Adhuroni Allahun e mos adhuroni asgjë tjetër përveç Tij! -Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit e Tij që ta njësojnë Atë me përkushtimin e adhurimeve, duke iu nënshtruar urdhrave dhe ndalesave të Tij, duke i shprehur vetëm Atij dashurinë, nënshtrimin dhe sinqeritetin, pra, duke i kushtuar të gjitha llojet e adhurimeve: të jashtme dhe të brendshme, të dukshme dhe të padukshme qofshin ato. Nga ana tjetër, Allahu ndalon nga idhujtaria dhe nga adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Tij. Ai ndalon nga shirk-u i madh dhe shirk-u i vogël. Askush tjetër nuk e meriton që të adhurohet, duke zbatuar urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave të Tij në shenjë adhurimi, dashurie, shprese dhe nënshtrimi, por veç Allahu i Vetëm e i Pashoq. Ai është i Adhuruari i vërtetë dhe me meritë, ndërsa çdo gjë tjetër është krijesë e dobët, nevojtare, e pafuqishme, qoftë edhe melek apo profet. Të gjithë janë të pafuqishëm dhe të papushtetshëm. Të gjithë nuk kanë asnjë fuqi reale për të bërë dobi apo dëm. Krijesat nuk mund të japin jetë apo ta marrin atë. Vetëm Zoti është Ai që ka në dorë jetën, vdekjen, ringjalljen, llogarinë dhe shpërblimin me drejtësi. Është detyrë e padiskutueshme për krijesat që të njësojnë me adhurim të Vetmin që është absolut në pushtetin dhe mbretërimin e Tij, Allahun e Lartësuar. Vetëm Ai e meriton të adhurohet duke iu bindur me përunjësi, madhërim dhe dashuri në zbatimin e urdhrave dhe largimin nga ndalesat. Vetëm Ai i Cili ka në dorën e Tij gjithçka dhe përkujdeset për krijesat e Tij, pa pasur nevojë për ndihmën e askujt, vetëm Ai meriton të njësohet me adhurim. Allahu i Lartësuar, pasi i urdhëron robërit të plotësojnë të drejtën e Tij, duke e adhuruar si Një të vetëm, vijon t’i urdhërojë ata për të plotësuar të drejtat mes tyre, duke nisur nga më të afërmit, e pastaj me radhë:Silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin dhe me ata që janë nën pushtetin tuaj! -Fillimisht, Allahu i Lartësuar na urdhëron të jemi bamirës ndaj prindërve. Bamirësia ndaj tyre tregohet me fjalë të ngrohta dhe të buta, me edukatë e dhembshuri, me vepra të mira e bamirësi. Kjo bëhet duke zbatuar urdhrat dhe duke respektuar porositë e tyre, duke shpenzuar për të kënaqur ata dhe këdo që ka lidhje me ta. Bamirësia ndaj tyre shkelet me dy veprime të kundërta: duke u sjellë keq me ta ose duke mos u bërë mirë atyre; pra, që të dyja janë të ndaluara. Pastaj i Lartësuari na urdhëron për bamirësi ndaj të afërmve. Këtu hyn i gjithë farefisi, i afërt apo i largët qoftë. Ne jemi urdhëruar që të jemi bamirës ndaj tyre me fjalë dhe me vepra. Po ashtu, nuk duhet të bëhemi kurrsesi shkak që, me fjalët dhe veprat tona, të shkaktojmë ndarjen farefisnore. Allahu i Lartësuar na urdhëron të jemi bamirës edhe ndaj jetimëve. ‘Jetimë’ quhen minorenët që kanë humbur babain. Kjo kategori njerëzish ka të drejta te muslimanët. Ne duhet të përkujdesemi për ta pa bërë dallim mes tyre, janë apo jo farefisi ynë. Ne jemi urdhëruar që t’u ofrojmë atyre ndihmën e nevojshme për të jetuar, t’i ngushëllojmë me fjalë të buta dhe të ngrohta, të kujdesemi për rritjen dhe edukimin e tyre, për t’i plotësuar dhe aftësuar ata në çështjet e …