Muslim99Muslim99
← Tafsir library

3. Aal-i-Imraan

The Family of Imraan · Medinan · 200 ayahs

سُورَةُ آلِ عِمۡرَانَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 91–100 of 200

91

إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ وَمَاتُوا۟ وَهُمْ كُفَّارٌۭ فَلَن يُقْبَلَ مِنْ أَحَدِهِم مِّلْءُ ٱلْأَرْضِ ذَهَبًۭا وَلَوِ ٱفْتَدَىٰ بِهِۦٓ ۗ أُو۟لَٰٓئِكَ لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌۭ وَمَا لَهُم مِّن نَّٰصِرِينَ

Ata që janë mohues dhe vdesin mohues, me të vërtetë nuk do t’u pranohet as shpërblesa e tyre, sikurse ajo të ishte sa e tërë toka e mbuluar me ar. Ata i pret dënim i rëndë dhe për ta nuk ka ndihmëtarë.

Asnjërit prej atyre, që nuk besojnë dhe që vdesin si jobesimtarë, nuk do t’i pranohet për kompensim qoftë edhe sa e tërë faqja e dheut me flori. -Çfarëdo që të shpenzojnë dhe të ofrojnë si kompensim, ai nuk do t’u pranohet.Ata i pret një dënim i dhembshëm dhe për ta nuk ka ndihmëtarë. -Ata do të vuajnë pandërprerë ndëshkimin e dhembshëm. Askush nuk do mund të ndërmjetësojë për ta, t’i ndihmojë apo t’i strehojë, që t’i fshihen ndëshkimit të pashmangshëm, sepse ata e kanë braktisur vetë mundësinë për të kryer vepra të mira dhe për të fituar shpërblime, dhe i janë përkushtuar me këmbëngulje humbjes dhe ndëshkimit të përjetshëm. Ata e kanë zgjedhur vetë Zjarrin dhe zemërimin e të Madhërishmit. Allahu na ruajtë nga gjendja e këtyre të dëshpëruarve!

Aal-i-Imraan 3:91Listen in Qur'an →
92

لَن تَنَالُوا۟ ٱلْبِرَّ حَتَّىٰ تُنفِقُوا۟ مِمَّا تُحِبُّونَ ۚ وَمَا تُنفِقُوا۟ مِن شَىْءٍۢ فَإِنَّ ٱللَّهَ بِهِۦ عَلِيمٌۭ

Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni. Por çkado që të ndani, Perëndia e di ate.

Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë në besim, në qoftë se nuk jepni prej pasurisë më të shtrenjtë. -Kjo është një nxitje që Allahu i Lartësuar u bën adhuruesve të Tij për të shpenzuar në bamirësi. Ai thotë që kurrë nuk keni për ta arritur atë që quhet “el bir-ru”. Kështu quhen të gjitha ato vepra të mira dhe shpërblimet e premtuara për to nga Allahu i Lartësuar. Këto vepra të mira bëhen shkak që vepruesi i tyre të hyjë në Xhenetin e mirësisë së përjetshme. Pra, kurrë nuk mund ta arrini këtë gradë, derisa të shpenzoni prej pasurisë më të shtrenjtë që zotëroni, të cilën e doni shumë fort. Nuk do ta arrini gradën e bamirësisë, shpërblimi i së cilës është Xheneti, derisa të shpenzoni për hir të Allahut pasuritë dhe mirësitë më të vyera dhe më të dashura që keni. Nëse ju do t’i jepni përparësi dashurisë për Allahun kundrejt çdo dashurie tjetër dhe, për hir të kësaj dashurie, do të shpenzoni gjërat më të vyera që zotëroni, atëherë kjo është tregues për sinqeritetin e imanit tuaj, për bamirësinë e zemrës suaj, për sigurinë tuaj të plotë në ndjekjen e udhëzimit dhe për devotshmërinë ndaj Zotit tuaj. Por çfarë nënkupton “dhënia prej pasurisë më të shtrenjtë për ju”, siç e cilëson Allahu? Ky kategorizim përfshin disa nocione, si për shembull:- Shpenzimin për hir të Allahut të pasurive më të mira e më të vyera që zotëron njeriu.- Shpenzimin e pasurive dhe mirësive që zotëron njeriu, në momentet a situatat që ai i dëshiron ato më së shumti për vete, madje edhe kur është në nevojë shumë të madhe për to.- Shpenzimin në një kohë kur njeriu është i shëndetshëm dhe i ka mundësitë që të shpenzojë.Ajeti tregon se grada e bamirësisë (el bir-ru)së robit varet nga shkalla e shpenzimit të pasurive dhe mirësive më të mira që ai zotëron. Kështu, sa më i vogël e i mangët të jetë shpenzimi, aq më e ulët është grada e bamirësisë që adhuruesi kërkon ta arrijë. Ndoshta ky ajet i Allahut të Lartësuar mund të keqkuptohet nga ndonjë, duke menduar se adhuruesi do të shpërblehet veçse nëse jep prej pasurisë më të shtrenjtë që ai zotëron. Por kjo nuk është e vërtetë dhe nuk ka lidhje aspak me bujarinë e Mëshirëplotit. Allahu i Lartësuar do t’i shpërblejë të gjithë ata që japin prej pasurive dhe mirësive që zotërojnë, qofshin ato të pakta apo të shumta, qofshin ato të dashura për shpirtin e tyre apo jo. Për çdo shpenzim të dhënë për të arritur kënaqësinë e Allahut, robi do të shpërblehet. E pikërisht për të larguar këtë keqkuptim, Allahu i Lartësuar thotë:Çfarëdo që të jepni, Allahu, pa dyshim e di. -Pra, Allahu i Lartësuar nuk humbet asnjë vepër të kryer nga robi. Në varësi të qëllimit të robit dhe dobisë së arritur, Allahu i Lartësuar do të dhurojë shpërblimin e Tij, siç i takon të Drejtit, të Urtit dhe Bamirësit me krijesat.

Aal-i-Imraan 3:92Listen in Qur'an →
93

۞ كُلُّ ٱلطَّعَامِ كَانَ حِلًّۭا لِّبَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ إِلَّا مَا حَرَّمَ إِسْرَٰٓءِيلُ عَلَىٰ نَفْسِهِۦ مِن قَبْلِ أَن تُنَزَّلَ ٱلتَّوْرَىٰةُ ۗ قُلْ فَأْتُوا۟ بِٱلتَّوْرَىٰةِ فَٱتْلُوهَآ إِن كُنتُمْ صَٰدِقِينَ

Të gjitha ushqimet kanë qenë të lejuara për bijt e Israilit, përveç asaj që Israili ia ndaloi vetes para shpalljes së Teuratit. Thuaj (o Muhammed!): “Silleni Teuratin dhe lexonie nëse flisni të vërtetën!”

Të gjitha llojet e ushqimeve ishin të lejuara për bijtë e Israilit, përveç atij(ushqimi)që Israili ia ndaloi vetvetes, para se të zbriste Teurati. -Çifutët pretendonin se shfuqizimi i një norme është diçka e papranueshme kur bëhet fjalë për normat e caktuara dhe të sjella nga Zoti i gjithësisë. Për hir të këtij “parimi” të tyre, që në fakt edhe ata vetë nuk e pranojnë dhe zbatojnë plotësisht, ata mohuan Isain dhe Muhamedin (a.s.) si profetë, sepse këta të dy, me ligjin hyjnor që sollën, shfuqizuan disa dispozita të përcaktuara në Teurat. Pra, judejtë e justifikuan mospranimin e dy profetëve të mëdhenj nga ana e tyre me faktin që ata anuluan disa norma të përcaktuara prej Zotit në Teurat. Por Allahu i Lartësuar ua hodhi poshtë këtë pretendim të tyre për të justifikuar refuzimin e dy profetëve të mëdhenj. Mënyra më e mirë për të hedhur poshtë pretendimin e kundërshtarit është që të përdorësh të njëjtat kritere dhe rrugë argumentimi që përdor ai. Me këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar sjell një pjesë nga historia e Jakubit (ose Israilit) (a.s.). Allahu i Lartësuar na tregon se për bijtë e Israilit ishin të lejuara të gjitha ushqimet deri në momentin kur Jakubi (a.s.) ia ndaloi vetvetes mishin e devesë dhe qumështin e saj. Shkak për këtë vendim të Jakubit u bë një sëmundje që atij iu shkaktua nga mishi dhe qumështi i devesë. Gjatë kësaj sëmundjeje, Jakubi iu betua Zotit se do t’ia ndalonte vetes këtë ushqim dhe pije, të cilat ishin nga më të dashurat për të, dhe ashtu veproi. Edhe pasardhësit e tij e pasuan atë në këtë ligj, të cilin ai ia imponoi vetvetes. E gjithë kjo ndodhi para shpalljes së Teuratit. Pastaj, pas shpalljes së Teuratit në kohën e Musait (pra, shumë vjet pas Jakubit), u ndaluan edhe shumë gjëra të tjera, të cilat më parë kishin qenë të lejuara për bijtë e Israilit. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: “Për shkak të padrejtësisë së hebrejve dhe për shkak se ata penguan shumë nga rruga e Allahut, Ne ua bëmë haram disa të mira, që më parë ishin të lejuara. Edhe për shkak të përfitimit nga kamata, ndërkohë që e kishin të ndaluar atë, si dhe për shkak të ngrënies së pasurisë së njerëzve në mënyrë të padrejtë. Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm për ata prej tyre që nuk besuan.” [Nisa 160, 161]. Atëherë, kuptimi i ajetit është: A nuk është ky një shembull i mirë që tregon se shfuqizimi i disa dispozitave të Zotit është diçka e pranueshme edhe nga vetë ju? Atëherë, përse sillni si justifikim për të mohuar dy profetë të mëdhenj faktin se ata kanë bërë shfuqizime të disa normave të mëparshme, ndërkohë që kjo pranohet edhe në librat që ju i besoni?! Nëse e kundërshtojnë një fakt të tillë, atëherë i Madhëruari thotë:Thuaju: “Silleni, pra, Teuratin dhe lexojeni atë, nëse jeni njerëz të së vërtetës!” -Por ata vazhduan me arrogancë e kokëfortësi në qëndrimin e tyre, edhe pse e vërteta ishte shumë e qartë. Prandaj Allahu i Lartësuar kërcënon dhe thotë:

Aal-i-Imraan 3:93Listen in Qur'an →
94

فَمَنِ ٱفْتَرَىٰ عَلَى ٱللَّهِ ٱلْكَذِبَ مِنۢ بَعْدِ ذَٰلِكَ فَأُو۟لَٰٓئِكَ هُمُ ٱلظَّٰلِمُونَ

E kushdo që shpif gënjeshtra ndaj Perëndisë, pas këtyre (argumenteve) ai ka kaluar nga e drejta në të shtrembëten.

Çdokush që, edhe pas kësaj, shpif gënjeshtra kundër Allahut, është me të vërtetë keqbërës. -Vërtet ky është një krim dhe padrejtësi e pashembullt. Të ftohesh për të gjetur të vërtetën, duke u bazuar në Librin e Zotit, dhe të mos e pranosh një gjë të tillë?! Kjo vërtet tregon arrogancë, kokëfortësi dhe padrejtësi të pamatë. Nga ana tjetër, kjo është një dëshmi shumë bindëse për profetësinë dhe vërtetësinë e Muhamedit (a.s.). Ai ishte Profet i Zotit, të cilit i shpallej e vërteta. Ose, në të kundërt, si mund të shpjegohet që ai dinte imtësi të tilla, të cilat nuk mund t’i dinte askush tjetër, veç atij që Zoti ia zbulon e tregon?! Prandaj thotë i Lartësuari:

Aal-i-Imraan 3:94Listen in Qur'an →
95

قُلْ صَدَقَ ٱللَّهُ ۗ فَٱتَّبِعُوا۟ مِلَّةَ إِبْرَٰهِيمَ حَنِيفًۭا وَمَا كَانَ مِنَ ٱلْمُشْرِكِينَ

Thuaj (o Muhammed!): “Perëndia thotë të vërtetën; dhe ndiqeni fenë e Ibrahimit, e cila ka qenë e pastër. Ai s’ka qenë pagan”.

Thuaj: “Allahu thotë të vërtetën. –Pra, Allahu i Lartësuar është i saktë dhe i vërtetë në gjithçka që lajmëron dhe që gjykon. Këtu urdhërohet Profeti (a.s.) dhe besimtarët që të deklarojnë me gojë se Allahu i Lartësuar e thotë të vërtetën qartë dhe bindshëm. Por kjo deklaratë duhet të shoqërohet me besim dhe siguri në zemër. Ajo duhet të jetë e bazuar në dije dhe argumente të sakta, sepse vetëm në këtë mënyrë ajo do të zërë vendin që duhet në polemikat kundër mohuesve të Zotit. Madje, është detyrë për adhuruesit e Allahut të Lartësuar që t’i argumentojnë fjalët e drejta të Allahut dhe t’ua paraqesin ato qartë dhe shkoqur refuzuesve të së vërtetës. Nga ky ajet kuptohet se njerëzit më të mëdhenj në besimin dhe dashurinë për Allahun, janë ata më të diturit, që kanë siguri më të plotë në argumentet fetare dhe logjike, të cilat vërtetojnë imanin dhe udhëzimet e Allahut. Për këtë arsye, njeriu duhet të synojë që ta përsosë dijen dhe sigurinë e tij, në aspektet e besimit dhe të udhëzimeve të Allahut të Lartësuar, për të qenë nga njerëzit më të dashur dhe më të afruar tek Ai. Pastaj Allahu i Lartësuar i urdhëron ata që të pasojnë fenë dhe udhëzimin e sjellë prej Ibrahimit (a.s.):Ndiqeni atëherë fenë e pastër të Ibrahimit, i cili kurrë nuk ishte prej idhujtarëve!” -Ibrahimi (a.s.) ishte ĥanîf ose besimdrejtë. Ĥanîf është ai që adhuron një Zot të vetëm me dashuri, madhërim, nënshtrim dhe bindje totale, duke u larguar nga adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Allahut. Njësimi me adhurim i Allahut të Lartësuar dhe largimi nga çdo formë e politeizmit janë rruga e vetme për të arritur lumturinë në të dyja jetët. Me lënien dhe shpërfilljen e kësaj rruge, është i pashmangshëm dëshpërimi në të dyja jetët. Ky ajet tregon, gjithashtu, se çifutët dhe të tjerët, të cilët nuk e pasojnë fenë dhe udhëzimin e Ibrahimit, nuk janë njësues të Allahut në adhurim. Pasi i urdhëroi që të pasonin fenë dhe udhëzimin e Ibrahimit, që do të thotë teuhid dhe largim nga shirku, Allahu i Lartësuar vijon t’i nxisë adhuruesit e Tij që të madhërojnë dhe respektojnë një nga shenjtëritë më të mëdha të Zotit në tokë, Qaben, duke urdhëruar që ta vizitojmë atë për umra dhe për haxh.

Aal-i-Imraan 3:95Listen in Qur'an →
96

إِنَّ أَوَّلَ بَيْتٍۢ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِى بِبَكَّةَ مُبَارَكًۭا وَهُدًۭى لِّلْعَٰلَمِينَ

Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëz, është ajo në Bekke (Mekke), e uruar dhe udhërrëfyese e popujve.

Shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo në Bekë (Mekë), plot bekime dhe udhëzuese për mbarë botën. -Allahu i Lartësuar na tregon këtu për madhështinë dhe mirësinë e Shtëpisë së Shenjtë në Mekë. Ajo është e para ndërtesë që Allahu i Lartësuar e përcaktoi për njerëzit si vend ku të kryejnë adhurimet e tyre për Krijuesin e dashur dhe të mëshirshëm. Gjithashtu, në këtë faltore adhurohet Zoti, falen gjynahet, mbulohen të metat, lëshimet dhe mangësitë. Tek ajo kryhen shumë lloje adhurimesh dhe përkushtimesh, nëpërmjet të cilave krijesat afrohen tek Allahu dhe fitojnë kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Atje fitohet shpërblimi i Allahut dhe shpëtohet prej ndëshkimit të Tij, prandaj Allahu i Lartësuar e ka cilësuar si “mubaraken” - plot bekime. Allahu i Lartësuar e ka përshkruar këtë shtëpi edhe me një cilësi tjetër: “udhëzuese për mbarë botën.”. Ka dy forma udhëzuesish: udhëzues drejt dijeve të vlefshme dhe udhëzues drejt veprave të mira. Sigurisht, Shtëpia e Shenjtë është udhëzuese për njerëzimin me të dyja format e lartpërmendura. Për sa u përket udhëzuesve që gjenden në këtë Shtëpi dhe në rrethinat e saj, çdo gjë është shumë e qartë. Atje janë shumë të qarta dhe të dukshme vendet ku duhet të kryhen ritet dhe përkushtimet e caktuara për Zotin e gjithësisë. Ndërsa për sa u përket udhëzuesve drejt dijeve të vlefshme, mund të themi se Qabja dhe rrethinat e saj të bukura janë të mbushura plot shenja dhe mrekulli të qarta. Atje ndodhen plot shenja, të cilat dëshmojnë për madhështinë, urtësinë, dijen dhe mëshirën e gjerë të Krijuesit të tyre. Prej tyre, ne kuptojmë qëllimet e larta dhe të urta të Krijuesit dhe Mëshiruesit të dashur. Në Shtëpinë e Shenjtë gjen shenja që flasin për njëshmërinë e Allahut në meritën e adhurimit. Atje gjen argumente rreth mëshirës, urtësisë dhe madhështisë së Allahut. Ato dëshmojnë për gjerësinë e dijes së Tij dhe për bamirësinë e pakufishme të Allahut për adhuruesit e Tij. Ato tregojnë, gjithashtu, për mirësitë e shumta që Ai u ka dhuruar të dashurve dhe profetëve të Tij. Ndër shenjat dhe argumentet që na udhëzojnë drejt dijeve të vlefshme, Allahu i Lartësuar përmend:

Aal-i-Imraan 3:96Listen in Qur'an →
97

فِيهِ ءَايَٰتٌۢ بَيِّنَٰتٌۭ مَّقَامُ إِبْرَٰهِيمَ ۖ وَمَن دَخَلَهُۥ كَانَ ءَامِنًۭا ۗ وَلِلَّهِ عَلَى ٱلنَّاسِ حِجُّ ٱلْبَيْتِ مَنِ ٱسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلًۭا ۚ وَمَن كَفَرَ فَإِنَّ ٱللَّهَ غَنِىٌّ عَنِ ٱلْعَٰلَمِينَ

Në të ka shenja (simbole të dukshme, siç është) vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim). Kush hyn në të është i sigurt. Perëndia i ka obliguar njerëzit, ata që kanë mundësi t’i përballojnë rrugës, ta vizitojnë (haxhxhillëk) këtë Faltore. E kush i mohon urdhërat e Perëndisë (e dëmton veten). Se, me të vërtetë, Perëndia nuk ka nevojë për asgjë.

Atje ka shenja të qarta, siç është Vendi i Ibrahimit -Allahu i Lartësuar e ka konsideruar “Mekamu Ibrahim” – Vendin e Ibrahimit, si shenjë që të udhëzon në shumë dije të vërteta. Po çfarë nënkupton “Mekamu Ibrahim”? Çfarë është ajo shenjë a mrekulli që Zoti ka vendosur në të?! Dijetarët kanë mendime të ndryshme për këto çështje: Kështu, disa mendojnë se këtu flitet për gurin e njohur, mbi të cilin hipte Ibrahimi (a.s.) për të ndërtuar muret e Qabes. Ky gur ka qëndruar ngjitur pranë Qabes deri në kohën e Omer Ibn Hatabit, i cili e zhvendosi atë në pikën ku ndodhet edhe sot. Shenjat e Zotit që ndodhen në këtë gur janë pikërisht gjurmët e këmbëve të Ibrahimit (a.s.), të cilat mrekullisht i kanë rezistuar kohës deri më sot. Është vërtet e jashtëzakonshme ruajtja me shekuj e këtyre gjurmëve. Disa thonë se mrekullia qëndron në respektin dhe dashurinë e madhe që Allahu ka vendosur në zemrat e njerëzve për Ibrahimin (a.s.). Sipas tyre, “Meķâmu Ibrâhîm” do të thotë “Grada e lartë e Ibrahimit”. Të gjithë njerëzit e duan, e respektojnë dhe e nderojnë figurën dhe gradën e lartë të Ibrahimit (a.s.). Megjithatë, të tjerë mendojnë se “Meķâmu Ibrâhîm”ka kuptimin: “Vendadhurimi i Ibrahimit”. Kështu, përderisa ky grup emëror është i formës pronë - pronar, sipas rregullave gjuhësore të arabishtes, ai përfshin në kuptimin e tij të gjitha vendadhurimet e Ibrahimit (a.s.) në Qabe dhe rreth saj, ku Ibrahimi kreu adhurimet dhe përkushtimet e Tij ndaj Allahut të Lartësuar. Nën dritën e këtij kuptimi, të gjitha adhurimet që kryen në Qabe dhe rreth saj, si tavafi, sa'ji, namazi, qëndrimi në Muzdelife etj., janë argumente të madhështisë së kësaj Shtëpie dhe të adhurimeve të kryera në të ndër shekuj, që prej kohës së Ibrahimit (a.s.) e deri tani. Të gjitha këto rite, që nuk reshtin në këtë vend të bekuar çdo vit, çdo muaj e çdo ditë nga miliona njerëz, dëshmojnë për qëllimet e larta të Krijuesit kundrejt kësaj toke të begatë dhe kundrejt popullit që e adhuron Zotin Një në të. Një shenjë e madhe dhe argument i mrekullueshëm është edhe dashuria e malli që Allahu i Lartësuar ka futur në zemrat e njerëzve për të vizituar këtë Shtëpi të Shenjtë. Ata durojnë shumë vështirësi e mundime, janë gati të shpenzojnë gjithçka prej jetës dhe pasurisë së tyre vetëm për ta vizituar dhe për të shprehur në të adhurimin dhe dashurinë e tyre ndaj Zotit të saj, ndaj Allahut të Lartësuar. Në të gjitha ritet e përkushtimet që kryhen në Qabe ka urtësi të mrekullueshme dhe qëllime shumë të larta. Adhurimet e lidhura me atë vend janë aq dobiprurëse dhe të mrekullueshme saqë njerëzit nuk mund të përkufizojnë edhe një pjesë të vogël të tyre. Një mrekulli tjetër e Xhamisë të Shenjtë, që dëshmon për pushtetin dhe vërtetësinë absolute të Allahut të Lartësuar është edhe një fakt tjetër, që tregohet në këtë ajet:...dhe kush hyn në të, ai është i sigurt. -Çdokush që hyn në Mekë është i sigurt nga çdo e keqe, ligjërisht dhe realisht. Themi ligjërisht, sepse nëpërmjet profetit Ibrahim (a.s.) e më pas edhe nëpërmjet Muhamedit (a.s.), Allahu i Lartësuar ka caktuar dispozita sigurie, të cilat mundësojnë që ai vend të madhërohet dhe të nderohet. Kështu, çdokush që hyn në Vendin e Shenjtë duhet të jetë i sigurt …

Aal-i-Imraan 3:97Listen in Qur'an →
98

قُلْ يَٰٓأَهْلَ ٱلْكِتَٰبِ لِمَ تَكْفُرُونَ بِـَٔايَٰتِ ٱللَّهِ وَٱللَّهُ شَهِيدٌ عَلَىٰ مَا تَعْمَلُونَ

Thuaj (o Muhammed!): “O ithtarët e Librit! – pse mohoni argumentet e Perëndisë, e Perëndia është dëshmitarë i çdo gjëje që punoni”.

Thuaj: “O ithtarë të Librit, përse i mohoni ajetet e Allahut, kur dihet se Allahu mbikqyr gjithçka që bëni?!” Thuaj: “O ithtarë të Librit! Përse i pengoni nga rruga e Allahut ata që besojnë, duke kërkuar që ta paraqitni atë të shtrembër, ndërkohë që vetë ju jeni dëshmitarë(se ajo është rruga e vërtetë)? -Allahu i Lartësuar u shpalli profetëve libra të ndritur e të shenjtë. Ata janë mëshirë për krijesat. Vetëm nëpërmjet tyre udhëzohen krijesat për të shkuar te Krijuesi i tyre. Nëpërmjet këtyre librave madhështorë, ata njohin qëllimet e jetës dhe përfitojnë dije të dobishme. Por ata që Zoti iu dha Libër, domethënë çifutët e të krishterët, nuk i trajtuan si duhet librat e Tij. Ata i mohuan dhe i shpërfillën argumentet e qarta dhe rrugën e drejtë, të sjellë si mëshirë nga Zoti i gjithësisë. Prandaj, në këtë ajet, Allahu i Lartësuar i qorton ata për këto padrejtësi. Çifutët e të krishterët bënë shumë të këqija njëherazi. Ata refuzuan udhëzimin e drejtë, të sjellë prej Allahut dhe Profetit të Tij. Jo vetëm kaq, por ata penguan besimtarët që ta pasonin rrugën e drejtë dhe të jetonin sipas saj. Çifutët dhe të krishterët e shtrembëruan të vërtetën, duke i dhënë asaj pamje dhe drejtim tjetër nga autentikja. E keqja më e madhe është që, këto të këqija dhe padrejtësi, ata i kryenin me vetëdije të plotë. Ata ishin të ndërgjegjshëm për kufrin e madh që po kryenin, i cili meriton ndëshkimin e madh dhe me të cilin ata do të përballen një ditë. Prandaj i Madhëruari i kërcënon ata me fjalët:Allahu nuk është aspak i Pavëmendshëm ndaj asaj që ju bëni.” –Madje, Allahu është i Gjithëditur rreth asaj që ju punoni. Ai i di shumë mirë qëllimet dhe kurthet tuaja të zeza. Por, sigurisht, Ai ka për t’ju shpaguar me drejtësi për çdo gjë që keni bërë. Pas këtij kërcënimi të frikshëm, Allahu i Lartësuar flet për mëshirën dhe bamirësinë e Tij ndaj adhuruesve të sinqertë, që ata të mos mashtrohen dhe të mos bien viktima të kurtheve të mohuesve të Zotit. Thotë i Lartësuari:

Aal-i-Imraan 3:98Listen in Qur'an →
99

قُلْ يَٰٓأَهْلَ ٱلْكِتَٰبِ لِمَ تَصُدُّونَ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ مَنْ ءَامَنَ تَبْغُونَهَا عِوَجًۭا وَأَنتُمْ شُهَدَآءُ ۗ وَمَا ٱللَّهُ بِغَٰفِلٍ عَمَّا تَعْمَلُونَ

Thuaj: “O ithtarët e Librit! Pse atë që beson e prapësoni nga rruga e Perëndisë, e ju e dini që feja islame është fe e vërtetë. Se Perëndia nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që punoni ju.

Thuaj: “O ithtarë të Librit, përse i mohoni ajetet e Allahut, kur dihet se Allahu mbikqyr gjithçka që bëni?!” Thuaj: “O ithtarë të Librit! Përse i pengoni nga rruga e Allahut ata që besojnë, duke kërkuar që ta paraqitni atë të shtrembër, ndërkohë që vetë ju jeni dëshmitarë(se ajo është rruga e vërtetë)? -Allahu i Lartësuar u shpalli profetëve libra të ndritur e të shenjtë. Ata janë mëshirë për krijesat. Vetëm nëpërmjet tyre udhëzohen krijesat për të shkuar te Krijuesi i tyre. Nëpërmjet këtyre librave madhështorë, ata njohin qëllimet e jetës dhe përfitojnë dije të dobishme. Por ata që Zoti iu dha Libër, domethënë çifutët e të krishterët, nuk i trajtuan si duhet librat e Tij. Ata i mohuan dhe i shpërfillën argumentet e qarta dhe rrugën e drejtë, të sjellë si mëshirë nga Zoti i gjithësisë. Prandaj, në këtë ajet, Allahu i Lartësuar i qorton ata për këto padrejtësi. Çifutët e të krishterët bënë shumë të këqija njëherazi. Ata refuzuan udhëzimin e drejtë, të sjellë prej Allahut dhe Profetit të Tij. Jo vetëm kaq, por ata penguan besimtarët që ta pasonin rrugën e drejtë dhe të jetonin sipas saj. Çifutët dhe të krishterët e shtrembëruan të vërtetën, duke i dhënë asaj pamje dhe drejtim tjetër nga autentikja. E keqja më e madhe është që, këto të këqija dhe padrejtësi, ata i kryenin me vetëdije të plotë. Ata ishin të ndërgjegjshëm për kufrin e madh që po kryenin, i cili meriton ndëshkimin e madh dhe me të cilin ata do të përballen një ditë. Prandaj i Madhëruari i kërcënon ata me fjalët:Allahu nuk është aspak i Pavëmendshëm ndaj asaj që ju bëni.” –Madje, Allahu është i Gjithëditur rreth asaj që ju punoni. Ai i di shumë mirë qëllimet dhe kurthet tuaja të zeza. Por, sigurisht, Ai ka për t’ju shpaguar me drejtësi për çdo gjë që keni bërë. Pas këtij kërcënimi të frikshëm, Allahu i Lartësuar flet për mëshirën dhe bamirësinë e Tij ndaj adhuruesve të sinqertë, që ata të mos mashtrohen dhe të mos bien viktima të kurtheve të mohuesve të Zotit. Thotë i Lartësuari:

Aal-i-Imraan 3:99Listen in Qur'an →
100

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓا۟ إِن تُطِيعُوا۟ فَرِيقًۭا مِّنَ ٱلَّذِينَ أُوتُوا۟ ٱلْكِتَٰبَ يَرُدُّوكُم بَعْدَ إِيمَٰنِكُمْ كَٰفِرِينَ

O besimtarë! Nëse u përuleni një grupi prej atyre që u është dhënë Libri, ata, pasi keni pranuar fenë e vërtetë, juve u kthejnë në mohues.

O ju që keni besuar! Nëse i bindeni një grupi nga ata që u është dhënë Libri, ata, pas besimit tuaj, do t’ju kthejnë në jobesimtarë. -E çfarë mund të pritet tjetër prej smirëzinjve të mbushur plot urrejtje dhe armiqësi ndaj jush?! Ata janë të paduruar dhe ngulmues për t’ju devijuar nga rruga e drejtë ku ju ecni. Ata mezi presin që ju të braktisni udhëzimin hyjnor, me dritën e të cilit ecni të sigurt drejt kënaqësisë së Zotit tuaj, sikurse thotë i Madhëruari: “Shumë ithtarë të Librit do të dëshironin që, pasi keni besuar, t’ju kthejnë në jobesimtarë, të shtyrë nga zilia e tyre, edhe pasi u ishte bërë e qartë e Vërteta. Falini dhe tolerojini ata, derisa Allahu ta sjellë urdhrin e Vet! Allahu ka pushtet për gjithçka.” [Bekare 109]. Pastaj, Allahu i Lartësuar dhe Mëshirëplotë, me butësinë dhe përkujdesin e Tij të pamatë, i udhëzon besimtarët, adhuruesit e Tij të sinqertë, në disa mënyra, nëpërmjet të cilave ata do të jenë të patundur në besimin e tyre dhe në ndjekjen e udhës të drejtë, që të çon drejt kënaqësisë së Tij. Nëse ata i shfrytëzojnë këto mënyra, atëherë devijimi dhe humbja e tyre nga rruga e drejtë do të ishte e pamundur. Prandaj thotë i Lartësuari:

Aal-i-Imraan 3:100Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.