Muslim99Muslim99
← Tafsir library

3. Aal-i-Imraan

The Family of Imraan · Medinan · 200 ayahs

سُورَةُ آلِ عِمۡرَانَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 141–150 of 200

141

وَلِيُمَحِّصَ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَيَمْحَقَ ٱلْكَٰفِرِينَ

e kështu, Perëndia i dlirë (prej mëkatesh) besimtarët, e për t’i zhdukë mohuesit.

Kështu Allahu i pastron besimtarët dhe i shkatërron jobesimtarët. -Edhe kjo është një urtësi tjetër e sprovave. Nëpërmjet tyre, Allahu i Lartësuar pastron besimtarët nga gjynahet dhe u mbulon mangësitë e tyre. Kjo tregon se lufta në rrugën e Allahut i fshin gjynahet dhe i fsheh turpet dhe mangësitë e robit. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar i pastron në këtë mënyrë radhët e besimtarëve, duke u dhënë atyre një qartësi të plotë për të dalluar munafikët. Vetëm në të tilla sprova ndahen besimtarët nga munafikët. Urtësi tjetër e sprovave është edhe shkatërrimi i kufrit dhe i qafirëve. Kur qafirët vrasin dhe dëmtojnë muslimanët, kanë bërë një shkak të mjaftueshëm për të marrë ndëshkimin e Allahut. Gjithmonë ndodh që qafirët, nëse fitojnë në luftë, ata i kalojnë kufijtë, dhe kjo e përshpejton ndëshkimin e tyre që në këtë jetë. Edhe ky fakt tregon, pra, për mëshirën dhe dashurinë e Allahut të Lartësuar për adhuruesit e Tij të sinqertë. Pastaj i Madhëruari thotë:

Aal-i-Imraan 3:141Listen in Qur'an →
142

أَمْ حَسِبْتُمْ أَن تَدْخُلُوا۟ ٱلْجَنَّةَ وَلَمَّا يَعْلَمِ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ جَٰهَدُوا۟ مِنكُمْ وَيَعْلَمَ ٱلصَّٰبِرِينَ

A mendoni se do të hyni në xhennet e Perëndia të mos u tregojë juve për ata që kanë luftuar dhe për ata që kanë duruar.

A mos mendoni ju se do të hyni në Xhenet pa i provuar Allahu ata që luftuan (në rrugën e tij)dhe pa i nxjerrë në pah durimtarët?! -Kjo është një pyetje retorike. Pra, kuptimi i saj është: As të mos ju shkojë nëpër mend se do të hyni në Xhenet pa kaluar vështirësi dhe pa duruar sprovat në rrugën e Zotit, për të kërkuar kënaqësinë e Tij. Të jeni të sigurt se Xheneti është mirësia dhe qëllimi më i madh, për të cilin mund të garojnë ata që e duan. Sa më i lartë të jetë qëllimi, aq më të mëdha duhet të jenë rrugët, mjetet dhe veprat me të cilat duhet të arrihet ai. Nuk mund ta arrini prehjen e plotë pa e prishur qetësinë fillimisht. Megjithatë, nëse shpirti i besimtarit tregon durim dhe e ushqen veten e vet me shpresë për shpërblimin e madh që e pret, sprovat e kësaj dynjaje kthehen në mirësi dhe shkak për lumturi dhe gëzim, dhe jo për trishtim e frikë. Ai nuk tronditet kurrë nga çdo fatkeqësi që e godet, dhe kjo është mirësi e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dëshirojë. Më pas, Allahu i Lartësuar i qorton besimtarët për dobësinë e treguar në durim kundrejt një çështjeje që vetë e kishin kërkuar të ndodhte. Thotë i Lartësuari:

Aal-i-Imraan 3:142Listen in Qur'an →
143

وَلَقَدْ كُنتُمْ تَمَنَّوْنَ ٱلْمَوْتَ مِن قَبْلِ أَن تَلْقَوْهُ فَقَدْ رَأَيْتُمُوهُ وَأَنتُمْ تَنظُرُونَ

E ju e dëshiruat vdekjen para se të ballafaqoheshi me te; qe pra, ju e patë ate, duke qenë vështruesit e saj.

Ju ishit, vërtet ata që dëshironit vdekjen para se të përballeshit me të. -Shumë sahabë që nuk morën dot pjesë në luftën e Bedrit dëshironin që Allahu i Lartësuar t'u mundësonte ndonjë tjetër ballafaqim me armikun, ku ata të shfaqnin trimërinë dhe luftën e tyre për hir të Allahut të Lartësuar. Kështu, Allahu i Lartësuar u thotë atyre:Ja, tani e patë atë(vdekjen)me sytë tuaj. –Kuptimi: Ç’po ndodh me ju?! Pse po tregoni mungesë durimi? Kjo gjendje është e papranueshme dhe nuk ju shkon për shtat juve, e sidomos atyre që vetë e kërkuan një gjë të tillë. Ju vetë e kërkuat këtë luftë. Kështu që, nëse e kërkuat, është detyrë për ju tani t'i bëni ballë dhe t’i qëndroni si burrat kësaj sprove. Ju duhet të jepni maksimumin në qëndresën tuaj. Nga ky ajet mësojmë se nuk është e papëlqyeshme të shpresosh martirizimin në rrugën e Allahut të Lartësuar, pasi Ai i ka miratuar të tilla dëshira dhe nuk i ka ndaluar. E vërteta është që Allahu i Lartësuar i qortoi besimtarët për faktin që ata nuk iu përmbajtën asaj që vetë kishin premtuar dhe kërkuar. Në fund, Allahu i Lartësuar e di më mirë.

Aal-i-Imraan 3:143Listen in Qur'an →
144

وَمَا مُحَمَّدٌ إِلَّا رَسُولٌۭ قَدْ خَلَتْ مِن قَبْلِهِ ٱلرُّسُلُ ۚ أَفَإِي۟ن مَّاتَ أَوْ قُتِلَ ٱنقَلَبْتُمْ عَلَىٰٓ أَعْقَٰبِكُمْ ۚ وَمَن يَنقَلِبْ عَلَىٰ عَقِبَيْهِ فَلَن يَضُرَّ ٱللَّهَ شَيْـًۭٔا ۗ وَسَيَجْزِى ٱللَّهُ ٱلشَّٰكِرِينَ

Muhammedi është vetëm Profet. Por, edhe para tij ka pasur pejgamberë. E, nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa (në fe të gabuar) nuk i bënë kurrfarë dëmi Perëndisë. Se, Perëndia do t’i shpërblejë falenderuesit.

Muhamedi është vetëm se një i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar. –Kuptimi: Ai nuk është i pari apo i vetmi profet që i ka ardhur njerëzimit. Ai është i njëjtë me të gjithë profetët e tjerë, për sa i përket cilësive të tij si njeri dhe me detyrën që mbart. Detyra e tij dhe e të gjithë profetëve ka qenë gjithmonë e njëjtë: përçimi i qartë i mesazheve të Zotit të tyre për tek njerëzimi dhe zbatimi me përpikmëri i të gjitha urdhrave dhe porosive të Tij. Askush prej tyre nuk u krijua që të jetë i përjetshëm në dynja. Po ashtu, prania apo mosprania e tyre nuk mund dhe nuk duhet të jetë kusht për plotësimin e urdhrave dhe porosive të Zotit nga ana e njerëzve. Përkundrazi, për njerëzimin është detyrë adhurimi i Zotit të tyre në çdo kohë dhe në çdo gjendje. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë:E nëse ai vdes ose vritet, a do të ktheheshit ju prapa(në mosbesim)? -Mos vallë, me vdekjen apo vrasjen e Profetit, ju do të ktheheni pas në kufër, duke braktisur çdo porosi të tij?! Mos vallë, ju do ta braktisni besimin dhe xhihadin në rrugën e Zotit?! Mos vallë, do ta braktisni adhurimin e Zotit tuaj? Më pas Allahu i Lartësuar thotë:Kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën aspak dëm Allahut. –Kuptimi: Kush bën një veprim të tillë dëmton veçse vetveten. Allahu i Lartësuar nuk ka nevojë për adhurimet dhe bindjen tuaj. Me ju apo pa ju, Allahu i Lartësuar do ta lartësojë dhe plotësojë fenë e Tij. Është Allahu i Lartësuar Ai që do t'i lartësojë adhuruesit e Tij, besimtarët e sinqertë. Pasi paralajmëron ata që e braktisin fenë, Allahu i Lartësuar lëvdon ata që qëndrojnë me trimëri për të mbështetur Profetin dhe fenë e Tij:Allahu, do t’i shpërblejë mirënjohësit. -Mirënjohja mund të arrihet veçse duke u përpjekur për kryerjen e adhurimeve të Allahut të Lartësuar në çdo gjendje. Ky ajet madhështor është një këshillë shumë e qartë nga Allahu i Lartësuar për adhuruesit e Tij, që ata të jenë gjithmonë të fortë dhe të qëndrueshëm në imanin e tyre, si edhe në veprat që ai reflekton. Allahu këshillon ata që të mos tronditen dhe dobësohen, qoftë edhe në momente delikate, sikurse është humbja e një udhëheqësi, sado i madh qoftë ai. Një qëndrueshmëri e tillë është e mundur veçse duke marrë masa serioze që, për çdo çështje të rëndësishme të fesë dhe jetës, të përgatiten njerëz të aftë, të cilët në çdo situatë të jenë gati të marrin drejtimin dhe të udhëheqin popullin në rrugën e përcaktuar qartë nga i Madhëruari. Umeti duhet të kujdeset për përgatitjen e njerëzve të tillë, në mënyrë që, nëse vdes njëri, përgjegjësinë ta marrë tjetri. Po ashtu, të gjithë besimtarët duhet të mbështesin këtë fe dhe adhurimin e Zotit të Lartësuar. Të gjithë duhet të sakrifikojnë pasurinë më të shtrenjtë të tyre për të ndihmuar Islamin. Qëllimi final dhe i vetëm i të gjithëve duhet të jetë shërbimi ndaj fesë së Zotit, në të gjitha aspektet e saj. Për ta nuk duhet të jetë qëllim një udhëheqës apo tjetri. Lufta nuk bëhet për udhëheqësin, por për Allahun e Lartësuar. Vetëm me këtë qëllim të lartë normalizohet, udhëzohet dhe arrin të mirën ky umet. Vetëm në këtë mënyrë rregullohen çështjet e tij. Ky ajet dëshmon, gjithashtu, për vlerat dhe gradën e lartë të Ebu Bekër es Sidikut dhe shokëve të tij, të …

Aal-i-Imraan 3:144Listen in Qur'an →
145

وَمَا كَانَ لِنَفْسٍ أَن تَمُوتَ إِلَّا بِإِذْنِ ٱللَّهِ كِتَٰبًۭا مُّؤَجَّلًۭا ۗ وَمَن يُرِدْ ثَوَابَ ٱلدُّنْيَا نُؤْتِهِۦ مِنْهَا وَمَن يُرِدْ ثَوَابَ ٱلْءَاخِرَةِ نُؤْتِهِۦ مِنْهَا ۚ وَسَنَجْزِى ٱلشَّٰكِرِينَ

Çdo gjallesë vdes vetëm me vendimin e Perëndisë, në kohë të caktuar. Kush dëshiron mirësitë e kësaj bote, Na ia japim, e kush dëshiron shpërblimin e botës tjetër na ia japim, dhe me siguri i shpërblejmë falenderuesit.

Askush nuk vdes pa vullnetin dhe pa lejen e Allahut. Ai e ka shkruar afatin e caktuar. –Kështu, Allahu i Lartësuar na tregon se jeta e të gjithë njerëzve varet nga afati i përcaktuar i vdekjes, e cila mund të vijë edhe pa shkak. Nëse Allahu dëshiron që një njeri të jetojë, edhe sikur ai të kërkojë çdo shkak për të vdekur, njeriu nuk mund t’i bëjë asgjë vetes, para se të plotësohet afati i tij. Ky është ligj i patjetërsueshëm, sepse Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar dhe shkruar afatin e caktuar për çdo njeri, siç thuhet në një ajet tjetër: “Dhe kur atyre t’u plotësohet afati i vdekjes, ata nuk kanë për ta vonuar atë asnjë çast, por as nuk mund ta përshpejtojnë atë.” Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon se do t’i japë gjithësecilit atë që kërkon dhe synon, shpërblimin e dynjasë apo shpërblimin e ahiretit.Kush e dëshiron shpërblimin në këtë botë, Ne do t’ia japim. E kush e dëshiron shpërblimin në Botën Tjetër, edhe atij do t’ia japim. –Pra, çdokush do të marrë atë që ka patur për qëllim të marrë dhe së cilës i është përkushtuar. Ndërsa në disa ajete të tjera kur’ânore, i Lartësuari thotë: “Atij, që ka për qëllim vetëm këtë botë, Ne do t'i japim në të aq sa duam dhe pastaj ai do të hyjë në Xhehenem i përçmuar dhe i përbuzur. Ndërsa ai që ka për qëllim Botën Tjetër, duke qenë besimtar dhe përpiqet për të ashtu si i takon asaj, përpjekjet e tij do të jenë të shpërblyeshme. Çdokujt prej tyre do t'i japim nga të mirat e Zotit tënd dhe dhënia e Zotit tënd nuk është e kufizuar. Shiko se si i kemi dalluar Ne disa mbi disa të tjerë! Por, në Jetën Tjetër ka grada më të larta dhe dallimi në të është më i madh.”. [Isra 18-21]. Pastaj i Lartësuari thotë:Ne do t’i shpërblejmë mirënjohësit. -Allahu i Lartësuar nuk e ka përmendur konkretisht shpërblimin e tyre, për të nënkuptuar sasinë e madhe të tij dhe për të mësuar se shpërblimi është në varësi të mirënjohjes së treguar ndaj Tij.

Aal-i-Imraan 3:145Listen in Qur'an →
146

وَكَأَيِّن مِّن نَّبِىٍّۢ قَٰتَلَ مَعَهُۥ رِبِّيُّونَ كَثِيرٌۭ فَمَا وَهَنُوا۟ لِمَآ أَصَابَهُمْ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ وَمَا ضَعُفُوا۟ وَمَا ٱسْتَكَانُوا۟ ۗ وَٱللَّهُ يُحِبُّ ٱلصَّٰبِرِينَ

Sa e sa pejgamberë bashkë me shumë besimtarë të vërtetë luftuan, e megjithatë nuk u përkulën për ato që u goditën në rrugën e Perëndisë, as nuk u demoralizuan as nuk u dobësuan. Perëndia i don durimtarët

Këto ajete janë ngushëllim për besimtarët, sidomos për ata që marrin si shembull brezat më të hershëm të besimtarëve, për të vepruar ashtu sikurse ata. Allahu i Lartësuar u tregon besimtarëve se të tilla ngjarje kanë ndodhur vazhdimisht, domethënë që të tilla sprova i kanë kaluar besimtarët e të gjitha kohërave. Ky është një ligj i pandryshueshëm i Allahut të Lartësuar, i Cili thotë:Sa e sa profetë ka pasur, së bashku me të cilët kanë luftuar ushtri të mëdha besimtarësh,... -Sa e sa profetë, gjatë gjithë kohërave, janë ndihmuar nga grupe të mëdha besimtarësh, nga ata besimtarë, të cilët u edukuan nga profetët e tyre për besim të sinqertë dhe për vepra të mira. Ata duruan shumë plagë dhe dhimbje në emër të besimit. Megjithatë, Allahu thotë:...të cilët edhe pse janë sprovuar në rrugën e Allahut, as nuk janë dobësuar dhe as nuk janë përulur. –Pra, zemrat dhe trupat e tyre nuk u dobësuan kurrë. Ato nuk u poshtëruan asnjëherë para armikut të tyre. Përkundrazi, ata bënë durim, qëndruan me trimëri dhe i jepnin zemër e mbështetnin njëri-tjetrin. Më tej, i Madhëruari thotë:Allahu i do durimtarët. -Pastaj Allahu i Lartësuar përmend se si ata i kërkonin me përgjërim Zotit të tyre ndihmën dhe fitoren në luftën e tyre. Thotë i Lartësuar:

Aal-i-Imraan 3:146Listen in Qur'an →
147

وَمَا كَانَ قَوْلَهُمْ إِلَّآ أَن قَالُوا۟ رَبَّنَا ٱغْفِرْ لَنَا ذُنُوبَنَا وَإِسْرَافَنَا فِىٓ أَمْرِنَا وَثَبِّتْ أَقْدَامَنَا وَٱنصُرْنَا عَلَى ٱلْقَوْمِ ٱلْكَٰفِرِينَ

dhe vetëm thonin: “O Zoti ynë! Falna mëkatet tona dhe teprimin në punën tonë, forcona këmbët tona dhe ndihmona kundër popullit jobesimtar!”

Ata nuk kishin fjalë tjetër për të thënë, veç: “O Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona dhe lëshimet në veprat tona! Na forco këmbët tona(në luftë) dhe na ndihmo kundër popullit jobesimtar!” -Shihni me kujdes edukatën e tyre në mënyrën se si i luten dhe i kërkojnë Zotit të tyre. Fillimisht, ata i kërkojnë falje për gabimet dhe për gjynahet e tyre. Ata ishin aq të ditur, sa e kuptuan dhe ishin shumë të sigurt se gabimet dhe gjynahet janë nga shkaqet më të mëdha të dështimit dhe dëshpërimit. Ato janë nga shkaqet më të mëdha që njeriu të meritojë braktisjen dhe ndërprerjen e ndihmës nga Allahu i Urtë dhe i Ditur. Ata e kuptuan se, nëse ruhen nga cilësitë cënuese të devotshmërisë, ky do të ishte një shkak shumë i madh për zbritjen e fitores, ndihmës dhe suksesit. Për këtë arsye, fillimisht, ata i kërkuan Allahut të Lartësuar që t'ua falte ato gabime dhe t'ua mbulonte me mëshirën e Tij. Ata i kërkuan Allahut që ata të mos bëheshin shkak për humbje dhe dështim. Pastaj, ata nuk u mbështetën thjesht në durimin, forcën, përgatitjen dhe mundin e tyre për të arritur fitoren kundër armikut, por i kërkuan me përgjërim Allahut të Lartësuar që Ai t'u jepte mbështetje dhe fuqi në momentet e takimit të tyre me armikun jobesimtar. Ata e lutën, gjithashtu, Allahun që t'u falte fitoren. Këto kanë qenë armët e besimtarëve të çdo epoke. Ata kanë ditur të gërshejtojnë durimin dhe qëndrueshmërinë, pendimin e sinqertë dhe kërkimin e faljes, kërkimin e ndihmës dhe lutjen ndaj Allahut për fitoren. Të paktën, ata e kanë ditur që duhet t’i sjellin këto vepra në formën më të bukur, të dashur për Allahun e Lartësuar. Pa dyshim, të tillëve Allahu i Lartësuar u ka rezervuar fitore, ndihmë dhe sukses në të dy jetët. Përfundimi i mirë ka qenë gjithmonë për ta, prandaj thotë i Lartësuari:

Aal-i-Imraan 3:147Listen in Qur'an →
148

فَـَٔاتَىٰهُمُ ٱللَّهُ ثَوَابَ ٱلدُّنْيَا وَحُسْنَ ثَوَابِ ٱلْءَاخِرَةِ ۗ وَٱللَّهُ يُحِبُّ ٱلْمُحْسِنِينَ

Dhe Perëndia ua dhuroi atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin edhe më të madh në jetën tjetër. Se, Perëndia i don bamirësit.

Allahu u dha atyre shpërblim në këtë botë dhe shpërblimin më të mirë në Botën Tjetër. -Në dynja, Ai u ka dhuruar atyre fitoren, ndihmën dhe pasuri të shumta në luftë e jashtë saj. Ndërsa në ahiret, ata do të fitojnë, duke arritur kënaqësinë e Zotit ndaj tyre. Ata do të jenë mes mirësish, që kurrë nuk do të kërkojnë lodhje e mund për t'u arritur. Të gjitha këto ndodhin sepse ata dinë t'i rregullojnë veprat që do t’i paraqiten Allahut të Lartësuar. Veprat e tyre janë të mira, dhe po kështu është shpërblimi për ta. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë:Allahu i do punëmirët. -Allahu i Lartësuar i do ata që janë të pajisur me bamirësi (ihsân) dhe të cilët i kanë të dyja llojet e ihsânit. Një nga veprat më të mëdha të ihsânit është lufta kundër armiqve të fesë.

Aal-i-Imraan 3:148Listen in Qur'an →
149

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓا۟ إِن تُطِيعُوا۟ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ يَرُدُّوكُمْ عَلَىٰٓ أَعْقَٰبِكُمْ فَتَنقَلِبُوا۟ خَٰسِرِينَ

O besimtarë! Nëse u përuleni mohuesve, ata do t’ju kthejnë juve prapa (në të pa fe), e ju do të jeni të dëmtuar, -

O ju që keni besuar! Nëse ju u bindeni jobesimtarëve, ata do t’ju kthejnë prapa, aty ku ishit më parë(në mosbesim), dhe atëherë do të jeni të humbur. -Në këto ajete, Allahu i Lartësuar i ndalon besimtarët që t'u binden qafirëve, të çdo ngjyre e kategorie qofshin ata, idhujtarë apo munafikë. Ai u sqaron atyre se, nëse u binden, le ta dinë se ata synojnë veçse sulmin, shkatërrimin dhe dëmtimin e muslimanëve. Qëllimi final i tyre është kthimi i besimtarëve në qafirë, përfundim ky tejet poshtërues dhe shkak i ndëshkimit të përjetshëm. Pastaj i Madhëruari tregon se Ai është Ndihmëtari, që kujdeset dhe i ruan besimtarët nga çdo e keqe:

Aal-i-Imraan 3:149Listen in Qur'an →
150

بَلِ ٱللَّهُ مَوْلَىٰكُمْ ۖ وَهُوَ خَيْرُ ٱلنَّٰصِرِينَ

por, Perëndia është Zoti juaj dhe Ai është ndihmëtari më i mirë

Allahu është Mbrojtësi juaj dhe Ai është Ndihmëtari më i mirë. -Allahu bën të ditur se Ai është Kujdestari dhe Ndihmëtari i vetëm i besimtarëve, me qëllim që ata të mos e kërkojnë ndihmën askund tjetër, por veçse tek Ai. Vetëm Atij duhet t’i drejtohen besimtarët për ndihmë dhe për sukses. Ky ajet është edhe një përgëzim për ta, që, nëse veprojnë kështu, ndihma dhe përkujdesi i Allahut të Lartësuar do të jetë gjithmonë pranë tyre, me butësi dhe mëshirë. Bujaria e Tij është gjithmonë pranë atyre që i mbështeten dhe që vetëm Atë adhurojnë. Përkujdesja e Tij nënkupton dhënien e çdo të mire dhe ruajtjen nga çdo e keqe. Sigurisht që kjo është një nxitje e qartë dhe e fortë për ta konsideruar Allahun e Lartësuar si të vetmin të Adhuruar me dashuri, madhërim, bindje dhe përkushtim. Vetëm prej Tij duhet të kërkohet ndihma dhe fitorja. Askush tjetër nuk mund të ofrojë sukses dhe askush nuk mund të ruajë nga dështimi dhe dëshpërimi, përveç Allahut të Lartësuar dhe të Vetëm. Më pas, i Lartësuari sjell një shembull të përkujdesjes së Tij bujare dhe të posaçme për të zgjedhurit e Tij:

Aal-i-Imraan 3:150Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.