Muslim99Muslim99
← Tafsir library

3. Aal-i-Imraan

The Family of Imraan · Medinan · 200 ayahs

سُورَةُ آلِ عِمۡرَانَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 181–190 of 200

181

لَّقَدْ سَمِعَ ٱللَّهُ قَوْلَ ٱلَّذِينَ قَالُوٓا۟ إِنَّ ٱللَّهَ فَقِيرٌۭ وَنَحْنُ أَغْنِيَآءُ ۘ سَنَكْتُبُ مَا قَالُوا۟ وَقَتْلَهُمُ ٱلْأَنۢبِيَآءَ بِغَيْرِ حَقٍّۢ وَنَقُولُ ذُوقُوا۟ عَذَابَ ٱلْحَرِيقِ

Perëndia i dëgjon fjalët e atyre që thanë: “Perëndia është i varfër, kurse na jemi të pasur”. Na do ta shënojmë atë që thanë ata si dhe mbytjen e pejgamberëve pa kurrfarë të drejte dhe do t’u themi Ne atyre: “Shijonie dënimin në zjarrë!”

Allahu i ka dëgjuar fjalët e atyre që thanë: “Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur.” Ne do ta shkruajmë atë që thanë ata, edhe vrasjen padrejtësisht të profetëve... -Allahu i Lartësuar na tregon rreth disa kryeneçëve, që thanë fjalët më të shëmtuara dhe më të pista. Ai i kërcënon shumë frikshëm ata, kur thotë se i dëgjoi fjalët e tyre dhe i ka ruajtur me përpikmëri, së bashku me veprat e tjera të këqija që ata kanë bërë, dhe do të përdoren në gjyqin kundër tyre. Ata njihen gjithashtu si vrasës dhe torturues të profetëve dhe këshilluesve, që ftonin në udhën e drejtë të Allahut të Lartësuar. Ai do t'i ndëshkojë ata me dënimin më të ashpër. Për thënien e tyre të pistë: “Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur.”, ata do të dëgjojnë të dëshpëruar fjalët që do u këpusin çdo shpresë:...dhe pastaj, do t’u themi: “Vuajeni dënimin e djegies në Zjarr!". –Dënimi el muĥriķ, domethënë, me djegie që fillon nga jashtë trupit e depërton deri në brendësi të tij, deri në zemër. Ky ndëshkim nuk është aspak padrejtësi për ta. Ai është zgjedhur dhe arritur nga vetë ata, prandaj thotë i Drejti dhe i Lartësuari:

Aal-i-Imraan 3:181Listen in Qur'an →
182

ذَٰلِكَ بِمَا قَدَّمَتْ أَيْدِيكُمْ وَأَنَّ ٱللَّهَ لَيْسَ بِظَلَّامٍۢ لِّلْعَبِيدِ

Ky është ndëshkimi i veprave të duarve tuaja, se Perëndia nuk është zullumqar i robërvet të vet.

"Këtë(ndëshkim)e merituat me duart tuaja. Allahu nuk është i padrejtë ndaj krijesave”. -Janë poshtërsitë dhe paturpësitë e tyre ato që e bëjnë të meritueshëm këtë dënim të dhënë nga i Drejti dhe i Lartësuari. Janë fjalët dhe veprat e tyre të shëmtuara që sjellin ndëshkimin dhe vuajtjet dhe që largojnë shpërblimin dhe lumturinë. Studiuesit dhe shpjeguesit e Kur’ânit kanë thënë se ky ajet është shpallur për një grup çifutësh, që nxorën nga goja këto fjalë të shëmtuara. Njëri prej tyre ishte Finhas Ibn Azura, i cili njihej si një ndër dijetarët çifutë më kryesorë të Medinës. Ky i poshtër, kur dëgjoi ajetin: “Kush është ai që do t’i japë Allahut një “hua” të mirë, që Ai t’ia shtojë atë shumëfish?” [Bekare 245] dhe ajetin: “Kush është ai që i ‘jep’ Allahut një hua të mirë, në mënyrë që Ai t’ia shumëfishojë atë dhe që të ketë një shpërblim të mirë?” [Hadid 11], tha ato fjalë të çmendura, pra tha: "Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur.”. Allahu i Lartësuar na tregon, gjithashtu, se kjo nuk është diçka e papritur prej tyre, sepse janë pikërisht ata që kanë vrarë deri edhe profetë të Tij. Allahu i Lartësuar, për të treguar që vrasjet nuk kryheshin pa vetëdije nga ata, por me bindje dhe vullnet të plotë, e cilëson dhe thotë që ato ishin të padrejta. Nga ana tjetër, dihet që vrasja e një profeti nuk mund të jetë kurrë e drejtë. Kjo dëshmon se ata ishin aq të poshtër, saqë vrisnin e torturonin edhe profetët e tyre me vetëdije të plotë. Çfarë nuk mund të presësh nga një popull rebel dhe i fëlliqur si ata!

Aal-i-Imraan 3:182Listen in Qur'an →
183

ٱلَّذِينَ قَالُوٓا۟ إِنَّ ٱللَّهَ عَهِدَ إِلَيْنَآ أَلَّا نُؤْمِنَ لِرَسُولٍ حَتَّىٰ يَأْتِيَنَا بِقُرْبَانٍۢ تَأْكُلُهُ ٱلنَّارُ ۗ قُلْ قَدْ جَآءَكُمْ رُسُلٌۭ مِّن قَبْلِى بِٱلْبَيِّنَٰتِ وَبِٱلَّذِى قُلْتُمْ فَلِمَ قَتَلْتُمُوهُمْ إِن كُنتُمْ صَٰدِقِينَ

Ata (Hebrenjt) thonë: “Perëndia na ka urdhëruar që të mos i besojmë asnjë pejgamberi për derisa të mos na sjellë një kurban që ta përbijë zjarri”, - thuaju (o Muhammed!): “U kanë sjellë juve pejgamberët para meje argumente edhe për atë që thoni ju, e pse i mbytët ata nëse jeni të sinqertë?”

Ata thanë(gjithashtu): “Allahu na ka porositur që të mos besojmë asnjë të dërguar, derisa të na sjellë një kurban që ta hajë zjarri.” –Në këto ajete flitet rreth atyre mashtruesve që shpifën dhe thanë se Allahu i Lartësuar i kishte porositur që të mos besonin asnjë profet, derisa t’u sillte një shenjë. Shenja ishte: derisa i dërguari t’u sillte një kurban që ta hante zjarri. Kështu, ata bënë dy padrejtësi: mashtruan për Allahun e Lartësuar dhe kufizuan mrekullitë e profetëve vetëm me shenjën e mësipërme. Me këtë shpifje, ata pretendonin se, edhe nëse nuk e besonin profetin, ata e bënin këtë që t’i bindeshin Zotit të tyre dhe zbatonin porositë e Tij për pranimin ose jo të profetëve. Por dihet shumë mirë se Allahu i Lartësuar e mbështet me argumente dhe shenja të jashtëzakonshme çdo profet që e dërgon, të cilat janë të mjaftueshme që njerëzit t’i besojnë. Nga ana tjetër, Allahu i Lartësuar nuk i ka kufizuar mrekullitë e profetëve me atë që pretendonin këta trillues dhe fshehës të së vërtetës. Megjithatë, edhe me këtë kusht, ata nuk janë treguar kurrë besnikë dhe të kujdesshëm. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që të thotë:Thuaju(O Muhammed): “Para meje, juve ju erdhën të dërguar me Argumente të Qarta,... –Pra, shumë profetë kanë ardhur para meje, me shenja dhe argumente të mjaftueshme për të besuar. Madje, mes tyre pati edhe nga ata që sollën atë mrekulli që ju kërkoni....madje edhe me atë(mrekulli)që kërkonit. –Pra, disa prej tyre sollën kurbane, që i hëngri një zjarr i zbritur nga qielli, si mrekulli prej Zotit. Pra, ju keni vepruar njëlloj me të gjithë profetët. Pyetja është e njëjtë:Përse, pra, i vratë ata, nëse thoni të vërtetën?" –Kuptimi: Nëse jeni të sinqertë në pretendimin tuaj se Zoti ju ka porositur të mos besoni asnjë profet, veçse kur ai t’ju sjellë një kurban që ta hajë zjarri, atëherë si i përgjigjeni vrasjes së profetëve, mes të cilëve janë edhe ata që e sollën mrekullinë të cilën ju kërkoni?! Kjo tregon se ju veçse po gënjeni dhe po trilloni të pavërteta. Pastaj Allahu i Lartësuar e ngushëllon dhe qetëson Profetin e Tij, duke i thënë:

Aal-i-Imraan 3:183Listen in Qur'an →
184

فَإِن كَذَّبُوكَ فَقَدْ كُذِّبَ رُسُلٌۭ مِّن قَبْلِكَ جَآءُو بِٱلْبَيِّنَٰتِ وَٱلزُّبُرِ وَٱلْكِتَٰبِ ٱلْمُنِيرِ

Nëse ata ty (o Muhammed!) të konsiderojnë për gënjeshtar, mos u hidhëro! Se janë përgënjeshtruar edhe pejgamberë të tjerë që kanë ardhur para teje dhe kanë sjellë dokumente, broshura dhe Libër ndriçues. -

Nëse ata të quajnë gënjeshtar, atëherë të jesh i sigurt se, edhe para teje janë përgënjeshtruar të dërguar,... –Pra, ky është zakoni i pandryshueshëm i kriminelëve dhe i të padrejtëve. Ata dinë veçse të mohojnë Zotin dhe të refuzojnë profetët e Tij. Mohimi i profetëve prej tyre nuk ndodh për shkak të mungesës së mrekullive dhe as për shkak të mosqartësimit të argumenteve. Përkundrazi, siç thotë i Madhëruari, ata:...që erdhën me Argumente të Qarta, me Shkrime qiellore dhe me Libër të ndritshëm. -Profetët sollën plot arsyetime logjike dhe argumente të qarta tekstuale nga Zoti. Ata sollën libra të shpallur nga Zoti i gjithësisë, që nuk mund t'i sillte askush prej njerëzve. Me të tillë libra, Zoti nderoi vetëm profetët. Ata sollën libra ndriçues, që ndriçojnë dispozitat ligjore, mënyrat e arsyetimit të qartë, çdo rrugë të mirë dhe virtyt të lartë. Në këta libra ndriçohen ngjarjet e së shkuarës dhe të së ardhmes. Atëherë, nëse ata sillen kështu përkundër profetëve, ti nuk duhet të shqetësohesh shumë për çështjen e tyre.

Aal-i-Imraan 3:184Listen in Qur'an →
185

كُلُّ نَفْسٍۢ ذَآئِقَةُ ٱلْمَوْتِ ۗ وَإِنَّمَا تُوَفَّوْنَ أُجُورَكُمْ يَوْمَ ٱلْقِيَٰمَةِ ۖ فَمَن زُحْزِحَ عَنِ ٱلنَّارِ وَأُدْخِلَ ٱلْجَنَّةَ فَقَدْ فَازَ ۗ وَمَا ٱلْحَيَوٰةُ ٱلدُّنْيَآ إِلَّا مَتَٰعُ ٱلْغُرُورِ

Çdo qenie e gjallë do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kijametit, dhe kushdo që largohet nga zjarri i xhehennemit (skëterrës) dhe hyn në xhennet, ai ka arritur atë që ka dëshiruar. E, jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.

Çdo njeri do ta shijojë vdekjen. Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit. -Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na nxit që të tregohemi të përmbajtur kundrejt kësaj dynjaje, duke na kujtuar se ajo një ditë do të fanitet e do të zhduket. Kënaqësitë dhe joshjet e saj janë veçse një përjetim i shkurtër dhe mashtrues. Çdokush që sprovohet me stolitë e saj, bie pre e kurtheve të saj dhe verbohet nga bukuritë e saj, harron që ajo do të largohet prej tij dhe ai do të largohet prej saj, për të shkuar në destinacionin përfundimtar të tij. Më pas, Allahu i Lartësuar na kujton ditën e vështirë dhe plot ankth të Kijametit, ditë kur do të jepet i plotë dhe me drejtësi shpërblimi i veprave të kryera në këtë jetë: o i mirë, o i keq, sipas meritës.Kush i shpëton Zjarrit e futet në Xhenet, ai vërtet ka fituar. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër, veçse një përjetim mashtrues. –Domethënë, ka shpëtuar nga ndëshkimi i dhimbshëm dhe ka për të hyrë në Xhenetin e mirësive të pafundme. Ka fituar të drejtën për të jetuar në vendet e stolisura me bukuri, që as syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar dhe asnjë zemër nuk i ka përfytyruar. I kuptuar nga ana e kundërt, ajeti tregon se kush nuk shpëton prej Zjarrit dhe nuk futet në Xhenet, nuk ka dalë aspak i fituar. Kjo do të thotë se ai do të jetë i dëshpëruar dhe i dënuar përjetësisht. Ky ajet përmban një argument të bukur rreth vërtetësisë së shpërblimit në jetën e varrit (berzaħ). Çdokush do të shpërblehet pjesërisht gjatë jetës në varr për veprat që ka bërë. Kjo kuptohet nga fragmenti: “Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit.” Pra, Allahu i Lartësuar na tregon se shpërblimi i plotë do të jetë vetëm Ditën e Gjykimit. Ndërsa një shpërblim i pjesshëm, kuptohet nga ajeti, do të jetë gjatë jetës së varrit. Jo vetëm kaq, por një pjesë të shpërblimeve, i Drejti dhe Bamirësi ua dhuron njerëzve që në këtë jetë, para vdekjes, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ne do t’i bëjmë ata të ‘shijojnë’ dënimin më të shpejtë (në dynja), para dënimit të madh (në ahiret)...”. [Sexhde 21].

Aal-i-Imraan 3:185Listen in Qur'an →
186

۞ لَتُبْلَوُنَّ فِىٓ أَمْوَٰلِكُمْ وَأَنفُسِكُمْ وَلَتَسْمَعُنَّ مِنَ ٱلَّذِينَ أُوتُوا۟ ٱلْكِتَٰبَ مِن قَبْلِكُمْ وَمِنَ ٱلَّذِينَ أَشْرَكُوٓا۟ أَذًۭى كَثِيرًۭا ۚ وَإِن تَصْبِرُوا۟ وَتَتَّقُوا۟ فَإِنَّ ذَٰلِكَ مِنْ عَزْمِ ٱلْأُمُورِ

Ju me siguri do të viheni në provë me pasurinë tuaj dhe me jetën tuaj dhe ju do të dëgjoni shumë fyerje nga ana e atyre që u është dhënë Libri pra jush dhe nga paganët. Nëse jeni durimtarë dhe i druani Perëndisë, me të vërtetë, ajo është vendosmëri (e madhe) në vepër.

Ju patjetër do të sprovoheni në pasuritë dhe në veten tuaj. -Allahu i Lartësuar u drejtohet besimtarëve, për t’i bërë me dije se do të sprovohen në pasuritë e tyre. Sprovë në pasuri janë shpenzimet apo dhëniet e detyrueshme dhe të pëlqyeshme, që robi duhet t'i bëjë për hir të Allahut. Shpesh, për hir të Allahut të Lartësuar, ai do të duhet të sakrifikojë apo ndoshta edhe ta humbasë pasurinë e tij. I Urti tregon, gjithashtu, se do të sprovohemi edhe në vetet tona. Këtu hyjnë detyrimet dhe dispozitat e ndryshme të kësaj feje madhështore, të cilat janë shpeshherë të vështira për t'u mbajtur dhe për t'u përmbushur, si lufta në rrugën e Allahut etj., kur rrezikohet jeta e pasuria, kur kërcënohemi me vrasje, burgim, tortura, diskriminim, plagosje, robërim etj. Sprova në vetet tona janë edhe sëmundjet e ndryshme, që na mundojnë, frikësojnë, të cilat na godasin vetë ne ose të afërmit e të dashurit tanë etj.Ju do të dëgjoni shumë fyerje prej atyre që u është dhënë Libri para jush dhe prej idhujtarëve. -Fjala ‘ofendim’ përfshin të gjitha fyerjet kundrejt besimtarëve, si për shembull, fyerjet për Kur’ânin, Profetin dhe fenë Islame. Në këtë paralajmërim që Allahu i Urtë dhe i Dashur u drejton besimtarëve, ka dobi e urtësi të shumta. Ndër to mund të themi se sprova bëhet për t'u dalluar qartë besimtarët e sinqertë nga gënjeshtarët dhe shtirakët. Allahu i Urtë dhe i Lartësuar i përcakton sprovat edhe për t’u krijuar adhuruesve të Tij të sinqertë mundësi të mrekullueshme për t'i pastruar nga gjynahet, për t'ua mbuluar mangësitë dhe gabimet, për t'ua shtuar besimin, si edhe për t’u forcuar sigurinë rreth vërtetësisë së Kur’ânit dhe Profetit të Tij. Atyre do t'u shtohet siguria, sepse do të shohin të zbatohet në realitet ato çka Zoti i tyre i vetëm i ka paralajmëruar para se të ndodhin. Ata me siguri do të thonë sikurse na tregon i Madhëruari: “Dhe kur panë ushtritë armike, besimtarët thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij na thanë të vërtetën”. Dhe ajo (ushtria e armikut) vetëm se ua shtoi atyre edhe më shumë besimin dhe mbështetjen (tek Allahu).”. [Ahzab 22]. Allahu i Lartësuar i paralajmëron besimtarët për të tilla sprova, me qëllim që zemrat e tyre të jenë gati kur ato të ndodhin realisht dhe që ata të jenë të durueshëm në momentin e duhur. Nëse ata përgatiten shpirtërisht dhe psikologjikisht për të tilla vështirësi, pa dyshim që do të jenë më të qëndrueshëm, pa dyshim që do të nxitojnë drejt dyerve të durimit dhe devotshmërisë, për t'u strehuar në kështjellën e pathyeshme të besimtarit. Edhe i Madhëruari na udhëzon drejt kësaj kështjelle, kur thotë:Por në qoftë se duroni dhe ruheni... -Pra, duhet të bëni durim në të gjitha këto sprova që u përmendën: në pasurinë dhe në jetën tuaj, si edhe në mundimet me fjalë e vepra që pësoni prej të padrejtëve. Megjithatë, përveç durimit, duhet pajiseni me devotshmëri ndaj Allahut. Durimi i duhur është ai me të cilin kërkohet kënaqësia e Allahut dhe që është brenda kufijve të Sheriatit. Nuk lejohet të bësh durim atëherë kur situata kërkon zbatim të dispozitave të Zotit. Madje, ka raste kur i duhet treguar vendi armiqve të Allahut dhe të fesë së Tij, sikurse e …

Aal-i-Imraan 3:186Listen in Qur'an →
187

وَإِذْ أَخَذَ ٱللَّهُ مِيثَٰقَ ٱلَّذِينَ أُوتُوا۟ ٱلْكِتَٰبَ لَتُبَيِّنُنَّهُۥ لِلنَّاسِ وَلَا تَكْتُمُونَهُۥ فَنَبَذُوهُ وَرَآءَ ظُهُورِهِمْ وَٱشْتَرَوْا۟ بِهِۦ ثَمَنًۭا قَلِيلًۭا ۖ فَبِئْسَ مَا يَشْتَرُونَ

Kujtoje (o Muhammed!) kohën kur Perëndia mori premtimin nga ata, që u është dhën Libri se do t’ua shpjegojnë atë njerëzve dhe me siguri nuk do të fshehin asgjë nga ai; e ata pastaj e hodhën pas shpine (nuk vepruan sipas tij) dhe atë (premtimin) e ndërruan për një vlerë të vogël. E, sa këmbim i shëmtuar është ai që bënë ata!

(Kujto)Kur Allahu mori zotimin nga ata të cilëve u ishte dhënë Libri se do t’ua sqaronin atë njerëzve dhe nuk do ta fshihnin. Por ata e lanë pas dore atë amanet për një çmim të ulët të kësaj jete. –‘El mîthâķ’quhet një zotim i rëndësishëm, i vështirë dhe i përforcuar. Allahu i Lartësuar e ka marrë këtë zotim prej të gjithë atyre që Ai u ka dhënë libër hyjnor dhe dije të ndritshme, me qëllim që ata t'ua përcjellin dhe sqarojnë të tjerëve. Ata duhet t'u sqarojnë njerëzve dijen që Allahu i Lartësuar u ka dhënë, sepse ata kanë nevojë për të. Ai u mori premtimin që të mos fshihnin asgjë që është detyrë të sqarohet për të tjerët. Nuk lejohet në asnjë mënyrë që ata të tregohen ‘koprracë’ me dijen që Allahu i Lartësuar u ka falur, sidomos kur atyre u kërkohet dija apo kur ndodh diçka që e bën të detyrueshme që të sqarohet e vërteta. Ata duhet ta bëjnë të dallueshme të vërtetën nga e kota dhe t'ua tregojnë këtë njerëzve. Ata, të cilëve Allahu i Lartësuar u ka dhënë sukses, e kanë plotësuar më së miri këtë zotim të vështirë. Ata u mësojnë njerëzve dijen, me të cilën Allahu i Lartësuar i ka privilegjuar. Ata shpenzojnë të gjitha energjitë e tyre për t'u mësuar të tjerëve të mirën, dhe këtë e bëjnë të motivuar nga dashuria për Allahun dhe për të arritur kënaqësinë e Tij. Ata përpiqen pa pushim të kënaqin Allahun e Lartësuar dhe tregohen të mëshirshëm me krijesat. Ata gjithmonë druhen që të mos fshehin asgjë nga dija që duhet ta përcjellin qartë dhe me përpikmëri. Ndërsa ithtarët e Librit, qofshin ata çifutë apo krishterë, apo të tjerë si ata, e kanë hedhur pas shpine këtë përgjegjësi që rëndon mbi supet e tyre. Ata fshehin të vërtetën dhe shfaqin e përhapin të kotën. Ata guxojnë të shkelin kufijtë e Allahut dhe dispozitat e Tij. Ata shpërfillin të drejtat e Krijuesit dhe të drejtat e krijesave, dhe këtë e bëjnë thjesht për një përfitim të pakët. Ky është një turp i madh për ta. Për hir të pushtetit, ofiqeve e të ndonjë pasurie të ofruar nga servilët e tyre injorantë dhe të shfrenuar, ata e shesin të vërtetën për të blerë ndëshkimin. Për ta, i Madhëruari thotë:Sa e keqe është ajo që blenë! -Kjo tregti është shumë e keqe, sepse ata, për të blerë gjënë më të ndyrë, kanë ofruar pozitën më të nderuar që mund të arrijë një njeri. Ata kanë ofruar si çmim postin fisnik të dijetarit, që sqaron të vërtetën nga e kota. Ata i kanë mohuar vetvetes të drejtën për t’u bërë mbrojtës dhe qartësues të së vërtetës, e cila sjell të gjitha mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Këtë zgjedhje të keqe e kanë bërë veçse për shkak të nivelit të ulët të dëshirave dhe qëllimive të tyre. Ata nuk e meritojnë që Allahu i Gjithëditur, i Urtë dhe i Drejtë t'u japë sukses për të arritur një gradë të tillë. Pastaj i Madhëruari thotë:

Aal-i-Imraan 3:187Listen in Qur'an →
188

لَا تَحْسَبَنَّ ٱلَّذِينَ يَفْرَحُونَ بِمَآ أَتَوا۟ وَّيُحِبُّونَ أَن يُحْمَدُوا۟ بِمَا لَمْ يَفْعَلُوا۟ فَلَا تَحْسَبَنَّهُم بِمَفَازَةٍۢ مِّنَ ٱلْعَذَابِ ۖ وَلَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌۭ

Mos i konsidero ata, të cilët gëzohen për ate që kanë punuar (të mshehurit e së vërtetës) dhe dëshirojnë të jenë të lavdëruar për atë që nuk e kanë punuar. Kurrsesi mos mendo se ata do të gjenden në një vend – shpëtimi; se për ata ka ndëshkim të rëndë.

Mos mendo se janë të shpëtuar ata që gëzohen për atë që bënë(fshehjen e së vërtetës)... -Kuptimi: Mos mendoni se i kanë shpëtuar ndëshkimit ata që gëzohen me dijen e tyre të shëmtuar, të pabazë dhe me veprat të pabazuara në tekste hyjnore....dhe që dëshirojnë të lëvdohen për atë që nuk e kanë bërë(sqarimin e së vërtetës)! –Pra, ata që dëshirojnë të lëvdohen për të mirat që, në fakt, nuk i kanë bërë. Normalisht, ata duhet të sqarojnë të vërtetën dhe të punojnë sipas saj, që të meritojnë lëvdatat.Kursesi mos mendo se ata do t'i shpëtojnë ndëshkimit!... -Kuptimi: Mos mendo se këta do t'i shpëtojnë dënimit dhe do të jenë të ruajtur prej tij. Përkundrazi, ata janë duke rendur drejt tij, siç thotë i Lartësuari:Ata do të kenë një dënim të dhembshëm. -Ky ajet flet për disa kategori njerëzish. Ai flet, së pari, për ithtarët e Librit, që nuk iu nënshtruan dhe nuk e ndoqën udhëzimin e sjellë nga Muhamedi (a.s.), por u vetëkënaqën me dijen që zotëronin, duke e mbrojtur atë me fanatizëm të pabazuar. Ata pretendonin se dija e tyre ishte më e rëndësishme për t’u pasuar. Ajeti flet edhe për ata që sajojnë bidate në fjalë dhe vepra dhe gëzohen që i ftojnë njerëzit në to, duke pretenduar se janë në të vërtetën dhe të tjerët janë në humbje. Të gjithë sektet e grupet e bidatit të njëjtën gjë pretendojnë. Sidoqoftë, nga ajeti kuptohet se ai që dëshiron apo i pëlqen që ta lëvdojnë për ndonjë fjalë apo vepër të mirë, të cilën ai e ka thënë apo e ka vepruar, nuk është aspak i qortuar, nëse atë e ka bërë me sinqeritet për Allahun, dhe jo për famë dhe syfaqësi. Përkundrazi, ai nxitet nga Sheriati që të bëjë vepra të mira me sinqeritet për Allahun, i Cili i shpërblen bamirësit në fjalë dhe në vepra. Allahu i ka shpërblyer edhe krijesat më të zgjedhura të Tij, profetët, të cilët i janë lutur Atij për t'ua plotësuar një kënaqësi të tillë. Kështu, për shembull, Ibrahimi (a.s.) është lutur: “...bëj për mua një kujtim të mirë ndër njerëz.” Ndërsa për Nuhun (a.s.), Allahu thotë: “Paqja qoftë për Nuhun në gjithë botën. Kështu i shpërblejmë Ne vepërmirët.” Një nga lutjet më të rëndësishme të adhuruesve të Mëshiruesit, është: “Na bëj prijës të të devotshmëve!”. Të gjitha këto janë mirësi të Allahut të Lartësuar, që kërkojnë mirënjohje të thellë ndaj Tij.

Aal-i-Imraan 3:188Listen in Qur'an →
189

وَلِلَّهِ مُلْكُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۗ وَٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ قَدِيرٌ

Të Perëndisë janë qiejt dhe Toka. Dhe Perëndia është i Gjithëpushtetshëm për çdo gjë.

Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe Allahu është i Fuqishëm për gjithçka. -Allahu është Pronari dhe Sunduesi i qiejve, i tokës dhe i gjithçkaje mes tyre. Ai vepron, rregullon dhe administron çështjet e krijesave me pushtetin e Tij të plotë e absolut mbi gjithçka në këtë ekzistencë. Veprat dhe përcaktimet e Tij janë të mrekullueshme. Askush nuk mund t'i fshihet shikimit, dëgjimit, dijes dhe pushtetitit të Tij. Askush nuk mund t'i shpëtojë gjykimit të Sunduesit.

Aal-i-Imraan 3:189Listen in Qur'an →
190

إِنَّ فِى خَلْقِ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ وَٱخْتِلَٰفِ ٱلَّيْلِ وَٱلنَّهَارِ لَءَايَٰتٍۢ لِّأُو۟لِى ٱلْأَلْبَٰبِ

Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës (dukjen dhe zgjatjen e tyre), ka argumente për mendarët,

Në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës... -Ky ajet është nxitje për adhuruesit, që ata të mendojnë thellë rreth këtyre shenjave madhështore, siç është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shenja të tjera. Në këtë ajet, fjala ‘âjât’- argumente është në trajtën e pashquar, domethënë, nuk është përcaktuar se për çfarë drejtimi shërbejnë këto argumente. Kjo është bërë, së pari, për të treguar se argumentet e përfituara nga vrojtimi dhe meditimi mbi krijimin e qiejve dhe tokës janë të shumta dhe, së dyti, për të treguar se ato argumente janë gjithëpërfshirëse e jo vetëm për një lëmë të caktuar dijesh. Është e vërtetë se shenjat që shfaqen në qiej dhe në tokë mrekullojnë çdo vështrues. Ato janë shumë bindëse për ata që mendojnë thellë rreth tyre dhe janë tërheqëse e lumturuese për zemrën e çdo njeriu të sinqertë. Ato udhëzojnë mendjet e ndritura rreth qëllimeve dhe të vërtetave hyjnore. Krijesat mund të shohin në këto shenja aq sa u ka mundësuar i Urti, ndërsa për sa u përket imtësive që fshihen brenda tyre, krijesat nuk mund ta konceptojnë plotësisht, pasi të kuptuarit dhe njohuritë e tyre janë shumë të kufizuara. Megjithatë, diçka është shumë qartë: madhësia dhe gjerësia e qiejve dhe e Tokës, rregulli i përpiktë i çdo lëvizjeje të vendosur në të, dëshmojnë fort për madhështinë e Krijuesit të tyre dhe të pushtetit të Tij. Përpikmëria dhe rregulli fantastik që ekziston në qiej dhe në Tokë, bukuria e krijimit dhe detajet e mrekullueshme që shfaqen në çdo lëvizje brenda tyre janë dëshmues të padiskutueshëm për urtësinë e të Gjithëditurit, që vendos gjithçka në vendin që i takon, për dijen e Tij të pakufishme për gjithçka që ka krijuar. Çdo gjë e dobishme për krijesat që ndodhet në qiej në tokë dhe mes tyre, tregon për mëshirën dhe bujarinë e madhe të Mëshiruesit, si edhe për detyrën e falënderimit dhe të mirënjohjes ndaj Tij. Pa dyshim, të tilla përsiatje bëjnë që zemra e njeriut të lidhet ngushtë me Krijuesin e këtyre mrekullive, me Atë që i solli në ekzistencë pas inekzistencës, pa pasur nevojë për ndonjë shembull të mëparshëm. Këto shenja madhështore nxisin këdo që mendon drejt dhe me qetësi që të përpiqet maksimalisht për të kënaqur Allahun e Lartësuar, duke e adhuruar Atë si Një, të Vetëm e të Pashoq në çdo aspekt. Ato nxisin që robi t’i përkushtohet Allahut me dashuri, madhërim, frikërespekt, shpresë dhe bindje të plotë, duke iu larguar adhurimit dhe bindjes ndaj çdo krijese, e cila nuk ka asnjë pushtet dhe mundësi në qiej dhe në tokë. Çdo i krijuar është i varfër, i dobët dhe i pafuqishëm kundrejt Zotit të qiejve dhe të tokës....ka argumente të qarta për ata që kanë mend. -Allahu i Lartësuar na thotë në këtë ajet se këto shenja ndikojnë vetëm tek të mençurit, të urtët e të maturit. Ata që përfitojnë vërtet prej shenjave të Zotit janë njerëzit që vështrojnë drejt tyre me sytë e mendjes, jo vetëm me sytë e ballit. Pastaj Allahu i Lartësuar na përshkruan gjendjen e këtyre fatlumëve:

Aal-i-Imraan 3:190Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.