Thoni: “Ne besojmë në Allahun,…” -Kjo fjali i përmbledh të gjitha çështjet e parimet që janë të detyrueshme të besohen. Iman-i është pranimi i plotë dhe i sigurt me zemër i themeleve të fesë, pranim i cili duhet të shfaqet në aktet e zemrës (si: frika, shpresa dhe dashuria ndaj Allahut) dhe në veprimet konkrete të trupit. Kësisoj, zemra dhe gjymtyrët e njeriut duhet të sillen dhe punojnë të diktuara nga besimi. Sipas këtij përkufizmi, në iman hyjnë jo vetëm pesë shtyllat kryesore të Islamit, por edhe të gjitha veprat e mira, të cilat nxiten nga imani. Kështu, kur në Kur’ân dhe Sunet përmendet në një kontekst vetëm fjala ‘iman’ (e pashoqëruar me fjalën “Islam”), ajo nënkupton të gjitha ato që sapo i përmendëm. Po kështu thuhet edhe për fjalën ‘Islam’, e cila vërtet i nënkupton pesë shtyllat e njohura të fesë, që janë Shehadeti, falja e namazit, agjërimi i Ramazanit, dhënia e zekatit dhe kryerja e haxhit, por, kur ajo përmendet e vetme në kontekst, e pashoqëruar me fjalën “iman”, atëherë ajo përfshin në kuptimin e saj edhe çështjet e imanit. Nga ana tjetër, nëse në një tekst të caktuar përmenden së bashku edhe fjala ‘Islam’, edhe fjala ‘iman’, atëherë secila prej tyre shihet me kuptimin e vet specifik, domethënë: “Islami" nënkupton veprat të jashtme ose të dukshme, ndërsa "Imani" tregon pranimin me zemër të çështjeve themelore të fesë. Po kështu thuhet edhe kur në një tekst përmenden të shoqëruar bashkë termat ‘Iman’ dhe ‘vepra të mira’, ku me “vepra të mira”, nënkuptohen punët e dukshme, të shfaqura me gjymtyrë dhe me gjuhë. Më konkretisht, kur Allahu i Lartësuar thotë: “Thoni: “Ne besojmë…””, ky nuk është një urdhër për të thënë vetëm një fjalë goje, por është urdhër për të shprehur me fjalë diçka që është në përputhje të plotë me atë që ndien zemra. Fjalët duhet të jenë zëdhënëse të zemrës, dhe vetëm ato lloj fjalësh e meritojnë shpërblimin. Kurse fjalët që thuhen të pashoqëruara nga besimi me zemër, konsiderohen hipokrizi dhe kufër. Fjalët e thëna thjesht me gojë, duke mos u shoqëruar me akte zemre, kanë pak dobi dhe nuk janë ndikuese tek të tjerët. Megjithatë, njeriu mund të shpërblehet ndonjëherë për to, nëse janë fjalë të mira dhe nëse ai ka në zemër themelet e besimit. Kësisoj, ka një ndryshim shumë të madh mes një fjale të thënë me gojë, të pashoqëruar me akte zemre, dhe një fjale të thënë me gojë, të shoqëruar me akte zemre. Fjala e Allahut të Lartësuar: ‘Ķûlû’ (Thoni…) tregon një urdhër, një nxitje për të ngritur zërin lart në shfaqjen haptazi të besimit të drejtë, në ushtrimin e tij dhe në ftesën e të tjerëve për ta pranuar dhe përqafuar të vërtetën, sepse besimi i drejtë është themeli i kësaj feje, mbi të cilin ajo ngrihet. Më tej, Allahu i Lartësuar na urdhëron të themi: “Ne besojmë…”. Edhe nga ky fragment mund të përfitojmë diçka shumë të vlefshme. Allahu i Lartësuar na urdhëron ta themi këtë fjalë jo në vetën e parë të numrit njëjës, por në shumës: “Ne besojmë…”. Kjo është një këshillë shumë e vlefshme, që na e dhuron Zoti ynë. Forma e saj na tregon se ne duhet të jemi si një trup i vetëm. Umeti duhet të bashkohet kur vjen çështja te besimi. Të gjithë duhet ta shtrëngojmë fort ‘litarin’ e Allahut dhe duhet të nxisim …