Muslim99Muslim99
← Tafsir library

4. An-Nisaa

The Women · Medinan · 176 ayahs

سُورَةُ النِّسَاءِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 21–30 of 176

21

وَكَيْفَ تَأْخُذُونَهُۥ وَقَدْ أَفْضَىٰ بَعْضُكُمْ إِلَىٰ بَعْضٍۢ وَأَخَذْنَ مِنكُم مِّيثَٰقًا غَلِيظًۭا

S’i do të merrnit ju nga ajo dhuratë, kur ju i keni dhënë njëri-tjetrit haptazi (në jetën bashkëshortore) dhe kur ato kanë marrë nga ju obligim të fortë.

“E si mund t’ua merrni(atë plaçkë), kur ju i jeni dhënë njëri-tjetrit dhe kur ato kanë marrë prej jush një premtim të fortë?! -Për ta qartësuar më shumë, themi se kontakti seksual me gruan është haram para aktit të martesës. Marrëdhëniet me të lejohen veçse pas aktit të rregullt martesor dhe pasi ajo kërkon mehrin e saj. Pasi është rënë dakord për gjithçka dhe pasi burri e ka “shijuar” mirë gruan, ndërkohë që më parë e kishte të ndaluar, atëherë mospërmbushja e kushtit të mehrit është një padrejtësi e madhe ndaj saj, sepse burri e ka marrë atë që ka kërkuar, ndërkohë që nuk po plotëson kushtin e saj. Gjithashtu, ai i ka premtuar asaj para Zotit se do të plotësojë detyrimet dhe përgjegjësitë që parashtron akti martesor. Atëherë, si mund ta shkelë ai një premtim të tillë?

22

وَلَا تَنكِحُوا۟ مَا نَكَحَ ءَابَآؤُكُم مِّنَ ٱلنِّسَآءِ إِلَّا مَا قَدْ سَلَفَ ۚ إِنَّهُۥ كَانَ فَٰحِشَةًۭ وَمَقْتًۭا وَسَآءَ سَبِيلًا

Mos i merrni ato gra, që kanë qenë gratë e baballarëve tuaj, përveç rasteve që kanë ekzistuar para islamizmit. Me të vërtetë, kjo është vepër e keqe dhe urrejtje e madhe, dhe rrugë e shëmtuar.

Mos u martoni me ato gra me të cilat kanë qenë martuar etërit tuaj, përveç asaj që ka kaluar(para Islamit). Kjo ka qenë vërtet poshtërsi e madhe, vepër e urryer(tek Zoti)dhe një zakon i shëmtuar.Kuptimi: Mos u martoni me ato gra me të cilat kanë qenë martuar etërit (babai, gjyshi e lart) tuaj. Kjo është një vepër shumë e shëmtuar dhe e neveritshme jo vetëm për Zotin, por edhe për njerëzit. Për shkak të kësaj vepre të ulët, futet urrejtja mes prindit dhe fëmijës, ndërkohë që marrëdhëniet mes tyre duhet të jenë të ndërtuara mbi bamirësinë, mëshirën dhe respektin. Kjo është një rrugë e keqe për ata që e ndjekin. Ajo është prej sjelljeve të injorancës, të cilat Islami i lufton, që t’i pastrojë shpirtrat e njerëzve.

23

حُرِّمَتْ عَلَيْكُمْ أُمَّهَٰتُكُمْ وَبَنَاتُكُمْ وَأَخَوَٰتُكُمْ وَعَمَّٰتُكُمْ وَخَٰلَٰتُكُمْ وَبَنَاتُ ٱلْأَخِ وَبَنَاتُ ٱلْأُخْتِ وَأُمَّهَٰتُكُمُ ٱلَّٰتِىٓ أَرْضَعْنَكُمْ وَأَخَوَٰتُكُم مِّنَ ٱلرَّضَٰعَةِ وَأُمَّهَٰتُ نِسَآئِكُمْ وَرَبَٰٓئِبُكُمُ ٱلَّٰتِى فِى حُجُورِكُم مِّن نِّسَآئِكُمُ ٱلَّٰتِى دَخَلْتُم بِهِنَّ فَإِن لَّمْ تَكُونُوا۟ دَخَلْتُم بِهِنَّ فَلَا جُنَاحَ عَلَيْكُمْ وَحَلَٰٓئِلُ أَبْنَآئِكُمُ ٱلَّذِينَ مِنْ أَصْلَٰبِكُمْ وَأَن تَجْمَعُوا۟ بَيْنَ ٱلْأُخْتَيْنِ إِلَّا مَا قَدْ سَلَفَ ۗ إِنَّ ٱللَّهَ كَانَ غَفُورًۭا رَّحِيمًۭا

U ndalohet kurorëzimi me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllaut tuaj, me bijat e motrës suaj, me nënat (gratë) që u kanë dhënë gji, me motrat tuaja që kanë thithur prej një gjiu, me nënat e grave tuaja (vjehrat), me vajzën e gruas suaj, - e cila gjendet nën kujdestarinë tuaj, nëse me atë grua keni pasur marrëdhënie bashkëshortore; e nëse nuk keni pasur marrëdhënie bashkëshortore, atëherë nuk ka pengesa (për kurorëzim me vajzën e gruas). U ndalohet kurorëzimi me gratë e bijve të barkut tuaj dhe t’i tuboni dy motra (artake), përveç rasteve që kanë ekzistuar para islamizmit. Se Perëndia, me të vërtetë është falës dhe mëshirues.

Ky ajet i mrekullueshëm tregon shkoqur për gratë me të cilat një burrë e ka të ndaluar të martohet. Kategoritë e ndaluara janë të klasifikuara sipas shkaqeve të tyre:1. Të ndaluara për shkak të lidhjes farefisnore.2. Të ndaluara për shkak të gjidhënies.3. Të ndaluara për shkak të lidhjeve martesore.4. Të ndaluara për shkak të bashkimit në një kurorë të kategorive të caktuara.***1.Të ndaluarat për shkak të lidhjes farefisnore. Thotë i Lartësuari:Ju është ndaluar martesa me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllait, me bijat e motrës,... -Në radhë të parë përmenden nënat. Termi ‘nënat’ nënkupton çdo femër me të cilën burri ka lidhje lindjeje, duke përfshirë nënën biologjike, gjyshen (nënën e nënës), stërgjyshen e më lart. Këtu nuk përfshihen gjyshet nga gjidhënia. Fjala “bijat” nënkupton çdo femër të lindur prej teje e poshtë saj, pra, mbesat, stërmbesat etj., të lindura nga bija jote. Fjala “motrat” përfshin si motrat nga nëna e babai, edhe ato vetëm nga njëri prej tyre. Fjala ‘hallat’ nënkupton çdo motër të babait tënd, të gjyshit tënd e kështu me radhë. Në termin “tezet” hyn çdo motër e nënës tënde apo e gjyshes, apo e stërgjyshes e çfarë ka lart tyre, pavarësisht në meritojnë trashëgimi apo jo. Te “bijat e vëllait” hyjnë vajzat e vëllait dhe të gjitha femrat e lindura poshtë tyre prej vajzave. Te ‘bijat e motrës’ hyjnë vajzat e motrës dhe tërë femrat e lindura poshtë tyre prej vajzave. Këto kategori – siç e thamë - janë të ndaluara për shkak të lidhjes së gjakut, dhe të këtij mendimi janë të gjithë dijetarët muslimanë. Ato i tregon tekstualisht ajeti kur’ânor. Ndërsa femrat e tjera, si vajzat e xhaxhait, të dajës, të tezes, të hallës, janë të lejuara, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Veç këtyre, për ju janë të lejuara të gjitha gratë e tjera që t’i merrni (në martesë)me pasurinë tuaj, duke pasur për qëllim bashkëshortësinë, jo prostitucionin.”.***2.Të ndaluarat për shkak të gjidhënies. Allahu i Lartësuar thotë:...me mëndeshat që ju kanë dhënë gji, me motrat nga gjiri,... -Mëndesha është gruaja (jo nëna) që të ka dhënë gji. Motrat prej gjiri janë ato të cilave u ka dhënë gji e njëjta grua prej së cilës ke pirë gji ti. Pra, janë dy mundësi: ose ti ke pirë gji nga nëna e tyre, ose ato kanë pirë gji nga nëna jote. Allahu i Lartësuar ka bërë të ndaluar për martesë mëndeshën, që i ka dhënë gji personit kur ka qenë foshnjë. Por duke qenë se qumështi nuk prodhohet vetëm prej gruas, por edhe prej burrit të saj, atëherë edhe bashkëshorti i saj konsiderohet si babai i këtij fëmije, për shkak të qumështit. Për këtë arsye, personit që ka pirë gji te një mëndeshë i bëhen të ndaluara të njëjtat gjëra që do të ishin të ndaluara për të nëse do të ishte i lindur prej asaj nëne dhe atij babai, ashtu sikurse ka thënë Profeti (a.s.): “Gjidhënia bën të ndaluara të njëjtat gjëra që bën të ndaluara lidhja e gjakut (farefisnia).” Megjithatë, kjo ka vlerë vetëm për personin që ka pirë gji dhe fëmijët e tij, dhe jo me pjesëtarët e tjerë të gjakut të tij (si vëllai, motra etj). Që gjidhënia të konsiderohet si shkak për ndalimin e martesës, është kusht që fëmija të ketë pirë pesë herë të plota dhe të ngopet. …

24

۞ وَٱلْمُحْصَنَٰتُ مِنَ ٱلنِّسَآءِ إِلَّا مَا مَلَكَتْ أَيْمَٰنُكُمْ ۖ كِتَٰبَ ٱللَّهِ عَلَيْكُمْ ۚ وَأُحِلَّ لَكُم مَّا وَرَآءَ ذَٰلِكُمْ أَن تَبْتَغُوا۟ بِأَمْوَٰلِكُم مُّحْصِنِينَ غَيْرَ مُسَٰفِحِينَ ۚ فَمَا ٱسْتَمْتَعْتُم بِهِۦ مِنْهُنَّ فَـَٔاتُوهُنَّ أُجُورَهُنَّ فَرِيضَةًۭ ۚ وَلَا جُنَاحَ عَلَيْكُمْ فِيمَا تَرَٰضَيْتُم بِهِۦ مِنۢ بَعْدِ ٱلْفَرِيضَةِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ كَانَ عَلِيمًا حَكِيمًۭا

(U ndalohet juve të kurorëzoheni) dhe me gratë që gjenden nën kurorë, përveç atyre që janë nën pushtetin tuaj (skllave). Ky është urdhëri i Perëndisë. U janë lejuar të tjerat, përpos tyre (që u përmendën), që t’i kërkoni (për kurorëzim) me pasurinë tuaj për martesë definitive, e jo për jetë të përkohëshme (që është në kundërshtim me dispozitat e fesë). Me ato që kaloni jetë bashkëshortore, epjuni atyre dhuratat e obligueshme (shpenzimet) për jetesë. S’ka mëkat për ju, me pëlqimin e të dy palëve, që ta shtoni apo ta mungoni sasinë e dhuratës së premtuar. Se, Perëndia, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i Plotëdijshëm.

(Ju është ndaluar martesa)Edhe me gratë që janë tashmë të martuara, përveç atyre(robinjave)që i keni në posedimin tuaj. -Nuk lejohet martesa me një grua, për sa kohë ajo është e martuar me një burrë tjetër. Me të mund të martohesh vetëm nëse divorcohet dhe pasi të ketë përfunduar periudhën e pritjes. Përjashtim bëjnë vetëm robëreshat e zëna në luftë, sepse i Lartësuari thotë: “...përveç atyre (robinjave) që i keni në posedimin tuaj.”. Pra, nëse një grua është zënë robinjë në një luftë, muslimani e ka të lejuar të martohet me të, edhe nëse ajo është e martuar, sepse me kapjen e saj si robinjë, akti i saj martesor prishet, kështu që i vetmi kusht mbetet pritja e kohës së pastrimit, që të vërtetohet se nuk është shtatzënë. Po kur një skllave e martuar blihet apo i dhurohet një burri, ose i jepet liria? Në këtë rast, ajo konsiderohet ende si e martuar. Argument për këtë rast është edhe ngjarja e Beriras, së cilës Profeti (a.s.) i dha mundësinë për të zgjedhur: ose të qëndronte me burrin e saj, Mugithin, ose të prishte martesën me të, pasi Aishja i dha asaj lirinë. Ajo zgjodhi shkëputjen e lidhjes me Mugithin. Nëse thjesht me shitjen e saj akti martesor do të prishej, atëherë Profeti (a.s.) nuk do t’ia linte asaj në dorë shkëputjen apo vazhdimin e lidhjes bashkëshortore.Ky është urdhri i Allahut për ju. -Këto janë dispozitat e Allahut për ju, prandaj përqendrohuni në to, udhëzohuni dhe përmbajuni atyre me përpikmëri. Këto ligje janë zgjidhja e problemeve tuaja dhe çelësi për të bërë një jetë të lumtur. Në këto dispozita tregohet hallalli dhe harami.Veç këtyre, për ju janë të lejuara të gjitha gratë e tjera që t’i merrni(në martesë)me pasurinë tuaj, duke pasur për qëllim bashkëshortësinë, jo prostitucionin. -Kuptimi: Të gjitha kategoritë e tjera, që nuk janë përmendur në ajet, janë të lejueshme për ju që të martoheni. Harami është i kufizuar, ndërsa hallalli është i gjerë dhe i pakufizuar. Kjo është mirësi, mëshirë, butësi dhe lehtësim nga Allahu i Lartësuar për robërit e Tij. Është e lejuar për ju që, me pasurinë tuaj, të zgjidhni çfarë të dëshironi prej kategorive të lejuara, por me kusht që qëllimi të jetë ruajtja nga imoraliteti e vetes suaj dhe e gruas me të cilën do të martoheni. Gjithashtu, hedhja e farës duhet të bëhet në hallall dhe jo në haram. Ata që i shfryjnë epshet e tyre në haram nuk janë ruajtës të vetes dhe të grave të tyre nga imoraliteti, sepse duke e harxhuar epshin në harame, aftësia për ta përdorur atë në hallall do të dobësohet. Po ashtu, ky ajet ka shenja që tregojnë se personi i pandershëm nuk duhet të zgjidhet dhe as pranohet për martesë. Bashkëshorti duhet të jenë muĥŝin, pra, që e ruan nderin e vet dhe të bashkëshortes së tij, dhe që epshin e shpenzon në rrugët hallall, jo në ato haram. Kështu thuhet edhe në suren Nur, ajeti 3: “Laviri nuk mund të martohet veçse me një lavire ose idhujtare. Dhe me laviren nuk mund të martohet kush, veçse një lavir ose idhujtar. Ajo (imoraliteti ose martesa me ta)është e ndaluar për besimtarët.”. Më tej, i Lartësuari thotë:Jepjani mehrin e caktuar bashkëshorteve tuaja, me të cilat keni kontaktuar. -Kuptimi: Jepjani dhuratën e përcaktuar martesore atyre grave me të cilat jeni kënaqur duke …

25

وَمَن لَّمْ يَسْتَطِعْ مِنكُمْ طَوْلًا أَن يَنكِحَ ٱلْمُحْصَنَٰتِ ٱلْمُؤْمِنَٰتِ فَمِن مَّا مَلَكَتْ أَيْمَٰنُكُم مِّن فَتَيَٰتِكُمُ ٱلْمُؤْمِنَٰتِ ۚ وَٱللَّهُ أَعْلَمُ بِإِيمَٰنِكُم ۚ بَعْضُكُم مِّنۢ بَعْضٍۢ ۚ فَٱنكِحُوهُنَّ بِإِذْنِ أَهْلِهِنَّ وَءَاتُوهُنَّ أُجُورَهُنَّ بِٱلْمَعْرُوفِ مُحْصَنَٰتٍ غَيْرَ مُسَٰفِحَٰتٍۢ وَلَا مُتَّخِذَٰتِ أَخْدَانٍۢ ۚ فَإِذَآ أُحْصِنَّ فَإِنْ أَتَيْنَ بِفَٰحِشَةٍۢ فَعَلَيْهِنَّ نِصْفُ مَا عَلَى ٱلْمُحْصَنَٰتِ مِنَ ٱلْعَذَابِ ۚ ذَٰلِكَ لِمَنْ خَشِىَ ٱلْعَنَتَ مِنكُمْ ۚ وَأَن تَصْبِرُوا۟ خَيْرٌۭ لَّكُمْ ۗ وَٱللَّهُ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ

Cilido nga ju, që nuk mund të martohet me gra të lira besimtare, për shkaqe të vështira materiale, le të martohet me një vajzë besimtare që gjendet nën pushtetin tuaj (robëreshë) – E Perëndia e din më së miri besimin tuaj, - se ju (të lirët dhe robërit) jeni të të njëjtit besim. Kurorëzoni ato (robëreshat) me lejen e pronarëve të tyre. Epjuni dhuratat e kurorës së tyre si është e zakonshme, duke qenë ato gra të ndershme e jo të pandershme, gjegjësisht, nga ato që jetojnë (çojnë dashuri) me dashnar. Nëse ato, si të kurorëzura bëjnë kurvëri, dënimi i tyre është për gjysmë me dënimin e grave të lira. Kjo martesë (me robëresha) është për ata nga ju, që kanë frikë se do të bëjnë gabim (kurvëri). E, nëse abstenoni (përmbaheni), kjo është edhe më mirë! Perëndia është falës dhe mëshirues.

Ai që nuk ka mundësi materiale që të martohet me femra të lira besimtare, le të martohet me besimtaret që i ka nën pushtetin e tij(robëreshat). Allahu e di më së miri besimin tuaj. Ju jeni të njëri-tjetrit. -Kuptimi: Çdokush nga ju që nuk ka mundësi të gjejë masën e mehrit për t’u martuar me besimtare të lira dhe frikësohet se do të bjerë në imoralitet dhe vështirësi për jetën e tij, atëherë le të martohet me skllave besimtare, me aq sa duket, sepse Allahu e di se cila është besimtare e cila jo. Çështjet e dynjasë ndërtohen mbi dukshmërinë e jo mbi atë që fshihet në zemër. Ndërsa në ahiret, për bazë merret ajo që gjendet në zemër.Martohuni me to me lejen e pronarëve të tyre dhe jepjuani mehrin sipas normave. Ato të jenë të ndershme, e jo imorale të hapura apo të fshehta, që jetojnë me partnerë(jashtmartesorë).” -Kuptimi: Martohuni me to duke marrë leje nga padronët e tyre, një apo shumë qofshin ata. Edhe atyre u jepni mehër, sepse edhe ato e meritojnë mehrin, sikurse gratë e tjera. Megjithatë, për t’u martuar me skllave, kusht tjetër është që ato të jenë të ndershme, sepse Allahu i Lartësuar thotë më pas:Ato të jenë të ndershme, e jo imorale të hapura apo të fshehta, që jetojnë me partnerë(jashtmartesorë).” -Dhe tha gjithashtu:Kjo është e lejueshme për ata që frikësohen se do të bien në imoralitet. -Pra, ato duhet të mos jenë lavire të hapura apo të fshehura, por duhet të jenë të ruajtura dhe të mos kenë partnerë (jashtmartesorë). Kështu, një muslimani të lirë i lejohet të martohet me një skllave veçse nëse ajo plotëson katër kushte:1. Të jetë besimtare.2. Të jetë e ndershme, në mënyrë të hapur dhe të fshehur.3. Ai (burri) të mos ketë mundësi për të paguar mehrin për një grua të lirë.4. Ai të druhet se mos bie në imoralitet. Nëse plotësohen këto kushte, atëherë atij i lejohet që të martohet me të.Megjithatë, nëse përmbaheni, kjo është më mirë për ju. -Sidoqoftë, durimi është më i mirë. Përndryshe, nga njëra anë, ekziston rreziku që fëmijët të lindin skllevër, dhe, nga ana tjetër, martesa me të tilla gra shihet si e përçmueshme nga njerëzit. Nëse burri arrin të bëjë durim, kjo është gjë më e mirë. Por nëse ai nuk mund të ruhet nga harami, atëherë është detyrë martesa me to.Pasi jeni martuar, nëse ato bëjnë imoralitet, ndëshkimi ndaj tyre është sa gjysma e ndëshkimit të përcaktuar për gratë e lira. -Nëse skllavet martohen dhe më pas bëjnë imoralitet, atëherë ato nuk trajtohen njëlloj si të lirat. Ato meritojnë gjysmën e dënimit të të lirave, në rastet kur është e mundur të përcaktohet kjo gjysmë. Pra, në rastin kur gratë e lira (që kryejnë imoralitet) meritojnë 100 kamxhikë, skllavet meritojnë 50 kamxhikë. Ndërsa gurëzimi nuk ekziston për skllavet, sepse ky lloj dënimi nuk mund të përgjysmohet. Pra, skllavja që bën imoralitet nuk gurëzohet. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar përmend dy emra të mrekullueshëm të Tij:Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. -Kjo do të thotë që këto ligje janë mëshirë, bujari e bamirësi për njerëzit. Allahu i Lartësuar nuk ua ka vështirësuar çështjet atyre, por ua ka lehtësuar në maksimum. Përmendja e faljes pas përmendjes së ndëshkimit është një shenjë që tregon se ligjet për dënimet e vendosura nga Zoti janë …

26

يُرِيدُ ٱللَّهُ لِيُبَيِّنَ لَكُمْ وَيَهْدِيَكُمْ سُنَنَ ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ وَيَتُوبَ عَلَيْكُمْ ۗ وَٱللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌۭ

Perëndia don që t’jua shpjegojë dhe t’ju udhëzojë në rrugën e Pejgamberëve të mëparshëm dhe t’ju pranojë pendimet tuaja. Perëndia është i Gjithëdijshëm dhe i Plotëdijshëm.

Këtu, Allahu i Lartësuar na tregon për mirësinë dhe bujarinë e Tij të gjerë, për kujdesin e Tij të veçantë për besimtarët dhe për thjeshtësinë e fesë së Tij. Ai thotë:“Allahu dëshiron t’ju sqarojë çështjet, t’ju drejtojë në rrugën e atyre që ishin para jush dhe t’ju pranojë pendimin. -Kuptimi: Allahu i Lartësuar dëshiron t’ju sqarojë juve gjithçka që keni nevojë, për të dalluar të vërtetën nga e kota, hallallin nga harami. Me Kur’ânin dhe me Traditën e Profetit, Allahu i Lartësuar dëshiron të na udhëzojë në rrugën e atyre fatlumëve që shkuan para nesh, në rrugën e atyre që i begatoi me të mira, siç ishin profetët dhe pasuesit e tyre të çmuar. Ashtu sikurse i udhëzoi ata për bindje ndaj Tij, ashtu siç i ndihmoi të bëjnë vepra të mira që e kënaqin Atë, ashtu siç i stolisi me cilësi të mira, që Ai i pëlqen, ashtu siç u dha sukses të plotë për të arritur çdo të mirë dhe për t’u larguar nga çdo e keqe, po ashtu dëshiron të kujdeset edhe për ne. Për ne Ai ka rezervuar një përkujdesje më të madhe dhe një ligj të mrekullueshëm, që i sqaron çështjet në atë mënyrë që asnjë prej popujve të shkuar nuk e ka patur privilegj. Për ne ka rezervuar dijen më të plotë dhe suksesin për të kryer veprat më të mira dhe më të shpërblyeshme. Përveç këtyre, Ai, nga butësia dhe mëshira e Tij, na ka treguar se çdo gabim dhe mangësi në adhurimin tonë ndaj Tij, Ai e fal dhe gjithmonë e pranon pendimin tonë. Duke e ditur dobësinë tonë, Allahu i Lartësuar është treguar i mëshirshëm me ne dhe na ka bërë lehtësime në fe. Kështu, ligjet e Tij nuk e shpërfillin dobësinë tonë, por na ndihmojnë që të largohemi nga harami dhe të mjaftohemi me hallallin. Me lehtësimet e Tij për ne, na ka mundësuar që t’i pakësojmë gjynahet tona duke shfrytëzuar vetëm gjërat e lejuara. Kjo është pjesë e lehtësimit të pendimit për këtë umet. Sa herë që ne gabojmë, Ai hap portën e mëshirës dhe hedh në zemrat tona pendimin, keqardhjen për gjynahet që bëjmë, në mënyrë që të kthehemi tek Ai kokulur dhe duke kërkuar falje. Pasi na fal këto ndjenja të mrekullueshme në zemrat tona, Ai na e pranon pendimin dhe na fal, duke na mundësuar një fillim të ri. I lavdëruar qoftë Allahu për të tilla mirësi!Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. -Kuptimi: Allahu ka dituri dhe urtësi absolute. Është Ai që, prej diturisë së Tij, ju mësoi atë që ju nuk e dinit. Prej kësaj diturie të rëndësishme janë edhe këto dispozita. Në bazë të urtësisë dhe mëshirës së Tij, Ai iu mundëson dhe ua pranon pendimin atyre që e meritojnë. Po ashtu, me dijen, drejtësinë dhe urtësinë e Tij, Ai i privon nga pendimi ata që nuk e meritojnë.

27

وَٱللَّهُ يُرِيدُ أَن يَتُوبَ عَلَيْكُمْ وَيُرِيدُ ٱلَّذِينَ يَتَّبِعُونَ ٱلشَّهَوَٰتِ أَن تَمِيلُوا۟ مَيْلًا عَظِيمًۭا

Perëndia don që t’ju pranojë pendimet tuaja, por ata që ipen pas punëve të këqija (epsheve), dëshirojnë që ju të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë.

Allahu dëshiron t’ju pranojë pendimin, ndërsa ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që ju të largoheni tërësisht nga rruga e drejtë. -Kuptimi: Nëpërmjet pendimit, Allahu rregullon punët tuaja, iu lehtëson çdo vështirësi, e shton atë që është pak dhe e grumbullon atë që është e shpërndarë. Ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë ata që iu binden vetëm epsheve dhe dëshirave të tyre të shfrenuara. Ata dëshirojnë t’ju devijojnë dhe largojnë nga rruga e drejtë, ashtu sikurse kanë humbur vetë. Ata i japin përparësi plotësimit të epsheve të tyre, me çfarëdolloj kostoje qoftë kjo. Ata janë adhurues të vërtetë të epsheve. Gjynahqarët e të gjitha kategorive, të cilët parapëlqejnë plotësimin e dëshirave të tyre kundrejt bindjes ndaj Zotit dhe Profetit të Tij, dëshirojnë që edhe ju të devijoni dhe të largoheni nga rruga e drejtë, për të shkuar ose në rrugën e atyre që merituan zemërimin e Zotit (të cilët e njohën të vërtetën dhe nuk punuan me të), ose në rrugën e të humburve (që punuan pa dituri dhe libër të ndritur nga Zoti). Ata dëshirojnë që ju, nga bindja e plotë ndaj Rahmanit, të ktheheni pas e t’i bindeni Shejtanit të mallkuar; nga qëndrimi brenda kufijve të Zotit, gjë e cila siguron lumturinë në të dyja jetët, të ktheheni në shkeljen e kufijve të Tij, gjë e cila sjell trishtimin dhe vuajtjen në të dy jetët. Allahu i Lartësuar e ka lidhur lumturinë e njerëzve pikërisht me qëndrimin brenda kufijve të Tij, duke zbatuar urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, në shenjë dashurie, madhërimi dhe nënshtrimi për Të. Ndërsa trishtimi dhe vuajtjet janë të lidhura me cenimin e devotshmërisë. Kështu, pasuesit dhe adhuruesit e epsheve dëshirojnë që ju të prishni lumturinë tuaj dhe të humbisni thellë në errësirën e gjynaheve dhe të mosbindjes ndaj Zotit. Zgjidhni, pra, për veten tuaj më të mirën, që të gjeni lumturinë, dhe dijeni se Allahu i Lartësuar dëshiron lehtësimin për ju, siç thotë më pas:

28

يُرِيدُ ٱللَّهُ أَن يُخَفِّفَ عَنكُمْ ۚ وَخُلِقَ ٱلْإِنسَٰنُ ضَعِيفًۭا

Perëndia don që t’ju lehtësojë (barrët), e njeriu është krijuar si qenie e pafuqishme.

Allahu dëshiron t’ju lehtësojë(vështirësitë), pasi njeriu është krijuar si një qenie e dobët. -Kuptimi: Çdo gjë për të cilën ju ka urdhëruar Allahu është e thjeshtë, e mirë, e këndshme dhe e dobishme për ju. Çdo gjë nga e cila ju ndalon Ai është e keqe, e shëmtuar, e pisët dhe e dëmshme për ju, por gjithsesi, e thjeshtë për ta lënë. Nëse ndieni vështirësi për të respektuar ndonjë ndalesë të Allahut, dijeni se Ai ka bërë të lejueshme shumëfishin e asaj që e ka ndaluar. Të lejuarat e Tij janë gjithmonë të mjaftueshme kundrejt harameve, që janë të kufizuara dhe të pakta. Madje, në raste të jashtëzakonshme, kur cenohet jeta apo nderi juaj, Ai ju ka lejuar që ta përdorni edhe të ndaluarën. Përfundimisht, ata të cilët kanë frikë se mund të bien në imoralitet, mund të martohen edhe me skllave, me kushtet e përmendura më sipër. Kjo tregon mëshirën dhe bamirësinë e pakufishme të Allahut të Lartësuar, tregon dijen e Tij të plotë dhe urtësinë e Tij absolute. Ai përkujdeset për njerëzit që janë të dobët fizikisht, financiarisht, por edhe moralisht. Allahu gjithmonë dëshiron të na i lehtësojë çështjet kur forca, durimi dhe imani ynë janë në shkallë të ulët.

29

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ لَا تَأْكُلُوٓا۟ أَمْوَٰلَكُم بَيْنَكُم بِٱلْبَٰطِلِ إِلَّآ أَن تَكُونَ تِجَٰرَةً عَن تَرَاضٍۢ مِّنكُمْ ۚ وَلَا تَقْتُلُوٓا۟ أَنفُسَكُمْ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ كَانَ بِكُمْ رَحِيمًۭا

O besimtarë, mos e hani ju pasurinë e shoqi-shoqit në mënyrë të palejueshme, përpos nëse ajo është tregti me kënaqësi reciproke tuajen, dhe mos vritni vetveten (dhe njëri-tjetrin)! Perëndia, me të vërtetë, është mëshirues për ju.

O ju që keni besuar! Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit me mënyra të palejueshme,... -Allahu i Lartësuar i ndalon robërit e Tij që ta konsumojnë pasurinë e njëri-tjetrit me mënyra të palejueshme. Te “mënyrat e palejueshme” përfshihet vjedhja e grabitja, bixhozi, kamata e forma të tjera të ndaluara të fitimit të pasurisë. Këtu hyn edhe pasuria e shpenzuar apo e shpërdoruar me mendjemadhësi, sepse edhe kjo është një mënyrë e padrejtë e konsumimit të pasurisë. Allahu i Lartësuar vërtet i ka ndaluar këto rrugë të konsumimit të pasurisë, por, nga ana tjetër, ka lejuar mënyra të tjera të pastra dhe të mira, si tregtia e ndershme dhe çdo akt që plotëson kushtet dhe sjell kënaqësinë e palëve. Ai thotë:...përveç rastit kur është tregti me pëlqim të dyanshëm -Pra, kontratat e lidhura me pëlqim të ndërsjelltë dhe me kushtet e një tregtie të ndershme janë të lejueshme. Kur thuhet: “me pëlqim të dyanshëm”, përjashtohen kontratat e fajdesë, sepse fajdeja nuk është tregti dhe nuk është një marrëveshje e lejueshme. Po ashtu, ajo kurrsesi nuk mund të kënaqë të dyja palët. Përveç kësaj, palët duhet të jenë të njohura me kushtet dhe përfitimin e tregtisë. Nuk mund të ketë pëlqim të dyanshëm nëse fitimi është i panjohur dhe nëse nuk është e mundur të merret në dorë apo të arrihet. Rrjedhimisht, një kontratë e tillë është e ndaluar. Nga ajeti kuptohet se aktet mund të lidhen nëpërmjet fjalëve ose veprave, sepse nëpërmjet tyre shprehet pranimi dhe pëlqimi. Ajeti mbyllet me fjalët: “Vërtet, Allahu është Mëshirëplotë me ju.” Prej mëshirës së Tij është ruajtja e pasurisë dhe e jetës sonë nëpërmjet këtyre ligjeve, siç përforcohet më pas ky fakt:...dhe mos e vrisni veten! Vërtet, Allahu është Mëshirëplotë me ju. -Kuptimi: Mos e vrisni veten dhe as njëri-tjetrin. Të njëjtin gjykim ka edhe të çosh veten drejt shkatërrimit dhe rreziqeve të rënda, që mund të të gjymtojnë apo të të marrin edhe jetën. Pra, Allahu i Lartësuar na ndalon nga dëmtimi i vetes dhe i të tjerëve dhe nga çdo rrugë që të çon në këto përfundime, dhe kjo ndodh prej mëshirës së Tij. Me mëshirën e Tij, Allahu ka bërë ligje, nëpërmjet të cilëve synon të na ruajë besimin, jetën, mendjen, nderin dhe pasurinë që janë pesë domosdoshmëritë e njeriut. Ne jemi të ndaluar që t’i shpërdorojmë apo humbasim jetën dhe pasurinë (po kështu edhe fenë, nderin dhe mendjen). Vëreni me kujdes fjalët e Allahut të Lartësuar: “Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit me mënyra të palejueshme” dhe: “mos e vrisni veten”. Në të dyja rastet, Ai na është drejtuar në shumës, që të kuptojmë se pasuria dhe jeta e të tjerëve duhen trajtuar njëlloj si të ishin tonat, duke i ruajtur ato në formën më të mirë. Po ashtu, këto fjalë dëshmojnë për themelin e shoqërisë islame, e cila duhet të ndërtohet duke patur dashamirësi dhe përkujdesje të ndërsjelltë mes muslimanëve. Besimtarët duhet të jenë për njëri-tjetrin ashtu sikurse ka thënë Profeti (a.s.): si një ndërtesë e vetme, ose si një trup i vetëm, i tillë që, nëse njëra pjesë e tij vuan, të gjithë të tjerët kujdesen dhe përpiqen ta shërojnë dhe rregullojnë atë. Kjo përkujdesje duhet të jetë në të gjitha aspektet e jetës, në aspektet e fesë dhe besimit, por edhe në ato të kësaj dynjaje, për …

30

وَمَن يَفْعَلْ ذَٰلِكَ عُدْوَٰنًۭا وَظُلْمًۭا فَسَوْفَ نُصْلِيهِ نَارًۭا ۚ وَكَانَ ذَٰلِكَ عَلَى ٱللَّهِ يَسِيرًا

E, kushdo prej jush që e bën këtë nga armiqësia dhe dhuna, ndaj tjetrit, Na padyshim do ta hedhin në zjarr. Kjo, për Perëndinë është shumë lehtë.

Këdo prej jush që i bën këto gjëra armiqësisht dhe padrejtësisht, Ne do ta hedhim në Zjarr, dhe kjo është e lehtë për Allahun. -Ata që cenojnë dhe rrezikojnë jetën dhe pasurinë e tjetrit pa të drejtë dhe me vetëdije të plotë, ata janë të kërcënuar. Kush bën të tilla gjëra jo nga padituria apo nga harresa, Allahu i Lartësuar ka për ta hedhur në një Zjarr të madh, dhe kjo është shumë e thjeshtë për Allahun.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.