Muslim99Muslim99
← Tafsir library

2. Al-Baqara

The Cow · Medinan · 286 ayahs

سُورَةُ البَقَرَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 251–260 of 286

251

فَهَزَمُوهُم بِإِذْنِ ٱللَّهِ وَقَتَلَ دَاوُۥدُ جَالُوتَ وَءَاتَىٰهُ ٱللَّهُ ٱلْمُلْكَ وَٱلْحِكْمَةَ وَعَلَّمَهُۥ مِمَّا يَشَآءُ ۗ وَلَوْلَا دَفْعُ ٱللَّهِ ٱلنَّاسَ بَعْضَهُم بِبَعْضٍۢ لَّفَسَدَتِ ٱلْأَرْضُ وَلَٰكِنَّ ٱللَّهَ ذُو فَضْلٍ عَلَى ٱلْعَٰلَمِينَ

E, ata (besimtarët) me ndihmëne Perëndisë i thyen ata, e Dauti e vrau Xhalutin. Perëndia i dha atij pushtet dhe profetni, dhe i mësoi atij dituritë që deshi. Sikur Perëndia mos t’u ndihmonte njerëzve të mirë kundër të këqinjve, bota do të ishte shkatërruar. Por, Perëndia është bamirës i gjithësisë.

Me ndihmën e Allahut, ata i mposhtën(armiqtë), ndërsa Xhalutin e vrau Daudi... -Daudi (a.s.) ishte pjesëtar i ushtrisë së Talutit. Ishte pikërisht ai që e vrau me dorën e vet Xhalutin, mbretin e qafirëve. Me guximin, fuqinë dhe durimin e tij, ai triumfoi mbi Xhalutin. Allahu i Lartësuar e nderoi Daudin, duke i dhuruar pushtet dhe urtësi të madhe. Ai u bë mbreti i bijve të Israilit.... Allahu i dhuroi pushtet e urtësi .. -Pushteti ishte mbretërimi te bijtë e Israilit, ndërsa urtësia ishte profetësia. Pra, Allahu i Lartësuar e bëri atë profet, duke i dhënë një ligj hyjnor dhe duke e udhëzuar në rrugën e drejtë. Pastaj, i Lartësuari thotë:...dhe i mësoi çdo gjë që ai dëshironte të dinte. -Allahu i mësoi shumë Daudit (a.s.) rreth ligjit hyjnor dhe çështjeve të udhëheqjes. Allahu i Lartësuar i dhuroi atij pushtet, pasuri dhe profetësi, ndërkohë që para Daudit kishte patur profetë që nuk kishin qenë mbretër. Pas kësaj fitoreje, bijtë e Israilit gjetën qetësi në trojet e tyre, dhe kështu vazhduan ta adhuronin Allahun e Lartësuar në paqe, ndërkohë që armiqtë e tyre u poshtëruan. Të gjitha këto ishin fryte të xhihadit që ata zhvilluan në rrugë të Allahut. Nëse nuk do të kishin treguar durim në luftën e tyre, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur. Prandaj thotë i Lartësuari:Sikur Allahu të mos i mbronte njerëzit me anë të disave prej tyre, toka do të shkatërrohej... -Sikur Allahu i Lartësuar të mos i mbronte njerëzit nëpërmjet atyre që bëjnë xhihad, atëherë në tokë do të ndodhnin shkatërrime të mëdha dhe do të mbizotëronin mizorët, të poshtrit dhe qafirët. Njerëzit do të pengoheshin nga adhurimi i Allahut të Lartësuar dhe në tokë nuk do të shfaqeshin simbolet e fesë së Tij....por Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzimit. -Prej bamirësisë së Allahut është edhe ligjërimi i xhihadit, nëpërmjet të cilit Ai u mundëson adhuruesve të Vet lumturinë dhe ruajtjen prej çdo armiku që u kanoset. Nëpërmjet xhihadit, besimtarët bëhen të palëkundshëm në tokë. Allahu i ndihmon ata me disa mënyra që njerëzit i njohin dhe me disa mënyra të tjera që i di vetëm Ai, e askush tjetër. Më tej, i Lartësuari thotë:

Al-Baqara 2:251Listen in Qur'an →
252

تِلْكَ ءَايَٰتُ ٱللَّهِ نَتْلُوهَا عَلَيْكَ بِٱلْحَقِّ ۚ وَإِنَّكَ لَمِنَ ٱلْمُرْسَلِينَ

Këto janë dokumentet e Perëndisë, të cilat në të vërtetë, t’i zbuluam ty (o Muhammed). Dhe, ti, me të vërtetë je njëri nga pejgamberët.

Këto janë argumentet e Allahut, që po t’i lexojmë ty me vërtetësi. -Këto janë ngjarje e argumente të Allahut, të cilat Ai na i tregon me vërtetësi, sikurse kanë ndodhur në realitet. Kjo bëhet që ne të marrim informacione të sigurta, dhe pastaj të nxjerrim mësime nga këto histori të vërteta.S’ka dyshim se ti je prej të dërguarve. -Kjo është një dëshmi madhështore, e dhënë prej Allahut të Lartësuar për Muhamedin. Ai dëshmon se Muhamedi (a.s.) është profet i Zotit të botëve. Ndër argumentet e faktet më të qarta që vërtetojnë se Muhamedi (a.s.) ishte profet i Zotit të gjithësisë, janë edhe këto ngjarje historike të kohës së hershme, për të cilat Muhamedi nuk dinte asgjë më parë. Në këto rrëfime flitet për profetët e Zotit, për pasuesit e tyre të denjë, për armiqtë e profetëve, për luftërat e zhvilluara në rrugën e Zotit etj. Nëse Allahu i Lartësuar nuk do t'ia shpallte atij këto ngjarje, ai vetë nuk do të kishte mundësi që t'i tregonte me aq vërtetësi, imtësi dhe saktësi, sepse si ai, si populli i tij, mes të cilit jetonte, nuk kishin asnjë lloj njohurie rreth atyre ngjarjeve. Kjo tregon se, me të vërtetë, ai ishte profet i zgjedhur prej Zotit të botëve. Ai ishte profet që nuk fliste nga mendja e vet, por thoshte atë që dëgjonte, atë që i shpallej prej Allahut. Ai ishte Profeti i madh, të cilin Zoti e dërgoi me të vërtetën e sigurt, me fenë e përkryer, për ta bërë të triumfojë mbi çdo fe tjetër, edhe pse këtë gjithashtu gjë e urrejnë idhujtarët.***Në ngjarjen e mësipërme ka shumë mësime për ata që dinë të mendojnë. Kështu, nëse një popull kërkon të përparojë dhe të arrijë synimet e veta, është e domosdoshme që të mençurit dhe paria e tij të mblidhen së bashku dhe të diskutojnë qetësisht rreth problemeve dhe çështjeve që duan të zgjidhin. Ata duhet ta kuptojnë mirë çdo problem dhe pastaj të gjejnë rrugët e zgjidhjes së tij, duke punuar sipas rregullave dhe detyrave të vendosura. Kështu vepruan paria dhe të mençurit e bijve të Israilit, të cilët, për arritjen e qëllimeve që kishin, iu drejtuan Profetit të tyre. Ata dinin se ku ta kërkonin urtësinë dhe mënyrën për t'u bashkuar dhe për të gjetur një mënyrë të përbashkët. Vetëm duke ndjekur ato këshilla, ata do të bashkonin radhët, duke qenë të sigurt në kauzën e tyre. E vërteta qartësohet më shumë kur bëhen pyetje rreth saj. Pas përgjigjes së pyetjeve, fitohet një siguri e plotë dhe qetësuese. Kështu ndodhi edhe me bijtë e Israilit, të cilët kërkuan sqarime të hollësishme rreth meritës së Talutit për të qenë mbret i tyre. Pas përgjigjeve që morën, atyre nuk u mbeti më asnjë dyshim tjetër. Nëse te një udhëheqës bashkohen mençuria e lartë dhe fuqia e madhe, atëherë udhëheqja e tij do të jetë e përsosur dhe efikase. Nëse nuk është njëri prej këtyre elementëve, udhëheqja e tij do të jetë e mangët. Këtë mësim e përfitojmë nga fakti se Allahu i Lartësuar, për të argumentuar meritën e Talutit për të qenë mbret, thotë se i kishte dhënë atij këto dy cilësi: dijen dhe pushtetin, apo forcën për të ekzekutuar këtë dije. Po ashtu, mbështetja thjesht në forcat e veta, duke e harruar dhe shpërfillur ndihmën e Allahut, është shkak për humbje dhe dështim në çdo punë të nisur. Ndërsa kërkimi i ndihmës nga Allahu, …

Al-Baqara 2:252Listen in Qur'an →
253

۞ تِلْكَ ٱلرُّسُلُ فَضَّلْنَا بَعْضَهُمْ عَلَىٰ بَعْضٍۢ ۘ مِّنْهُم مَّن كَلَّمَ ٱللَّهُ ۖ وَرَفَعَ بَعْضَهُمْ دَرَجَٰتٍۢ ۚ وَءَاتَيْنَا عِيسَى ٱبْنَ مَرْيَمَ ٱلْبَيِّنَٰتِ وَأَيَّدْنَٰهُ بِرُوحِ ٱلْقُدُسِ ۗ وَلَوْ شَآءَ ٱللَّهُ مَا ٱقْتَتَلَ ٱلَّذِينَ مِنۢ بَعْدِهِم مِّنۢ بَعْدِ مَا جَآءَتْهُمُ ٱلْبَيِّنَٰتُ وَلَٰكِنِ ٱخْتَلَفُوا۟ فَمِنْهُم مَّنْ ءَامَنَ وَمِنْهُم مَّن كَفَرَ ۚ وَلَوْ شَآءَ ٱللَّهُ مَا ٱقْتَتَلُوا۟ وَلَٰكِنَّ ٱللَّهَ يَفْعَلُ مَا يُرِيدُ

Disa nga ata pejgamberë i kemi dekoruar më shumë se disa të tjeë. Me disa prej tyre ka folë (biseduar) Perëndia, kurse disa prej tyre i ka lartësuar në shkallë të lartë. E Isait, birit të Merjemës, i kemi dhënë dokumente të qarta dhe e kemi forcuar me Xhebrailin. Sikur të donte Perëndia, nuk do të vriteshin njerëzit që erdhën pas pejgamberëve, meqë (pasi) atyre madje u kishin zbritur argumentet, por ata u shpërndanë; disa nga ata besuan, e disa mohuan. E, sikur të donte Perëndia, ata nuk do të vriteshin mes vet, por Perëndia punon ashtu si dëshiron Ai vetë.

Këta janë të Dërguarit. Disa prej tyre i dalluam mbi të tjerët. Pati prej tyre të cilëve Allahu u foli, e disa i ngriti në gradën më të lartë. -Kështu, Allahu i Lartësuar na tregon se Ai i ka dalluar disa profetë mbi disa të tjerë. Allahu i dalloi profetët mbi njerëzit e tjerë me Shpalljen hyjnore që u zbriti dhe duke i dërguar ata si ftues të popujve në adhurimin e Allahut të madhëruar si Një dhe të vetëm. Pastaj, Allahu i Lartësuar i dalloi disa prej këtyre profetëve mbi disa të tjerë, me disa veçori. Ai i bëri ata shumë të dobishëm për njerëzimin. Disave prej tyre, Ai u foli drejtpërdrejt, pa ndërmjetësinë e melekut Xhibril, sikurse i foli Musait, të birit të Imranit (a.s.). Ndërsa Profetin e fundit, Muhamedin (a.s.), e lartësoi mbi të gjithë. Tek ai u bashkuan të gjitha cilësitë e vyera që gjendeshin të shpërndara në profetët e tjerë. Cilësitë e tij e ngritën famën dhe madhështinë e tij mbi të parët dhe të fundit.Isait, birit të Merjemes, i dhamë shenja(të qarta)... -Allahu i Lartësuar i dhuroi Isait (a.s) shenja dhe mrekulli të qarta, që dëshmonin bindshëm se ai ishte profet i zgjedhur i Tij. Ato tregonin, gjithashtu, se Isai ishte një adhurues i madh i Zotit. Isai (a.s) ishte rezultat i fjalës (Bëhu!) së Allahut të Lartësuar drejtuar Merjemes. Ai ishte një prej shpirtrave (njerëzve) që Allahu i Lartësuar e krijoi në mënyrë të mrekullueshme....dhe e përforcuam me Shpirtin e Shenjtë. -Allahu i Lartësuar e pajisi Isain (a.s.) me “Rûĥul Ķudus” - Shpirtin e Shenjtë. Rreth fjalës “Rûĥul Ķudus”, dijetarët kanë dhënë dy shpjegime, si:1. Rûĥul Ķudus quhet besimi i fortë dhe siguria tek Allahu, me të cilët Ai e fuqizoi Isain (a.s.).2. Rûĥul Ķudusquhet meleku Xhibril (a.s.). Pra, sipas këtij shpjegimi, Allahu i Lartësuar e fuqizoi Isain (a.s.) duke urdhëruar Xhibrilin (a.s.) që të qëndronte pranë tij, si ndihmë dhe mbështetje për të. Në fakt, Xhibrili (a.s.) i qëndronte vazhdimisht pranë Isait (a.s.) dhe e ndihmonte atë, me urdhrin e Zotit të gjithësisë.Sikur të donte Allahu, ata që jetuan pas tyre nuk do të luftonin mes njëri-tjetrit, pasi u kishin ardhur më parë Shenjat(të qarta). -Pas qartësimit të së vërtetës, njerëzit duhej të bashkoheshin të gjithë rreth saj, por nuk ndodhi kështu, sepse ata e kundërshtuan atë padrejtësisht:Por, ata u përçanë. Prej tyre pati që besuan, pati edhe që nuk besuan. Sikur të dëshironte Allahu, ata nuk do të luftonin mes njëri-tjetrit... -Kështu, si rezultat i kundërshtimit dhe devijimit nga e vërteta, erdhi përçarja dhe armiqësia mes tyre. Largimi nga e vërteta solli urrejtjen dhe luftërat e padrejta. Por megjithëse largimi nga e vërteta është shkak shumë i fortë që sjell urrejtjen dhe luftën, nëse Allahu i Lartësuar do të dëshironte që kjo të mos ndodhte, ajo kurrë nuk do të ndodhte. Kjo tregon se dëshira dhe urtësia e Allahut të Lartësuar qëndrojnë mbi shkaqet. Shkaqet sjellin pasojat vetëm kur nuk bien ndesh me dëshirën dhe përcaktimin e urtë dhe të drejtë të Krijuesit. Nëse dëshira dhe urtësia e Zotit kanë vendosur për diçka të caktuar, atëherë çdo shkak bëhet i pavlefshëm. Asgjë nuk mund të sjellë në ekzistencë të kundërtën e asaj që Zoti e përcakton të jetë, me urtësinë dhe drejtësinë e Tij. Prandaj i …

Al-Baqara 2:253Listen in Qur'an →
254

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓا۟ أَنفِقُوا۟ مِمَّا رَزَقْنَٰكُم مِّن قَبْلِ أَن يَأْتِىَ يَوْمٌۭ لَّا بَيْعٌۭ فِيهِ وَلَا خُلَّةٌۭ وَلَا شَفَٰعَةٌۭ ۗ وَٱلْكَٰفِرُونَ هُمُ ٱلظَّٰلِمُونَ

O besimtarë! Jepni nga ata që kemi dhuruar Na, para se të vijë Dita në të cilën nuk ka shit-blerje, as miqësi as ndërmjetësi! – mohuesit janë të vetmit ata që e tejkaluan kufirin (zullumqarë).

O ju që keni besuar! Shpenzoni një pjesë nga ajo(të mirat)që Ne ju kemi dhënë, para se të vijë një ditë, kur nuk do të ketë më as tregti, as miqësi dhe as ndërmjetësim.” -Ky urdhër për të shpenzuar vetëm një pjesë të pasurisë, është mëshirë prej Allahut të Lartësuar, i Cili i nxit besimtarët që të japin prej pasurisë së tyre, qoftë pjesën e detyrueshme, qoftë edhe të pëlqyeshme. Kjo tregon mëshirën e Tij për ta, sepse për çdo shpenzim për hir të Zotit robi do të ketë shpërblim të madh Ditën e Gjykimit, atë ditë kur çdokush do të ketë nevojë qoftë edhe për një thërrmijë mirësie, që të shpëtojë prej ndëshkimit të Xhehenemit. Atë ditë, çdo njeri do të dëshironte që të jepte si kompensim të gjithë Tokën të mbushur me flori, veç që të shpëtonte nga ndëshkimi i tmerrshëm. Por, atë ditë nuk pranohet asnjë kompensim nga krijesat. Atë ditë nuk do të bëjë dobi as i dashuri, as miku e shoku, as pushteti dhe as lidhjet e ngushta. Asgjë e asnjë nuk mund ta shpëtojë robin, as me ndërmjetësim e as me pasuri. Ajo është dita e dështimit për të humburit. Ajo është dita e dëshpërimit për të padrejtët. Atë ditë do të dëshpërohen të gjithë ata që neglizhuan të drejtat e detyrimet e tyre dhe ata të cilët nuk i dhanë hakun atij që e meritonte, domethënë ata që nuk i plotësuan detyrimet ndaj Allahut dhe detyrimet ndaj krijesave. Ata e kanë shpërfillur hallallin dhe e kanë tepruar me harame. Megjithatë, padrejtësia më e madhe është kufri, mohimi i Zotit dhe të adhuruarit e dikujt tjetër veç Tij. Adhurimet të cilat njeriu duhet t'ia përkushtojë Allahut të Lartësuar, qafiri ia përkushton dikujt tjetër, duke adhuruar krijesat, në vend të Krijuesit. Prandaj i Madhëruari thotë:Jobesimtarët - ata janë keqbërës -Nga kjo fjali kuptohet një lloj përkufizimi i padrejtësisë vetëm te këta njerëz. Pra, të padrejtët dhe keqbërësit më të mëdhenj janë pikërisht dhe vetëm mohuesit. Vërtet që kufri ose shirku është padrejtësia më e madhe, siç thotë Allahu i Lartësuar në suren Lukman: “Shirku është pa dyshim, padrejtësia më e madhe.”

Al-Baqara 2:254Listen in Qur'an →
255

ٱللَّهُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلْحَىُّ ٱلْقَيُّومُ ۚ لَا تَأْخُذُهُۥ سِنَةٌۭ وَلَا نَوْمٌۭ ۚ لَّهُۥ مَا فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ ۗ مَن ذَا ٱلَّذِى يَشْفَعُ عِندَهُۥٓ إِلَّا بِإِذْنِهِۦ ۚ يَعْلَمُ مَا بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَمَا خَلْفَهُمْ ۖ وَلَا يُحِيطُونَ بِشَىْءٍۢ مِّنْ عِلْمِهِۦٓ إِلَّا بِمَا شَآءَ ۚ وَسِعَ كُرْسِيُّهُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ ۖ وَلَا يَـُٔودُهُۥ حِفْظُهُمَا ۚ وَهُوَ ٱلْعَلِىُّ ٱلْعَظِيمُ

Perëndia është – s’ka tjetër zot përveç Tij, (i cili) jeton përgjithmonë dhe zotëron (mbi të gjitha krijesat)! Atë nuk e kaplon as kotja as gjumi! Të Atij janë të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë. Kush mund të angazhohet për ndokend pa lejën e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhë përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë në të ardhmen. Por, njerëzit, nuk dinë asgjë nga dijenia e Tij, përveç asaj që Ai ka dashur t’ua tregojë. Froni (Madhëria) e Tij përfshin qiejt dhe Tokën dhe Atij nuk i vie rëndë t’i ruajë ato. Ai është shumë i Lartë, i Madhëruar!

Ky ajet është ajeti më madhështor i Kur’ânit. Ai është ajeti më i mirë, më i vyer dhe më i dobishëm, sepse ai bart në vetvete shpjegime për çështje madhështore. Ai përmban cilësitë më të bukura të Zotit të Lartësuar. Janë të shumta hadithet e përcjella nga Profeti (a.s) për dobitë dhe mirësitë e këtij ajeti. Në këto hadithe jemi nxitur që ta shpeshtojmë leximin e këtij ajeti në gjendje dhe momente të ndryshme, madje në mënyrë të përditshme. Ne nxitemi që ta lexojmë këtë ajet në mëngjes e në mbrëmje, para gjumit, pas namazeve farze etj. Vërtet, ky ajet është shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm.Allâhu, lã ilâhe il-lâ huel Ĥaj-jul Ķaj-jûm. - “Allahu është Një! Nuk ka të adhuruar tjetër(me meritë) përveç Tij. Ai është(El Hajju)i Gjallë dhe(El Kajûm)i Përjetshëm.” -Allahu i Lartësuar na tregon për Veten e Tij, se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Tij. Askush tjetër nuk meriton të adhurohet me dashuri e madhërim, veç Allahut. Të gjitha adhurimet duhen bërë veçse për Të, sepse vetëm Ai është Absoluti në cilësitë e Tij. Mirësitë e Tij janë madhështore e të pakufishme. Vetëm Allahu e meriton të adhurohet, sepse çdo gjë tjetër është krijesë, dhe çdo krijesë e ka të domosdoshme që të jetë e nënshtruar dhe e bindur ndaj urdhrave të Tij. Robi e meriton që të jetë i nënshtruar dhe adhurues i Zotit të vet. Ai nuk duhet kurrsesi t’i shpërfillë urdhrat e Allahut dhe kurrë nuk duhet të guxojë që t'u afrohet ndalesave të Tij. Çdo gjë tjetër, veç Allahut, është e kotë dhe nuk e meriton që të adhurohet, t'i nënshtrohesh dhe t'i bindesh. Çdo gjë, veç Krijuesit, është krijesë, dhe si e tillë, ajo është e mangët e nënshtruar dhe nevojtare në çdo aspekt për kujdesin e Krijuesit të saj. E si mund t'i adhurosh krijesat?! Asnjë lloj adhurimi nuk lejohet që t'ua përkushtosh krijesave. El Haj-ju dhe El Kaj-jûm janë dy emrat më të mëdhenj të Allahut. Ata përmbajnë në vete të gjithë emrat dhe cilësitë e Zotit të gjithësisë, nëse i sheh në dy aspektet e tyre kuptimore: në aspektin e drejtpërdrejtë dhe në aspektin e nënkuptuar. Kështu, në kuptimin e drejtpërdrejtë, El Haj-ju quhet ai që gëzon jetën e plotë nga çdo aspekt, pa asnjë mangësi. Nëse Allahu ka këtë emër dhe cilësi, atëherë kjo nënkupton patjetër që duhet të ketë edhe cilësi të tjera absolute të Qenies së Tij, sikurse janë: të dëgjuarit, të shikuarit, dituria, pushteti, fuqia etj., sepse ndryshe Ai nuk do ta meritonte të quhej El Haj-ju, me kuptimin e plotë të kësaj fjale. Emri i Allahut El Kaj-jûm tregon se Ai nuk ka nevojë për asgjë dhe për asnjë përkujdesje, ndërkohë që gjithçka tjetër ka nevojë për përkujdesjen e Tij. Ky është kuptimi i drejtpërdrejtë i emrit El Kaj-jûm. Nga ana tjetër, prej kuptimit të këtij emri rrjedh se Allahu, që quhet i tillë, duhet të ketë edhe emra e atribute të tjera që tregojnë se Ai është absolut në veprat e Tij. Çdo vepër e Zotit për të cilën Ai vetë na e ka përshkruar në Kur’ân ose nëpërmjet Profetit të Tij, është tregues dhe rrjedhojë e të qenurit të Tij El Kaj-jûm. Nuk ka cilësi absolute që të mos i përkasë El Kaj-jûm-it, sepse emri El Kaj-jûm kërkon që të jesh i cilësuar me atribute, të cilat tregojnë madhështinë dhe përsosmërinë e veprave dhe të urtësisë. Këtu …

Al-Baqara 2:255Listen in Qur'an →
256

لَآ إِكْرَاهَ فِى ٱلدِّينِ ۖ قَد تَّبَيَّنَ ٱلرُّشْدُ مِنَ ٱلْغَىِّ ۚ فَمَن يَكْفُرْ بِٱلطَّٰغُوتِ وَيُؤْمِنۢ بِٱللَّهِ فَقَدِ ٱسْتَمْسَكَ بِٱلْعُرْوَةِ ٱلْوُثْقَىٰ لَا ٱنفِصَامَ لَهَا ۗ وَٱللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

S’ka shtrëngim në fe se me të vërtetë është dalluar e drejta nga e shtrembëta! Ai që i mohon putat (të këqijat) dhe beson në Perëndinë – ai ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. – Se Perëndia i dëgjon të gjitha dhe di çdo gjë.

Nuk ka detyrim në fe. Është sqaruar e vërteta nga e kota. -Allahu i Lartësuar na tregon se në fe nuk duhet të ketë dhunë, sepse është diçka e panevojshme. Dhuna apo detyrimi me pahir bëhet veçse për çështje të errëta, të papranueshme, me shenja e argumente të paqarta, ose për ndonjë çështje shumë të urryer për shpirtin. Ndërsa kjo fe e drejtë është shumë e qartë, e pranueshme dhe e kuptueshme për shpirtin. Bazat e saj janë shumë të qarta. Rrugët e transmetimit të saj deri tek ne janë të sigurta dhe të verifikueshme. Çështjet e Islamit janë të shtjelluara e të shpjeguara shumë qartë. Me këtë fe është ndarë e drejta nga e gënjeshtërta. Mjafton për një njeri të mençur që t'i hedhë vetëm një vështrim të shkurtër kësaj feje, dhe patjetër që do ta pëlqejë dhe do ta dëshirojë për veten e vet. Ndërsa qëllimprishurit apo shpirtzinjtë e shohin qartë të vërtetën, por me vetëdije zgjedhin të kotën. Ata e shohin të mirën, por shkojnë tek e shëmtuara. Të tillë njerëz nuk ia vlen të detyrohen për të pranuar këtë fe madhështore. Allahu nuk ka nevojë për adhurimin e askujt, aq më tepër, të këtyre të prishurve. Nuk është e nevojshme që këta të detyrohen të pranojnë fenë e Allahut, sepse është e padobishme dhe e pafrytshme. Kush e pranon fenë i detyruar, nuk e ka besimin të saktë, madje e ka të papranueshëm. Megjithatë, ky ajet nuk tregon aspak se lufta ndaj qafirëve agresorë është e ndaluar. Kuptimi i tij është se kjo fe, me mrekullinë e saj, e bën çdo mendjekthjellët e zemërpastër që ta pranojë me vullnet të lirë atë, pa qenë e nevojshme që të detyrohet me forcë për një gjë të tillë. Këtu nuk ceket aspak çështja e luftës kundër qafirëve, e cila trajtohet në ajete të tjera. Ky ajet mund të shërbejë si argument që fakton se lejohet marrja e xhizjes edhe nga jomuslimanët e tjerë, sikurse merret prej të krishterëve e çifutëve, sikurse thonë shumë dijetarë.Kush e braktis tagut-in dhe beson Allahun, ai është kapur pas lidhjes më të fortë, e cila kurrë nuk këputet -Ai që mohon dhe refuzon adhurimin e gjithçkaje tjetër veç Allahut, dhe i largohet bindjes dhe pasimit të rrugës së shejtanit, dhe pastaj beson sinqerisht Allahun, duke patur një iman të pastër, që e nxit për ta adhuruar dhe për t'iu bindur plotësisht Zotit të tij, pra, ky njeri është lidhur fort me fenë e drejtë dhe të saktë. Ai ka përqafuar fenë, themelet e së cilës janë të patundshme. Kush e pranon këtë fe do të jetë shumë i sigurt dhe i qartë në rrugën e tij, sepse ai është kapur fort pas një lidhjeje që nuk këputet dhe që nuk të lë kurrë në baltë. Ndërsa çdokush tjetër që vepron të kundërtën, e ka zgjidhur e lëshuar këtë lidhje, që është e vetmja mundësi shpëtimi dhe ruajtjeje nga ndëshkimi i përjetshëm. Çdokush që mohon Allahun dhe adhuron idhujt (tagut), shpreson veçse diçka të kotë, që e ka përfundimin në Zjarrin e përjetshëm.Allahu Dëgjon e Di gjithçka -Allahu di çdo gjë dhe synimet e çdokujt. Ai do ta shpërblejë secilin me drejtësi, sipas veprave që ka bërë dhe sipas qëllimeve që ka patur. Qoftë ata që u lidhën me të vërtetën dhe ndoqën rrugën e drejtë, qoftë ata që e shpërfillën dhe e lëshuan atë lidhje, të gjithë do të marrin shpërblimin që meritojnë. Më pas, Allahu i Lartësuar na tregon …

Al-Baqara 2:256Listen in Qur'an →
257

ٱللَّهُ وَلِىُّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ يُخْرِجُهُم مِّنَ ٱلظُّلُمَٰتِ إِلَى ٱلنُّورِ ۖ وَٱلَّذِينَ كَفَرُوٓا۟ أَوْلِيَآؤُهُمُ ٱلطَّٰغُوتُ يُخْرِجُونَهُم مِّنَ ٱلنُّورِ إِلَى ٱلظُّلُمَٰتِ ۗ أُو۟لَٰٓئِكَ أَصْحَٰبُ ٱلنَّارِ ۖ هُمْ فِيهَا خَٰلِدُونَ

Perëndia është mik dhe ndihmëtar, i atyre që besojnë dhe Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë, ndërsa ata, që nuk besojnë – për mik kanë djallin, i cili i nxjerr ata nga drita e i shpie në errësirë. Këta janë banorët e skëterrës, ku do të qëndrojnë aty përgjithmonë.

Allahu është Mbrojtësi(i dashur)i atyre që besojnë... -Allahu është i dashuri i atyre që besojnë, sepse ata e kanë zgjedhur Allahun si të adhuruarin dhe të dashurin e tyre. Ata e kanë pranuar dhe janë të kënaqur që Ai të jetë i dashuri dhe kujdestari i çështjeve të tyre. Ata nuk e largojnë për asnjë çast vëmendjen, përkushtimin dhe dashurinë e tyre prej Tij. Ata nuk adhurojnë asnjë e asgjë tjetër, veç Tij. Vetëm Atij i shprehin dashurinë dhe madhërimin e tyre të plotë. Për hir të kësaj dashurie për Allahun, ata i përmirësojnë veprat e fjalët e tyre. Për hir të Zotit, ata i shfaqin urrejtjen dhe armiqësinë jobesimtarëve, armiqve të Tij. Nga ana tjetër, Allahu i Lartësuar i ka dalluar e veçuar ata me dashurinë dhe mirësitë e Tij....dhe i nxjerr ata prej errësirave në dritë. -Prej mëshirës dhe dashurisë së Allahut për ta, është edhe udhëzimi i tyre në rrugën e drejtë, duke i nxjerrë ata prej errësirave në dritë. Errësirat që mbulojnë njerëzit janë të shumta: errësira e kufrit, errësira e mosbindjes ndaj Zotit të Lartësuar, errësira e injorancës etj. I Dashuri i besimtarëve i shpëtoi ata prej këtyre errësirave, duke i nxjerrë ata në dritën e qartë të besimit, bindjes ndaj Tij dhe në dritën e dijes së dobishme, të sigurt e të vërtetë të ardhur prej Tij. Shpërblimi ndaj punëmirëve është i shumëfishtë. Ata do të jenë të sigurt, të qetë e të ruajtur nga tmerri i errësirës së varrit dhe errësirës së Ditës së Ringjalljes. Ata do të jenë të ruajtur prej këtyre errësirave, për t’u lumturuar me mirësinë e përjetshme, në kënaqësitë e pafund. Ata do të shijojnë përgjithmonë gëzimin e dhuruar prej të Dashurit të tyre, Allahut Mëshirëplotë.Për ata që nuk besojnë kujdestarë janë shejtanët... -Miku i atyre që mohojnë Zotin e gjithësisë është Shejtani i mallkuar, i dëbuar nga mëshira e të Madhërishmit. Ata e kanë zgjedhur Shejtanin dhe ushtrinë e tij si mikun dhe të dashurin e tyre. Ata i kanë shprehur atij dashurinë dhe nënshtrimin e tyre, në vend që këtë ta bënin për Krijuesin, që aq shumë përkujdeset për ta. Për shkak të asaj padrejtësie nga ana e tyre, Allahu i Lartësuar u la shejtanëve rrugë të lirë kundër këtyre mosmirënjohësve....të cilët i nxjerrin ata prej drite për t'i futur në errësira. -Për këtë arsye, ata i zhysin mohuesit thellë e më thellë në mosbindjen dhe poshtërsitë e tyre ndaj Krijuesit. Ata vazhdimisht i nxisin ata në rrugët e së keqes, për të mos dalë kurrë prej tyre. Ata i privojnë miqtë e tyre nga drita e besimit, e bindjes ndaj Zotit dhe e dijes së dobishme, që të udhëzon në çdo të mirë të dynjasë dhe ahiretit. Ata i zhysin miqtë e tyre thellë e më thellë në errësirat e mohimit, mosbindjes ndaj Zotit dhe injorancës rreth çdo të mire. Ndëshkimi i tyre në këtë jetë do të jetë, si fillim, privimi nga të mirat dhe dhuratat e Zotit të gjithësisë. Ata i kanë humbur përfundimisht mirësitë e përjetshme, gëzimin dhe lumturinë që do të shijojnë besimtarët, të dashurit e Zotit, sepse ata vetë kanë parapëlqyer dashurinë dhe miqësinë me Shejtanin dhe ushtrinë e tij. Dhe më pas, ata do të ringjallen sërish bashkë, por tashmë duke vuajtur ndëshkimin e përjetshëm të ahiretit. Prandaj thotë i Madhëruari:Këta janë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë …

Al-Baqara 2:257Listen in Qur'an →
258

أَلَمْ تَرَ إِلَى ٱلَّذِى حَآجَّ إِبْرَٰهِۦمَ فِى رَبِّهِۦٓ أَنْ ءَاتَىٰهُ ٱللَّهُ ٱلْمُلْكَ إِذْ قَالَ إِبْرَٰهِۦمُ رَبِّىَ ٱلَّذِى يُحْىِۦ وَيُمِيتُ قَالَ أَنَا۠ أُحْىِۦ وَأُمِيتُ ۖ قَالَ إِبْرَٰهِۦمُ فَإِنَّ ٱللَّهَ يَأْتِى بِٱلشَّمْسِ مِنَ ٱلْمَشْرِقِ فَأْتِ بِهَا مِنَ ٱلْمَغْرِبِ فَبُهِتَ ٱلَّذِى كَفَرَ ۗ وَٱللَّهُ لَا يَهْدِى ٱلْقَوْمَ ٱلظَّٰلِمِينَ

A nuk ke dëgjuar ti për atë që u fjalos me Ibrahimin për Zotin e tij: përse Perëndia i kishte dhënë pushtet (ai – Nemrudi, u bë arrogant). Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje”. Ai tha: “Unë ngjalli e mbyti”. Ibrahimi pastaj i tha: “E Perëndia e sjell Diellin prej lindjes, andaj sille ti prej perëndimit!” Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojë hapët. Se Perëndia nuk i udhëzon ata që janë këmbëngulës e kryeneq në të keq.

A nuk e ke parë atë që polemizoi me Ibrahimin rreth Zotit të tij, pasi Allahu i kishte dhënë pushtet të madh? -Domethënë, a ke mësuar, a di për injorancën, paturpësinë dhe kokëfortësinë e atij që polemizonte për çështje që nuk lënë vend për dyshime? Ai u tregua i tillë veçse për një shkak: sepse Allahu i kishte dhënë pushtet e pasuri të madhe. Kjo e kishte bërë atë që të kalonte kufijtë dhe të ishte mizor me popullin e tij. Arroganca e kishte shtyrë, gjithashtu, që të polemizonte me Ibrahimin (a.s.) rreth Zotit të gjithësisë, duke pretenduar, madje, se ishte i barabartë me Zotin dhe mund të bënte gjithçka që bënte edhe Zoti.Kur Ibrahimi tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje!” -Ibrahimi (a.s.) i tregoi një fakt shumë të rëndësishëm për t’u kuptuar: se Allahu ka pushtetin absolut për të administruar çdo çështje, se në dorën e Tij është gjithçka. Për ta sqaruar këtë, Ibrahimi (a.s.) u mjaftua duke përmendur një nga fuqitë më të mëdha që janë në dorën e Zotit: dhënien e jetës dhe marrjen e saj. Dhënia e jetës është zanafilla e saj në këtë dynja, ndërsa vdekja shënon fillimin e dytë të jetës: atë të ahiretit. Por ky polemizues kryeneç përgjigjet:Ai tha: “Edhe unë jap jetë dhe shkaktoj vdekje!” -Po ta vështrojmë me kujdes, ai nuk ka thënë: “Unë jam ai që jap jetë dhe jap vdekje”. Pra, ai po dredhonte në mënyrën e argumentimit, duke bërë lojra fjalësh. Ai kurrsesi nuk mund të pretendonte se dhënia e jetës apo vdekja ishin në dorën e tij. Ai mendonte se, duke urdhëruar që një njeri të ekzekutohej, në këtë mënyrë kishte dhënë vdekjen, dhe nëse urdhëronte që të lihej gjallë, në këtë mënyrë kishte dhënë jetë. Kështu, ai mendonte se bënte të njëjtën gjë si edhe Allahu i Lartësuar. Por ky krahasim nuk ishte aspak i drejtë dhe i pranueshëm për një polemikë. Kur Ibrahimi (a.s.) e pa se ai nuk po polemizonte sipas rregullave dhe nuk po bënte asnjë argumentim të drejtë, i solli atij një tjetër fakt, të cilit ai nuk mund t’i bënte bisht apo ta kalonte me lojra fjalësh.Ibrahimi tha: “Zoti im e sjell diellin nga lindja, sille ti nga perëndimi!” -Kështu, Ibrahimi (a.s.), duke marrë në konsideratë mënyrën argumentuese të kundërshtarit, i tha se meqë Allahu e sjell diellin nga lindja, le ta sillte ai nga perëndimi. Me fjalë të tjera: “Nëse vërtet mendon se ti ke pushtet të barabartë me Zotin dhe mund të kryesh çdo gjë që e kryen Zoti, atëherë bëje këtë që të them. Sille diellin nga perëndimi!” Përpara kësaj sfide të Ibrahimit, kundërshtari mbeti i habitur dhe i çarmatosur.Atëherë, ai që nuk besonte mbeti i hutuar. -Pra, u çorodit, u turbullua dhe nuk mund të kthente një përgjigje. Me kaq, polemika mori fund dhe dyshimet e tij u hodhën poshtë. Çdo kryeneç e arrogant që kërkon të kundërshtojë të vërtetën, do të ketë gjithmonë të njëjtin përfundim. Ai gjithmonë ka për të qenë i mposhtur, sepse Allahu i Lartësuar thotë:Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit e padrejtë. -Pra, Allahu do t'i lërë ata gjithmonë të zhytur në kufrin dhe humbjen e tyre, sepse kjo është vetë zgjedhja e tyre. Ata e kanë zgjedhur me vullnet humbjen dhe mohimin. Nëse ata do të kërkonin udhëzimin dhe rrugën e drejtë, Allahu i Lartësuar do t'u mundësonte atyre çdo mënyrë dhe …

Al-Baqara 2:258Listen in Qur'an →
259

أَوْ كَٱلَّذِى مَرَّ عَلَىٰ قَرْيَةٍۢ وَهِىَ خَاوِيَةٌ عَلَىٰ عُرُوشِهَا قَالَ أَنَّىٰ يُحْىِۦ هَٰذِهِ ٱللَّهُ بَعْدَ مَوْتِهَا ۖ فَأَمَاتَهُ ٱللَّهُ مِا۟ئَةَ عَامٍۢ ثُمَّ بَعَثَهُۥ ۖ قَالَ كَمْ لَبِثْتَ ۖ قَالَ لَبِثْتُ يَوْمًا أَوْ بَعْضَ يَوْمٍۢ ۖ قَالَ بَل لَّبِثْتَ مِا۟ئَةَ عَامٍۢ فَٱنظُرْ إِلَىٰ طَعَامِكَ وَشَرَابِكَ لَمْ يَتَسَنَّهْ ۖ وَٱنظُرْ إِلَىٰ حِمَارِكَ وَلِنَجْعَلَكَ ءَايَةًۭ لِّلنَّاسِ ۖ وَٱنظُرْ إِلَى ٱلْعِظَامِ كَيْفَ نُنشِزُهَا ثُمَّ نَكْسُوهَا لَحْمًۭا ۚ فَلَمَّا تَبَيَّنَ لَهُۥ قَالَ أَعْلَمُ أَنَّ ٱللَّهَ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ قَدِيرٌۭ

Ose a nuk ke dëgjuar për atë, i cili duke kaluar pranë një qyteti të rrënuar për tokë thirri: “Si do t’i ngjallë Perëndia këta që kanë vdekur?” Dhe Perëndia e vdiq atë për njëqind vjet e pastaj e ringjalli atë dhe e pyeti: “Sa kohë ke ndejtur këtu?” – Ai u përgjegj: “Një ditë ose gjysmë dite”. – “Jo” – i tha Perëndia, “por ke ndejtur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde, - që nuk është prishur; e shikoje edhe gomarin tënd; andaj të bëmë ty dokument (dëshmi) të ringjalljes për njerëzit; e kqyri edhe eshtrat, - shih si i mbërthejmë (lidhim), e pastaj i veshim me mish”. E, kur atij iu bë e qartë, ai thirri: “Unë e di se Perëndia është i Plotëfuqishëm për çdo gjë!”

Edhe ky është një argument tjetër që tregon se Allahu i Lartësuar është i Vetëm në pushtetin e tij mbi krijesat. Ai është i Vetmi që jep jetën dhe vdekjen dhe që përkujdeset për gjithçka.Po për atë që kaloi pranë një vendbanimi të rrënuar që nga themelet dhe tha:.. -Ky njeri shkoi pranë një vendbanimi të rrënuar e pa banorë. Shtëpitë ishin të shëmbura, ndërsa të gjithë banorët kishin vdekur. Aty kishte humbur çdo shenjë jete. Vendi kishte një pamje të shkretë dhe të frikshme. Duke parë këtë skenë, ky njeri tha:E si mund ta risjellë Allahu në jetë këtë, pas këtij shkatërrimi? -Ai e shihte shumë të vështirë një gjë të tillë, për shkak të padijes që kishte rreth pushtetit dhe fuqisë së Allahut të Lartësuar. Megjithatë, Allahu i Lartësuar, duke dashur të mirën për këtë njeri, i tregoi atij një shenjë në veten e tij dhe në gomarin që ai mbante me vete. Njeriu kishte me vete edhe ca ushqim e pije. Kështu, i Lartësuari tregon:Allahu e la atë të vdekur për njëqind vjet, pastaj e ringjalli dhe i tha: “Sa qëndrove ashtu(i vdekur)?” Ai tha: “Një ditë, ose një pjesë të ditës.” -Njeriut iu duk një kohë shumë e shkurtër, sepse ai i kishte humbur të gjitha ndjesitë gjatë vdekjes, pas së cilës u ringjall në të njëjtën periudhë të vitit me kohën kur vdiq.Allahu i tha: “Jo, ti ke ndenjur ashtu për njëqind vjet. Shikoje ushqimin dhe pijen tënde! Ato nuk janë prishur fare.” -Pra, ato nuk kishin ndryshuar aspak gjendjen e tyre, ndonëse kishin kaluar gjithë ato stinë e vite. Kjo dëshmon për fuqinë e Allahut, i Cili i ruajti ushqimin dhe pijen që të mos ndikoheshin nga faktori kohë dhe të mos prisheshin. Dihet që ushqimi dhe pija janë gjëra që prishen shumë shpejt.Shikoje edhe gomarin tënd! -Gomari i tij kishte ngordhur dhe ishte tretur tërësisht. Atij i kishin dalë kockat, të cilat i ishin shpërbërë dhe i ishin shpërndarë andej-këtej.E për të bërë ty argument për njerëzit... -Kuptimi: Allahu i Lartësuar do ta bëjë këtë njeri argument për njerëzit, duke treguar qartë fuqinë e plotë të Tij për të ringjallur të vdekurit nga varri. Kjo provë do të shihej me sy dhe do të përjetohej në realitet. Allahu i Lartësuar e bëri këtë, që të vërtetonte fjalët e profetëve rreth ringjalljes dhe Ditës së Llogarisë....shiko se si i lidhim sërish eshtrat dhe pastaj i veshim me mish! -Kuptimi: shikoji kockat, se si i lidhim me njëra tjetrën. Pastaj shikoje me sytë e tu se si Allahu i Lartësuar do t’i veshë me mish ato kocka të lidhura, sikurse urdhëron Ai.Kur atij iu bë e qartë kjo, tha: “U binda se Allahu është vërtet i Plotfuqishëm për gjithçka!” -Nga kuptimi i drejtpërdrejtë i ajetit shihet se ky burrë nuk e besonte ringjalljen. Megjithatë, Allahu i Lartësuar deshi që ta udhëzonte dhe ta bënte atë shembull për njerëzit e tjerë. Ky shpjegim mbështetet në tri fakte: Së pari, ai njeri tha: “E si mund ta risjellë Allahu në jetë këtë, pas këtij shkatërrimi?” Nëse do të ishte një profet apo adhurues i mirë i Zotit, ai nuk do ta thoshte kurrë një gjë të tillë. Së dyti, Allahu i Lartësuar i shfaqi disa shenja te ushqimi e pija, te gomari dhe te vetja e tij, që ai ta shihte të vërtetën me sytë e tij, dhe ta besojnte atë që e mohonte. Në ajet nuk thuhet gjë se atij fshati iu kthye jeta apo …

Al-Baqara 2:259Listen in Qur'an →
260

وَإِذْ قَالَ إِبْرَٰهِۦمُ رَبِّ أَرِنِى كَيْفَ تُحْىِ ٱلْمَوْتَىٰ ۖ قَالَ أَوَلَمْ تُؤْمِن ۖ قَالَ بَلَىٰ وَلَٰكِن لِّيَطْمَئِنَّ قَلْبِى ۖ قَالَ فَخُذْ أَرْبَعَةًۭ مِّنَ ٱلطَّيْرِ فَصُرْهُنَّ إِلَيْكَ ثُمَّ ٱجْعَلْ عَلَىٰ كُلِّ جَبَلٍۢ مِّنْهُنَّ جُزْءًۭا ثُمَّ ٱدْعُهُنَّ يَأْتِينَكَ سَعْيًۭا ۚ وَٱعْلَمْ أَنَّ ٱللَّهَ عَزِيزٌ حَكِيمٌۭ

E, kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregom si i ngjallë Ti të vdekurit!” – Zoti tha: “A nuk ke besuar?” – “Unë kam besuar” – u përgjegj Ibrahimi, “por po dëshiroj të më qetësohet zemra (duke e parë mënyrën e ringjalljes)”. Perëndia i tha: “Merri katër zogj, afroi pranë veti (therri e coptoji), e shpërndaji në çdo kodër nga një copë prej tyre, e pastaj thirri! Ata do të vijnë me të shpejtë. Dije, se Perëndia është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.

Po kur Ibrahimi tha: “Zoti im! Më mundëso të shoh se si i ngjall të vdekurit!” -Edhe kjo ngjarje është një dëshmi e qartë, që vërteton pushtetin absolut të Allahut të Lartësuar për të ringjallur të vdekurit, për t'i marrë në përgjegjësi dhe për t'i shpërblyer me drejtësi. Kështu, Allahu i Lartësuar na tregon se si i dashuri dhe i zgjedhuri i Tij, Ibrahimi (a.s.), i kërkoi Atij që ta shihte me sy se si bëhej ringjallja e të vdekurve. Ibrahimi (a.s.) ishte plotësisht i sigurt se Allahu i Lartësuar kishte mundësi ta bënte atë, porse ai dëshironte që këtë të vërtetë të sigurt ta shihte me sytë e tij, që të arrinte një gradë më të lartë sigurie. Ai donte të fitonte atë që quhet “ajnul jaķîn”, sigurinë e shikimit me sy të kësaj të vërtete të padiskutueshme. Allahu i Lartësuar i tha:Ai(Zoti)i tha: “A nuk beson?!” Ai(Ibrahimi)u përgjigj: “Sigurisht që besoj, por desha që zemrës time t'i shtohej bindja.” -Ibrahimi (a.s.) gjithmonë hulumtonte që të zbulonte argumente sa më të qarta dhe të sigurta, nëpërmjet të cilave të fuqizonte imanin dhe të përkryente jakin-in. Kështu veprojnë të mëdhenjtë e të mençurit. Zoti i tij iu përgjigj kësaj kërkese të madhe.Ai(Zoti)tha: “Merr katër shpendë dhe copëtoji, e pastaj, në çdo kodër vendos nga një pjesë të tyre! Pastaj thirru atyre, dhe ata kanë për të ardhur me shpejtësi!” -Allahu i Lartësuar e urdhëroi që të merrte katër zogj, t'i copëtonte dhe t’i shpërndante copat e tyre në kodrat përreth, që të mund të shikonte më pas me sytë e tij ringjalljen e tyre. Pastaj i tha që t’u thërriste atyre copave pa jetë, dhe ato, menjëherë pas kësaj thirrjeje, do të merrnin jetë të plotë dhe do të bashkoheshin ashtu si më parë, duke fluturuar drejt Ibrahimit (a.s.). Profeti Ibrahim (a.s.) i kreu të gjitha porositë e Allahut dhe e pa me sytë e tij atë që kërkoi të shihte. Ky, në fakt, ishte veç një tregues shumë i vogël i pushtetit dhe fuqisë që ka Allahu i Lartësuar në qiej dhe në tokë, të cilin Ai ia tregoi haptazi Ibrahimit (a.s.). Pastaj Allahu i Lartësuar i tha Ibrahimit (a.s.):“Dije se Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë”. -Allahu është i Plotfuqishëm. Ai ka fuqi të sjellë në ekzistencë çdo gjë. Asgjë nuk mund të dalë jashtë kontrollit dhe pushtetit të Tij. Gjithçka është e nënshtruar ndaj pushtetit dhe madhështisë së Tij dhe asgjë nuk del jashtë Urtësisë së Tij. Ai nuk bën asgjë pa një qëllim të caktuar dhe pa urtësi të madhe. Pastaj thotë i Lartësuari:

Al-Baqara 2:260Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.