Muslim99Muslim99
← Tafsir library

2. Al-Baqara

The Cow · Medinan · 286 ayahs

سُورَةُ البَقَرَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 211–220 of 286

211

سَلْ بَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ كَمْ ءَاتَيْنَٰهُم مِّنْ ءَايَةٍۭ بَيِّنَةٍۢ ۗ وَمَن يُبَدِّلْ نِعْمَةَ ٱللَّهِ مِنۢ بَعْدِ مَا جَآءَتْهُ فَإِنَّ ٱللَّهَ شَدِيدُ ٱلْعِقَابِ

Pyeti bijt e Israelit: sa ajete (argumente) të qarta u kemi dërguar Ne atyre? – E, ata që mohojnë të mirat e Perëndisë, pasi që u janë dërguar (do të dënohen), se Perëndia, me të vërtetë është ndëshkues i rreptë.

Pyeti bijtë e Israilit se sa shumë argumente të qarta u kemi dhënë atyre. -Kuptimi: Sa e sa argumente të qarta u kemi dhënë, që vërtetojnë sinqeritetin e profetëve që kemi dërguar tek ata. Në fakt, ata i njohën dhe i kuptuan mirë argumentet e Zotit, por, megjithatë, nuk treguan mirënjohje ndaj Tij. Ata i shpërfillën mirësitë e Zotit, duke i mohuar ato dhe duke mos u bindur. Kështu, ata e merituan që Allahu i Lartësuar të zbriste ndëshkimin e Tij mbi ta dhe të mos u caktonte pjesë në shpërblimet e Tij të mëdha.E kush i mohon të mirat e Allahut, pasi i janë dërguar, të jetë i sigurt se Allahu e ka ndëshkimin të ashpër. -Pra, me fjalë të tjera, Allahu i Lartësuar deklaron se atyre që begatohen me mirësi të dynjasë apo edhe me iman, dhe nuk shprehin mirënjohje ndaj Tij, atyre do t’u zhduken këto mirësi. Çdo mirësi së cilës nuk i jepet haku i mirënjohjes është e destinuar që të largohet dhe të shndërrohet në të kundërtën e saj, sepse në vend të mirënjohjes për të, në zemrën e robit ka zënë vend mosmirënjohja dhe mohimi. Pra, me mosmirënjohjen e tij, bëri që në vend të mirësive të mbizotërojnë të këqijat. Ndërsa atyre që e falënderojnë Allahun për mirësitë e dhuruara, jo vetëm që nuk u largohen ato mirësi që kanë, por ato u shtohen vazhdimisht nga Allahu i Lartësuar dhe Bujar.

Al-Baqara 2:211Listen in Qur'an →
212

زُيِّنَ لِلَّذِينَ كَفَرُوا۟ ٱلْحَيَوٰةُ ٱلدُّنْيَا وَيَسْخَرُونَ مِنَ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ ۘ وَٱلَّذِينَ ٱتَّقَوْا۟ فَوْقَهُمْ يَوْمَ ٱلْقِيَٰمَةِ ۗ وَٱللَّهُ يَرْزُقُ مَن يَشَآءُ بِغَيْرِ حِسَابٍۢ

Atyre që nuk kanë besuar u është hijeshua jeta e kësaj bote, ndaj tallen me besimtarët. Por ata që janë ruajtur nga mohimi i mëkatevet do të jenë mbi ata në Ditën e Kijametit. – E, Perëndia i bagaton pa kufi ata që i don Ai.

Atyre që nuk besojnë u është hijeshuar jeta e kësaj bote e tallen me ata që besojnë.. -Këtu flitet për ata që mohojnë Allahun, që shpërfillin argumentet e Tij, nuk u binden profetëve të Tij dhe nuk i nënshtrohen ligjit të Tij. I Madhëruari na tregon se këtyre njerëzve u është zbukuruar dhe u është bërë shumë e dashur kjo botë. Ajo është bërë shumë e dashur për zemrat e tyre dhe shumë e bukur për sytë e tyre. Ata e gjejnë prehjen dhe kënaqësinë në këtë botë. Dëshirat, ëndrrat, qëllimet dhe veprat e tyre janë të lidhura vetëm me të. Ata i përkushtohen kësaj jete totalisht, dhe me të gjithë qenien e tyre. Ata janë gjithnjë të zënë me grumbullimin e të mirave të saj. Në zemrat e tyre kjo botë zë një vend mjaft të rëndësishëm. Ata i adhurojnë bukuritë e saj dhe nderojnë këdo që arrin të grumbullojë shumë prej saj. Ndërsa me besimtarët, të cilët nuk e vlerësojnë dynjanë më shumë sesa e meriton, ata tallen e thonë: “Këta na qenkan të zgjedhurit e Zotit?! Këta ka zgjedhur Zoti për t’u falur mirësi?!” Shikoni se sa i mangët është vështrimi i tyre për jetën. Ata mendojnë se njerëzit më të mirë janë ata që kanë më tepër pasuri. Por këta të mjerë nuk e dinë se dynjaja është veç një vend sprove, për të bërë sa më shumë vepra të mira. A nuk e shohin ata se në këtë jetë goditen me fatkeqësi edhe besimtarët, edhe mohuesit? Por besimtarët, edhe kur sprovohen me ndonjë fatkeqësi, imani i ndihmon që të bëjnë durim, duke llogaritur shpërblimin nga Allahu. Imani ua lehtëson atyre përballimin e sprovave të dynjasë, gjë e cila nuk ndodh aspak me jobesimtarët. Përfundimisht, Allahu i Lartësuar nuk i mat gradat e njerëzve me pasuri apo me ofiqe të kësaj dynjaje, por Ai sheh vetëm devotshmërinë ndaj Tij. Megjithatë, këto grada do të duken qartë në Ditën e Kijametit, siç thotë Allahu i Lartësuari:Por ata që e ruajnë devotshmërinë do të qëndrojnë sipër tyre Ditën e Kijametit. -Atë ditë do të duken gradat e larta dhe njerëzit që i meritojnë ato. Më lart do të qëndrojnë ata që janë të pajisur me devotshmëri, të cilët i ruhen zemërimit dhe ndëshkimit të Zotit të tyre duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, të shtyrë nga madhërimi dhe dashuria për Atë. Të tillët do të shijojnë çdo lloj kënaqësie dhe do të jenë të lumtur. Ndërsa qafirët do të jenë shumë poshtë, të zhytur në shtresat më të ulëta të zjarrit të Xhehenemit. Atje do të vuajnë pa fund ndëshkimin, poshtërimin dhe dëshpërimin përjetësisht, sepse e meritojnë. Kështu, ky ajet është njëkohësisht sihariq për besimtarët dhe kërcënues për qafirët. Mirësitë e kësaj bote dhe të tjetrës janë në dorë të Zotit, i Cili i shpërndan ato sipas urtësisë së Tij:Allahu begaton pa masë atë që Ai dëshiron. -Mirësitë e kësaj bote u jepen edhe besimtarëve, edhe qafirëve, ndërsa mirësitë që kanë të bëjnë me zemrën, siç janë dija e sigurt dhe e dobishme, imani i fortë, dashuria për Allahun, shpresa për shpërblimin e Tij dhe frikërespekti ndaj Tij u jepen veçse të nderuarve, të përzgjedhurve.

Al-Baqara 2:212Listen in Qur'an →
213

كَانَ ٱلنَّاسُ أُمَّةًۭ وَٰحِدَةًۭ فَبَعَثَ ٱللَّهُ ٱلنَّبِيِّۦنَ مُبَشِّرِينَ وَمُنذِرِينَ وَأَنزَلَ مَعَهُمُ ٱلْكِتَٰبَ بِٱلْحَقِّ لِيَحْكُمَ بَيْنَ ٱلنَّاسِ فِيمَا ٱخْتَلَفُوا۟ فِيهِ ۚ وَمَا ٱخْتَلَفَ فِيهِ إِلَّا ٱلَّذِينَ أُوتُوهُ مِنۢ بَعْدِ مَا جَآءَتْهُمُ ٱلْبَيِّنَٰتُ بَغْيًۢا بَيْنَهُمْ ۖ فَهَدَى ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ لِمَا ٱخْتَلَفُوا۟ فِيهِ مِنَ ٱلْحَقِّ بِإِذْنِهِۦ ۗ وَٱللَّهُ يَهْدِى مَن يَشَآءُ إِلَىٰ صِرَٰطٍۢ مُّسْتَقِيمٍ

(Dikur) të gjithë njerëzit i kanë takuar një bashkësie (pastaj lindi mospajtimi ndër ta), dhe Perëndia u ka dërguar profetët si sihariques dhe si frikësues, dhe me ta dërgoi Libër në të cilin gjendej e vërteta, që me të, të gjykoheshin njerëzit për ato gjëra që nuk janë pajtuar. Mirëpo, njerëzit u grindën ndërmjet veti, pasi që u erdhën argumentet e qarta, nga zilia e njëri-tjetrit; dhe atëherë Perëndia, me autorizimin e Vet i udhëzoi besimtarët që ta kuptojnë të vërtetë, lidhur me atë që nuk u pajtuan ata. – Se, Perëndia e shpie në udhë të drejtë atë që don Ai.

Njerëzit ishin dikur një bashkësi e vetme dhe Allahu dërgoi profetët, si përgëzues dhe si qortues. -Pra, në fillim, njerëzit ishin të gjithë në rrugë të drejtë dhe adhuronin një Zot, vetëm Allahun. Kështu vazhduan për rreth dhjetë shekuj pas kohës së profetit Nuh (a.s.). Pastaj ata u ndanë në dy grupe të mëdha: një grup i qëndroi besnik rrugës së drejtë, duke e adhuruar Zotin të vetëm dhe duke iu bindur veç Atij, ndërsa grupi tjetër filloi të adhuronte zota të tjerë veç Allahut dhe u larguan nga bindja dhe nënshtrimi ndaj Tij. Atëherë, Allahu i Lartësuar dërgoi mes njerëzve, gjatë gjithë kohërave, profetët e Tij, për t'u përcjellë krijesave të vërtetën, të argumentuar dhe të provuar. Ata vinin me argumente të qarta, që nuk u linin krijesave asnjë justifikim para Zotit të tyre, nëse do vazhdonin të ndiqnin rrugën e humbjes. Disa mendojnë se ajeti tregon se njerëzit ishin të gjithë të bashkuar në rrugën e humbjes. Pra, sipas këtij mendimi tjetër, të gjithë ishin në humbje, të zhytur në kufër, mosbindje ndaj Allahut dhe në shkatërrim total, duke mos pasur as dritë, as iman. Pastaj Allahu i Lartësuar, nga mëshira e Tij, u dërgoi profetë, si përgëzues dhe qortues. Profetët ishin përgëzues për ata që do t’i bindeshin Allahut. Përgëzimi i tyre ishte se frytet e bindjes ndaj Allahut janë nga më të mirat: furnizim i bollshëm, hallall dhe i ndershëm, forcë në trup, mendje e shpirt dhe një jetë e këndshme. Por, pa dyshim, fryti më i mrekullueshëm që sjell bindja e nënshtrimi ndaj Allahut është arritja e kënaqësisë së Tij dhe e Xhenetit të përhershëm. Zoti i dërgoi profetët edhe si qortues e paralajmërues. Ata qortonin dhe paralajmëronin njerëzit që nuk bindeshin dhe nuk i nënshtroheshin Allahut, se do të shijonin frytet e hidhura të mosbindjes, të cilat janë: furnizimi i vështirë, dobësia, poshtërimi dhe jeta e trishtuar. Por më i hidhur nga gjithçka është zemërimi i Allahut dhe zjarri i Xhehenemit, ku ata do të qëndrojnë përjetësisht.Ai u zbriti atyre edhe Librin me të vërtetën... -Allahu i Lartësuar u shpalli profetëve të vërtetën e u dha urdhra të drejtë. Çdo gjë në librat e Zotit është e drejtë dhe sqaruese e themeleve të besimit, të ligjeve dhe dispozitave për jetën. Vetëm nëpërmjet këtyre librave mund t'u jepet zgjidhje kundërshtimeve mes krijesave, siç thotë Allahu i Lartësuar:...për të gjykuar midis njerëzve në çështjet që kundërshtoheshin mes tyre.Kështu, librat e Zotit kanë zbritur pikërisht për t’u sqaruar njerëzve çështjet për të cilat ata nuk pajtohen me njëri-tjetrin. Për këtë arsye, kurdoherë që ka kundërshtime mes njerëzve, është detyrë për ta që ta gjejnë zgjidhjen në udhëzimet e Allahut të Lartësuar, të cilat gjenden në Kur’ân dhe në Sunetin e Profetit (a.s.). Nëse Kur’âni dhe hadithet e Profetit (a.s.) nuk do të mjaftonin për zgjidhjen e konflikteve mes njerëzve, Allahu i Lartësuar nuk do të na udhëzonte që t’i kërkonim zgjidhjet në ato dy burime. Megjithatë, edhe pse ndjekja e mësimeve të Zotit në librat e shenjtë mundëson bashkimin e njerëzve, ata përsëri u përçanë, sepse i kundërshtuan këto mësime, për shkak të smirës dhe urrejtjes:Pas qartësimit të argumenteve, askush nuk kundërshtoi më, përveç arrogantëve të verbuar nga zilia …

Al-Baqara 2:213Listen in Qur'an →
214

أَمْ حَسِبْتُمْ أَن تَدْخُلُوا۟ ٱلْجَنَّةَ وَلَمَّا يَأْتِكُم مَّثَلُ ٱلَّذِينَ خَلَوْا۟ مِن قَبْلِكُم ۖ مَّسَّتْهُمُ ٱلْبَأْسَآءُ وَٱلضَّرَّآءُ وَزُلْزِلُوا۟ حَتَّىٰ يَقُولَ ٱلرَّسُولُ وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ مَعَهُۥ مَتَىٰ نَصْرُ ٱللَّهِ ۗ أَلَآ إِنَّ نَصْرَ ٱللَّهِ قَرِيبٌۭ

A mendoni ju të hyni në xhennet pa i përjetuar ato (vuajtjet) ashtu si i kanë përjetuar të tjerët para jush? Ata i pat goditur mjerimi dhe sëmundjet dhe aq shumë qenë tronditur saqë pejgamberi dhe ata që ishin me të thirrën: “Kur më do të arrijë ndihma e Perëndisë?!” Qe, ndihma e Perëndisë është afër!

A mendoni se do të hyni në Xhenet pa u provuar si ata që ishin para jush... -Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na tregon një rregull të pakthyeshëm, të vendosur për krijesat e Tij, duke thënë se Ai do t’i sprovojë ato, pa diskutim, me të mira e me të këqija, ashtu sikurse veproi me popujt e tjerë më të hershëm. Ky është ligji i Tij i pandryshueshëm. Çdokush që përqafon fenë e Zotit dhe kërkon të zbatojë dispozitat e Tij, patjetër që do të sprovohet. Ata që bëjnë durim në këto sprova, për t’iu nënshtruar vullnetit të Zotit, ata që përqendrohen në fenë e Zotit dhe nuk zbrapsen nga asnjë lloj vështirësie që hasin rrugës, pikërisht ata janë të sinqertët, të cilët meritojnë gradat më të larta dhe lumturinë më të madhe. Ata zotërojnë, gjithashtu, mjetin e domosdoshëm për t'u bërë prijës të njerëzve, domethënë durimin. Ndërsa ata që i konsiderojnë si ndëshkim prej Zotit vështirësitë për shkak të fesë, ata që thyhen në rrugën e Zotit nga çdo lloj sprove, ata që janë të paqëndrueshëm në synimet e larta, pikërisht këta janë mashtrues, që vetëm pretendojnë se e besojnë Zotin e tyre. Imani nuk është thjesht me të pretenduar dhe me të ëndërruar, ai nuk është thjesht me fjalë të thëna me gojë, por sinqeriteti i imanit duhet të vërtetohet me vepra. Edhe bashkësitë para nesh janë sprovuar, madje shumë rëndë. Thotë i Lartësuari:Ata u sprovuan nga vuajtje e fatkeqësi dhe ishin kaq të tronditur sa edhe i Dërguari, e bashkë me të edhe besimtarët, luteshin: “Kur do të vijë ndihma e Allahut?!” -Ata janë sprovuar me varfëri, sëmundje e me çdo gjë që të trondit, si për shembull, kërcënimet për vrasje, për internim, për marrje të pasurisë, për zhdukjen e të dashurve të zemrës e të tjera si këto. Aq e fortë dhe e frikshme ishte tronditja e tyre gjatë këtyre sprovave, saqë ndihma e Allahut u dukej shumë larg, edhe pse ishin të sigurt se ajo do t'u vinte. Aq e fortë ishte tronditja e tyre, sa edhe i Dërguari, e bashkë me të edhe besimtarët, luteshin: “Kur do të vijë ndihma e Allahut?!”. Por i Madhëruari na ka mësuar se lehtësimi vjen menjëherë pas vështirësisë, se kur çështja ngushtohet, patjetër do të vijë çlirimi, siç thotë më pas:Po. Vërtet, ndihma e Allahut është(gjithmonë)afër! -Çdokush që përqafon të vërtetën, do të sprovohet. Nëse njeriu bën durim ndaj sprovave, duke llogaritur shpërblimin e Zotit, atëherë ato do t’i shndërrohen në lumturi e gëzim, në qetësi dhe prehje, ndërsa në fund, do të dalë fitues mbi çdo armik të tijin. Këto sprova, gjithashtu, do t’i shërojnë çdo sëmundje që mund të gjendet në shpirtin dhe zemrën e tij. Ky ajet është i ngjashëm me disa ajete të tjera, si Ali Imran 172-175 dhe Ankebut 1-7.

Al-Baqara 2:214Listen in Qur'an →
215

يَسْـَٔلُونَكَ مَاذَا يُنفِقُونَ ۖ قُلْ مَآ أَنفَقْتُم مِّنْ خَيْرٍۢ فَلِلْوَٰلِدَيْنِ وَٱلْأَقْرَبِينَ وَٱلْيَتَٰمَىٰ وَٱلْمَسَٰكِينِ وَٱبْنِ ٱلسَّبِيلِ ۗ وَمَا تَفْعَلُوا۟ مِنْ خَيْرٍۢ فَإِنَّ ٱللَّهَ بِهِۦ عَلِيمٌۭ

Të pyesin ty në çfarë mënyre duhet dhënë lëmoshë? Thuaju: “Çfarëdo lëmoshe të mirë që epni ajo le t’i takojë prindërve, farefisit, bonjakëve, të varfërve dhe udhëtarëve (që kanë ngelur në rrugë pa mjete), e çfarëdo të mire që bëni, Perëndia e di atë”.

Të pyesin ty se çfarë duhet të japin për sevap. -Kuptimi: Të pyesin ty rreth shpenzimeve, domethënë, çfarë duhet të shpenzojmë dhe për kë duhet të shpenzojmë. Për të dyja pyetjet, Allahu i Lartësuar kthen përgjigje:Thuaju: “Çfarëdo bamirësi që e bëni, bëjeni për prindërit, për të afërmit, për jetimët, për të varfërit dhe për udhëtarët. -Për sa i përket përgjigjes së pyetjes se çfarë duhet shpenzuar e dhënë, Allahu i Lartësuar ka përdorur një fjalë, që i përfshin të gjitha llojeve të mirësive, shumë apo pak qofshin ato. Pastaj i Madhëruari na tregon kategoritë më të rëndësishme të njerëzve që duhet të përfitojnë nga shpenzimet e tua:1. Të parët që meritojnë bamirësinë tënde janë prindërit e tu. Bamirësia ndaj tyre është detyrim dhe padrejtësia ndaj tyre është gjynah i madh. Një nga bamirësitë më të mëdha ndaj tyre është shpenzimi i pasurisë për t'i kënaqur ata, ashtu sikurse edhe një nga padrejtësitë më të mëdha që mund të bësh ndaj tyre është mosshpenzimi i pasurisë për kënaqësinë e tyre. Shpenzimi dhe mbulimi i nevojave të tyre financiare është detyrim për çdo fëmijë që e ka mundësinë ta bëjë këtë.2. Pas prindërve, njerëzit që meritojnë më shumë shpenzimet dhe përkujdesjen tënde janë të afërmit, sipas shkallës së tyre të afërsisë, duke filluar me më të afërmit, pastaj më të largëtit, dhe duke marrë në konsideratë nevojat e tyre. Bamirësia ndaj të afërmve ka dy lloje shpërblimesh: Shpërblimin për sadakanë dhe shpërblimin për ruajtjen e lidhjeve farefisnore.3. Jetimët, në kategorinë e të cilëve hyjnë minorenët që nuk kanë njeri të përkujdeset për ta, ndërkohë që as vetë nuk mund ta sigurojnë jetën e tyre. Kështu, ata janë në nevojë dhe shpenzimi për ta është i domosdoshëm. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i ka porositur adhuruesit e Tij që të tregojnë kujdes e mëshirë ndaj tyre. Kjo është butësia dhe mëshira e Allahut me krijesat e Tij.4. Të varfërit. Këtu hyjnë njerëzit të cilët, nga varfëria e madhe, nuk kanë as gjërat më të domosdoshme për jetën e tyre. Edhe këtyre duhet t'u krijohet mundësia për të jetuar, duke u plotësuar nevojat e tyre të domosdoshme, në mënyrë që ata mos detyrohen të lypin e të përçmohen.5. Udhëtarët. Flitet për ata udhëtarë që, për ndonjë arsye të caktuar, kanë mbetur në mes të rrugës dhe nuk kanë mundësi që të kthehen në vendin e tyre apo atje për ku janë nisur. Edhe këta duhen ndihmuar që të arrijnë në destinacionin e tyre.Allahu i Lartësuar i ka veçuar këto kategori, për shkak të nevojës së tyre të madhe për ndihmë. Më pas, Allahu i Lartësuar jep një gjykim më gjithëpërfshirës për bamirësinë:çdo të mirë që e bëni, Allahu e di në imtësi. -Çdo lloj sevapi që bëni ndaj këtyre kategorive, edhe të tjerëve veç tyre, Allahu i Lartësuar e di shumë mirë. Madje, jo vetëm shpenzimet tuaja, por edhe çdo vepër të mirë që kryeni për t'u afruar tek Allahu dhe për të fituar kënaqësinë e Tij, Ai e di shumë mirë, sepse kështu kuptohet nga fjalët e përdorura në ajet. Deklarimi se Allahu di gjithçka që ata bëjnë do të thotë për besimtarët se Ai do të shpërblejë gjithçka të mirë që ata kanë bërë ose që kanë patur për qëllim të bëjnë. Ai do t’i shpërblejë ata në varësi të qëllimit dhe të sinqeritetit të tyre. Allahu i Lartësuar e di …

Al-Baqara 2:215Listen in Qur'an →
216

كُتِبَ عَلَيْكُمُ ٱلْقِتَالُ وَهُوَ كُرْهٌۭ لَّكُمْ ۖ وَعَسَىٰٓ أَن تَكْرَهُوا۟ شَيْـًۭٔا وَهُوَ خَيْرٌۭ لَّكُمْ ۖ وَعَسَىٰٓ أَن تُحِبُّوا۟ شَيْـًۭٔا وَهُوَ شَرٌّۭ لَّكُمْ ۗ وَٱللَّهُ يَعْلَمُ وَأَنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ

Ju është urdhëruar lufta, e ju e urreni. Mund ta urreni një gjë, por ajo është e mirë për ju; e mund të doni një gjë, por ajo është e dëmshme për ju. – Perëndia e di e ju nuk e dini.

Juve ju është bërë detyrim lufta, ndonëse e urreni atë. -Ky ajet është faktues se lufta në rrugën e Zotit është detyrë. Në fillimet e Islamit, për shkak të dobësisë së tyre, muslimanët e kishin të ndaluar që të hapnin luftë. Por pas emigrimit të Profetit në Medinë, muslimanët u shtuan dhe u fuqizuan, prandaj Allahu i Lartësuar i urdhëroi ata për luftë në rrugën e Tij. Allahu i Lartësuar na tregon se xhihadi është i vështirë për njeriun, sepse ka shumë mundime dhe lodhje, madje mund të përballesh edhe me vdekjen. E, megjithatë, xhihadi konsiderohet prej atyre mirësive të cilat nuk kanë asnjë të keqe brenda tyre. Shpërblimi i tij është jashtëzakonisht i madh, ndërkohë që të shpëton përfundimisht prej ndëshkimit të dhimbshëm. Luftëtarëve në rrugën e Allahut u është premtuar se do të dalin fitimtarë mbi armiqtë e tyre. Ata meritojnë të shijojnë plaçkën e luftës, por edhe shumë mirësi të tjera të kësaj bote dhe të tjetrës.Por ndodh që ju ta urreni diçka, por ajo të jetë më e mirë për ju... -Pra, edhe pse lufta është e urryer për shpirtin, ajo është e mirë në çdo aspekt që ta shohësh....dhe ndodh që ju ta doni diçka, por ajo të jetë e keqe për ju. -Për shembull, kur dikush i bën bisht xhihadit në rrugën e Allahut, për të ruajtur rehatinë e jetës, në fakt, ky veprim i tij do t’i sjellë vetëm të këqija, duke filluar nga poshtërimi prej armiqve të Islamit e të tjera më pas. Shpërfillja e xhihadit sjell dobësimin dhe nënshtrimin e plotë të muslimanëve, largon shpërblimet e mëdha dhe afron ndëshkimin e dhembshëm të Allahut të Lartësuar. Ky ajet na tregon një rregull të përgjithshëm, që thotë: Të gjitha veprat e mira, edhe pse ndonjëherë janë të vështira të kryhen dhe të urryera nga shpirti i njeriut, ato sjellin mirësi të shumta për të. Ndërsa të gjitha veprat e këqija, edhe pse janë të dëshirueshme për njeriun që t'i kryejë, për shkak të kënaqësive që ai mendon se arrin nëpërmjet tyre, ato mbeten të këqija dhe sjellin shumë të këqija të tjera. Në çështjet e dynjasë, për sa i përket besimtarit, nëse ai e do diçka dhe Allahu i Lartësuar përcakton që ajo të mos i jepet, ai gjithsesi është në mirësi. Pra, edhe nëse i shpëton nga duart diçka që është e mirë në vështrimin e tij, ai është i kënaqur dhe duhet të jetë i tillë, sepse besimtari është i bindur për një fakt: Allahu i Lartësuar është më i mëshirshëm për robin, sesa vetë robi për vetveten. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar është më i pushtetshëm për të sjellë mirësi për robin e Tij, sesa robi për vetveten. Kjo e bën adhuruesin që të jetë shumë mirënjohës ndaj Allahut të Madhëruar. Thotë i Lartësuari:Allahu di e ju nuk dini. -Duke qenë se çështja qëndron kështu, atëherë është e këshillueshme që ju të kënaqeni gjithmonë me caktimet e Zotit tuaj, pavarësisht në ju kënaqin ato apo jo.

Al-Baqara 2:216Listen in Qur'an →
217

يَسْـَٔلُونَكَ عَنِ ٱلشَّهْرِ ٱلْحَرَامِ قِتَالٍۢ فِيهِ ۖ قُلْ قِتَالٌۭ فِيهِ كَبِيرٌۭ ۖ وَصَدٌّ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ وَكُفْرٌۢ بِهِۦ وَٱلْمَسْجِدِ ٱلْحَرَامِ وَإِخْرَاجُ أَهْلِهِۦ مِنْهُ أَكْبَرُ عِندَ ٱللَّهِ ۚ وَٱلْفِتْنَةُ أَكْبَرُ مِنَ ٱلْقَتْلِ ۗ وَلَا يَزَالُونَ يُقَٰتِلُونَكُمْ حَتَّىٰ يَرُدُّوكُمْ عَن دِينِكُمْ إِنِ ٱسْتَطَٰعُوا۟ ۚ وَمَن يَرْتَدِدْ مِنكُمْ عَن دِينِهِۦ فَيَمُتْ وَهُوَ كَافِرٌۭ فَأُو۟لَٰٓئِكَ حَبِطَتْ أَعْمَٰلُهُمْ فِى ٱلدُّنْيَا وَٱلْءَاخِرَةِ ۖ وَأُو۟لَٰٓئِكَ أَصْحَٰبُ ٱلنَّارِ ۖ هُمْ فِيهَا خَٰلِدُونَ

Të pyesin ty për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaju: “Lufta në të është mëkat i madh, - por pengimi prej udhës së Perëndisë, të mohuarit e Perëndisë, heqja dorë nga vizita Qabës dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, është mëkat më i madh te Perëndia. E, keqtrajtimi (torturat) është mëkat më i madh se vrasja. Ata vazhdimisht luftojnë kundër jush, që nëse munden t’ju kthejnë nga besimi juaj. E, ata që e mohojnë fenë dhe vdesin si mohues, - veprat e (mira) të tyre do të humbasin në këtë dhe tjetrën botë, dhe ata do të jenë bnorë të skëterrës, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

Urdhri i Allahut të Lartësuar për të zhvilluar luftë kundër qafirëve është i vlefshëm, në përgjithësi, që të zbatohet në çdo kohë dhe në çdo vend, me përjashtim të disa kohëve dhe vendeve. I Lartësuari thotë:Të pyesin ty për luftimin në Muajin e Ndaluar. -Shumica e dijetarëve janë të mendimit se dispozita e ndalesës së luftës gjatë muajve të shenjtë është anuluar me dispozitën tjetër, e cila i urdhëron besimtarët që t'i luftojnë idhujtarët kudo që t'i gjejnë. Ndërsa disa komentues të Kur’ânit janë të mendimit se këtu nuk kemi të bëjmë me anulim dispozitash, por me një kufizim të dispozitave gjithëpërfshirëse. Për shembull, Allahu i Lartësuar thotë: “Juve ju është bërë detyrim lufta”, ose në ajetin tjetër të sures Teube, ku thotë: “...Luftojini idhujtarët bashkërisht”, ose në ajetin e përmendur më parë: “Luftojini ata kudo që t'i gjeni”. Këto ajete janë gjithëpërfshirëse dhe na japin të kuptojmë se idhujtarët duhen vrarë të gjithë, kudo dhe kurdoherë që të kapen, pa përjashtim. Por ka ajete të tjera në Kur’ân, që e kufizojnë gjithëpërfshirjen e tyre, siç është ajeti vijues:Thuaju: “Luftimi gjatë tij është (shkelje)e rëndë... -Ky ajet i përjashton muajt e shenjtë nga fusha gjithëpërfshirëse e ajeteve të mësipërme. Kështu, ajetet që na urdhërojnë për të zhvilluar luftë kundër idhujtarëve, pa treguar kufizim kohe e vendi, duhen vështruar në kontekst me ajetet përjashtuese të disa kohëve dhe vendeve të shenjta. Në këtë vështrim, zhvillimi i luftës në muajt e shenjtë vazhdon të jetë i ndaluar. Këtë mendim e përforcon edhe fakti që, një nga shkaqet më të rëndësishme që këta muaj quhen të shenjtë është se nuk lejohet të bësh luftë gjatë tyre. Megjithatë, duhet të jetë e qartë se, gjatë muajve të shenjtë, është e ndaluar lufta mësymëse apo kur muslimanët kërkojnë të çlirojnë vende të tjera. Ndërsa kur bëhet fjalë për luftë mbrojtëse, ajo nuk është e ndaluar gjatë muajve të shenjtë, madje edhe në vendet e shenjta. Shkak për zbritjen e këtij ajeti është ngjarja që ndodhi gjatë ekspeditës ushtarake të dërguar nga Profeti (a.s.), nën udhëheqjen e Abdullah Ibn Xhahshit. Gjatë ekspeditës, kur muslimanët arritën të merrnin edhe shumë pasuri nga një karvan i kurejshëve, ata kapën rob një idhujtar, të quajtur Amër Ibn Hadramij. Më pas, muslimanët e vranë idhujtarin, edhe pse ishin në muajin e shenjtë Rexheb, sikurse vijnë rrëfimet rreth kësaj ngjarjeje. Pikërisht për shkak të vrasjes së këtij idhujtari nga muslimanët gjatë muajit të shenjtë Rexheb, idhujtarët filluan të flisnin dhe të shanin muslimanët, sepse kishin shkelur ligjin e muajve të shenjtë. Por edhe në këtë rast, idhujtarët nuk kishin të drejtë me fyerjet e tyre, sepse ata kryenin vepra shumë më të shëmtuara dhe shumë më të këqija se lufta që zhvilluan muslimanët në muajt e shenjtë. Allahu i Lartësuar thotë:...por të pengosh nga rruga e Allahut, të mohosh Atë, të pengosh nga Xhamia e Shenjtë(Qabja)dhe të dëbosh banorët e saj, janë shkelje edhe më të mëdha tek Allahu.... -Veprat e idhujtarëve, të cilët pengonin njerëzit që besonin Zotin dhe Profetin e Tij, përpjekjet e tyre të shumta për të sprovuar besimtarët në fenë e tyre dhe për t'i kthyer nga rruga e drejtë, të gjitha këto ishin shumë herë më …

Al-Baqara 2:217Listen in Qur'an →
218

إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَٱلَّذِينَ هَاجَرُوا۟ وَجَٰهَدُوا۟ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ أُو۟لَٰٓئِكَ يَرْجُونَ رَحْمَتَ ٱللَّهِ ۚ وَٱللَّهُ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ

Ata që besuan dhe emigruan, e luftuan në udhën e Perëndisë, ata shpresojnë në mëshirën e Perëndisë. Se Perëndia është mëshirues dhe falë.

Ata që besuan dhe që mërguan e luftuan në rrugë të Allahut... -Allahu i Lartësuar bën një premtim të mrekullueshëm për ata që kanë këto cilësi: 1. besojnë sinqerisht; 2. emigrojnë për hir të Zotit; 3. luftojnë në rrugën e Zotit . Këto cilësi janë kushtet e lumturisë. Mbi to ndërtohet adhurimi. Ato përcaktojnë suksesin ose humbjen e njeriut. Kështu, i pari është besimi. Mos pyet për vlerën e tij! E si mund të pyesësh për vlerën e tij, kur ai është kriteri dallues mes të lumturve dhe të dëshpëruarve, mes banorëve të Xhenetit dhe banorëve të Xhehenemit. Nëse zemra e robit ka iman, atëherë veprat dhe adhurimet e tij do të pranohen dhe shpërblehen nga Allahu i Madhëruar. E nëse zemra e robit është bosh, pa iman, prej këtij njeriu nuk pranohet as kompensim dhe as rryshfet. Prej tij nuk pranohet asnjë lloj vepre, qoftë ajo e detyrueshme apo vullnetare. I dyti është emigrimi për hir të Allahut, i cili e ndan njeriun nga gjërat më të dashura të dynjasë: nga atdheu, pasuria dhe farefisi i tij. Ai i lë të dashurit e tij dhe largohet prej tyre vetëm për hir të Allahut dhe për të ndihmuar fenë e Zotit. Më pas vjen lufta ose xhihadi në rrugë të Allahut. Xhihadi nënkupton shpenzimin e të gjitha forcave dhe mundësive të njeriut, për të luftuar kundër armiqve të Islamit. Xhihad do të thotë, gjithashtu, përpjekje maksimale për të ndihmuar fenë e Allahut dhe për të shkatërruar fenë e shejtanit. Xhihadi është kulmi i veprave të mira dhe për të është caktuar shpërblimi më i lartë. Ai është faktori më i rëndësishëm që ndihmon në përhapjen e Islamit dhe pakësimin e idhujtarisë. Nëpërmjet xhihadit ruhet më së tepërmi paprekshmëria e muslimanëve, ruhet siguria e jetës, e pasurisë dhe e familjes së tyre. Kështu, njerëzit që i kanë të tilla cilësi e meritojnë të shpresojnë mëshirën e Allahut të Lartësuar:...ata shpresojnë vërtet për mëshirën e Allahut.. -Këta e meritojnë të shpresojnë për mëshirën e Allahut të Lartësuar, sepse janë përpjekur me të gjitha forcat e mënyrat për ta arritur atë. Ky ajet fakton se shpresa për shpëtim konsiderohet e drejtë nëse njeriu bën maksimumin për ta arritur atë. Ndërsa shpresat që shoqërohen me dembelizëm në kryerjen e sebepeve që sjellin lumturinë, quhet pazotësi, dështim ose ëndrra me sy hapur. Ato tregojnë dobësi, mungesë vullneti dhe mangësi në logjikë. Njerëz të tillë i përngjajnë atij që shpreson të bëhet me fëmijë, por pa kryer marrëdhënie me gruan e tij, ose atij që shpreson të korrë shumë, kur ende nuk ka mbjellë. Ky ajet tregon edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme. Njeriu, sado vepra të mira të ketë kryer, nuk duhet ta mbështesë shpëtimin e tij tek këto vepra, por duhet që gjithmonë të shpresojë mëshirën e Zotit të tij. Shpëtimi i tij është vetëm te mëshira e Zotit. Ai duhet të shpresojë që Zoti t'ia pranojë veprat, t'ia mbulojë mangësitë dhe t’ia falë gjynahet. Vetëm me mëshirën dhe faljen e Zotit mund të shpresohet shpëtimi. Prandaj i Madhëruari thotë në vijim:Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. -Pra, Ai është Falës i robit që pendohet sinqerisht dhe plotësisht. Ai është Mëshirëploti, mëshira e të Cilit ka përfshirë gjithçka. Ky ajet shërben si përgëzim për njerëzit që kryejnë vepra të mira, se Allahu i Lartësuar …

Al-Baqara 2:218Listen in Qur'an →
219

۞ يَسْـَٔلُونَكَ عَنِ ٱلْخَمْرِ وَٱلْمَيْسِرِ ۖ قُلْ فِيهِمَآ إِثْمٌۭ كَبِيرٌۭ وَمَنَٰفِعُ لِلنَّاسِ وَإِثْمُهُمَآ أَكْبَرُ مِن نَّفْعِهِمَا ۗ وَيَسْـَٔلُونَكَ مَاذَا يُنفِقُونَ قُلِ ٱلْعَفْوَ ۗ كَذَٰلِكَ يُبَيِّنُ ٱللَّهُ لَكُمُ ٱلْءَايَٰتِ لَعَلَّكُمْ تَتَفَكَّرُونَ

Të pyesin ty për verë dhe bixhoz. Thuaju: “Ato u sjellin dëme të mëdha (mëkate), por edhe dobi për njerëzit, mirëpo, dëmi është më i madh se dobia”. Dhe të pyesin ty sa duhet dhënë lëmoshë. Thuaju: “Tepricën!” Qe, kështu ua shpjegon Perëndia argumentet e Tija, që të mendoni. –

Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. -Kuptimi: Të pyesin ty, o Profet i Zotit, për ligjin mbi pijet dehëse dhe kumarin. Pijet dehëse dhe bixhozi kanë qenë shumë të përhapura në kohën para Islamit, si dhe në fillim të epokës islamike. Me sa duket, njerëzit ndienin diçka dhe donin të qartësoheshin plotësisht rreth këtyre dy fenomeneve kaq të përhapura. Atëherë, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin e Tij që të tregonte se ato kanë edhe dobi, edhe dëme për njeriun. Por dëmi i tyre është më i madh se dobia. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar i udhëzoi njerëzit që, duke përdorur mendjen e tyre, të fillonin e të largoheshin prej atyre gjërave të dëmshme. Kjo qe një formë e përshkallëzuar e caktimit të një ligji, i cili mund të ishte i vështirë që të pranohej menjëherë nga njerëzit. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar përgatiti terrenin, që më pas të sillte dispozitën përfundimtare të ndalimit të këtyre dy veprave të lartpërmendura. Më tej, i Lartësuari thotë:Thuaju: “Ato sjellin të këqija të mëdha, por edhe ndonjë dobi për njerëzit. Por, e keqja e tyre është më e madhe sesa dobia. -Pra, i Lartësuari na tregon se të këqijat që ato sjellin janë më të mëdha se ndonjë dobi që mund të përfitohet prej tyre. A ka dëmtim më të rëndë sesa dëmtimi që i shkaktohet të menduarit ose pasurisë? Gjithashtu, ato dy vepra të pengojnë nga përmendja e Allahut dhe nga falja e rregullt e namazit. Jo vetëm kaq, por ato nxisin edhe armiqësinë e urrejtjen mes njerëzve. E pra, dëme të tilla nuk mund të krahasohen kurrë me ato pak dobi që mund të fitohet nëpërmjet tyre. Duke tregtuar pije dehëse apo duke luajtur kumar, mund të fitohet pasuri, madje, me përdorimin e tyre, njeriu provon një lloj kënaqësie, por përballë dëmeve që ato shkaktojnë, këto ‘dobi’ janë të papërfillshme. Ky ajet vjen si qortim i ashpër për njerëzit, që ata të largohen prej kënaqësive të fituara në këtë mënyrë. Mendja e shëndoshë duhet t'i japë përparësi gjithmonë asaj që është më e dobishme dhe më larg dëmit. Ajo kurrë nuk mund t’i afrohet diçkaje, dëmi i së cilës është më i madh se dobia e saj. Duke qenë se njerëzit asokohe ishin mësuar dhe ishin lidhur shumë fort me të tilla mënyra argëtimi dhe fitimi, atëherë Allahu i Lartësuar zbriti ajete të tilla nxitëse për të menduar dhe si parapërgatitje për shpirtrat dhe mendjet e besimtarëve, para zbritjes së ajeteve (në suren Maide, 90-92) që i ndalojnë rreptësisht pijet dehëse dhe kumarin. Sigurisht që kjo tregon butësinë, mëshirën dhe urtësinë e Krijuesit për ne. Fjala “verë” (el ħamru) në ajet nënkupton çdo lloj pijeje dehëse, që e mpin dhe e turbullon mendjen. Ndërsa ‘bixhoz’ (el mejsir) quhen të gjitha ato lojëra, si tavlla, shahu etj., ku palët pjesëmarrëse vendosin pasuri, të cilat i merr ai që fiton lojën. Pra, çdo lloj loje që bëhet për të fituar pasuri në këtë mënyrë është e ndaluar, edhe nëse loja në vetvete mund të jetë e lejuar nga Sheriati.Të pyesin se sa duhet të shpenzojnë. -Kjo është një pyetje për masën e shpenzimit. Sa kërkon Allahu i Lartësuar prej pasurive tona, për të fituar kënaqësinë e Tij? Allahu i Lartësuar e lehtësoi këtë çështje, duke dhënë përgjigjen vijuese:....Thuaju: “Tepricën”... -Pra, Allahu i Lartësuar na tregon se prej …

Al-Baqara 2:219Listen in Qur'an →
220

فِى ٱلدُّنْيَا وَٱلْءَاخِرَةِ ۗ وَيَسْـَٔلُونَكَ عَنِ ٱلْيَتَٰمَىٰ ۖ قُلْ إِصْلَاحٌۭ لَّهُمْ خَيْرٌۭ ۖ وَإِن تُخَالِطُوهُمْ فَإِخْوَٰنُكُمْ ۚ وَٱللَّهُ يَعْلَمُ ٱلْمُفْسِدَ مِنَ ٱلْمُصْلِحِ ۚ وَلَوْ شَآءَ ٱللَّهُ لَأَعْنَتَكُمْ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ عَزِيزٌ حَكِيمٌۭ

për këtë jetë dhe atë tjetrën. Dhe të pyesin ty për bonjakët, thuaju: “T’i bëni mirë atyre është vepër e bukur, e nëse jetoni bashkë me ta, ata janë vëllezërit tuaj, se Perëndia di të dallojë keqbërësin prej mirëbërësit. Sikur të donte Perëndia, do t’ju detyronte me punë të vështira, se Perëndia është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.

Të pyesin ty për jetimët. -Kur Allahu i Lartësuar zbriti ajetet e sures Nisa që flasin për jetimët, kjo i rëndoi pak muslimanët. Në njërin prej tyre, i Lartësuari thotë: “Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë hanë atë që ua mbush barkun me Zjarr. Ata do të hidhen në Zjarrin e ndezur fort.” [Nisa, 10]. Kështu, pas shpalljes së këtyre ajeteve, besimtarët filluan që t’ua veçonin edhe ushqimin jetimëve që kishin nën përgjegjësi, duke u frikësuar se mos hanin prej pasurisë së tyre. Pra, edhe pse sipas zakonit të asaj kohe, ishte normale që të shoqëroje jetimët në ushqimin e tyre, muslimanët hoqën dorë nga ky veprim, nga frika se mos quhej ngrënie e padrejtë e pasurisë së jetimit, për të cilën Allahu i Lartësuar kërcënon aq ashpër në ajetin e sipërcituar. Ky qe shkaku pse ata e pyetën Profetin (a.s.) rreth kësaj çështjeje, domethënë, deri ku është kufiri i të vepruarit me pasurinë e jetimëve? Dhe Allahu i Lartësuar u ktheu përgjigje:Bamirësia ndaj tyre është punë e mirë. -Kuptimi: Qëllimi juaj duhet të jetë gjithmonë që ta ruani dhe ta shtoni pasurinë e jetimit me mënyrat e lejueshme.Nëse jetoni bashkë me ata(dijeni se)janë vëllezërit tuaj.” Allahu di ta dallojë keqbërsin nga bamirësi. -Kuptimi: Lejohet që të përzihen pasuritë tuaja me të tyret, nëse qëllimi është bamirësia ndaj tyre dhe kujdesi për të mos i dëmtuar. Ata duhet t'i konsideroni si vëllezërit tuaj, dhe dihet që vëllezërit përziejnë me njëri-tjetrin shumë gjëra, qoftë edhe ushqimin. Siç kuptohet, në të tilla raste, përcaktimin e bën qëllimi i mirë dhe puna e pastër. Nëse Allahu i Lartësuar sheh që dikush kërkon ta ndihmojë jetimin, pa patur asnjë qëllim që të abuzojë me pasurinë e tij (jetimit), atëherë Ai është Falës i Madh e Mëshirëplotë. Edhe nëse dikush përfiton diçka prej pasurisë së jetimit, pa qëllim të keq dhe pa abuzuar, për atë nuk është gjynah. Allahu i Lartësuar e ka bërë atë kërcënim pikërisht për ata që synojnë të përfitojnë prej pasurisë së jetimit dhe të abuzojnë me të. Një normë islame thotë: “Mjetet gjykohen njëlloj si qëllimet e tyre.” Ky ajet tregon se lejohet bashkëveprimi dhe përzierja në çështjen e ushqimit dhe në çdo fushë tjetër të marrëdhënieve ndërnjerëzore. Ky lehtësim është tregues i mëshirës dhe mirësisë të Zotit ndaj nesh. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë:Sikur të kishte dashur, Allahu do t’ju kishte vënë në vështirësi. Vërtet, Allahu është Ngadhnjimtar e i Urtë. -Allahu i Lartësuar thotë se, po do të dëshironte Ai, edhe mund të na e vështirësonte çështjen dhe ne të binim në gjynah, sepse Allahu është i Plotfuqishëm dhe ka fuqi që të nënshtrojë gjithçka. Ai është, gjithashtu, i Urtë, dhe çdo vepër e Tij është në bazë të urtësisë dhe përkujdesit të Tij për krijesat. Duhet ditur se plotfuqishmëria e Allahut nuk bie ndesh me urtësinë e Tij. Disa njerëz thonë se Allahu i Lartësuar bën çfarë të dojë, qoftë ajo në përputhje me urtësinë e Tij ose në kundërshtim me të. Por kjo shprehje është shumë e gabuar. Ajo nuk duhet thënë e as menduar. Ne duhet të themi, duke qenë të bindur, se veprat dhe ligjet e Allahut burojnë gjithmonë nga Urtësia e Tij. Ai nuk ka krijuar asgjë kot, pa qëllim apo pa kuptim. Në çdo vepër të krijuar prej Tij ka një …

Al-Baqara 2:220Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.