Ju patjetër do të sprovoheni në pasuritë dhe në veten tuaj. -Allahu i Lartësuar u drejtohet besimtarëve, për t’i bërë me dije se do të sprovohen në pasuritë e tyre. Sprovë në pasuri janë shpenzimet apo dhëniet e detyrueshme dhe të pëlqyeshme, që robi duhet t'i bëjë për hir të Allahut. Shpesh, për hir të Allahut të Lartësuar, ai do të duhet të sakrifikojë apo ndoshta edhe ta humbasë pasurinë e tij. I Urti tregon, gjithashtu, se do të sprovohemi edhe në vetet tona. Këtu hyjnë detyrimet dhe dispozitat e ndryshme të kësaj feje madhështore, të cilat janë shpeshherë të vështira për t'u mbajtur dhe për t'u përmbushur, si lufta në rrugën e Allahut etj., kur rrezikohet jeta e pasuria, kur kërcënohemi me vrasje, burgim, tortura, diskriminim, plagosje, robërim etj. Sprova në vetet tona janë edhe sëmundjet e ndryshme, që na mundojnë, frikësojnë, të cilat na godasin vetë ne ose të afërmit e të dashurit tanë etj.Ju do të dëgjoni shumë fyerje prej atyre që u është dhënë Libri para jush dhe prej idhujtarëve. -Fjala ‘ofendim’ përfshin të gjitha fyerjet kundrejt besimtarëve, si për shembull, fyerjet për Kur’ânin, Profetin dhe fenë Islame. Në këtë paralajmërim që Allahu i Urtë dhe i Dashur u drejton besimtarëve, ka dobi e urtësi të shumta. Ndër to mund të themi se sprova bëhet për t'u dalluar qartë besimtarët e sinqertë nga gënjeshtarët dhe shtirakët. Allahu i Urtë dhe i Lartësuar i përcakton sprovat edhe për t’u krijuar adhuruesve të Tij të sinqertë mundësi të mrekullueshme për t'i pastruar nga gjynahet, për t'ua mbuluar mangësitë dhe gabimet, për t'ua shtuar besimin, si edhe për t’u forcuar sigurinë rreth vërtetësisë së Kur’ânit dhe Profetit të Tij. Atyre do t'u shtohet siguria, sepse do të shohin të zbatohet në realitet ato çka Zoti i tyre i vetëm i ka paralajmëruar para se të ndodhin. Ata me siguri do të thonë sikurse na tregon i Madhëruari: “Dhe kur panë ushtritë armike, besimtarët thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij na thanë të vërtetën”. Dhe ajo (ushtria e armikut) vetëm se ua shtoi atyre edhe më shumë besimin dhe mbështetjen (tek Allahu).”. [Ahzab 22]. Allahu i Lartësuar i paralajmëron besimtarët për të tilla sprova, me qëllim që zemrat e tyre të jenë gati kur ato të ndodhin realisht dhe që ata të jenë të durueshëm në momentin e duhur. Nëse ata përgatiten shpirtërisht dhe psikologjikisht për të tilla vështirësi, pa dyshim që do të jenë më të qëndrueshëm, pa dyshim që do të nxitojnë drejt dyerve të durimit dhe devotshmërisë, për t'u strehuar në kështjellën e pathyeshme të besimtarit. Edhe i Madhëruari na udhëzon drejt kësaj kështjelle, kur thotë:Por në qoftë se duroni dhe ruheni... -Pra, duhet të bëni durim në të gjitha këto sprova që u përmendën: në pasurinë dhe në jetën tuaj, si edhe në mundimet me fjalë e vepra që pësoni prej të padrejtëve. Megjithatë, përveç durimit, duhet pajiseni me devotshmëri ndaj Allahut. Durimi i duhur është ai me të cilin kërkohet kënaqësia e Allahut dhe që është brenda kufijve të Sheriatit. Nuk lejohet të bësh durim atëherë kur situata kërkon zbatim të dispozitave të Zotit. Madje, ka raste kur i duhet treguar vendi armiqve të Allahut dhe të fesë së Tij, sikurse e …