Muslim99Muslim99
← Tafsir library

3. Aal-i-Imraan

The Family of Imraan · Medinan · 200 ayahs

سُورَةُ آلِ عِمۡرَانَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 51–60 of 200

51

إِنَّ ٱللَّهَ رَبِّى وَرَبُّكُمْ فَٱعْبُدُوهُ ۗ هَٰذَا صِرَٰطٌۭ مُّسْتَقِيمٌۭ

Me të vërtetë Perëndia është im Zot dhe Zot i juaji, andaj adhuronie Atë. Kjo është rruga e drejtë!

“Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj. Atë adhurojeni, sepse kjo është Rruga e drejtë! -Isai (a.s.) e provoi njëshmërinë e Allahut të Lartësuar në meritën e adhurimit me faktin se Allahu është Zoti, Krijuesi, Sunduesi i botës. Pra, ai u argumentoi atyre një të vërtetë që ata e mohohin me një fakt që ata e pranonin. Të gjithë e pranojnë se Allahu është Absolut dhe i Vetëm në aspektin e zotërimit, krijimit, furnizimit, sundimit dhe përkujdesjes ndaj krijesave. Atëherë, fjala e Isait (a.s.) kuptohet kështu: Ashtu sikurse e pranojmë dhe e pohojmë faktin që Allahu i Lartësuar është Ai që na krijoi, që na furnizon dhe që përkujdeset për ne, duke na dhuruar shumë mirësi, po ashtu le të besojmë dhe të pohojmë natyrshëm që Ai duhet të jetë i vetmi që meriton adhurimet tona. Vetëm Atij le t’ia përkushtojmë adhurimet tona. Dashuria e plotë le të jetë për Të. Të shpresojmë për faljen dhe shpërblimet e Tij të pakufishme. Frikërespekti për Të të jetë i plotë. Lutjet, mbështetja dhe kërkimi i ndihmës le t’i drejtohen vetëm Atij. Të gjitha mënyrat e adhurimit duhet t’i kushtohen vetëm Allahut. Në ajet gjejmë një argument kundër të krishterëve, të cilët pretendojnë padrejtësisht se Isai (a.s.) është Zoti i tyre, e disa thonë që është biri i Zotit. Këto pretendime boshe dhe të padrejta hidhen poshtë nga vetë dëshmia e Isait (a.s.), që deklaronte se ishte njeri, krijesë dhe adhurues i Zotit të tij. Vetë ai dëshmonte se ishte i nënshtruar e i krijuar, si gjithë krijesat e tjera. Allahu i Lartësuar na e sjell dëshminë e Isait (a.s.) për veten e tij në një vend tjetër në Kur’ân: “Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë mua Librin dhe më ka bërë profet. Më ka bërë të bekuar kudo që të jem dhe më ka urdhëruar për namaz dhe për zekat sa të jem gjallë. Më ka bërë të dashur ndaj nënës sime e nuk më ka bërë mendjemadh e as të padëgjueshëm. Paqja (e Allahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal (prej varrit) i gjallë.” Kjo është e vërteta për Isanë, birin e Merjemes, për të cilën ata (më kot) rragaten (polemizojnë). Nuk i shkon (madhështisë së) Allahut që të ketë bir. I pastër është Ai (nga çdo mangësi)! Kur Ai vendos për një çështje, vetëm thotë: Bëhu!”, dhe ajo bëhet. (Isai i tha popullit të vet) Dhe Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, prandaj vetëm Atë adhuroni! Kjo është rrugë e drejtë. Por grupet e kundërshtojnë njëri-tjetrin (rreth Isait). Mjerë ata që nuk besuan se ç'kanë për të parë në Ditën e madhe!” [Merjem 30-37]. Ose: “Allahu do të thotë: “O Isa, biri i Merjemes! Ti, vallë, u the njerëzve: “Më besoni mua dhe nënën time si dy zota veç Allahut!?” Ai do të thotë: “Qofsh i lartësuar (o Zoti im)! Kurrë nuk mund ta thosha unë atë për të cilën nuk kam asnjë të drejtë. Po ta kisha thënë atë, Ti do ta kishe ditur. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, ndërsa unë nuk e di atë që është tek Ty. Ti i di të gjitha të fshehtat. Unë nuk u kam thënë atyre asgjë tjetër, veç asaj që Ti më urdhërove: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Unë isha dëshmitar i tyre, sa isha ndër ta. Por pasi Ti më more mua, ishe Ti mbikëqyrësi i tyre. Ti je Dëshmitar për gjithçka.” Nëse Ti i ndëshkon ata, ata janë robt e Tu. E nëse i fal ata, Ti …

Aal-i-Imraan 3:51Listen in Qur'an →
52

۞ فَلَمَّآ أَحَسَّ عِيسَىٰ مِنْهُمُ ٱلْكُفْرَ قَالَ مَنْ أَنصَارِىٓ إِلَى ٱللَّهِ ۖ قَالَ ٱلْحَوَارِيُّونَ نَحْنُ أَنصَارُ ٱللَّهِ ءَامَنَّا بِٱللَّهِ وَٱشْهَدْ بِأَنَّا مُسْلِمُونَ

Kur Isai e hetoi mohimin e tyre, tha: “Kush janë ndihmëtarët e mi në rrugën e Perëndisë?” Nxënësit (e tij) u përgjegjën: “Na jemi ndihmëtarët e fesë së Perëndisë, na besojmë Perëndinë e ti Isa bëhu dëshmitar se na jemi muslimanë.

Kur e kuptoi Isai vendosmërinë e tyre në mosbesim, tha: “Kush do të jetë ndihmëtari im në rrugën e Allahut?” –Kështu, Isai (a.s.) vuri re tek ata mosbindje. Jo vetëm kaq, por ata lëshuan edhe shpifje e fyerje kundër tij, duke thënë që mrekullitë që ai shfaqte ishin magji. Madje, ata u përpoqën edhe që ta vrisnin. Kur Isai (a.s.) vërejti një sjellje të tillë, tha: “Kush do të jenë ndihmëtarët e mi për të vazhduar në rrugën e Zotit? Kush do të më ndihmojë mua që të përhapim fenë e Zotit?”Dishepujt e tij thanë: “Ne do të jemi ndihmëtarë të(rrugës së)Allahut. Ne besojmë në Allahun, ndaj ti dëshmo për ne që jemi muslimanë!” -Dishepujt, pra, nxënësit e Isait (a.s.) thanë: “Ne do të jemi ndihmëtarët e (rrugës së) Allahut”. Dhe, vërtet, ata ia përkushtuan jetën e tyre këtij misioni. Ata thanë:

Aal-i-Imraan 3:52Listen in Qur'an →
53

رَبَّنَآ ءَامَنَّا بِمَآ أَنزَلْتَ وَٱتَّبَعْنَا ٱلرَّسُولَ فَٱكْتُبْنَا مَعَ ٱلشَّٰهِدِينَ

Zoti ynë! Na besojmë ate që na ke shpallur dhe pasojmë Pejgamberin (Isanë). Regjistrona neve bashkë me dëshmitarët!”

“O Zoti ynë! Ne besojmë në atë që ke shpallur dhe e pasojmë të Dërguarin(Isanë). Na bashko me ata që dëshmojnë!” -Ne e besojmë të vërtetën që Ti ke shpallur dhe e pasojmë me besnikëri Profetin Tënd, prandaj na shkruaj edhe neve mes atyre që quhen dëshmues të drejtë. Asnjë dëshmi nuk mund të jetë më e drejtë dhe më e dobishme, sesa dëshmia për njëshmërinë e Allahut në meritën e adhurimit dhe dëshmia për besim të plotë ndaj Profetit dhe për të vepruarit sipas këtij besimi. Kjo ishte dëshmia e tyre e madhe, prej së cilës merituan që Allahu i Lartësuar t’i nxirrte faqebardhë dhe triumfues mbi ata që nuk pranonin të besonin dhe të pasonin rrugën e Profetit të tyre. Më tej, i Madhëruari thotë:

Aal-i-Imraan 3:53Listen in Qur'an →
54

وَمَكَرُوا۟ وَمَكَرَ ٱللَّهُ ۖ وَٱللَّهُ خَيْرُ ٱلْمَٰكِرِينَ

Dhe ata (mohuesit) përgatitën dinakëri (dredhi të keqe); por Perëndia ua ktheu më me dinakëri. Se Perëndia është më i përsosuri në dinakëri (për qëllime të mira).

Ata(jobesimtarët)përgatitën një kurth, por edhe Allahu përgatiti një kurth. Allahu është planifikuesi më i mirë. -Mohuesit dhe refuzuesit e udhëzimit të Allahut bënë plane dhe ngritën kurthe për të vrarë Profetin dhe për të shuar dritën e Allahut, por Allahu është planifikuesi më i mirë, prandaj ua ktheu kurthet që ata ngritën me kurthe kundër vetë atyre.

Aal-i-Imraan 3:54Listen in Qur'an →
55

إِذْ قَالَ ٱللَّهُ يَٰعِيسَىٰٓ إِنِّى مُتَوَفِّيكَ وَرَافِعُكَ إِلَىَّ وَمُطَهِّرُكَ مِنَ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ وَجَاعِلُ ٱلَّذِينَ ٱتَّبَعُوكَ فَوْقَ ٱلَّذِينَ كَفَرُوٓا۟ إِلَىٰ يَوْمِ ٱلْقِيَٰمَةِ ۖ ثُمَّ إِلَىَّ مَرْجِعُكُمْ فَأَحْكُمُ بَيْنَكُمْ فِيمَا كُنتُمْ فِيهِ تَخْتَلِفُونَ

(Kujtoje, o Muhammed!) kur Perëndia tha: “O Isa! Unë do të vdes ty (pasi ta plotësoj jetën e caktuar, hebrenjt nuk do të mbysin ty) dhe do të marrë pranë vetes dhe do të shpëtojë nga ata që nuk besojnë, dhe do t’i bëj ata që të ndjekin ty, për mbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kijametit. Pastaj, do të ktheheni tek Unë, e do të gjykoj në mes jush për çështjet që jeni grindur.

(Kujto kur)Allahu tha: “O Isa! Unë do të të marr ty e do të të ngre pranë Meje. Unë do të të shpëtoj ty prej(sherrit të)atyre që nuk besojnë –Kështu, Allahu i Lartësuar e ngriti Isain (a.s.), Profetin dhe adhuruesin e Tij të sinqertë, pranë Vetes. Allahu i Lartësuar bëri që pamja ose shëmbëlltyra e Isait (a.s.) t’i vihej dikujt tjetër. Në këtë mënyrë, armiqtë e Profetit morën atë tjetrin, që mori pamjen e Isait (a.s.), e vranë dhe pastaj e mbërthyen. Megjithatë, ndëshkimi që i pret ata do të jetë shumë i rëndë, sepse ata patën si qëllim vrasjen e Profetit dhe për atë gjë do të shpaguhen. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Allahu e ngriti atë pranë Vetes.” [Nisa 158]. Kjo fjali tregon se Allahu është lart, mbi Fron. Qëndrimi i Tij mbi Fron është diçka e vërtetë dhe nuk ka nevojë për interpretime e devijime. Këtë fakt e konfirmojnë shumë tekste të sigurta e të sakta nga Kur’âni dhe Suneti. Allahu i Lartësuar është Ngadhënjimtar, i Plotfuqishëm dhe Sundues i gjithçkaje. Ishte Ai që ua mbajti dorën dhe ua prishi planet bijve të Israilit, që donin të vrisnin profetin Isa, të zgjedhurin e Tij. Asgjë nuk mund t’i pengonte ata nga vrasja e Isait, veç të Madhërishmit e Ngadhënjimtarit. Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është i Urtë. Ishte urtësia e Tij që vuri shëmbëllimin e Isait mbi dikë tjetër dhe i la bijtë e Israilit të mashtroheshin, duke menduar se vranë Profetin.” Ai gjithashtu thotë: “Në fakt, ata as nuk e vranë, as nuk e kryqëzuan, por ashtu iu duk. Ata që nuk pajtohen për çështjen e tij janë gjithë dyshime për të. Ata nuk kanë për të kurrfarë dije të saktë, por veç hamendësime. Në të vërtetë, ata nuk e vranë atë. Jo. Allahu e ngriti atë pranë Vetes. Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë..” [Nisa 157, 158]. Pastaj thotë Allahu i Lartësuar:...dhe ata që të pasojnë ty do t’i lartësoj mbi ata që mohojnë, deri në Ditën e Kijametit.”. -Sikurse u tha më lart, Allahu i Lartësuar i ndihmoi pasuesit e vërtetë të Isait për të qëndruar në fenë e Tij. Dëshmi tjetër që tregon se Allahu i ndihmoi pasuesit e Isait kundër çifutëve është edhe fakti që të krishterët kanë qëndruar gjithmonë mbi çifutët dhe i kanë shtypur ata. Megjithatë, kur ata devijuan të gjithë nga rruga e drejtë e Isait (a.s.), Allahu i Lartësuar dërgoi Profetin e mëshirës, Muhamedin (a.s.), i cili, bashkë me pasuesit e tij të denjë, do të bëheshin pasuesit e vërtetë të udhëzimit të sjellë nga Isai (a.s.). Dhe, vërtet, ndihma e Allahut ka qenë gjithmonë e dukshme për këtë bashkësi kundër çdo ngjyre të kufrit. Muslimanët kanë triumfuar gjithmonë kundër çifutëve, të krishterëve dhe të gjithë llojeve të mohuesve të Zotit. Edhe nëse në ndonjë periudhë të shkurtër mund të vërejmë se mohuesit, qofshin ata të krishterë, çifutë etj., fitojnë mbi muslimanët, kjo ndodh me lejen e Zotit dhe urtësinë e Tij, për të udhëzuar muslimanët që t’i kthehen fesë së tyre, sepse pikërisht për shkak të devijimit dhe lëshimit të fesë së Zotit vjen humbja dhe dështimi.“Pastaj, vetëm tek Unë është kthimi juaj dhe Unë do të gjykoj mes jush për ato çështje për të cilat ratë në kundërshti”.”. -Të gjithë pretendojnë se e vërteta është me ta. Të gjithë pretendojnë se kanë të drejtë dhe se të tjerët janë të …

Aal-i-Imraan 3:55Listen in Qur'an →
56

فَأَمَّا ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ فَأُعَذِّبُهُمْ عَذَابًۭا شَدِيدًۭا فِى ٱلدُّنْيَا وَٱلْءَاخِرَةِ وَمَا لَهُم مِّن نَّٰصِرِينَ

Ata që nuk besojnë, do t’i dënoj me dënim të ashpër në këtë botë dhe në tjetrën. Dhe nuk do të kenë askend që t’u ndihmojë.

Ata që nuk besojnë, Unë do t’i ndëshkoj ashpër në këtë botë dhe në Botën tjetër, ... -Për sa i përket ndëshkimit në jetën e dynjasë, ai është shumë i dukshëm dhe çdokush e vëren atë, në çdo kohë. Ai shfaqet me shkatërrime e fatkeqësi të mëdha, të cilat quhen rëndom “fatkeqësi natyrore”. Ai shfaqet edhe në formën e poshtërsive apo shfarosjes së njerëzve nëpërmjet luftrave. Të gjitha këto janë shumë pak, në krahasim me ndëshkimin që i pret ata në jetën tjetër të pasosur. Ai është tmerri, fatkeqësia dhe dëshpërimi më i madh. Ai është zjarri i Xhehenemit dhe zemërimi i Krenarit, të Plotfuqishmit, të Pamposhturit. Ai është humbja e përjetshme e mundësisë për të shijuar mirësitë e besimtarëve dhe shpërblimin e mrekullueshëm të Allahut të Lartësuar....dhe ata nuk do të kenë askënd që t'i ndihmojë. -Askush nuk do t’i ndihmojë ata që të shpëtojnë prej ndëshkimit të merituar. Madje, edhe ata që në këtë jetë i mendojnë si ndërmjetësues tek Allahu, nuk do të mund t’u bëjnë aspak dobi. Të pafuqishëm do të jenë edhe miqtë dhe të dashurit e tyre, të cilët i adhurojnë përveç Allahut. Të gjithë janë të pafuqishëm për të ndihmuar ndonjë, madje as veten e tyre.

Aal-i-Imraan 3:56Listen in Qur'an →
57

وَأَمَّا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ فَيُوَفِّيهِمْ أُجُورَهُمْ ۗ وَٱللَّهُ لَا يُحِبُّ ٱلظَّٰلِمِينَ

E ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, Zoti u plotëson shpërblimin. Se, Perëndia, nuk i don zullumqarët.

E për sa u përket atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, atyre do t'ua jap shpërblimin të plotë. -Tjetër gjykim kanë pjesa tjetër, të cilët plotësojnë disa kushte:1. Ata besojnë gjithçka që duhet besuar, që Zoti dhe Profeti i Tij kanë urdhëruar të besohet. Pra, ata besojnë Allahun, të gjithë profetët, shpalljet hyjnore, Ditën e Ringjalljes, etj.2. Ata bëjnë vepra të mira. Dihet që veprat mund të quhen “të mira” vetëm nëse plotësojnë dy kushte: së pari, të kryen me sinqeritet për Allahun e Lartësuar, pra, vetëm për të kënaqur Atë dhe, së dyti, të jenë sipas mësimeve dhe udhëzimeve të sjella nga Profeti (a.s). Ato duhet t’i ketë porositur dhe përshkruar Profeti plotësisht dhe saktësisht, dhe të jetë transmetuar deri tek ne në mënyrë të sigurt dhe të qartë.Kështu, fatlumët që besuan të vërtetën që u erdhi nga Zoti i tyre dhe punuan sipas saj, ata do të kenë tjetër shpërblim, ndryshe nga të parët. Allahu i Lartësuar, për të përshkruar shpërblimin e tyre, thotë: “ju-uef-fîhim uxhûrahum” – “...do t'ua jap shpërblimin të plotë.”. Kjo tregon se ata do ta shijojnë që në dynja shpërblimin e veprave të mira, i cili shfaqet në shumë forma. Krenaria, lumturia, fama, nderimi e respekti ndër njerëz janë shenja të shpërblimit të Allahut për veprat e mira që në këtë jetë. Ndihma e Allahut, suksesi dhe fitorja mbi armiqtë janë gjithashtu shenja të shpërblimit. Jeta e këndshme, e lumtur, e gëzuar, larg brengave e anktheve janë tregues të tjerë të shpërblimit të Allahut. Megjithatë, shpërblimi i plotë për veprat e mira do të jetë në jetën tjetër, në Ditën e Gjykimit. Për çdo të mirë që bëhet me sinqeritet për Allahun e Lartësuar dhe sipas mësimeve dhe udhëzimeve të Profetit, do të jepet shpërblimi më i plotë dhe më i bukur, ashtu siç di të shpërblejë i Mëshirshmi, Bamirësi, Mirënjohësi e Bujari. Madje, përveç shpërblimit të merituar, do të jepet edhe shtesë mbi të, sepse shpërblyesi është Allahu Bujar dhe Mëshirëplotë.Allahu nuk i do të padrejtët. -Madje, Allahu i Lartësuar e urren padrejtësinë dhe të padrejtët dhe për ta ka përgatitur ndëshkimin e Tij të drejtë. Mbi ta do të godasë me drejtësi zemërimi i Tij.

Aal-i-Imraan 3:57Listen in Qur'an →
58

ذَٰلِكَ نَتْلُوهُ عَلَيْكَ مِنَ ٱلْءَايَٰتِ وَٱلذِّكْرِ ٱلْحَكِيمِ

Këto që po t’i tregojmë ty (o Muhammed!) janë ajete dhe këshilla të larta (Kur’ani).

Këto(ngjarje)që po të lexohen ty(o Profet)janë argumenta (për besnikërinë tënde)dhe këshilla (nga Kur'ani) plot urtësi. -Shpallja e këtyre ajeteve është një mirësi e jashtëzakonshme që iu dhurua Muhamedit (a.s.) nga Zoti i botëve. Këto ajete janë një mirësi e madhe edhe për këtë popull të zgjedhur, që ndjek rrugën e Profetit të mëshirës. Allahu i Lartësuar e ka quajtur këtë Shpallje me një fjalë madhështore: “Dhikrul Hakîm” – “Këshillë e urtë” ose këshilla plot urtësi. Kur’âni është absolutisht i urtë, i saktë, i sigurt dhe i vërtetë në gjithçka që përmban. Ligjet e tij, që tregojnë kufijtë e Zotit, janë të sqaruara me hollësi. Ngjarjet e shkuara dhe të ardhme vijnë me vërtetësi dhe saktësi. Në të rrëfehen historitë e profetëve të Zotit dhe popujve të tyre. Aty tregohen mrekullitë e profetëve, të cilat Zoti ua dha atyre, që popujt të besonin dhe t’u bindeshin urdhrave e udhëzimeve të tyre. Me pak fjalë, Kur’âni na tregon gjithçka që kemi nevojë të dimë, qoftë nga ngjarjet e së shkuarës dhe të së ardhmes, qoftë nga ligjet dhe dispozitat e domosdoshme për njerëzit, për të qenë të lumtur dhe në paqe me Krijuesin, me veten dhe me të tjerët. Nga Kur’âni përfitohen mësime, merret përvojë dhe forcohet besimi në zemrat e krijesave, prandaj ai është mirësia më e madhe e Zotit të botëve mbi krijesat e Tij.

Aal-i-Imraan 3:58Listen in Qur'an →
59

إِنَّ مَثَلَ عِيسَىٰ عِندَ ٱللَّهِ كَمَثَلِ ءَادَمَ ۖ خَلَقَهُۥ مِن تُرَابٍۢ ثُمَّ قَالَ لَهُۥ كُن فَيَكُونُ

Rasti i Isait te Perëndia, në të vërtetë, është si rasti i Ademit, që e krijoi prej baltës e pastaj tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.

Rasti i Isait tek Allahu, është sikurse rasti i Ademit, të cilin Ai e krijoi nga dheu, e pastaj i tha: “Bëhu!” dhe ai u bë. -Allahu i Lartësuar sjell një argument shumë të thjeshtë dhe të kuptueshëm për t’u qartësuar të krishterëve gabimin e tyre trashanik dhe të papranueshëm. Ata thonë për Isain (a.s.) diçka të pavërtetë, duke mos pasur asnjë argument ku mund të mbështeten, madje atyre nuk u lejohet as ta mendojnë një gjë të tillë. Shikoni se çfarë argumentimi qesharak sjellin të krishterët për të vërtetuar se Isai (a.s.) është “bir” i Zotit. Sipas tyre, meqë Isai (a.s.) nuk pati baba biologjik, atëherë ai ishte biri i Zotit dhe, si i tillë, ai ka cilësi të njëjta me Atin. Subhanallah! Ky nuk vlen të quhet as keqkuptim, jo më të jetë një argument i mirëfilltë për një temë kaq delikate. Ne mund të themi të njëjtën gjë edhe për krijesat e tjera të Zotit. Ato janë thjesht krijesa të të Plotfuqishmit. Ato tregojnë se i vetmi Krijues e Furnizues, që përkujdeset për ta dhe administron çështjet e tyre është Allahu Absolut e Madhështor. Të gjitha shkaqet dhe pasojat i nënshtrohen dëshirës dhe vullnetit të Tij të padiskutueshëm. Asgjë nuk del jashtë vullnetit të Tij. Të krishterët mendojnë se lindja e Isait (a.s.) pa baba biologjik është argument mbështetës i tezës së tyre të gabuar, ndërkohë që, faktikisht, ai është argument kundër tyre. Ai tregon se Allahu i Lartësuar dhe i Gjithëpushtetshëm është aq i Madhërishëm në pushtetin dhe mbretërimin e Tij saqë askush nuk mund t’i afrohet në emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. Them nuk mund t’i afrohet, e jo më të jetë i njëjtë me Të. Allahu i Lartësuar ka krijuar diçka më të çuditshme sesa Isain. Ai e krijoi Ademin (a.s.) prej dheu, pa nënë dhe pa baba. Atëherë, nëse Ademi nuk mund të jetë fëmijë i Zotit dhe i barabartë me Të, pse duhet që të jetë Isai (a.s.)?! Duke përdorur logjikën e tyre të papjekur, duhet ta pranonim Ademin si fëmijë të Zotit dhe të barabartë me Të. Por nëse nuk e pranojmë një gjë të tillë për Ademin (a.s.), atëherë për Isain nuk duhet të kenë diskutime, sepse ai të paktën e kishte një nënë. Prandaj thotë i Lartësuari:

Aal-i-Imraan 3:59Listen in Qur'an →
60

ٱلْحَقُّ مِن رَّبِّكَ فَلَا تَكُن مِّنَ ٱلْمُمْتَرِينَ

E vërteta është nga Zoti yt, andaj, mos u bën nga ata që dyshojnë!

E vërteta vjen vetëm nga Zoti yt -E vërteta në të tilla raste mund të sqarohet veçse me argumente të sigurta nga Allahu i Lartësuar, që di gjithçka. Kumti i sigurt që na ka ardhur prej Allahut të Lartësuar, është e vërteta e padiskutueshme, sepse ajo është shpallje e Zotit të gjithësisë. Kjo shpallje e sigurt dhe e ruajtur bën pjesë në ato mirësi dhe dhurata të shumta të Allahut të Lartësuar, që tregojnë përkujdesjen e veçantë për Profetin e Tij të zgjedhur dhe pasuesit e tij të denjë. Të tilla janë të gjitha rrëfimet rreth profetëve të Zotit në kohëra. Duke marë parasysh këto, nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në vërtetësinë e tyre. Megjithatë, Allahu i Lartësuar e përforcon një gjykim të tillë, kur thotë:Prandaj ti mos u bëj kurrë nga ata që dyshojnë! -Pra, asnjëherë mos ki dyshime rreth saktësisë së Shpalljes nga Zoti yt. Të jesh i sigurt se vetëm ajo është e vërteta, ndërsa gjithçka tjetër është mashtrim. Ky ajet dhe të tjerë si ai vërtetojnë rregullin e mrekullueshëm, që thotë: Nëse argumentet e sakta vërtetojnë se një çështje apo një mendim i caktuar është i vërtetë, qoftë në temat e besimit, qoftë në temat e tjera, atëherë është detyrë për njeriun që, çdo mendim tjetër që bie ndesh me këtë mendim të saktë dhe të argumentuar ai ta refuzojë dhe ta gjykojë si të gabuar dhe të papranueshëm. Çfarëdo dyshimi që mund të hidhet rreth asaj çështjeje është i padrejtë dhe i pavlefshëm. Po ashtu, pamundësia e dikujt për të hedhur poshtë dyshimet mbi një çështje të argumentuar saktë, të cilën ai e mbron, nuk tregon se ajo çështje nuk qëndron. Një gjë është e sigurt: gjithçka që kundërshton të vërtetën e sigurt është e kotë dhe e gënjeshtërt (edhe nëse nuk je në gjendje të argumentosh kotësinë e saj). I Lartësuari thotë: “Pas së vërtetës nuk ka asgjë tjetër, veç kotësisë.” [Junus 32]. Me këtë rregull të mrekullueshëm, besimtari gjen prehje dhe qetësi nga shumë dyshime të ngritura nga filozofët. Njeriu nuk është i detyruar që t’u japë përgjigje dhe të zgjidhë çdo dyshim që ata shfaqin. Nëse njeriu u jep përgjigje të gjitha dyshimeve të tyre, kjo tregon për mjeshtërinë e tij në argumentim, por ai nuk e ka detyrë një gjë të tillë. E domosdoshme për njeriun është që të njohë të vërtetën dhe ta sqarojë atë me argumente bindëse dhe të kuptueshme. Po ashtu, ai duhet t’i ftojë të tjerët që ta pasojnë këtë të vërtetë, të mbështetur në argumente të sigurta dhe të qarta.

Aal-i-Imraan 3:60Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.