Muslim99Muslim99
← Tafsir library

2. Al-Baqara

The Cow · Medinan · 286 ayahs

سُورَةُ البَقَرَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 191–200 of 286

191

وَٱقْتُلُوهُمْ حَيْثُ ثَقِفْتُمُوهُمْ وَأَخْرِجُوهُم مِّنْ حَيْثُ أَخْرَجُوكُمْ ۚ وَٱلْفِتْنَةُ أَشَدُّ مِنَ ٱلْقَتْلِ ۚ وَلَا تُقَٰتِلُوهُمْ عِندَ ٱلْمَسْجِدِ ٱلْحَرَامِ حَتَّىٰ يُقَٰتِلُوكُمْ فِيهِ ۖ فَإِن قَٰتَلُوكُمْ فَٱقْتُلُوهُمْ ۗ كَذَٰلِكَ جَزَآءُ ٱلْكَٰفِرِينَ

Vritni ata kudo që t’i gjeni dhe dëboni prej vendeve ashtu siç ju dëbuan ata juve. Se keqpërdorimi është më i rëndë se vrasja. Mos luftoni me ta pranë Mesxhidi Haramit! Për derisa ata të vriten me ju-aty! E, nëse ata luftojnë me ju (aty), atëherë ju vritni ata! I këtillë duhet të jetë ndëshkimi për jobesimtarët.

Vritini ata kudo që t’i zini dhe dëbojini ata(prej vendit)ashtu siç ju dëbuan ata ju! Mosbesimi(që ata përhapin)është më i rëndë se vrasja. -Ky është një urdhër për t’i asgjësuar ata, kudo që të gjenden, në çdo kohë e çdo periudhë, qoftë kur lufta me ta është mbrojtëse, qoftë kur është sulmuese. Më pas, nga ky përgjithësim, Allahu i Lartësuar përjashton disa vende e situata nga lufta, duke thënë:Dhe mos i luftoni ata pranë Xhamisë së Shenjtë(Qabes), për sa kohë që edhe ata nuk ju luftojnë ju në të. Por nëse ju sulmojnë, atëherë shfarosini! Ky është ndëshkimi ndaj jobesimtarëve. -Pra, nuk lejohet zhvillimi i luftërave në Xhaminë e Shenjtë, në Qabe. Por në rast se janë ata që e fillojnë luftën, lejohet t’i kundërpërgjigjesh armiqësisë së tyre me luftë. Ky gjykim vlen për të gjitha kohërat dhe është i detyrueshëm të respektohet. Lufta kundër tyre nuk ndërpritet kurrë, derisa ata të kthejnë rrugë, të lënë mohimin e Zotit dhe të bëhen muslimanë. Nëse ata pendohen dhe pranojnë t’i nënshtrohen Allahut si muslimanë, Allahu e pranon pendimin e tyre dhe u fal çfarëdo gjynahu që të kenë bërë më parë. Kjo është mëshira dhe bujaria e madhe e Allahut të Lartësuar për krijesat.

Al-Baqara 2:191Listen in Qur'an →
192

فَإِنِ ٱنتَهَوْا۟ فَإِنَّ ٱللَّهَ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ

Por, në qoftë se ata heqin dorë (nga të këqijat), atëherë Perëndia me të vërtetë është mëshirues dhe falë.

E nëse heqin dorë, atëherë Allahu është, pa dyshim, Falës i Madh e Mëshirëplotë. -Dikush mund të mendojë, me të drejtë, se zhvillimi i luftës në Xhaminë e Shenjtë është një krim shumë i rëndë, atëherë, si është e mundur që kjo të lejohet?! Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë se fitne-ja është më e keqe se vetë vrasja dhe lufta në Xhaminë e Shenjtë. Kësisoj, fitne-ja ose sprovimi i njerëzve me kufër dhe duke i penguar ata nga rruga e drejtë, është më e keqe sesa lufta që zhvillohet në Xhaminë e Shenjtë, prandaj nuk ka arsye që muslimanët të shqetësohen për luftën që mund të bëhet atje, të provokuar nga qafirët. Në këtë ajet mbështetet edhe parimi në Islam, i cili thotë: “Lejohet kryerja e një vepre me dëm më të vogël, për të shmangur një tjetër me dëm më të madh”. Më poshtë, Allahu i Lartësuar tregon shkakun e ligjërimit të luftës në rrugën e Tij.

Al-Baqara 2:192Listen in Qur'an →
193

وَقَٰتِلُوهُمْ حَتَّىٰ لَا تَكُونَ فِتْنَةٌۭ وَيَكُونَ ٱلدِّينُ لِلَّهِ ۖ فَإِنِ ٱنتَهَوْا۟ فَلَا عُدْوَٰنَ إِلَّا عَلَى ٱلظَّٰلِمِينَ

Luftoni ata deri sa të zhduken ngatërresat dhe deri sa të bëhet besimi vetëm për Perëndinë! E në qoftë se ata heqin dorë (prej ngatërresave), atëherë s’ka armiqësi, përveç atyre që kanë tejkaluar kufirin.

Luftojini ata, derisa të zhduket çrregullimi(mosbesimi që ata përhapin)dhe adhurimi t'i kushtohet vetëm Allahut. -Kjo do të thotë se qëllimi i luftës nuk është derdhja e gjakut të qafirëve dhe marrja e pasurive të tyre, por: “të zhduket sprovimi (fitne-ja) dhe adhurimi t'i kushtohet vetëm Allahut.” Pra, që feja dhe adhurimi i Allahut të Lartësuar të mbizotërojë në tokë, mbi të gjitha fetë dhe adhurimet e tjera. Ndërsa fitne-ja që duhet zhdukur është politeizmi, mohimi i Zotit, pengimi nga rruga e Zotit dhe çdo vepër tjetër e keqe dhe shkatërruese. Nëse këto qëllime arrihen, atëherë nuk ka pse të ketë më luftë dhe të vrarë, prandaj Allahu i Lartësuar thotë:Nëse ata ndalen, atëherë ndaleni edhe ju luftën, por jo ndaj atyre që kanë bërë krime. -Kuptimi: Nëse ata e ndalojnë luftën, atëherë nuk merren masa ndëshkuese kundër askujt, përveçse kundër atyre që kanë bërë krime, të cilat duhen shpaguar, sipas shkallës dhe llojit të tyre.

Al-Baqara 2:193Listen in Qur'an →
194

ٱلشَّهْرُ ٱلْحَرَامُ بِٱلشَّهْرِ ٱلْحَرَامِ وَٱلْحُرُمَٰتُ قِصَاصٌۭ ۚ فَمَنِ ٱعْتَدَىٰ عَلَيْكُمْ فَٱعْتَدُوا۟ عَلَيْهِ بِمِثْلِ مَا ٱعْتَدَىٰ عَلَيْكُمْ ۚ وَٱتَّقُوا۟ ٱللَّهَ وَٱعْلَمُوٓا۟ أَنَّ ٱللَّهَ مَعَ ٱلْمُتَّقِينَ

Muaji i madh për muaj të madh; respektimet janë reciproke. Pra, kushdo që ju sulmon duke tejkaluar kufirin, edhe ju sulmoni ata, ashtu siç ju sulmuan ata juve (reciprokisht)! Droni Perëndisë, dhe dijeni se, me të vërtetë, Perëndia është me ata që ruhen nga të këqijat.

Muaji i ndaluar – për muajin e ndaluar. Dhe kështu për të gjitha gjërat e ndaluara është ligji i barazisë. -Ky ajet ka dy shpjegime. Si fillim, duhet ditur që idhujtarët e ndaluan Profetin (a.s) dhe sahabët që të vizitonin Qaben, vitin kur u krye Marrëveshja e Hudejbijes. Sipas marrëveshjes, atë vit, muslimanët duhet të ktheheshin në shtëpi, dhe vizitën e Qabes ta kryenin vitin e ardhshëm. Dhe ashtu ndodhi. Muslimanët e kryen vizitën e Qabes një vit më pas, gjatë muajit të shenjtë dhul kide. Në këtë kontekst, ajeti: “Muaji i ndaluar – për muajin e ndaluar” mund të shihet si një përgëzim për besimtarët, duke i njoftuar ata se adhurimi i tyre i lënë përgjysmë një vit më parë, tashmë është plotësuar me sukses. Por ka mundësi që kuptimi i kësaj fjalie të jetë edhe kështu: “Nëse ata ju luftojnë gjatë muajve të shenjtë, edhe ju mund t’i luftoni në muajt e shenjtë. Nuk ka pengesë dhe as gjynah për ju që t'i kundërpërgjigjeni agresionit të tyre, qoftë edhe në muajt e shenjtë.” Nëse kuptimi është ky i dyti, atëherë fjalia pasuese: “Dhe kështu për të gjitha gjërat e ndaluara është ligji i barazisë.” është një gjykim që përfshin jo vetëm përdhosjen e muajve të shenjtë, por edhe përdhosjen e vendeve të shenjta, të riteve të shenjta etj., për të cilat Sheriati ka urdhëruar që të respektohen. Në këtë mënyrë, çdokush që guxon të përdhosë diçka të shenjtë, duhet të marrë dënimin përkatës, si për shembull: kush bën luftë në muajt e shenjtë duhet të luftohet, kush përdhos vendet e shenjta duhet të ndëshkohet sipas ligjit, kush vret një njeri duhet të dënohet me vdekje, kush plagos apo gjymton tjetrin duhet të ndëshkohet në të njëjtën mënyrë, kush merr pasurinë e dikujt duhet të dënohet duke ia marrë pasurinë, për të çuar në vend padrejtësinë që ka bërë.Pyetje:Personi të cilit dikush i ka cenuar një të drejtë, a e ka të lejuar që ta marrë hakun e vet nga pasuria e cënuesit, në çdo rast e situatë, apo jo? Dijetarët i kanë dhënë përgjigje të ndryshme kësaj pyetjeje, por mendimi më i saktë do të shtjellohet më poshtë. Këtu kemi të bëjmë me dy raste:1. Nëse e drejta që ka njeriu kundrejt tjetrit është shumë e qartë dhe e sigurt, atëherë atij i lejohet që të marrë prej pasurisë së tjetrit, kur ky i fundit nuk ia jep hakun që meriton. Për shembull, bujtësi ka të drejtë që të pritet prej njeriut tek i cili ka bujtur. Nëse pritësi nuk ia jep hakun e tij si mysafir, atëherë mysafirit i lejohet të marrë prej pritësit aq sa Sheriati e ka përcaktuar hakun e tij. Gjithashtu, gruaja e fëmijët kanë të drejta mbi pasurinë e burrit. Këto të drejta janë përcaktuar nga Sheriati. Nëse burri nuk ua jep këto të drejta, atëherë atyre u lejohet që të marrin nga pasuria e tij aq sa Sheriati e ka përcaktuar qartë dhe konkretisht për të drejtat e tyre.2. Rasti i dytë është kur e drejta e dikujt nuk është e përcaktuar qartë, në mënyrë konkrete dhe të sigurt, si për shembull, kur dikush e mohon se i ka borxh dikujt tjetër ose kur kemi të bëjmë me mashtrime dhe vjedhje të pavërtetuara. Në të tilla raste nuk lejohet që të merret prej pasurisë së të akuzuarit, derisa të shqyrtohet dhe të përcaktohet qartësisht kjo e drejtë, e cila mund të jetë objekt abuzimi. Kjo mënyrë trajtimi e çështjes …

Al-Baqara 2:194Listen in Qur'an →
195

وَأَنفِقُوا۟ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ وَلَا تُلْقُوا۟ بِأَيْدِيكُمْ إِلَى ٱلتَّهْلُكَةِ ۛ وَأَحْسِنُوٓا۟ ۛ إِنَّ ٱللَّهَ يُحِبُّ ٱلْمُحْسِنِينَ

Dhe shpenzonie pasurinë në rrugën e Perëndisë, dhe mos e sillni veten tuaj në shkatërrim, por bëni mirë; se Perëndia me të vërtetë i do bamirësit.

Shpenzoni në rrugë të Allahut... -Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit që të shpenzojnë për hir të Tij, për të ndihmuar luftën në rrugën e Tij. Ta japësh pasurinë në rrugë të Zotit do të thotë që ta shpenzosh atë në të gjitha mënyrat që të afrojnë te Zoti, si për shembull, për të varfërit, për të afërmit dhe për ata që e kemi detyrë t’i furnizojmë. Megjithatë, mënyra më e mirë dhe më e rëndësishme e shpenzimit të pasurisë është për ndihmën dhe mbështetjen e luftës (xhihad) në rrugën e Zotit. Kush e shpenzon pasurinë për këtë qëllim, është edhe vetë luftëtar në rrugën e Allahut; ai është muxhahid me pasurinë e tij. Lufta me shpenzimin e pasurisë është farz, ashtu sikurse është edhe lufta me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë me veten tënde. Ajo është shumë e dobishme, saqë shpeshherë është vendimtare për fitoren e muslimanëve dhe për poshtërimin e politeizmit dhe të ndjekësve të tij. Pasuria është faktor shumë i rëndësishëm në fuqizimin e fesë së Allahut. Ajo është për xhihadin si shpirti për trupin: sikurse trupi nuk mund të jetojë pa shpirtin, edhe lufta nuk mund të jetojë nëse nuk ka pasuri të mjaftueshme. Nëse braktis shpenzimin në rrugë të Allahut, do të pengosh në njëfarë mënyre luftën në rrugën e Tij. Por nëse bllokohet lufta në rrugë të Tij, atëherë do të fuqizohen kufri dhe shirku, do të forcohen armiqtë e Islamit, dhe kjo do të thotë që të çosh veten tënde, me duart e tua, drejt shkatërrimit. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar paralajmëron, duke na kujtuar pasojat e neglizhencës së luftës në rrugën e Tij:...mos e çoni veten drejt shkatërrimit. -Vajtja me dëshirë drejt vetëshkatërrimit bëhet në dy mënyra kryesore:1. Duke mos zbatuar urdhrat e Zotit, e të marrësh si pasojë shkatërrimin e trupit dhe të shpirtit tënd.2. Duke bërë ato gjëra që shkaktojnë drejtpërdrejt shkatërrimin e trupit e të shpirtit.Këto dy mënyra përfshijnë nën vete shumë veprime të njeriut, si për shembull, lënia e xhihadit në rrugën e Zotit apo mosshpenzimi për këtë qëllim, që, siç e thamë, sjellin si pasojë mbizotërimin e qafirëve ndaj muslimanëve. E tillë është edhe hapja e një lufte që është e pamundur të fitohet, apo ndërmarrja e një udhëtimi në një vend të mbushur me egërsira e gjarpërinj, apo ngjitja në një pemë apo objekt të lartë e të rrezikshëm e të tjera të ngjashme. Si vetëshkatërrim konsiderohet edhe zhytja e vetes në gjynahe, apo humbja e shpresës për faljen e Zotit, apo mosbindja ndaj urdhrave të Tij. Duke qenë se shpenzimi i pasurisë për hir të Zotit është një mënyrë e bamirësisë, Allahu i Lartësuar e përforcon këtë urdhër me një urdhër tjetër, që i përfshin të gjitha llojet e bamirësisë:Bëni mirë, se Allahu i do vërtet bamirësit! -Ky urdhër është për të gjitha mënyrat e bamirësisë, sepse fjala “bamirësi” këtu nuk është e përcaktuar. Bamirësia mund të bëhet me shumë mënyra, si: duke pajtuar njerëzit, duke urdhëruar për vepra të mira dhe duke ndaluar nga veprat e këqija, duke përcjellë dijen e dobishme për dynjanë dhe për ahiretin, duke përmbushur nevojat e njerëzve, duke zgjidhur ose duke lehtësuar hallet dhe problemet e tyre, duke vizituar të sëmurët, duke marrë pjesë në xhenaze, duke udhëzuar të devijuarit e çdo vepër tjetër që Allahu i Lartësuar …

Al-Baqara 2:195Listen in Qur'an →
196

وَأَتِمُّوا۟ ٱلْحَجَّ وَٱلْعُمْرَةَ لِلَّهِ ۚ فَإِنْ أُحْصِرْتُمْ فَمَا ٱسْتَيْسَرَ مِنَ ٱلْهَدْىِ ۖ وَلَا تَحْلِقُوا۟ رُءُوسَكُمْ حَتَّىٰ يَبْلُغَ ٱلْهَدْىُ مَحِلَّهُۥ ۚ فَمَن كَانَ مِنكُم مَّرِيضًا أَوْ بِهِۦٓ أَذًۭى مِّن رَّأْسِهِۦ فَفِدْيَةٌۭ مِّن صِيَامٍ أَوْ صَدَقَةٍ أَوْ نُسُكٍۢ ۚ فَإِذَآ أَمِنتُمْ فَمَن تَمَتَّعَ بِٱلْعُمْرَةِ إِلَى ٱلْحَجِّ فَمَا ٱسْتَيْسَرَ مِنَ ٱلْهَدْىِ ۚ فَمَن لَّمْ يَجِدْ فَصِيَامُ ثَلَٰثَةِ أَيَّامٍۢ فِى ٱلْحَجِّ وَسَبْعَةٍ إِذَا رَجَعْتُمْ ۗ تِلْكَ عَشَرَةٌۭ كَامِلَةٌۭ ۗ ذَٰلِكَ لِمَن لَّمْ يَكُنْ أَهْلُهُۥ حَاضِرِى ٱلْمَسْجِدِ ٱلْحَرَامِ ۚ وَٱتَّقُوا۟ ٱللَّهَ وَٱعْلَمُوٓا۟ أَنَّ ٱللَّهَ شَدِيدُ ٱلْعِقَابِ

Kryeni haxhxhin dhe umren për hir të Perëndisë. Nëse në këtë rrugë pengoheni (në kryerjen e këtij qëllimi), atëherë therrni kurban sipas mundësisë dhe mos i rruani kokat tuaja, për derisa të mos arrijë kurbani në vend (në therrtoren e caktuar); e kushdo që prej jush është i sëmurë ose që ka ndonjë mundim në kokë (e rruhet) le ta kompenzojë me agjërim, lëmoshë ose kurban. E kur të qetësoheni, ai që prej jush kryen umren deri në haxhxh le të therrë kurban sipas mundësisë. Ndërsa, ai që nuk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në haxhxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga haxhxhi, e le të plotësohen dhjetë ditë. Kjo është për ata që nuk janë nga Mekka. E druajuni Perëndisë dhe dinie se Ai dënon ashpër.

Kryeni të plotë haxhin dhe umren, për hir të Allahut! -Dijetarët kanë parë në këtë ajet argumente për disa çështje. Kështu, ajeti provon se kryerja e haxhit dhe e umres është detyrë ndaj Zotit, me të gjitha ritet përbërëse të tyre, ashtu sikurse na i ka mësuar Profeti (a.s), i cili ka thënë: “Mësojini prej meje ritet dhe adhurimet!” Po te ky ajet janë mbështetur edhe ata që kanë thënë se kryerja e umres është vaxhib, gjithashtu. Nëse nis kryerja e haxhit dhe e umres, atëherë, që nga ky çast, bëhet i detyrueshëm plotësimi i tyre deri në fund, edhe sikur haxhi dhe umreja që po kryhen të jenë thjesht vepra vullnetare për atë njeri (sepse farz është vetëm hera e parë). Haxhi dhe umreja duhen kryer në mënyrën më të plotë të mundshme, dhe jo të kryhen thjesht shtyllat dhe vaxhibet e tyre, sepse Allahu thotë: “Kryeni të plotë haxhin dhe umren...”. Allahu na urdhëron që të jemi të sinqertë ndaj Tij në kryerjen e adhurimeve tona. Haxhi dhe umreja duhen kryer për të fituar kënaqësinë e Tij, sepse Ai thotë që ta kryejmë haxhin dhe umren: “...për hir të Allahut”. Nuk lejohet që haxhi dhe umreja të ndërpriten, përveç rastit që tregon Allahu i Lartësuar, kur thotë:Nëse pengoheni, atëherë bëni kurban çfarë(kafshe)të keni më të lehtë. -Kuptimi: Nëse pengoheni që të arrini në Qabe për të kryer ritet tuaja, për shkak të ndonjë sëmundjeje, nga ndonjë armik etj., atëherë rrugëzgjidhja është: “...atëherë bëni kurban çfarë (kafshe) të keni më të lehtë.” Pra, bëni kurban atë kafshë që keni mundësi ta bëni. Për kurban mund të bëhet një deve, që vlen për shtatë vetë, ose një lopë për shtatë vetë, ose një bagëti e imët për një person. Pas therjes së kurbanit, i penguari nga shkaqet e mësipërme rruan kokën dhe del prej ihramit. Kështu veproi Profeti (a.s) dhe shokët e tij në rastin kur u penguan nga idhujtarët e Mekës për të kryer e përfunduar pelegrinazhin në Qabe, vitin e Marrëveshjes së Hudejbijes. Nëse nuk gjen apo nuk ka mundësi që të therë kurban, atëherë njeriu detyrohet të agjërojë dhjetë ditë, - sikurse vepron ai që kryen haxhin temetukur nuk gjen dhe nuk ka mundësi të bëjë kurban, - pastaj lejohet të dalë nga ihrami.Mos e rruani kokën, derisa kurbani të arrijë në vendin e vet. -Qethja ose rruajtja e kokës apo e qimeve të çdo pjese të trupit, me çdo mënyrë qoftë, konsiderohet si një nga veprimet që e prishin ihramin, i cili duhet plotësuar pa tjetër nga ai që kryen haxhin dhe umren. Këto veprime e prishin ihramin, sepse gjatë kësaj kohe njeriu duhet t’i lërë mënjanë ato komoditete që zakonisht ia mundëson vetes, dhe të angazhohet maksimalisht me adhurimin e Zotit. Kjo bëhet që, ditën kur të dalë para Zotit në Arafat, të jetë i përunjur, me flokë të shpupuritur e të pluhurosur, për të qenë kështu më afër mëshirës së Tij. Të njëjtin gjykim ka edhe heqja e qimeve nga pjesët e tjera të trupit, siç u tha më lart. Madje, disa dijetarë e konsiderojnë edhe prerjen e thonjve të njëjtë me heqjen e flokëve, duke e parë nga këndvështrimi i mësipërm. Ky ndalim vazhdon deri në ditën e therjes së kurbanit. Pra, thënia e Allahut: “..derisa kurbani të arrijë në vendin e vet.” ka kuptimin: derisa të theren kurbanet, ditën e Bajramit. Më e mira është që rruajtja e flokëve të …

Al-Baqara 2:196Listen in Qur'an →
197

ٱلْحَجُّ أَشْهُرٌۭ مَّعْلُومَٰتٌۭ ۚ فَمَن فَرَضَ فِيهِنَّ ٱلْحَجَّ فَلَا رَفَثَ وَلَا فُسُوقَ وَلَا جِدَالَ فِى ٱلْحَجِّ ۗ وَمَا تَفْعَلُوا۟ مِنْ خَيْرٍۢ يَعْلَمْهُ ٱللَّهُ ۗ وَتَزَوَّدُوا۟ فَإِنَّ خَيْرَ ٱلزَّادِ ٱلتَّقْوَىٰ ۚ وَٱتَّقُونِ يَٰٓأُو۟لِى ٱلْأَلْبَٰبِ

Koha e haxhxhillëkut është në muaj të caktuar; ai që e obligon veten të kryejë haxhxhin, nuk duhet të ketë marrëdhënie me gruan dhe as nuk duhet të bëjë grindje e sharje. Ndërkaq çdo vepër të mirë që bëni, Perëndia e di. Dhe furnizohuni me gjërat që u nevojiten për rrugë, e furnizimi më i mirë është të largoheni nga të lypurit (në haxhxhillëk). Prandaj druani prej Meje or mendar!

Haxhi kryhet në muajt e caktuar. -Muajt e haxhit Allahu i Lartësuar i ka quajtur “muajt e caktuar”, sepse ata njiheshin shumë mirë nga njerëzit të cilëve iu drejtua fillimisht ky Kur’ân. Tek arabët, duke qenë se ishin pasardhës të Ibrahimit (a.s.), kishin mbetur ende disa rite fetare të drejta, mes të cilëve edhe disa nga ritet e haxhit. Pra, meqenëse ata i njihnin muajt kur kryhej haxhi, Allahu i Lartësuar nuk i përcakton konkretisht, me emër, sikurse ka bërë me muajin e agjërimit, kohët e faljes së namazit etj. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se muajt e haxhit janë shevali. dhul kide dhe dhjetë ditët e para të dhul hixhes, kur zakonisht vishet ihrami për kryerjen e haxhit.Për ata që nisin haxhin në këta muaj... -Pra, ata që veshin ihramin, e kanë të detyrueshme përfundimin e Tij, edhe nëse janë duke kryer haxh nafile. I Lartësuari thotë: “Men ferađa” (Për ata që nisin...). Fjala ‘ferada’ka kuptimin: “e nisin e ia bëjnë të detyrueshme vetes”. Kështu, ata që e nisin haxhin dhe umren dhe, për një arsye a tjetër, i ndërpresin ato, atëherë ka disa rregulla, që do të shtjellohen më poshtë, të cilat ata duhet t'i zbatojnë. Këtu duhet sqaruar çështja e rrethanorit të kohës: “...në këta muaj”: A tregon ai se veshja e ihramit për haxh bëhet veçse brenda këtyre muajve, apo mund të bëhet edhe jashtë tyre? Imam Shafiu dhe shumë pasues të tij mendojnë se, sipas ajetit, haxhi mund të nisë (dhe ihrami mund të vishet) veçse brenda këtyre muajve. Megjithatë, nëse do të thonim që ky ajet mbështet edhe mendimin e kundërt, nuk do të ishim të gabuar, sepse përcaktimi i kohës në këtë ajet nuk është i paqëllimshëm. Nga thënia e Allahut të Lartësuar: “Për ata që nisin haxhin në këta muaj...”, kuptohet se haxhi mund të niska edhe jashtë këtyre muajve, sepse, në të kundërt, ç'kuptim do të kishte ky përcaktim i kohës në ajet?“...nuk lejohen marrëdhëniet intime, shkelja e dispozitave të Sheriatit dhe as grindjet. -Pra, është detyrë që të nderohet gjendja e ihramit dhe riti i haxhit, sidomos nëse haxhi nis gjatë këtyre muajve. Sapo të vishet rroba e ihramit, atëherë duhet të ruhesh prej çdo gjëje që e prish këtë gjendje apo që ia ul shpërblimin. Gjendja e ihramit cenohet nga shumë vepra, të cilat Allahu i ka përmbledhur në tri:1. Marrëdhëniet seksuale dhe gjithçka që i nxit ato, si puthjet, fjalët joshëse etj.2. Çdo lloj gjynahu që ka të bëjë me moskryerje të ndonjë detyrimi apo me bërje harami.3. Grindjet, zënkat e polemikat, të cilat nxisin urrejtjen dhe përçarjen.Këto e prishin gjendjen e ihramit ose, të paktën, e ulin shpërblimin e haxhit. Dihet se një nga qëllimet kryesore të haxhit është kultivimi i përuljes para Allahut të Lartësuar dhe afrimi tek Ai me sa më shumë vepra dhe fjalë të mira, duke u larguar nga veprat dhe fjalët e këqija. Vetëm në këto kushte haxhi meriton të quhet “i pranuar” te Zoti i gjithësisë, dhe haxhi i pranuar ka si shpërblim veçse futjen në Xhenet. Në fakt, veprat e mësipërme, që prishin ihramin, nuk janë të ndaluara vetëm gjatë kohës së haxhit. Ato janë të ndaluara në çdo kohë qoftë, por gjatë kohës së haxhit, ndalesa e tyre është më e fortë. Çdo vend dhe kohë ka veçorinë e vet, dhe koha e haxhit ka gjithashtu veçorinë e vet. …

Al-Baqara 2:197Listen in Qur'an →
198

لَيْسَ عَلَيْكُمْ جُنَاحٌ أَن تَبْتَغُوا۟ فَضْلًۭا مِّن رَّبِّكُمْ ۚ فَإِذَآ أَفَضْتُم مِّنْ عَرَفَٰتٍۢ فَٱذْكُرُوا۟ ٱللَّهَ عِندَ ٱلْمَشْعَرِ ٱلْحَرَامِ ۖ وَٱذْكُرُوهُ كَمَا هَدَىٰكُمْ وَإِن كُنتُم مِّن قَبْلِهِۦ لَمِنَ ٱلضَّآلِّينَ

Nuk është mëkat të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë (materiale). E kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Zotin në vendet e shenjta, përmendni atë Zot, që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse, ju më parë ishi të humbur.

Pasi urdhëroi për takua-n, Allahu i Lartësuar thotë diçka tjetër që i qetëson zemrat e besimtarëve. Më parë, disa njerëz mendonin se, po të bënte haxhiu tregti gjatë kohës së haxhit, do t’i humbte krejt shpërblimi i adhurimit. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar tregoi se ky qe një mendim i gabuar:Nuk është gjynah të kërkoni mirësi nga Zoti juaj(në haxh). -Kuptimi: Nuk është gjynah që të kërkoni mirësitë e Zotit tuaj duke bërë tregti apo diçka tjetër gjatë kohës së haxhit. Mjafton që tregtia apo puna për të fituar në hallall të mos ju pengojë nga kryerja e detyrave të haxhit dhe të mos ju shtyjë në kryerjen e harameve gjatë tij. Pra, nëse adhuruesi i kryen plotësisht detyrimet e tij gjatë haxhit, nuk ka gjynah që të kërkojë, në mënyrë të lejuar, bereqetin e Allahut. Megjithatë, ai duhet t’i kushtojë rëndësi kënaqësisë së Allahut, duke mos u mbështetetur në forcat e veta gjatë kësaj përpjekjeje, por t'i mbështetet plotësisht Atij që i mundëson këto të mira.Kur të ktheheni prej Arafatit, përmendeni Allahun në vendet e shenjta! -Te kjo fjali mbështetet argumentimi i shumë çështjeve. Kështu, për shembull, qëndrimi në Arafat është shtyllë e haxhit, - ashtu siç njihej nga arabët dikur, - sepse “kthimi prej Arafatit” mund të kuptohet veçse pas qëndrimit në të. Allahu na urdhëron që ta kujtojmë Atë në vendet e shenjta, pra, në Muzdelife. (Edhe ky rit ka qenë i njohur nga arabët e hershëm). Pas kthimit prej Arafatit, duhet kaluar një natë në Muzdelife, në mënyrë që të nesërmen të përgatitesh për kurbanin. Pasi të falësh namazin e sabahut në Muzdelife, duhet të qëndrosh atje dhe të bësh lutje, derisa të zbardhë. Në fakt, “kujtim i Allahut” quhet çdo e mirë që adhuruesi kryen, farz apo synet qoftë ajo. Ajeti tregon, gjithashtu, se qëndrimi në Muzdelife kryhet pas kthimit prej Arafatit dhe qëndrimit në të. Qëndrimi në Arafat dhe në Muzdelife janë nga ritet e domosdoshme që duhen kryher gjatë haxhit. Muzdelifeja është pjesë e territorit të shenjtë, sikurse thuhet në ajet, ndërsa Arafati nuk bën pjesë në këtë territor, sepse, në të kundërt, do të ishte i panevojshëm cilësimi i Muzdelifesë si “e shenjtë”, nëse edhe Arafati do të ishte i tillë.Përmendeni Atë, i Cili ju ka udhëzuar, se ju më parë ishit të humbur. -Pra, kujtojeni Allahun e Lartësuar, në shenjë mirënjohjeje për mirësinë e Tij ndaj jush, duke ju udhëzuar pasi ishit të humbur, duke ju mësuar atë që nuk e dinit më parë. Kjo e fundit është mirësia më e madhe e Tij ndaj nesh, që e bën të detyrueshëm falënderimin dhe lavdërimin e Tij nga ana jonë, duke e përmendur Atë me gojë dhe me zemër.

Al-Baqara 2:198Listen in Qur'an →
199

ثُمَّ أَفِيضُوا۟ مِنْ حَيْثُ أَفَاضَ ٱلنَّاسُ وَٱسْتَغْفِرُوا۟ ٱللَّهَ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ

Mandej kthehuni nga Arafati, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Perëndisë! Se Perëndia është mëshirues e falë.

Pastaj largohuni ashtu siç largohen të gjithë njerëzit! -Kuptimi: Pas Muzdelifesë, zhvendosuni andej nga shkojnë njerëzit për plotësimin e riteve të haxhit, sepse në atë mënyrë janë zhvendosur njerëzit gjithmonë, nga koha e Ibrahimit (a.s.) e deri në kohët e sotme. Kjo “zhvendosje” ka qenë e njohur për ta dhe nënkuptonte disa lëvizje e veprime, si: gjuajtjen e gurëve në Akabe, therjen e kurbaneve, tavafin e largimit (i cili quhet kështu sepse kryhet pas largimit nga Muzdelifeja), rendjen mes dy kodrave Safa dhe Merva, qëndrimin në Mina gjatë netëve të gjuajtjes së gurëve e deri në përfundimin e të gjitha riteve të haxhit....dhe kërkojini falje Allahut! Pa dyshim, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. -Duke qenë se largimi nga Muzdelifeja nënkupton ritet e fundit të haxhit, Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që të kërkojnë falje për mangësitë e tyre dhe të shtojnë sa më shumë përkujtimin e Tij.Në fakt, adhuruesi duhet të veprojë kështu sa herë që përfundon një adhurim: t’i kërkojë falje Allahut të Lartësuar për çdo mangësi dhe dobësi të shfaqur gjatë adhurimit, dhe t’i shprehë mirënjohje të thellë Atij, sepse ishte Allahu që ia dha suksesin për ta plotësuar atë adhurim. Adhuruesi duhet ta shohë punën e tij gjithnjë si të mangët. Ai nuk duhet të mendojë asnjëherë se e ka përkryer adhurimin ndaj Zotit të Tij apo se, në këtë mënyrë, i ka bërë mirë Zotit të tij dhe prandaj meriton grada të larta. Kush mendon kështu, në fakt, meriton urrejtjen e Zotit dhe mospranimin prej Tij të adhurimit që bën ky rob. Nëse jo, atëherë ai meriton që Allahu i Lartësuar t'ia pranojë veprat modeste dhe t'i japë sukses të mëtejshëm, në arritjen e të tjera të mirave. Më pas, Allahu i Lartësuar përshkruan gjendjen dhe llojet e ndryshme të njerëzve, për sa u përket kërkesave dhe qëllimeve të tyre.

Al-Baqara 2:199Listen in Qur'an →
200

فَإِذَا قَضَيْتُم مَّنَٰسِكَكُمْ فَٱذْكُرُوا۟ ٱللَّهَ كَذِكْرِكُمْ ءَابَآءَكُمْ أَوْ أَشَدَّ ذِكْرًۭا ۗ فَمِنَ ٱلنَّاسِ مَن يَقُولُ رَبَّنَآ ءَاتِنَا فِى ٱلدُّنْيَا وَمَا لَهُۥ فِى ٱلْءَاخِرَةِ مِنْ خَلَٰقٍۢ

E pasi t’i kryeni ceremonitë e haxhxhit, përmendni Perëndinë ashtu si i keni kujtuar prindërit tuaj, apo edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë epna të mira në këtë botë!” Por për këta s’ka asnjë të mirë në ahiret.

E kur t’i përfundoni ritet, përmendeni Allahun sikurse i kujtoni prindërit tuaj, por me një kujtim edhe më të fortë! -Arabët e kishin zakon që, pas përfundimit të haxhit, të tuboheshin dhe të kujtonin bëmat e të parëve të tyre. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i urdhëroi ata që të kujtonin mirësitë e Tij ndaj tyre më shumë sesa bëmat e të parëve të tyre.Ka njerëz që thonë: “O Zoti ynë! Na jep në këtë botë!” Për të këtillët nuk ka pjesë në botën tjetër. -Ka njerëz që i kërkojnë Allahut vetëm ato gjëra që lidhen me dynjanë. Ata kërkojnë gjithçka që ua kërkon epshi i tyre i shfrenuar. Ata kanë si pikësynim veçse plotësimin e dëshirave të kësaj jete të shkurtër dhe nuk mendojnë aspak për ahiretin. Për këtë arsye, ata nuk do të kenë pjesë në ahiret.

Al-Baqara 2:200Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.