Ky ajet i mrekullueshëm tregon shkoqur për gratë me të cilat një burrë e ka të ndaluar të martohet. Kategoritë e ndaluara janë të klasifikuara sipas shkaqeve të tyre:1. Të ndaluara për shkak të lidhjes farefisnore.2. Të ndaluara për shkak të gjidhënies.3. Të ndaluara për shkak të lidhjeve martesore.4. Të ndaluara për shkak të bashkimit në një kurorë të kategorive të caktuara.***1.Të ndaluarat për shkak të lidhjes farefisnore. Thotë i Lartësuari:Ju është ndaluar martesa me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllait, me bijat e motrës,... -Në radhë të parë përmenden nënat. Termi ‘nënat’ nënkupton çdo femër me të cilën burri ka lidhje lindjeje, duke përfshirë nënën biologjike, gjyshen (nënën e nënës), stërgjyshen e më lart. Këtu nuk përfshihen gjyshet nga gjidhënia. Fjala “bijat” nënkupton çdo femër të lindur prej teje e poshtë saj, pra, mbesat, stërmbesat etj., të lindura nga bija jote. Fjala “motrat” përfshin si motrat nga nëna e babai, edhe ato vetëm nga njëri prej tyre. Fjala ‘hallat’ nënkupton çdo motër të babait tënd, të gjyshit tënd e kështu me radhë. Në termin “tezet” hyn çdo motër e nënës tënde apo e gjyshes, apo e stërgjyshes e çfarë ka lart tyre, pavarësisht në meritojnë trashëgimi apo jo. Te “bijat e vëllait” hyjnë vajzat e vëllait dhe të gjitha femrat e lindura poshtë tyre prej vajzave. Te ‘bijat e motrës’ hyjnë vajzat e motrës dhe tërë femrat e lindura poshtë tyre prej vajzave. Këto kategori – siç e thamë - janë të ndaluara për shkak të lidhjes së gjakut, dhe të këtij mendimi janë të gjithë dijetarët muslimanë. Ato i tregon tekstualisht ajeti kur’ânor. Ndërsa femrat e tjera, si vajzat e xhaxhait, të dajës, të tezes, të hallës, janë të lejuara, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Veç këtyre, për ju janë të lejuara të gjitha gratë e tjera që t’i merrni (në martesë)me pasurinë tuaj, duke pasur për qëllim bashkëshortësinë, jo prostitucionin.”.***2.Të ndaluarat për shkak të gjidhënies. Allahu i Lartësuar thotë:...me mëndeshat që ju kanë dhënë gji, me motrat nga gjiri,... -Mëndesha është gruaja (jo nëna) që të ka dhënë gji. Motrat prej gjiri janë ato të cilave u ka dhënë gji e njëjta grua prej së cilës ke pirë gji ti. Pra, janë dy mundësi: ose ti ke pirë gji nga nëna e tyre, ose ato kanë pirë gji nga nëna jote. Allahu i Lartësuar ka bërë të ndaluar për martesë mëndeshën, që i ka dhënë gji personit kur ka qenë foshnjë. Por duke qenë se qumështi nuk prodhohet vetëm prej gruas, por edhe prej burrit të saj, atëherë edhe bashkëshorti i saj konsiderohet si babai i këtij fëmije, për shkak të qumështit. Për këtë arsye, personit që ka pirë gji te një mëndeshë i bëhen të ndaluara të njëjtat gjëra që do të ishin të ndaluara për të nëse do të ishte i lindur prej asaj nëne dhe atij babai, ashtu sikurse ka thënë Profeti (a.s.): “Gjidhënia bën të ndaluara të njëjtat gjëra që bën të ndaluara lidhja e gjakut (farefisnia).” Megjithatë, kjo ka vlerë vetëm për personin që ka pirë gji dhe fëmijët e tij, dhe jo me pjesëtarët e tjerë të gjakut të tij (si vëllai, motra etj). Që gjidhënia të konsiderohet si shkak për ndalimin e martesës, është kusht që fëmija të ketë pirë pesë herë të plota dhe të ngopet. …