Muslim99Muslim99
← Tafsir library

4. An-Nisaa

The Women · Medinan · 176 ayahs

سُورَةُ النِّسَاءِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 1–10 of 176

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

1

يَٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ ٱتَّقُوا۟ رَبَّكُمُ ٱلَّذِى خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍۢ وَٰحِدَةٍۢ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالًۭا كَثِيرًۭا وَنِسَآءًۭ ۚ وَٱتَّقُوا۟ ٱللَّهَ ٱلَّذِى تَسَآءَلُونَ بِهِۦ وَٱلْأَرْحَامَ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًۭا

O njerëz! Druajuni Perëndisë, i Cili ju krijoi prej një individi, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë mashkuj e femra. Dhe druajuni Perëndisë, me emrin e të cilit, ju i kërkoni njëri-tjetrit diçka dhe i ruani lidhjet farefisnore. Se, Perëndia, me të vërtetë, është përherë mbikëqyrës i juaji.

O njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, ndërsa prej tij krijoi bashkëshorten, e prej atyre të dyve përhapi shumë burra e gra. -Allahu i Lartësuar e ka filluar këtë sure me një urdhër për devotshmëri dhe bindje ndaj Tij, si dhe ka nxitur për të ruajtur lidhjet farefisnore. Ai e qartëson arsyen pse duhen zbatuar këto urdhra dhe pse duhet të pajisemi me devotshmëri: Allahu është Krijuesi juaj, që ju furnizon dhe përkujdeset për ju, duke ju dhënë çdo gjë të nevojshme. Një nga mirësitë e mëdha të Allahut ndaj nesh është fakti që Ai na krijoi prej një njeriu të vetëm, Ademit (a.s.), prej të cilit krijoi palën tjetër, gruan, që të jetë prehje dhe qetësim për burrin. Kështu Allahu i Lartësuar e ka plotësuar mirësinë e Tij ndaj robërve , duke u falur atyre gëzim, kënaqësi dhe lumturi, prandaj devotshmëria e tyre ndaj Tij është vërtet e meritueshme. Më pas, Allahu i Lartësuar sjell edhe një arsye tjetër për të qenë të devotshëm ndaj Tij:Kijeni frikë Allahun, me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajini lidhjet farefisnore! -Është pikërisht Allahu, me emrin e të Cilit betohemi për të arritur qëllimet tona, Ai ndaj të Cilit urdhërohemi të jemi të devotshëm dhe të bindur. Kur duam të arrijmë qëllimet tona, ne betohemi në emër të Allahut, sepse kështu realizimi është më i sigurt. Dihet shumë mirë se kur i lutesh dikujt për diçka, duke i thënë: “Të kërkoj ta bësh këtë gjë për hir të Allahut!”, ai nuk të refuzon, sepse madhërimi i Allahut në zemër nuk e lejon një gjë të tillë. Kështu, ne urdhërohemi për devotshmëri dhe bindje ndaj Zotit, dhe kjo nuk është diçka e panatyrshme për ne. Arsyeja për të qenë të devotshëm e të bindur ndaj Allahut bëhet edhe më e fortë kur kujtojmë se Ai është Mbikëqyrësi ynë, që dëshmon gjithçka që ne veprojmë:Vërtet, Allahu është Mbikëqyrësi juaj i përhershëm. -Ai është mbikëqyrës i robërve . Ai i vështron ata në çdo gjendje, gjatë lëvizjes dhe qetësisë, kur janë mes njerëzve dhe larg syve të tyre. Nëse jemi të vetëdijshëm për këtë mbikëqyrje, ajo do të kultivojë në shpirtin tonë frikërrespektin ndaj Allahun, turpin, devotshmërinë dhe bindjen e vazhdueshme ndaj Tij. Allahu i Lartësuar na nxit që të meditojmë mbi faktet e krijimit të Tij. Ai na ka shpërndarë nëpër tokë, edhe pse origjina jonë është e njëjtë dhe e përbashkët. Pikërisht për shkak të kësaj origjine të njëjtë, njerëzit duhet të jenë të butë dhe të mëshirshëm me njëri-tjetrin. Për të përforcuar këtë ndjenjë në zemrat e tyre, Allahu i Lartësuar, menjëherë pasi i urdhëron ata që të jenë njësues në adhurimin e Tij, i urdhëron për bamirësi dhe mëshirë ndaj njëri-tjetrit dhe i ndalon nga ndarja, largimi dhe armiqësia mes tyre. Ashtu sikurse është detyrë përmbushja e detyrimeve ndaj Zotit, duke e adhuruar Atë si Një të Vetëm, ashtu duhen plotësuar edhe detyrimet ndaj krijesave, sidomos ndaj të afërmve, madje respektimi i të drejtave të tyre është pjesë përbërëse dhe e pandashme e respektimit të të drejtave të Zotit mbi krijesat e Tij, për të cilat Ai ka urdhëruar të plotësohen dhe për to do t’i marrë në përgjegjësi Ditën e Llogarisë. Shihni se si Allahu e fillon këtë sure me urdhrin për devotshmëri ndaj Tij dhe për bamirësi ndaj …

2

وَءَاتُوا۟ ٱلْيَتَٰمَىٰٓ أَمْوَٰلَهُمْ ۖ وَلَا تَتَبَدَّلُوا۟ ٱلْخَبِيثَ بِٱلطَّيِّبِ ۖ وَلَا تَأْكُلُوٓا۟ أَمْوَٰلَهُمْ إِلَىٰٓ أَمْوَٰلِكُمْ ۚ إِنَّهُۥ كَانَ حُوبًۭا كَبِيرًۭا

Epni pasurinë bonjakëve (kur të ëhen të aftë e vetvetes), mos ua ndërroni të keqen (nga pasuria juaj) me të mirën (nga pasuria e tyre). Mos e hani pasurinë e tyre (të përzier) me pasurinë tuaj. Se kjo, me të vërtetë, është mëkat i madh.

Jepuani pasurinë e tyre jetimëve... -Kur shtjellon imtësisht të drejtat njerëzore që ne duhet të përmbushim, Allahu i Lartësuar e fillon me të drejtat e jetimëve. ‘Jetimë’ quhen fëmijët që janë nën moshën e pjekurisë e të pafuqishëm për të përballuar jetën, të cilët kanë humbur të dy prindërit ose vetëm babanë dhe kështu nuk ka kush kujdeset për ta. Kështu, i Gjithëmëshirshmi dhe i Dashuri i urdhëron robërit e Tij që të jenë bamirës me këtë kategori njerëzish. Allahu i Lartësuar e ka ndaluar që t’i afrohemi pasurisë së jetimëve, përveçse po ta bëjmë këtë në mënyrën më të mirë dhe më dobiprurëse për ta. Ai ka urdhëruar që, kur ata të arrijnë moshën e pjekurisë dhe kur të shihet qartë tek ata aftësia për të administruar drejt pasurinë, atëherë t’u dorëzohet pasuria e tyre. Allahu i Lartësuar thotë:...dhe mos e përzieni pasurinë e pastër me të papastrën. -Ky është një urdhër për ta trajtuar pasurinë e jetimëve veçse në mënyrë të lejuar. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që pasurinë tonë të pastër të mos e përziejmë me pasuri të papastër, haram, që është marrë padrejtësisht nga pasuria e jetimëve ose me rrugë jo të lejuara. Nga ana tjetër, nëse e shfrytëzojmë pasurinë e tyre në mënyrë të drejtë dhe brenda kufijve të caktuar nga Allahu, atëherë ajo është hallall.Mos e hani pasurinë e tyre duke e përzier me pasurinë tuaj, sepse ky është një gjynah i madh. -Kuptimi: Mos e përzieni pasurinë e tyre me tuajën, për të përfituar prej saj. Mjaftohuni me pasurinë tuaj, të cilën Allahu jua ka dhuruar dhe mos shpenzoni prej pasurisë së jetimëve për veten tuaj. Ai që merr guximin të bëjë një vepër të tillë të ulët, le ta dijë se ky është një gjynah shumë i madh. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe para Zotit tuaj. Përzierja e pasurisë së pastër me të papastër bëhet me forma të ndryshme, për shembull, kur kujdestari ligjor i jetimit merr prej pasurisë së jetimit mallin e mirë dhe e zëvendëson atë me mall të keq. Nga ky ajet kuptohet edhe ligjshmëria e kujdestarisë mbi jetimin, e pikërisht kur flitet për detyrimin që pasuria t’i kthehet jetimit, sepse ai që detyrohet nga ligji për t’i kthyer pasurinë jetimit është vetëm ai që ligji i ka dhënë të drejtën e kujdestarisë ligjore mbi të. Ajeti udhëzon për bamirësi dhe mirëadministrim të pasurisë së jetimit. Pasuria e jetimit duhet të ruhet, të kultivohet dhe të përmirësohet.

3

وَإِنْ خِفْتُمْ أَلَّا تُقْسِطُوا۟ فِى ٱلْيَتَٰمَىٰ فَٱنكِحُوا۟ مَا طَابَ لَكُم مِّنَ ٱلنِّسَآءِ مَثْنَىٰ وَثُلَٰثَ وَرُبَٰعَ ۖ فَإِنْ خِفْتُمْ أَلَّا تَعْدِلُوا۟ فَوَٰحِدَةً أَوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَٰنُكُمْ ۚ ذَٰلِكَ أَدْنَىٰٓ أَلَّا تَعُولُوا۟

Nëse droni se nuk bëni drejtësi ndaj bonjakëve, (në martesën me to), atëherë, martohuni me ato femra që ju pëlqejnë nga dy, nga tri ao nga katra; e nëse frikoheni se nuk do të jeni të drejtë (ndaj të gjithave njësoj), atëherë mjaftohuni me një grua ose me atë që e keni në pushtetin tuaj. Në këtë mënyrë, më së lehti do t’i ruheni padrejtësisë.

Në qoftë se druheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj jetimëve, atëherë martohuni me gra të mira që ju pëlqejnë: me dy, tri a me katër... -Kuptimi: Nëse druheni se do të jeni të padrejtë dhe nuk do të plotësoni si duhet detyrimet ligjore ndaj femrave jetime që ndodhen nën përkujdesin tuaj, sepse nuk do t’i donit sa duhet si bashkëshorte, atëherë mos u martoni me to, por martohuni me gra të tjera, që ju pëlqejnë dhe janë të mira për ju në drejtim të fesë, pasurisë, bukurisë, fisnikërisë së tyre apo në cilësi të tjera që ju nxisin të martoheni me to. Megjithatë, dijeni se cilësia më e mirë që duhet të synoni te bashkëshortet tuaja është besimi dhe feja e tyre, sikurse ka thënë Profeti (a.s.): “Me një grua martohesh për katër gjëra të saj: për pasurinë, për bukurinë, për fisin dhe për fenë e saj. Zgjidh atë fetaren, të lumshin duart!” Nga ky ajet kuptojmë që është detyrë për njeriun që të kujdeset dhe të zgjedhë mirë para martesës. Madje, Sheriati e ka lejuar burrin që edhe ta shohë gruan me të cilën synon që të martohet, në mënyrë që të jetë i sigurt për zgjedhjen e tij. Më pas, Allahu i Lartësuar përmend numrin e grave të lejuar nga Sheriati për t’u martuar: “...me dy, tri apo me katër”. Pra, ai që dëshiron të martohet me dy, le ta bëjë, ai që dëshiron të martohet me tre, le ta bëjë, ai që dëshiron të martohet me katër, le ta bëjë, por më shumë se kaq nuk lejohet. Ajeti vjen në një mënyrë të tillë që tregon mirësinë e Zotit me ligjin që ka vendosur për ne, prandaj nuk lejohet që ta tejkalojmë atë. Ky është një mendim unanim i dijetarëve. Allahu i Gjithëditur dhe i Gjithëmëshirshëm e ka bërë këtë ligj, sepse, shpesh, dëshirat seksuale të mashkullit nuk mund të plotësohen vetëm me një grua, prandaj kërkon të dytën. Për këtë arsye, Ai ua lejoi robërve të Tij që të kenë deri në katër gra njëherësh. Ky numër është mëse i mjaftueshëm për çdo burrë, përveç rasteve të rralla, të cilat gjithsesi nuk meren si bazë në ligjërimin e dispozitave. Ato kanë udhëzime të veçanta dhe sheriati ka përcaktuar zgjidhje të caktuara. Megjithatë, Allahu i Lartësuar e ka lejuar martesën me më shumë se një grua, por me kusht që burri të jetë i sigurt në vete se nuk i kalon kufijtë dhe nuk bëhet i padrejtë ndaj grave. Me fjalë të tjera, është kusht mbajtja e drejtësisë mes grave, nëse dëshiron të martohesh me më shumë se një. Nëse burri druhet se nuk e mban drejtësinë mes tyre, atëherë le të kufizohet me një, ose le të përmbushë kërkesat e tij me skllavet që i ka në pronësinë e tij. Ai nuk e ka detyrë që t’i ndajë netët me skllavet në mënyrë të barabartë. Pra, nëse nuk është i sigurt se mund ta mbajë drejtësinë mes bashkëshorteve, atëherë duhet të martohet vetëm me një grua, siç thotë i Lartësuari më pas:Por nëse druheni se nuk do t’i përmbaheni drejtësisë ndaj tyre(grave), atëherë(martohuni)vetëm me një grua, ose me ato që keni në pronësinë tuaj(robëreshat). Kjo do ta bëjë më të lehtë, që të mos bini në padrejtësi. -Pra, kufizimi i martesës vetëm me një grua është më i sigurt për t’u ruajtur nga padrejtësia. Nga ky ajet mësojmë se njeriu duhet të jetë i kujdesshëm dhe të mos i hyjë një pune, gjatë së cilës nuk ka siguri prej vetes se do të mbajë drejtësinë apo se do t’i …

4

وَءَاتُوا۟ ٱلنِّسَآءَ صَدُقَٰتِهِنَّ نِحْلَةًۭ ۚ فَإِن طِبْنَ لَكُمْ عَن شَىْءٍۢ مِّنْهُ نَفْسًۭا فَكُلُوهُ هَنِيٓـًۭٔا مَّرِيٓـًۭٔا

Epjuni me të mirë grave tuaja dhuratën e kurorëzimit, e nëse ato u falin me dëshirën e vet diçka prej atyre dhurtave, hani ate me të mirë dhe kënaqësi!

Jepuni grave mehrin e tyre në shenjë bindjeje ndaj Zotit! -Pra, jo vetëm që t’u jepni mehrin, gjë që e keni të detyrueshme, por edhe që dhënia të bëhet me kënaqësi dhe dashamirësi nga ana juaj. Jepeni atë në shenjë bindjeje ndaj Zotit tuaj, me qetësi, dashuri dhe kënaqësi. Kurrsesi mos ua vononi mehrin, kur jeni në gjendje ta përmbushni këtë detyrim dhe as mos ua cungoni atë, por jepuani të plotë dhe me kënaqësi, dëshirë dhe dashamirësi. Nga ky ajet kuptojmë se mehri i jepet gruas, e cila bëhet pronarja e kësaj pasurie që në momentin e lidhjes së aktit martesor, sepse Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar “mehrin e tyre”.Në qoftë se ato, me dëshirën e tyre, ju falin diçka nga ai(mehri), atëherë përdoreni atë, sepse tashmë, ai është hallall dhe i mirë për ju.Kuptimi: Nëse ato ju lejojnë me kënaqësi dhe dashamirësi që të merrni diçka prej hakut të tyre, atëherë kjo është e lejueshme dhe e mirë për ju. Po kështu, edhe nëse ju lejojnë që ta vononi përmbushjen e detyrimit tuaj jashtë afatit të përcaktuar në aktin e martesës, apo ju lejojnë që, në vend të mehrit të përcaktuar, të jepni diçka tjetër zëvendësuese, e të tjera si këto, atëherë të gjitha janë të lejueshme. Nuk ka gjynah për ju që të përfitoni nga të tilla lëshime me dashamirësi, që i bëni njëri-tjetrit. Nga ky ajet kuptojmë se gruaja ka të drejtë të japë sadaka apo të bëjë vepra bamirësie me pasurinë e saj, nëse është e përgjegjshme ligjërisht, por me kusht që edhe të jetë e aftë për të administruar mirë pasurinë e saj. Nëse nuk i përmbush këto kushte, çdo akt i saj në këtë drejtim është i pavlefshëm. Gjithashtu, ne mësojmë nga ajeti se kujdestari ligjor i gruas nuk ka të drejtë mbi këtë pasuri të sajën, përveç nëse e lejon ajo vetë. Allahu i Lartësuar thotë: ma tâbe lekum minen-nisâ / me gra të mira që ju pëlqejnë. Pra, ato që janë të mira për ju, jo të këqijat. Pra, martesa me gra të mira, të ndershme e të dëlira është e urdhëruar, ndërsa martesa me gra që nuk e kanë cilësinë “të mira” nuk është e urdhëruar, siç janë, për shembull, idhujtaret, imoralet etj., sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Mos u martoni me idhujtare, derisa ato të besojnë! Një skllave besimtare është më e mirë se një idhujtare, edhe nëse kjo e fundit mund t’ju pëlqejë. Mos i martoni vajzat tuaja me idhujtarë, derisa ata të bëhen besimtarë. Një skllav besimtar është më i mirë se një idhujtar, edhe nëse ky i fundit mund t’ju pëlqejë. Ata (jobesimtarët) ju ftojnë për në Zjarr, ndërsa Allahu, me mëshirën e Vet, ju fton në Xhenet dhe në faljen e gjynaheve tuaja. Ai ua sqaron njerëzve argumentet e Veta, që ata të kujtojnë.” [Bekare 221]. Ose: “Laviri nuk mund të martohet veçse me një lavire ose idhujtare. Dhe me laviren nuk mund të martohet kush, veçse një lavir ose idhujtar. Ajo (imoraliteti ose martesa me ta) është e ndaluar për besimtarët.” [Nur 3]. Ose: “Gratë e këqija janë për burra të këqij dhe burrat e këqij janë për gratë e këqija, ndërsa të ndershmet janë për të ndershmit dhe të ndershmit janë për të ndershmet. Këta janë të pastër nga shpifjet që thuhen për ta. Për ta ka falje dhe shpërblim të begatshëm.” [Nur 26].

5

وَلَا تُؤْتُوا۟ ٱلسُّفَهَآءَ أَمْوَٰلَكُمُ ٱلَّتِى جَعَلَ ٱللَّهُ لَكُمْ قِيَٰمًۭا وَٱرْزُقُوهُمْ فِيهَا وَٱكْسُوهُمْ وَقُولُوا۟ لَهُمْ قَوْلًۭا مَّعْرُوفًۭا

Dhe mo u jepni (prindër dhe kujdestar) plëngprishëve pasurinë tuaj, që ua ka bërë Perëndia mjet ekzistimi dhe udhëheqje në jetë, e ushqeni ate me këtë (pasuri) dhe vishni ata, dhe bisedoni me ta me fjalë të mira.

“Mos u jepni të paaftëve(mendërisht)pasurinë tuaj, me të cilën Allahu ju ka begatuar,.. -“Es-sufehâ”quhen ata që nuk janë të aftë ose që nuk kanë zotësinë e mjaftueshme për të vepruar me pasurinë e tyre ose për shkak se janë të sëmurë mendorë apo të vonuar, ose për shkak të moshës së vogël. Kështu, Allahu i Lartësuar ua ka ndaluar kujdestarëve ligjorë të kësaj kategorie njerëzish që t’ua lënë në dorë atyre pasurinë, dhe kjo bëhet me qëllimin për ta ruajtur pasurinë e tyre nga shpërdorimi dhe prishja. Allahu i Lartësuar e ka bërë pasurinë si mbështetëse dhe ndihmuese për njerëzit, në mënyrë që ata të arrijnë mirësitë e fesë dhe dynjasë së tyre, por duke qenë se kjo kategori njerëzish nuk e ka aftësinë për ta shfrytëzuar drejt pasurinë, atëherë Allahu i Lartësuar udhëzon, së pari, që ata të zbatojnë kujdestarinë ligjore dhe, së dyti, që çdo veprim i tyre në kuadër të kujdestarisë të jetë në qëllim të dobisë dhe mirësisë për “të papjekurit”....por ushqejini ata nga ajo pasuri, vishini dhe u thoni fjalë të mira! -Kujdestarët ligjorë e kanë për detyrë që të kujdesen për ushqimin, veshmbathjen dhe për çdo shërbim tjetër të nevojshëm për të papjekurit, qoftë në aspektin e fesë apo të dynjasë së tyre. Jo vetëm kaq, por ata duhet t’i trajtojnë edhe me dashurinë dhe butësinë e nevojshme, duke i qetësuar e duke u thënë, për shembull, që nuk do ta humbasin pasurinë e tyre, apo që së shpejti do ta marrin vetë në përdorim atë, sa të bëhen të aftë për të vepruar” etj. Kur flet për pasurinë e “të papjekurve”, Allahu i Lartësuar u drejtohet kujdestarëve të tyre ligjorë e u thotë: “Mos u jepni të paaftëve (mendërisht) pasurinë tuaj,...”. Pra, edhe pse bëhet fjalë për pasurinë e sufeha-ve, Allahu i Lartësuar thotë: “pasurinë tuaj”. Ky është një udhëzim për kujdestarët ligjorë që, pasurinë e individëve të cilët i kanë nën kujdestarinë e tyre, ta trajtojnë me të njëjtin kujdes, sikurse do të vepronin me pasurinë e tyre personale. Ashtu siç kujdesen për pasurinë e tyre, të cilën përpiqen ta shtojnë dhe ta ruajnë nga rreziqet, po ashtu duhet të veprojnë edhe me pasurinë e atyre që kanë nën kujdestari. Ajeti në fjalë dëshmon se për shpenzimet e domosdoshme të sufeha-ve shfrytëzohet pasuria e tyre, nëse e kanë këtë pasuri, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “...por ushqejini ata nga ajo pasuri, vishini dhe u thoni fjalë të mira!” Gjithashtu, ky ajet tregon se pretendimi i kujdestarit ligjor rreth shumës se sa shpenzon për individin që ndodhet nën kujdestarinë e tij, nga pasuria e këtij individi, është e pranueshme dhe e besueshme, nëse nuk i kalon kufijtë e normales dhe të zakonshmes. Pra, fjala e tij është e besueshme dhe e pranueshme ligjërisht.

6

وَٱبْتَلُوا۟ ٱلْيَتَٰمَىٰ حَتَّىٰٓ إِذَا بَلَغُوا۟ ٱلنِّكَاحَ فَإِنْ ءَانَسْتُم مِّنْهُمْ رُشْدًۭا فَٱدْفَعُوٓا۟ إِلَيْهِمْ أَمْوَٰلَهُمْ ۖ وَلَا تَأْكُلُوهَآ إِسْرَافًۭا وَبِدَارًا أَن يَكْبَرُوا۟ ۚ وَمَن كَانَ غَنِيًّۭا فَلْيَسْتَعْفِفْ ۖ وَمَن كَانَ فَقِيرًۭا فَلْيَأْكُلْ بِٱلْمَعْرُوفِ ۚ فَإِذَا دَفَعْتُمْ إِلَيْهِمْ أَمْوَٰلَهُمْ فَأَشْهِدُوا۟ عَلَيْهِمْ ۚ وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ حَسِيبًۭا

Provoni ju bonjakët kur të bëhen për martesë, e nëse çmoni pjekuri tek ata, atëherë epjuni pasurinë e tyre. Dhe mos nxitoni në shpënzimin e pasurisë së tyre në mënyrë shkapërderdhëse, për derisa të mos rriten ata. Në qoftë se (kujdestari) është pasanik, le të frrenohet në marrjen e pasurisë së tyre, e në qoftë se është i varfër, le të hajë (nga ajo pasuri) aq s është e domosdoshme sipas zakonit. Kur t’jua dorëzoni pasurinë e tyre, bëni këtë në praninë e dëshmitarëve. E, mjafton që para Perëndisë do të jepni llogari.

Vërini në provë jetimët, derisa të bëhen për t’u martuar e nëse vëreni tek ata pjekuri, atëherë jepuani pasurinë e tyre! -Është e domosdoshme të provosh aftësinë e jetimëve para se t’u dorëzosh pasurinë e tyre. Prova bëhet duke i dhënë jetimit, të cilit i është afruar koha e pjekurisë, një pjesë nga pasuria e tij, për ta vëzhguar se si do ta shpenzojë dhe si do të veprojë me të. Nëse vepron ashtu si i takon normalisht moshës së tij dhe nëse dallohet qartë përgjegjshmëria e tij, atëherë, me të mbushur moshën, i jepet pasuria. Por nëse ai vazhdon të veprojë me mendjelehtësi, duke treguar pakujdesi dhe shpërdorim të pasurisë, atëherë nuk i jepet pasuria, derisa të piqet dhe të fitojë aftësinë e nevojshme për të vepruar, edhe nëse e kalon moshën kur zakonisht njerëzit e fitojnë këtë aftësi.Mos e hani pasurinë e tyre duke e shpërdoruar dhe duke u ngutur(të përfitoni)para se të rriten! Kush është i pasur, le të ruhet, e kush është i varfër, le të hajë me masë. -Pra, mos e kaloni masën e lejuar nga Sheriati të përfitimit prej pasurisë së jetimëve, duke marrë prej tyre atë që Zoti e ka ndaluar. Gjithashtu, gjatë kohës kur ata janë të vegjël, mos nxitoni që të shpenzoni prej pasurisë së tyre, me qëllimin që të përfitoni sa të mundni prej tyre, para se ata të rriten dhe ju të jeni të detyruar t’u ktheni pasurinë. Këto këshilla vlejnë për shumë kujdestarë, që i bëjnë këto shkelje. Pa dyshim, ata veprojnë kështu sepse në zemrat e tyre nuk ekziston frika prej Zotit dhe as dhembshuria për jetimin. Këta të mjerë i shohin këto si raste të volitshme për të përfituar sa më shumë, edhe pse Allahu i Lartësuar ua ka ndaluar një gjë të tillë.Kur t’ua dorëzoni jetimëve pasurinë e vet, bëjeni këtë në prani të dëshmitarëve! Allahu është i mjaftueshëm si Llogaritës. -Ajeti është shumë i qartë. Kur atyre tu dorëzoni pasurinë e vet le të jenë të pranishëm një grup dëshmitarësh, edhe pse mjafton që Allahu është Dëshmitar. Kjo për të qenë më transparentë dhe larg çdo keqkuptimi e paragjykimi.

7

لِّلرِّجَالِ نَصِيبٌۭ مِّمَّا تَرَكَ ٱلْوَٰلِدَانِ وَٱلْأَقْرَبُونَ وَلِلنِّسَآءِ نَصِيبٌۭ مِّمَّا تَرَكَ ٱلْوَٰلِدَانِ وَٱلْأَقْرَبُونَ مِمَّا قَلَّ مِنْهُ أَوْ كَثُرَ ۚ نَصِيبًۭا مَّفْرُوضًۭا

Meshkujve u takon pjesa nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit, por, edhe femrave u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit qoftë ajo pak apo shumë si pjesë e caktuar.

Në kohën e injorancës paraislamike, arabët, për shkak të paditurisë dhe ashpërsisë së tyre, nuk u bënin pjesë në trashëgimi të dobtëve, siç janë gratë dhe fëmijët. Trashëgiminë ata e ndanin vetëm mes burrave të fortë, sepse - sikurse justifikoheshin - vetëm ata ishin krah për luftë, grabitje e plaçkitje. Për këtë arsye, Zoti i Gjithëmëshirshëm dhe i Urtë caktoi këto dispozita për robërit e Tij, që të vendosej barazpeshë mes të drejtave të burrave dhe grave, të të fortëve dhe të dobtëve. Fillimisht, Zoti i Gjithëmëshirshëm u bëri një parapërgatitje të përgjithshme shpirtrave, që ata të ishin gati të pranonin dispozitat e Tij. Më pas, Ai solli urdhrat e detajuar, të cilët do të gjenin terren të përshtatshëm në shpirtrat e përmalluar për t’i zbatuar ato urdhra dhe për të flakur tutje zakonet e ulta të injorancës.Meshkujve u takon pjesë nga pasuria që kanë lënë prindërit dhe të afërmit e tyre. Edhe femrave u takon pjesë nga ajo që kanë lënë prindërit dhe të afërmit, qoftë pak apo shumë. -Si burrave, edhe grave u takon me ligj pjesa e përcaktuar nga trashëgimia që lënë pas prindërit ose të afërmit. Në ajet vjen, fjala e përgjithshme “të afërmit” vjen pas kategorisë së veçantë, që janë prindërit, për të treguar rëndësinë e këtyre të fundit. Dikush mund të pyesë: Pjesa për secilin grup, a përcaktohet sipas traditës së popullit, apo është e përcaktuar nga ligji i Zotit? Përgjigjja vjen nga i Lartësuari, që thotë:Këto janë pjesë të përcaktuara(nga Zoti). -Pra, këto janë pjesë të përcaktuara dhe të detyrueshme nga ligji i Zotit. Është Allahu i Gjithëditur e i Urtë Ai që i ka përcaktuar pjesët, të cilat do të shtjellohen më poshtë, inshallah. Dikush mund të pretendojë e të thotë se gratë dhe fëmijët mund të përfitojnë vetëm në raste kur pasuria që ndahet është e madhe, por edhe ky pretendim merr përgjigje nga i Gjithëdituri, kur thotë: “...qoftë pak apo shumë.”. Pra, grave u takon pjesë nga trashëgimia, qoftë ajo trashëgimi e madhe apo e vogël. I Lartësuar dhe i Lavdëruar qoftë Allahu!

8

وَإِذَا حَضَرَ ٱلْقِسْمَةَ أُو۟لُوا۟ ٱلْقُرْبَىٰ وَٱلْيَتَٰمَىٰ وَٱلْمَسَٰكِينُ فَٱرْزُقُوهُم مِّنْهُ وَقُولُوا۟ لَهُمْ قَوْلًۭا مَّعْرُوفًۭا

E kur në ndarjen e pasurisë (trashëgimit) të jenë prezent farefisi i largët, bonjakët dhe të varfërit, dhuroni edhe atyre diçka dhe thuajuni fjalë të ëmbla.

Nëse gjatë ndarjes së trashëgimisë janë të pranishëm farefisi i largët, jetimët dhe të varfrit, u dhuroni edhe atyre diçka e u thoni fjalë të mira! -Edhe këtu kemi të bëjmë me një prej ligjeve të mrekullueshme të Allahut të Mëshirshëm, të cilët kënaqin dhe qetësojnë çdo zemër dhe shpirt. Kështu, gjatë ndarjes së trashëgimisë mund të jenë të pranishëm edhe të afërm të të ndjerit, të cilët nuk meritojnë pjesë sipas ligjit të trashëgimisë, por që janë pjesë e atyre grupeve të shoqërisë që mund të përfitojnë nga sadakatë. Për këta, Allahu i Lartësuar na udhëzon që të jemi të mëshirshëm dhe bujar ndaj tyre, duke u dhënë diçka, qoftë edhe pak, nga ajo pasuri që merret pa lodhje e mund. Në ato çaste, sytë dhe zemrat e këtyre njerëzve janë të drejtuara drejt nesh dhe dëshirojnë diçka, prandaj Allahu i Lartësuar na porosit që t’i qetësojmë zemrat e tyre dhe t’ua kënaqim syrin duke u dhuruar ndonjë send prej pasurisë, pa u dëmtuar vetë. Nga ky ajet kuptojmë se, jo vetëm në rastin e ndarjes së trashëgimisë, por në çdo rast të ngjashëm, është mirë që njeriu t’u japë të tjerëve nga mirësitë me të cilat Zoti e ka begatuar, kur ata janë të pranishëm. Profeti (a.s.) na ka porositur: “Nëse dikujt prej jush shërbëtori i sjell ushqimin, le ta ulë edhe atë në tavolinë, që të ushqehet së bashku me të. Nëse nuk e ul në të, le t’i japë një kafshatë ose dy.” Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) kur fillonin vjeljen e prodhimeve të tyre, e dërgonin fillimisht prodhimin te Profeti (a.s.), që ai ta provonte dhe të lutej për ta që Zoti t’i begatonte. Por Profeti (a.s.), para se të fillonte vetë, shikonte më të vegjlit dhe u jepte atyre, sepse e dinte dhe e ndiente dëshirën e tyre të fortë për t’i provuar ato prodhime. Kjo është një këshillë e mrekullueshme, tepër e vlefshme atëherë kur është e mundur, kur nuk prek të drejtat e të tjerëve apo kur nuk ka diçka më të rëndësishme për t’u përmbushur. Po ashtu, në raste të tilla, të paktën nevojtarëve u thuhen fjalë të ngrohta dhe të buta, duke i larguar me respekt dhe edukatë. Pra, gjithmonë me fjalë të mira e të buta, jo me fjalë të vrazhda.

9

وَلْيَخْشَ ٱلَّذِينَ لَوْ تَرَكُوا۟ مِنْ خَلْفِهِمْ ذُرِّيَّةًۭ ضِعَٰفًا خَافُوا۟ عَلَيْهِمْ فَلْيَتَّقُوا۟ ٱللَّهَ وَلْيَقُولُوا۟ قَوْلًۭا سَدِيدًا

Le të druajnë (prindërit) nëse ata lënë pas veti fëmijë të mitur duke u brengosur për ta (nëse mbesin bonjakë), le t’i druajnë Perëndisë dhe le të flasin drejt.

Le të jenë të kujdesshëm ata(që lënë testament), ashtu sikur do të vepronin po të linin pas pasardhës të paaftë, për të cilët do të druheshin. -Disa janë të mendimit se kjo këshillë u drejtohet të pranishmëve në momentet kur të sëmurit po i afrohet vdekja dhe i cili mund të tregohet i padrejtë ndaj trashëgimtarëve, duke ua lënë pasurinë të tjerëve, në dëm të trashëgimtarëve të ligjshëm. Pra, Allahu i Lartësuar i porosit të pranishmit që ta këshillojnë të sëmurin që të jetë i drejtë me trashëgiminë, duke mos i kaluar kufijtë e vendosura nga Sheriati. Argument që kjo fjalë u drejtohet njerëzve pranë të sëmurit, dhe jo vetë të sëmurit, është fjala e Allahut të Lartësuar: “...le të thonë fjalë të drejta...”, domethënë, të thonë fjalë që ruajnë drejtësinë, që janë në përputhje me ligjin e Zotit dhe që nuk bien ndesh me zakonet e përgjithshme. Pra, Allahu i Lartësuar i këshillon njerëzit që ndodhen pranë të sëmurit që, nëse shohin se ky i fundit mund të dëmtojë ndonjë nga trashëgimtarët e tij të ligjshëm, t’i kujtojnë atij që të jetë i drejtë dhe të ketë frikë Zotin, sepse kujdesi ndaj fëmijëve dhe trashëgimtarëve të ligjshëm është më i rëndësishëm. Disa janë të mendimit se këto porosi u drejtohen në mënyrë të veçantë njerëzve që u ka ardhur vdekja dhe të cilët kanë në kujdestarinë e tyre jetimë, të paaftë mendërisht, të vegjël apo të tjerë të papërgjegjshëm ligjërisht. Këta këshillohen që të jenë të mëshirshëm dhe të kenë parasysh në lënien e trashëgimisë edhe të dobëtit që kanë nën kujdestari. Kujdesi për ta duhet të jetë në drejtim të çështjeve të dynjasë dhe të fesë së tyre, njëlloj siç do të dëshironin të veprohej nga të tjerët me fëmijët e tyre. Normalisht, kjo ndarje e pasurisë duhet të jetë sipas drejtësisë së Sheriatit dhe jo në kurriz të trashëgimtarëve të tjerë të ligjshëm, pra, të paktën, jo jashtë masës së lejuar nga Sheriati (domethënë, jo më shumë se 1/3 e pasurisë). Çdo veprim duhet të jetë në kuadër të devotshmërisë ndaj Allahut të Lartësuar, prandaj Ai e përforcon dhe e zbukuron porosinë e Tij me fjalët:Le t’i frikësohen Allahut dhe le të thonë fjalë të drejta. -Pra, le të kenë frikë Allahun dhe të synojnë plotësimin e porosive të Tij në çdo ndarje pasurie. Ata nuk duhet të cenojnë të drejtën e trashëgimtarëve të ligjshëm, nga njëra anë, dhe duhet të tregojnë mëshirë e mbështetje për të dobëtit që janë nën kujdestarinë e tyre, nga ana tjetër. Të dobëtit nuk duhen shpërfillur, sepse kjo cenon devotshmërinë, por edhe të drejtat e trashëgimtarëve të ligjshëm nuk duhen shkelur, pasi edhe kjo cenon devotshmërinë ndaj Zotit. Pas këtyre porosive të vyera në çështjen e trashëgimisë, Allahu i Lartësuar i kthehet edhe njëherë paralajmërimit për ata që marrin pasurinë e jetimëve pa patur të drejtë. Ai i kërcënon këta njerëz mjaft ashpër, duke thënë:

10

إِنَّ ٱلَّذِينَ يَأْكُلُونَ أَمْوَٰلَ ٱلْيَتَٰمَىٰ ظُلْمًا إِنَّمَا يَأْكُلُونَ فِى بُطُونِهِمْ نَارًۭا ۖ وَسَيَصْلَوْنَ سَعِيرًۭا

Me të vërtetë, ata që hanë mallin e bonjakut me pa të drejtë, ata mbushin barkun e tyre me zjarr dhe ata do të përcllohen në zjarrin flakërues.

Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë hanë atë që ua mbush barkun me Zjarr. Ata do të hidhen në Zjarrin e ndezur fort. -Të kërcënuar janë ata që përfitojnë padrejtësisht nga pasuria e jetimëve. Kështu, janë përjashtuar ata që u përmendën më sipër. Me fjalë të tjera, çdokush që merr pasurinë e jetimit jashtë kufijve të Sheriatit, ka bërë padrejtësi, e nëse merr diçka brenda kufijve të Sheriatit, kjo është e tolerueshme. Për shembull, nëse kujdestari ligjor i jetimit është i varfër, i lejohet të hajë së bashku me jetimin nga pasuria e jetimit, por me masë dhe jo duke e tepruar apo duke u ngutur që të përfitojë prej asaj pasurie para se jetimi të arrijë moshën e aftësisë së plotë vepruese me pasurinë e tij. E lejuar është, gjithashtu, që kujdestari ligjor i jetimit ta përziejë ushqimin e tij me atë të jetimit. Ky lehtësim nuk përbën ndonjë shkelje, por gjithmonë brenda kufijve të lejuar, dhe jo me tendencë për të abuzuar. Allahu i Lartësuar i di mirë ata që duan të abuzojnë dhe për ta ka përgatitur dënim shumë të dhimbshëm. Allahu i Lartësuar na tregon se këta të padrejtë do të flaken në Zjarrin përvëlues dhe të ndezur fort. Ky është kërcënimi më i frikshëm që është thënë për gjynahqarët. Ai tregon se sa i shëmtuar dhe i madh është gjynahu i ngrënies së pasurisë së jetimëve padrejtësisht. Ajeti dëshmon se ky është një nga gjynahet e mëdha, prandaj e lusim Allahun të na ruajë nga të tilla gjynahe!

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.