Muslim99Muslim99
← Tafsir library

18. Al-Kahf

The Cave · Meccan · 110 ayahs

سُورَةُ الكَهۡفِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 1–10 of 110

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

1

ٱلْحَمْدُ لِلَّهِ ٱلَّذِىٓ أَنزَلَ عَلَىٰ عَبْدِهِ ٱلْكِتَٰبَ وَلَمْ يَجْعَل لَّهُۥ عِوَجَا ۜ

Qoftë lavdëruar Perëndia, i cili ia shpalli Librin robit të Vet (Muhammedit), e që, nuk ka në të kurrfarë shtrembërimi, por

Të gjitha lavdërimet i qofshin vetëm Allahut i Cili i ka shpallur Robit të Vet(Muhamedit)Librin(Kur'anin)dhe nuk ka lejuar në të asnjë shtrembërim! -El hamd-i për Allahun është të përlëvduarit e Tij me emrat e Tij të bukur e cilësitë e Tij të Plota. Të gjitha cilësitë e Allahut janë të plota e absolute. El hamd do të thotë të lavdërosh Allahun dhe të shprehësh falënderim për mirësitë e Tij, qofshin ato mirësi të shfaqura e të dukshme, qofshin të fshehta e të brendshme, qofshin mirësi që kanë lidhje me ligjin, fenë dhe besimin, qofshin në lidhje me jetën e kësaj dynjaje. Nuk ka dyshim se mirësia më e madhe është shpallja e këtij Libri të madh për robin dhe profetin e Tij të dashur, Muhamedin (a.s). Kështu, Allahu i Madhëruar e lavdëroi veten e Tij për këtë mirësi kaq të madhe që u dhuroi njerëzve. Ky ajet shihet njëkohësisht edhe si urdhër për krijesat, që t’i thurin Atij lavde për dërgimin e profetëve dhe për shpalljen e librave. Pastaj i Madhëruari e përshkruan Kur’anin me dy cilësi të rëndësishme, që tregojnë se ai është një Libër i plotë, pa të meta:1.Ai nuk është i shtrembëruar në asnjë aspekt.2. Ai është i vyer dhe plot drejtësi, sqarues i rrugës së drejtë dhe mundësues i saj.Përshkrimi i parë tregon se në përmbajtjen e Kur’anit nuk ka asnjë gënjeshtër dhe në urdhëresat e Tij nuk ka asnjë padrejtësi apo kotësi. Ndërsa përshkrimi i dytë tregon se Kur’ani është udhëzues në rrugën e drejtë, bazuar në të vërtetat që ai sjell. Me diturinë e Kur’anit, zemrat mbushen me dije dhe iman. Mendjet ndriçohen kur e njohin Krijuesin e tyre me të gjitha emrat, cilësitë dhe veprat e Tij të lavdëruara. Shpirtrat gjejnë shtegun e drejtë kur, përmes këtij Libri, shohin të vërtetën rreth të fshehtave të shkuara dhe atyre që do të vijnë. Ndërsa përmes urdhëresave dhe ndalesave, përmes ligjeve të tij të drejta, shpirtrat pastrohen, lartësohen dhe plotësohen, për t’u bërë të denjë të ndjekin udhën e drejtë. Kështu ndodh, sepse të gjithë urdhrat dhe ligjet e Kur’anit janë drejtësi, mirësi dhe barazi. Ato kultivojnë sinqeritetin, adhurimin për Zotin e botëve si Një të vetëm e të Pashoq. Një libër i tillë është mëse i meritueshëm që Allahu ta lavdërojë Veten për shpalljen e tij dhe të kërkojë që edhe krijesat ta përlëvdojnë Atë për këtë mirësi të madhe e të pazëvendësueshme.

2

قَيِّمًۭا لِّيُنذِرَ بَأْسًۭا شَدِيدًۭا مِّن لَّدُنْهُ وَيُبَشِّرَ ٱلْمُؤْمِنِينَ ٱلَّذِينَ يَعْمَلُونَ ٱلصَّٰلِحَٰتِ أَنَّ لَهُمْ أَجْرًا حَسَنًۭا

është i drejtë për të paralajmëruar me anë të tij dënim të ashpër (për mohuesit), e që t’i sihariqojë besimtarët, që punojnë vepra të mira, se, për ta ka shpërblim të bukur,

(Një Libër)Të drejtë (e pa kundërthënie), për të paralajmëruar një dënim të rëndë prej Tij(për jobesimtarët)... - Allahu i Madhëruar e shpalli Kur’anin që të paralajmërojë krijesat për ndëshkimin e ashpër që Ai ka përgatitur dhe që e ka përcaktuar që të ndodhë me ligjin e Tij. Ky ndëshkim është për të gjithë ata që kundërshtojnë çështjen e Tij. Këtu bëhet fjalë për ndëshkimet në jetën e kësaj bote dhe për ato të jetës tjetër. Edhe ky paralajmërim konsiderohet si mirësi e madhe për krijesat, sepse tregon që Allahu kujdeset për ta. Ai i frikëson dhe i kërcënon ata që të ruhen nga çdo rrugë e humbjes, që i dëmton në të dyja jetët. Ai këshillon të ruhen sa janë ende në kohë. Në ajete të tjera, kur Allahu i Madhëruar ka përshkruar zjarrin e Xhehenemit, ka thënë: “Ata do të kenë shtresa zjarri nga sipër dhe nga poshtë. Me këtë Allahu i frikëson robërit e Vet: “O robërit e Mi, kini frikë (dënimin)!” [Zumer 16]. Është shenjë e mëshirës së Allahut për njerëzit, që i njofton ata për ndëshkimet e rënda që ka përgatitur për këdo që i kundërshton urdhëresat e Tij. Është mëshirë për ta, që Ai ua qartëson çdo rrugë të keqe që bën të meritueshme ndëshkimin. Allahu i paralajmëron njerëzit që të ruhen e të shpëtojnë nga ndëshkimi i Tij.... e për t’i përgëzuar besimtarët që bëjnë vepra të mira,... -Allahu i Madhëruar e shpalli Librin edhe për të qenë përgëzues dhe lajm i mirë për të gjithë ata që e besojnë plotësisht Atë, librat dhe profetët e Tij. Kur’ani është lajm i gëzueshëm për të gjithë ata që kanë iman të plotë, prej të cilit bëjnë vepra të mira dhe përmirësuese, qofshin ato të detyrueshme, qofshin të pëlqyeshme e vullnetare. Veprat e tyre të mira plotësojnë kushtet e domosdoshme:1. Sinqeriteti ndaj Allahut të lartësuar dhe synimi i kënaqësisë së Tij.2. Zbatimi me korrektësi i porosive të Zotit.Me fjalë të tjera, të gjitha veprat e tyre në emër të imanit, ata i kryejnë me sinqeritet vetëm për të kënaqur Allahun dhe sipas porosive të Allahut dhe Profetit të Tij. Nëpërmjet Kur’anit, Allahu i Madhëruar jep lajmin e mirë se:... se do të kenë një Shpërblim të mrekullueshëm(Xhenetin)… -Këto janë sevapet e shumta që sjell imani i pastër e korrekt dhe veprat e sinqerta sipas tij. Pa dyshim që shpërblimi më i madh që u premtohet është kënaqësia e Allahut ndaj tyre dhe hyrja në Xhenet, atje ku ka mirësi që syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar dhe as një mendje nuk i ka përfytyruar. Allahu i Madhëruar e ka përshkruar këtë shpërblim si hasena - i mirë. Kjo do të thotë se shpërblimet që do të shijojnë këta të zgjedhur nuk do të kenë asnjë lloj mangësie. Nuk do të ketë as lodhje për t’i arritur, as frikë se mos i humbasin apo se mos u pakësohen. Nëse do të kishte diçka të tillë, atëherë ato nuk do të ishin husna. Por përgëzimet e Mëshirëplotit për besimtarët e Tij të sinqertë nuk përfundojnë me kaq:

3

مَّٰكِثِينَ فِيهِ أَبَدًۭا

duke qëndruar në të (xhennet), përherë,

...(Xhenetin)në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë. -Këto mirësi nuk kanë për t’u larguar asnjë çast nga këta fatlumë dhe ata kurrë nuk do të largohen e të mërziten prej tyre. Madje kënaqësitë dhe përjetimet lumturuese shtohen dhe bëhen edhe më të bukura çdo ditë që kalon në Xhenet. Kur’ani është përgëzues i besimtarëve për këto mirësi të pashembullta. Por që përgëzimi të jetë i vërtetë dhe i plotë, duhet që në këtë Libër të përmenden edhe ato vepra përmes të cilave arrihet shpërblimi dhe përgëzimi. Nuk ka dyshim që Kur’ani ka treguar me hollësi çdo punë të mirë përmes së cilës kënaqet Krijuesi, fitohet Xheneti dhe arrihen përgëzimet e shumta në të dyja jetët. Lum ai që përfiton nga thesaret dhe përgëzimet e këtij Libri!

4

وَيُنذِرَ ٱلَّذِينَ قَالُوا۟ ٱتَّخَذَ ٱللَّهُ وَلَدًۭا

dhe, që t’i paralajmërojë ata që thonë: “Perëndia ka marrë për Vete – fëmijë”.

Ja edhe një tjetër mesazh i rëndësishëm, që tregon përse u zbrit ky Kur’an:Si edhe për t'i paralajmëruar ata që thonë se Allahu ka bir. -Këtu bëhet fjalë për jehudët, krishterët dhe idhujtarët e çdo lloji, të cilët bënë këtë shpifje të shëmtuar për Zotin e botëve. Ata i thonë këto fjalë duke mos patur asnjë lloj diturie e sigurie:

5

مَّا لَهُم بِهِۦ مِنْ عِلْمٍۢ وَلَا لِءَابَآئِهِمْ ۚ كَبُرَتْ كَلِمَةًۭ تَخْرُجُ مِنْ أَفْوَٰهِهِمْ ۚ إِن يَقُولُونَ إِلَّا كَذِبًۭا

Ata, nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, e as etërit e tyre. Është kjo fjalë e madhe (e shëmtuar) që del nga goja e tyre! Ata flasin vetëm gënjeshtra.

Kurrfarë dijenie nuk kanë ata për këtë dhe as etërit e tyre nuk kishin. -Nuk kanë dituri e fakte, as këta dhe as të parët e tyre, rrugën e të cilëve këta e pasojnë verbërisht. Ata ndjekin veçse hamendësime dhe atë që ua dikton vetja, dëshirat e tyre të prishura dhe të devijuara nga e vërteta.Sa e rëndë është ajo fjalë që del nga gojët e tyre! -Shëmtia e kësaj fjale është shumë e madhe dhe ndëshkimi për të është po i tillë. E ku ka shëmti më të madhe sesa të thuash për Zotin se ka fëmijë, gjë kjo që do të thotë mangësi për Të dhe cenon madhështinë e Tij. Kështu, Allahu nuk do të ishte më i Vetëm në aspektin rububije dhe as në atë uluhije, sepse i tillë do të ishte dhe “biri” i Tij. Kjo është thjesht një gënjeshtër e shëmtuar për të Madhërishmin, që është i Vetëm dhe i Pashoq në çdo aspekt. Nuk ka padrejtësi më të madhe sesa të gënjesh kundër Zotit. Ai thotë: “E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra ndaj Allahut, për t’i devijuar njerëzit, nga padija e tyre? Pa dyshim, Allahu nuk i udhëzon keqbërësit.” [En'am 144]. Kurse në këtë ajet thotë:Ajo që thonë ata është veçse gënjeshtër. -Kjo është një gënjeshtër, në të cilën nuk ka asnjë grimë të vërtete. Vërej me kujdes se si Allahu i Madhëruar deklaron gradualisht kotësinë e këtij besimi të devijuar dhe të pavërtetë! Në fillim, Ai thotë: “Ata nuk kanë asnjë dijeni për këtë, madje as etërit e tyre.” Dhe të folurit rreth Allahut pa dituri është sigurisht ndër gjërat më të dënueshme dhe më devijuese nga e vërteta. Pastaj, duke kaluar në një hap tjetër edhe më të fortë, thotë: “Sa e rëndë është ajo fjalë që del nga gojët e tyre!” Pra, deklaron se kjo është një fjalë e shëmtuar, duke i ftuar ata të meditojnë për shëmtinë dhe kotësinë e saj. Më tej thotë: “Ata flasin veçse gënjeshtra.” Së fundmi, pasi i ftoi të meditonin rreth faktit që ky është një besim që nuk ndërtohet mbi argument, nuk mbështetet në logjikë të pastër, madje është i shëmtuar dhe cenon madhështinë e Allahut si Zot, si Krijues dhe si i Vetmi që meriton adhurimet, i fton të kuptojnë se kanë të bëjnë veçse me gënjeshtra për Zotin dhe janë shumë larg së vërtetës.

6

فَلَعَلَّكَ بَٰخِعٌۭ نَّفْسَكَ عَلَىٰٓ ءَاثَٰرِهِمْ إِن لَّمْ يُؤْمِنُوا۟ بِهَٰذَا ٱلْحَدِيثِ أَسَفًا

A mos vallë do të bësh vetëvrasje për shkak të tyre, nëse ata nuk besojnë në këtë Kur’an, duke qenë i pikëlluar ti?

Mos vallë do të shkatërrosh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë(Kur’an)? -Profeti (a.s) ishte shumë i përkushtuar për të udhëzuar njerëzit në fenë e drejtë. Ai përpiqej me çdo mjet që ata ta përqafonin Islamin. Sa herë që dikush e pranonte Islamin dhe kthehej tek Zoti, Profeti (a.s) lumturohej. Nga ana tjetër, ai trishtohej shumë për ata që e mohonin dhe nuk pranonin të adhuronin Zotin me Islam, sepse ai ishte shumë i dhembsur dhe i mëshirshëm, shumë i butë dhe i dashur me ata të cilët i ftonte në Islam. Por Allahu i Madhëruar e udhëzoi atë që të mos shqetësohej dhe as të dëmtonte veten nga keqardhja për ata që nuk donin të besonin dhe të pranonin Islamin dhe Kur’anin. Në ajete të tjera, i Lartësuari thotë: “Allahu largon nga e vërteta atë që Ai dëshiron dhe e udhëzon atë që Ai dëshiron. Prandaj ti mos shkatërro veten duke u dëshpëruar për ta! Allahu e di shumë mirë atë që bëjnë ata.” [Fatir 8]. Ndërsa këtu thotë: “Mos, vallë, do të shkatërrosh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë këtë Fjalë?” Pra, ti gati po shkatërron veten nga trishtimi dhe keqardhja për ata që nuk të përgjigjen. Por shpërblimi yt tashmë është i plotë dhe i sigurt te Zoti. Ndërsa për ata të mjerë, nëse Zoti do të shihte ndonjë të mirë tek ata, do t’i kishte udhëzuar, por Ai e di mirë që ata meritojnë vetëm zjarrin, prandaj edhe nuk ua bën mbarë që të udhëzohen. Keqardhja nuk ka për të të sjellë ndonjë ndryshim apo dobi. Në këtë ajet e të ngjashëm me të ka shumë mësime. Detyra e ftuesve të njerëzve në besimin e drejtë është kumtimi i qartë i së vërtetës me çdo mënyrë që mund të sjellë udhëzimin e tyre. Nga ana tjetër, ata kanë detyrë mbylljen e të gjitha rrugëve të humbjes dhe të devijimit, duke marrë të gjitha masat e mundshme. Kështu, ftuesi përpiqet që t’i udhëzojë njerëzit në rrugën e drejtë dhe punon me durim për t’i larguar nga devijimet e shkaqet që pengojnë nga udhëzimi. Por më e rëndësishmja është që të gjitha këto ftuesi duhet t’i kryejë duke iu mbështetur tërësisht Allahut dhe duke kërkuar ndihmën dhe suksesin prej Tij. Nëse njerëzit udhëzohen, atëherë le të falënderojë Zotin për mirësinë dhe bujarinë e Tij. Por nëse ata refuzojnë, atëherë thirrësi nuk duhet të bjerë në trishtim dhe pesimizëm, sepse të tilla ndjenja e dobësojnë shpirtin dhe e ngadalësojnë ritmin e tij. Nga trishtimi i tepërt nuk fiton gjë. Ftuesi thjesht duhet të vazhdojë në detyrën që i ka ngarkuar Zoti dhe ta perfeksionojë sa më shumë atë. Çdo gjë tjetër është jashtë mundësive të njeriut. Mendohu pak! Allahu i thotë Profetit (a.s.): “Ti nuk mund ta udhëzosh atë që do, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë dhe Ai është më i Dituri për të udhëzuarit.” [Kasas 56]. Edhe Musai (a.s) tha: “O Zoti im! Unë nuk kam fuqi mbi asnjë tjetër veçse mbi veten dhe vëllanë tim. Prandaj, na veço ne prej këtij populli të pabindur!” [Maide 25]. Atëherë, çfarë mund të thuhet për të tjerët, që qëndrojnë shumë më poshtë se këta dy profetë të nderuar?! Le të kujtojmë gjithmonë fjalën e Allahut kur thotë: “Ti këshillo, sepse je veçse një kujtues dhe nuk je kontrollues i tyre! Ai që sprapset e nuk beson, Allahu do ta dënojë me vuajtje të mëdha. Pa dyshim, tek Ne është kthimi i tyre. Dhe, pa …

7

إِنَّا جَعَلْنَا مَا عَلَى ٱلْأَرْضِ زِينَةًۭ لَّهَا لِنَبْلُوَهُمْ أَيُّهُمْ أَحْسَنُ عَمَلًۭا

Na, çdo gjë që gjendet në Tokë, e kemi bërë stoli për të (njerëzit e Tokës), për të provuar se kush prej tyre është veprues më i mirë.

Gjithçka në Tokë, Ne e kemi bërë vetëm si stoli, -Allahu i Madhëruar ka bërë në tokë mirësi e kënaqësi të shumta, si: ushqime të shijshme, pije të këndshme e të pastra, vendbanime të rehatshme, pyje e kopshte me pemë e fruta, lumenj, përrenj, lëndina, pamje tërheqëse e të mrekullueshme, zëra që të mrekullojnë, stoli ari e argjendi, gurë të çmuar etj. Por mendohuni pak, o njerëz! Të gjitha këto janë thjesht bukuri të kësaj bote. Dhe mos harroni as edhe një çast se ato janë vendosur në këtë jetë si sprovë për ju dhe për të nxjerrë në pah besimin tuaj. Allahu i Lartësuar thotë:...për të provuar se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë. -Për t’ju sprovuar se cili është më vepërmirë. Por çfarë quhet vepër e mirë? Është ajo vepër që kryhet me sinqeritet vetëm për të kënaqur Zotin dhe, së dyti, kryhet sipas porosive të Zotit, ashtu siç e ka dashur Ai dhe siç e ka sqaruar përmes shpalljeve e profetëve. Zoti kënaqet veçse me adhurimet dhe mënyrat që Ai i ka caktuar. Ne jemi vendosur në këtë botë vetëm për t’u dalluar qartë cili është më vepërmirë. Ndërsa mirësitë e kësaj bote do të zhduken një ditë. I Madhëruari thotë:

8

وَإِنَّا لَجَٰعِلُونَ مَا عَلَيْهَا صَعِيدًۭا جُرُزًا

Dhe, Na, do të bëjmë atë që gjendet në të (Tokë) – sipërfaqe të thatë.

Çfarë ka Në Tokë do ta bëjmë pluhur e dhé. –Kjo Tokë do të shkretohet, kënaqësitë e saj do të zhduken, lumenjtë e saj do të thahen e gjurmët e tyre do të zhduken. Ky është realiteti i kësaj bote, të cilin Allahu i Madhëruar na e bën të qartë sikur ta kishim para syve. Ai na paralajmëron të jemi të kujdesshëm dhe të mos mashtrohemi me të. Allahu na nxit që të punojmë për një tjetër botë, mirësitë e së cilës janë të pafundme dhe ku banorët e saj do të qëndrojnë gjithmonë të lumtur. Ky është tregues i mëshirës së Allahut për krijesat. Me bukuritë e kësaj bote mashtrohen veçse ata të cilët njohin anën e jashtme të saj, vetëm shkëlqimin që i verbon, pa mundur të shohin në brendësi të saj. Në këtë jetë, ata dëfrehen ashtu si kafshët, që thjesht përmbushin epshet e veta. Ata nuk e kuptojnë të drejtën e Zotit të tyre dhe nuk i japin rëndësi diturisë rreth Zotit. I vetmi shqetësim që kanë ata është përmbushja e dëshirave të tyre kafshërore. Për ta nuk ka rëndësi se në ç’rrugë i arrijnë ato. Aq të mjerë janë ata, saqë në momentet e vdekjes do të dëshpërohen, për shkak se u ndërpriten kënaqësitë e kësaj bote e jo sepse nuk i kanë dhënë hakun Zotit apo se kanë bërë gjynahe. Ndërsa ata që arrijnë të shohin në brendësi të kësaj jete e kuptojnë për ç'qëllim u krijua ajo dhe ata vetë. Ata marrin një qëndrim të ekuilibruar në lidhje me këtë botë dhe jetën në të. Këta të urtë dhe të mençur marrin prej kënaqësive të kësaj bote aq sa u nevojitet. Kjo botë i ndihmon ata për t’iu bindur Zotit dhe për të kryer adhurimet që e kënaqin Atë. Ata e dinë mirë se u krijuan për të adhuruar Zotin si Një të Vetëm dhe e dinë se Zoti ua mundësoi të gjitha të mirat në këtë botë pikërisht për të përmbushur këtë qëllim dhe për t’u ndihmuar që ta përkryejnë atë. Këta të urtë shfrytëzojnë çdo moment të kësaj jete për t’iu afruar Zotit me punë të mira. Kjo botë është për ata thjesht një vend kalimi, e jo vend dëfrimi e prehje. Kjo botë është si hija e një peme, ku udhëtari pushon pak, e jo shtëpia e përjetshme, ku ai gjen rehatinë e kënaqësinë. Kjo është arsyeja që këta njerëz i sheh gjithnjë tek përpiqen shumë për të njohur Zotin dhe çfarë Ai dëshiron prej tyre. Ata i sheh të përkushtuar që të përmbushin urdhëresat e Zotit dhe të bëjnë gjithnjë vepra të mira, qoftë në drejtim të marrëdhënieve me Zotin, qoftë në drejtim të marrëdhënieve me krijesat. Këta lloj njerëzish janë në grada të larta tek Allahu dhe do të kënaqen me nderimin dhe mirësitë e shumta që Ai do t’u japë. Të nderuar dhe të lumtur do të jenë këta fatlumë. Kur të dashuruarit pas kësaj jete verboheshin duke parë shkëlqimin e saj të jashtëm, këta të zgjedhur vështronin me urtësi e vetëpëmbajtje thelbin e kësaj bote, prandaj u përkushtuan për të punuar për ahiretin. Këta shfrytëzojnë çdo çast të kësaj bote që të fitojnë përjetësinë në Xhenetet e Zotit, ndërkohë që dembelët jepen tërësisht pas kësaj bote të gënjeshtërt. Eh, sa larg qëndrojnë këto dy grupe dhe sa i madh është ndryshimi mes tyre!

9

أَمْ حَسِبْتَ أَنَّ أَصْحَٰبَ ٱلْكَهْفِ وَٱلرَّقِيمِ كَانُوا۟ مِنْ ءَايَٰتِنَا عَجَبًا

Vallë, a mendon ti se shoqëria e Shpellës dhe e Rekimit (vendbanim) është një mrekulli nga argumentet Tona?

A mos mendove ti se shokët e shpellës së Rekimit ishin nga Shenjat Tona më të çuditshme? -Kurrë mos mendo se historia e djemve të shpellës ishte nga shenjat tona më të çuditshme dhe të pashembullta. Megjithatë, Allahu i Madhëruar ka sjellë shenja edhe më të mëdha se këto, në aspekte të ndryshme. Allahu i Madhëruar u sjell njerëzve shenja të shumta si në ambientin që i rrethon, ashtu edhe në veten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ky Kur’an është i vërtetë dhe derisa t’u bëhet e qartë e vërteta nga e kota, udhëzimi nga humbja. Ky ajet nuk duhet kuptuar gabim: domethënë, edhe historia e djemve të shpellës është nga shenjat e çuditshme dhe madhështore që ka sjellë Zoti, por jo më e madhja. Si ajo ka patur shenja të shumta. Për këtë arsye, çudia pa fund nga kjo histori nuk është me vend. Besimtari mediton në të gjitha shenjat dhe mesazhet e Zotit, ashtu siç i ka ftuar Ai. Në fakt, ato janë çelës për të hapur rrugët e imanit në zemrën e njeriut. Ato janë rrugë të hapura drejt diturisë së dobishme dhe arritjes së jekin-it, sigurisë në besim. Allahu i quan të rinjtë “banorë të shpellës”, sepse ata qëndruan një kohë shumë të gjatë atje.

10

إِذْ أَوَى ٱلْفِتْيَةُ إِلَى ٱلْكَهْفِ فَقَالُوا۟ رَبَّنَآ ءَاتِنَا مِن لَّدُنكَ رَحْمَةًۭ وَهَيِّئْ لَنَا مِنْ أَمْرِنَا رَشَدًۭا

(Kujtoje ti) kur disa sjelmosha u strehuan në shpellë dhe thanë: “O Zoti ynë, dhurona mëshirë nga ana Jote dhe përgatitna neve në udhëzim të drejtë!”

Në këto ajete, Allahu i Madhëruar vijon që të shtjellojë këtë histori më hollësisht.Kur djelmoshat u strehuan në shpellë, thanë:... -Ata ishin një grup djemsh në lulen e rinisë, që u strehuan në shpellë për t’u ruajtur nga persekutimi prej popullit të tyre. Ata donin të ruanin të pacenuar besimin te Zoti, prandaj u lutën:“O Zoti ynë! Na dhuro mëshirë nga ana Jote.... -Me mëshirën Tënde, forcoje besimin tonë dhe ruaje atë të pastër! Na ruaj nga çdo e keqe dhe na udhëzo të bëjmë mirë!... dhe na jep udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!” -Na lehtëso çdo rrugë e mjet që na afron drejt mirësisë dhe udhës së drejtë. Rregulloji të gjitha çështjet tona të fesë e besimit, por edhe ato të kësaj jete. Të rinjë jo vetëm që iu lutën Zotit për të ruajtur besimin, por edhe morën masa duke bërë atë që kishin mundësi: ata u larguan nga shkaktarët e sprovës dhe devijimit, duke u fshehur në shpellë. Ata iu përgjëruan Zotit që t’ua lehtësonte çështjet. Ata kurrë nuk iu mbështetën forcave të tyre dhe as krijesave, por vetëm Zotit të Lartësuar. Dhe Allahu iu përgjigj lutjes së tyre:

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.