen e Perëndisë t’u përulen atyre. E, kurdo që ata pas gabimit të bërë, të vinin te ti për të kërkuar falje te Perëndia dhe Pejgamberi t’i lutet Perëndisë për amnestimin e tyre, do të vërenin ata, se Perëndia, me të vërtetë, është pranues i pendimit dhe mëshirues.

Ne i kemi dërguar profetët që njerëzit, me lejen e Allahut, t’u binden atyre. -Ky kumt i Allahut të Lartësuar përmban në vetvete edhe porosinë për bindje ndaj Profetit të Zotit dhe pranim e zbatim të mësimeve të tij. Qëllimi i dërgimit të një profeti është që njerëzit t’i binden duke zbatuar porositë e Zotit. Njerëzit duhet të zbatojnë çdo urdhër të tijin, t’i largohen çdo ndalese të deklaruar nga ai, të jenë respektues dhe ta ndihmojnë rrugën e tij. Ky ajet tregon se profetët kanë qenë të ruajtur, prandaj kurrë nuk mund të gabonin në lidhje me Shpalljen hyjnore dhe përcjelljen e plotë dhe të saktë të saj, Ata kurrë nuk mund të gabonin me urdhrat dhe ndalesat e përcjella, sepse Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që t’u bindemi atyre. Nëse ata nuk do të ishin të ruajtur nga këto gabime dhe nëse do të kishte mundësi që ata të urdhëronin diçka të gabuar, atëherë Allahu i Lartësuar nuk do të na urdhëronte për t’iu bindur atyre. Për sa i përket shprehjes: “me lejen e Allahut”, ajo dëshmon se çdo gjë ndodh me gjykimin dhe caktimin e Allahut. Ata që iu bindën profetëve, iu bindën sepse kështu qe gjykimi dhe caktimi i Allahut. Ky ajet është gjithashtu një nxitje për të kërkuar gjithmonë ndihmën e Allahut, që të na bëjë të bindur ndaj Profetit dhe pasues të rrugës së tij. Vetëm nëse Allahu të ndihmon, mund t’i bindesh Profetit dhe të pasosh rrugën e drejtë. Pastaj Allahu i Lartësuar flet për bujarinë, mirësinë dhe mëshirën e Tij të madhe ndaj atyre që kanë bërë gjynahe, nëse ata pendohen dhe nëse i kërkojnë falje Atij. Ai thotë:E sikur ata(hipokritët), pas padrejtësive që i bënë vetes së tyre, të vinin tek ti(o Muhamed)e t’i kërkonin falje Allahut, dhe i Dërguari të kërkonte falje(tek Allahu)për ta, ata do ta njihnin Allahun si Pranues të pendimit dhe Mëshirëplotë.” -Pra, nëse ata i pranojnë gjynahet e tyre dhe u vjen keq për to, dhe pastaj i kërkojnë falje Allahut të Lartësuar, Ai do t’ua pranojë pendimin, duke ua falur dhe mbuluar gabimet. Kështu, Ai i mëshiron fillimisht me suksesin që u jep për t’u penduar dhe, së dyti, duke ua pranuar pendimin dhe duke iu dhuruar shpërblim. Ndërsa për sa i përket vajtjes te Profeti (a.s.), që ai t’i kërkojë falje Allahut të Lartësuar për gjynahet e tua, kjo ishte e lejueshme atëherë kur ai ishte në këtë dynja. Këtë e tregon qartë konteksti i ajetit. Pra, të shkosh e t’i kërkosh Profetit (a.s.) që ai t’i lutet Allahut për faljen e gjynaheve të tua është një veprim që mund të mendohej veçse gjatë kohës kur Profeti (a.s.) ishte gjallë, sepse tani që ai nuk është më në këtë botë nuk lejohet të kërkosh asgjë prej tij. Madje, ky veprim është një formë shirk-u, pasi ti i je lutur dikujt tjetër veç Allahut.

65

فَلَا وَرَبِّكَ لَا يُؤْمِنُونَ حَتَّىٰ يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيْنَهُمْ ثُمَّ لَا يَجِدُوا۟ فِىٓ أَنفُسِهِمْ حَرَجًۭا مِّمَّا قَضَيْتَ وَيُسَلِّمُوا۟ تَسْلِيمًۭا

Betohem në Zotin tënd, se ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, përderisa mos të marrin ty për arbitër, për ato konflikte që ekzistojnë ne mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dëshprimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.

Për Zotin tënd, jo. Ata nuk janë besimtarë, përderisa nuk të zgjedhin ty për të gjykuar në konfliktet mes tyre,... -Allahu i Lartësuar betohet në Veten e Vet, se njerëzit nuk do të jenë kurrë besimtarë derisa për çdo çështje të tyre të gjykojnë me ligjin e Tij, të sjellë prej Profetit (a.s.). Pra, për çdo rast kundërshtish, është detyrë që ne t’i kthehemi Librit të Zotit dhe Traditës së Profetit (a.s.)....dhe pastaj të mos ndiejnë kurrfarë pakënaqësie nga gjykimi yt, por të të binden sinqerisht. -Pra, përveç që duhet të mbështetemi në gjykimin e Zotit dhe të Profetit (a.s.), ne nuk duhet që të ndiejmë pakënaqësi më mbrapa. Me fjalë të tjera, jo vetëm që duhet të gjykojmë me ligjin e Zotit, por edhe duhet të kënaqemi plotësisht me të. Në fakt, këtu kemi të bëjmë me tri grada të besimit:1. Kur gjykojmë me ligjin e Zotit, jemi në gradën e islamit.2. Kur nuk ndiejmë pakënaqësi pas këtij gjykimi, tregon se jemi në gradë të imanit.3. Gjetja e qetësisë, prehjes dhe kënaqësisë me ligjin e Zotit dhe zbatimi haptaz i tij tregon se jemi në gradën e ihsanit.Kush i arrin të tria gradat, e ka besimin të plotë. Kush e braktis gjykimin e Zotit dhe nuk e pranon atë, ai është qafir. Ndërsa kush nuk e zbaton atë, por e pranon si ligj të Zotit dhe e njeh detyrimin për zbatimin e tij, ai është gjynahqar.

66

وَلَوْ أَنَّا كَتَبْنَا عَلَيْهِمْ أَنِ ٱقْتُلُوٓا۟ أَنفُسَكُمْ أَوِ ٱخْرُجُوا۟ مِن دِيَٰرِكُم مَّا فَعَلُوهُ إِلَّا قَلِيلٌۭ مِّنْهُمْ ۖ وَلَوْ أَنَّهُمْ فَعَلُوا۟ مَا يُوعَظُونَ بِهِۦ لَكَانَ خَيْرًۭا لَّهُمْ وَأَشَدَّ تَثْبِيتًۭا

E sikur Na t’i urdhëronim ata: “Vritni veten!” ose “Shpërnguluni nga atdheu juaj!” – pak prej tyre do ta bënin këtë. E sikur të punonin ata siç këshilloheshin, kjo për ata do të ishte më mirë dhe do të ishin më të fortë në besim,

Sikur Ne t’i urdhëronim ata të flijonin veten, ose të linin shtëpitë e tyre, shumë pak prej tyre do ta bënin këtë. -Allahu i Lartësuar na tregon se, nëse do të na ngarkonte me përgjegjësi të vështira, siç janë lufta apo lënia e pasurive dhe e vendeve tona, atëherë, përveç një pakice, askush nuk do t’i bindej dhe nuk do të arrinte t’i kryente këto detyrime. Kështu, kjo është një nxitje për të falënderuar, lavdëruar dhe treguar mirënjohje ndaj Allahut të Lartësuar për lehtësimin e fesë, të cilën na e ka ngarkuar ta zbatojmë. Kjo është një fe e thjeshtë dhe e mundshme të zbatohet nga çdokush. Ky ajet tregon se, kur besimtari sheh gjendjen e tij të mirë dhe veprat e tij prej adhuruesi, dhe pastaj sheh veprat dhe gjendjen e të humburve, që janë jashtë rruge, ai duhet t’i jetë mirënjohës për këtë Zotit të Lartësuar.Sikur të vepronin ashtu siç këshilloheshin, kjo do të kishte qënë më e mira për ta dhe një përforcim më i madh (në besimin e tyre). -Pra, nëse njerëzit do të zbatonin porositë e Zotit, në çdo kohë e gjendje dhe me vullnet të plotë e dëshirë për t’i kryer në formën më të plotë të mundshme, atëherë shpirtrat e tyre do të ishin të sigurt. Njeriu duhet të përqendrohet tërësisht në çështjet e rëndësishme nëpërmjet të cilave kryhet dhe arrihet adhurimi i Zotit dhe zbatimi i porosive të Tij, si dhe të shpenzojë të gjitha aftësitë e veta për t’i përkryer ato, sepse në varësi të përpjekjeve të sinqerta në këto drejtime, atij i janë premtuar shumë mirësi. Mirësitë e Zotit nuk mund të arrihen me dembelizëm. Shih se çfarë u premtohet të sinqertëve dhe punëtorëve të palodhur, që përpiqen maksimalisht për të plotësuar porositë e Zotit të tyre: Së pari, “kjo do të kishte qënë më e mira për ta”, domethënë, do të jenë prej vepërmirëve, sepse kanë cilësitë, fjalët dhe veprat që i karakterizojnë të mirët, të cilët u binden urdhrave dhe u largohen ndalesave. Po ashtu, ata nuk kanë cilësitë e të këqijve, sepse kur dikush ka cilësi të mira, kjo tregon se është i ruajtur nga të kundërtat e tyre. Së dyti, “dhe njëpërforcim më i madh (në besimin e tyre)”. Pra, për ta premtohet përqendrim dhe forcim në fenë e Zotit. Për shkak të veprave të mira, Allahu i Lartësuar ua përforcon edhe më shumë besimin dhe i ndihmon që të jenë të përqendruar në rrugën e drejtë. Besimtarët i zbatojnë porositë e Zotit dhe të Profetit të Tij, prandaj ata forcohen në jetën e kësaj bote që të jenë të qëndrueshëm në besim edhe kur goditen nga sprovat. Në çdo kohë dhe çdo gjendje, me ndihmën e Zotit të tyre, ata do të jenë plotësisht të durueshëm për të zbatuar urdhrat, për t’iu larguar ndalesave, si dhe për t’i qëndruar si besimtarë në momente sprovash. Edhe në fatkeqësi, ata shprehin kënaqësinë me caktimin e Zotit. Ata i ndihmon Zoti që të vazhdojnë në këtë rrugë, e pastaj të shpërblehen me të mira e të shpëtojnë nga të këqijat, për shkak të besimit dhe përpjekjeve të tyre për të punuar dhe jetuar sipas këtij besimi. Madje, kjo ndihmë nuk vjen vetëm në jetën e dynjasë. Ajo do t’u jepet besimtarëve edhe në momentin e vdekjes, por edhe në varr, kur të merren në pyetje. Gjithashtu, nëse robi përpiqet vazhdimisht që të jetojë dhe punojë sipas porosive të Zotit të tij, kjo sjellje do t’i …

67

وَإِذًۭا لَّءَاتَيْنَٰهُم مِّن لَّدُنَّآ أَجْرًا عَظِيمًۭا

e atëherë, Na, padyshim, do t’u jepnim shpërblim të madh nga ana Jonë.

Atëherë, Ne, do t’u jepnim atyre shpërblim të madh nga ana Jonë... -Allahu i Lartësuar premton për ata që punojnë maksimalisht dhe sinqerisht për të plotësuar porositë e Tij se do t’u japë një shpërblim të madh. Ky shpërblim do t’u jepet në dynja dhe në ahiret, i tillë që të kënaqet jo vetëm trupi, por edhe shpirti. Sigurisht që shpërblimi në Xhenetin e përjetësisë është më i mrekullueshëm. Atje ka gjëra që syri nuk i ka parë, që veshi nuk i ka dëgjuar dhe që zemra nuk i ka menduar e ëndërruar.

68

وَلَهَدَيْنَٰهُمْ صِرَٰطًۭا مُّسْتَقِيمًۭا

dhe me siguri do t’i çonim në rrugë të drejtë.

...dhe do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë. -Këtu Allahu i Lartësuar thekson edhe një herë se atyre që punojnë dhe përpiqen për të zbatuar porositë e Tij, Ai do t’ua forcojë udhëzimin në rrugën e drejtë. Kjo tregon se sa rëndësi ka të jesh i udhëzuar në rrugën e drejtë. Për Zotin, kjo është mirësia më e madhe që Ai u ka dhuruar besimtarëve. Nuk ka mirësi më të madhe sesa Zoti të të udhëzojë në rrugën e drejtë, që ta adhurosh sipas mënyrës që Ai e dëshiron dhe kënaqet. Kjo rrugë e drejtë është e ndërtuar mbi dije të saktë, të vërtetë e të sigurt, mbi dashurinë për Allahun e Lartësuar dhe për adhurimin e Tij. Pasuesit e kësaj rruge ndihmohen nga Allahu i Lartësuar për t’i dhënë përparësi çdo gjëje që e kënaq Atë. Lumturia dhe shpëtimi nga çdo e keqe janë të kushtëzuara vetëm me pasimin e kësaj rruge të drejtë. Kush është udhëzuar në rrugën e drejtë, atij i është dhënë e gjithë mirësia dhe është shpëtuar nga çdo e keqe. Në përfundim, e lus Allahun të na ndihmojë që t’i bindemi dhe që të zbatojmë porositë e Tij!

69

وَمَن يُطِعِ ٱللَّهَ وَٱلرَّسُولَ فَأُو۟لَٰٓئِكَ مَعَ ٱلَّذِينَ أَنْعَمَ ٱللَّهُ عَلَيْهِم مِّنَ ٱلنَّبِيِّۦنَ وَٱلصِّدِّيقِينَ وَٱلشُّهَدَآءِ وَٱلصَّٰلِحِينَ ۚ وَحَسُنَ أُو۟لَٰٓئِكَ رَفِيقًۭا

Kush i bindet Perëndisë dhe Profetit (në dispozitt e urdhëruara), ai do të jetë me ata të cilëve, Perëndia u ka dhënë shumë dhunti: me pejgamberët, me të drejtët, me dëshmorët dhe me njerëzit (tjerë) të mirë! E sa shokë të mrekullueshëm janë këta!

Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata, të cilëve Allahu u ka dhuruar mirësi të shumta - me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me vepërmirët. Sa shokë të mirë janë ata! -Çdokush që i bindet Allahut dhe Profetit të Tij, qoftë mashkull apo femër, do të jetë së bashku me ata të cilët Allahu i begatoi me plot të mira. Por cilët janë ata që Zoti i ka begatuar me shumë të mira? Ata janë, së pari, profetët, të cilët Zoti i privilegjoi me Shpalljen, duke i bërë udhërrëfyes të njerëzimit për në rrugën e Zotit. Pastaj janë siddikun-ët, domethënë të sinqertët ose të vërtetët, të cilët kanë besuar plotësisht, pa as më të voglin dyshim, gjithçka që kanë predikuar profetët. Ata e kanë njohur të vërtetën, e kanë pranuar, pohuar dhe besuar atë, kanë punuar dhe jetuar sipas këtij besimi dhe, pasi e kanë plotësuar veten, kanë ftuar edhe të tjerët në rrugën e lumturisë. Më pas vijnë dëshmorët, ata të cilët kanë luftuar dhe janë përpjekur në rrugën e Zotit, që të lartësohet fjala dhe feja e Tij, dhe që kanë dhënë jetën për këtë qëllim të lartë. Të tjerët janë vepërmirët, pra, ata të cilët kanë punuar në zbatim të porosive të Zotit dhe të Profetit. Fjalët dhe veprat e tyre janë të mira sepse bazohen në këto porosi dhe kryen me sinqeritet vetëm për të kënaqur Zotin. Si përfundim, çdokush që i bindet Allahut dhe Profetit në kryerjen e urdhrave dhe largimin nga ndalesat, ka premtimin se do të jetë i nderuar duke qenë bashkë me të gjithë të lartpërmendurit.

70

ذَٰلِكَ ٱلْفَضْلُ مِنَ ٱللَّهِ ۚ وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ عَلِيمًۭا

Kjo dhunti është nga Perëndia, e mjafton që Perëndia është dijtës i çdo gjëje.

Ky është shpërblimi që vjen prej Allahut -Pra, shoqërimi me ta në Xhenet do të jetë një lumturi e madhe. Atje do të qëndrojnë përjetësisht pranë Zotit të botëve. Kjo është një dhuratë pikërisht nga Zoti i Lartësuar. Është Ai që u jep sukses dhe i ndihmon që të jenë të tillë dhe, pas kësaj, u dhuron shpërblim të shumëfishuar nga bujaria dhe mëshira e Tij, shpërblim të cilin kurrë nuk do ta arrinin me punën e tyre.dhe mjafton që Allahu Di gjithçka. -Kjo është një këshillë dhe nxitje që të përpiqemi maksimalisht për plotësimin e porosive të Zotit, në mënyrë që Ai të na përforcojë në këtë rrugë. Allahu i Lartësuar është i Gjithëditur dhe i Urtë. Ai e di se cilët meritojnë shpërblim të madh, domethënë se cilët punojnë të mbështetur në dije dhe në fe të saktë dhe cilët punojnë me sinqeritet, për të kënaqur Krijuesin e tyre.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.