Muslim99Muslim99
← Tafsir library

2. Al-Baqara

The Cow · Medinan · 286 ayahs

سُورَةُ البَقَرَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 181–190 of 286

181

فَمَنۢ بَدَّلَهُۥ بَعْدَمَا سَمِعَهُۥ فَإِنَّمَآ إِثْمُهُۥ عَلَى ٱلَّذِينَ يُبَدِّلُونَهُۥٓ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ سَمِيعٌ عَلِيمٌۭ

Kush e ndryshon (porosinë – testamentin) pasi e ka mësuar të vërtetën, - mëkat është vetëm për ata që e ndryshojnë; - e Perëndia, me të vërtetë, i dëgjon dhe i di të gjitha.

Kush e ndryshon testamentin pasi e ka dëgjuar, ta dijë se gjynahu është i atyre që e ndryshojnë. -Pra, të gjithë ata që dëgjojnë testamentin dhe e kuptojnë shumë mirë se cilëve u adresohet ai, dhe pastaj e ndryshojnë atë, duke mos e çuar në vend porosinë, kanë gjynah dhe meritojnë ndëshkimin e Allahut të Lartësuar, ndërsa personi që lë testamentin e merr shpërblimin e tij të plotë tek Allahu i Lartësuar. Gjynahu i moszbatimit të testamentit rëndon vetëm mbi moszbatuesit e tij, të cilët e kanë dëgjuar dhe kuptuar mirë qëllimin e personit.Allahu Dëgjon dhe i Di gjithçka. -Pra, Allahu i Lartësuar i dëgjon të gjitha fjalët e atij që lë testamentin, i cili duhet ta ndiejë këtë mbikëqyrje dhe të mos bëjë ndonjë shkelje. Allahu i Lartësuar na kujton, gjithashtu, se Ai është Alim, i Ditur. Ai i di qëllimet dhe motivet e testamentlënësit. Ai i di edhe veprat e atyre që dëgjojnë dhe kuptojnë testamentin, të cilët e kanë detyrë ta zbatojnë ashtu si e dëgjojnë dhe e kuptojnë atë. Nëse testamentlënësi përpiqet maksimalisht që të mbajë drejtësi në këtë çështje, Allahu i Lartësuar do ta shpërblejë atë, edhe nëse gabon. Por kjo vlen edhe si kërcënim për ata që dëgjojnë testamentin dhe e kuptojnë atë, që të mos bëhen të padrejtë dhe ta ndryshojnë atë, sepse Allahu i Lartësuar di çdo qëllim, motiv dhe vepër të robit. Pra, le të jenë të gjithë të kujdesshëm prej shikimit dhe dijes absolute të Allahut për çdo çështje. Nëse porosia e testamentlënësit është e padrejtë, ata që janë të pranishëm gjatë lënies së saj, duhet ta këshillojnë personin që të tregohet i drejtë, duke i mësuar rrugën më të mirë. Pra, nëse testamentlënësi bën padrejtësi, me apo pa dashje, ai duhet këshilluar nga të pranishmit, por nëse përsëri nuk heq dorë nga padrejtësia e tij, atëherë kjo porosi nuk lejohet të zbatohet. Në një rast të tillë, çështja duhet zgjidhur si është më e drejta dhe më e mira, me vullnetin dhe pranimin e palëve. Ai që këshillon për drejtësi, për ta shpëtuar testamentlënësin nga barra e padrejtësisë, bën një vepër mjaft të çmuar. Po ashtu, edhe nëse testamenti i padrejtë ndryshohet, nuk është gjynah, sepse kjo ndihmon të vendoset drejtësia sipas Sheriatit dhe paqja mes njerëzve. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë më poshtë:

Al-Baqara 2:181Listen in Qur'an →
182

فَمَنْ خَافَ مِن مُّوصٍۢ جَنَفًا أَوْ إِثْمًۭا فَأَصْلَحَ بَيْنَهُمْ فَلَآ إِثْمَ عَلَيْهِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ

E ai që frikohet se porositësi (i testamentit) ka bërë pa qëllim gabim ose padrejtësi, e ndreq atë, ai – për këtë punë nuk ka mëkat. – Se me të vërtetë, Perëndia është falës dhe mëshirues.

Nëse druheni se testamentlënësi po largohet nga drejtësia, gabimisht ose qëllimisht, dhe vendosni drejtësinë, për ju nuk ka asnjë gjynah. Vërtet, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. -Pra, Allahu i Lartësuar i fal të gjitha gabimet e robërve . Ai është shumë i butë dhe tolerues me ata që pendohen. Ai është Falës i atij robi që heq dorë nga pasuria që i takon, për t’i dhënë përparësi më shumë vëllait të vet, në shenjë bamirësie, drejtësie dhe mëshire. Kush tregohet tolerant me të tjerët, ta dijë se edhe Allahu i Lartësuar do të tregohet tolerant me të. Madje, nëse njerëzit vendosin që ta rregullojnë çështjen e testamentit me mirëkuptim mes tyre, duke shpresuar që i vdekuri i tyre të falet nga Allahu i Lartësuar për padrejtësinë në porosinë e tij, atëherë Allahu i Lartësuar nuk ka për t’i zhgënyer, por ka për ta falur të vdekurin, për shkak të veprimit të tyre, sepse Allahu i Lartësuar i mëshiron shumë adhuruesit e Tij. A nuk është shprehje e mëshirës së Tij edhe ky ligj i Tij, nëpërmjet të cilit njerëzit mëshirojnë dhe përkujdesen për njëri-tjetrin?! Ajetet janë një nxitje e fortë që njeriu të lërë testament, duke përcaktuar me drejtësi ata që përfitojnë prej tij, pasi për çdo padrejtësi do të mbahet përgjegjësi. Ajetet nxisin, gjithashtu, për gjetjen e mirëkuptimit dhe vendosjen e drejtësisë, edhe sikur për këtë do të duhet të ndryshohet (vasijeti) porosia.

Al-Baqara 2:182Listen in Qur'an →
183

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ كُتِبَ عَلَيْكُمُ ٱلصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ka qenë urdhëruar atyre para juve, për t’iu shmangur mëkateve,

O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë detyrë për ju, sikurse ka qenë edhe për ata që ishin para jush -Në këto ajete, Allahu i Lartësuar u tregon besimtarëve një mirësi të madhe për ta, që është agjërimi. Agjërimi ka qenë i detyrueshëm edhe për popujt e mëparshëm, pasi ai është i dobishëm për të gjitha kohërat. Ky ajet shërben si nxitje e këtij umeti, për të garuar me popujt e mëparshëm në kryerjen e veprave të mira që i kushtohen Allahut. Kështu, ata nxiten për të arritur cilësitë më të mira, që do të thotë se agjërimi nuk është thjesht një vepër e vështirë për t’u kryer. Pastaj, Allahu i Lartësuar na tregon qëllimin e lartë të këtij adhurimi, duke thënë:…me qëllim që të bëheni të devotshëm. -Agjërimi është një nga mënyrat më efikase për t’u pajisur me devotshmëri. Ai është zbatim i urdhrit të Allahut dhe largim nga ndalesat e Tij, ashtu si vetë devotshmëria, që është ruajtja nga ndëshkimi dhe zemërimi i Zotit duke kryer urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Agjërimi e ndalon agjëruesin nga disa gjëra, si nga: të ngrënit, të pirit, marrëdhëniet seksulale etj. Besimtari iu largohet këtyre veprimeve, ndonëse nefsi ia kërkon me forcë, me qëllim që të afrohet tek Allahu i Lartësuar, duke shpresuar shpërblimin e Tij. Siç shihet, pra, ky adhurim ka lidhje të drejtpërdrejtë me devotshmërinë. Nëpërmjet agjërimit, robi ushtrohet që të ndiejë mbikëqyrjen e Zotit të tij. Edhe sikur t’i ketë të gjitha mundësitë për të shijuar kënaqësitë e nefsit, ai u largohet atyre, sepse nuk do që të shkelë ligjet dhe rregullat e të Dashurit të Tij, Allahut të Ditur dhe të Urtë. Agjëruesi e ndien gjatë gjithë kohës vështrimin e Allahut dhe është shumë i sigurt për të. Nga ngjashmëritë e agjërimit me devotshmërinë (takua) është edhe fakti se, agjërimi ia ngushton shejtanit rrugët e tij në trupin e njeriut. Dihet se shejtani lëviz nëpër trupin e njeriut ashtu sikurse qarkullon edhe gjaku i tij, por gjatë agjërimit, damarët ngushtohen e, rrjedhimisht, ngushtohen edhe rrugët e shejtanit për të mashtruar dhe nxitur njeriun në gjynahe. E dihet, gjithashtu, se njeriu i pakëson shumë gjynahet gjatë agjërimit. Agjërimi të çon drejt devotshmërisë, sepse, në të shumtën e rasteve, njeriu që agjëron i shton veprat e mira në bindje ndaj Zotit, dhe nuk ka dyshim se veprat e mira të bëjnë të devotshëm. Një njeri i pasur, kur agjëron, e ndien vështirësinë dhe vuajtjen e të varfërit, që nuk ka mundësi të ushqejë veten dhe familjen e tij. Kështu, ai bëhet më i dhembshur ndaj të tjerëve, prandaj përpiqet t’i ndihmojë ata me pasuri, dhe dihet se shpenzimi në rrugën e Zotit është cilësi e devotshmërisë.

Al-Baqara 2:183Listen in Qur'an →
184

أَيَّامًۭا مَّعْدُودَٰتٍۢ ۚ فَمَن كَانَ مِنكُم مَّرِيضًا أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍۢ فَعِدَّةٌۭ مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرَ ۚ وَعَلَى ٱلَّذِينَ يُطِيقُونَهُۥ فِدْيَةٌۭ طَعَامُ مِسْكِينٍۢ ۖ فَمَن تَطَوَّعَ خَيْرًۭا فَهُوَ خَيْرٌۭ لَّهُۥ ۚ وَأَن تَصُومُوا۟ خَيْرٌۭ لَّكُمْ ۖ إِن كُنتُمْ تَعْلَمُونَ

(agjërimi) zgjat disa ditë. Ndonjëri prej jush që gjendet i sëmur ose gjendet në udhëtim e sipër, ai i agjëron aq ditë sa i ka prishur – në ditët e tjera. Dhe ata (njerëz) që kanë vështirësi për të agjëruar (si për shembull, plaku i mbetur), duhet të japë aq sa mund të ngopet një i varfër me ushqim gjatë ditës (për një ditë agjërimi – një ditë ushqimi). E kushdo që të bëjë ndojë të mirë më tepër, për të është më mirë. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini (do ta agjëronit).

Agjërimi është për një numër të caktuar ditësh. -Vërtet, Allahu i Lartësuar e bëri agjërimin detyrim për ne, por gjithashtu na njoftoi se ai zgjat vetëm për disa ditë të numëruara, të cilat nuk e dëmtojnë dhe nuk e stërmundojnë njeriun. Përkundrazi, kjo detyrë është shumë e lehtë për t'u përmbushur dhe me shpërblim shumë të madh. Lehtësimi i Allahut të Lartësuar nuk ndalon këtu. Ai thotë:Të sëmurët ose udhëtarët(që nuk agjërojnë dot), le të agjërojnë më vonë po aq ditë(sa kanë lënë pa agjëruar). -Pra, për shkak të vështirësisë që zakonisht hasin këto dy kategori njerëzish, Allahu i Lartësuar u ka dhënë lehtësimin që, agjërimin e detyrueshëm të Ramazanit ta kryejnë në ditët e tjera pas këtij muaji, kur të jenë shëruar apo kur të jenë kthyer nga udhëtimi. Kështu, ata do ta marrin shpërblimin të plotë tek Zoti. Nga ajeti kuptojmë se ditët e paagjëruara të Ramazanit duhet të plotësohen detyrimisht, qofshin ato ditë të lëna plotësisht apo përgjysëm. Ajeti dëshmon se lejohet të zëvendësohen ditët e paagjëruara me ditë të tjera, edhe nëse nuk janë të njëjta në gjatësinë e tyre. Pra, nëse Ramazani, për shembull, ka qenë në stinën e verës, kur ditët janë të gjata, ato mund të zëvendësohen edhe me ditë të shkurtra dimri, sepse Allahu nuk ka përcaktuar gjë të tillë në ajet. Mjafton që të plotësohet vetëm numri i tyre.Për ata që nuk e përballojnë dot agjërimin, është i detyruar si kompensim ushqimi(ditor)i një të varfri. Nëse dikush jep vullnetarisht më shumë, do të jetë më mirë për të. -Këtu flitet për mëshirën e madhe të Allahut, i Cili, para se ta bënte detyrim të plotë agjërimin për njerëzit, u dha atyre disa dispozita lehtësuese. Kështu, në fillim, edhe ai që kishte mundësi të agjëronte, mund të mos agjëronte, por ishte i detyruar të kompensonte, duke ushqyer një të varfër. Kjo u bë me qëllim që detyrimi t'u vinte sa më i lehtë. Megjithatë, edhe pse i lejoi që, në vend të një dite agjërimi, të ushqenin një të varfër, Allahu i lartësuar tha:Por, sikur ta dini, është më mirë për ju të agjëroni. -Por pas disa kohësh, Allahu Lartësuar e bëri agjërimin të detyrueshëm për cilindo që mund të agjërojë. Ndërsa kush nuk mundet, duhet që ditët e lëna pa agjëruar, t'i agjërojë më vonë. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se ky ajet flet për atë kategori njerëzish, të cilët e kanë të vështirë agjërimin, sepse mund të sjellë probleme të mëdha për ta, sikurse mund të jenë, për shembull, pleqtë e shtyrë në moshë. Për këtë kategori njerëzish lejohet që të mos agjërojnë, por ata e kanë të detyrueshme që të japin kompensim, duke ushqyer nga një të varfër për çdo ditë të paagjëruar. Ky mendim i dytë është më i saktë për t'u pranuar.

Al-Baqara 2:184Listen in Qur'an →
185

شَهْرُ رَمَضَانَ ٱلَّذِىٓ أُنزِلَ فِيهِ ٱلْقُرْءَانُ هُدًۭى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَٰتٍۢ مِّنَ ٱلْهُدَىٰ وَٱلْفُرْقَانِ ۚ فَمَن شَهِدَ مِنكُمُ ٱلشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ ۖ وَمَن كَانَ مَرِيضًا أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍۢ فَعِدَّةٌۭ مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرَ ۗ يُرِيدُ ٱللَّهُ بِكُمُ ٱلْيُسْرَ وَلَا يُرِيدُ بِكُمُ ٱلْعُسْرَ وَلِتُكْمِلُوا۟ ٱلْعِدَّةَ وَلِتُكَبِّرُوا۟ ٱللَّهَ عَلَىٰ مَا هَدَىٰكُمْ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ

Këto ditë janë, ditët e muajit të ramazanit, në të cilin muaj ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me argumente të dokumentuara për rrugën e drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja. Pra, kushdo që nga ju gjendet në këtë muaj – le të agjërojë, ndërsa ai që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë aq ditë sa nuk i ka agjëruar), - Perëndia ka bërë lehtësi për ju, e jo vështirësi e mundime, - për të plotësuar numrin e ditëve të agjërimit (në një kohë tjetër), dhe për këto (lehtësi) duhet të madhëroni Perëndinë, që u ka drejtuar në rrugë të drejtë e të bëheni falenderues ndaj Tij.

Ramazani është muaji në të cilin ka zbritur Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe kriter dallues(i së vërtetës nga e kota). -Kuptimi: Muaji që duhet të agjëroni është muaji i Ramazanit, në të cilin zbriti Kur’âni, mirësia e madhe e Zotit tuaj. Këtu përmenden disa cilësi të Kur’ânit. Kështu, ai quhet “udhërrëfyes për njerëzit”, për t'u treguar atyre mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Së dyti, ai cilësohet “sqarues i rrugës së drejtë”, për ta bërë këtë me mënyrën më të thjeshtë dhe më të kuptueshme. Dhe më pas Kur’âni quhet “kriter dallues”, sepse ai të mundëson të shohësh dhe të dallosh rrugën e drejtë nga rruga e gabuar. Ai bën dallimin mes të lumturve, që do të jenë përherë në kënaqësinë e Allahut, dhe të dëshpëruarve, që do të vuajnë përjetësisht ndëshkimin dhe zemërimin e Zotit. Siç shihet, ky është muaj madhështor, prandaj duhet mbushur me adhurime kushtuar Zotit të gjithësisë, pikësëpari me agjërim. Kjo është urtësia e Allahut dhe mëshira e Tij. Vetëm pasi tregon dobitë e këtij muaji të madh dhe urtësinë e agjërimit gjatë tij, Ai thotë:Kushdo që e arrin këtë muaj, le të agjërojë! -Me këtë ajet, pra, u bë i detyrueshëm agjërimi i Ramazanit për çdonjë që ka mundësi të agjërojë dhe nuk është në udhëtim. Dikush mund të mendonte se ky ajet, përveçse anulon kompensimin për ata që mund të agjërojnë, anulon edhe lehtësimin për të sëmurët e udhëtarët, prandaj Allahu i Lartësuar e përmend sërish lehtësimin për të sëmurët dhe udhëtarët, që të largohet ky keqkuptim. Ai thotë:Por kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë më vonë po aq ditë(sa ka lënë pa agjëruar). -Kjo bëhet sepse Allahu i Lartësuar kërkon që të na i lehtësojë në maksimum rrugët që të çojnë drejt kënaqësisë së Tij.Allahu dëshiron për ju lehtësimin. Ai nuk dëshiron vështirësinë për ju. -Ai dëshiron të na thjeshtësojë çdo rrugë të mirë dhe të drejtë. Për këtë arsye, të gjithë urdhrat e Tij janë shumë të thjeshtë në origjinën e tyre. Në rastet kur, për shkaqe të justifikueshme nga Sheriati, zbatimi i këtyre urdhrave vështirësohet, Ai ka sjellë dispozita lehtësuese, të cilat ose mund ta anulojnë krejt urdhrin e parë, ose mund të bëjnë disa lehtësime të tij. Çështja e lehtësimeve të Zotit për adhuruesit e Tij është mjaft e gjerë, saqë përfshin çdo aspekt të Sheriatit, prandaj këtu nuk mund të përmenden të gjitha ato. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë.Plotësojeni numrin e ditëve të agjërimit ... -Allahu i Lartësuar e di më mirë, por, me sa duket, ky sqarim është i nevojshëm për ndonjë që mendon se qëllimet e larta të Ramazanit mund të plotësohen edhe duke agjëruar një pjesë të tij. Pra, Allahu i Lartësuar thekson se duhen plotësuar të gjitha ditët e këtij muaji. Dhe, si përfundim, Allahu i Lartësuar duhet adhuruar dhe falënderuar për suksesin që u jep besimtarëve në kryerjen e agjërimit dhe për qartësimin e të vërtetës:...dhe madhërojeni Allahun për udhëzimin(që ju dhuroi), që të bëheni mirënjohës! -Këtu bëjnë pjesë edhe tekbir-et, të cilat fillojnë që në momentin kur shfaqet hëna e re e muajit sheval, që tregon mbarimin e Ramazanit, dhe vazhdojnë deri në kohën e hytbes së namazit të Bajramit, ditën e festës.

Al-Baqara 2:185Listen in Qur'an →
186

وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِى عَنِّى فَإِنِّى قَرِيبٌ ۖ أُجِيبُ دَعْوَةَ ٱلدَّاعِ إِذَا دَعَانِ ۖ فَلْيَسْتَجِيبُوا۟ لِى وَلْيُؤْمِنُوا۟ بِى لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ

Kur besimtarët e Mi të pyesin për Mua, (thuaju): Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai t’më lutet Mua. Prandaj le ta plotësojnë thirrjen Time (për agjërim e detyra tjera) dhe le të më besojnë Mua (mos të shmangen nga besimi), për të qenë në rrugën e drejtë.

Ky ajet ka ardhur si përgjigje e një pyetjeje që iu drejtua Profetit (a.s) prej njërit nga shokët e tij, i cili tha: “O i Dërguari i Allahut! A është afër Zoti ynë, që t'i flasim me zë të ulët, apo është larg, që ta ngremë zërin kur flasim?!” Pas kësaj pyetjeje, Allahu i Lartësuar shpalli:Kur adhuruesit e Mi të pyesin për Mua,(thuaju se)Unë jam pranë(tyre). -Allahu i Lartësuar është afër. Ai është Mbikëqyrës i vazhdueshëm i robërve të Tij. Ai vështron imtësisht të fshehtat dhe ato që shfaqen haptazi. Ai e sheh edhe atë që është më e fshehtë se e fshehta. Ai di, madje, edhe për atë shikimin vjedhurazi të syve apo për gjërat që fshihen në gjoksin e njeriut. Allahu është pranë robit që lutet, duke iu përgjigjur lutjeve të tij, prandaj Ai thotë:Unë i përgjigjem lutjes, kur lutësi më lutet. -Lutjet ose dua-të janë dy llojesh:1. Lutje adhurimi. Të tilla janë lutjet e robit që Allahu i Lartësuar t’i japë ato që ai kërkon dhe ta ruajë nga ato që ai i druhet, jo duke ia kërkuar konkretisht ato, por duke kryer adhurimet për të cilat Allahu i Lartësuar ka premtuar se do të japë si shpërblim ato që robi kërkon. Për shembull, njeriu dëshiron të futen në Xhenet. Këtë ai mund t’ia kërkojë Allahut të Lartësuar me dy mënyra: ose duke iu drejtuar Atij me një kërkesë konkrete, pra, duke thënë: “O Zot, të lutem më fut në Xhenet!”, ose duke ia kërkuar këtë gjë tërthorazi, duke kryer ato vepra dhe adhurime për të cilat Allahu i Lartësuar ka premtuar si shpërblim futjen në Xhenet. Kjo mënyrë e fundit është “lutje adhurimi”, ndërsa lloji tjetër është:2. Lutje kërkese. Kjo do të thotë t'i kërkosh Allahut të Lartësuar diçka konkrete, si për shembull: “O Zot, më jep rizk hallall, ma shto pasurinë time, m'i ruaj të mirat që më ke dhënë!” etj. Këto ishin dy mënyrat me të cilat ne mund t'i lutemi Allahut të Lartësuar.Edhe afërsia e Zotit me krijesat është dy llojesh:1. Afërsi e përgjithshme. Kjo do të thotë që Allahu i Lartësuar është pranë të gjitha krijesave të Tij me dijen dhe pushtetin e Tij.2. Afërsi e posaçme, që nënkupton se Allahu i Lartësuar është pranë adhuruesve të Tij dhe atyre që i luten Atij. Kjo afërsi shprehet duke iu përgjigjur lutjeve të tyre, duke i ndihmuar e duke iu dhënë sukses.Allahu i Lartësuar ka premtuar se do t'i përgjigjet robit kur ai bën ndonjë lutje të lejuar, por me kusht që zemra e tij të jetë e përqendruar në lutje dhe të jetë i pastër nga çdo gjë që bëhet pengesë për pranimin e lutjes, sikurse është, për shembull, të ushqyerit me haram dhe pengesa të tjera të cilat i ka sqaruar Profeti (a.s). Premtimi i Allahut është akoma më pranë zbatimit kur lutësi plotëson kushtet parësore që mundësojnë përgjigjen e lutjes, të cilat janë: besimi i patundur tek Allahu, nënshtrimi dhe bindja e plotë ndaj urdhrave të Tij, si edhe largimi prej ndalesave të Tij. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë më pas:Le të më përgjigjen Mua dhe të më besojnë vetëm Mua, që të bëhen të udhëzuar drejt! -Pra, vetëm duke iu përgjigjur urdhrave të Zotit dhe duke besuar gjithçka që Ai ka urdhëruar të besojmë, vetëm atëherë do të jemi të udhëzuar. Udhëzimi i premtuar në këtë rast është pranimi i imanit dhe kryerja e veprave të mira. Duke iu përgjigjur Allahut dhe duke e besuar …

Al-Baqara 2:186Listen in Qur'an →
187

أُحِلَّ لَكُمْ لَيْلَةَ ٱلصِّيَامِ ٱلرَّفَثُ إِلَىٰ نِسَآئِكُمْ ۚ هُنَّ لِبَاسٌۭ لَّكُمْ وَأَنتُمْ لِبَاسٌۭ لَّهُنَّ ۗ عَلِمَ ٱللَّهُ أَنَّكُمْ كُنتُمْ تَخْتَانُونَ أَنفُسَكُمْ فَتَابَ عَلَيْكُمْ وَعَفَا عَنكُمْ ۖ فَٱلْـَٰٔنَ بَٰشِرُوهُنَّ وَٱبْتَغُوا۟ مَا كَتَبَ ٱللَّهُ لَكُمْ ۚ وَكُلُوا۟ وَٱشْرَبُوا۟ حَتَّىٰ يَتَبَيَّنَ لَكُمُ ٱلْخَيْطُ ٱلْأَبْيَضُ مِنَ ٱلْخَيْطِ ٱلْأَسْوَدِ مِنَ ٱلْفَجْرِ ۖ ثُمَّ أَتِمُّوا۟ ٱلصِّيَامَ إِلَى ٱلَّيْلِ ۚ وَلَا تُبَٰشِرُوهُنَّ وَأَنتُمْ عَٰكِفُونَ فِى ٱلْمَسَٰجِدِ ۗ تِلْكَ حُدُودُ ٱللَّهِ فَلَا تَقْرَبُوهَا ۗ كَذَٰلِكَ يُبَيِّنُ ٱللَّهُ ءَايَٰتِهِۦ لِلنَّاسِ لَعَلَّهُمْ يَتَّقُونَ

Juve u lejohet që gjatë netëve të agjërimit t’i afroheni bashkëshorteve tuaja. Ato janë petku i juaj, e ju jeni petku i tyne. Perëndia e di mirë se ju nuk mund të duroheni, e keni tradhëtuar veten, e Perëndia u ka pranuar pendimin tuaj dhe u ka falur gabimin. Prandaj, u lejohet kontakti me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Perëndia për ju. Dhe hani e pini deri në mëngjes (deri në imsak) deri sa të dallohet peri i bardhë nga peri i zi, pastaj plotësonie agjërimin deri në muzg, (deri në perëndim të diellit). Mos ju afrohuni atyre gjatë kohës, kur gjeneni në itikafë në xhami! Këta janë kufijt e Perëndisë; pra mos ju afrohuni atyre! Kështu pra, Perëndia ua shpjegon njerëzve dispozitat e veta, që të ruhen e të mos bëjnë punë të ndaluara.

Gjatë netëve të agjërimit, e keni të lejuar kontaktin(intim)me gratë tuaja. Ato janë robë(mburojë)për ju dhe ju jeni robë(mburojë)për to. -Në fillim, po të flinin gjumë pas perëndimit të diellit, besimtarët e kishin të ndaluar që të hanin, të pinin dhe të kryenin marrëdhënie intime me gratë e tyre, deri në perëndimin e ditës tjetër të agjërimit. Por kjo ishte shumë e vështirë për ta. Madje, shpesh ata e thyenin urdhrin e Zotit për netët e Ramazanit. Për këtë arsye, i Madhëruari tha:Allahu e dinte se ju nuk do ta mbanit veten, prandaj jua pranoi pendimin dhe jua fali gabimin tuaj. -Nëse nuk do të vinte ky lehtësim i Zotit, ata do të vazhdonin në gjynahe e mosbindje ndaj Tij. Jo vetëm kaq, por Allahu i Lartësuar ua fali besimtarëve ato gabime që kishin bërë para se të zbriste ky lehtësim prej Tij.Tani, kontaktoni me to… -Domethënë, kontaktoni me gratë me të gjitha mënyrat e kontaktit që më parë ishin të ndaluara.…dhe kërkoni atë që Allahu ka përcaktuar për ju. -Pra, edhe në kontaktin me to, motivohuni për të kërkuar shpërblim prej Allahut. Dihet shumë mirë se qëllimi më i madh prej kontaktit me gratë është sjellja në jetë e pasardhësve të mirë, që adhurojnë Allahun, dhe ruajtja e nderit. Le të jetë ky, pra, qëllimi i marrëdhënieve me bashkëshorten, që të arrihet shpërblimi nga Allahu i Lartësuar. Megjithatë, njeriu duhet të kërkojë edhe mirësi të tjera të muajit të Ramazanit, të cilat janë më të rëndësishme se marrëdhëniet e burrit me gruan e tij, në mënyrë që të afrohet më shumë tek Allahu i Lartësuar. Kështu, thënia e Allahut të Lartësuar: “kërkoni atë që Allahu ka përcaktuar për ju”, përfshin edhe mirësi të tjera, prej të cilave është edhe Nata e Kadrit. Me këtë kuptim, Allahu i Lartësuar na udhëzon që të kërkojmë sevapin e Natës së Kadrit duke shtuar adhurimet e duke mos e tepruar me shijimin e kënaqësive të lejuara në këtë natë. Kënaqësitë trupore mund të arrihen në çdo natë tjetër, ndërsa Nata e Kadrit mund të kërkohet veçse gjatë netëve të Ramazanit.Hani e pini, derisa, të dallohet qartë peri i bardhë i agut nga peri i zi(errësira e natës). -Ky është kufiri i lejimit të ngrënies, pirjes dhe kontaktit intim. Ajeti tregon se nuk prishet agjërimi i atij që nuk është i sigurt në ka hyrë koha e agut (kur fillon agjërimi), apo jo, dhe, për këtë arsye, vazhdon të hajë dhe të pijë, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “…derisa të dallohet qartë”. Pra, nëse akoma nuk është bërë e qartë hyrja e kohës së agjërimit, dhe ti vazhdon të hash, kjo nuk e prish agjërimin tënd. Ky ajet dëshmon, gjithashtu, se ngritja për syfyr, për të ngrënë ushqim, është e pëlqyeshme, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Hani e pini…”. Nga ajeti mësohet se është e pëlqyeshme që ngrënia e syfyrit të vonohet sa më shumë që të jetë e mundur, brenda kohës së lejuar, pasi ky qe një lehtësim nga Allahu i Lartësuar për adhuruesit, dhe ky lehtësim bëhet më i plotë kur hamë dhe pimë sa më afër kohës së fillimit të agjërimit. Ajeti tregon, gjithashtu, se është e lejueshme që të gdhihesh xhunub, edhe nëse ka hyrë koha e agjërimit, sepse Allahu thotë: “Hani e pini, derisa, të dallohet qartë peri i bardhë i agut nga peri i zi (errësira e natës).”, dhe dihet se njeriu, po kreu marrëdhënie …

Al-Baqara 2:187Listen in Qur'an →
188

وَلَا تَأْكُلُوٓا۟ أَمْوَٰلَكُم بَيْنَكُم بِٱلْبَٰطِلِ وَتُدْلُوا۟ بِهَآ إِلَى ٱلْحُكَّامِ لِتَأْكُلُوا۟ فَرِيقًۭا مِّنْ أَمْوَٰلِ ٱلنَّاسِ بِٱلْإِثْمِ وَأَنتُمْ تَعْلَمُونَ

Mos i hani pasurinë njëri-tjetrit me pa të drejtë! Dhe mos u bëni mitdhënës te gjykatësit për t’i ngrënë njerëzve me tradhëti një pjesë të mallit, se ju e dini (që këto janë mëkate).

Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar. -Kuptimi: Mos i merrni pasuritë tuaja me padrejtësi. Fjala e përdorur është “emuâlekum”– “pasuritë tuaja”, edhe pse qëllimi është “pasuritë e të tjerëve”. Kështu, Allahu i Lartësuar na udhëzon që ne ta konsiderojmë shoqërinë si një bashkësi të vetme, ku nuk ka “ne” dhe “të tjerë”. Pasuria e vëllait konsiderohet si pasuria ime. Ashtu sikurse nuk duam që të na i marrin pasurinë tonë pa të drejtë, po të njëjtën gjë duhet të dëshirojmë edhe për vëllain musliman. Nëse do t'ia lejonim vetes që të merrnim pasurinë e vëllait pa të drejtë, po kështu duhet të pranonim që edhe të tjerët të na merrnin pasurinë tonë pa të drejtë. Duke qenë se fitimi dhe marja e pasurisë prej tjetrit është dy llojesh: e drejtë dhe e padrejtë, Allahu i Lartësuar përcaktoi si të ndaluar vetëm përfitimin me padrejtësi. Ka shumë forma përfitimi të padrejta, prej të cilave mund të përmendim:1. Marrja e pasurisë nëpërmjet grabitjes, vjedhjes, mashtrimit, shkeljes së amanetit e të tjera si këto.2. Kërkimi dhe pranimi i rryshfeteve, përfitimi nga fajdet, kumari e të tjera të ngjashme. Të gjitha këto mënyra fitimi janë të padrejta dhe nuk janë të lejuara nga Sheriati.3. Marrja e pasurisë së njerëzve duke ngrënë në peshë, duke mashtruar në shitblerje, qiradhënie etj.4. Të marrësh tjetrin në punë dhe të mos i japësh hakun që i takon (sipas marrëveshjes).5. Fitimi që merr njeriu për një punë, së cilës nuk ia bën hyzmetin ashtu siç duhet.6. Fitimi që merret për adhurime, të cilat nuk mund të jenë të sakta nëse me to synohet shpërblimi material, e jo kënaqësia e Allahut.7. Përfitimi prej zekatit dhe sadakasë, nëse nuk hyn në kategorinë e njerëzve që përfitojnë prej tyre. E tillë është edhe marrja prej kësaj pasurie më tepër sesa është e përcaktuar nga Sheriati, ose më tepër sesa është e nevojshme.Të gjitha këto që u përmendën janë mënyra të ndaluara të përfitimit të pasurisë së njerëzve. Këto mënyra janë të palejueshme, edhe sikur të arrihen nëpërmjet gjykatësve, të cilëve u është dhënë rryshfet.Mos ndërhyni te gjykatësit me rryshfete, për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve të tjerë, kur ju e dini. -Shpesh, ndodh që njerëz të padrejtë, me mundësitë dhe argumentimin e tyre, i bindin gjykatësit që t’i lejojnë të përfitojnë padrejtësisht nga pasuritë e të tjerëve. Por, sido që të jetë, gjykimi i një gjykatësi nuk e bën të lejuar tek Allahu atë që është haram dhe nuk e bën haram atë që është e lejuar. Tek Allahu i Lartësuar çështjet mbeten gjithnjë ashtu sikurse janë në të vërtetë. Pra, njeriu i padrejtë të mos mendojë kurrë që vendimi i gjykatësit në favor të tij është i pranueshëm tek Allahu, sepse Allahu i Lartësuar i njeh fshehtësitë deri në imtësi. Atëherë, nëse dikush fiton padrejtësisht një pasuri, në bazë të një vendimi gjykate, e ka përsëri haram që ta marrë atë pasuri. Nëse ai e merr, konsiderohet prej atyre që hanë pasurinë e njerëzve pa të drejtë, prandaj meriton ndëshkimin e Allahut të Lartësuar. Ndëshkimi i tij është i meritueshëm, sepse ai e ka grabitur pasurinë e tjetrit me vetëdije dhe me mashtrim. Po kështu edhe avokati i çështjes së këtij të padrejti duhet të mos bëhet palë me …

Al-Baqara 2:188Listen in Qur'an →
189

۞ يَسْـَٔلُونَكَ عَنِ ٱلْأَهِلَّةِ ۖ قُلْ هِىَ مَوَٰقِيتُ لِلنَّاسِ وَٱلْحَجِّ ۗ وَلَيْسَ ٱلْبِرُّ بِأَن تَأْتُوا۟ ٱلْبُيُوتَ مِن ظُهُورِهَا وَلَٰكِنَّ ٱلْبِرَّ مَنِ ٱتَّقَىٰ ۗ وَأْتُوا۟ ٱلْبُيُوتَ مِنْ أَبْوَٰبِهَا ۚ وَٱتَّقُوا۟ ٱللَّهَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ

Të pyesin ty (o Muhammed!) për hënën, (ndryshimin e saj); thuaju: “Këto për njerëzit janë shenja të kohës dhe të haxhxhillëkut”. Nuk shprehet mirësia me të hyrit në shtëpi kah shpina (sipas zakonit të atëhershëm të arabëve), por mirësia qëndron në të ruajturit nga të këqijat. Hyni në shtëpi kah dyert e tyre dhe droni Perëndisë, për të qenë të shpëtuar!

Të pyesin ty për hënat.- Kuptimi: Të pyesin për fazat e hënës, se çfarë dobie dhe çfarë urtësie fshihet pas tyre. Allahu i Lartësuar, me mëshirën dhe urtësinë e Tij, e ka krijuar hënën dhe e ka bërë të shfaqet në faza të ndryshme. Kështu, kur shfaqet hëna e re, e cila është e hollë sa mezi duket, atëherë fillon muaji hënor. Pastaj ajo vazhdon e plotësohet dalëngadalë, derisa vjen mesi i muajit, kohë kur hëna është e plotë. Pas kësaj faze, hëna fillon përsëri të hahet, deri në përfundim të muajit, kur ajo zhduket.Thuaj: “Ato janë përcaktime të kohës për njerëzit dhe për haxhin. -Allahu i Lartësuar i bëri këto faza të hënës, me qëllim që njerëzit të mund të përcaktojnë kohën e adhurimeve të tyre, si: haxhin, agjërimin, kohën e zekatit etj. Allahu i Lartësuar ka përmendur haxhin, sepse ai kryhet në muaj të përcaktuar dhe kërkon një kohë të gjatë për t'u kryer. Me anë të fazave të hënës përcaktohen edhe afati i borxheve apo i qiradhënieve, kohëpritja e një gruaje të divorcuar, gjatësia e një shtatzënie etj. Këto llogaritje janë tepër të nevojshme për krijesat, dhe Allahu i Lartësuar i ka bërë shumë të thjeshta ato me anë të hënës, qoftë për të moshuar apo për fëmijë, për të ditur apo injorantë. Nëse llogaritja do të bëhej me vite diellore, do të ishte e vështirë, sepse këtë mënyrë e njohin njerëz të rrallë, që janë të specializuar në këtë fushë.Nuk është mirësi të hyni në shtëpitë tuaja nga mbrapa tyre. Mirësia e vërtetë është për atë që ruhet. Në shtëpi hyni nga dyert e tyre. -Ensarët (medinasit) dhe të tjerë, kur vishnin ihramin për të kryer haxhin, nuk hynin në shtëpitë e tyre nga porta, derisa të përfundonin haxhin dhe të hiqnin ihramin. Ata mendonin se kjo ishte një vepër e mirë, me të cilën mund të afroheshin tek Allahu i Lartësuar. Por Allahu i Lartësuar bëri të ditur se nuk e konsideronte si adhurim një vepër të tillë, sepse Ai nuk e kishte ligjëruar atë. Allahu mund të adhurohet veçse me vepra të cilat Ai i ka ligjëruar dhe i ka sqaruar nëpërmjet Profetit dhe Kur’ânit. Pra, çdokush që kryen një vepër, me qëllim për të adhuruar Allahun, por që Allahu nuk e ka ligjëruar atë si të tillë, ai ka bërë veçse një bidat. Kështu, Allahu i ndaloi “adhurime” të tilla të pabaza dhe i urdhëroi besimtarët që të hynin në shtëpitë e tyre nga dyert, jo nga dritaret. Me këtë, Allahu i Lartësuar u mësoi besimtarëve një rregull shumë të rëndësishëm në Islam, që konsiderohet si parim kryesor i Sheriatit (domethënë që, nuk lejohet të adhurohet Zoti me vepra dhe mënyra që Ai nuk i ka ligjëruar nëpërmjet Kur’ânit dhe Profetit të Tij). Nga ajeti kuptohet, qoftë edhe tërthorazi, se njeriu duhet të synojë që, në zgjidhjen e çdo çështjeje, të zgjedhë rrugën më të thjeshtë dhe më të shkurtër brenda kufijve të Sheriatit. Kësisoj, edhe ata që urdhërojnë njerëzit për vepra të mira dhe i ndalojnë ata nga të këqijat, duhet të jenë të kujdesshëm që të zgjedhin rrugët më të thjeshta dhe më efikase, me qëllim që fjala e tyre të pranohet. Në të njëjtën mënyrë duhet të veprojnë edhe mësuesit, të cilët duhet të zgjedhin mënyrat dhe rrugët më të thjeshta për të mësuar nxënësit, që të arrihen rezultatet e kërkuara. Çdo njeri që ka synime të larta dhe të drejta, nëse ndjek …

Al-Baqara 2:189Listen in Qur'an →
190

وَقَٰتِلُوا۟ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ ٱلَّذِينَ يُقَٰتِلُونَكُمْ وَلَا تَعْتَدُوٓا۟ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يُحِبُّ ٱلْمُعْتَدِينَ

Luftoni në rrugën e Zotit – kundër atyre që luftojnë kundër jush, por mos tejkaloni kufirin! – Se, Perëndia, nuk i don ata që e kalojnë kufirin.

Në këto ajete, Allahu i Lartësuar urdhëron për luftë në rrugën e Tij. Ky urdhër ka ardhur pas emigrimit të muslimanëve në Medinë, kur ata u fuqizuan për të zhvilluar një luftë të tillë, sepse në fillim muslimanët ishin urdhëruar të tregoheshin të përmbajtur.Luftoni në rrugën e Allahut… -Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që ne të luftojmë dhe e ka përcaktuar qartë motivin e kësaj lufte, duke thënë: “Luftoni në rrugën e Allahut”. Ky urdhër bëhet për të qenë të sinqertë ndaj Tij edhe në luftën që zhvillojmë. Me fjalë të tjera, lufta që na urdhëron Allahu i Lartësuar është ajo që zhvillohet për hir të kënaqësisë së Tij dhe për vendosjen e drejtësisë. Ndërsa luftërat e tjera, sidomos ato që ndodhin mes muslimanëve, janë të padrejta....kundër atyre që ju sulmojnë” -Lufta zhvillohet kundër atyre që synojnë dhe përgatiten për luftë kundër muslimanëve. Kjo do të thotë që lufta bëhet kundër burrave të përgjegjshëm mendërisht, që synojnë të luftojnë muslimanët. Me fjalë të tjera, nuk luftohen pleqtë, fëmijët dhe gratë, të cilët nuk synojnë luftën dhe nuk kanë mundësi që ta zhvillojnë atë....dhe mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë -Pra, Allahu i Lartësuar na ndalon nga tejkalimi i kufijve, i çdo natyre qoftë ai. Kështu, për shembull, nuk lejohet të vrasësh gratë, fëmijët, pleqtë, të sëmurët mendorë apo njerëzit e fesë që nuk luftojnë, sepse konsiderohet teprim dhe padrejtësi e madhe. Nuk lejohet, gjithashtu, shfarosja e kafshëve, e bimësisë apo e të mbjellave pa qenë e nevojshme dhe e dobishme, sepse quhet padrejtësi. Nuk lejohet as të shpërfytyrosh apo të gjymtosh të vrarët. Nuk lejohet, po ashtu, të vrasësh jomuslimanët që kanë pranuar t'i paguajnë xhizjen shtetit Islam, pasi edhe ky konsiderohet tejkalim i kufijve të Zotit.

Al-Baqara 2:190Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.