Allahu nuk fal që të adhurohet dikush a diçka tjetër veç Tij, ndërsa gjynahet e tjera ia fal kujt të dojë...-Allahu i Lartësuar na bën të ditur se Ai nuk e fal që robi të adhurojë dikë a diçka tjetër veç Tij, kushdo dhe çfarëdo gjëje qoftë ajo. Adhurimi i takon vetëm Zotit dhe idhujtaria është e pafalshme para Tij. Ndërsa kur flitet për gjynahet e tjera, Ai ia fal ato kujt të dëshirojë, sipas urtësisë së Tij. Për gjynahet poshtë idhujtarisë (shirk) Allahu i Lartësuar ka vendosur shkaqe për faljen e tyre, si: veprat e mira, fatkeqësitë dhe vuajtjet në jetën e dynjasë, vuajtjet në jetën e varrit dhe në Ditën e Gjykimit, lutjet e besimtarëve për njëri-tjetrin apo ndërmjetësimi në ahiret. Nëse me gjithë këto shkaqe, gjynahet ende nuk fshihen, se janë të shumta, atëherë mbetet mëshira e Allahut, që Ai e ka veçuar për ata të cilët e kanë besuar pa bërë shirk. Ndërsa idhujtari ia ka mbyllur vetes portat e faljes dhe të mëshirës së Zotit. Çdo punë e mirë apo adhurim është i pavlefshëm nëse njeriu nuk distancohet nga çdo lloj idhujtarie. Njeriu është i ngarkuar pikësëpari të dëshmojë njësimin e Allahut në meritën e adhurimit, pra, është urdhëruar për teuhid, dhe pastaj i llogariten veprat e mira apo adhurimet, nëse ka bërë. Nëse nuk ka dëshmuar dhe nuk ka besuar njëshmërinë e Zotit në meritën e adhurimit dhe nuk është distancuar nga idhujtaria, atëherë prej tij nuk pranohet asgjë. Atë nuk e pastrojnë nga gjynahet as fatkeqësitë në jetën e dynjasë, as vuajtjet në varr dhe as vuajtjet në Ditën e Gjykimit. Për atë nuk do të ketë as ndërmjetësim, që të mund ta ndihmojë dhe shpëtojë nga ndëshkimi. Kështu, idhujtaria është krim i madh dhe i pafalshëm.Kush adhuron dikënd a diçka tjetër veç Allahut, ka bërë një gjynah të madh. -Pra, ka bërë faj të rëndë. E ku ka padrejtësi më të madhe që një krijesë të dobët, të krijuar nga dheu, të varfër, të varur dhe nevojtare për kujdesin e Zotit, të mangët në çdo aspekt, e paaftë t’i bëjë vetes mirë apo keq, e pamundur që të japë apo ta marrë jetë, ta krahasosh me Krijuesin e gjithçkaje, të Plotin dhe Absolutin në çdo drejtim, të Pasurin, që nuk ka nevojë për asnjë krijesë të Tij, me Atë në dorën e të Cilit është e mira dhe e keqja, dhënia dhe privimi, me Atë prej të Cilit vjen çdo mirësi që kanë krijesat? E pra, nuk ka padrejtësi më të madhe se kjo. Për këtë arsye, ai që bën këtë krim dënohet përjetësisht në Zjarrin e Xhehenemit, duke u privuar plotësisht nga mirësitë e Zotit. Në një ajet tjetër thotë i Lartësuari: “Bëjnë kufër ata që thonë: “Allah është Mesihu, biri i Merjemes”. Por Mesihu ka thënë: “O bijtë e Israilit! Adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj! Kushdo që adhuron zota të tjerë përveç Allahut, Allahu do t'ia ndalojë Xhenetin dhe Zjarri do të jetë vendbanimi i tij. Për zullumqarët nuk ka asnjë ndihmëtar.” [Maide 72]. Por, sigurisht, kjo vlen për ata që nuk pendohen derisa i kap vdekja. Ndërsa për sa u përket atyre që pendohen para këtij çasti, atyre iu falet idhujtaria dhe çdo lloj gjynahu tjetër, sikurse thotë i Lartësuari: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, sepse vërtet Allahu i fal të gjitha gjynahet. Ai është Falësi i …