Muslim99Muslim99
← Tafsir library

3. Aal-i-Imraan

The Family of Imraan · Medinan · 200 ayahs

سُورَةُ آلِ عِمۡرَانَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 131–140 of 200

131

وَٱتَّقُوا۟ ٱلنَّارَ ٱلَّتِىٓ أُعِدَّتْ لِلْكَٰفِرِينَ

druajuni zjarrit, i cili është përgatitur për mohuesit!

Ruajuni Zjarrit, që është përgatitur për jobesimtarët! –Pra, kur Allahu i Lartësuar na porosit që t'i ruheni Zjarrit që është përgatitur për mohuesit, kjo nënkupton që, fillimisht, ne duhet të besojmë, dhe pastaj të largohemi nga gjithçka që të fut në Zjarr. Veprat që çojnë në Xhehenem janë të shumta dhe të larmishme, duke filluar nga kufri e shirku, dhe duke vazhduar me gjynahet dhe padrejtësitë e të gjitha llojeve. Të gjitha gjynahet pa përjashtim, sidomos ato të mëdhatë, të çojnë drejt kufrit. Ato janë tipare dalluese ose elementë të kufrit, dhe Zjarri është përgatitur për ata që kanë cilësitë e kufrit. Ata që kryejnë gjynahe afrohen ngadalë-ngadalë drejt Zjarrit, që është përgatitur për qafirët. Ndërsa largimi nga gjynahet të shpëton nga Xhehenemi dhe të ruan nga zemërimi i të Plotfuqishmit Madhështor dhe Krenar. Veprat e mira dhe bindja ndaj Allahut të Lartësuar sjellin kënaqësinë e Tij dhe hyrjen në Xhenetin e përjetësisë dhe të mëshirës. Prandaj i Lartësuari, menjëherë pas kërcënimit me Zjarr, sjell një përgëzim dhe shkakun që e bën atë të mundur:

Aal-i-Imraan 3:131Listen in Qur'an →
132

وَأَطِيعُوا۟ ٱللَّهَ وَٱلرَّسُولَ لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ

Përuluni Perëndisë dhe Profetit, për të shpresuar mëshirën.

Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, që të mëshiroheni! -Kështu, bindja ndaj Allahut të Lartësuar dhe bindja ndaj Profetit të Tij përbëjnë shkaqet që të çojnë drejt mëshirës së Rrahmanit, i Cili thotë në disa ajete të tjera: “Cakto për ne atë që është e mirë në këtë Botë dhe në Botën tjetër! Ne jemi kthyer (të penduar) tek Ti!” Ai tha: “Me ndëshkimin Tim godas atë që Unë dëshiroj, ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka. Atë (mëshirë) e kam caktuar për ata që janë të devotshëm, e japin zekatin dhe për ata që besojnë në argumentet Tona, për ata që pranojnë të Dërguarin, Profetin "ummij" që nuk shkruan e nuk lexon, të cilin e gjejnë të cilësuar në Teurat dhe në Ungjill, që i urdhëron ata për të mirë dhe i ndalon nga e keqja, që u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, që u heq barrën e rëndë dhe prangat. Ata që besojnë në të, që e nderojnë atë, që e ndihmojnë atë dhe që veprojnë me Dritën që iu zbrit atij – këta janë ata të shpëtuarit. Thuaj: “O njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju. Jam i dërguari i Allahut, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i tokës. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje. Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin "ummij" që nuk shkruan e nuk lexon, që beson Allahun dhe Shpalljet e Tij! Ndiqeni rrugën e tij, që të jeni të udhëzuar!” [Araf 156-158]. Më pas, Allahu i Lartësuar vazhdon me porosi të mrekullueshme për të arritur devotshmërinë dhe suksesin:

Aal-i-Imraan 3:132Listen in Qur'an →
133

۞ وَسَارِعُوٓا۟ إِلَىٰ مَغْفِرَةٍۢ مِّن رَّبِّكُمْ وَجَنَّةٍ عَرْضُهَا ٱلسَّمَٰوَٰتُ وَٱلْأَرْضُ أُعِدَّتْ لِلْمُتَّقِينَ

Nxitoni kah falja e mëkateve nga Zoti juaj dhe xhenneti, hapësira e të cilit është sa qielli e Toka; i cilit është përgatitur për ata që i ruhen Perëndisë (duke punuar vepra të mira).

Nxitoni për faljen e gjynaheve nga Zoti juaj dhe për një Xhenet, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës! -I Lartësuari na udhëzon që të nxitojmë pa vonesë në kërkimin e faljes prej Allahut të Lartësuar dhe drejt Xhenetit të Tij të mirësisë dhe bujarisë. Për ta bërë sa më të dashur dhe të dëshirueshëm këtë nxitim, Allahu i Lartësuar na tregon për gjerësinë e madhe të Xhenetit. Kur gjerësia e tij është sa ajo e qiejve dhe e tokës, atëherë po gjatësia e tij, sa do të jetë?! Pastaj i Lartësuari sjell përsëri një nxitës shumë të fortë për t'u pajisur me devotshmëri, kur na tregon se Xheneti dhe falja e Tij është për të devotshmit:Ai është përgatitur për të devotshmit -Pra, për të devotshmit, që i zbatojnë urdhrat e Zotit të tyre dhe iu largohen ndalesave të Tij, është gati falja dhe mëshira e Tij në Xhenetin e përjetësisë. Më poshtë, Allahu i Lartësuar vijon me disa cilësi dalluese të të devotshmëve, për ata që dëshirojnë suksesin.

Aal-i-Imraan 3:133Listen in Qur'an →
134

ٱلَّذِينَ يُنفِقُونَ فِى ٱلسَّرَّآءِ وَٱلضَّرَّآءِ وَٱلْكَٰظِمِينَ ٱلْغَيْظَ وَٱلْعَافِينَ عَنِ ٱلنَّاسِ ۗ وَٱللَّهُ يُحِبُّ ٱلْمُحْسِنِينَ

të cilët japin lëmoshë kur janë në lumturi edhe kur janë në vështirësi, që fshehin zemërimin, e ua falin fajet njerëzve. Se Perëndia i don bamirësit, -

Për ata që japin kur janë në bollëk dhe kur janë në vështirësi. –Pra, ata shpenzojnë, në çdo gjendje qofshin: në gjendje të mirë apo në gjendje të vështirë. Nëse janë në kohë bollëku, ata japin shumë për fenë e Allahut nga pasuria e tyre. E nëse janë në kohë vështirësie, ata përsëri dinë të jenë bamirës, qoftë edhe me gjëra shumë të vogla. Ata nuk nënvleftësojnë asnjë lloj bamirësie, sado e vogël qoftë ajo.Ata e përmbajnë zemërimin... -Nëse dikush u bën ndonjë padrejtësi dhe i mbush zemrat e tyre me zemërim e urrejtje, ata nuk nxitohen që të veprojnë dhe të hakmerren kundër tij, sikurse të shtyn nefsi. Por ata dinë ta shtypin zemërimin e ndezur në kraharor, ata dinë ta nënshtrojnë veten, për të qenë të durueshëm dhe tolerantë, për të mos e kthyer të keqen nxitimthi dhe me ashpërsi. Madje, cilësia e tyre mbizotëruese është:...dhe i falin njerëzit. -Ata janë falës ndaj njerëzve, falës ndaj fjalëve dhe veprave të tyre. Falja është më e çmuar dhe më e vështirë sesa thjesht frenimi i zemërimit. Falja është largim nga hakmarrja kundrejt atij që të ka bërë keq. Sigurisht, kjo pritet veçse nga njerëzit me moral të lartë, që janë larg cilësive të ulëta. Kjo është veti e atyre që kanë bërë ‘tregti’ me Allahun, prandaj i falin adhuruesit e Allahut, të motivuar nga mëshira dhe bamirësia ndaj tyre. Ata përpiqen që të mos i dëmtojnë të tjerët me zjarrin që ndez hakmarrja dhe urrejtja, dhe kështu kërkojnë dhe shpresojnë faljen e Allahut. Ata shpresojnë që Allahu i Lartësuar t'i falë dhe t'u dhurojë shpërblim të madh nga bujaria e Tij. Ata nuk presin shpërblime nga krijesat, të cilat janë të vogla, të dobëta dhe të pamundura, por e presin shpërblimin vetëm nga Allahu i Pasur, Bujar dhe Dhurues i madh. Ata kujtojnë gjithmonë fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ai që fal dhe rregullon çështjet e ka shpërblimin tek Allahu i Lartësuar." Pastaj Allahu i Lartësuar përmend një gradë më të lartë të besimit dhe të edukatës me njerëzit, që është bamirësia, ose iĥsân-i. Thotë i Lartësuari:Allahu i do bamirësit -Bamirësia është dy llojesh: bamirësi në adhurimin ndaj Krijuesit dhe bamirësi ndaj krijesave. Bamirësia në adhurim është shpjeguar nga Profeti (a.s.) në një hadith të saktë, që thotë: “Bamirësia në adhurim është: Ta adhurosh Allahun sikur ta shihje Atë. Nëse nuk e sheh Atë, Ai pa dyshim që të sheh ty”. Ndërsa bamirësia ndaj krijesave bëhet duke u dhuruar atyre të mira, që kanë të bëjnë me fenë dhe dynjanë, dhe përpjekja për largimin e të këqijave prej tyre, qoftë në aspektin e fesë, qoftë në atë të dynjasë. Kështu, koncepti i bamirësisë ndaj krijesave është tepër i gjerë, ku futen shumë fjalë dhe vepra, si për shembull: t’i urdhërosh për vepra të mira dhe t’i ndalosh nga veprat e këqija, t’u mësosh se çfarë është e mira dhe të largosh prej tyre injorancën, t’i përkujtosh vazhdimisht dhe t'i përmendësh nga pakujdesia, që aq shpesh i kaplon; t’i këshillosh ata vazhdimisht, qoftë njerëzit e thjeshtë, qoftë ata me pozitë; të përpiqesh të bashkosh radhët e tyre, ta shpërndash sadakanë dhe zekatin atje ku nevojitet, të shpenzosh në dobi të tyre çfarëdolloj të mire, sado e vogël qoftë ajo, apo edhe sikur thjesht të mos i dëmtosh dhe të largosh të këqijat prej tyre, …

Aal-i-Imraan 3:134Listen in Qur'an →
135

وَٱلَّذِينَ إِذَا فَعَلُوا۟ فَٰحِشَةً أَوْ ظَلَمُوٓا۟ أَنفُسَهُمْ ذَكَرُوا۟ ٱللَّهَ فَٱسْتَغْفَرُوا۟ لِذُنُوبِهِمْ وَمَن يَغْفِرُ ٱلذُّنُوبَ إِلَّا ٱللَّهُ وَلَمْ يُصِرُّوا۟ عَلَىٰ مَا فَعَلُوا۟ وَهُمْ يَعْلَمُونَ

dhe ata, që kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Perëndinë – dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre. E kush falë mëkatet përveç Perëndisë? – Ata nuk ngulmojnë në atë që kanë punuar, e ata e dinë këtë.

Edhe ata që kur bëjnë ndonjë gjë të shëmtuar, ose kur i bëjnë padrejtësi vetvetes, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për gjynahet e tyre. E kush i fal tjetër gjynahet, përveç Allahut? -Sa herë që ata bëjnë ndonjë gabim të madh apo dëmtojnë veten me pakujdesinë e tyre, shpejtojnë të pendohen dhe t'i kërkojnë Allahut falje dhe mëshirë. Ata i kërkojnë Atij që t'ua mbulojë të metat e tyre dhe gabimet që kanë bërë. Ata nxitojnë të pendohen dhe të kërkojnë falje, sepse ata kujtojnë Allahun e Lartësuar që sheh dhe di gjithçka, kujtojnë kërcënimin e Tij të hapur dhe të qartë për ata që thyejnë porositë e Tij dhe shkelin kufijtë e Tij, kujtojnë premtimet e dashura që Allahu i Lartësuar u ka dhënë të devotshmëve, të cilët i ruajnë kufijtë e Tij. Të gjitha këto përkujtime bëjnë që ata, me të shpejtë, t’i kërkojnë Allahut falje për gabimet e tyre dhe që t'ua mbulojë të metat dhe turpet e tyre. Ata heqin dorë menjëherë nga ato vepra të këqija, pendohen dhe trishtohen sinqerisht për gjynahet që kanë bërë. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë:Ata nuk vazhdojnë më me atë gjë që kanë bërë më parë, sepse e dinë. –Pra, nuk vazhdojnë sërish me një gjynah, pasi e kanë mësuar se çfarë gabimi kanë bërë, por vazhdimisht kthehen të penduar tek Allahu dhe i kërkojnë Atij falje dhe udhëzim.

Aal-i-Imraan 3:135Listen in Qur'an →
136

أُو۟لَٰٓئِكَ جَزَآؤُهُم مَّغْفِرَةٌۭ مِّن رَّبِّهِمْ وَجَنَّٰتٌۭ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَٰرُ خَٰلِدِينَ فِيهَا ۚ وَنِعْمَ أَجْرُ ٱلْعَٰمِلِينَ

Shpërblimi i tyre është falja madhështore (e mëkateve) nga ana e Zotit të tyre dhe xhennetet nëpër të cilët rrjedhin lumenjt! E në to do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky, për ata që punojnë vepra të bukura!

Shpërblimi për ata është falja nga Zoti i tyre... -Të përshkruarit me këto cilësi do të kenë si shpërblim ‘maĝfiratun’, pra, mbulimin e të metave dhe faljen e gjynaheve të tyre, që do të thotë se ata do të shpëtojnë nga çdo e keqe që i druhen. Përveçse janë të sigurt nga çdo e keqe, prej faljes nga Zoti i tyre, ata kanë edhe shpërblime të tjera:...dhe Xhenetet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj... -Në Xhenet ka mirësi të shumta e të përhershme, ka gëzim e lumturi, kështjella madhështore, ndërtesa të pastra dhe të larta, pemë e fruta të mrekullueshme, lumenj që rrjedhin vazhdimisht mes vendbanimeve etj. Të gjithë kësaj panorame ia shton bukurinë fakti që ata do të jenë përjetësisht në këtë vend, siç thotë i Lartësuari:...dhe ku ata do të jenë përjetësisht. -Ata do të jenë përgjithmonë në këtë vend të mrekullueshëm. Ata kurrë nuk do të dëshirojnë të largohen nga ato mirësi dhe kurrë nuk do të velen a mërziten prej tyre e të kërkojnë të tjera. Mirësitë do të jenë gjithmonë në rritje dhe kurrë nuk do të largohen apo pakësohen.Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë(punë të mira)!” -Ata punuan pak për hir të Allahut të Lartësuar, por u shpërblyen shumë. Siç ka thënë dikush: në kohën e agimit, kur drita u shkëlqen në fytyrë, udhëtarët e natës kënaqen, edhe pse rruga e natës ka qenë e lodhshme. Në momentet e shpërblimit, punëtori ndien gëzim të plotë për punën që ka bërë. Këto ajete të mrekullueshme janë argument shumë i fortë për Ehli Sunetin, të cilët besojnë se veprat bëjnë pjesë në iman, ndryshe nga qëndrimi i murxhi-ve. Ky qëndrim përforcohet në një ajet tjetër shumë të ngjashëm në suren Hadidë: “Shpejtoni drejt faljes prej Zotit tuaj dhe drejt Xhenetit, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiellit dhe e tokës dhe që u përgatit për ata që i besojnë Allahut dhe profetëve të Tij. Kjo është mirësia e Allahut, që ia jep kujt të dojë. Allahu është Dhurues i madh.” [Hadidë 21]. Në këtë ajet përmendet si shkak për futjen në Xhenet besimi tek Allahu dhe te Profeti i Tij. Ndërsa në ajetin e sures Al Imran, që po komentojmë, thuhet se Xheneti është përgatitur për të devotshmit, dhe më pas tregohen cilësitë, veprat dhe fjalët e këtyre të devotshmëve. Nëse i vendos paralel të dy ajetet, kupton se besimtarët e pajisur me iman janë ata që quhen ‘muttekin’ - të devotshëm, të cilët bëjnë edhe ato vepra të mrekullueshme. Mendo pak dhe gjyko!

Aal-i-Imraan 3:136Listen in Qur'an →
137

قَدْ خَلَتْ مِن قَبْلِكُمْ سُنَنٌۭ فَسِيرُوا۟ فِى ٱلْأَرْضِ فَٱنظُرُوا۟ كَيْفَ كَانَ عَٰقِبَةُ ٱلْمُكَذِّبِينَ

Para jush kanë kaluar (shumë popuj) e ligje. Udhëtoni nëpër botë dhe shihni si ka qenë fundi i atyre që i kanë përgënjeshtruar profetët.

Këto ajete dhe ato që vijnë pas tyre flasin për luftën e Uhudit. Nëpërmjet tyre, Allahu i Lartësuar ngushëllon adhuruesit e Tij besimtarë. Ai u tregon se ka patur shumë popuj të tjerë që kanë kaluar para tyre dhe të gjithë janë sprovuar me luftë kundër qafirëve, me beteja tepër të ashpra mes tyre. Besimtarët kanë provuar fitoren dhe humbjen, por përfundimi i mirë u takon gjithmonë besimtarëve dhe të devotshmëve. Allahu i Lartësuar ka qenë gjithmonë në ndihmë të adhuruesve të Tij të sinqertë, të besimtarëve që pasuan Profetin e Tij. Thotë i Lartësuari:Përpara jush kanë kaluar shumë popuj. Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si qe përfundimi i atyre që mohuan të vërtetën. –Kuptimi: Lëvizni nëpër tokë fizikisht dhe shpirtërisht, dhe vështroni me kujdes se si qe përfundimi i atyre që mohuan të vërtetën e sjellë prej profetëve (a.s.). Shihni me kujdes ndëshkimin dhe shkatërrimin total që ata i zuri. Të shumta dhe të larmishme kanë qenë llojet e ndëshkimeve që janë derdhur mbi vendbanimet e jobesimtarëve. Këto ndëshkime e zhdukën pushtetin dhe krenarinë e atyre popujve. Mendjemadhësia e tyre humbi nëpër kohëra dhe u harrua. A nuk konsiderohen të tilla ngjarje si argumentet më të mira dhe më të forta për vërtetësinë e fjalëve të profetëve? A nuk tregojnë këto urtësinë e madhe të të Lartësuarit, me të cilën Ai i sprovon njerëzit, për t'u dalluar qartë i sinqerti nga mashtruesi? Prandaj i Lartësuari thotë:

Aal-i-Imraan 3:137Listen in Qur'an →
138

هَٰذَا بَيَانٌۭ لِّلنَّاسِ وَهُدًۭى وَمَوْعِظَةٌۭ لِّلْمُتَّقِينَ

Këto lajme e shpjegime janë këshilla, udhërrëfyese për njerëzit besimtarë.

Ky(Kur'an)është sqarim për gjithë njerëzit... –Pra, ajetet e Kur'anit dhe këto shenja e ngjarje në tokë janë argumente sqaruese për njerëzit. Ato shpjegojnë të vërtetën nga e kota, cilësitë dhe përfundimin e fatlumëve dhe cilësitë e fatzinjve të trishtuar. Në to ka shenja treguese për ndëshkimet me të cilat Allahu i Lartësuar i ka goditur gjithmonë mashtruesit dhe jobesimtarët. Këto shenja shërbejnë edhe si:...dhe është udhëzim e këshillë për të devotshmit. –Pra, ato janë edhe udhëzim i qartë, dhe këshillë për muttekin-ët, sepse të vetmit që përfitojnë nga udhëzimi i qartë dhe këshillat e Zotit të tyre janë muttekin-ët. Këto udhëzime i drejtojnë ata në rrugën e mirësive dhe të drejtësisë. Ato janë qortim dhe këshillë shumë e fortë, që i pengon ata nga çdo rrugë e keqe dhe poshtërsi e padrejtësi. Ndërsa për njerëzit e tjerë, Kur’âni është thjesht një qartësim i të vërtetave të pamohueshme dhe këputje e çdo justifikimi që mund të parashtrohet prej tyre, që çdokush të jetë i qartë dhe i sigurt për rrugën që po zgjedh. Nëse zgjedhin rrugën e shkatërrimit, e kanë zgjedhur atë me vetëdije dhe plotësisht të bindur për gabimin e tyre. Kur’âni nuk ka lënë asnjë mundësi justifikimi për ta. Pra, ka shumë mundësi që këtu të bëhet fjalë për Kur’ânin dhe Urtësinë, dhe jo thjesht për shenjat e mbetura nëpër tokë, sepse ai është udhëzim i përgjithshëm, për të gjithë njerëzit, dhe këshillë dhe udhëzim i veçantë për të devotshmit. Të dyja kuptimet janë të pranueshme.

Aal-i-Imraan 3:138Listen in Qur'an →
139

وَلَا تَهِنُوا۟ وَلَا تَحْزَنُوا۟ وَأَنتُمُ ٱلْأَعْلَوْنَ إِن كُنتُم مُّؤْمِنِينَ

Mos tregoni ligësi dhe mos u pikëlloni! Se ju gjithsesi jeni më të lartë, nëse jeni besimtarë të vërtetë.

Allahu i Lartësuar i inkurajon adhuruesit e tij të sinqertë të forcojnë ambiciet dhe vullnetin e tyre, duke u thënë:Mos u dobësoni(fizikisht)dhe mos u trishtoni (shpirtërisht),... –Kuptimi: Mos u lëshoni, duke u dobësuar fizikisht dhe mos u trishtoni, duke u dobësuar shpirtërisht gjatë sprovave, fatkeqësive dhe disfatave. Pa dyshim që trishtimi në zemër edhe lëshimi i trupit janë sprova më vete, prandaj mos e dënoni dhe rëndoni veten tuaj më shumë me sprova të tjera. Dobësia juaj veçse i ndihmon armiqtë kundërshtarë, prandaj mos pranoni që t’ju pushtojë ajo. Përkundrazi, inkurajojeni veten dhe nxitni vullnetin dhe ambiciet tuaja drejt të mirës. Ushqeni durimin dhe trimërohuni, duke luftuar armikun tuaj. Largojini trishtimet dhe ankesat, se janë të padobishme, madje paralizuese. Trishtimi dhe shkurajimi nuk duhet të kenë lidhje me besimtarët e sinqertë, sepse imani i tyre i mban shumë më lart ata. Ata shpresojnë ndihmën, suksesin dhe fitoren prej të Plotfuqishmit, që kujdeset për ta veçanërisht. Ata shpresojnë shpërblimin e Bujarit, Bamirësit dhe të Mëshirshmit. E si mund të ulet kaq poshtë një besimtar, i cili ka siguri të plotë për premtimin e Allahut dhe shpërblimin e Tij të madh në këtë jetë dhe në jetën tjetër?! Kjo nuk duhet të ndodhë me besimtarin e sinqertë. Prandaj i Madhëruari thotë:...përderisa ju qëndroni më lart, nëse jeni besimtarë të sinqertë. -Pas kësaj, Allahu i Lartësuar i qetëson zemrat e tyre të tronditura nga disfata, duke u përmendur urtësitë që fshihen pas të tilla humbjesh dhe sprovash. Ai thotë:

Aal-i-Imraan 3:139Listen in Qur'an →
140

إِن يَمْسَسْكُمْ قَرْحٌۭ فَقَدْ مَسَّ ٱلْقَوْمَ قَرْحٌۭ مِّثْلُهُۥ ۚ وَتِلْكَ ٱلْأَيَّامُ نُدَاوِلُهَا بَيْنَ ٱلنَّاسِ وَلِيَعْلَمَ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَيَتَّخِذَ مِنكُمْ شُهَدَآءَ ۗ وَٱللَّهُ لَا يُحِبُّ ٱلظَّٰلِمِينَ

Nëse ju ka goditur juve ndonjë plagë edhe popullin (armik) e kanë goditur aso plagë. Ato ditë Na i ndërrojmë midis njerëzve (me triumf dhe disfatë) për t’i dalluar besimtarët e durueshëm dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Se Perëndia nuk i donë zullumqarët, -

Në qoftë se ju përjetuat dhembje(në Uhud), të jeni të sigurt se edhe të tjerët (armiqtë tuaj) provuan dhembje si kjo juaja(në Bedër). –Pra, ashtu si ju, edhe ata kanë ndier dhimbje dhe vuajtje. Porse mes jush ka një ndryshim të madh: ju shpresoni prej Allahut diçka që ata nuk e shpresojnë, sikurse thotë i Lartësuari: “Mos u tregoni të dobët kur të ndiqni armikun! Nëse ju ndieni dhimbje, (dijeni se)edhe ata, sikurse ju, ndiejnë dhimbje. Por ju shpresoni nga Allahu atë çka ata nuk e shpresojnë. Allahu është i Ditur e i Urtë”. [Nisa 104].Ne i këmbejmë të tilla ditë mes njerëzve,... -Prej urtësive të kuptuara nga këto ajete është edhe fakti se, kur është fjala për mirësitë e kësaj jete, Allahu i Lartësuar ua jep ato edhe besimtarëve, edhe qafirëve, edhe të mirëve, edhe të këqijve. Kështu i ndërron ditët mes njerëzve Allahu i Lartësuar: sot u jep disave një gjë, nesër ua jep atë të tjerëve. Kështu ndodh në këtë jetë, sepse kjo dynja është e parëndësishme dhe do të zhduket. Ndërsa në jetën e përjetshme çështja ndryshon, sepse mirësitë atje janë të posaçme vetëm për besimtarët....që Allahu ti nxjerrë në pah ata që besojnë... -Edhe kjo është një nga urtësitë që fshihen pas sprovave që godasin besimtarët: të dalin në pah besimtarët dhe munafikët. Nëse fitorja do t'u takonte gjithmonë besimtarëve, atëherë Islamin do ta pranonin të gjithë, edhe ata që në të vërtetë nuk e dëshirojnë atë. Prandaj, duke ndodhur sprova të tilla, del në pah besimtari i vërtetë, që e dëshiron fort dhe e zbaton Islamin qoftë në kohë mirësie, qoftë në kohë fatkeqësie, qoftë kur i vjen lehtë, qoftë kur i duket i vështirë, dhe kështu del në pah edhe ai që nuk është i tillë....dhe për t’i zgjedhur disa prej jush si dëshmorë. -Ja edhe një urtësi tjetër që zbulohet nëpërmjet sprovave të mëdha. Allahu i Lartësuar i zgjedh disa njerëz si dëshmorë. Martirizimi në rrugën e Allahut është nga gradat më të larta të besimatrit, dhe kjo gradë mund të arrihet veçse nëpërmjet të tilla situatash. Është shprehje e mëshirës së të Urtit, që u ka lënë adhuruesve këtë rrugë të dhimbshme dhe të vështirë për të arritur gradat e larta dhe mirësinë e përjetshme.Allahu nuk i do të padrejtët. -Allahu i Lartësuar nuk i do ata të cilët tregohen të padrejtë ndaj vetes së tyre, duke mos luftuar dhe përpjekur në rrugën e Allahut. Me këto fjalë, Allahu i Lartësuar tregon cilësitë e poshtra të munafikëve. Ata e urrejnë Allahun dhe luftën në rrugën e Tij dhe, për këtë arsye, Allahu i Lartësuar nuk ua dha mundësinë dhe nderin të merrnin pjesë në betejën e Uhudit. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Nëse vërtet do të kishin dashur të shkonin, me siguri do të kishin bërë ndonjë përgatitje. Por Allahu nuk e pëlqeu pjesëmarrjen e tyre; prandaj i sprapsi, duke u thënë: “Qëndroni aty me ata që rrinë!” [Teube 46].

Aal-i-Imraan 3:140Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.