Muslim99Muslim99
← Tafsir library

17. Al-Israa

The Night Journey · Meccan · 111 ayahs

سُورَةُ الإِسۡرَاءِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 31–40 of 111

31

وَلَا تَقْتُلُوٓا۟ أَوْلَٰدَكُمْ خَشْيَةَ إِمْلَٰقٍۢ ۖ نَّحْنُ نَرْزُقُهُمْ وَإِيَّاكُمْ ۚ إِنَّ قَتْلَهُمْ كَانَ خِطْـًۭٔا كَبِيرًۭا

Mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë! Na i furnizojmë ata dhe juve; se, mbytja e tyre, me të vërtetë, është mëkat i madh.

Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve! Vrasja e tyre është një krim i madh. -Kjo tregon për mëshirën e madhe të Allahut me njerëzit. Ai është më i mëshirshëm me ta sesa vetë prindërit e tyre me ta. Allahu i Gjithëmëshirshëm i ndaloi ata që të vrasin fëmijët e tyre nga frika e varfërisë e skamjes. Ai premton se është Furnizuesi i të gjithëve. Ai bën të ditur se vrasja e tyre është gjynah i madh, madje nga më të mëdhenjtë. Ky lloj gjynahu tregon se ata njerëz që e bëjnë nuk kanë asnjë pikë mëshirë në zemër, pasi guxojnë të marrin jetën e foshnjave, që janë krejt të pastër e të pafajshëm. Ata njerëz meritojnë ndëshkim të ashpër.

Al-Israa 17:31Listen in Qur'an →
32

وَلَا تَقْرَبُوا۟ ٱلزِّنَىٰٓ ۖ إِنَّهُۥ كَانَ فَٰحِشَةًۭ وَسَآءَ سَبِيلًۭا

Dhe, mos iu qasni kurvërisë, se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!

Mos iu afroni imoralitetit! Ai është një vepër e shëmtuar dhe një rrugë shumë e keqe. -Vëreni me kujdes! Allahu i Madhëruar na ndalon që edhe t’i afrohemi imoralitetit. Ky ndalim edhe më i fortë sesa thjesht ndalimi nga kryerja e kësaj vepre, sepse kështu ai të pengon nga të gjitha rrugët e veprat pararendëse të imoralitetit, që të shpien tek ai. Marrja e masave për prerjen e rrugëve të zina-së është një veprim i domosdoshëm, sepse Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai që kullot afër kufijve të ndaluar pritet që t’i shkelë ato kufij." Sidomos kur bëhet fjalë për këtë lloj vepre, që është nga më të vështirat për t’u përballuar nga njeriu. Allahu i Madhëruar e ka përshkruar imoralitetin si fahishe - poshtërsi ose vepër e shëmtuar, e cila konsiderohet e tillë si në Sheriat, ashtu edhe në logjikën njerëzore të pastër. Kjo vepër konsiderohet si shkelje e të drejtës së Zotit, të gruas e familjes së saj, shkelje e të drejtës bashkëshortore dhe pastërtisë së shtratit bashkëshortor, prishje e gjakut dhe i përkatësisë farefisnore etj. Allahu thotë gjithashtu: “...dhe një rrugë shumë e keqe." Rruga më e keqe është rruga e atij që guxon të kryejë këtë poshtërsi të madhe.

Al-Israa 17:32Listen in Qur'an →
33

وَلَا تَقْتُلُوا۟ ٱلنَّفْسَ ٱلَّتِى حَرَّمَ ٱللَّهُ إِلَّا بِٱلْحَقِّ ۗ وَمَن قُتِلَ مَظْلُومًۭا فَقَدْ جَعَلْنَا لِوَلِيِّهِۦ سُلْطَٰنًۭا فَلَا يُسْرِف فِّى ٱلْقَتْلِ ۖ إِنَّهُۥ كَانَ مَنصُورًۭا

Mos mbytni atë që e ka ndaluar Perëndia, përpos me të drejtë (sipas gjykimit)! E, ai që mbytet pa të drejtë, trashëgimtarit të tij i kemi dhënë pushtet, por edhe ai mos ta teprojë në mbytje. Pra, ai është i ndihmuar (nga ligji dhe njerëzit).

Mos e vrisni njeriun, që Allahu e ka ndaluar të vritet,... -Ky është ndalim nga vrasja e çdo njeriu që Zoti e ka ndaluar, i vogël a i madh, mashkull a femër, musliman a jomusliman që ka pakt me muslimanët. Të gjitha këto kategori janë të ndaluara të preken, veç kur e parashikon e drejta ligjore, sikurse thotë Zoti:... përveç se me drejtësi(sipas Ligjit). -Rastet kur lejohen ekzekutimet janë të përcaktuara nga ligji i Zotit, siç është për shembull dënimi për krimin e vrasjes, për shkeljen e kurorës apo për tradhtinë ndaj Islamit. Gjithashtu, në rebelimin kundër shtetit islam, nëse ai mund të ndalet veçse me luftë, lejohet luftimi dhe vrasja e rebelëve.Nëse dikush vritet pa të drejtë, Ne i kemi dhënë të drejtë kujdestarit të tij (të kërkojë drejtësi). – Për atë që vritet padrejtësisht, Ne i kemi dhënë kujdesatrit të tij legjitim, ndër të afërmit dhe trashëgimtarët e tij, të drejtën e plotë për të kërkuar dënimin me drejtësi të vrasësit. Madje, kur plotësohen të gjitha kushtet që e bëjnë të meritueshëm ndëshkimin, Allahu e bën të mundur që vrasësi të mos i shpëtojë ndëshkimit. Por, sidoqoftë, edhe në të tilla kushte, Allahu u drejtohet të afërmve të viktimës dhe u thotë:Por edhe ai të mos e kalojë kufirin në (shpagimin për) vrasje, sepse ai është i ndihmuar(prej Zotit). – Allahu i Madhëruar e ndalon kalimin e kufijve në ekzekutimin e dënimit, p.sh duke shpërfytyruar kufomën e vrasësit ose duke e poshtëruar atë, ose duke e vrarë jo në mënyrën që ai e ka vrarë viktimën, por me mënyra të tjera të tepruara. Në ndëshkim të ruhet drejtësia dhe barazia. Kalim i kufirit është edhe vrasja jo e kriminelit, por e dikujt tjetër në vend të tij. Ky ajet tregon se e drejta për të ekzekutuar kriminelin ka kusht të domosdoshëm lejen e kujdestarit ligjor të viktimës. Dënimi ekzekutohet veçse me lejen e tij. Kështu, nëse ai zgjedh ta falë e të pranojë kompensim, atëherë dënimi rrëzohet. Gjithashtu, ajeti tregon se Allahu i ndihmon të afërmit e viktimës kundër kriminelit dhe bashkëpunëtorëve në krim, derisa t’u krijojë mundësinë që të vendoset drejtësia.

Al-Israa 17:33Listen in Qur'an →
34

وَلَا تَقْرَبُوا۟ مَالَ ٱلْيَتِيمِ إِلَّا بِٱلَّتِى هِىَ أَحْسَنُ حَتَّىٰ يَبْلُغَ أَشُدَّهُۥ ۚ وَأَوْفُوا۟ بِٱلْعَهْدِ ۖ إِنَّ ٱلْعَهْدَ كَانَ مَسْـُٔولًۭا

Mos iu qasni pasurisë së bonjakut, përpos në mënyrën më të mirë, përderisa të mos arrijë moshën e pjekurisë. Dhe kryeni obligimet. Me të vërtetë, për obligime jeni përgjegjës.

Mos iu afroni pasurisë së jetimit, përveçse kur keni qëllim të mirë(për t’ia shtuar), ... -Kjo tregon për butësinë e mëshirën e madhe të Allahut të Madhëruar për jetimët. Jetim konsiderohet ai fëmijë që ka i ka vdekur babai dhe është në moshë të vogël, sa nuk mund të kujdeset për veten. Allahu i Madhëruar urdhëron kujdestarët ligjorë të tij që të kujdesen për të dhe për pasurinë e tij. Ai i porosit që t’i qasen pasurisë së jetimit veçse me qëllim të mirë, duke synuar ta shtojnë dhe me kujdesin më të madh që të mos e humbasin ose shpërdorojnë, derisa jetimi të bëhet i aftë për të kontrolluar pasurinë e tij:... derisa ai ta arrijë pjekurinë e vet! -Derisa jetimi të arrijë moshën e pjekurisë dhe aftësisë së plotë ligjore për të vepruar me pasurinë e vet. Në këtë moment përfundon kujdestaria ligjore ndaj tij dhe ai bëhet përgjegjës për veten dhe pasurinë e tij. I Madhëruari thotë: "Vërini në provë jetimët, derisa të bëhen për t’u martuar e nëse vëreni tek ata pjekuri, atëherë jepuani pasurinë e tyre! Mos e hani pasurinë e tyre duke e shpërdoruar dhe duke u ngutur (të përfitoni)para se të rriten! Kush është i pasur, le të ruhet, e kush është i varfër, le të hajë me masë. Kur t’ua dorëzoni jetimëve pasurinë e vet, bëjeni këtë në prani të dëshmitarëve! Allahu është i mjaftueshëm si Llogaritës.” [Nisa 6].Zbatojini premtimet tuaja, sepse për premtimin ka përgjegjësi! - Plotësoni të gjitha premtimet dhe përgjegjësitë që keni ndërmarrë para Zotit dhe ato që keni lidhur me njerëzit! Premtimet dhe marrëveshjet janë detyrime që duhen plotësuar dhe për të cilat njeriu do të pyetet para Zotit. Nëse i përmbushni ato, ju keni një shpërblim të madh nga Zoti. Por nëse nuk i përmbushni, atëherë jeni ngarkuar me gjynah të madh.

Al-Israa 17:34Listen in Qur'an →
35

وَأَوْفُوا۟ ٱلْكَيْلَ إِذَا كِلْتُمْ وَزِنُوا۟ بِٱلْقِسْطَاسِ ٱلْمُسْتَقِيمِ ۚ ذَٰلِكَ خَيْرٌۭ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلًۭا

Plotësoni matjen kur matni, dhe peshoni me terezi (peshojë) të drejtë. Kjo është më së miri dhe pasojat janë më të bukura.

Mbusheni mirë masën kur matni dhe peshoni me peshore të saktë! -Ky është një urdhër për të mbajtur drejtësinë dhe për të peshuar me masë të saktë, pa u ngrënë hakun njerëzve. Duke marrë për bazë kuptimin më të gjerë të ajetit, themi se në Islam është e ndaluar çdo lloj mashtrimi e abuzimi, për sa i përket vlerës dhe çmimit të sendeve apo në kushtet e marrëveshjeve. Ajeti, nga ana tjetër, na urdhëron të jemi të vërtetë e të sinqertë, duke synuar të mirën në çdo marrëveshje e bashkëpunim ndërnjerëzor.Kjo është më e dobishme për ju dhe ka përfundim më të mirë. -Këto porosi janë më të mira dhe zbatimi i tyre sjell një përfundim më të mirë. Ato e bëjnë robin që të jetë i qetë nga rrjedhimet e këqija. Mbi të gjitha, zbatuesit të marrëveshjeve i zbresin begati dhe mirësi të shumta nga Zoti.

Al-Israa 17:35Listen in Qur'an →
36

وَلَا تَقْفُ مَا لَيْسَ لَكَ بِهِۦ عِلْمٌ ۚ إِنَّ ٱلسَّمْعَ وَٱلْبَصَرَ وَٱلْفُؤَادَ كُلُّ أُو۟لَٰٓئِكَ كَانَ عَنْهُ مَسْـُٔولًۭا

Mos ano (shko) kah ajo që nuk e dini, me të vërtetë, të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra (mendja), të gjitha këto janë përgjegjëse për atë (që ka anuar).

Mos iu afro asaj për të cilën nuk ke njohuri! - Kurrë mos paso diçka për të cilën nuk ke dije. Përkundrazi, sigurohu mirë në gjithçka që thua dhe vepron. Asnjëherë mos mendo se do të shpëtosh nga përgjegjësia për ato që thua dhe vepron. Ato ose do të jenë pro teje, ose kundër teje. Allahu i Madhëruar thotë:Dëgjimi, shikimi dhe zemra – për të gjitha ato ka përgjegjësi. - Le ta dijë robi se ai do të pyetet për gjithçka që ka folur, vepruar dhe do të pyetet për çfarë i përdori trupin dhe pasurinë e tij. Atëherë, le të përgatisë përgjigje për çdo pyetje. Trupin ia krijoi Zoti që ai ta nënshtrojë për ta adhuruar Atë si një të vetëm, dhe pikërisht kjo është përgjigjja e duhur për pyetjet që e presin robin. Vetëm duke e përdorur trupin në adhurimin e Zotit dhe sinqeritetin në zbatimin e fesë së Tij, si dhe duke e ruajtur nga ndalesat e Zotit, mund të thuhet se robi i ka përgatitur përgjigjet për pyetjet që e presin.

Al-Israa 17:36Listen in Qur'an →
37

وَلَا تَمْشِ فِى ٱلْأَرْضِ مَرَحًا ۖ إِنَّكَ لَن تَخْرِقَ ٱلْأَرْضَ وَلَن تَبْلُغَ ٱلْجِبَالَ طُولًۭا

Mos ecën nëpër tokë me mendjemadhësi, se ti, me të vërtetë, nuk mund ta shposh tokën e as të arrish lartësinë e maleve.

Mos ec nëpër tokë me mburrje, -Mos ec nëpër tokë me fodullëk e mendjemadhësi ndaj të vërtetës dhe ndaj krijesave të Zotit.... sepse ti as nuk mund ta çash tokën, as nuk mund të arrish lartësinë e maleve! - Me gjithë mendjemadhësinë tënde, nuk ke për t’ia arritur kësaj, përkundrazi, do të jesh i poshtëruar e i nënçmuar para Zotit dhe para krijesave. Zoti të përshkruan me cilësinë më të ulët. Llumi ku je zhytur është shumë i thellë, prandaj nuk arrin ta kuptosh ligësinë e tij.

Al-Israa 17:37Listen in Qur'an →
38

كُلُّ ذَٰلِكَ كَانَ سَيِّئُهُۥ عِندَ رَبِّكَ مَكْرُوهًۭا

Të gjitha këto janë të këqija dhe të neveritshme te Zoti yt.

E keqja e të gjitha këtyre është e urryer nga Zoti yt. -Të gjitha këto ndalesa, duke nisur që nga ajeti: “Mos adhuro asnjë zot tjetër me Allahun, se do të bëhesh i qortuar e i braktisur!”, e deri këtu, të gjitha janë të urryera nga Zoti dhe do t’i sjellin fatkeqësi e vuajtje atyre që i bëjnë dhe nuk pendohen.

Al-Israa 17:38Listen in Qur'an →
39

ذَٰلِكَ مِمَّآ أَوْحَىٰٓ إِلَيْكَ رَبُّكَ مِنَ ٱلْحِكْمَةِ ۗ وَلَا تَجْعَلْ مَعَ ٱللَّهِ إِلَٰهًا ءَاخَرَ فَتُلْقَىٰ فِى جَهَنَّمَ مَلُومًۭا مَّدْحُورًا

Kjo është nga mençuria (dijenia e madhe) që të ka shpallur ty Zoti yt dhe mos bën zot tjetër me Perëndinë, e të hedhesh në skëterrë, i sharë dhe i larguar (nga mëshira e Perëndisë)!

Këto(ajete)janë nga urtësia, që Zoti yt ta shpalli ty. -Të gjitha këto ligje dhe dispozita të mrekullueshme që të sqaruam janë pjesë e Shpalljes dhe urtësive që Zoti të zbriti. Urtësi janë të gjithë urdhrat për vepra të mira dhe moral të lartë, si dhe ndalesat nga punët e këqija dhe morali i ulët. Ato iu shpallën më të mirit dhe zotërisë së të gjithë profetëve, në më të mirin dhe më të zgjedhurin e librave, për të qenë udhëzim për më të mirin e popujve. Ato janë urtësia më e madhe që mund t’i dhurohet dikujt. Atij që i është dhuruar kjo urtësi i është dhënë mirësi e madhe. Në fund të këtyre urtësive, Zoti e mbyll me një ndalesë të fortë: me ndalimin e shirkut, ashtu sikurse nisi në fillim:Mos adhuro veç Allahut ndonjë zot tjetër që pastaj të hidhesh në Xhehenem si fajtor dhe i dëbuar. –Do të futesh në Zjarr, ku do të qëndrosh përjetësisht. Ai që i bën shok Zotit, e ka të ndaluar të futet në Xhenet, por do të jetë në Zjarr. Atje do të jetë “si fajtor dhe i dëbuar”, pra, i mbuluar nga mallkimi i Allahut, melekëve dhe i të gjithë njerëzimit.

Al-Israa 17:39Listen in Qur'an →
40

أَفَأَصْفَىٰكُمْ رَبُّكُم بِٱلْبَنِينَ وَٱتَّخَذَ مِنَ ٱلْمَلَٰٓئِكَةِ إِنَٰثًا ۚ إِنَّكُمْ لَتَقُولُونَ قَوْلًا عَظِيمًۭا

A mos vallë Perëndia u ka dhuruar juve djem e (për Vete) ka marrë engjëjt për vajza? Ju, me të vërtetë, flisni fjalë të madhe (trillim të madh).

Ky është një mohim e qortim i fortë kundër atyre që shpifën se Allahu ka zgjedhur që disa prej krijesave të Tij të jenë bija të Tij. Ai u drejtohet këtyre trilluesve e mashtruesve, duke u thënë:A mos ju dalloi Zoti juaj me djem e për vete zgjodhi melekë që ju i mendoni femra? -Mos, vallë, ju dalloi ju, duke ju dhënë fëmijë meshkuj, që janë më të preferuar për ju, dhe për vete zgjodhi më pak të preferuarët, duke i bërë melekët femra?! Kështu pretendonin dhe shpifnin të paditurit, që melekët ishin femra dhe bija të Zotit. Por i Madhëruari ua hedh poshtë këtë, duke thënë:Ju jeni duke thënë fjalë(trillime), vërtet të mëdha. -Me këto shpifje të shëmtuara, së pari, ju morët guximin të pretendonit se Zoti ka fëmijë, që do të thotë se ka nevojë për fëmijë edhe pse disa prej jush e quajnë mangësi pasjen e fëmijëve (siç bëjnë murgjit). Së dyti, pretenduat se Atij i takon lloji më pak i preferuar i fëmijëve, pra, femrat, ndërkohë që është Ai që ju ka bërë mirësi kur ju dhuron fëmijë meshkuj e femra. I Lartësuar qoftë Allahu nga shpifjet e trilluesve!

Al-Israa 17:40Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.