Atje ka shenja të qarta, siç është Vendi i Ibrahimit -Allahu i Lartësuar e ka konsideruar “Mekamu Ibrahim” – Vendin e Ibrahimit, si shenjë që të udhëzon në shumë dije të vërteta. Po çfarë nënkupton “Mekamu Ibrahim”? Çfarë është ajo shenjë a mrekulli që Zoti ka vendosur në të?! Dijetarët kanë mendime të ndryshme për këto çështje: Kështu, disa mendojnë se këtu flitet për gurin e njohur, mbi të cilin hipte Ibrahimi (a.s.) për të ndërtuar muret e Qabes. Ky gur ka qëndruar ngjitur pranë Qabes deri në kohën e Omer Ibn Hatabit, i cili e zhvendosi atë në pikën ku ndodhet edhe sot. Shenjat e Zotit që ndodhen në këtë gur janë pikërisht gjurmët e këmbëve të Ibrahimit (a.s.), të cilat mrekullisht i kanë rezistuar kohës deri më sot. Është vërtet e jashtëzakonshme ruajtja me shekuj e këtyre gjurmëve. Disa thonë se mrekullia qëndron në respektin dhe dashurinë e madhe që Allahu ka vendosur në zemrat e njerëzve për Ibrahimin (a.s.). Sipas tyre, “Meķâmu Ibrâhîm” do të thotë “Grada e lartë e Ibrahimit”. Të gjithë njerëzit e duan, e respektojnë dhe e nderojnë figurën dhe gradën e lartë të Ibrahimit (a.s.). Megjithatë, të tjerë mendojnë se “Meķâmu Ibrâhîm”ka kuptimin: “Vendadhurimi i Ibrahimit”. Kështu, përderisa ky grup emëror është i formës pronë - pronar, sipas rregullave gjuhësore të arabishtes, ai përfshin në kuptimin e tij të gjitha vendadhurimet e Ibrahimit (a.s.) në Qabe dhe rreth saj, ku Ibrahimi kreu adhurimet dhe përkushtimet e Tij ndaj Allahut të Lartësuar. Nën dritën e këtij kuptimi, të gjitha adhurimet që kryen në Qabe dhe rreth saj, si tavafi, sa'ji, namazi, qëndrimi në Muzdelife etj., janë argumente të madhështisë së kësaj Shtëpie dhe të adhurimeve të kryera në të ndër shekuj, që prej kohës së Ibrahimit (a.s.) e deri tani. Të gjitha këto rite, që nuk reshtin në këtë vend të bekuar çdo vit, çdo muaj e çdo ditë nga miliona njerëz, dëshmojnë për qëllimet e larta të Krijuesit kundrejt kësaj toke të begatë dhe kundrejt popullit që e adhuron Zotin Një në të. Një shenjë e madhe dhe argument i mrekullueshëm është edhe dashuria e malli që Allahu i Lartësuar ka futur në zemrat e njerëzve për të vizituar këtë Shtëpi të Shenjtë. Ata durojnë shumë vështirësi e mundime, janë gati të shpenzojnë gjithçka prej jetës dhe pasurisë së tyre vetëm për ta vizituar dhe për të shprehur në të adhurimin dhe dashurinë e tyre ndaj Zotit të saj, ndaj Allahut të Lartësuar. Në të gjitha ritet e përkushtimet që kryhen në Qabe ka urtësi të mrekullueshme dhe qëllime shumë të larta. Adhurimet e lidhura me atë vend janë aq dobiprurëse dhe të mrekullueshme saqë njerëzit nuk mund të përkufizojnë edhe një pjesë të vogël të tyre. Një mrekulli tjetër e Xhamisë të Shenjtë, që dëshmon për pushtetin dhe vërtetësinë absolute të Allahut të Lartësuar është edhe një fakt tjetër, që tregohet në këtë ajet:...dhe kush hyn në të, ai është i sigurt. -Çdokush që hyn në Mekë është i sigurt nga çdo e keqe, ligjërisht dhe realisht. Themi ligjërisht, sepse nëpërmjet profetit Ibrahim (a.s.) e më pas edhe nëpërmjet Muhamedit (a.s.), Allahu i Lartësuar ka caktuar dispozita sigurie, të cilat mundësojnë që ai vend të madhërohet dhe të nderohet. Kështu, çdokush që hyn në Vendin e Shenjtë duhet të jetë i sigurt …