Muslim99Muslim99
← Tafsir library

17. Al-Israa

The Night Journey · Meccan · 111 ayahs

سُورَةُ الإِسۡرَاءِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 71–80 of 111

71

يَوْمَ نَدْعُوا۟ كُلَّ أُنَاسٍۭ بِإِمَٰمِهِمْ ۖ فَمَنْ أُوتِىَ كِتَٰبَهُۥ بِيَمِينِهِۦ فَأُو۟لَٰٓئِكَ يَقْرَءُونَ كِتَٰبَهُمْ وَلَا يُظْلَمُونَ فَتِيلًۭا

(Kujtoje) atë Ditë kur Na do t’i thërrasim të gjithë njerëzit me udhëheqësin (pejgamberin) e vet. E, kujt i jepet libri i tij në anën e djathtë, ata do ta lexojnë librin e vet dhe nuk do të dëmtohen as sa një thërrmi.

(Kujto)Ditën kur Ne do t'i thërrasim të gjithë njerëzit, bashkë me prijësin e tyre. -Allahu i Madhëruar na njofton për gjendjen e krijesave në Ditën e Gjykimit. Atë ditë, Ai do të thërrasë dhe tubojë krijesat dhe me secilin grup do të jetë edhe udhëheqësi ose ftuesi i tyre për në rrugën e drejtë, pra, profeti dhe ata që kryejnë misionin e tyre, siç janë dijetarët. Kështu do të tubohet çdo umet dhe, së bashku me të, Profeti i cili i ftoi në udhën e Zotit. Pastaj do të shihen veprat e popujve në krahasim me udhëzimin ku i ka ftuar Profeti i tyre, a janë në përputhje me të apo jo. Kështu ata do të ndahen në dy grupe:Ata, që libri i tyre do t'u jepet nga e djathta,... - Këta janë pasuesit e profetëve. Këta e gjetën dhe e pasuan udhëzimin e Shpalljes së Zotit, prandaj veprat e tyre të mira janë të shumta dhe të këqijat e tyre të pakta. Për këta Allahu i Madhëruar thotë:... do ta lexojnë(me kënaqësi)librin e tyre dhe nuk do t'u bëhet asnjë padrejtësi. -Ata e lexojnë librin e veprave të tyre me gëzim e kënaqësi, sepse e tillë është përmbajtja e tij. Ata do ta marrin të plotë shpërblimin e veprave të mira dhe kurrë nuk do t’u bëhet padrejtësi, duke iu pakësuar ndonjë e mirë që kanë bërë.

Al-Israa 17:71Listen in Qur'an →
72

وَمَن كَانَ فِى هَٰذِهِۦٓ أَعْمَىٰ فَهُوَ فِى ٱلْءَاخِرَةِ أَعْمَىٰ وَأَضَلُّ سَبِيلًۭا

Ai që në këtë botë ka qenë i verbër, ai do të jetë i verbër edhe në botën tjetër dhe ai më së tepërmi e ka humbur rrugën.

Dhe kush ka qenë i verbër në këtë botë, i verbër do të jetë edhe në botën tjetër dhe i humbur nga rruga e drejtë. -Ata që në jetën e kësaj bote tregohen të verbër ndaj së vërtetës dhe nuk e pranojnë atë, ata ndjekin devijimin dhe humbjen. Për këta, Allahu i Madhëruar thotë që do të jenë të verbër në ahiret, në rrugën drejt Xhenetit. Ashtu si tregohen të verbër në këtë botë ndaj rrugës që të shpie në Xhenet, edhe në ahiret ata nuk do të mund të ecin në atë rrugë. Shpërblimi jepet sipas punës. Si të bësh, do të ta bëjnë. Ky ajet tregon se çdo popull do të tubohet në Ditën e Gjykimit dhe do të gjykohet rreth librit dhe fesë së tij. Ata do të pyeten a punuan sipas fesë, besimit dhe shpalljes që Zoti solli apo jo. Pra, ata nuk do të gjykohen për ligjin e shpalljen e një profeti që nuk janë urdhëruar të pasojnë. Ajeti tregon, gjithashtu, se Allahu nuk ndëshkon asnjë pa ia qartësuar të vërtetën. Vetëm pasi qartësohet e vërteta dhe njerëzit e refuzojnë atë, atëherë bëhet i merituar ndëshkimi. Bamirësve do t’u jepet libri i veprave nga e djathta dhe ata do të përjetojnë kënaqësi e mirësi të shumta. Ndërsa me keqbërësit do të ndodhë krejtësisht e kundërta. Ata nuk do të mund të lexojnë librin e tyre me të këqija, nga dëshpërimi, brenga dhe tmerri për ndëshkimin që i pret.

Al-Israa 17:72Listen in Qur'an →
73

وَإِن كَادُوا۟ لَيَفْتِنُونَكَ عَنِ ٱلَّذِىٓ أَوْحَيْنَآ إِلَيْكَ لِتَفْتَرِىَ عَلَيْنَا غَيْرَهُۥ ۖ وَإِذًۭا لَّٱتَّخَذُوكَ خَلِيلًۭا

Dhe, për pak – me të mashtruar ty ata nga ajo që të kemi shpallur Ne, për të shpifë diçka tjetër kundër Neve. Dhe atëherë, ata do të merrnin ty për mik.

Allahu i Madhëruar tregon mirësitë e mëdha që i dhuroi Profetit të Tij dhe mbrojtjen e madhe që i bëri kundër armiqve të tij, të cilët ishin shumë të përkushtuar për ta dëmtuar atë.Ata(idhujtarët) synuan të të largojnë ty nga ajo që Ne ta shpallëm, që ti të trilloje diçka krejt tjetër nga ajo(Shpallja). -Ata ngritën kurthe kundër teje, por që kurrë nuk arritën t’i realizonin. Me shumë dinakëri, ata të nxisnin që të shpifje për Allahun, dhe kështu të shkoje pas dëshirave të tyre. Me dinakëri dhe ligësi, ata të ftonin që të miratoje dëshirat e tyre dhe të lije anash Shpalljen e Zotit. Nëse do të bëje këtë, ata do të të bënin mik të ngushtë:Nëse do ta kishe bërë këtë atëherë ata do të të merrnin për mik (të afërt). -Nëse do të bëje çfarë ata dëshironin, do të të bënin mik të zgjedhur, më të vyer e më të afërt sesa familjarët e tyre. Arsyeja ishte se Allahu i Madhëruar të dalloi e të stolisi me moralin dhe edukatën më të lartë, e cila respektohet dhe nderohet nga të gjithë, të afërm apo të largët, miq apo armiq qofshin. Atëherë, mësoje dhe dije mirë se ata të luftojnë dhe të shprehin armiqësinë veçse për shkak të së vërtetës që sjell nga Zoti yt, e jo për shkak të personit tënd: “Ne dimë se ty të brengos ajo që ata të thonë. Ata, në të vërtetë, nuk të mohojnë ty, por ata keqbërës mohojnë me forcë argumentet e Allahut.” [El en’am]. Sidoqoftë, është Allahu Ai që të forcon ty kundrejt synimeve tinëzare të tyre:

Al-Israa 17:73Listen in Qur'an →
74

وَلَوْلَآ أَن ثَبَّتْنَٰكَ لَقَدْ كِدتَّ تَرْكَنُ إِلَيْهِمْ شَيْـًۭٔا قَلِيلًا

Dhe, sikur mos të kishim forcuar Na ty (në drejtim), gati do të kishe anuar pak kah ata

Nëse nuk do të të kishim forcuar, ti do të kishe anuar pak nga ta. -Nëse nuk do të të forconim në të vërtetën dhe të të ruanim me mirësinë e mëshirën Tonë, që të mos i përgjigjeshe ftesës së tyre: “…ti do të kishe anuar pak nga ta.” Edhe mund të anoje pak nga ftesa e tyre, për shkak të nxitjeve të shumta dhe për shkak të dëshirës tënde të madhe për t’i udhëzuar ata në rrugën e drejtë.

Al-Israa 17:74Listen in Qur'an →
75

إِذًۭا لَّأَذَقْنَٰكَ ضِعْفَ ٱلْحَيَوٰةِ وَضِعْفَ ٱلْمَمَاتِ ثُمَّ لَا تَجِدُ لَكَ عَلَيْنَا نَصِيرًۭا

dhe atëherë, me të vërtetë, Na do të bënim që të shijosh dënimin e dyfishtë në këtë botë dhe dënimin e dyfishtë pas vdekjes; e atëherë, nuk do të gjejshe askend për të ndihmuar kundër Nesh.

Atëherë, Ne do të të bënim të vuaje mundimin e dyfishtë në këtë jetë dhe pas vdekjes... -Nëse do të anoje sado pak nga kërkesat e tyre: “Ne do të të bënim të vuaje mundimin e dyfishtë në këtë jete dhe pas vdekjes..." Ndëshkimi yt do të ishte i dyfishuar qoftë në jetën e kësaj bote, qoftë në ahiret. Kështu do të ndodhte, sepse mirësia e Zotit mbi ty është e plotë dhe dituria jote rreth Tij është shumë e madhe, që ti të mund të bije në një gabim të tillë. Një njeri me të tillë dituri dhe mirësi të Zotit meriton ndëshkim shumë të ashpër, nëse do të ndiqte dëshirat e të shfrenuarve dhe do të braktiste Shpalljen e Zotit. Ai thotë:... dhe pastaj nuk do të gjeje asnjë ndihmëtar kundër Nesh. -Askush nuk do të mund të të shpëtonte nga ndëshkimi, që do të të gllabëronte. Por Allahu i Madhëruar të ruajti nga çdo portë sherri e intrige. Ai të ruajti nga sprovat e njerëzve dhe ta forcoi zemrën tek e vërteta. Ai të udhëzoi në rugën e drejtë. Prandaj ti, o i Dërguar, kurrë nuk re në grackën e tyre dhe nuk anove aspak drejt dëshirave e devijimit të ofruar nga të ligjtë. Mirësitë dhe dhuratat e Zotit për ty janë të plota e të mrekullueshme.

Al-Israa 17:75Listen in Qur'an →
76

وَإِن كَادُوا۟ لَيَسْتَفِزُّونَكَ مِنَ ٱلْأَرْضِ لِيُخْرِجُوكَ مِنْهَا ۖ وَإِذًۭا لَّا يَلْبَثُونَ خِلَٰفَكَ إِلَّا قَلِيلًۭا

Me të vërtetë, gjendja ka qenë e atillë, për të shqetësuar dhe me të dëbuar ty nga toka, atëherë, (nëse do ta bënin këtë), ata do të qëndronin pas teje (në atë tokë) vetëm pak kohë.

Ata të shtrënguan në tokë, me qëllim që të të dëbonin prej saj. Por, atëherë, edhe ata nuk do të mbeteshin gjatë pas teje. -Për shkak të urrejtjes së madhe që kanë për ty, ata nuk e durojnë dot qëndrimin tënd mes tyre, prandaj përpiqen me çdo mjet për të dëbuar prej vendit tënd. Por nëse do ta bënin diçka të tillë, ata nuk do të qëndronin gjatë pas teje, sepse ndëshkimi do t’i përpinte shumë shpejt. Ky është ligji i pandryshueshëm i Zotit për të gjithë popujt. Çdo popull që refuzon profetin e vet dhe e dëbon nga vendi, e kapi dënimi që në këtë jetë. Kështu ndodhi edhe me ata që bënë komplot kundër Muhamedit (a.s) dhe e dëbuan atë nga Meka. Mbi ta goditi dënimi i Zotit ditën e Bedrit. Atë ditë u vranë krerët më të rëndësishëm të Kurejshve dhe u zbeh fuqia dhe fama e tyre. Allahu qoftë i lavdëruar për gjithçka! Këto ajete tregojnë se nevoja e robit për Zotin është shumë e madhe. Robi gjithmonë ka nevojë për forcim e plotësim të imanit të tij nga Zoti. Robi gjithmonë duhet të jetë i lidhur fort me Zotin e tij dhe t’i përgjërohet Atij për t’ia forcuar besimin. Nga ana tjetër, robi duhet të kryejë çdo gjë që bën të mundur forcimin e konsolidimin e imanit të tij. Me përpjekje të sinqerta dhe të vërteta, me adhurime e vepra të mira dhe me mbështetje të plotë te Zoti, duke iu lutur Atij për qëndrueshmërinë e imanit, arrihet qëndrueshmëria e vijueshmëria në besim. Mendoni pak! Zoti i drejtohet Profetit të Tij dhe i thotë: “Nëse nuk do të të kishim forcuar, ti do të kishe anuar pak nga ta.” Kur Profeti është në këtë nevojë të madhe për Zotin, që ta forcojë dhe ruajë nga devijimi, atëherë si mund të mendosh për gjendjen e të tjerëve, që janë shumë poshtë tij?! Ky ajet është, gjithashtu, një kujtim i Zotit për mirësitë që i ka bërë Profetit të Tij, duke e ruajtur nga e keqja dhe devijimi. Kjo tregon se Allahu i Lartësuar e dëshiron dhe kënaqet që njerëzit t’i kujtojnë mirësitë e shumta që Ai u ka dhuruar, më e rëndësishmja e të cilave është ruajtja nga devijimi në kushte jashtëzakonisht të vështira, që janë larguese nga besimi. Le të kujtojnë gjithmonë se si Allahu i ka ruajtur mes furtunës së sprovave dhe i ka forcuar në besimin e tyre. Nga ajeti kuptojmë se sa më të shumta të jenë mirësitë e Zotit ndaj robit dhe sa më e lartë të jetë grada e tij, aq më i madh e i shumëfishuar është gjynahu dhe përgjegjësia, nëse njeriu bie në gabim, sepse Allahu i tha Profetit të Tij: “Atëherë, Ne do të të bënim të vuaje mundimin e dyfishtë në këtë jetë dhe pas vdekjes, dhe pastaj nuk do të gjeje asnjë ndihmëtar kundër Nesh.”

Al-Israa 17:76Listen in Qur'an →
77

سُنَّةَ مَن قَدْ أَرْسَلْنَا قَبْلَكَ مِن رُّسُلِنَا ۖ وَلَا تَجِدُ لِسُنَّتِنَا تَحْوِيلًا

Ky është ligji Jonë që e kemi bërë për pejgamberët e dërguar para teje. Dhe, as ti nuk do të gjesh shmangie nga ligji i Perëndisë.

Ky ka qenë ligji për të gjithë të dërguarit para teje; në ligjin Tonë nuk gjen ndryshime. -Nga ajeti kuptojmë se kur Allahu ka vendosur për të ndëshkuar një popull, atëherë do ta shohësh atë popull duke e tepruar me krimet dhe padrejtësitë e tij. Dhe kur ata të bëjnë diçka të tillë, atëherë vjen urdhri i Zotit për ndëshkimin e tyre. Kështu ndodhi edhe me popujt që luftuan dhe dëbuan profetët e tyre.

Al-Israa 17:77Listen in Qur'an →
78

أَقِمِ ٱلصَّلَوٰةَ لِدُلُوكِ ٱلشَّمْسِ إِلَىٰ غَسَقِ ٱلَّيْلِ وَقُرْءَانَ ٱلْفَجْرِ ۖ إِنَّ قُرْءَانَ ٱلْفَجْرِ كَانَ مَشْهُودًۭا

Kryeje namazin prej kthimit të Diellit (nga gjysma e qiellit) deri në errësirën e natës dhe leximin e Kur’anit në agim (namazin e sabahut); me të vërtetë, namazi i sabahut është i dëshmuar.

Fale namazin... -Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij të dashur, Muhamedin (a.s) që ta përkryejë namazin, qoftë në lidhje me veprat e dukshme të tij, qoftë në lidhje me aspektin e brendshëm. Ai e udhëron që ta falë namazin në kohët e përcaktuara, si më poshtë:...kur nis e ulet dielli... -Në kohën kur dielli anon drejt perëndimit, pasi zbret nga zeniti. Këtu flitet për namazin e drekës dhe atë të ikindisë....dhe kur erret nata. -Këtu është fjala për namazet që kryhen gjatë natës, pra, për namazin e akshamit dhe atë të jacisë.Dhe lexoje Kur'anin e agimit. Vërtet, leximi i Kur'anit të agimit është i dëshmuar. -Ky është namazi i sabahut, në agim. Allahu e ka quajtur “Kur'ane el fexhri” - Kur'ani i agimit, sepse gjatë këtij namazi lexohet më gjatë Kur'an sesa në namazet e tjera. Gjithashtu, arsye tjetër është edhe se leximi gjatë kohës së namazit është shumë i dobishëm dhe i shpërblyeshëm. Ky namaz dëshmohet nga Allahu në mënyrë të veçantë dhe nga melekët e natës dhe të ditës, që ndërrohen me njëri-tjetrin pikërisht në atë kohë. Në këtë ajet janë përmendur pesë vaktet e namazit. Kështu, namazi në këto vakte është detyrim, sepse është ka një urdhër të posaçëm për t’u falur në këto vakte. Nga ajeti kuptohet se hyrja e kohës është kusht i domosdoshëm për saktësinë e namazit dhe, gjithashtu, është shkak për detyrueshmërinë e namazit. Hyrja e kohës është trajtuar nga feja si shkak që e bën të detyrueshëm namazin. Pa hyrjen e kohës, namazi nuk është i saktë dhe nuk është detyrë të falet, sepse Allahu urdhëroi që të falemi kur të hyjë koha në këtë vakt. Gjithashtu, duke qenë se Allahu i përmend bashkë kohën e drekës dhe ikindisë, ndërsa kohën e akshamit me të jacisë, kjo tregon se në raste nevoje mund të bëhet bashkimi i namazit të drekës me atë të ikindisë, ndërsa namazi i akshamit me atë të jacisë. Në këto ajete tregohet rëndësia dhe dobia e madhe e namazit të sabahut. Tregohet gjithashtu se është e pëlqyeshme që të zgjatet leximi i Kur'anit në këtë namaz. Gjithashtu, ajeti tregon se leximi i Kur'anit gjatë namazit është shtyllë e domosdoshme e tij, pa të cilin namazi nuk pranohet. Emërtimi i një adhurimi me emrin e një pjese të tij tregon se kjo pjesë është shtyllë e domosdoshme e këtij adhurimi.

Al-Israa 17:78Listen in Qur'an →
79

وَمِنَ ٱلَّيْلِ فَتَهَجَّدْ بِهِۦ نَافِلَةًۭ لَّكَ عَسَىٰٓ أَن يَبْعَثَكَ رَبُّكَ مَقَامًۭا مَّحْمُودًۭا

Dhe, kaloje ti një pjesë të natës (duke bërë namaz), si shtojcë të lutjes vetëm për ty! Është shpresë, se Zoti yt do të vendosë ty në një vend të lavdëruar.

Dhe në një pjesë të natës falu me të (me këndimin e Kur’anit)si shtesë për ty! -Falu edhe gjatë kohës së natës, për t’u ngritur në grada. Allahu thotë “nafileten lek” - si shtesë për ty. Pra, që të jetë namazi i natës shtesë e mirësive dhe ngritje më lart në grada tek Allahu. Kjo ishte për Profetin (a.s.), ndërsa për të tjerët ky namaz ka për të qenë vetëm falje gjynahesh. Ka mundësi që kuptimi i “nafileten lek” - si shtesë për ty, të jetë si vijon: Pesë namazet janë farz për ty dhe për besimtarët, gjithashtu. Ndërsa namazi i natës është farz vetëm për ty, e jo për besimtarët. Ky është një dallim e nderim për ty tek Allahu. Për vetë gradën tënde të lartë tek Allahu, edhe detyrat e tua janë më të shumta se të tjerët. Kjo bëhet që shpërblimet e tua të jenë më të mëdha, dhe kështu të ngrihesh në gradën më të lartë, që quhet Mekamu Mahmud- Grada e Lavdërimit.Zoti yt do të të ngrejë në një gradë të lavdishme. - Ai që do të jetë në këtë gradë do të lëvdohet nga të parët dhe të fundit dhe ai do të bëjë ndërmjetësimin më të madh Ditën e Gjykimit. Atë ditë, krijesat do të kërkojnë që profetët të ndërmjetësojnë për të filluar llogarinë, sepse janë në një gjendje pritjeje torturuese. Kështu, ata shkojnë dhe i drejtohen fillimisht Ademit, pastaj Nuhut, pastaj Ibrahimit, pastaj Musait, pastaj Isait, por të gjithë largohen dhe tregojnë pamundësinë për këtë çështje kaq të madhe. Pastaj njerëzia i drejtohet më të mirit të bijve të Ademit dhe i kërkojnë të ndërmjetësojë, që Allahu t’ua lehtësojë pritjen torturuese. Kështu, Muhamedi (a.s) do të ndërmjetësojë tek Zoti dhe Ai do ta pranojë ndërmjetësimin e tij. Pastaj, Allahu do ta ngrejë Profetin në një vend të lavdishëm, që do ta kenë zili të gjithë njerëzit, nga i pari deri tek i fundit. Profeti Muhamed (a.s.) është më i miri i krijesave, që do t’i ndihmojë atë ditë.

Al-Israa 17:79Listen in Qur'an →
80

وَقُل رَّبِّ أَدْخِلْنِى مُدْخَلَ صِدْقٍۢ وَأَخْرِجْنِى مُخْرَجَ صِدْقٍۢ وَٱجْعَل لِّى مِن لَّدُنكَ سُلْطَٰنًۭا نَّصِيرًۭا

Dhe, thuaj: “O Zoti im, më shpjerë Ti mua në një hyrje të kënaqur (në vdekje), dhe më nxjerr (ringjallem) në një dalje të kënaqur, dhe, më dhuro nga Ti fuqi, që do të më ndihmojë!”

Dhe thuaj: “O Zoti im! Më fut në një vend të mirë (në Medine) dhe më nxirr(prej Mekes)në mënyrë të ndershme...” -Të gjitha hyrjet dhe daljet e mia bëji të mira! Bëji ato në emër të bindjes ndaj Teje dhe për kënaqësinë Tënde! Bëji ato të kryhen me sinqeritet, vetëm për kënaqësinë Tënde dhe sipas porosive e ligjeve të Tua!... dhe më dhuro nga ana Jote fuqi ndihmëtare (kundër çdo armiku) - Më jep argument të qartë e të dukshëm, më jep fakte të prera në të gjitha çështjet me të cilat përballem. Kjo është gjendja më e mirë që mund të arrijë robi në lidhjen e tij me Zotin. Kjo është ajo gjendje kur të gjitha veprat e fjalët e tij janë mirësi dhe afruese tek Allahu i Madhëruar. Në këtë gjendje, në çdo çast robi do të jetë i mbështetur nga Zoti i tij me argument të qartë e të pakundërshtueshëm për të vërtetën që ai mëton. Sigurisht, kjo gjendje kërkon: së pari, që njeriu të jetë i pajisur me dije të dobishme dhe të jetojë sipas kësaj diturie; së dyti, që njeriu të ketë dituri të hollësishme rreth çështjeve të fesë dhe rreth argumenteve të Shpalljes.

Al-Israa 17:80Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.