Muslim99Muslim99
← Tafsir library

4. An-Nisaa

The Women · Medinan · 176 ayahs

سُورَةُ النِّسَاءِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 51–60 of 176

51

أَلَمْ تَرَ إِلَى ٱلَّذِينَ أُوتُوا۟ نَصِيبًۭا مِّنَ ٱلْكِتَٰبِ يُؤْمِنُونَ بِٱلْجِبْتِ وَٱلطَّٰغُوتِ وَيَقُولُونَ لِلَّذِينَ كَفَرُوا۟ هَٰٓؤُلَآءِ أَهْدَىٰ مِنَ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ سَبِيلًا

A nuk i ke parë ata, të cilëve u është dhënë një pjesë e Librit? Besojnë në statuja dhe në të këqija dhe ju thanë mohuesve: “Këta janë në rrugë më të drejtë se ata që besojnë (muslimanët)”.

A nuk i ke parë ata të cilëve u është dhënë pjesë nga Libri? Ata besojnë në idhuj dhe zota të trilluar... -Këto janë disa cilësi të shëmtuara dhe të turpshme të çifutëve. Ato janë tregues të qartë të smirës së tyre ndaj Profetit (a.s.) dhe besimtarëve. Cilësitë e tyre të ulta dhe natyra e tyre e pisët i shtynë që të braktisnin besimin në Zotin dhe në Profetin e Tij, për të përqafuar besimin në tagut. Fjala ‘tagut’ përfshin shumë padrejtësi dhe krime siç janë: magjia, falli, idhujtaria, bindja ndaj shejtanit etj. Kufri dhe smira e tyre i çoi deri atje sa të thonë që rruga e adhuruesve të idhujve është më e mirë se rruga e njësuesve të Zotit, pra, e muslimanëve të sinqertë:…dhe thonë për jobesimtarët: “Këta janë në rrugë më të drejtë se ata(besimtarët). -Ata thanë të tilla fjalë, për shkak të urrejtjes së tyre ndaj besimit të drejtë dhe besimtarëve, prandaj u bënë aleatë me idhujtarët. Subhanallah, sa e madhe ka qenë smira dhe mendjelehtësia e tyre! Sa e vogël ka qenë mendja e tyre! Si është e mundur që ndoqën këtë rrëpirë të errët dhe këtë arsye të vdekur! Vallë, mos menduan se kjo do të ishte e pranueshme për të mençurit? Apo mos menduan se mund të kishte rezultat me injorantët? Si arritën të parapëlqenin një fe të ndërtuar mbi adhurimin e idhujve, që i ndalonte njerëzit nga çdo gjë e mirë dhe e pastër e u bënte të lejueshme çdo gjë të pisët dhe të dëmshme, që marrëdhëniet ndërnjerëzore i ndërtonte mbi padrejtësinë dhe paturpësisht vendoste shenjën e barazimit mes krijesës dhe Krijuesit, një fe kjo e ndërtuar mbi mohimin e Zotit dhe të profetëve të Tij! Si mund të parapëlqesh një fe të tillë kundrejt adhurimit të Rrahmanit, kundrejt sinqeritetit të plotë me Allahun dhe mohimit të çdo lloj adhurimi tjetër?! Si mund të parapëlqesh një besim të tillë kundrejt një feje që urdhëron për ruajtjen e lidhjeve farefisnore dhe për bamirësi ndaj krijesave, madje edhe ndaj kafshëve dhe bimëve, kundrejt një feje që urdhëron për drejtësi e barazi të njerëzve para ligjit dhe ndalon nga çdo ligësi dhe padrejtësi, kundrejt një feje që urdhëron për sinqeritet dhe vërtetësi në çdo fjalë e vepër?! Si mund të gabosh në një përzgjedhje të tillë?! Kush e bën një zgjidhje të tillë është ose njeriu më injorant dhe i mangët në logjikën e tij, ose njeriu më armiqësor, rebel dhe urryes i së vërtetës. Me sa duket, kjo e dyta është e vërteta. Më tej, i Lartësuari thotë:

52

أُو۟لَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ لَعَنَهُمُ ٱللَّهُ ۖ وَمَن يَلْعَنِ ٱللَّهُ فَلَن تَجِدَ لَهُۥ نَصِيرًا

Këta janë ata që i ka mallkuar Perëndia, e atë që e mallkon Perëndia për te nuk gjendet ndihmëtar.

Këta janë ata, të cilët Allahu i ka mallkuar dhe atij që e mallkon Allahu nuk i gjendet kurrë ndihmëtar. -Allahu i Lartësuar i ka dëbuar ata nga mëshira e Tij, për të lëshuar mbi ta zemërimin e Tij. Për ata që i ka mallkuar Zoti, nuk ka më ndihmëtar që mund t’i lehtësojë të arrijnë ndonjë mirësi apo që ta ruajnë nga ndonjë fatkeqësi. Ky është një poshtërim shumë i madh.

53

أَمْ لَهُمْ نَصِيبٌۭ مِّنَ ٱلْمُلْكِ فَإِذًۭا لَّا يُؤْتُونَ ٱلنَّاسَ نَقِيرًا

A do të kenë ata (Hebrenjt) ndonjë pjesë të pushtetit? Atëherë (sikur të kishin pushtet), nuk do t’i jepnin njerëzve as sa puçërza e bërthamës.

A mos kanë ata ndonjë pjesë në sundim dhe pushtet? Nëse do të ishte kështu, ata nuk do t’u jepnin njerëzve as një nakir (cipa mbështjellëse e bërthamës së hurmës.)” -Mos vallë, ata kanë pjesë në sundimin dhe pushtetin e Zotit dhe, në këtë mënyrë, të mund të japin dhe privojnë nga mirësitë e Zotit, sipas dëshirave të tyre?! Kjo është një pyetje së cilës i dihet përgjigjja. Ata sigurisht që nuk kanë pjesë në pushtetin dhe sundimin e Zotit, sepse i gjithë pushteti dhe sundimi i takon vetëm Atij dhe askush nuk vepron në mbretërinë e Zotit pa lejen e Tij. Por Allahu i Lartësuar na tregon se, nëse do të ishte ashtu, me ngushtësinë e shpirtrave të tyre, ata nuk do t’u jepnin njerëzve as edhe gjënë më të vogël. Aq e madhe është koprrracia e tyre, saqë edhe po të kishin pjesë në sundimin e Zotit, përsëri nuk do të jepnin gjë!

54

أَمْ يَحْسُدُونَ ٱلنَّاسَ عَلَىٰ مَآ ءَاتَىٰهُمُ ٱللَّهُ مِن فَضْلِهِۦ ۖ فَقَدْ ءَاتَيْنَآ ءَالَ إِبْرَٰهِيمَ ٱلْكِتَٰبَ وَٱلْحِكْمَةَ وَءَاتَيْنَٰهُم مُّلْكًا عَظِيمًۭا

A mos (vallë) u kanë zili njerëzve, në ato që ua ka dhuruar Perëndia nga të mirat e veta? Na u kemi dhënë breznive të Ibrahimit Librin e dijeninë e plotë dhe u kemi dhënë pushtet të madh.

Apo mos i kanë zili njerëzit për çfarë u ka dhuruar Allahu nga mirësitë e Tij? -Çifutët dhe të krishterët e mohuan Muhamedin (a.s.) dhe nuk e pranuan që Zoti i dhuroi edhe atij profetësinë, sikurse të gjithë vëllezërve të tij profetë. Vallë, a mos i shtyu pretendimi se ata janë pjesëtarë në pushtetin e Zotit, dhe prandaj mirësitë u jepen vetëm atyre që ata i mendojnë si të denjë?! Apo kjo ishte thjesht një smirë nga ana e tyre për faktin që Allahu i Lartësuar zgjedh kë të dëshirojë prej krijesave të Tij për ta nderuar me profetësi?! Sigurisht që qëndron e dyta, dhe kjo nuk ishte hera e parë që ata shfaqnin të tilla cilësi të dënueshme. Po përse duhej të kishin smirë ndaj përzgjedhjes së Zotit? A nuk e dinin ata se nuk ishte hera e parë që Zoti shquante disa njerëz mbi disa të tjerë? I Lartësuari thotë:Ne u dhamë pasardhësve të Ibrahimit Librin e Urtësinë, si edhe pushtet të madh. -Allahu i Lartësuar i dhuroi Ibrahimit (a.s.) dhe pasardhësve të tij shumë mirësi, më të mëdhatë e të cilave ishin profetësia, Shpallja hyjnore, urtësia dhe pushteti. Prej Ibrahimit (a.s.) rodhën profetët e botës dhe sunduesit e saj, siç ishin Daudi dhe Sulejmani. Megjithatë, mirësitë e Zotit janë ende të vazhdueshme për robërit e Tij besimtarë. Si mund të mohohet mirësia e Zotit, pra, Muhamedi (a.s.), si dhe ndihma e pushteti që Zoti i dhuroi atij. Muhamedi ishte krijesa më e mirë që zgjodhi Zoti për Shpalljen e fundit. Ai mbetet njeriu më i madh dhe më i ditur rreth Zotit dhe adhuruesi më i përulur i Tij.

55

فَمِنْهُم مَّنْ ءَامَنَ بِهِۦ وَمِنْهُم مَّن صَدَّ عَنْهُ ۚ وَكَفَىٰ بِجَهَنَّمَ سَعِيرًا

Disa prej tyre besuan në të, e disa nga ata iu shmangën atij. Për ata mjafton xhehennemi përcëllues.

Disa prej tyre e besuan atë(Muhamedin a.s.), e disa e mohuan. -Në raport me Profetin e fundit, njerëzit u ndanë në dy grupe: disa i besuan Muhamedit (a.s.) dhe ndoqën Shpalljen e tij, për të fituar në këtë mënyrë lumturinë e vërtetë në dynja dhe në ahiret, dhe disa e mohuan Muhamedin (a.s.) dhe refuzuan të pasonin Shpalljen që Zoti i dhuroi atij, nga armiqësia, urrejtja dhe smira që kishin. Këta të mjerë merituan dëshpërimin që në këtë jetë, para atij që nuk do të ketë fund. Dënimi që i pret është i dhembshëm. Allahu i Lartësuar thotë:Mjafton për këta të fundit zjarri i Xhehenemit i ndezur fort. -Zjarri do përpijë brenda tij të gjithë ata që e kanë mohuar Zotin dhe s’kanë pranuar të pasojnë profetët e Tij. Ky është një kërcënim i hapur për çifutët, të krishterët dhe të gjithë ata që mohojnë Shpalljen e fundit, Shpalljen që Zoti i zbriti Muhamedit (a.s.). Kjo përforcohet më tepër në ajetin vijues:

56

إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ بِـَٔايَٰتِنَا سَوْفَ نُصْلِيهِمْ نَارًۭا كُلَّمَا نَضِجَتْ جُلُودُهُم بَدَّلْنَٰهُمْ جُلُودًا غَيْرَهَا لِيَذُوقُوا۟ ٱلْعَذَابَ ۗ إِنَّ ٱللَّهَ كَانَ عَزِيزًا حَكِيمًۭا

Ata që s’besojnë në dokumentat Tona, Na padyshim, do t’i djegim në zjarr. Kurdo që t’u digjet lëkura e tyre, Na do t’ua ndërrojmë me lëkurë tjetër, për të përjetuar dënimin (përsëri). Me të vërtetë, Perëndia është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.

Nuk ka dyshim se ata që kanë mohuar Argumentet Tona, do t’i flakim në Zjarr. Sa herë që do t’u digjet një lëkurë, Ne do t’ua zëvendësojmë me lëkurë tjetër, që ta shijojnë mirë dënimin. -Allahu i Plotfuqishëm dhe i Drejtë i kërcënon me një zjarr të madh dhe të ndezur fort ata që shpërfillin dhe i refuzojnë Shpalljet e Tij. Në atë zjarr, sa herë që lëkura e tyre të digjet, Allahu i Plotpushtetshëm do t’ua zëvendësojë me lëkurë tjetër, me qëllim që ta ndiejnë dhimbjen pa ndërprerje. Ashtu sikurse ata refuzojnë vazhdimisht, me inat dhe kokëfortësi, ftesën e Allahut për besim dhe për bindje ndaj Profetit të Tij në këtë dynja, ashtu Allahu i bën të shijojnë pandërprerë dënimin e hidhur. Ata e meritojnë këtë ndëshkim, se Zoti nuk i bën padrejtësi askujt. Më pas, i Lartësuari thotë:Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë. -Ai është i Plotfuqishmi, të Cilit duhet t’i frikësohesh dhe të respektosh urdhrat dhe ndalesat e Tij. Ai është i Urti në çdo gjë që ka krijuar e urdhëruar, në çdo shpërblim dhe ndëshkim që jep për krijesat e Tij. Askush nuk mund të kundërshtojë apo të vërë në dyshim urtësinë e Tij.

57

وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ سَنُدْخِلُهُمْ جَنَّٰتٍۢ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَٰرُ خَٰلِدِينَ فِيهَآ أَبَدًۭا ۖ لَّهُمْ فِيهَآ أَزْوَٰجٌۭ مُّطَهَّرَةٌۭ ۖ وَنُدْخِلُهُمْ ظِلًّۭا ظَلِيلًا

E, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, Na do t’i shpiem në kopshte – në të cilat rrjedhin lumenjt; ata do të banojnë në to (xhennete) vazhdimisht e përgjithmonë. Ata do të kenë në to bashkëshorte të pastra dhe Na do t’i shpiem ata në hije të dendura.

Por ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, Ne do t’i fusim në Kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë të përjetshëm. -Për ata që besojnë Allahun dhe që bëjnë vepra të mira sipas këtij besimi të drejtë, për ata ka një tjetër premtim.Atje do të kenë edhe bashkëshorte të pastra e hije të mrekullueshme. -Ato janë gra të pastra nga çdo cilësi e keqe, larg çdo shëmtie dhe mangësie. Ato janë të ruajtura nga çdo papastërti që kanë zakonisht gratë e dynjasë. Besimtarët do të jenë të qetë, të lumtur dhe të përjetshëm, nën hije të këndshme.

58

۞ إِنَّ ٱللَّهَ يَأْمُرُكُمْ أَن تُؤَدُّوا۟ ٱلْأَمَٰنَٰتِ إِلَىٰٓ أَهْلِهَا وَإِذَا حَكَمْتُم بَيْنَ ٱلنَّاسِ أَن تَحْكُمُوا۟ بِٱلْعَدْلِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ نِعِمَّا يَعِظُكُم بِهِۦٓ ۗ إِنَّ ٱللَّهَ كَانَ سَمِيعًۢا بَصِيرًۭا

Perëndia ju urdhëron që detyrat e besueshme t’ua besoni atyre që janë të denjë për to dhe kur të gjykoni në mes njerëzve – gjykoni drejt; Perëndia, në të vërtetë, ju këshillon mrekullueshëm. E, Perëndia me të vërtetë dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët!

Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin... -‘Amanet’ quhet çdo punë dhe përgjegjësi me të cilën njeriu ngarkohet për ta kryer dhe për ta plotësuar. Kështu, Allahu i Lartësuar na urdhëron që t’i plotësojmë detyrat me të cilat jemi ngarkuar; pra, t’i kryejmë ato në formën më të plotë dhe më të mirë, pa cenuar gjë dhe pa i vonuar nga koha e tyre. Amanetet që merr njeriu përsipër janë të natyrave të ndryshme, por ne jemi të urdhëruar që të gjitha ato t’i çojmë në vend, ashtu sikurse na është ngarkuar. Edhe nëse nuk na sheh kush, të jemi të sigurt që Zoti na sheh dhe do të na marrë në përgjegjësi për to. Dijetarët thonë se, nëse dikujt i lihet një amanet për ta ruajtur, ai e ka detyrë ta ruajë atë, duke marrë masat e nevojshme, që merren zakonisht në të tilla raste. Veçse në këtë mënyrë mund të thuhet se e kemi kryer detyrën....dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni me drejtësi. -Por me çfarë drejtësie jemi urdhëruar që të gjykojmë? Vallë, a mos caktohet ajo nga oreksi dhe arsyetimi i njerëzve? Jo! Drejtësi është vetëm ajo që Zoti e ka përcaktuar si të tillë në Shpalljen e sjellë nëpërmjet Profetit të Tij. Në Kur’ân dhe në Traditën e Profetit të Tij, Allahu i Lartësuar ka vendosur ligjet që mbrojnë pesë domosdoshmëritë: fenë, jetën, mendjen, nderin dhe pasurinë. Por që të gjykojmë me drejtësi, duhet që fillimisht t’i njohim këto ligje të Zotit. Pra, ajeti është së pari një nxitje për njohjen e ligjeve të Zotit, që pastaj të bëhet i mundur gjykimi i drejtë. Nuk mund të ketë drejtësi pa dije dhe pa frikë ndaj Zotit. Urdhrat dhe ligjet e Zotit janë të mrekullueshëm, siç thotë Ai:Vërtet, sa të mrekullueshëm janë urdhrat që ju jep Ai! Allahu dëgjon dhe sheh si veproni. -Allahu i Lartësuar lëvdon urdhrat dhe ndalesat e Tij, sepse ato përmbajnë udhëzimin e plotë dhe të vetmin që u siguron njerëzve lumturinë dhe që i ruan ata nga çdo e keqe në të dyja jetët. E si të jetë ndryshe, kur Ai që i caktoi ato është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi, të Cilit nuk i fshihet asgjë dhe i Cili e di shumë mirë se cila është e mira dhe e keqja për krijesat?! Ai di atë që ata nuk e dinë.

59

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓا۟ أَطِيعُوا۟ ٱللَّهَ وَأَطِيعُوا۟ ٱلرَّسُولَ وَأُو۟لِى ٱلْأَمْرِ مِنكُمْ ۖ فَإِن تَنَٰزَعْتُمْ فِى شَىْءٍۢ فَرُدُّوهُ إِلَى ٱللَّهِ وَٱلرَّسُولِ إِن كُنتُمْ تُؤْمِنُونَ بِٱللَّهِ وَٱلْيَوْمِ ٱلْءَاخِرِ ۚ ذَٰلِكَ خَيْرٌۭ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلًا

O besimtarë! – përuljuni Perëndisë. Dhe përuljuni Profetit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë gjë (ju dhe ata që udhëheqin punët tuaja), paraqitjani Perëndisë (Kur’anit) dhe Profetit, thëniet dhe veprat e tij, nëse besoni Perëndinë dhe Ditën e Kijametit. Kjo për ju është më së miri dhe ky është komentimi më i bukur.

O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe udhëheqësve tuaj! -Allahu i Lartësuar na urdhëron që t’i bindemi dhe t’i nënshtrohemi, duke zbatuar porositë e Tij dhe të Profetit të Tij. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar na urdhëron që të jemi të bindur edhe ndaj udhëheqësve. Këtu bëhet fjalë për udhëheqës shteti dhe udhëheqës feje. Që çështjet e kësaj bote dhe feja e njerëzve të jenë të stabilizuara dhe të rregullta, njerëzit duhet të tregojnë bindje ndaj udhëheqësve të tyre, në emër të bindjes ndaj Allahut dhe për shpërblimin që Ai premton. Megjithatë, bindja ndaj udhëheqësve ka si kusht që ata të mos urdhërojnë për gjynahe dhe mosbindje ndaj Allahut. Nëse ata urdhërojnë për diçka që Zoti e ka ndaluar, atëherë thuhet se nuk ka bindje ndaj krijesës duke kundërshtuar Krijuesin. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, Allahu i Lartësuar nuk e përsërit foljen “bindjuni” për herë të tretë, por thotë: “Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe përgjegjësve tuaj!” Profeti ka urdhëruar veçse për drejtësi dhe bindje ndaj Allahut të Lartësuar, prandaj ai që i bindet Profetit i është bindur Allahut. Ndërsa ndaj një udhëheqësi, për sa kohë që ai i bindet Allahut dhe Profetit dhe urdhëron për bindje ndaj Allahut dhe Profetit, është detyrë që të tregojmë bindje. Në të kundërt, nëse urdhrat e tij cenojnë bindjen ndaj Allahut dhe Profetit, atëherë nuk ka bindje ndaj tij.Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë tek Allahu dhe tek i Dërguari, nëse vërtet e besoni Allahun dhe Ditën e Fundit! Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë. -Allahu i Lartësuar na udhëzon se si të veprojmë në raste polemikash dhe kundërshtish për çështjet themelore apo dytësore të fesë. Në të tilla raste, pra, është detyrë që ne t’i kthehemi Librit të Allahut dhe Traditës së Profetit (a.s)Në Kur’ân dhe në Sunet gjenden udhëzimet e qarta për çdo mospajtim. Në fakt, udhëzimet në këto dy burime janë të natyrave të ndryshme. Ato mund të jenë krejt të kuptueshme, por ndonjëherë mund të jenë në mënyrë përgjithësuese, ndonjëherë si shenja që na drejtojnë drejt së mirës, ndonjëherë si krahasime për të gjetur gjykimin në raste të ngjashme etj. Libri i Zotit dhe Tradita e Profetit të Tij janë themelet e fesë së Zotit, pa të cilët nuk mund të thuhet se jemi në rrugë të drejtë. Mbështetja në Librin e Zotit dhe në Traditën e Profetit (a.s)është kusht i domosdoshëm për besimin, prandaj Allahu i Lartësuar thotë në përfundim të urdhërit: “...nëse vërtet e besoni Allahun dhe Ditën e Fundit”. Kjo tregon se ai që, në rastet e kundërshtimit, nuk gjykon sipas Librit të Zotit dhe Traditës së Profetit, nuk është besimtar i vërtetë, por i është nënshtruar tagut-it (çdo gjëje që adhurohet veç Zotit), sikurse thuhet në ajetin më poshtë. Mbështetja te Libri i Zotit dhe te Tradita e Profetit është rruga më e mirë dhe sqarimi më i saktë, sepse gjykimi i Zotit dhe i Profetit të Tij është gjykimi më i drejtë dhe më i mirë për njerëzit, për çështjet e fesë, dynjasë dhe të ardhmërisë së tyre.

60

أَلَمْ تَرَ إِلَى ٱلَّذِينَ يَزْعُمُونَ أَنَّهُمْ ءَامَنُوا۟ بِمَآ أُنزِلَ إِلَيْكَ وَمَآ أُنزِلَ مِن قَبْلِكَ يُرِيدُونَ أَن يَتَحَاكَمُوٓا۟ إِلَى ٱلطَّٰغُوتِ وَقَدْ أُمِرُوٓا۟ أَن يَكْفُرُوا۟ بِهِۦ وَيُرِيدُ ٱلشَّيْطَٰنُ أَن يُضِلَّهُمْ ضَلَٰلًۢا بَعِيدًۭا

A nuk i ke parë ti (o Muhammed!) ata, që pohojnë se kanë besuar në atë, që të është shpallur ty dhe ate që është shpallur para teje. Dëshirojnë që t’i gjykojë djalli (njeriu i keq), e ata janë urdhëruar që ta mohojnë (të keqin). Djalli, madje, dëshiron, që t’ua humbë atyre krejtësisht udhën e drejtë.

A nuk i ke parë ata që pohojnë se besojnë në Shpalljen që të është dhënë ty (o Muhamed) dhe në Shpalljet e ardhura para teje, por(në të vërtetë)dëshirojnë që mes tyre të gjykojë tagut-i(shejtani), megjithëse janë urdhëruar ta mohojnë atë? -Allahu i Lartësuar sjell një pyetje, që shpreh habi njëkohësisht dhe që tregon për gjendjen e çuditshme të munafikëve, të cilët, edhe pse pretendojnë se e besojnë Shpalljen që iu dha Profetit, përsëri kërkojnë të gjykohen tek tagut-i. Çdokush që gjykon jo me ligjin e Zotit është tagut. Pra, ata e kryejnë një krim të tillë, ndërkohë që janë urdhëruar për të kundërtën: që ta mohojnë dhe të distancohen nga tagut-i. Si mund të ndodhen në të njëjtën zemër besimi te tagut-i me besimin te Zoti i Lartësuar?! Besimi i vërtetë kërkon që t’i nënshtrohesh ligjit të Zotit, ta zbatosh dhe ta marrësh për bazë atë në çdo lloj çështjeje. Çdokush që pretendon se është besimtar dhe pastaj parapëlqen gjykimin e tagut-it kundrejt gjykimit të Zotit, ai është gënjeshtar. Ky nuk është gjë tjetër, por veçse një devijim i madh, që Shejtani u ka shkaktuar atyre. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë:Shejtani dëshiron t’i çojë ata shumë larg(nga e vërteta). -Pra, ai i mallkuari dëshiron t’i largojë shumë nga e vërteta e Zotit dhe që të bëhen banorë të Zjarrit.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.