Muslim99Muslim99
← Tafsir library

4. An-Nisaa

The Women · Medinan · 176 ayahs

سُورَةُ النِّسَاءِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 121–130 of 176

121

أُو۟لَٰٓئِكَ مَأْوَىٰهُمْ جَهَنَّمُ وَلَا يَجِدُونَ عَنْهَا مَحِيصًۭا

Për ata, vendbanim ëshë skëterra (ferri) dhe ata nuk mund të gjejnë shpëtim prej tij.

Ata(që ndjekin shejtanin)e kanë vendin në Xhehenem, prej të cilit nuk kanë shpëtim. -Të gjithë ata që, duke i kthyer shpinën Zotit, i nënshtrohen Shejtanit e bëhen pasues të tij, do të kenë si vendqëndrim të tyre zjarrin e Xhehenemit. Askush nuk do të mund t’i shpëtojë prej andej dhe në atë vend do të jenë përgjithmonë.

An-Nisaa 4:121Listen in Qur'an →
122

وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ سَنُدْخِلُهُمْ جَنَّٰتٍۢ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَٰرُ خَٰلِدِينَ فِيهَآ أَبَدًۭا ۖ وَعْدَ ٱللَّهِ حَقًّۭا ۚ وَمَنْ أَصْدَقُ مِنَ ٱللَّهِ قِيلًۭا

Ata që besojnë dh bëjnë vepra të mira, Na do t’i shpiem në kopshte të xhennetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenjt, ku do të qëndrojnë vazhdimisht e përgjithmonë. Ky është premtimi i vërtetë i Perëndisë. E kush është më i vërtetë se Perëndia në fjalë?!

Ndërsa ata të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira -Allahu i Lartësuar i përshkruan me dy cilësi ata që meritojnë shpërblimin e Tij të madh. Së pari, ata besojnë. Por çfarë besojnë? Ata besojnë Allahun, melekët, librat e Tij, profetët dhe Ditën e Gjykimit. Ata besojnë edhe kaderin, domethënë në caktimin e të mirës dhe të keqes nga Allahu i Lartësuar. Ky besim i tyre është ashtu siç i ka urdhëruar Allahu i Lartësuar që të besojnë. Besimi i tyre ndërtohet mbi dijen e saktë dhe të sigurt të sjellë nga Zoti dhe Profeti i Tij, mbi pohimin dhe pranimin pa mëdyshje të gjithçkaje që duhet pranuar dhe pohuar. Së dyti, ata bëjnë vepra të mira. Këtu përfshihen të gjitha llojet e punëve të mira të cilat Allahu i Lartësuar dhe Profeti (a.s)i kanë urdhëruar dhe na kanë nxitur që t’i kryejmë, qofshin këto punë zemre, që nuk duken me sy, qofshin fjalë apo punë të dukshme. Çdo njeri do të meritojë shpërblimin e Allahut në varësi të shkallës së besimit dhe të veprave të mira të ndërtuara mbi të. Asgjë nga këto nuk ndodh jashtë urtësisë dhe mëshirës së Allahut të Lartësuar. Premtimi i Allahut të Madhërishëm është i pakthyeshëm. Këto ishin dy kushtet për të përfituar nga premtimi i mrekullueshëm i Allahut të Lartësuar, i Cili thotë:Ne do t’i vendosim në kopshte, ku rrjedhin lumenj e ku do jenë përgjithmonë. -Në këto kopshte të Xhenetit ka mirësi, të cilat syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe mendja e njeriut nuk i ka përfytyruar. Besimtari do të shijojë në Xhenet lloje të shumta ushqimesh dhe pijesh, do të kënaqet me pamje të mrekullueshme dhe me gra të bukura. Ata do të shëtisin plot gëzim në kështjella të larta dhe nëpër dhomat e zbukuruara, do të pushojnë të kënaqur poshtë pemëve të dendura, plot fruta të njohura e të panjohura, duke dëgjuar me ëndje zërat e bukur që këndojnë. Ata do të vizitojnë njëri-tjetrin mes mirësive të papërshkrueshme të Xhenetit dhe do të kujtojnë ditët e tyre në këtë dynja. Por mbi të gjitha këto kënaqësi e shumë e shumë të tjera, që njeriu nuk mundet t’i përshkruajë me fjalë, qëndron kënaqësia e Allahut të Lartësuar me ta dhe lumturia që të jep qëndrimi pranë Allahut të Lartësuar, shikimi i Tij dhe dëgjimi i fjalës së Tij të dashur. Kjo lloj kënaqësie i bën ata që të harrojnë çdo lloj mirësie tjetër që gëzojnë në Xhenet. Sikur Allahu i Lartësuar të mos i bënte ata të aftë për të përballuar këtë mirësi, ata do të vdisnin nga gëzimi. Subhanallah! Çfarë mrekullish! Sa të larta janë gradat dhe sa të shumta janë begatitë që dhuron Zoti Bujar. Këto mirësi bëhen akoma më të mëdha kur kujton se ato do të jenë të përjetshme, prandaj i Lartësuari thotë: “...ku do jenë përgjithmonë.”Ky është premtimi i Allahut. E kush mund të jetë më i vërtetë në fjalë sesa Allahu? -Të vërtetën ka thënë Allahu i Madhërishëm. Fjalët e krijesave nuk mund t’u afrohen fjalëve të Allahut të Lartësuar, për sa i përket vërtetësisë së tyre. Fjalët e Tij janë të vërteta në mesazhin që përçojnë, në mësimet që sjellin dhe në atë çka nënkuptojnë. Të tilla janë edhe fjalët e Profetit a.s, sepse ai fliste dhe urdhëronte veçse me shpallje nga Alllahu i Lartësuar.

An-Nisaa 4:122Listen in Qur'an →
123

لَّيْسَ بِأَمَانِيِّكُمْ وَلَآ أَمَانِىِّ أَهْلِ ٱلْكِتَٰبِ ۗ مَن يَعْمَلْ سُوٓءًۭا يُجْزَ بِهِۦ وَلَا يَجِدْ لَهُۥ مِن دُونِ ٱللَّهِ وَلِيًّۭا وَلَا نَصِيرًۭا

Puna nuk qëndron ashtu, as sipas dëshirës suaj e as sipas dëshirës së ithtarëve të Librit. Por është, se kushdo që të bëjë një të keqe, do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë as mbrojtës as ndihmëtar përveç Perëndisë;

Nuk është as sipas dëshirave tuaja e as sipas dëshirave të ithtarëve të Librit. -Kuptimi: Shpëtimi nuk arrihet duke pretenduar e ëndërruar. Ëndrrat dhe pretendimet boshe nuk e pastrojnë njeriun nga gjynahet dhe as nuk i japin shpërblim. “El emânij” quhet pretendimi për të arritur një qëllim të caktuar, por pa bërë as më të voglin mundim për arritjen e tij. Çdokush që synon të arrijë diçka pa shpenzuar mundin që i takon asaj, nuk ka bërë gjë tjetër, por veçse ka ëndërruar me sy hapur. Çdokush mund të pretendojë çfarë të dojë, por, pa punuar e lëvizur, të gjitha pretendimet janë njëlloj. Kjo mund të thuhet për çdo çështje të kësaj dynjaje. Atëherë, si mendon se qëndron çështja kur bëhet fjalë për besimin dhe rrugën e arritjes së lumturisë së përjetshme?! Në ajete të tjera, Allahu i Lartësuar na ka folur rreth pretendimeve boshe të ithtarëve të Librit: “Ata (ithtarët e Librit)thonë: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet nëqoftë se nuk është çifut ose i krishterë!” Këto janë trille të tyre! Thuaju: “Sillni provat tuaja, nëse keni të drejtë!” Përkundrazi, ai që i është dorëzuar Allahut dhe është bamirës, e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij. Për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të brengosen.” [Bekare 111, 112]. Kur gjykimi është i tillë për pretendimet e ithtarëve të Librit, çfarë mund të thuhet për ata që nuk ndjekin as libër hyjnor dhe as ndonjë profet? Sigurisht që pretendimet e tyre janë edhe më të pabazuara. Allahu i Madhëruar, duke qenë i Drejtë, ka dhënë të njëjtin gjykim edhe për ata muslimanë që bien në të njëjtin gabim. Të gjithë duhet ta dinë se përkatësia në çfarëdolloj feje qoftë, nuk i bën domosdoshmërisht të pranueshme pretendimet e ithtarëve të saj, nëse ato nuk argumentohen qartë dhe saktë. Janë veprat ato që tregojnë vërtetësinë apo pavërtetësinë e pretendimeve. Prandaj Allahu i Lartësuar e përforcon këtë rregull, kur thotë:Kushdo që bën keq, do të ndëshkohet me të dhe përveç Allahut, nuk ka për t’i gjetur vetes as mbrojtës e as ndihmëtar. -Ajeti është gjithëpërfshirës. Ai nuk përjashton as vepruesin e të keqes, as vetë të keqen. Çdokush që bën një të keqe, do të shpërblehet sipas saj. Gjithashtu, çdo e keqe, e madhe apo e vogël qoftë, e ka të përcaktuar dënimin e saj, i madh apo i vogël qoftë ai. Ky dënim mund të jepet në dynja dhe në ahiret. Në varësi të gjynaheve që bëjnë dhe të ndëshkimeve që meritojnë, njerëzit janë të gradave të ndryshme. Vetëm Allahu i Madhëruar e di se çfarë meritojnë ata. Ata që bëjnë vetëm të këqija, - dhe të tillë janë qafirët, - nëse vdesin pa u penduar, do të ndëshkohen përjetësisht. Ndërsa atyre që bëjnë vepra të mira në përgjithësi, edhe pse ndonjëherë bëjnë ndonjë gjynah të vogël, Allahu i Lartësuar u mundëson me mënyra të ndryshme që t’u fshihen dhe t’u falen këto gjynahe. Të tilla janë trishtimet, ankthet, vuajtjet, dhimbjet në trup dhe shpirt, fatkeqësitë mbi të afërmit dhe pasurinë e të tjera. Të gjitha këto janë mënyra për fshirje gjynahesh dhe shpagim për punët e këqija. Pa dyshim, ky është tregues i qartë i mëshirës dhe bamirësisë së Allahut të Lartësuar ndaj adhuruesve të Tij. Duhet të themi se nga ky gjykim përjashtohen të penduarit, sepse ata janë njëlloj sikur nuk kanë bërë fare gjynah, …

An-Nisaa 4:123Listen in Qur'an →
124

وَمَن يَعْمَلْ مِنَ ٱلصَّٰلِحَٰتِ مِن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَىٰ وَهُوَ مُؤْمِنٌۭ فَأُو۟لَٰٓئِكَ يَدْخُلُونَ ٱلْجَنَّةَ وَلَا يُظْلَمُونَ نَقِيرًۭا

kushdo që të punojë vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë ai besimtarë, do të hyjë në xhennet dhe nuk do t’i bëhet dëm as sa një thërrmi.

Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi. -Këtu bëhet fjalë për të gjitha llojet e të mirave, qofshin ato që bëhen me zemër, qofshin ato me gjymtyrë. Këtu bëhet fjalë edhe për çdonjë që bën vepra të mira, qoftë njeri apo xhin, i vogël apo i madh, mashkull apo femër. Por Allahu i Lartësuar ka përmendur një kusht për pranimin e këtyre punëve: ai është besimi. Pra, asnjë vepër nuk konsiderohet e mirë, nuk pranohet, nuk ka shpërblim dhe nuk të largon nga ndëshkimi nëse nuk nxitet dhe nuk buron nga besimi. Punët pa besim janë si degët e një peme, së cilës i është prerë trungu, apo si një ndërtesë pa themele. Imani është themeli, trungu, baza mbi të cilën ndërtohet çdo gjë. Me fjalë të tjera, çdo vepër e mirë, për të cilën është përmendur shpërblim në Kur’ân, ka si kusht imanin, edhe nëse mund të mos jetë thënë shprehimisht në çdo rast. Allahu i Lartësuar thotë: “...do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi”. Ata që kanë besimin dhe veprat e mira do të hyjnë në Xhenet, ku do të kënaqen me gjithçka që ua dëshiron shpirti. Atyre nuk do t’u bëhet asnjë lloj padrejtësie, as e madhe e as e vogël, nuk do t’u mohohet asnjë punë e mirë që kanë kryer, sado e vogël qoftë ajo. Përkundrazi, shpërblimi do të jetë i shumëfishuar nga bujaria dhe mëshira e Allahut të Lartësuar.

An-Nisaa 4:124Listen in Qur'an →
125

وَمَنْ أَحْسَنُ دِينًۭا مِّمَّنْ أَسْلَمَ وَجْهَهُۥ لِلَّهِ وَهُوَ مُحْسِنٌۭ وَٱتَّبَعَ مِلَّةَ إِبْرَٰهِيمَ حَنِيفًۭا ۗ وَٱتَّخَذَ ٱللَّهُ إِبْرَٰهِيمَ خَلِيلًۭا

Kush është besimtar më i mirë nga ai që i dorëzohet sinqerisht Perëndisë, duke qenë bëmirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit (që nuk i ka bërë shok Perëndisë); e Perëndia e ka marrë Ibrahimin për mik?!

Kush ka fe më të mirë se ai që i është dorëzuar Allahut sinqerisht,… -Nuk ka besim dhe fe më të mirë sesa feja e atij që ka edhe sinqeritetin në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar, edhe dorëzimin e plotë ndaj Tij. Sinqeriteti ndaj Allahut është dorëzimi i plotë i zemrës ndaj Tij, është drejtimi i plotë për nga Ai, me pendim, bindje dhe nënshtrim; pra, është kthimi tërësisht tek Allahu i Lartësuar. Por, përveç sinqeritetit, është dhe dorëzimi i plotë ndaj Allahut të Lartësuar:...duke qenë bamirës… -Domethënë, duke qenë zbatues i ligjit të Zotit, për kumtimin e të cilit Allahu i Lartësuar dërgoi profetët dhe shpalli librat e Tij, duke e bërë atë rrugë nëpër të cilën të zgjedhurit e Tij afrohen dhe kërkojnë kënaqësinë e Tij. Bamirës mund të quhet veçse ai që pason dhe zbaton rigorozisht ligjin e Zotit, duke e adhuruar të Lartësuarin me mënyrën që Ai e ka përcaktuar. Dy cilësitë e fesë më të mirë ishin: sinqeriteti në adhurim, duke iu përkushtuar vetëm Allahut të Lartësuar, dhe zbatimi i ligjit të sjellë prej Tij, duke e adhuruar Atë ashtu sikurse Ai na ka mësuar ta adhurojmë. Por në përshkrimin e fesë më të mirë, Allahu i Madhëruar sjell më poshtë edhe një kusht tjetër:…dhe pason fenë e Ibrahimit që ishte(Hanifen)besimdrejtë? -Domethënë, të besojmë ashtu siç besonte Ibrahimi (a.s.) dhe të zbatojmë ligjin e Zotit ashtu sikurse e zbatonte ai. Allahu i Lartësuar përdor fjalën “hanifâ”, që do të thotë: “ i larguar tërësisht nga shirk-u, për t’iu përkushtuar vetëm Allahut të Lartësuar, i larguar nga nënshtrimi ndaj krijesave dhe i përkushtuar tërësisht ndaj Krijuesit”. Më pas, i Lartësuari thotë:Allahu e zgjodhi Ibrahimin për të qenë(Halil)më i dashuri i Tij. -“Ħalil” vjen nga fjala “el ħul-leh”, që tregon gradën më të lartë të dashurisë. Kjo dashuri e madhe e Allahut i është falur vetëm dy prej robërve të Tij, Muhamedit (a.s)dhe Ibrahimit a.s. Kjo është një dashuri e veçantë e Allahut të Lartësuar vetëm për këta të dy. Sidoqoftë, në mënyrë të përgjithshme, Allahu i Lartësuar i do të gjithë besimtarët. Allahu i Madhëruar e përzgjodhi Ibrahimin a.s, sepse ai plotësoi me përpikmëri çdo gjë për të cilën u urdhërua dhe qëndroi i fortë dhe i paepur kundrejt çdo sprove që i erdhi. Për këto arsye, Allahu i Lartësuar e bëri atë imam të të gjithë njerëzve, i fali dashurinë e Tij të madhe dhe e përhapi famën e tij në mbarë botën.

An-Nisaa 4:125Listen in Qur'an →
126

وَلِلَّهِ مَا فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ ۚ وَكَانَ ٱللَّهُ بِكُلِّ شَىْءٍۢ مُّحِيطًۭا

Të Perëndisë janë të gjitha çka gjenden në qiej dhe në Tokë dhe Perëndia i përfshin të gjitha (me dijeninë dhe pushtetin e Tij).

Vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. Allahu përfshin gjithçka. -Ajeti flet për gjithëpërfshirjen e pushtetit dhe dijes së Allahut të Lartësuar. Gjithçka është pronë e Allahut dhe të gjithë janë krijesa të Tij. Allahu përkujdeset për pronën e Tij dhe administron çështjet e tyre. Dija e Tij është absolute dhe përfshin çdo njohuri. Shikimi i Tij është absolut dhe Ai përfshin gjithçka me shikimin e Tij. Dëgjimi i Tij është absolut dhe Ai përfshin gjithçka me dëgjimin e Tij. Dëshira, pushteti dhe mbretërimi i Tij ekzekutohen mbi çdo gjë që ekziston. Mëshira e Tij përfshin banorët e tokës dhe të qiejve. Përballë krenarisë dhe madhështisë së Tij janë nënshtruar të gjitha krijesat.

An-Nisaa 4:126Listen in Qur'an →
127

وَيَسْتَفْتُونَكَ فِى ٱلنِّسَآءِ ۖ قُلِ ٱللَّهُ يُفْتِيكُمْ فِيهِنَّ وَمَا يُتْلَىٰ عَلَيْكُمْ فِى ٱلْكِتَٰبِ فِى يَتَٰمَى ٱلنِّسَآءِ ٱلَّٰتِى لَا تُؤْتُونَهُنَّ مَا كُتِبَ لَهُنَّ وَتَرْغَبُونَ أَن تَنكِحُوهُنَّ وَٱلْمُسْتَضْعَفِينَ مِنَ ٱلْوِلْدَٰنِ وَأَن تَقُومُوا۟ لِلْيَتَٰمَىٰ بِٱلْقِسْطِ ۚ وَمَا تَفْعَلُوا۟ مِنْ خَيْرٍۢ فَإِنَّ ٱللَّهَ كَانَ بِهِۦ عَلِيمًۭا

Ata prej teje (o Muhammed!) kërkojnë sqarimin e çështjeve për punë të femrave. Thuaju: “Perëndia ua sqaron çështjet e atyre, dhe për atë që ua ka shpjeguar në libër mbi femrat bonjake, të cilave nuk u jepni atë që është caktuar për to, e dëshironi të martoheni me to, (dhe ju mëson) për fëmijët e mitur dhe (ju urdhëron) që të silleni drejt ndaj bonjakëve”. E, Perëndia, e di mirë për çdo të mirë që punoni.

Ata kërkojnë prej teje(o Muhamed)që t’i sqarosh lidhur me çështjet e grave. -Allahu i Lartësuar na tregon se besimtarët i kërkonin Profetit (a.s.) fetva rreth çështjeve të grave. Atëherë, Allahu i Lartësuar iu përgjigj vetë besimtarëve, duke thënë:…Thuaju se për çështjet e tyre, ju sqaron Allahu… -Pra, punoni dhe vini në zbatim porositë e Allahut të Lartësuar për të gjitha çështjet që kanë lidhje me gratë, duke përmbushur të drejtat dhe detyrimet ndaj tyre dhe duke iu larguar padrejtësive ndaj tyre. Ky është një urdhër i përgjithshëm, i cili na jep një mësim të rëndësishëm: porositë e Zotit, urdhra apo ndalesa qofshin, duhet të çohen në vend, duke iu dhënë haku që u takon. Kështu duhet të trajtohen dispozitat që kanë të bëjnë me gratë apo me burrat, me të miturit apo me të rriturit. Më pas, për shkak të rëndësisë së madhe të çështjes, Allahu i Lartësuar ka dhënë një porosi të veçantë për kujdesin ndaj të dobtëve, siç janë jetimët. Ajeti tregon rëndësinë e madhe që Allahu i kushton kësaj kategorie dhe kërcënimin që i pret ata të cilët shkelin të drejtat e tyre. I Lartësuari thotë:...dhe këto(ajete)që po ju lexohen nga Libri,... -Allahu i Lartësuar ju tregon në këtë libër dispozitat rreth vajzave jetime....si për vajzat jetime, me të cilat lakmoni të martoheni, por nuk u jepni atë(mehrin)që është caktuar për to,... -Në ato kohë, kur është bërë edhe pyetja, shpesh kujdestarët ligjorë të vajzave jetime u bënin padrejtësi atyre në shumë forma, si: duke mos iu dhënë të drejtat e tyre, duke ngrënë tërë pasurinë e tyre ose një pjesë të saj, duke i penguar që të martoheshin me dikë tjetër, sepse në këtë mënyrë do t’iu hiqej pasuria e tyre, duke marrë padrejtësisht nga mehri që ato meritonin ose duke mos iu dhënë të plotë mehrin që u takonte. Të gjitha këto ishin padrejtësi, nga të cilat na ndalon ky ajet.…ashtu edhe për fëmijët e mitur.... -Allahu i Lartësuar ju sqaron rreth fëmijëve të vegjël dhe pa mbështetje. Ai ju porosit që t’u jepni të drejtat e tyre të plota, si në çështjen e trashëgimisë, ashtu edhe në çështje të tjera. Ai ju ndalon që t’i shfrytëzoni padrejtësisht pasuritë e tyre.Allahu ju udhëzon që të mbani drejtësi ndaj jetimëve! -Kuptimi: Mbani drejtësi të plotë dhe përkujdesuni për ta, në të gjitha aspektet! Edukojini ata që të jenë të bindur dhe të nënshtruar ndaj Allahut të Lartësuar! Urdhërojini që të zbatojnë detyrat dhe porositë e Zotit! Kujdesuni edhe për çështjet e tyre të dynjasë, duke ndihmuar në shtimin e pasurisë së tyre dhe duke zgjedhur mënyrat më të mira për këtë gjë! Mos cenoni të drejtat e tyre për hir të miqësive me të tjerët! Ky është treguesi i mëshirës së Allahut të Lartësuar për robërit e Tij, të cilët Ai i këshillon vazhdimisht që të përkujdesen për njerëzit që nuk kanë mundësi të kujdesen për veten e vet, për shkak të paaftësisë apo mungesës së prindërve. Më pas, Allahu i Lartësuar na urdhëron që të jemi bamirës në çdo drejtim:Çfarëdo të mire që bëni, Allahu e di shumë mirë atë. -Kuptimi: Çfarëdo të mire që të bëni, qoftë për jetimët, qoftë dhe për të tjerët, qoftë e mirë personale, qoftë e mirë e përgjithshme, Allahu i Lartësuar e di mirë atë. Allahu i Madhëruar ka përfshirë me dijen e Tij çdo punë që kryejnë …

An-Nisaa 4:127Listen in Qur'an →
128

وَإِنِ ٱمْرَأَةٌ خَافَتْ مِنۢ بَعْلِهَا نُشُوزًا أَوْ إِعْرَاضًۭا فَلَا جُنَاحَ عَلَيْهِمَآ أَن يُصْلِحَا بَيْنَهُمَا صُلْحًۭا ۚ وَٱلصُّلْحُ خَيْرٌۭ ۗ وَأُحْضِرَتِ ٱلْأَنفُسُ ٱلشُّحَّ ۚ وَإِن تُحْسِنُوا۟ وَتَتَّقُوا۟ فَإِنَّ ٱللَّهَ كَانَ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرًۭا

Nëse gruaja druan nga burri i saj se do të sillet keq ai, ose nuk do ta përfill atë, atëherë nuk ka mëkat për ata, nëse paqëtohen në mes vete. Paqëtimi është (madje) më i mirë (se shkurorëzimi). Te njerëzit është e prirur koprracia. Por në qoftë se ju do të silleni bukur dhe do të ruheni prej të këqijave, Perëndia, madje di mirë atë që punoni ju.

Nëse ndonjë grua i frikësohet largimit ose ftohjes së burrit të vet ndaj asaj, atëherë, ata nuk gabojnë nëse gjejnë rrugë pajtimi me njëri-tjetrin. -Nëse gruaja i druhet largimit dhe ftohjes së burrit të vet ndaj saj, më e mira në të tilla raste është që ata të pajtohen mes njëri-tjetrit. Kështu, gruaja ose burri mund të tolerojnë dhe të heqin dorë nga disa prej të drejtave të tyre, me qëllim që të vazhdojnë lidhjen martesore, dhe këtu nuk ka asnjë gjynah. Përkundrazi, pajtimi është më i mirë sesa ndarja, siç thotë Allahu i Lartësuar:Pajtimi është më i miri. -Marrëveshja ose pajtimi është më i mirë sesa këmbëngulja e secilës palë për të marrë tërësisht hakun e vet, në rastet kur ata kërkojnë të drejtat nga njëri-tjetri. Pra, është mirë që secila palë t’i bëjë lëshime palës tjetër. Pajtimi mundëson që afrimiteti të jetë i vazhdueshëm dhe kultivon te njeriu virtytet e faljes, tolerancës dhe bamirësisë. Marrëveshjet janë të lejuara në çdo çështje, me kusht që të mos bëhet haram diçka që Zoti e ka lejuar dhe të mos bëhet e lejuar diçka që Zoti e ka ndaluar. Në këto raste, marrëveshjet janë të padrejta dhe të palejueshme. Dije se asnjë gjykim nuk hyn në fuqi derisa të plotësohen kushtet dhe të hiqen pengesat e zbatimit të tij. Në rastin tonë, kur kemi të bëjmë me gjykimin për pajtim, Allahu i Lartësuar ka thënë se ky është një veprim i mirë dhe i drejtë. Gjithashtu, çdo njeri i logjikshëm i konsideron të mira të tilla ndërmarrje dhe nxit për plotësimin e tyre. Megjithatë, kur mëson që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për të tilla marrëveshje, besimtari motivohet edhe më shumë për kryerjen e tyre.Njerëzit janë të prirur nga lakmia. -Njerëzit janë të prirur që të mos i shpenzojnë të mirat që zotërojnë. Ata janë të prirur, gjithashtu, që ta kërkojnë hakun e tyre të plotë, pa asnjë mangësi. Këto prirje i kanë rrënjët në natyrën e njeriut. Duket sikur ky ajet urdhëron dhe thotë: “Është detyrë për ju që të përpiqeni shumë për ta shkulur nga shpirti këtë cilësi të ulët dhe, në vend të saj, të kultivoni faljen, tolerancën dhe bujarinë. Toleranca ose lëshimi që njeriu bën në të drejtat e tij, në emër të faljes dhe bujarisë, është një virtyt shumë i lartë dhe i rëndësishëm. Nëse njeriu e kultivon te vetja këtë cilësi të lartë, ai e ka më të thjeshtë të arrijë pajtimin me të tjerët. Ndërsa ai që nuk e ka edukuar veten dhe nuk e mjekon sëmundjen e koprracisë, ai e ka shumë të vështirë që të bëjë konpromise dhe të tolerojë të tjerët, por kërkon me ngulm hakun e vet, pa asnjë tolerim dhe lëshim. Në këtë rast, nëse edhe kundërshtari i tij është me të njëjtat prirje, çështja vështirësohet shumë dhe bëhet e rrezikshme. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë:Nëse ju bëni mirë dhe tregoheni të devotshëm, s’ka dyshim se Allahu di gjithçka që bëni ju. -Këtu Allahu i Lartësuar jep dy porosi. Porosia e parë është: të bësh mirë. Bamirësia (ihsan) tregohet në dy drejtime:1. Bamirësi në drejtim të adhurimit të Zotit të Lartësuar, e cila, siç e ka shpjeguar Profeti (a.s.), arrihet duke adhuruar Zotin sikurse ti e sheh Atë, sepse, edhe nëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.2. Bamirësi ndaj krijesave, me të gjitha rrugët dhe mënyrat e saj të larmishme, si nëpërmjet pasurisë, dijes, …

An-Nisaa 4:128Listen in Qur'an →
129

وَلَن تَسْتَطِيعُوٓا۟ أَن تَعْدِلُوا۟ بَيْنَ ٱلنِّسَآءِ وَلَوْ حَرَصْتُمْ ۖ فَلَا تَمِيلُوا۟ كُلَّ ٱلْمَيْلِ فَتَذَرُوهَا كَٱلْمُعَلَّقَةِ ۚ وَإِن تُصْلِحُوا۟ وَتَتَّقُوا۟ فَإِنَّ ٱللَّهَ كَانَ غَفُورًۭا رَّحِيمًۭا

Ju nuk jeni në gjendje, madje edhe sikur të dëshironi, të silleni drejt në mes të grave. Andaj, mos anoni krejtësisht vetëm kah njëra, e ta leni tjetrën si të varur (as me burrë as pa burrë!) Nëse ju i përmirësoni marrëdhëniet dhe ruheni nga padrejtësia, - e, Perëndia, me të vërtetë, është falës dhe mëshirues.

Ju nuk do mund të mbani drejtësi të plotë mes grave, edhe nëse përpiqeni. -Allahu i Lartësuar na tregon se është jashtë mundësive të burrit që të mbajë drejtësi të plotë mes grave (kur është i martuar me më shumë se një grua), në aspektin e dashurisë që duhet të ndiejë për to, dhe, rrjedhimisht edhe në mënyrën e sjelljes me to. Është e pamundur që burri ta arrijë këtë drejtësi të plotë, por Allahu i Lartësuar i fal gabimet që janë jashtë mundësive të njeriut për t’i përballuar. Sidoqoftë, Allahu i Lartësuar na ndalon nga padrejtësia, nëse kjo është brenda mundësive tona. Ai thotë:...Por mos anoni tërësisht nga njëra, e ta lini tjetrën pezull. -Mos anoni tërësisht nga njëra duke mos i dhënë hakun që i takon tjetrës. Bëni gjithçka që është brenda mundësive tuaja, për të mbajtur drejtësinë mes tyre. Shpenzimet jetësore për ushqim e veshmbathje, strehimi dhe numri i ditëve të qëndrimit me bashkëshortet janë të drejta që duhet të ndahen në mënyrë të barabartë mes tyre. Ndërsa për sa u përket ndjenjave, preferencave, dashurisë apo marrëdhënieve intime me to, në të tilla çështje nuk mund të pretendohet se mund të mbahet drejtësia. Megjithatë, një grua nuk duhet lënë mënjanë, tërësisht si e varur: as me burrë, që të plotësojë nevojat e saj, e as pa burrë, që të mund të martohet me dikë tjetër.Nëse ju i përmirësoni marrëdhëniet dhe ruheni nga padrejtësitë, pa dyshim, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. -Për të na falur dhe mëshiruar, Allahu i Lartësuar na jep dy porosi:1. Përmirësoni marrëdhëniet me gratë dhe mbani drejtësi, duke shpresuar shpërblimin e Zotit. Përmbushni detyrimet ndaj tyre, përmirësoni lidhjet me të tjerët, pajtoni njerëzit që ndodhen në konflikte, duke përdorur çdo mënyrë të lejuar.2. Pajisuni me devotshmëri, duke kryer urdhëresat, duke iu larguar harameve dhe duke bërë durim ndaj caktimit të Zotit.Nëse i zbatoni këto porosi, do ta gjeni Allahun e Lartësuar Falës e Mëshirues. Ai do t’ju falë për gjynahet tuaja dhe për mangësitë në kryerjen e detyrimeve. Ai do t’ju mëshirojë, ashtu sikurse ju tregoheni tolerues ndaj grave tuaja.

An-Nisaa 4:129Listen in Qur'an →
130

وَإِن يَتَفَرَّقَا يُغْنِ ٱللَّهُ كُلًّۭا مِّن سَعَتِهِۦ ۚ وَكَانَ ٱللَّهُ وَٰسِعًا حَكِيمًۭا

E nëse ata (burri e gruaja) ndahen, Perëndia me begatinë e Tij, çdonjërin prej tyre e bën të pavarur. Se Perëndia, është i bollëkshëm në begatinë e Tij dhe i Gjithëdijshëm.

Nëse ata(nuk gjejnë rrugë pajtimi e)ndahen, Allahu do të begatojë secilin prej tyre me mirësitë e Tij. Allahu është Bujar dhe i Urtë. -Nëse është e pamundur marrëveshja dhe pajtimi mes bashkëshortëve, atëherë nuk është gabim që ata të ndahen. Nëse ata arrijnë në divorc, është Allahu i Lartësuar që do t’i furnizojë të dyja palët me bujarinë e Tij gjithëpërfshirëse. Ai do t’i mundësojë burrit të martohet me një grua më të mirë se ajo nga e cila është ndarë. Po ashtu, Ai do ta ndihmojë gruan e divorcuar me mirësinë e Tij, duke e furnizuar dhe duke e bërë të mjaftohet me mirësinë e Tij. Allahu i Lartësuar është Ai që ka në dorë furnizimin e krijesave dhe që kujdeset për to. Allahu i Lartësuar ndoshta i mundëson gruas që të martohet me një burrë më të mirë sesa ai nga i cili ajo është ndarë. Allahu i Madhëruar është Bujar me mirësitë e Tij. Bujaria e Tij përputhet me dijen e Tij. Përveç kësaj, Allahu është edhe i Urtë. Ai jep me urtësi dhe privon po me urtësi. Nëse urtësia e Tij kërkon që, për shkak të gjynaheve të tyre, Ai t’i privojë njerëzit nga disa mirësi, Ai i privon ata. Kjo është drejtësia dhe urtësia e Tij.

An-Nisaa 4:130Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.