Muslim99Muslim99
← Tafsir library

2. Al-Baqara

The Cow · Medinan · 286 ayahs

سُورَةُ البَقَرَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 11–20 of 286

11

وَإِذَا قِيلَ لَهُمْ لَا تُفْسِدُوا۟ فِى ٱلْأَرْضِ قَالُوٓا۟ إِنَّمَا نَحْنُ مُصْلِحُونَ

Kur t’u thuhet: “mos bëni çrregullime në Botë!” ata thonë: “Na vetëm zbatojmë rregullat në Botë!”

“E kur atyre u thuhet: “Mos shkatërroni në tokë!” - Këta hipokritë këshillohen që të ndalen nga shkatërrimi që bëjnë në tokë. Ky shkatërrim shfaqet në shumë forma: në formën e kufrit (mohimit të Zotit dhe shpërfilljes së të drejtave të Tij), në formën e veprimit sipas rrugës ku i çon mosbesimi dhe mosbindja e tyre, në formën e shpërfilljes së urdhrave dhe të kryerjes së veprave të ulëta, në formën e nxjerrjes së sekreteve të muslimanëve, për t’ua treguar ato qafirëve, në formën e miqësisë së tyre me jobesimtarët etj. Por kur ata këshillohen për t'u frenuar nga shkatërrimi që bëjnë në tokë,Thonë: “Ne jemi të vetmit përmirësues.” – Kështu, ata bëjnë njëkohësisht dy të zeza: përhapin shkatërrimin në tokë dhe këtë shkatërrim e paraqesin si rregullim dhe përmirësim, duke e shtrembëruar të vërtetën. Ata shkatërrojnë dhe besojnë se kjo është rruga e drejtë. Ky, pa dyshim, është krim shumë më i rëndë se i atyre që bëjnë poshtërsi, por e dinë dhe janë të ndërgjegjshëm se këto janë poshtërsi. Këta të fundit janë më afër udhëzimit dhe shpresës për t’u kthyer nga rruga e gabuar, sesa ata të parët. Munafikët thonë: “Ne jemi të vetmit përmirësues”. Kështu, ata pretendojnë se të qenurit rregullues (të rendit në tokë) është cilësi e posaçme vetëm për ta, duke nënkuptuar se besimtarët nuk e kanë këtë cilësi. Por Allahu i Madhëruar ua hedh poshtë këtë pretendim, duke thënë:

Al-Baqara 2:11Listen in Qur'an →
12

أَلَآ إِنَّهُمْ هُمُ ٱلْمُفْسِدُونَ وَلَٰكِن لَّا يَشْعُرُونَ

Ah! Me të vërtetë, ata shkaktojnë çrregullime, por nuk i vërejnë.

“…në të vërtetë, pikërisht ata janë shkatërruesit, por nuk e ndiejnë” - Sigurisht që nuk ka shkatërrim më të madh se ai që shkakton e përhap mohimi i Zotit dhe i argumenteve të Tij. A ka shkatërrues më të madh se ai që pengon njerëzit nga rruga e Allahut dhe që përpiqet të mashtrojë Allahun dhe të zgjedhurit e Tij?! Shkatërrues janë të gjithë ata që miqësohen me këdo që i ka shpallur luftë Allahut dhe Profetit të Tij, të cilët, si pa të keq, pretendojnë paturpësisht se ky quhet rregullim. Po a ka shkatërrim më të madh se ky?! Në fakt, ata nuk mund ta ndiejnë dhe kuptojnë këtë, sepse nuk e kanë dijen e nevojshme, që do t`u mundësonte ta kuptonin. Dija (rreth besimit dhe fesë) që ata kanë u vlen thjesht dhe vetëm për një gjë: që të mos kenë asnjë justifikim para Allahut Ditën e Gjykimit. Atyre u janë përcjellë njohuri të mjaftueshme për të hedhur poshtë çdo argumentim dhe justifikim të tyre para Allahut. Veprimi i poshtërsive është konsideruar si shkatërrim, sepse është ai që e shkakton prishjen e të gjitha të mirave në tokë: bimësisë, farërave, frutave, pemëve etj. Shkak i çdo shkatërrimi janë veprat e ulëta (dhe kalimi i kufijve të Zotit). Ndërsa rregullimi i tokës nënkupton që ajo të mbushet me mirësi dhe të lulëzojë, si pasojë e bindjes ndaj Allahut dhe e besimit tek Ai. Allahu i Madhëruar i krijoi krijesat veçse për këtë qëllim dhe, pikërisht për këtë arsye, i vendosi në tokë. Ai i krijoi ata dhe u dhuron furnizim dhe të mira të shumta, me qëllim që t`i ndihmojë në bindjen dhe adhurimin kushtuar Atij. Por nëse krijesat veprojnë të kundërtën, atëherë ky është shkatërrim, pasi e nxjerr tokën nga natyra e saj, në të cilën ajo është krijuar.

Al-Baqara 2:12Listen in Qur'an →
13

وَإِذَا قِيلَ لَهُمْ ءَامِنُوا۟ كَمَآ ءَامَنَ ٱلنَّاسُ قَالُوٓا۟ أَنُؤْمِنُ كَمَآ ءَامَنَ ٱلسُّفَهَآءُ ۗ أَلَآ إِنَّهُمْ هُمُ ٱلسُّفَهَآءُ وَلَٰكِن لَّا يَعْلَمُونَ

Kur t’u thuhet atyre: “Besoni edhe ju ashtu siç kanë besuar njerëzit (e ndershëm)” – ata (jobesimtarët) thonë: “Vallë! Si të besojmë ne ashtu siç kanë besuar njerëzit mendjelehtë?” – Ah! Me të vërtetë, ata janë mendjelehtë, por ata nuk e dinë këtë.

Dhe kur u thuhet atyre: "Besoni, sikurse besuan njerëzit(e mirë)!" - Kur munafikëve u thuhet: "Besoni edhe ju, me zemër dhe me gojë, sikurse besuan njerëzit e mirë, pra, sikurse besuan sahabët, pasuesit e Profetit (a.s)", ata përgjigjen me pretendimin e gënjeshtërt, duke thënë:“A të besojmë edhe ne ashtu sikurse besuan mendjelehtët?” - Të poshtrit! Me fjalën “mendjelehtë”, ata kishin për qëllim shokët e Profetit (a.s.). Hipokritët mendonin se imani i sahabëve është pasojë e mendjelehtësisë së tyre. Ata mendonin se ishte pikërisht kjo mendjelehtësi që i detyroi ata t`i hynin luftës së ashpër me jobesimtarët e, madje, të braktisin edhe atdheun (e pasuritë) e tyre. Mendja e cekët e këtyre fatkeqëve hipokritë i shtyu ata të bënin të kundërtën e asaj që vepruan pasuesit e Profetit (a.s). Duke pretenduar mendjelehtësinë e sahabëve, ata nënkuptonin se vetë ishin gjykues të zgjuar e mendimtarë të mëdhenj. Por, përsëri, Allahu i Madhëruar ua hodhi poshtë pretendimin e tyre, duke na treguar se mendjelehtët ishin pikërisht dhe vetëm ata.“Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët, por nuk e dinë” - Nuk ka dyshim se vetëm ata janë mendjelehtët. Në të vërtetë, mendjelehtët janë ata, sepse esenca e mendjelehtësisë është: injoranca e njeriut rreth gjërave që janë në dobi të tij dhe veprimi e ndjekja e gjërave që e dëmtojnë atë. Këto cilësi u shkojnë për shtat pikërisht munafikëve, pasi janë në përputhje të plotë me gjendjen dhe veprat e tyre. Ndërsa mençuria e njeriut duket në njohjen e dobive dhe të mirave vetjake. Ajo duket, gjithashtu, në të punuarit pa u lodhur për të fituar dhe përvetësuar çdo gjë të dobishme për veten dhe për t’u larguar dhe shpëtuar nga çdo e keqe dhe rrezik që asaj i kanoset. Këto cilësi u shkojnë për shtat dhe janë në përputhje të plotë me gjendjen e sahabëve dhe të gjithë besimtarëve, si edhe me veprat e tyre. Duhet kuptuar që pretendimet nuk merren në konsideratë, thjesht, për hir të fjalëve boshe dhe të menduarit sipërfaqësor. Ato merren në konsideratë vetëm nëse janë të bazuara në argumentim të fortë dhe analizë të hollë. I Lartësuari thotë:

Al-Baqara 2:13Listen in Qur'an →
14

وَإِذَا لَقُوا۟ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ قَالُوٓا۟ ءَامَنَّا وَإِذَا خَلَوْا۟ إِلَىٰ شَيَٰطِينِهِمْ قَالُوٓا۟ إِنَّا مَعَكُمْ إِنَّمَا نَحْنُ مُسْتَهْزِءُونَ

Kur të takohen me ata që besojnë, thonë: “Besojmë!” – por kur të ngelin vetëm me djajtë e tyre (me njerëzit e këqinj) thonë: “Na vetëm bëjmë sahaka, na jemi me ju”.

Ky është një shembull që tregon se si ata, si hipokritë që janë, thonë më gojë atë që nuk e ndiejnë në zemrat e tyre.“Kur takohen me ata që besojnë, thonë: “Ne besojmë.” -Kur ata mblidhen dhe kontaktojnë me besimtarët, shtiren se janë me ta dhe se ndjekin rrugën dhe besimin e tyre (të besimtarëve).“Por kur veçohen me shejtanët(parinë)e vet, u thonë: “Ne, pa dyshim, jemi me ju. Ne vetëm sa jemi tallur(me besimtarët).” - Porse kur ata veçohen e mënjanohen së bashku me “shejtanët”, pra, me krerët dhe udhëheqësit e tyre në kufër, thonë: "Ne, në të vërtetë, jemi me ju, ndërsa me besimtarët thjesht po tallemi, duke u shtirur se jemi besimtarë dhe se ndjekim rrugën e tyre.” Kjo është gjendja e tyre e brendshme dhe e jashtme. Porse këto kurthe dhe mashtrime të poshtra godasin veçse vetë thurësit dhe gatuesit e tyre. I Adhuruari thotë:

Al-Baqara 2:14Listen in Qur'an →
15

ٱللَّهُ يَسْتَهْزِئُ بِهِمْ وَيَمُدُّهُمْ فِى طُغْيَٰنِهِمْ يَعْمَهُونَ

Perëndia tallet me ta; Ai do t’i lë një kohë të gjatë që të bredhin andej-këndej në mohimin e tyre.

“Allahu tallet me ta” - Allahu tallet me ta dhe, duke i braktisur, i lë të bredhin edhe më shumë të çoroditur në mosbesimin e shfrenuar dhe në kalimin e kufijve. Kjo vjen si ndëshkim nga Allahu i Madhëruar, për shkak të talljes së tyre me adhuruesit e Tij. Tallja e Allahut me ta bëhet në shumë forma. Ai tallet me ta duke e zbukuruar në sytë e tyre gjendjen dhe jetën e poshtër e fatkeqe që jetojnë. Madje, me injorancën e tyre, ata mendojnë se janë përshtatur mirë me besimtarët. Kur jeta dhe pasuritë e tyre bëhen të paprekshme, ata mendojnë se po shtiren shumë mirë si besimtarë. Allahu i Madhëruar do të tallet me ta edhe në Ditën e Gjykimit, kur besimtarëve dhe munafikëve do t’u jepet dritë për të ecur mbi Sirat. Por, në momentin që besimtarët fillojnë të ecin të ndriçuar nga drita e tyre, drita që u është dhënë munafikëve shuhet dhe i lë ata të çoroditur në errësirën e plotë, pasi e kishin parë njëherë dritën me sy. Sa e hidhur duket shpresa e humbur, pasi e ke ndier njëherë aq pranë. Për këtë, Allahu i Madhëruar thotë: “Atë Ditë do t'i shihni besimtarët dhe besimtaret tek u ndriçon drita përpara dhe në të djathtë të tyre. (Atyre do t'u thuhet:) “Përgëzim për ju sot janë kopshtet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jeni përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.”Atë Ditë munafikët dhe munafiket do t'u thonë besimtarëve: “Na prisni pak, që edhe të ndriçohemi prej dritës suaj!” Atyre do t'u thuhet: “Kthehuni pas (në dynja) dhe kërkoni atje ndonjë dritë!” Atëherë, ndërmjet tyre vendoset një mur, që ka një derë. Nga brenda tij është mëshira, ndërsa nga jashtë tij është dënimi. Ata (munafikët) u thërrasin (besimtarëve): “A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!?” - “Po, por ju e shkatërruat veten, sepse ju prisnit kob të zi për besimtarët, dyshonit në çështjet e fesë dhe ju mashtroi jeta e dynjasë, derisa ju erdhi (vdekja) kaderi i Zotit. Gënjeshtari ju mashtroi rreth Allahut. Sot prej jush (o munafikë)nuk pranohet asnjë lloj kompensimi dhe as prej jobesimtarëve. Zjarri është vendi juaj, sepse atë meritoni. Sa përfundim i keq është ai!”. [Hadidë, 12 – 15]. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë:“…duke i lënë të bredhin edhe më shumë në mosbesimin e tyre” - Shprehja ‘jemud-duhum’ do të thotë: ua shton edhe më shumë mundësitë vepruese, ose i lejon të vazhdojnë më thellë. Ku? Në ç`aspekt? Përgjigja: ‘fî ŧuĝjânihim’ – “në mosbesimin e tyre”, pra: në tejkalimin e kufijve, me poshtërsi, kufër dhe mosbindje. Fjala tjetër: “Jea’mehûn” domethënë: ‘hallakaten të çoroditur’. Ata hallakaten të çoroditur, të luhatur dhe gjithmonë të mbushur me mëdyshje dhe dyshime. Kjo është një formë talljeje, me të cilën Allahu i Madhëruar i ‘shpërblen’ ata. Më pas, Allahu i Madhëruar, shfaq thelbin e gjendjes së tyre të vërtetë, duke thënë:

Al-Baqara 2:15Listen in Qur'an →
16

أُو۟لَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ ٱشْتَرَوُا۟ ٱلضَّلَٰلَةَ بِٱلْهُدَىٰ فَمَا رَبِحَت تِّجَٰرَتُهُمْ وَمَا كَانُوا۟ مُهْتَدِينَ

Ata janë prej atyre që kanë blerë (zgjedhur) rrugën e gabuar, në vend të së vërtetës. Tregtia atyre nuk u solli kurrfarë dobie, dhe as nuk janë orientuar në rrugë të drejtë.

“Këta janë ata që e këmbyen udhëzimin në rrugën drejtë me humbjen. – Ja kështu janë munafikët, të cilët kanë cilësitë e përmendura. Allahu i lartësuar thotë se ata"...e këmbyen udhëzimin në rrugën drejtë me humbjen." Pra, këta i kanë dhënë përparësi dhe kanë parapëlqyer humbjen, sikurse vepron dikush që dëshiron dhe i pëlqen të blejë një mall, dhe që është gati të paguajë çmimin më të lartë për ta patur atë mall. Ky krahasim është një nga më të bukurit që jep Allahu i Madhëruar, për të përshkruar gjendjen e munafikëve, të cilët e kanë konsideruar rrugën e humbjes si një mall të shtrenjtë dhe të vyer që duhet blerë, ndërsa, në të vërtetë, ajo është humbja më e skajshme dhe rruga më e frikshme e së keqes. Ndërsa udhëzimin në rrugën e drejtë, që është suksesi dhe mirësia më e madhe që mund të ketë një njeri, ata e konsiderojnë si një çmim që mund të jepet për të arritur diçka tjetër “më të rëndësishme”. Me fjalë të tjera, ata pranojnë që të shesin udhëzimin, për të blerë humbjen, në shenjë parapëlqimi dhe vlerësimi për këtë të fundit. Kjo, pra, është tregtia e tyre e fëlliqur, dhe ky është ‘fitimi’ i tyre fatkeq.“Por tregtia e tyre nuk pati fitim”- Nëse ne do ta konsideronim të humbur dikë që këmben një dinar (floriri) për të marrë një dirhem (argjrndi), çfarë do të thoshim për atë që jep një xhevahir për të fituar një dirhem?! Po për atë që, për hir të humbjes, shpenzon ose flak tutje udhëzimin e Allahut, duke treguar në këtë mënyrë se ai preferon trishtimin kundrejt lumturisë?! Këta njerëz parapëlqejnë punët e ulta e të poshtra, kundrejt madhështisë dhe lartësisë së udhëzimit dhe bindjes ndaj Allahut dhe Profetit a.s.. Kjo tregti nuk mund të jetë kurrë fitimprurëse; përkundrazi, humbja e tyre është e tmerrshme. Allahu i madhëruar thotë: “Të dështuar në ditën e kijametit janë ata që e humbën veten dhe familjen e tyre. Dhe ky është ai dështimi i qartë." [El zumer 15].“Dhe kurrë nuk qenë të udhëzuar në rrugën e drejtë” - Kjo fjali përforcon faktin se ata janë në humbje të sigurt dhe se kurrë ndonjëherë nuk kanë qenë të udhëzuar. Këto janë cilësitë e tyre të shëmtuara. Allahu i Madhëruar na paraqet një tjetër anë të gjendjes së tyre, duke e qartësuar këtë me një shëmbëllim. Ai thotë:

Al-Baqara 2:16Listen in Qur'an →
17

مَثَلُهُمْ كَمَثَلِ ٱلَّذِى ٱسْتَوْقَدَ نَارًۭا فَلَمَّآ أَضَآءَتْ مَا حَوْلَهُۥ ذَهَبَ ٱللَّهُ بِنُورِهِمْ وَتَرَكَهُمْ فِى ظُلُمَٰتٍۢ لَّا يُبْصِرُونَ

Ata (që janë zhytur në të këqia e bredhin andej-këndej) janë të ngjashëm me ata që ndezin zjarrin, i cili kur ta ndriçojë rrethin e tyre, Perëndia ua merr dritën, i le në errësirë dhe ata nuk shohin asgjë!

“Ata i përngjajnë dikujt që kërkon t'i ndizet një zjarr.” -Shembulli më i përshtatshëm që mund të jepet për gjendjen e tyre është ai i një personi që kërkon prej të tjerëve t'i ndezin një zjarr. Përfytyro një njeri që ka nevojë të madhe për të ndezur një zjarr, në errësirën e thellë në të cilën ndodhet, dhe këtë zjarr e kërkon nga dikush tjetër. E kërkon nga dikush tjetër, sepse ai vetë nuk ka lëndë për ta ndezur. Krijimi i këtij zjarri ndriçues është jashtë natyrës, zakonit dhe mundësive të tij.“Por, sapo ai e ndriçon vendin përreth…” -Për një moment, ai ndriçohet prej këtij zjarri, i cili i bën dritë gjithçkaje përreth tij. Kështu, atij i jepet mundësia të vështrojë qartë vendin ku ndodhet. Ky zjarr i ofron atij njëfarë qetësie prej çdo frike dhe ankthi që e rrethon. Duke përfituar prej tij, njeriu gjen një lloj prehjeje. Por pikërisht në atë moment, kur mendon se këtë zjarr e ka bërë pronë të tijën, nga e cila mund të përfitojë si të dojë:“Allahu ua shuan dritën, dhe i lë mes errësirash, kështu që ata nuk mund të shohin.” -Pra, Allahu i Madhëruar e largon ndriçimin që jep ky zjarr, e bashkë me ndriçimin, edhe gëzimin e shkurtër që një njeri i tillë përjeton. Ai mbetet i vetmuar në errësirën e madhe të zjarrit që djeg, pasi prej këtij zjarri largohet ndriçimi, por mbetet nxehtësia dhe aftësia djegëse. Atëherë, ai përhumbet e endet mes errësirave të pafund. Mbi të ngrihet e frikshme errësira e natës, errësira që krijojnë retë, errësira që krijon shiu dhe errësira e dëshpërimit, që vjen pas largimit të beftë të dritës. A mund ta përfytyrosh gjendjen e këtij të mjeri?! E tillë është shëmbëlltyra e munafikëve. Ata kërkojnë prej muslimanëve zjarrin ndriçues të imanit, sepse për ta imani është një cilësi e huaj. Ata përfitojnë diçka nga ky zjarr, ndonëse është i ndezur nga tjetërkush. Me anë të këtij zjarri, ata sigurojnë paprekshmërinë e jetës e të pasurisë së tyre mes besimtarëve. Ky zjarr u jep njëfarë qetësie në jetën e dynjasë. Por pikërisht kur ata janë duke shijuar frytet dhe të mirat e mundit të tjetërkujt, ata i kap befas vdekja, e cila ua ndërpret atë përfitim të vagët prej dritës së besimtarëve. Pas takimit me vdekjen, ata i kaplon tërësisht ankthi, trishtimi dhe ndëshkimi i dhimbshëm. E kështu, ata do të provojnë tmerrin dhe shijen e hidhur të mohimit, të hipokrizisë dhe të çdo lloj poshtërsie tjetër, fillimisht në errësirën e varrit, dhe pastaj në errësirën e zjarrit të Xhehenemit, që do të jetë "vendprehja" e tyre e përjetshme. Vëre me kujdes se si i përshkruan ata Allahu i Lartësuar, kur thotë se ata janë:

Al-Baqara 2:17Listen in Qur'an →
18

صُمٌّۢ بُكْمٌ عُمْىٌۭ فَهُمْ لَا يَرْجِعُونَ

Ata janë të shurdhër, memecë, e të verbër; prandaj nuk kthehen (nga e keqja në të mirë).

Të shurdhër, memecë dhe të verbër, -Ata janë të shurdhër kundrejt dëgjimit të çdo mirësie, janë memecë që nuk mund të flasin e të thonë kurrë fjalë të mira e të drejta, dhe janë të verbër për të parë të vërtetën e qartë.…dhe kurrë nuk mund të kthehen(në rrugë). -Ata nuk e ndërrojnë rrugën e tyre, për shkak se ata e kanë braktisur të vërtetën (dritën), pasi e kanë njohur njëherë atë. Kështu që, ata kurrë nuk kanë për të kthyer rrugë. Ndryshe ndodh me dikë që është në humbje për shkak se nuk e njeh të vërtetën. Ky është më pranë udhëzimit, dhe shpresat e tij për t`u kthyer janë më të shumta. Allahu i Madhëruar jep edhe një shembull tjetër për të qartësuar gjendjen e munafikëve, duke thënë:

Al-Baqara 2:18Listen in Qur'an →
19

أَوْ كَصَيِّبٍۢ مِّنَ ٱلسَّمَآءِ فِيهِ ظُلُمَٰتٌۭ وَرَعْدٌۭ وَبَرْقٌۭ يَجْعَلُونَ أَصَٰبِعَهُمْ فِىٓ ءَاذَانِهِم مِّنَ ٱلصَّوَٰعِقِ حَذَرَ ٱلْمَوْتِ ۚ وَٱللَّهُ مُحِيطٌۢ بِٱلْكَٰفِرِينَ

Ose ata i gjasojnë atyre, të cilët gjatë kohës së shiut të stuhishëm (shtrëngatës) nga qielli, me errësirë, bubullimë dhe shkreptimë, nga frika e vdekjes – për të mos dëgjuar ushëtimën me gishtërinjtë mbyllin veshët, por Perëndia i ka rrethuar (qafirat) me fuqi (e s’kanë shpëtim).

Ata, gjithashtu, i përngjajnë dikujt mes një shiu të rrëmbyer prej së larti,…Pra, rasti i tyre mund të ilustrohet edhe me një shembull tjetër: Me një njeri që ndodhet mes një shiu të dendur e të rrëmbyer, që bie nga qielli.…plot errësirë, me gjëmime e vetëtima”. -Domethënë, ai është i mbuluar nga errësira të shumta njëra mbi tjetrën: nga errësira e natës, nga errësira e reve dhe errësira e shiut.…me gjëmime -Pra, ai dëgjon edhe oshtimën e frikshme të bubullimës, që buron nga retë.…e vetëtima -Ky njeri sheh herë pas here edhe dritën që shkreptin nga mesi i errësirave të reve. Në të tilla situata:Ata i vendosin gishtat në veshët e tyre, prej frikës së vdekjes nga rrufeja. -Ky është një përshkrim tjetër i gjendjes së munafikëve. Ata, kur dëgjojnë Kur’ânin, urdhrat dhe ndalesat e tij, premtimet dhe kërcënimet e përmendura në të, vendosin gishtat në veshë për të mos lejuar dëgjimin e tyre. Ata tmerrohen nga kërcënimet e Kur’ânit dhe i shqetëson çdo premtim që gjendet në të, prandaj ua kthejnë shpinën fjalëve të tij, duke e urryer shumë këtë gjendje. E tillë është edhe gjendja e njeriut në mes të shiut të rrëmbyer, që furishëm zbret nga qielli. Ai i zë veshët me gishta nga frika e vdekjes. Por nëse për këtë të fundit shpresohet ndonjë mundësi shpëtimi, për munafikët nuk ka asnjë shans për të shpëtuar, sepse:Allahu është Gjithpërfshirës i jobesimtarëve(me dijen dhe pushtetin e Tij). -E si mund t`i shpëtojnë ata Allahut të Madhëruar e të Plotfuqishëm, i Cili është Gjithëpërfshirës dhe i Pashmangshëm, në aspektin e dijes dhe të pushtetit që ka mbi ta? Ata nuk mund t`i fshihen dijes dhe shikimit të Tij, ashtu sikurse nuk mund t’i shpëtojnë forcës dhe pushtetit të Tij absolut mbi gjithçka. Ai ua llogarit dhe ua regjistron të gjitha veprat atyre, dhe shpërblimin ka për t’ua dhënë të plotë. Duke qenë se ata e meritojnë shurdhërinë, memecërinë dhe verbërinë ndaj udhëzimit, duke qenë se ata e meritojnë plotësisht që t’u mbyllën dyert e besimit para syve, atëherë Allahu i Madhëruar i kërcënon me një masë tjetër të dhimbshme, kur thotë:

Al-Baqara 2:19Listen in Qur'an →
20

يَكَادُ ٱلْبَرْقُ يَخْطَفُ أَبْصَٰرَهُمْ ۖ كُلَّمَآ أَضَآءَ لَهُم مَّشَوْا۟ فِيهِ وَإِذَآ أَظْلَمَ عَلَيْهِمْ قَامُوا۟ ۚ وَلَوْ شَآءَ ٱللَّهُ لَذَهَبَ بِسَمْعِهِمْ وَأَبْصَٰرِهِمْ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ قَدِيرٌۭ

Shkrepëtima, pothuaj, ua merrë të pamurit atyre; sa herë që ajo ua ndriçon rrugën, ata ecin, e kur i kaplon errësira, ndalen. E sikur të dojë Perëndia, do t’ua merrte të dëgjuarit edhe të pamurit, se, me të vërtetë, Perëndia është i Plotëfuqishëm.

Vetëtima gati ua rrëmben shikimin. Sa herë që ajo u bën dritë, ata ecin, ndërsa kur errësohet, qëndrojnë të shtangur. E nëse do të donte Allahu do t’ua merrte dëgjimin dhe shikimin. -Sikur të dëshironte Allahu i Madhëruar, Ai do t’ua hiqte edhe dëgjimin e shikimin fizik. Ky është kërcënim me një ndëshkim që mund të zbresë që në këtë jetë, para vdekjes. Pra, le të jenë më të kujdesshëm dhe më të përmbajtur me hipokrizinë dhe të keqen që ata shfaqin.Allahu, është i Plotfuqishëm për gjithçka -Të jeni të sigurt se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka. Atij nuk i shpëton dot asgjë. Pushteti i Tij absolut i jep të drejtën dhe mundësinë që, nëse dëshiron diçka, e kryen, dhe askush nuk e kundërshton dhe nuk mund ta ndalojë Atë. Në këtë ajet, dhe në të tjerë të ngjashëm me të, gjejmë një argument shumë të fuqishëm kundër një grupi të humbur e të devijuar, të quajtur Kaderie, të cilët pretendojnë se veprat e robit janë jashtë pushtetit të Allahut të Lartësuar (pra, nuk janë të nënshtruara dhe nën ndikimin e pushtetit të Tij). Ky ajet tregon qartë se edhe veprat e tyre futen te fjala e Allahut: ‘In-nall-llâhe alâ kul-li shejin ķadîr’ (Allahu, është i Plotfuqishëm për gjithçka).

Al-Baqara 2:20Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.