Ajetet e Kur’ânit janë cilësuar si muĥkemâtun dhe muteshâbihât. Muĥkemâtun vjen nga rrënja “ĥakeme jaĥkumu” ose “aĥkeme juĥkimu”, që ka disa kuptime, si për shembull: “i përkryer në gjykimet që jep”, ose: “absolutisht i qartë dhe i kuptueshëm”. Nëse merret kuptimi i parë, mund të themi se të gjitha ajetet e Kur’ânit janë të përkryera, për sa i përket gjykimit që ato japin. Me këtë kuptim, në fakt, kjo fjalë është përdorur në ajetin e parë të sures Hudë, ku Allahu i Lartësuar thotë: “(Ky është) Libër ajetet e të cilit (uĥkimet) u zbritën plot urtësi...” Kështu, ky libër është i përsosur në çdo aspekt. Ai është i saktë, i plotë, i drejtë dhe i mrekullueshëm në udhëzimet e Tij. Plot urtësi në çdo gjykim e ligj. Ai është i vetmi burim i gjykimit të drejtë për çdo çështje qoftë. Në suren Maide, ajeti 50, Allahu i Lartësuar thotë: “E kush është më i mirë se Allahu në gjykimet (ĥukmen) e Tij...”. Edhe fjala “muteshâbih” ka dy kuptime:1. I ngjashëm, i përafërt, i njëjtë.2. I paqartë, i pakuptueshëm, që ka nevojë të sqarohet, të qartësohet, që ka më shumë se një kuptim.Nëse e marrim me kuptimin e parë, pra: i ngjashëm, i përafërt ose i njëjtë, atëherë, si shpjegim të ajetit të mësipërm, mund të themi se të gjitha ajetet e Kur’ânit janë të ngjashme, të njëjta e të përafërta me njëra-tjetrën, për sa i përket bukurisë, madhështisë dhe lartësisë së fjalëve të tyre. Të gjitha ajetet janë të përafërta e vërtetuese të njëra-tjetrës. Megjithatë, në ajetin që po trajtojmë, fjala “muĥkem” ka kuptimin: “i qartë, absolutisht i kuptueshëm, që nuk ka nevojë të sqarohet më shumë”. Ndërsa fjala “muteshâbih”ka kuptimin: “i paqartë, që ka më shumë se një kuptim, që ka nevojë të sqarohet dhe të qartësohet”. Thotë i Lartësuari:Është Ai(Allahu) që ta zbriti ty(o Muhammed)Librin(Kur'anin). Në të ka ajete të qarta(muhkematun), të cilat janë baza e Librit. Në të ka ajete të tjera, që janë jo krejtësisht të qarta (muteshabihat). -Në librin e shpallur nga Allahu i Lartësuar ka ajete muĥkemât, pra, të qarta e të prera në kumtin e tyre e shumë të lehta për t’u kuptuar. Pikërisht këto ajete, Allahu i Lartësuar i ka quajtur si “baza e Librit”, pra, themeli mbi të cilin ndërtohen të gjitha gjykimet. Ato përbëjnë shumicën e ajeteve kur’ânore dhe nën dritën e tyre shpjegohen e kuptohen edhe ajetet e tjera, që kanë nevojë të sqarohen. Pra, në Kur’ân ka edhe ajete të tjera, të cilat Allahu i Lartësuar i quan muteshâbihât, të paqarta, të cilat keqkuptohen nga mendje të ndryshme, sepse ato përmbajnë shumë kuptime dhe, rrjedhimisht, edhe argumentimi me to është i paqëndrueshëm, i paqartë ose jo i sqaruar plotësisht. Madje, disa mund të marrin nga të tilla ajete kuptime të nxituara, të gabuara, nëse nuk i shohin nën dritën e ajeteve të tjera, që janë muĥkemât. Kështu, Allahu i Lartësuar na tregon se në Kur’ân ka ajete të qarta e të kuptueshme lehtë nga çdokush, të cilat janë pjesa dërrmuese e librit. Ato duhet të shërbejnë si bazë për të ndërtuar gjykimet tona. Nën dritën e tyre duhet parë çdo ajet tjetër i këtij libri, që mund të jetë i paqartë e që ka nevojë të kthjellohet dhe të drejtkuptohet. Por ka edhe ajete që janë muteshâbih, të paqarta për disa njerëz. Ato janë të pakuptueshme, …