Muslim99Muslim99
← Tafsir library

2. Al-Baqara

The Cow · Medinan · 286 ayahs

سُورَةُ البَقَرَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 261–270 of 286

261

مَّثَلُ ٱلَّذِينَ يُنفِقُونَ أَمْوَٰلَهُمْ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ كَمَثَلِ حَبَّةٍ أَنۢبَتَتْ سَبْعَ سَنَابِلَ فِى كُلِّ سُنۢبُلَةٍۢ مِّا۟ئَةُ حَبَّةٍۢ ۗ وَٱللَّهُ يُضَٰعِفُ لِمَن يَشَآءُ ۗ وَٱللَّهُ وَٰسِعٌ عَلِيمٌ

Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Perëndisë, i shembëllejnë atij që mbjell (një) kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, dhe në çdo kallinj nga njëqind kokërra. – Perëndia ia shton (shpërblimin) edhe më tepër atij që don; se Perëndia është i Gjithëdijshëm dhe mirëbërës i madh.

Disa ajete më lart, Allahu i Lartësuar tha: “Kush është ai që do t’i japë Allahut një “hua” të mirë, që Ai t’ia shtojë atë shumëfish?”. Ndërsa tani, Ai sqaron se si bëhet ky shumëfishim i shpërblimit:Pasuria e atyre që e shpenzojnë atë në rrugë të Allahut përngjan me një farë, prej së cilës mbijnë shtatë kallinj, ku në secilin kalli ka njëqind kokrra. -Shprehja: “...në rrugë të Allahut...” domethënë: në bindje ndaj Tij dhe për kënaqësinë e Tij. Sigurisht, shpenzimi më i mirë, në këtë rast, është pikërisht në mbështetje të luftës në rrugën e Zotit. Allahu i Lartësuar na sjell një ilustrim tepër të qartë dhe të thjeshtë të shumëfishimit të shpërblimit të Tij. Ai na i sjell këtë shembull të prekshëm, me një qëllim shumë të rëndësishëm: që të forcohet edhe më shumë siguria për premtimin e Tij. Kur bashkohet forca e argumenteve të dukshme me forcën e besimit të brendshëm, shpirti fiton një bindje e siguri të palëkundur, dhe, si rezultat, do të nënshtrohet plotësisht për të kryer vepra të mira, të shpërblyeshme nga Allahu i Lartësuar. Kështu, njeriu do t’i shtojë shpenzimet në rrugën e mirësisë, sepse shpërblimi që ai pret është shumë i sigurt dhe shumë i madh.Allahu ia shumëfishon atij që Ai dëshiron. -Pra, Allahu i Lartësuar ia jep këtë shumëfishim atij që Ai dëshiron. Dëshira e Allahut të Lartësuar për të dhënë shpërblime dhe për t'i shumëfishuar ato, është në përputhje me urtësinë dhe dijen e Tij madhështore. Për të bërë këtë shumëfishim, Allahu i Madhëruar merr në konsideratë shumë gjëra, si: gjendjen e atij që shpenzon, domethënë shkallën e sinqeritetit të tij në qëllimin e këtij shpenzimi; llojin e shpenzimit, ose shkallën e dobisë së tij dhe të nevojës për të; fushën në të cilën shpenzohet dhe kategorisë që ajo i jepet. Nga këto kritere varet shumëfishimi i shpërblimit, ndonëse dihet që Allahu i Lartësuar e shpërblen pa kufi atë që Ai dëshiron.Allahu është është Bujar i madh e i Gjithëditur. -Allahu është Bujar me mirësitë dhe dhuratat që jep. Atij nuk ia pakëson mirësitë shpërblimi që u jep njerëzve dhe Ai nuk varfërohet nga kërkesat e asnjë lloj lutësi. Prandaj, askush të mos mendojë se ky shumëfishim është një lloj teprimi në premtimet për shpërblim. Allahu i Lartësuar e jep gjithmonë atë që e premton. Atij nuk i pakësohet kurrë mirësia, sado që t’ua shumëfishojë shpërblimet njerëzve. Sigurisht, këto shpërblime jepen sipas urtësisë dhe dijes së Tij, sepse Allahu është i Gjithëditur. Ai e di shumë mirë se kush i meriton ato dhe kush jo.

Al-Baqara 2:261Listen in Qur'an →
262

ٱلَّذِينَ يُنفِقُونَ أَمْوَٰلَهُمْ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ ثُمَّ لَا يُتْبِعُونَ مَآ أَنفَقُوا۟ مَنًّۭا وَلَآ أَذًۭى ۙ لَّهُمْ أَجْرُهُمْ عِندَ رَبِّهِمْ وَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ

Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Perëndisë, e që nuk e përcjellin me reklamacion as fyerje, për ata ka shpërblim te Zoti i tyre, për ta nuk ka frikë as pikëllim.

Ata që e shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugë të Allahut... -Shprehja: “...në rrugë të Allahut...” domethënë: në bindje ndaj Tij dhe në ndihmë të rrugës së Tij. Këtu shtrohet një çështje tepër delikate, për të cilën Allahu i Lartësuar na këshillon. Ai thotë:...dhe që atë çfarë japin nuk e shoqërojnë me të përmendur e me mburrje... -Pra, ne duhet që, shpenzimet të cilat i bëjmë në shenjë bindjeje ndaj Allahut dhe për të ndihmuar rrugën e Tij, të mos i shkatërrojmë me dy gjëra: Së pari, duke ia kujtuar tjetrit se çfarë i kemi dhënë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos ndihemi mbi vëllezërit tanë, as me fjalë e as me zemër. Disa njerëz, kur i bëjnë dikujt ndonjë nder, ia kujtojnë vazhdimisht atij, duke kërkuar kështu që t'u njihet dhe t'u shpërblehet ai nder që kanë bënë. Pra, nuk duhet vepruar kurrsesi në këtë mënyrë. Së dyti, duke mos e munduar tjetrin. Pra, shpenzimet që kryejmë për hir të Allahut nuk duhet t'i shoqërojmë me fjalë dhe vepra fyese, që e ulin palën tjetër. Kështu pra, duhet të ruhemi nga këto dy gabime që bëhen shpesh në kësi rastesh. Ne duhet të jemi të thjeshtë dhe të kujdesshëm në çdo fjalë dhe vepër që bëjmë....pikërisht ata e kanë shpërblimin e vet te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë dhe as do të brengosen. -Këta do të marrin atë shpërblim që i përshtatet mirësisë që kanë bërë. Ata do të jenë të sigurt nga çdo frikë dhe brengë. Ata do të fitojnë të mirat dhe do të shpëtojnë nga të këqijat, sepse kanë bërë vepra të mira e të sinqerta për Allahun dhe i kanë ruajtur këto vepra nga çdo fjalë, ndjenjë apo vepër që e shkatërron dhe e zhvlerëson shpërblimin e tyre.

Al-Baqara 2:262Listen in Qur'an →
263

۞ قَوْلٌۭ مَّعْرُوفٌۭ وَمَغْفِرَةٌ خَيْرٌۭ مِّن صَدَقَةٍۢ يَتْبَعُهَآ أَذًۭى ۗ وَٱللَّهُ غَنِىٌّ حَلِيمٌۭ

Fjala e mirë dhe fjala e gabimit është më e vlefshme se lëmosha që përcillet me fyerje. Perëndia është i pasur (i panevojshëm për asgjë) dhe i butë (nuk nxiton në dënime).

Një fjalë e mirë dhe falja janë më të vlefshme se një lëmoshë që shoqërohet me fjalë fyese. -Një fjalë e ëmbël, e pranueshme nga zemra, është më e mirë se një sadaka e shoqëruar me fjalë e vepra fyese. Fjalë e mirë është ajo që e gëzon dhe e qetëson zemrën e tjetrit. Fjalën e mirë mund t’ia thuash tjetrit edhe kur nuk ke mundësi t’i japësh gjë, ndoshta edhe duke bërë lutje për të. Për sa i përket faljes, kuptimi është që ta falësh atë që sillet e flet keq kundër teje, sepse kjo është madhështore. Të mos ndërmarrësh masa ndëshkuese kundër atij që të dëmton, por përkundrazi ta falësh, është vërtet një cilësi e rrallë. Shpesh lypësi mund të të ofendojë me ndonjë fjalë apo veprim të tijin, por falja dhe justifikimi i tij ka shumë shpërblim. Kështu, fjalët e mira dhe falja e të tjerëve janë më të çmuara sesa sadakaja e shoqëruar me mburrje. Edhe fjalët e mira janë një lloj sadakaje. Që të dyja bashkë, fjala e mirë dhe falja e të tjerëve janë bamirësi, të cilat nuk kanë asnjë të keqe në vete. Nga ajeti kuptohet se sadakaja që nuk pasohet me të përmendur dhe me mburrje është më e mirë se fjalët e mira dhe falja. Kjo tregon se sa e keqe është të përmendurit e sadakasë dhe mburrja me të. Ajo është haram dhe e shkatërron shpërblimin e sadakasë. Arsyeja është se merita për dhurimin e mirësive i takon vetëm Allahut. Kur i vetmi dhurues dhe bamirës është Allahu i Lartësuar, atëherë si mund t'ia përmendësh tjetrit mirësitë që i ke bërë dhe të lëvdohesh?! A po lëvdohesh me mirësitë dhe dhuratat e Allahut?! Nga ana tjetër, ai që mburret dhe e përkujton mirësinë e vet kërkon me këtë sjellje që t'i mbajë të përulur nën vete ata të cilëve u ka dhënë, por edhe kjo i takon vetëm Allahut. Me fjalë të tjera, përulja, nënshtrimi dhe bindja bëhen vetëm ndaj Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar është i pasur dhe nuk ka nevojë për adhurimin e askujt, ndërsa çdo gjë tjetër është e varfër dhe nevojtare. Çdo gjë ka nevojë për mëshirën dhe mirësinë e Tij në të gjitha drejtimet, kohët, gjendjet. Pra, duhet kuptuar mirë se, çdo adhurim e vepër të mirë që kryejmë është thjesht për të mirën dhe dobinë tonë. Ne duhet të përpiqemi që të mos i shkatërrojmë adhurimet tona me ato vepra që prishin dhe asgjësojnë shpërblimet e adhurimeve, sepse kështu nuk i bëjmë dëm askujt tjetër, veç vetes sonë. Më tej, i Lartësuari thotë:Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Butë. -Allahu i Lartësuar është i Vetëmjaftueshëm (Ĝanijun), që nuk ka nevojë për asgjë: as për adhurimet dhe as për veprat tona të mira. Por Ai është edhe i Butë (Ĥalîm) ose tolerues kundrejt atij që bën gabime dhe nuk bindet, edhe pse është i plotfuqishëm mbi krijesat e Tij. Ai nuk nxitohet për t'i ndëshkuar ato, edhe pse e meritojnë një ndëshkim të tillë. Mëshira, butësia dhe bamirësia e Tij janë aq të mëdha, saqë bëjnë që Ai kurrë të mos nxitohet për t'i ndëshkuar të pabindurit dhe gjynahqarët. Allahu i afatizon ata dhe ua sqaron argumentet e madhështisë së Tij, që ata të mund të kthehen të penduar dhe të nënshtruar. Megjithatë, kur ata nuk kanë në vetvete asnjë mirësi të vogël, sa të shpresohet ndreqja e tyre, kur atyre nuk u bëjnë më dobi shenjat dhe argumentet e qarta të Zotit, atëherë ndëshkimi i Tij mbi ta bëhet i …

Al-Baqara 2:263Listen in Qur'an →
264

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ لَا تُبْطِلُوا۟ صَدَقَٰتِكُم بِٱلْمَنِّ وَٱلْأَذَىٰ كَٱلَّذِى يُنفِقُ مَالَهُۥ رِئَآءَ ٱلنَّاسِ وَلَا يُؤْمِنُ بِٱللَّهِ وَٱلْيَوْمِ ٱلْءَاخِرِ ۖ فَمَثَلُهُۥ كَمَثَلِ صَفْوَانٍ عَلَيْهِ تُرَابٌۭ فَأَصَابَهُۥ وَابِلٌۭ فَتَرَكَهُۥ صَلْدًۭا ۖ لَّا يَقْدِرُونَ عَلَىٰ شَىْءٍۢ مِّمَّا كَسَبُوا۟ ۗ وَٱللَّهُ لَا يَهْدِى ٱلْقَوْمَ ٱلْكَٰفِرِينَ

O besimtarë! Mos e shëmtoni të mirën e lëmoshës suaj me reklamacion dhe fyerje, siç vepron ai që shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës, e nuk beson në Perëndinë dhe Ditën e Kijametit, Ai i gjason gurit të lëmuar, në të cilin ka pak dhé. E, kur shiu i bie rrëbesh, e zhveshë atë dhe e le gur të thatë. (Hipokritët), nuk kanë kurrfarë dobie nga veprat që kanë bërë. Se, Perëndia nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin mohues.

O ju që keni besuar! Mos i prishni lëmoshat tuaja me të përmendur dhe me fyerje... -Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na ndalon nga shkatërrimi i sadakave, jo nga vetë sadakatë. Me mëshirën e Tij, Ai na tregon se shpërblimi i sadakasë shkatërrohet me të përmendur dhe me mburrje. Kjo është vërtet një këshillë e çmuar, që Allahu i Lartësuar na e dhuron nga butësia dhe mëshira e Tij. Ajeti tregon, gjithashtu, se veprat e këqija i fshijnë dhe i shkatërrojnë veprat e mira. Në suren Huxhuratë ajeti 2, Allahu i lartësuar na tregon për një nga veprat e këqia e cila i fshin punët e mira. Thotë Allahu i Lartësuar: "O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos iu drejtoni atij me zë të lartë, sikurse i drejtoheni njëri-tjetrit e kështu t’ju asgjësohen veprat tuaja pa e ndier!”. Pra, sikurse veprat e mira i fshijnë të këqijat, ashtu edhe veprat e këqija i shkatërrojnë dhe i zhvlerësojnë veprat e mira. Ky ajet dhe thënia tjetër e Allahut: “Mos i shkatërroni veprat tuaja…” na nxisin që t’i përsosim dhe t’i ruajmë veprat e mira nga çdo gjë që mund të shkatërrojë shpërblimin e tyre. Allahu i Lartësuar na nxit për një gjë të tillë, që veprat dhe mundi ynë të mos na shkojnë kot....siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa për sy e faqe dhe nuk beson në Allahun dhe as në Ditën e Fundit. -Këtu Allahu na tregon se veprat tona, edhe pse fillimisht mund të nisin për hir të Tij, në momentin që shoqërohen me të përmendur dhe me mburrje, ato asgjësohen. Ato konsiderohen njëlloj si veprat që bëhen veçse për syfaqësi ndaj njerëzve. Njerëzit që veprojnë kështu nuk besojnë në Allahun dhe as në Ditën e Llogarisë, prandaj nuk do t’u pranohet asnjë lloj vepre dhe mundi që shpenzojnë. Veprat e tyre janë plotësisht të refuzuara, sepse dihet se asnjë vepër nuk pranohet nga Allahu i Lartësuar, derisa të plotësojë dy kushtet e njohura: të kryhet me sinqeritet për Allahun, duke shpresuar me të vetëm shpërblimin e Tij, dhe vepra të jetë në përputhje me mësimet dhe porositë e Allahut dhe Profetit të Tij. Kështu, veprat e hipokritit nuk janë për Allahun, por për veten e tij ose për famën ndër njerëz. Për këtë arsye, të gjitha veprat e tij janë të kota, nuk merren në konsideratë dhe kurrë nuk do të shpërblehen. Allahu i Lartësuar na sjell një shembull shumë të goditur për këta lloj njerëzish:Ky ngjan me atë gurin e madh e të lëmuar, mbi të cilin ka pak dhé, por që kur e zë rrebeshi, e lë sërish të zhveshur. -Këta njerëz dhe veprat e tyre i shëmbëllejnë një guri shumë të lëmuar dhe të mbuluar me dhé, i cili, kur goditet nga një shi i rrëmbyer, zhvishet tërësisht prej atij dheu. E tillë është gjendja e hipokritëve. Zemrat e tyre janë të ashpra e të forta, sikurse është guri. Ndërsa sadakatë dhe veprat e tyre të mira janë si pluhuri a dheu që zë guri i lëmuar përsipër. Kur i padituri e sheh gurin e mbuluar me dhé, mendon se ka të bëjë me një tokë pjellore. Por kur zbulohet e vërteta që fshihet nën të, atëherë çdokush e kupton se veprat e tij kanë qenë mashtruese. Zemra e tyre nuk është vendi i përshtatshëm për t’u mbjellë dhe për të dhënë fryte të dobishme. Syfaqësia dhe motivet e këqija nuk e lejojnë njeriun që të përfitojë nga ndonjë vepër e tij, prandaj i …

Al-Baqara 2:264Listen in Qur'an →
265

وَمَثَلُ ٱلَّذِينَ يُنفِقُونَ أَمْوَٰلَهُمُ ٱبْتِغَآءَ مَرْضَاتِ ٱللَّهِ وَتَثْبِيتًۭا مِّنْ أَنفُسِهِمْ كَمَثَلِ جَنَّةٍۭ بِرَبْوَةٍ أَصَابَهَا وَابِلٌۭ فَـَٔاتَتْ أُكُلَهَا ضِعْفَيْنِ فَإِن لَّمْ يُصِبْهَا وَابِلٌۭ فَطَلٌّۭ ۗ وَٱللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ

Ata që shpenzojnë pasurinë e vet, për hirë të Perëndisë dhe që e forcojnë veten me punë të mira, i gjasojnë kopshtit të mbjellë në rrafshnaltë, në të cilin bie shi i bollshëm andaj jep fryt të dyfishtë. Nëse nuk bie shi i bollshëm, bie vesë (jep fryt). Perëndia i sheh mirë punët që bëni ju.

Ky shembull është për ata që shpenzojnë pasurinë e tyre për të arritur kënaqësinë e Allahut, të cilët do të shpërblehen shumëfish nga ana e Tij.Ndërsa shembulli i atyre që pasurinë e vet e japin nga bindja e tyre dhe duke kërkuar kënaqësinë e Allahut... -Qëllimi i këtyre me sadakatë që japin është kënaqësia e Zotit dhe afrimi tek Ai. Një cilësi tjetër e tyre është se ata japin me gjithë shpirt, e jo me zemër të thyer apo të lëkundur. Sadakaja që jep njeriu dëmtohet shpesh nga dy faktorë: së pari, nga syfaqësia, kur njeriu synon që të tjerët ta falënderojnë dhe ta lëvdojnë për sadakanë që ka dhënë; dhe, së dyti, nga luhatja që mund të ndiejë gjatë dhënies, duke mos pasur dëshirën dhe vullnetin e plotë për veprën që po bën. Edhe ky është një defekt shumë i shëmtuar, që duhet shmangur dhe larguar. Por kategoria fatlume që përshkruan ky ajet ka shpëtuar nga të dyja këto mangësi në dhënien e sadakave. Ata i kanë shpëtuar dëshirës për t'u dukur, sepse ata shpenzojnë “duke kërkuar kënaqësinë e Allahut”. Ata nuk e kanë as defektin e dytë, sepse Allahu thotë që e japin pasurinë duke qenë të bindur e shumë të motivuar. Shembulli i këtyre fatbardhëve është:...është si një kopsht në një rrafshnaltë, ku bie shi me mbushulli... -Pra, një kopsht ose një pyll shumë i dendur, me hije shumë të forta dhe të freskëta. Fjala “Xhenetun”(kopsht), në thelb, tregon “diçka të mbuluar e të fshehur”, sepse edhe pemët e kopshtit, kur janë të dendura e të ndërthurura me njëra-tjetrën, e mbulojnë dhe e fshehin gjithçka që jeton dhe gjallëron poshtë tyre. Ky kopsht i dendur, pra, ndodhet në një pllajë të hapur, të cilën e rreh dielli në çdo moment të ditës. Sigurisht që një vend i tillë do të ketë prodhimtari të lartë, për shkak të vendndodhjes shumë të favorshme të tij. Përveç pozicionit të mrekullueshëm, Allahu tregon edhe një veçori tjetër të tij. Atje bien shira të bollshëm, që e ushqejnë tokën dhe bimësinë e saj. Atëherë, me kushte të tilla, prodhimi i këtij kopshti do të jetë shumë i lartë, siç thotë Allahu i Lartësuar:...dhe jep fryte dyfish. -Pra, për shkak të cilësive të shkëlqyera të tokës, të kushteve klimaterike dhe të vendodhjes, prodhimet e këtij kopshti të dendur janë dyfish më të mëdha. E si do të ishte ndryshe, kur shiu i bollshëm ushqen një tokë cilësore?! Pastaj Allahu i Lartësuar thotë:Por edhe nëse nuk bie shi me bollëk, atje bie një vesë shiu e mjaftueshme. -Pra, edhe nëse nuk bie shi i madh në atë vend të begatë, por bie vetëm pak, ai përsëri është i mjaftueshëm që prodhimet të jenë të kënaqshme. Ky është shembulli i atyre që shpenzojnë shumë apo pak, sipas mundësisë së tyre. Secilit i shtohet shpërblimi në varësi të mundit të shpenzuar. Sadakaja e tyre jep fryte të mira, sido që të jetë ajo, e vogël apo e madhe, sepse është “toka” e mirë. Pastaj, duhet ditur edhe diçka tjetër shumë e rëndësishme. Ai që ua fal njerëzve begatinë e pasurinë që ata kanë është Allahu i Lartësuar, i Cili është më i mëshirshëm me ta, sesa ata për veten e tyre. Nëse Ai synon gjithmonë të mirën e tyre, ata ndonjëherë mund të kërkojnë të kundërtën, për shkak të injorancës. Subhanallah! Nëse do të mësohej ekzistenca e një kopshti të tillë të begatë në këtë dynja, atëherë të …

Al-Baqara 2:265Listen in Qur'an →
266

أَيَوَدُّ أَحَدُكُمْ أَن تَكُونَ لَهُۥ جَنَّةٌۭ مِّن نَّخِيلٍۢ وَأَعْنَابٍۢ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَٰرُ لَهُۥ فِيهَا مِن كُلِّ ٱلثَّمَرَٰتِ وَأَصَابَهُ ٱلْكِبَرُ وَلَهُۥ ذُرِّيَّةٌۭ ضُعَفَآءُ فَأَصَابَهَآ إِعْصَارٌۭ فِيهِ نَارٌۭ فَٱحْتَرَقَتْ ۗ كَذَٰلِكَ يُبَيِّنُ ٱللَّهُ لَكُمُ ٱلْءَايَٰتِ لَعَلَّكُمْ تَتَفَكَّرُونَ

Kush dëshiron prej jush të ketë një kopsht plot palme hurmash dhe hardhish nëpër të cilin rrjedhin lumenj dhe në të cilin ka gjithfarë lloj pemësh, e t’i arrijë pleqëria atij, e të ketë fëmijë të mitur, e atëherë të vijë stuhia e zjarrit mbi të dhe ta djegë? – Që kështu Perëndia ua shpjegon argumentet e Tija, që të mendoni.

A dëshiron ndonjëri prej jush të jetë si ai që ka një kopsht me hurma e rrush, në të cilin rrjedhin lumenj e ka nga të gjitha frutat... -Ky është shembulli i njerëzve të cilët vërtet shpenzojnë shumë për të kënaqur Allahun e Lartësuar, por pastaj bëjnë vepra të këqija, të cilat i fshijnë shpërblimet e veprave të mira. Të tillë njerëz, Allahu i Lartësuar i krahason me pronarin e një kopshti të begatë me hurma dhe rrush. Allahu ka veçuar këto dy fruta, sepse ato janë të shijshme, ushqyese dhe shumë të dobishme. Në këtë kopsht ka edhe lumenj që rrjedhin, të cilët ujisin bimësinë, pa e lodhur njeriun. Ky kopsht i begatë është shumë i dashur për të zotin e tij....por që ta ketë kapur pleqëria dhe pranë tij të ketë pasardhës të mitur... -Përfytyrojeni këtë pronar, të cilit i janë shfaqur thinjat. Ai është i dobët dhe nuk ka fuqi të përkujdeset për kopshtin e tij, edhe pse e dëshiron aq shumë atë. Pronarin e mundon edhe diçka tjetër: ai ka pranë vetes pasardhës të mitur, që nuk mund ta ndihmojnë, madje ata janë një barrë më tepër për të. Jeta e tij dhe e tyre është e lidhur ngushtë me këtë kopësht. Në një gjendje të tillë, përfytyroni se si do të ndihet ky njeri kur kopshtin e tij ta godasë një furtunë zjarri:...dhe pastaj, atë (kopshtin) ta godasë ndonjë furtunë zjarri e ta djegë? -Përfytyrojeni këtë njeri në momentin kur sheh kopshtin e tij të digjet e të shkrumbohet! Çfarë trishtimi, ankthi e frike do të ndiejë ai? Nëse trishtimi do të vriste dikë, viktimë do ishte ky njeri. E tillë është gjendja e atyre njerëzve që bëjnë vepra të mira dhe kënaqin Allahun e Lartësuar. Veprat e mira janë pemët që japin fruta e që kënaqin syrin dhe shpirtin. Adhurimi i vazhdueshëm i Zotit është si ky kopsht, që sjell lumturi e gëzim. Ndërsa vala që kërcënon këtë mrekulli janë veprat e këqija, të cilat shkatërrojnë dhe asgjësojnë çdo lumturi dhe gëzim të njeriut. Këtë furtunë e krijojnë, pra, veprat e këqija dhe mosbindja ndaj Zotit. Ajo furtunë vjen me zjarr, që përvëlon dhe shkrumbon. Në fakt, zjarri që ‘djeg’ veprat e mira është më i rëndë sesa ai që djeg një kopsht të begatë, sepse kur njeriu vdes, ka një nevojë të madhe për ndonjë vepër të mirë, për të përballuar ankthin dhe frikën që sjell llogaria e drejtë para Allahut të Lartësuar. Pas vdekjes, njeriu nuk mund të bëjë më vepra të mira. Atëherë, kush do të dëshironte që, edhe ato pak vepra të mira prej të cilave pritet shpërblimi, të asgjësohen Ditën e Vështirë, Ditën e Gjykimit?! Kush do ta dëshironte një gjendje të tillë Ditën e takimit me Allahun e Drejtë?! Allahu i Lartësuar është i shpejtë në llogaritjen e robit dhe të veprave të tij. Kështu, nëse njeriu do ta përfytyronte këtë skenë dhe do të kishte sadopak mend në kokë, nuk do t'ia lejonte vetes një fund të tillë. Porse dobësia e besimit dhe mendjelehtësia sjellin veçse të këqija. Të tilla vepra, edhe nëse do t’i bënte një i çmendur, do të konsideroheshin të rrezikshme dhe dëshpëruese. Prandaj i Lartësuari na urdhëron që të mendojmë thellë në të tillë shembuj e të vemë në punë arsyen:Kështu jua sqaron Allahu argumentet, për të menduar.

Al-Baqara 2:266Listen in Qur'an →
267

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓا۟ أَنفِقُوا۟ مِن طَيِّبَٰتِ مَا كَسَبْتُمْ وَمِمَّآ أَخْرَجْنَا لَكُم مِّنَ ٱلْأَرْضِ ۖ وَلَا تَيَمَّمُوا۟ ٱلْخَبِيثَ مِنْهُ تُنفِقُونَ وَلَسْتُم بِـَٔاخِذِيهِ إِلَّآ أَن تُغْمِضُوا۟ فِيهِ ۚ وَٱعْلَمُوٓا۟ أَنَّ ٱللَّهَ غَنِىٌّ حَمِيدٌ

O besimtarë! Jepni nga të mirat që keni fituar ju dhe nga ato që ua kemi dhënë Ne, nga frytet e tokës. Mos dhuroni nga ato gjëra të pavlefshme të pasurisë suaj të cilat ju nuk do t’i pranonit ndryshe pos symbyllur. Dinie ju se Perëndia është i pasur (i panevojshëm për asgjë) dhe vetvetiu i lavdëruar.

O ju që keni besuar! Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar dhe nga ajo që Ne e nxjerrim prej tokës për ju! -Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit e Tij, besimtarët e vërtetë, që të shpenzojnë për hir të Tij. Por Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar se si duhet të jenë këto shpenzime. Ata duhet të shpenzojnë pasurinë që është e mirë, e pastër dhe e dobishme. Pra, nga larmia e gjërave të mira, të këndshme e të dobishme që Zoti jua mundësoi t'i zotëroni, jepni një pjesë të tyre, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për Atë, por edhe në shenjë solidariteti dhe plotësimi të disa detyrimeve që keni kundrejt vëllezërve tuaj në nevojë! Shpenzoni nga këto mirësi, që kjo të shërbejë si pastrim për pasuritë që zotëroni! Mes mirësive që Zoti ju ka dhuruar dhe prej të cilave kërkon që të shpenzoni, përzgjidhni gjithmonë atë që është e mirë dhe e këndshme, ashtu sikurse do të zgjidhnit për veten tuaj! Më tej, i Madhëruari na ndalon nga e kundërta e asaj që u tha më lart:Mos nxitoni të jepni më të pavlefshmen nga ajo, të cilën nuk do ta pranonit asnjëherë për veten tuaj, veçse po të ishit symbyllur! -Pra, kurrë mos synoni ta “hiqni qafe” detyrimin, duke dhënë pjesën më të keqe dhe më të pavlefshme të pasurisë tuaj! Mos jepni atë pjesë të pasurisë që edhe vetë nuk do të pranonit ta merrnit ndryshe, veç symbyllurazi!Dijeni se Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Lavdëruar! -Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për asgjë prej jush. Ai nuk përfiton asgjë prej sadakave tuaja. Çdo vepër e juaja kthehet pikërisht tek ju. Ai është edhe i Lavdëruar, sepse të lavdëruara dhe madhështore janë të gjitha ato për të cilat ju urdhëron. Urdhrat e Tij janë të lavdërueshëm, virtytet në të cilat ju fton janë të larta e të drejta. Juve nuk ju takon të bëni gjë tjetër, përveçse t'i zbatoni urdhrat dhe porositë e Tij, sepse ato janë ushqim i domosdoshëm për zemrën tuaj dhe jetë e lumturi për shpirtin tuaj. Më pas, kujdes! Ruajuni që të mos ndiqni hapat e shejtanit, armikut tuaj:

Al-Baqara 2:267Listen in Qur'an →
268

ٱلشَّيْطَٰنُ يَعِدُكُمُ ٱلْفَقْرَ وَيَأْمُرُكُم بِٱلْفَحْشَآءِ ۖ وَٱللَّهُ يَعِدُكُم مَّغْفِرَةًۭ مِّنْهُ وَفَضْلًۭا ۗ وَٱللَّهُ وَٰسِعٌ عَلِيمٌۭ

Djalli ju frikëson juve me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni mëkate, (si koprraci, etj.). Por, Perëndia ju premton falje mëkatesh dhe dhuntitë e Tij. Se, Perëndia është bëmirës i madh dhe i Gjithëdijshëm.

Shejtani ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija... -Kuptimi: Shejtani ju fton që të mos i bindeni urdhrit të Zotit tuaj për të shpenzuar. Ai ju urdhëron për koprraci. Që t'ia arrijë qëllimit të tij, ai ju frikëson duke ju thënë që, nëse e shpenzoni pasurinë tuaj, ju do të varfëroheni dhe do të bëheni nevojtarë për vete. Porse këto nuk janë këshilla të një miku që të do të mirën. Përkundrazi, ato janë këshilla mashtruese. Ja cili është qëllimi i vërtetë i shejtanit, siç thotë i Lartësuari: “Ai i fton pasuesit e tij që të bëhen banorë të Zjarrit të ndezur fort.”. Kurrsesi mos iu bindni atij që ka të tilla qëllime ogurzeza, por bindjuni Zotit tuaj, i Cili ju urdhëron që të shpenzoni aq sa të keni mundësi, pa u dëmtuar. Bëjeni këtë, sepse Allahu ju premton diçka më të mirë:...ndërsa Allahu ju garanton falje e begati. -Pra, Allahu u premton falje gjynahesh atyre që shpenzojnë për hir të Tij. Ai premton edhe diçka tjetër, që quhet begati (fađlen). Begatia nënkupton çdo mirësi që synon njeriu në jetën e dynjasë dhe ahiretit. Begatia është zëvendësimi i shpejtë i pasurisë që shpenzohet dhe shumëfishimi i saj. Begatia është qetësia shpirtërore, që të lumturon dhe gëzon. Begatia është mirësia që robi do të përjetojë kur të jetë vetëm në varr. Begatia është shpërblimi i premtuar për veprën e mirë, që do të jetë i shumëfishuar e që do të merret në një ditë shumë të vështirë e në çaste shumë të nevojshme, pikërisht Ditën e Gjykimit dhe të shpërblimit me drejtësi. Të gjitha këto nuk janë aspak shumë për Allahun e Lartësuar. Ato janë shumë të vogla e shumë të thjeshta për t'u përmbushur nga ana e Tij, sepse Ai thotë:Allahu është Bujar i madh e i Gjithëditur. -Pra, Allahu është Bujar i madh me mirësitë që dhuron. Ai është edhe i Gjithëditur. Ai i njeh me hollësi të gjitha shpenzimet që bëjnë njerëzit, të vogla qofshin apo të mëdha, të fshehta apo të hapura. Sigurisht, i Gjithëdituri do të shpërblejë me mëshirë dhe me bujari për çdo gjë që shpenzohet dhe i përkushtohet Atij me sinqeritet. Le të shohë, pra, njeriu se cilës ftesë duhet t'i përgjigjet. Këto ajete flasin për çështje shumë të rëndësishme. Ato nxisin për të shpenzuar për hir të Allahut, ashtu sikurse na porosit Ai. Në to shpjegohet se çfarë e shtyn njeriun që të shpenzojë: besimi dhe shpërblimi i madh nga Allahu. Ato vërtetojnë se zekati i floririt, i argjendit dhe i mallrave tregtare është detyrim ligjor, që duhet të jepet. Ky gjykim përfitohet pikërisht nga fragmenti: “Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar...”. Zekati është detyrim ligjor edhe për prodhimet që nxirren nga toka, qofshin ato bimë, farëra, drithëra apo thesare e minerale, sepse Allahu thotë: ue mim-mã aħrexhnâ lekum- minel erđi / dhe nga ajo që e nxorrëm për ju prej tokës. Ky ajet tregon se zekati është detyrë të jepet nga ai që zotëron, bimësinë, drithërat apo siç quhet, "dobitë" e tokës, jo për pronarin e tokës. Sepse Allahu i Lartësuar thotë: “...dhe nga ajo që Ne e nxjerrim prej tokës për ju!”. Për ato pasuri që nuk përdoren për t'u kultivuar dhe për t'u shtuar, nuk është detyrë të jepet zekat, siç mund të jenë pasuritë e paluajtshme: toka, makina, shtëpia etj., ose edhe enët dhe mjetet e jetesës që njeriu i …

Al-Baqara 2:268Listen in Qur'an →
269

يُؤْتِى ٱلْحِكْمَةَ مَن يَشَآءُ ۚ وَمَن يُؤْتَ ٱلْحِكْمَةَ فَقَدْ أُوتِىَ خَيْرًۭا كَثِيرًۭا ۗ وَمَا يَذَّكَّرُ إِلَّآ أُو۟لُوا۟ ٱلْأَلْبَٰبِ

(Zoti) ia jep dijeninë e hollë (kuptimin e Kur’anit) kujt të dojë. E, kujtdo që i është dhënë dijenia, me të vërtetë, i është dhënë begati e pakufishme. Por, këtë, nuk e kupton tjetër kush, përveç mendarëve.

Allahu i Lartësuar ka sjellë urdhra që përmbajnë në vetvete të fshehta dhe urtësi të mëdha, por që Ai nuk ia mundëson kujdo që t'i kuptojë e t'i zbatojë. Prandaj thotë i Lartësuari:Ai ia dhuron urtësinë atij që do. -Ai ia jep urtësinë atij që dëshiron. Urtësia është dija e dobishme, puna e mirë dhe njohja e thellë e dispozitave të Allahut të Lartësuar.Dhe, pa dyshim, kujt i është dhënë urtësia, i është dhuruar mirësi e madhe. Por këtë mirësi e kuptojnë veçse të mençurit. -E ku ka mirësi më të madhe se ajo pa të cilën nuk mund të përfytyrohet lumturia në të dy jetët dhe shpëtimi prej dëshpërimit në të dyja jetët? Ky ajet jep një vlerësim të veçantë për cilësinë e rrallë të urtësisë. Ajo është një cilësi e mrekullueshme, të cilën e kanë privilegj vetëm trashëgimtarët e profetëve, dijetarët vepërmirë. Përsosmëria e adhuruesit është e lidhur ngushtë me aftësitë dhe forcën e tij në dije dhe në punën me këtë dije. Aftësia e robit në dije përsoset duke njohur të vërtetën dhe qëllimin e saj. Ndërsa aftësia vepruese e tij përsoset kur ai kryen të mirën dhe lë të keqen. Vetëm në këtë mënyrë ai bëhet i drejtë dhe i saktë në fjalët dhe në veprimet e tij. Vetëm pas njohjes së të vërtetës dhe punës sipas saj, robi mund t’i vendosë gjërat atje ku duhet. Vetëm atëherë ai do të jetë i urtë në lidhje me vetveten dhe me të tjerët. Pa këto dy elementë, ai nuk do t'ia arrijë kurrë qëllimit për të qenë i urtë.

Al-Baqara 2:269Listen in Qur'an →
270

وَمَآ أَنفَقْتُم مِّن نَّفَقَةٍ أَوْ نَذَرْتُم مِّن نَّذْرٍۢ فَإِنَّ ٱللَّهَ يَعْلَمُهُۥ ۗ وَمَا لِلظَّٰلِمِينَ مِنْ أَنصَارٍ

Çkado që të shpezoni dhe çkado që synoni për të mirë – Perëndia, me siguri di për të! – Por për zullumqarët nuk ka asnjë ndihmëtar.

Çdo gjë që të shpenzoni nga pasuria dhe çdo betim(nedhër)që të bëni, të jeni të sigurt se Allahu i di të gjitha. -Këtu bëhet fjalë për shpenzimet që bëhen në rrugë të Zotit, të çfarëdo lloji qofshin ato: të detyrueshme apo të pëlqyeshme, të vogla apo të mëdha, ato për të cilat ka urdhëruar Allahu i Lartësuar apo ato të cilat vetë robi ia ka bërë të detyrueshme vetes së vet, siç janë betimet (nedhër). Pa dyshim që Allahu i Lartësuar i di të gjitha këto, sepse Atij nuk i fshihet asgjë. Ai di edhe qëllimet e çdo vepruesi. Nëse nxitësi i tyre është dëshira e sinqertë për të kënaqur Allahun e Madhëruar, atëherë Ai do të japë shpërblim të madh për to. Nga ana tjetër, nëse robi nuk e përmbush detyrimin për të shpenzuar, ose e përmbush atë, por duke pasur si synim vetëm kënaqësinë e krijesave, atëherë ai është treguar i padrejtë, zullumqar, sepse i vendos gjërat jo në vendin që u takon. Për këtë arsye, ai meriton ndëshkimin më të dhimbshëm:Për të padrejtët nuk ka ndihmëtarë. -Pra, ata nuk do të marrin ndihmë prej asnjë krijese. Askush nuk do të mund t'i shpëtojë prej ndëshkimit dëshpërues dhe të hidhur.

Al-Baqara 2:270Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.