وَإِذَا ضَرَبْتُمْ فِى ٱلْأَرْضِ فَلَيْسَ عَلَيْكُمْ جُنَاحٌ أَن تَقْصُرُوا۟ مِنَ ٱلصَّلَوٰةِ إِنْ خِفْتُمْ أَن يَفْتِنَكُمُ ٱلَّذِينَ كَفَرُوٓا۟ ۚ إِنَّ ٱلْكَٰفِرِينَ كَانُوا۟ لَكُمْ عَدُوًّۭا مُّبِينًۭا
Kur të udhëtoni ju, nuk është mëkat që ta shkurtoni namazin, nëse droni që mohuesit do t’u bëjnë ndonjë dëm. Me të vërtetë, mohuesit janë armiqët tuaj të hapët.
Këto dy ajete (101-102)janë faktet kryesore për lejimin e shkurtimit të namazit dhe për namazin e frikës. Allahu i Lartësuar thotë:Kur të jeni në udhëtim, nuk është gjynah për ju nëse e shkurtoni një pjesë të namazit, nëse keni frikë se mos jobesimtarët mund t’ju sulmojnë. Me të vërtetë, jobesimtarët janë armiqtë tuaj të hapur. -Ajeti tregon se ky është lehtësim që përfshin të gjitha llojet e udhëtimit, madje edhe nëse është për qëllime të këqija dhe të palejueshme nga Sheriati. Ky është mendimi i imam Ebu Hanifes (Allahu e mëshiroftë!), sepse shumica e dijetarëve, ku futen edhe tre imamët e tjerë kryesorë (Imam Maliku, imam Shafiu dhe imam Ahmedi), mendojnë ndryshe. Ata nuk e lejojnë lehtësimin për udhëtimet që kanë si qëllim gjynahet. Sipas tyre, ky ajet gjithëpërfshirës duhet kuptuar si i posaçëruar vetëm për udhëtimet e lejuara. Shkurtimi i namazit gjatë udhëtimit është një lehtësim nga Zoti për adhuruesit e Tij, por nga ky lehtësim nuk mund të përfitojnë ata që me këtë udhëtim synojnë mosbindjen ndaj Zotit. Në ajet thuhet: “Kur të jeni në udhëtim, nuk është gjynah për ju të shkurtoni një pjesë namazi...”. Kur thuhet se “nuk është gjynah për ju që të shkurtoni namazin”, nuk duhet të kuptojmë që mosshkurtimi i namazit është më i mirë se shkurtimi i tij. Kjo shprehje nuk bie ndesh as me faktin që shkurtimi duhet kryer në rastin e caktuar. Kjo çështje është e ngjashme me atë në ajetin 158 të sures Bekare. Namazi është përcaktuar që të falet i plotë dhe dikush mund të ndihet keq po ta shkurtojë atë, prandaj kjo mënyrë e të shprehurit shërben për të qetësuar shpirtrat se nuk ka asnjë gjynah në një veprim të tillë, përderisa është i ligjëruar nga Zoti. Faktet që tregojnë se falja e namazit të shkurtuar është më e mirë për udhëtarin sesa falja e tij e plotë janë dy: Së pari, Profeti (a.s.) vazhdimisht e ka shkurtuar namazin në udhëtimet e tij. Së dyti, ajo është prej mëshirës, lehtësimit dhe butësisë së Allahut të Lartësuar për krijesat e Tij dhe, si e tillë, ajo duhet të pranohet duke shprehur mirënjohje për Të. Allahu i Lartësuar kënaqet kur i pranohen lehtësimet e Tij, ashtu sikundër e urren kur kryhen gjynahe. Vini re se si Allahu i Lartësuar ka thënë: “shkurtoni një pjesë namazi” dhe nuk ka thënë: “shkurtoni namazin”. Nga kjo mënyrë të shprehuri dalin dy përfitime:1. Nëse do të thoshte “shkurtoni namazin”, masa e shkurtimit do të ishte krejt e papërcaktuar dhe dikush do mund ta shkurtonte më tepër se ç’duhet, duke falur, për shembull, vetëm një rekat e duke menduar se kjo është e lejueshme. Por duke thënë: “shkurtoni një pjesë namazi” aludohet se ky shkurtim është i përcaktuar, ashtu siç dëshmohet nga Tradita e Profetit dhe e shokëve të tij.2. Kur thuhet: “një pjesë namazi” , nënkuptohet gjithashtu se jo të gjitha namazet shkurtohen, dhe dihet që vetëm namazet katër-rekatësh shkurtohen, ndërsa namazi i sabahut dhe ai i akshamit nuk shkurtohen.Në ajet bëhet edhe një kufizim tjetër: “...nëse keni frikë se mos jobesimtarët mund t’ju sulmojnë.”. Dijetarët e tefsirit kanë dhënë mendime të ndryshme lidhur me këtë kusht. I parë në kuptimin e drejtpërdrejtë, duket sikur namazi duhet të shkurtohet nëse jemi në udhëtim dhe kemi frikë nga ndonjë …