Muslim99Muslim99
← Tafsir library

2. Al-Baqara

The Cow · Medinan · 286 ayahs

سُورَةُ البَقَرَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 91–100 of 286

91

وَإِذَا قِيلَ لَهُمْ ءَامِنُوا۟ بِمَآ أَنزَلَ ٱللَّهُ قَالُوا۟ نُؤْمِنُ بِمَآ أُنزِلَ عَلَيْنَا وَيَكْفُرُونَ بِمَا وَرَآءَهُۥ وَهُوَ ٱلْحَقُّ مُصَدِّقًۭا لِّمَا مَعَهُمْ ۗ قُلْ فَلِمَ تَقْتُلُونَ أَنۢبِيَآءَ ٱللَّهِ مِن قَبْلُ إِن كُنتُم مُّؤْمِنِينَ

E kur atyre u thuhet: “Besoni në atë që ua ka shpallë Perëndia!” – ata përgjigjen: “Na besojmë në atë që na është shpallë neve” – dhe nuk besojnë në atë që ka zbritur pas (Kur’anit), e kjo është e Vërtetë e cila vërteton atë që kanë ata. Thuaju atyre: “E nëse ishit besimtarë, përse i vratë pejgamberët e Zotit në atë kohë kur ju zbritën?! (Me këto sjellje u bëtë qafira).

Dhe kur atyre u thuhet: “Besoni në atë që e ka shpallur Allahu!” -Pra, çifutët u urdhëruan që ta besonin Kur’ânin, të cilin Allahu i Lartësuar ia shpalli Profetit Muhamed (a.s), por ata refuzuan me mendjemadhësi, duke thënë:“Ne besojmë atë që na është shpallur neve”, kurse atë (Shpalljen) që ka ardhur më pas e mohojnë, …” -Pra, ata pretenduan se besonin vetëm ato shkrime hyjnore që iu ishin shpallur atyre, dhe mohonin çdo libër tjetër të mëvonshëm. Ky qe një pretendim i padrejtë nga ana e tyre, sepse ata e kishin të detyrueshme që të besonin gjithçka që Zoti i shpallte njerëzimit, pa bërë dallime mes shpalljeve. Vetëm kjo mënyrë besimi është e vlefshme dhe e dobishme, pra: besimi i të gjitha shpalljeve të Allahut të Lartësuar, drejtuar të gjithë profetëve. Nëse dikush bën dallime në besim ndërmjet profetëve dhe librave hyjnore, domethënë në pranimin e disave dhe mospranimin e disa të tjerëve, në fakt ai nuk ka besuar asnjërin prej tyre, dhe kjo vepër konsiderohet si kufër i vërtetë. Për këtë, thotë i Madhëruari në suren Nisa, ajetet 150-152: “Ata që e mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe dëshirojnë të ndajnë (besimin në) Allahun nga (besimi në) profetët e Tij, duke thënë “Disa i besojmë e disa nuk i besojmë” dhe duan të zgjedhin një rrugë të ndërmjetme, pikërisht ata janë mohuesit e vërtetë. Ne kemi përgatitur një dënim poshtërues për mohuesit. Ndërsa atyre që besojnë në Allahun dhe profetët e Tij, pa bërë asnjë dallim mes tyre, Ai do t'ua japë (të plota) shpërblimet e tyre. Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Më pas, Allahu i Lartësuar e kundërshton gabimin e tyre me një argumentim të padiskutueshëm:…edhe pse ajo është e vërtetë dhe vërteton atë që e kanë ata… -Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë mohimin atyre me dy fakte:1. Duke thënë: ‘ue huel ĥaķķu’ (ajo është e vërtetë). Domethënë, Shpallja (ose Kur’âni) është e vërteta e sigurt në gjithçka që ajo përmban, nga të gjitha këndvështrimet. Ajo është e vërteta e sigurt, për sa u përket rrëfimeve që përmban dhe dispozitave për të cilat na urdhëron dhe na ndalon, dhe kjo për një arsye të thjeshtë: sepse është prej Allahut të Lartësuar. Kështu që mohimi i këtyre të vërtetave të pa kundërshtueshme të shpallura nga Allahu i Lartësuar, në të vertetë konsiderohet mohim dhe rebelim ndaj vetë Krijuesit, Allahut të Lartësuar.2. Duke thënë: ‘muŝaddiķal-limâ meahum’(vërtetuese e asaj që kanë ata). Pra, ajo është miratuese e të vërtetave që gjenden mes tyre, në librat e tyre. Por jo vetëm kaq. Ajo është, madje, edhe garantuese e argumentuese e vërtetësisë së tyre.Atëherë, (thotë kuptimi i ajetit) përse e besoni atë që ju ka zbritur juve dhe e mohoni simotrën e saj? A nuk tregon kjo thjesht një ndjekje të egos tuaj? E pra, veprimi juaj nuk mund të konsiderohet kurrsesi si ndjekje e udhëzimit të drejtë, por ai është vetë humbja dhe pasimi i të kotës. Këtu shfaqet një çështje tjetër, që duhet kuptuar mirë. Meqë Kur’âni është vërtetues dhe sigurues i saktësisë së teksteve hyjnore që ata kanë në duart e tyre, kjo do të thotë që ata duhet të jenë besimtarët e parë të tij. Ata nuk kanë mundësi tjetër që të provojnë saktësinë dhe autenticitetin e ndonjë pjese nga librat që kanë në duart e tyre, …

Al-Baqara 2:91Listen in Qur'an →
92

۞ وَلَقَدْ جَآءَكُم مُّوسَىٰ بِٱلْبَيِّنَٰتِ ثُمَّ ٱتَّخَذْتُمُ ٱلْعِجْلَ مِنۢ بَعْدِهِۦ وَأَنتُمْ ظَٰلِمُونَ

Me të vërtetë, Musai ju zbriti me mrekulli të mëdha, por gjatë mungesës së tij, ju viçin e adhuruat si zot, prandaj u bëtë fajtorë të mëdhenj (me këtë sjellje).

Juve ju erdhi Musai me argumente të qarta… -Kuptimi: Musai (a.s.) u dërgua si profet ndër ju dhe solli argumente shumë të qarta dhe të sigurta të së vërtetës, por megjithatë:…por pas (largimit të) tij, ju adhuruat viçin,… -Por edhe pas këtyre argumenteve, ju bëtë gjynahun e madh. A konsiderohet kjo si shenjë besimi nga ana juaj? Jo, kurrsesi!…duke u bërë të padrejtë… -Pra, ju nuk keni asnjë justifikim për këtë padrejtësi tuajën. Ky veprim konsiderohet “padrejtësi”, dhe jo besim. Rastet kur ata kanë shprehur mosbesimin janë të shumta. Ja edhe një shembull tjetër, që tregon i Lartësuari:

Al-Baqara 2:92Listen in Qur'an →
93

وَإِذْ أَخَذْنَا مِيثَٰقَكُمْ وَرَفَعْنَا فَوْقَكُمُ ٱلطُّورَ خُذُوا۟ مَآ ءَاتَيْنَٰكُم بِقُوَّةٍۢ وَٱسْمَعُوا۟ ۖ قَالُوا۟ سَمِعْنَا وَعَصَيْنَا وَأُشْرِبُوا۟ فِى قُلُوبِهِمُ ٱلْعِجْلَ بِكُفْرِهِمْ ۚ قُلْ بِئْسَمَا يَأْمُرُكُم بِهِۦٓ إِيمَٰنُكُمْ إِن كُنتُم مُّؤْمِنِينَ

Kur Na morëm premtimin nga ju dhe ngritëm malin e Turit mbi ju, thamë: “Merrni seriozisht atë që ua kemi dhënë juve (Teuratin) dhe dëgjoni!” – Ata thanë: “Na dëgjuam, por kundërshtojmë!” – Për shkak të mohimit, atyre në zemra u ishte rrënjosë dashuria e viçit (adhurimi i tij). Thuaju: “Nëse jeni besimtarë, sa gjë të keqe po ju urdhëruaka besimi juaj!”

Kur morëm prej jush premtimin dhe ngritëm mbi ju Malin Tur, ju thamë: “Mbahuni fort tek ajo që ju kemi dhënë dhe dëgjoni(urdhëresat)!”. -Kuptimi: Allahu i Lartësuar ju urdhëroi në të tilla kushte, që të bëheshit të dëgjueshëm. Shprehja: “ue smeû”(dëgjoni) është urdhër për të dëgjuar, që, në fakt, nënkupton bindjen dhe nënshtrimin ndaj urdhrave. Por, a dëgjuan ata në këtë mënyrë?Ata thanë: “Ne dëgjuam, por nuk bindemi”.. -Kështu, ata u kthyen në natyrën e tyre të përhershme, që nuk dinë tjetër të thonë, por veçse: “Semi'nâ ue aŝajnâ”(Dëgjuam, por nuk bindemi). Atëherë, ky lloj qëndrimi e meriton plotësisht vendimin e të Urtit për ta, i Cili thotë:Si pasojë e mosbesimit, për zemrat e tyre u bë i dashur adhurimi i viçit… -Domethënë, për shkak të mohimit të tyre të vazhdueshëm, ata e merituan që për zemrat e tyre të bëhej i dashur, madje një dëshirë e parezistueshme, adhurimi i viçit. Subhanallah! Po a mund të quhet imanai që të çon në të tilla përfundime? Thotë i Lartësuari:Thuaj: “Nëse jeni besimtarë, atëherë besimi juaj është duke ju udhëzuar për keq.” -Kuptimi: Ju pretendoni se keni besim, e madje lëvdoheni mes njerëzve për besimin tuaj, duke pretenduar se është e vërteta e sigurt. Por çfarë mund të thoni për vrasjen e profetëve të Allahut me duart tuaja? Po kur adhuruat viçin si zot, pasi Musai (a.s.) ju la vetëm për një moment? Çfarë mund të thoni për refuzimin e urdhrave dhe ndalesave që atij iu shpallën prej Zotit, edhe pas kërcënimit që ju bë me kodrën Tur, e cila u ngrit mbi kokat tuaja? E, megjithatë, ju e pranuat se do të ishit të rregullt, por vetëm me fjalë, sepse e shkelët premtimin me veprat tuaja. Kjo është feja që ju pretendoni? Nëse ky do të quhej besim, sipas pretendimit tuaj, atëherë, më e pakta që mund të thuhet është: U poshtëroftë dhe u harroftë ai besim që e shtyn njeriun të kalojë kufijtë e Zotit, duke e mohuar dhe kundërshtuar Atë dhe profetët e Tij! U poshtëroftë ai besim që e zhyt njeriun në gjynahe pa fund! Por dihet shumë mirë se besimi i sinqertë e nxit njeriun për vepra të mira dhe e ndalon nga çdo vepër e keqe. Atëherë, si përfundim, nuk ka dyshim në mashtrimin dhe kotësinë e pretendimeve të tyre.

Al-Baqara 2:93Listen in Qur'an →
94

قُلْ إِن كَانَتْ لَكُمُ ٱلدَّارُ ٱلْءَاخِرَةُ عِندَ ٱللَّهِ خَالِصَةًۭ مِّن دُونِ ٱلنَّاسِ فَتَمَنَّوُا۟ ٱلْمَوْتَ إِن كُنتُمْ صَٰدِقِينَ

Thuaju (O Muhammed): “Nëse vetëm për ju te Perëndia u është siguruar xhenneti, e jo për njerëzit tjerë, atëherë, nëse flisni të vërtetën, kërkoni vdekjen”.

Thuaj: “Nëse Bota tjetër është tek Allahu vetëm për ju e jo për njerëzit e tjerë,... -Kuptimi: Thuaju atyre, o Muhamed, duke i ftuar që të vërtetojnë pretendimin e tyre: Ju thoni se Xheneti është vetëm për ju dhe se atje do të hyjnë veçse ata që janë çifutë ose krishterë. Ju pretendoni, gjithashtu, se zjarri i Xhehenemit do t’ju prekë veçse për disa ditë të caktuara. Atëherë, nëse jeni të sinqertë dhe të sigurt në këtë pretendim:“…kërkojeni vdekjen, nëse jeni të sinqertë!” -Kjo qe një sfidë e hapur, në të cilën Profeti (a.s) i ftonte ata. Në fakt, flitet për një lloj “mubâheletu”, domethënë për një lloj përbetimi, ku dy grupe kundërshtare me njëri-tjetrin e lusin Allahun që të ndëshkojë dhe mallkojë atë palë që është mashtruese prej tyre. Pra, kjo duket si një ftesë që u bëhet atyre për një ballafaqim të tillë, ku të kërkohet mallkimi mbi mashtruesit e padrejtë. Në të tilla kushte, atyre nuk u mbetet gjë tjetër veçse të zgjedhin mes dy mundësive: ose të besojnë tek Allahu dhe te Profeti i Tij, ose të luten që mashtruesit dhe të padrejtët t'i kapë vdekja. Kjo mundësi e dytë duhej të ishte e thjeshtë për ata, me pretendimin që kishin, pasi vdekja do t’i afronte më shumë te Xhenetet e përjetësisë, që – sipas tyre – janë përgatitur vetëm për ta. Por ata nuk e pranuan një ballafaqim të tillë, dhe kjo ishte dëshmi e kryeneçësisë së tyre kundër Allahut dhe Profetit të Tij. Ata e dinin shumë mirë se ishin në gabim, siç thotë i Madhëruari:

Al-Baqara 2:94Listen in Qur'an →
95

وَلَن يَتَمَنَّوْهُ أَبَدًۢا بِمَا قَدَّمَتْ أَيْدِيهِمْ ۗ وَٱللَّهُ عَلِيمٌۢ بِٱلظَّٰلِمِينَ

Por ata kurrsesi nuk e dëshirojnë vdekjen, për shkak të të këqijave që kanë punuar! – E Perëndia i di mirë ata që shkelin drejtësinë.

Por ata nuk do ta kërkojnë kurrë vdekjen për shkak të veprave të tyre. Allahu di gjithçka për keqbërësit. -Për shkak të mohimit, rebelimit dhe poshtërsive të tyre, ata kurrë nuk do ta dëshironin vdekjen. Ata e dinin shumë mirë se kjo do të thoshte përshpejtim i ndëshkimit të hidhur, për shkak të veprave të tyre të shëmtuara. Vdekja është gjëja më e trishtueshme dhe më e keqe për ta, madje:

Al-Baqara 2:95Listen in Qur'an →
96

وَلَتَجِدَنَّهُمْ أَحْرَصَ ٱلنَّاسِ عَلَىٰ حَيَوٰةٍۢ وَمِنَ ٱلَّذِينَ أَشْرَكُوا۟ ۚ يَوَدُّ أَحَدُهُمْ لَوْ يُعَمَّرُ أَلْفَ سَنَةٍۢ وَمَا هُوَ بِمُزَحْزِحِهِۦ مِنَ ٱلْعَذَابِ أَن يُعَمَّرَ ۗ وَٱللَّهُ بَصِيرٌۢ بِمَا يَعْمَلُونَ

Dhe padyshim, do t’i gjesh ata (Hebrenjtë) më lakmues për të jetuar se sa njerëzit tjerë, e madje edhe se paganët. Çdonjëri nga ata dëshiron të jetojë njëmijë vjet; por edhe nse jeton aq, nuk do të mund t’i ikë dënimit! – Se Zoti i sheh punët e tyre.

Ju do të shihni se ata janë njerëzit më lakmitarë për të jetuar, madje edhe më lakmitarë se idhujtarët. -Ata janë njerëzit më të dhënë pas kësaj jete. Ata e duan këtë jetë me shumë se çdo njeri tjetër, madje edhe më shumë se idhujtarët, të cilët nuk besojnë asnjë profet dhe asnjë libër qiellor. Aq e madhe është dashuria e tyre për këtë jetë, sa Allahu i Lartësuar e përshkruan në këtë mënyrë:Çdokush prej tyre dëshiron të jetojë një mijë vjet. Por edhe sikur të jetonte kaq, kjo nuk do ta shpëtonte atë prej dënimit. -Ky është përshkimi i një dashurie të pamatë për këtë jetë, sepse ata kërkojnë dhe dëshirojnë diçka të pamundur, për të kënaqur dëshirat e tyre kundrejt kësaj jete. Megjithatë, ata nuk arrijnë ta kuptojnë se, edhe sikur të jetonin aq kohë, kjo nuk do t'i shpëtonte ata nga dënimi i pashmangshëm që i pret. Kërcënimi i Allahut do t'i ndjekë gjithmonë nga pas, siç thotë i Madhëruari:Allahu sheh gjithçka që bëjnë ata. –Domethënë, ata kurrë nuk mund t'i ikin këtij kërcënimi të Allahut, që u kujton llogarinë e drejtë të Tij për punët e tyre të shëmtuara.

Al-Baqara 2:96Listen in Qur'an →
97

قُلْ مَن كَانَ عَدُوًّۭا لِّجِبْرِيلَ فَإِنَّهُۥ نَزَّلَهُۥ عَلَىٰ قَلْبِكَ بِإِذْنِ ٱللَّهِ مُصَدِّقًۭا لِّمَا بَيْنَ يَدَيْهِ وَهُدًۭى وَبُشْرَىٰ لِلْمُؤْمِنِينَ

Thuaju: “Kush është armik i Xhebrailit? (duke qenë i lavdërueshëm); Ai e ka zbritur Kur’anin në zemrën tënde me lejen e Perëndisë – për të vërtetuar librat e shenjta – dhe është udhërrëfyes e sihariq për muslimanët.

Thuaju atyre që janë armiq të Xhibrilit, se ai e ka zbritur Kur’ânin në zemrën tënde me urdhrin e Allahut… -Pra, thuaju atyre që pretendojnë se shkaku që i pengon të besojnë është pikërisht afërsia dhe miqësia jote me melekun Xhibril (a.s.), dhe se po të ishte ndonjë melek tjetër i Allahut, ata do të të besonin dhe do të miratonin Shpalljen që të është zbritur ty. Domethënë, thuaju atyre se ky është thjesht një pretendim dhe justifikim i pabazë nga ana juaj, dhe një shprehje mendjemadhësie e paturpshme e juaja ndaj Allahut. Arsyeja është se ju e dini shumë mirë që është Xhibrili (a.s.) ai, nëpërmjet të cilit Allahu i Lartësuar ia zbriti Kur’ânin Muhamedit (a.s.) dhe e futi në zemrën e tij. Është Xhibrili (a.s.) ai që i ka zbritur shpalljet tek të gjithë profetët para teje. Pra, ai është veçse një i ngarkuar me mision prej Allahut të Madhëruar, një i dërguar dhe i urdhëruar prej Zotit te profetët. Të mos harrojmë, gjithashtu, se ky libër që Xhibrili (a.s.) e solli prej Allahut të Lartësuar te Profeti i fundit, është miratues, vërtetues dhe në përputhje të plotë me shpalljet e tjera, të përcjella po nga ai. Xhibrili (a.s.) ka përcjellë te njerëzit veçse atë që i ka lejuar dhe urdhëruar Zoti i tij dhe i njerëzve, Allahu i Lartësuar.…si vërtetues të asaj që është shpallur para tij(Kur'anit)… -Kuptimi: Xhibrili (a.s.) e solli Kur’ânin në zemrën tënde, me lejen e Allahut të Lartësuar, që të jetë vërtetues, garantues dhe saktësues i shpalljeve të mëparshme. Në Shpalljet hyjnore nuk mund dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj kundërshtie.…dhe si udhëzues e përgëzues për besimtarët. -Ky libër është udhëzues dhe tregues i rrugës së shpëtimit prej të gjitha llojeve të devijimit dhe përhumbjes. Ai përmban udhëzimin e plotë dhe të mjaftueshëm për të shpëtuar dhe për t'u ruajtur nga rrugët e humbjes dhe të shkatërrimit. Ky është kuptimi i cilësimit të Shpalljes si “udhëzim”. Gjithashtu, kjo Shpallje, të cilën ata e refuzojnë, është përgëzim e sihariq për besimtarët, për mirësitë që i presin ata në të dyja jetët: në dynja dhe në ahiret. Atëherë, çfarë kuptimi ka armiqësia me një të dërguar të Allahut, me një melek, i cili sjell të tilla mirësi prej Allahut të Lartësuar dhe Mëshirues?! A nuk tregon kjo, në fakt, armiqësi dhe rebelim kundrejt vetë Zotit të botërave, i cili e dërgon atë? A nuk tregon kjo mohim dhe refuzim të paskrupullt dhe të padrejtë të argumenteve dhe udhëzimeve të Tij? Nëse armiqësia ndaj Allahut, ndaj profetëve dhe ndaj shpalljeve të Tij do të kishte një përshkrim ekzakt, do të ishte pikërisht ai që jep Allahu, kur thotë:

Al-Baqara 2:97Listen in Qur'an →
98

مَن كَانَ عَدُوًّۭا لِّلَّهِ وَمَلَٰٓئِكَتِهِۦ وَرُسُلِهِۦ وَجِبْرِيلَ وَمِيكَىٰلَ فَإِنَّ ٱللَّهَ عَدُوٌّۭ لِّلْكَٰفِرِينَ

Kush është armik i Perëndisë, i engjujve të Tij dhe pejgamberëve të Tij, dhe Xhebrailit e Mikailit – (ai është qafir); e Perëndia është me të vërtetë armik i qafirëvet.

Kush është armik i Allahut, i melekëve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe i Mikailit, ta dijë se Allahu është armik i jobesimtarëve. -si të mos i konsiderojë armiq ata, të cilët, kur shprehin armiqësinë dhe urrejtjen e tyre ndaj Xhibrilit (a.s.), në të vërtetë kanë shprehur urrejtjen për Allahun, për Dërguesin e Xhibrilit?! Në këtë mënyrë, ata urrejnë të gjithë melekët e tjerë, profetët dhe shpalljet e tyre. A nuk e meritojnë këta të quhen jobesimtarë? E me gjithë këto pretendime të kota të tyre, Allahu i Lartësuar pohon diçka shumë të mrekullueshme për këtë Kur’ân, edhe pse ata nuk i kënaq një gjë e tillë:

Al-Baqara 2:98Listen in Qur'an →
99

وَلَقَدْ أَنزَلْنَآ إِلَيْكَ ءَايَٰتٍۭ بَيِّنَٰتٍۢ ۖ وَمَا يَكْفُرُ بِهَآ إِلَّا ٱلْفَٰسِقُونَ

Me të vërtetë, Na të kemi zbritur Ty argumente të qarta, e që vetem njerëzit e këqij nuk duan t’u besojnë.

Ne të kemi shpallur ty argumente të qarta… -Ky Kur’ân është udhëzues për ata që e kërkojnë udhëzimin prej tij. Ndërsa për ata që i kthejnë shpinën, ky do të jetë dëshpërim, sepse me sqarimet e tij, ata nuk do të kenë asnjë justifikim para të Madhëruarit. Ata nuk do të kenë asnjë justifikim, sepse Kur’âni është aq i qartë, aq i kthjellët, aq i sigurt në gjithçka që përshkruan, që urdhëron dhe që ndalon, saqë nuk mund të mohohet dhe shpërfillet nga askush. Thotë i Lartësuari:…të cilat nuk i mohon askush, përveç atyre që i shkelin kufijtë(e Zotit). -Pra, atë nuk e mohon askush, përveç atyre që kanë dalë jashtë kontrollit të vetes dhe jashtë kufijve të Allahut, që nuk i binden të Madhëruarit dhe që janë mendjemëdhenj e kundërshtues.

Al-Baqara 2:99Listen in Qur'an →
100

أَوَكُلَّمَا عَٰهَدُوا۟ عَهْدًۭا نَّبَذَهُۥ فَرِيقٌۭ مِّنْهُم ۚ بَلْ أَكْثَرُهُمْ لَا يُؤْمِنُونَ

A thua çdoherë që japin ndonjë premtim – disa prej tyre e refuzojnë, ndërsa shumica prej tyre nuk besojnë.

Sa herë që ata bënin ndonjë premtim, një grup prej tyre e thyente atë. -Kjo pyetje fsheh në vetvete një habi të madhe, për sa u përket betimeve të shumta të tyre, ndaj të cilave kurrë nuk patën durim të ishin të qëndrueshëm. Shprehja: “sa herë që” të jep të kuptosh përsëritjen e përhershme të këtij veprimi. A thua se dinin të bënin gjë tjetër veç saj?! Sa herë që premtonin, ata e shkelnin fjalën e dhënë. Po cili që shkaku i kësaj paqëndrueshmërie? Thotë i Lartësuari:Shumica e tyre nuk besojnë. -Pra, ky është shkaku. Mosbesimi i tyre i shtynte në mënyrë të pashmangshme drejt thyerjes së premtimeve. Nëse besimi i tyre do të ishte i sinqertë, për ta do të flitej ndryshe, sikurse thotë Allahu i Lartësuar për besimtarët e vërtetë: “Prej besimtarëve, ka burra që e kanë mbajtur premtimin e dhënë...” [Ahzab, 23].

Al-Baqara 2:100Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.