Muslim99Muslim99
← Tafsir library

2. Al-Baqara

The Cow · Medinan · 286 ayahs

سُورَةُ البَقَرَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 171–180 of 286

171

وَمَثَلُ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ كَمَثَلِ ٱلَّذِى يَنْعِقُ بِمَا لَا يَسْمَعُ إِلَّا دُعَآءًۭ وَنِدَآءًۭ ۚ صُمٌّۢ بُكْمٌ عُمْىٌۭ فَهُمْ لَا يَعْقِلُونَ

Mohuesit i shëmbëllejnë çobanit (bariut) i cili i thërret shtazët, të cilat dëgjojnë vetëm thirrje e zë, por s’kuptojnë asgjë. (Ata janë) të shurdhër, memecë dhe verbët, e nuk mendojnë asgjë.

Mohuesit u përngjajnë kafshëve, të cilat, kur i thërret dikush, dëgjojnë vetëm britmë dhe zë(por s'kuptojnë asgjë). -Pra, ata u përngjajnë bagëtive, të cilat veç sa dëgjojnë zërin e bariut, por nuk kuptojnë se çfarë thotë ai. Edhe mohuesit, ashtu si bagëtitë, e dëgjojnë atë që i fton në rrugën e drejtë, por nuk reagojnë me logjikë ndaj zërit që dëgjojnë. Për këtë arsye, Allahu thotë:Ata janë të shurdhër, memecë, të verbër dhe nuk kuptojnë asgjë. -Ata janë ‘summun’, pra, të shurdhër, që nuk e dëgjojnë të vërtetën me logjikë, për ta kuptuar dhe për t’iu bindur asaj. Ata janë ‘umjun’ - të verbër, që nuk i shohin faktet, për ta dalluar të vërtetën nga e kota, dhe nuk marrin mësime prej tyre. Ata janë gjithashtu ‘bukmun’ – memecë, që nuk e thonë kurrë të vërtetën, e cila është në dobinë e tyre. Cili është shkaku i kësaj gjendjeje? Allahu i Lartësuar thotë: “ata nuk kuptojnë”. Pra, shkaku është që ata nuk kanë mendje të shëndoshë, por janë mendjelehtë dhe injorantë. E si mund të dyshosh në mendjelehtësinë e dikujt që, kur ftohet në rrugën e drejtë, kur ftohet për t'u larguar nga shkatërrimi e për t'u ruajtur nga ndëshkimi, kur urdhërohet për vepra të mira, që janë në dobi të tij, kur ftohet në rrugën që i siguron suksesin dhe lumturinë, ai, çuditërisht, e refuzon ftesën dhe nuk i bindet urdhrit të Zotit të tij?! Çfarë mund të thuhet tjetër për një njeri, i cili, me vetëdije, i hyn rrugës së Zjarrit, duke ndjekur të kotën dhe duke shpërfillur të vërtetën?! A mund të thuhet që një i tillë është i mençur?! Jo, pa dyshim që ai është më mendjelehti dhe më injoranti që mund të ekzistojë.

Al-Baqara 2:171Listen in Qur'an →
172

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ كُلُوا۟ مِن طَيِّبَٰتِ مَا رَزَقْنَٰكُمْ وَٱشْكُرُوا۟ لِلَّهِ إِن كُنتُمْ إِيَّاهُ تَعْبُدُونَ

O besimtarë! Hani nga ushqimet e këndshme që ua kemi dhuruar Na juve dhe nëse jeni adhurues të Perëndisë bëhuni falenderues të Tij!

O ju që keni besuar! -Ky urdhër u drejtohet besimtarëve, pas atij që i drejtohej të gjithë njerëzimit. Ky veçim ndodh për arsye se të vetmit që përfitojnë vërtet prej urdhrave dhe ndalesave të Zotit janë pikërisht besimtarët. Ata janë të vetmit që i marrin në konsideratë urdhrat dhe ndalesat, duke i respektuar ato, dhe këtë e bëjnë të shtyrë vetëm nga besimi që kanë në zemërHani nga të mirat me të cilat ju kemi begatuar -Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që të përfitojnë prej çdo gjëje që quhet e mirë dhe e këndshme, si dhuratë prej Zotit Bujar dhe Mëshirëplotë. Ai i urdhëron, gjithashtu, që ata të jenë mirënjohës për mirësitë e dhuruara prej Tij, duke i shpenzuar dhe shfrytëzuar ato për bindjen ndaj Zotit të tyre. Kështu, Allahu i Lartësuar u jep besimtarëve të njëjtat urdhra që u ka dhënë profetëve të Tij, siç thuhet në ajet: “O ju të dërguar të Zotit! Hani prej mirësive dhe punoni vepra të mira…” [Haxh]. Mirënjohja për të cilën Allahu i Lartësuar urdhëron besimtarët është pikërisht “kryerja e veprave të mira” për të cilën ka urdhëruar profetët. Duke qenë se ky ajet u drejtohet besimtarëve, aty nuk përmendet që gjërat duhet të jenë të lejuara, sikurse u përmend në ajetin që u drejtohet njerëzve në përgjithësi. Arsyeja është se nuk ka nevojë që t’u thuhet besimtarëve, se të mirat që duhet të hanë, duhet të merren në mënyrë të lejuar, pasi besimi i tyre nuk i lejon të shfrytëzojnë diçka në mënyrë jo të lejuar. Po ashtu, nëse njeriu i përdor mirësitë e Zotit për të adhuruar Atë, ai nuk do të merret në përgjegjësi për to Ditën e Gjykimit. Ai i ka hallall ato mirësi që i shfrytëzon dhe i përdor në bindjen ndaj Zotit. Ndërsa mohuesi, i cili nuk i shfrytëzon mirësitë e Zotit për ta adhuruar Atë dhe për të treguar mirënjohjen ndaj Tij, do të merret në përgjegjësi për to në Ditën e Gjykimit, edhe nëse i përdor ato në mënyrë të lejuar në këtë botë. Mirësitë që ai mund të gëzojë në këtë jetë, duke qenë se nuk tregohet mirënjohës për to dhe nuk i shfrytëzon për adhurimin e Zotit, në realitet ai i ka haram dhe do të mbajë përgjegjësi për to.…dhe falënderojeni Allahun, nëse jeni të sinqertë në adhurimin e Tij! -Me fjalë të tjera, ajeti kuptohet kështu: Ai që nuk tregon mirënjohje ndaj Zotit, nuk e adhuron Atë si Një të vetëm, sepse çdokush që tregohet mirënjohës ndaj Tij, patjetër që do të jetë adhurues i Tij dhe zbatues i rregullt i të gjitha urdhrave të Tij. Ky ajet tregon, gjithashtu, se konsumimi i gjërave të mira dhe të lejuara bëhet shkak dhe ndihmë për të kryer vepra të mira, dhe çka është më e rëndësishme, që ato të konsiderohen si të pranuara te Zoti i Lartësuar. Shfrytëzimi i mirësive e bën të detyrueshme mirënjohjen për to, e cila sjell dy gjëra, njëra më e mirë se tjetra: së pari, ruajtjen e imanit dhe të mirësive ekzistuese dhe, së dyti, shtim të mirësive të tjera. Mosmirënjohja ose mohimi i mirësive, nga ana tjetër, largon mirësitë ekzistuese dhe ato që priten të vijnë. Më tej, pasi lejon përdorimin e gjërave të pastra, të këndshme dhe të dobishme, Allahu i Lartësuar ndalon gjërat e pista, të këqija e të dëmshme, duke thënë:

Al-Baqara 2:172Listen in Qur'an →
173

إِنَّمَا حَرَّمَ عَلَيْكُمُ ٱلْمَيْتَةَ وَٱلدَّمَ وَلَحْمَ ٱلْخِنزِيرِ وَمَآ أُهِلَّ بِهِۦ لِغَيْرِ ٱللَّهِ ۖ فَمَنِ ٱضْطُرَّ غَيْرَ بَاغٍۢ وَلَا عَادٍۢ فَلَآ إِثْمَ عَلَيْهِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌ

Me të vërtetë, Perëndia ua ka ndaluar ngrënien e kafshës së ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe atë kafshë që nuk është therrur në emër të Zotit. Por ata që ngushtohen nga uria e madhe, sa për të zhdukur krizën e urisë nuk kanë mëkate t’i hanë, por nuk duhet kaluar kufirin e lejueshmërisë. Se Perëndia me të vërtetë është Përdëllimtar i madh dhe falë.

Juve ju janë ndaluar veçse të ngordhurat, gjaku, mishi i derrit -“Të ngordhura” (el mejtetu)konsiderohen kafshët që kanë ngordhur jo prej therjes së rregullt të përcaktuar nga Sheriati. Ato ndalohen të hahen, sepse janë të pista dhe të neveritshme. Në shumicën e rasteve, ngordhja vjen si pasojë e sëmundjeve të ndryshme të kafshës, dhe kjo ia shton më tepër dëmin. Prej të ngordhurave, që ndalohen të hahen, përjashtohen karkalecat e tokës dhe të gjitha gjallesat e detit. Këto dy kategori janë të lejuara dhe të pastra, edhe nëse nuk theren sipas Sheriatit. Ndërsa gjaku i ndaluar është gjaku i damarëve, që del me forcë, sikurse është përcaktuar në një ajet tjetër të Kur’ânit: “Thuaj: “Në Shpalljen që më është dhënë nuk gjej ushqime të ndaluara, veç mishit të ngordhur, gjakut që derdhet vrullshëm dhe mishit të derrit, sepse janë të ndyrë, dhe mishit që nuk therret me emrin e Allahut, që është shkelje e kufijve të Tij. E për atë që është i detyruar të hajë nga këto, por duke mos pasur për qëllim shijimin dhe duke mos e tepruar, Zoti yt është Falës e Mëshirëplotë.” [En’am 145].…dhe ato(kafshët)që nuk theren në emër të Allahut por të dikujt tjetër.Domethënë, gjatë therjes së të cilave përmendet emri i dikujt tjetër, përveç Allahut, qofshin ata idhuj prej guri, të vdekur, varre etj. Këto që u përmendën deri tani nuk janë të gjitha llojet e të ndaluarave, por janë ato që quhen të këqija, të pisëta, të neveritshme e të dëmshme. Me fjalë të tjera, këto janë sjellë si shembuj, për të treguar se Allahu i Lartësuar ka ndaluar veçse gjërat e neveritshme dhe të dëmshme. Allahu i Lartësuar na i bëri të ndaluara këto gjëra të neveritshme, në shenjë butësie dhe mëshire ndaj nesh, për të na ruajtur nga çdo gjë e dëmshme. Megjithatë, Allahu i Lartësuar dhe i Mëshirshëm thotë:Por, kush detyrohet(të hajë njërën nga këto), pa dashur të bëjë keq dhe duke mos e tepruar, për të nuk është gjynah(nëse i ha). -Pra, çdokush që ndihet i detyruar për të konsumuar këto ushqime të ndaluara, i lejohet ta bëjë, por me disa kushte: Së pari, të jetë i detyruar për t’i përdorur ato. Një rast i tillë është, për shembull, kur njeriu nuk ka asgjë për të konsumuar përveç këtyre harameve; përndryshe mund të vdesë. Një rast tjetër është kur kërcënohet seriozisht, nëse nuk e konsumon atë haram. Së dyti, të mos synojë haramin, ndërkohë që ka mundësi të përdorë hallallin, ose kur nuk është e domosdoshme diçka e tillë. Pra, kur nuk është plotësuar kushti i të qenit i detyruar, i shtrënguar. Kusht tjetër është që të mos teprohet me masën e lejuar. Pra, nuk duhet të kalohet masa mbi të domosdoshmen. Për atë njeri që e ka të domosdoshëm përdorimin e haramit, pasi nuk ka asnjë mundësi të përdorë hallallin, dhe nuk e tejkalon masën që e ka të domosdoshme, për atë, pra, Allahu i Lartësuar thotë që nuk ka gjynah. Ai nuk do të merret në përgjegjësi për konsumin e kësaj të ndaluare. Madje, në rast të tillë, njeriu është i urdhëruar që ta konsumojë atë, për të mbajtur trupin gjallë. Ai e ka të ndaluar që të shkojë me këmbët e veta drejt shkatërrimit dhe vdekjes; ai e ka të ndaluar të vrasë veten. Për këtë arsye, njeriu do të merret në përgjegjësi nëse e le ushqimin deri në vdekje, sepse konsiderohet …

Al-Baqara 2:173Listen in Qur'an →
174

إِنَّ ٱلَّذِينَ يَكْتُمُونَ مَآ أَنزَلَ ٱللَّهُ مِنَ ٱلْكِتَٰبِ وَيَشْتَرُونَ بِهِۦ ثَمَنًۭا قَلِيلًا ۙ أُو۟لَٰٓئِكَ مَا يَأْكُلُونَ فِى بُطُونِهِمْ إِلَّا ٱلنَّارَ وَلَا يُكَلِّمُهُمُ ٱللَّهُ يَوْمَ ٱلْقِيَٰمَةِ وَلَا يُزَكِّيهِمْ وَلَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ

Padyshim, ata që fshehin atë që ua ka shpallur Perëndia në Libër (Teurat) dhe i zëvendësojnë fjalët e Mia me diç tjetër të pavlerë (i shesin), ata nuk hanë tjetër gjë vetëm atë, që në barkun e tyre u sjell zjarrin. Në Ditën e Kijametit, Perëndia nuk do t’u flasë atyre dhe s’ka për t’i dlirë prej fajesh, dhe për ta ka dënim pikëllues.

Këto ajete janë një kërcënim i ashpër për këdo që fsheh diçka prej Shpalljeve që Allahu i Lartësuar u dha profetëve. Ato janë kërcënim për këdo që fsheh dijen për të cilën Allahu i Lartësuar, atyre që ua dhuroi, u mori besën se do t'ua sqaronin njerëzve dhe nuk do ta fshihnin.Ata që fshehin nga Libri atë që shpalli Allahu, për të fituar me të një shpërblim të vogël… -Domethënë, ata të cilët për hir të kësaj bote mashtruese dhe të parëndësishme, e shpërfillin urdhrin e Allahut për qartësimin e së vërtetës. Për këta është një kërcënim i ashpër:…ata fusin vetëm zjarr në barkun e tyre. -Fitimi që ata marrin me mënyrën e fëlliqur është haram e i shëmtuar. Për këtë arsye, zjarri në barkun e tyre është shpërblimi më i drejtë, sipas punës që kanë bërë.Në Ditën e Gjykimit, Allahu nuk do t’u flasë atyre -Allahu do të jetë i zemëruar me ta, prandaj nuk do t’i përfillë kërkesat e tyre. Kjo do të jetë shumë më e dhimbshme për ta, sesa vetë ndëshkimi në Zjarr.…dhe as nuk do t'i shfajësojë. I dhembshëm do të jetë dënimi i tyre. -Domethënë, Allahu nuk do t’i pastrojë ata nga cilësitë e tyre të ulta, sepse nuk kanë bërë kurrë ndonjë vepër për të cilën mund të lëvdohen dhe mund të meritojnë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe shpërblimin e Tij. Allahu i Lartësuar nuk i pastron ata për të vetmen arsye: për shpërfilljen nga ana e tyre e Librit të Zotit, duke mos zbatuar dispozitat e Tij dhe duke mos i ftuar njerëzit që ta pasojnë dritën e sjellë nëpërmjet tij.

Al-Baqara 2:174Listen in Qur'an →
175

أُو۟لَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ ٱشْتَرَوُا۟ ٱلضَّلَٰلَةَ بِٱلْهُدَىٰ وَٱلْعَذَابَ بِٱلْمَغْفِرَةِ ۚ فَمَآ أَصْبَرَهُمْ عَلَى ٱلنَّارِ

Ata (mohuesit) rrugën e drejtë e kanë ndërruar me të humburën dhe faljen e Zotit me mundim, dhe sa ë durueshëm që janë vetëm ata në zjarr!

Ata e kanë këmbyer udhëzimin me humbjen dhe shpëtimin me dënimin. -Ata nuk e ndjekin udhëzimin e sjellë në Librin e Zotit, por i kthejnë shpinën atij, duke parapëlqyer rrugën e humbjes, kundrejt dritës së udhëzimit, duke zgjedhur ndëshkimin, kundrejt faljes së Zotit. Të tillëve u shkon për shtat veçse zjarri i Xhehenemit.Si do ta durojnë ata Zjarrin?! -Subhanallah! A mund ta durojnë ata zjarrin e Xhehenemit! Ku do ta gjejnë forcën për ta përballuar?!

Al-Baqara 2:175Listen in Qur'an →
176

ذَٰلِكَ بِأَنَّ ٱللَّهَ نَزَّلَ ٱلْكِتَٰبَ بِٱلْحَقِّ ۗ وَإِنَّ ٱلَّذِينَ ٱخْتَلَفُوا۟ فِى ٱلْكِتَٰبِ لَفِى شِقَاقٍۭ بَعِيدٍۢ

Kjo është për shkak se Perëndia ka zbritur Librin, të vërtetën e saktë, e ata që bëjnë polemikë rreth përmbajtjes së Librit janë në kundërshtim të madh me të drejtën.

Kjo, për shkak se Allahu e zbriti Librin me të vërtetën e sigurt. -Ky shpagim i drejtë që u bëhet tyre, duke mos u dhënë sukses të gjejnë udhën e drejtë, ka një shkak: se Allahu i Lartësuar e zbriti Librin me të vërtetën e pakundërshtueshme. Një e vërtetë e padiskutueshme është fakti që, vepërmirët do të shpërblehen me të mira dhe vepërkëqijtë do të marrin atë që u takon. Nëpërmjet të vërtetës së sigurt dallohet udhëzimi i drejtë nga rrugët e humbjes. Për këto arsye, kush përpiqet të ndryshojë Librin e Zotit dhe qëllimet e Tij, meriton ndëshkimin më të madh.por ata që polemizuan(padrejtësisht)rreth tij, janë të përçarë e shumë larg nga e vërteta. -Domethënë, ata të cilët u kundërshtuan rreth librit të Zotit. Kundërshtimi i një libri hyjnor bëhet në dy mënyra: së pari, duke besuar një pjesë të tij dhe duke mohuar pjesën tjetër dhe, së dyti, duke e ndryshuar apo tjetërsuar atë sipas shijeve, interesave dhe dëshirave të njerëzve. Një gjë është e sigurt: zbatimi rigoroz i Librit të Zotit sjell unitet e dashuri mes njerëzve, ndërsa kundërshtimi i tij sjell përçarje, urrejtje dhe armiqësi mes tyre. Këta lloj njerëzish janë, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: "... janë të përçarë e shumë larg nga e vërteta..." Arsyeja është se ata e kundërshtojnë Librin e Zotit, që sjell të vërtetën e sigurt, që, rrjedhimisht, sjell bashkimin e të gjithëve në një qëndrim. Nëse do të ndiqnin të vërtetën që ndodhet në Librin hyjnor, ata do të shpëtonin nga ndarjet, fraksionet e grupimet, që gjithmonë janë në kundërshti dhe armiqësi me njëri-tjetrin. Ndërsa fatlumët nga ithtarët e Librit, të cilët i besojnë plotësisht të gjitha shpalljet e Zotit, ata gjykojnë me Librin e Tij në çdo çështje dhe, për këtë arsye, janë të bashkuar e të lumtur. Në këto ajete ka shumë dobi e mësime. Aty paraqitet kërcënimi i ashpër për këdo që fsheh pjesë nga shpalljet e Zotit, duke i dhënë përparësi jetës së kësaj dynjaje mashtruese dhe duke merituar kështu ndëshkimin dhe zemërimin e Allahut të Lartësuar. Ne mësojmë se Allahu i Lartësuar nuk do t'i pastrojë kurrë të tillë njerëz, që bëjnë këtë punë, që nënkupton se atyre nuk do t’u jepet sukses për të gjetur e ndjekur udhëzimin e drejtë dhe nuk do t’u mbulohen të metat me faljen dhe mëshirën e Allahut. Shkaku i këtij shpagimi është përzgjedhja me vetëdije e tyre e ndëshkimit të Zotit, kundrejt faljes dhe mëshirës së Tij. Allahu i Lartësuar thotë për ta: “Si do ta durojnë ata Zjarrin?!” Pra, ata që bëjnë shkaqet që të fusin në Xhehenem, duke qenë të vetëdijshëm për këtë, duket sikur mendojnë se mund të durojnë zjarrin e përgatitur për ta. Por Allahu i Lartësuar hedh poshtë çdo pandehmë të gabuar për Zjarrin që i pret, pasi ai është shumë më i madh sesa mund të përfytyrohet. Në ajete mësojmë se Libri i shpallur nga Zoti përmban të vërtetën e sigurt, e cila është e vetmja mënyrë për bashkim mes njerëzve. Ata që kundërshtojnë Librin hyjnor kanë humbur thellë e larg, duke u bërë pjesë e përçarjes së madhe, që trazon botën.

Al-Baqara 2:176Listen in Qur'an →
177

۞ لَّيْسَ ٱلْبِرَّ أَن تُوَلُّوا۟ وُجُوهَكُمْ قِبَلَ ٱلْمَشْرِقِ وَٱلْمَغْرِبِ وَلَٰكِنَّ ٱلْبِرَّ مَنْ ءَامَنَ بِٱللَّهِ وَٱلْيَوْمِ ٱلْءَاخِرِ وَٱلْمَلَٰٓئِكَةِ وَٱلْكِتَٰبِ وَٱلنَّبِيِّۦنَ وَءَاتَى ٱلْمَالَ عَلَىٰ حُبِّهِۦ ذَوِى ٱلْقُرْبَىٰ وَٱلْيَتَٰمَىٰ وَٱلْمَسَٰكِينَ وَٱبْنَ ٱلسَّبِيلِ وَٱلسَّآئِلِينَ وَفِى ٱلرِّقَابِ وَأَقَامَ ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتَى ٱلزَّكَوٰةَ وَٱلْمُوفُونَ بِعَهْدِهِمْ إِذَا عَٰهَدُوا۟ ۖ وَٱلصَّٰبِرِينَ فِى ٱلْبَأْسَآءِ وَٱلضَّرَّآءِ وَحِينَ ٱلْبَأْسِ ۗ أُو۟لَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ صَدَقُوا۟ ۖ وَأُو۟لَٰٓئِكَ هُمُ ٱلْمُتَّقُونَ

Mirësia, nuk është të kthyerit e fytyrës suaj kah lindja dhe perëndimi, por, mirësi është kur (njeriu) beson Perëndinë, Ditën e Kijametit, ëngjujt, Librin, Pejgamberët dhe të cilët me vullnetin e vet, u japin nga pasuria të dashurve të tyre, te afërmve, bonjakëve, varfanjakëve, udhëtarëvet – musafirëvet (që kanë ngelur pa të holla), lypësvet dhe të robëruarvet (për t’u liruar); e (mirësi) është edhe kryerja e namazit, dhënia e zeqatit, dhe kryesit e obligimit të tyre, kur marrin përsipër diçka; e (mirësi), është edhe për ata që durojnë në skamjen, sëmundjen dhe durimi në kohë të luftës. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që i drojnë Perëndisë (ruhen prej mëkateve).

Nuk është e tërë mirësia që thjesht t’i ktheni fytyrat tuaja drejt lindjes ose perëndimit. -Kuptimi: Bamirësia që u kërkohet adhuruesve nuk është thjesht kthimi drejt lindjes apo perëndimit, që të lodheni aq shumë me të tilla diskutime e polemika të gjata, shumica e të cilave sjellin veçse përçarje dhe armiqësi. Kjo fjali i ngjan shumë për nga ndërtimi thënies së Profetit (a.s): “I fortë nuk është ai që arrin të mundë tjetrin me forcë. I fortë është ai që e përmban veten gjatë zemërimit.”…Mirësi e vërtetë është të besosh në Allahun,… -Pra, të besosh se Ai është i Vetëm dhe Absolut, me cilësitë më të larta, larg çdo mangësie që i përshkruajnë krijesat.…Ditën e Fundit… -Ky nocion përfshin, në fakt, gjithçka që do të ndodhë pas vdekjes, ashtu siç na e ka përshkruar Allahu dhe Profeti i Tij.…melekët… - për vërtetësinë e të cilëve na ka dëshmuar Allahu dhe Profeti i Tij, në Kur’ân dhe në Sunet.…Librat (e Zotit)… -Domethënë, të gjithë librat që Zoti ia ka zbritur njerëzimit, nëpërmjet profetëve. Më madhështori i tyre është Kur’âni, prandaj çdokush duhet të besojë në vërtetësinë e gjithçkaje që përmendet në të, dhe duhet ta marrë seriozisht çdo dispozitë e ligj të sjellë në të, për të rregulluar jetën njerëzore.…dhe profetët… -Pra, duhen besuar të gjithë profetët në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë Vula e tyre, Profeti i fundit, Profeti i mëshirës, Muhamedi (a.s).…të shpenzosh prej pasurisë që e do e t'u japësh të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve të mbetur në rrugë, lypsave dhe për lirimin e robërve; -“El mâle”quhet çdo pasuri që është nën pronësinë e njeriut, qoftë ajo e madhe apo e vogël. Pra, shprehja e bamirësisë së njeriut është shpenzimi i pasurisë që ai zotëron, në fushat në të cilat na ka nxitur Allahu i Lartësuar që të shpenzojmë. Madje, njeriu duhet të shpenzojë nga kjo pasuri edhe atëherë kur pasuria është shumë e nevojshme dhe robi e ka të vështirë që të japë. Allahu i Lartësuar thotë: “…prej pasurisë që e do”. Pra, shenjë e bamirësisë është edhe shpenzimi i asaj pasurie që robi e dëshiron ta ketë pranë dhe të mos e shpenzojë. Dihet që pasuria është shumë e dashur për njeriun dhe ai e ka shumë të vështirë që ta japë atë, prandaj shpenzimi i saj është tregues bamirësie. Në të njëjtën kohë, ai që e shpenzon pasurinë e tij, edhe pse e do shumë atë, duke synuar që të afrohet tek Allahu i Lartësuar, ka dëshmuar për imanin e tij të pastër. Por cili konsiderohet si shpenzues i pasurisë nën presionin e dashurisë për të? I tillë konsiderohet ai që shpenzon atë pjesë të pasurisë që e do më shumë dhe ai që jep ndërkohë kur rrezikon varfërinë. I pari, edhe pse ka pasuri tjetër për ta shpenzuar, jep pikërisht atë pjesë që është më e dashura dhe më e çmuara për të, sikurse thotë i Lartësuari në suren Al imran, ajeti 92: “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë në besim, në qoftë se nuk jepni prej pasurisë më të shtrenjtë.” Ndërsa i dyti, është njeriu që jep sadaka, ndërkohë që ka shumë pak pasuri, sepse ai jep nën trysninë e frikës nga varfëria dhe skamja. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon se kujt i jepen këto pasuri:…të afërmve… -Pra, të parët njerëz që e meritojnë bamirësinë me pasuri, me vepra, me ndjenja dhe me fjalë, janë të …

Al-Baqara 2:177Listen in Qur'an →
178

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ كُتِبَ عَلَيْكُمُ ٱلْقِصَاصُ فِى ٱلْقَتْلَى ۖ ٱلْحُرُّ بِٱلْحُرِّ وَٱلْعَبْدُ بِٱلْعَبْدِ وَٱلْأُنثَىٰ بِٱلْأُنثَىٰ ۚ فَمَنْ عُفِىَ لَهُۥ مِنْ أَخِيهِ شَىْءٌۭ فَٱتِّبَاعٌۢ بِٱلْمَعْرُوفِ وَأَدَآءٌ إِلَيْهِ بِإِحْسَٰنٍۢ ۗ ذَٰلِكَ تَخْفِيفٌۭ مِّن رَّبِّكُمْ وَرَحْمَةٌۭ ۗ فَمَنِ ٱعْتَدَىٰ بَعْدَ ذَٰلِكَ فَلَهُۥ عَذَابٌ أَلِيمٌۭ

O besimtarë! Është porosi për ju ndëshkimi për vrasje: I liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën; e atij që ia falë farefisi i të vrarit, duhet të sillet njerëzishëm (me mirësi për dëmshpërblim) dhe le të zbatohet dëmshpërblimi me të mirë. Kjo (falje) është një lehtësi dhe mëshirë nga ana e Zotit. E kushdo që pas kësaj (faljes), e kapërcen kufirin, për atë ka dënim të rreptë.

O ju që keni besuar! Për ju është urdhëruar shpagimi me barazi (kisas)në rast vrasjeje -Me këtë dispozitë, Allahu i Lartësuar tregon mirësinë e Tij ndaj besimtarëve, pasi, vërtet, shpagimi me të njëjtën masë i krimit të vrasjes është një nga mirësitë më të mëdha që Zoti ka ligjëruar për njerëzimin. Allahu i Lartësuar e ka bërë të detyrueshme që vrasësi të ekzekutohet me të njëjtën mënyrë sikurse ai ka ekzekutuar viktimën e tij. Vetëm në këtë mënyrë vendoset drejtësia dhe barazia mes robërve . Ky urdhër, siç duket nga fillimi, u drejtohet të gjithë besimtarëve. Të gjithë e kanë detyrë që ta dorëzojnë vrasësin para ligjit, që të marrë dënimin e merituar. Madje edhe të afërmit e vrasësit, edhe vetë vrasësi duhet t'i dorëzohet ligjit, në mënyrë që të afërmit e viktimës të marrin shpagimin, nëse ata e kërkojnë një gjë të tillë. Nuk u lejohet besimtarëve që të ndalojnë të afërmit e viktimës të kërkojnë shpagimin, nëse ata duan të ekzekutojnë vrasësin, sipas ligjit përkatës. Ky pengim ndodhte gjatë kohës së injorancës, para Islamit, por jo në Islam. Në kohën e injorancës, ata e strehonin vrasësin, me qëllim që t'i fshihej ligjit, por në Islam drejtësia duhet të shkojë në vend. Pastaj Allahu i Lartësuar vijon të shpjegojë zbatimin e kësaj dispozite, duke thënë:…i liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën”. -Nga pjesa: “femra për femrën” duket, në pamje të parë, sikur drejtësia kërkon që vrasësi dhe i vrari të jenë të së njëjtës gjini, domethënë, sikur femra vritet për femrën, e jo për mashkullin, ndërsa mashkulli vritet për mashkullin, e jo për femrën. Por ky këndvështrim është i papranueshëm dhe nuk merret për bazë. Me fjalë të tjera, nuk është e domosdoshme që vrasësi dhe viktima të kenë të njëjtën gjini, që shpagimi të quhet i drejtë. Për këtë që themi, ne sjellim dy fakte: Së pari, është vetë fjala e Allahut të Lartësuar: “i liri për të lirin”, që do të thotë se mashkulli të ekzekutohet për mashkullin, femra për femrën, femra për mashkullin dhe mashkulli për femrën, sepse fjala “i lirë” i përfshin të gjithë këta. Këtu duhet të sqarojmë diçka. Çdo tekst që lexohet ka një kumt të drejtpërdrejtë dhe një tjetër të fshehur, të nënkuptuar. Në rastin tonë, katër kategoritë që nxirren nga fraza: “i liri për të lirin” kuptohen në mëDihet shumë mirë në parimet e fikh-ut, se kumtet e drejtpërdrejta janë më parësore për t’u marrë në konsideratë, sesa kumtet e nënkuptuara të tekstit. Kështu, kumti i drejtpërdrejtë i frazës: “i liri për të lirin”, në të cilën hyjnë katër grupet e mësipërme, është më parësore që të pranohet, kundrejt kumtit të nënkuptuar të frazës: “femra për femrën”, e cila, në pamje të parë, duket sikur tregon që kusht për drejtësinë është edhe marrja në konsideratë e gjinisë së vrasësit dhe viktimës. Por kjo mbështetet edhe nga hadithet e sakta, ku sqarohet se edhe mashkulli vritet për femrën. Këtu duhet sqaruar edhe diçka tjetër. Nga kjo dispozitë e përgjithshme bëjnë përjashtim prindërit, sepse nuk vritet prindi për fëmijën e tij. Pra, nëse një prind vret fëmijën e tij, ai nuk dënohet me vdekje për këtë krim. Ky përjashtim mbështetet në Traditën profetike, që e sqaron mirë një gjë të tillë. Ai mbështetet edhe në fjalën …

Al-Baqara 2:178Listen in Qur'an →
179

وَلَكُمْ فِى ٱلْقِصَاصِ حَيَوٰةٌۭ يَٰٓأُو۟لِى ٱلْأَلْبَٰبِ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

O mendar! Për ju ndëshkimi është gjallëri, që të ruheni (prej vrasjeve).

Në ligjin e barazisë është jeta juaj, o ju njerëz që kuptoni, në mënyrë që të bëheni të devotshëm. -Domethënë, nëpërmjet këtij ligji ruhet gjaku i pafajshëm dhe frenohen kriminelët. Nëse njeriu e di shumë mirë se, nëse vret, do të vritet, ai do ta frenojë veten nga ky krim i shëmtuar. Gjithashtu, kur njerëzit shohin ndëshkimin e kriminelit, ai bëhet një mësim shumë i mirë për ta. Nëse shpagimi për vrasjen nuk do të ishte vrasja, atëherë ky krim i shëmtuar nuk do të frenohej kurrë. Të gjitha dënimet penale të Sheriatit janë e vetmja mundësi frenimi të krimit dhe padrejtësisë. Kjo tregon se Allahu që i ligjëroi ato është, pa dyshim, i Dituri, i Urti dhe Falësi. Fjala “jetë” në ajetin e mësipërm, është në trajtën e pashquar, për të treguar (në arabisht) kështu dobinë e madhe që u sjell njerëzve ky ligj i drejtë. Madje, duke qenë se vlerën e këtij ligji mund ta kuptojnë veçse mendimtarët e mëdhenj, Allahu iu drejtohet pikërisht atyre, duke thënë: “…o njerëz që kuptoni …”. Kjo tregon se Allahu i Lartësuar e dëshiron dhe kënaqet që njerëzit të meditojnë dhe të përdorin mendjen e tyre, për të studiuar hollësisht ligjet e sjella prej Tij. Ai i do ata që përnxjerrin urtësitë dhe dobitë e dispozitave të Tij, sepse ato tregojnë që Ligjvënësi është Absolut në urtësinë e madhështinë e Tij. Ato tregojnë qartë drejtësinë e Tij të pakrahasueshme dhe mëshirën e Tij të gjerë. Njerëzit që meditojnë dhe përnxjerrin urtësitë dhe dobitë e ligjeve të Allahut, e meritojnë të quhen të urtë, dijetarë. Ata janë vërtet të privilegjuar e të përzgjedhur, sepse vetë i Madhëruari (Allahu) i ka quajtur “njerëz që kuptoni”. Mjafton kaq si nderim për ata që dinë të mendojnë. Thënia e Allahut: “në mënyrë që të bëheni të devotshëm.”, tregon dobinë e njohjes dhe të zbatimit të dispozitave të Tij. Për atë që e njeh Zotin e Tij dhe madhështinë e Tij, apo që arrin të njohë urtësitë në dispozitat e Tij, sigurisht që do të ketë shtim të bindjes dhe të nënshtrimit të plotë ndaj Atij. Njohësi i mirë i këtyre çështjeve e ndien madhështinë e Allahut, prandaj nuk ia lejon vetes që të shkelë kufijtë e të Madhërishmit. Ky njeri meriton të quhet ‘i devotshëm’, sepse devotshmëria nuk është gjë tjetër, por veçse të ruajturit nga ndëshkimi i Zotit, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Devotshmëria është ruajtja e kufijve të Zotit, në shenjë madhërimi dhe dashurie për Të.

Al-Baqara 2:179Listen in Qur'an →
180

كُتِبَ عَلَيْكُمْ إِذَا حَضَرَ أَحَدَكُمُ ٱلْمَوْتُ إِن تَرَكَ خَيْرًا ٱلْوَصِيَّةُ لِلْوَٰلِدَيْنِ وَٱلْأَقْرَبِينَ بِٱلْمَعْرُوفِ ۖ حَقًّا عَلَى ٱلْمُتَّقِينَ

Kur ndokush prej jush gjendet buzë vdekjes e pas veti lë pasuri, ju urdhërohet që porosia (testamenti) të bëhet në mënyrë të drejtë ndaj prindërve dhe farefisit; ky është obligim i drejtë për njerëzit e mirë.

Ajeti u drejtohet besimtarëve, duke u treguar atyre se Allahu i Lartësuar ka përcaktuar me ligj edhe çështjen e testamentit.Jeni urdhëruar që, kur dikujt i afrohet vdekja, nëse lë pasuri nga pas, e ka detyrim lënien e testamentit për prindërit dhe për më të afërmit. Testamenti duhet bërë me drejtësi.Pra, nëse dikujt i afrohet vdekja, domethënë, nëse i shfaqen shenjat e saj, si ndonjë sëmundje e rëndë ose diçka tjetër që tregon se vdekja është e pashmangshme, ndërkohë që ai ka pasuri të madhe, atëherë e ka për detyrë që të lërë një testament të veçantë për prindërit dhe për njerëzit më të afërm. Këtë duhet ta bëjë sipas rregullit, duke mos e tepruar me të largëtit dhe të neglizhojë të afërmit. Për secilin, ai duhet marrë në konsideratë afërsinë farefisnore dhe nevojat për ndihmë.Për ata që janë të devotshëm, kjo është detyrë që nuk tolerohet. -Kështu, kjo dispozitë është detyrë, e cila duhet kryer. Madje, Allahu i Lartësuar e ka lidhur atë me devotshmërinë. Shumica e shpjeguesve të Kur’ânit janë të mendimit se ky ajet është i shfuqizuar. Sipas tyre, dispozita e tij është zëvendësuar me një tjetër, që ka ardhur më pas, e shtjelluar në ajete të tjera, të quajtura “ajetet e trashëgimisë”. Në ajetet e trashëgimisë sqarohet se nuk lejohet të lësh testament për ata që janë trashëgimtarë të ligjshëm të pasurisë tënde, sepse Sheriati i ka përcaktuar si personat që trashëgojnë, edhe masën e trashëgimisë që ata trashëgojnë. ‘Uasijet’ quhet pasuria që i vdekuri lë si porosi për t'iu shpërndarë të afërmve të tij. Ajo përjashtohet nga trashëgimia e përcaktuar me ligj. Në ajetet e trashëgimisë dhe në hadithet që flasin për këtë çështje, sqarohet se trashëgimtarët e ligjshëm, mes të cilëve janë edhe prindërit e të vdekurit dhe më të afërmit e tij, nuk lejohet që, përveç trashëgimisë së përcaktuar nga Sheriati, të përfitojnë edhe nga ‘uasijet’-i. Disa thonë se fragmenti: “për prindërit dhe për më të afërmit” flet për atë pjesë të të afërmve për të cilët Sheriati nuk ka përcaktuar trashëgimi. Pra, me fjalë të tjera, Allahu urdhëron që personi, të cilit po i afrohet vdekja, të lerë me porosi që, prej pasurisë së tij, t'u jepet edhe prindërve apo më të afërmve, të cilët nuk marrin pjesë nga trashëgimia. Por ky lloj shpjegimi i ajetit nuk mund të pranohet, përderisa nuk ka ndonjë fakt mbështetës nga Allahu dhe Profeti i Tij. Nuk ka prova që të na shtyjnë të kuptojmë se këtu flitet për ata prindër dhe të afërm që nuk janë trashëgimtarë të ligjshëm. Qëndrimi më i drejtë në këtë çështje është që ky ajet nuk ka pse të konsiderohet si i anuluar. Ai është një ajet përgjithësues, i cili urdhëron besimtarët, të cilëve u afrohet vdekja, që të lënë testament, ku të përcaktojnë një pjesë pasurie e bamirësie për prindërit e tyre dhe për më të afërmit e tyre. Ajeti nuk na sqaron se për cilët lloj prindërish dhe të afërmish të të vdekurit bëhet fjalë. Pra, ai nuk përcakton a bëhet fjalë për prindërit dhe të afërmit të cilët përfitojnë edhe nga trashëgimia e përcaktuar nga Sheriati, apo për ata prindër e të afërm për të cilët Sheriati nuk ka përcaktuar pjesë. Ky ajet është përgjithësues, ndërsa Sheriati ia ka lënë zakoneve të njerëzve përcaktimin e masës së këtij testamenti, …

Al-Baqara 2:180Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.