Muslim99Muslim99
← Tafsir library

17. Al-Israa

The Night Journey · Meccan · 111 ayahs

سُورَةُ الإِسۡرَاءِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 1–10 of 111

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

1

سُبْحَٰنَ ٱلَّذِىٓ أَسْرَىٰ بِعَبْدِهِۦ لَيْلًۭا مِّنَ ٱلْمَسْجِدِ ٱلْحَرَامِ إِلَى ٱلْمَسْجِدِ ٱلْأَقْصَا ٱلَّذِى بَٰرَكْنَا حَوْلَهُۥ لِنُرِيَهُۥ مِنْ ءَايَٰتِنَآ ۚ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلْبَصِيرُ

Qoftë lavdëruar Ai; i pastër është Ai nga të metat – i cili, në një çast të një nate, e ka bartë robin e Tij (Muhammedin) nga Tempulli i shenjtë (Mekka) në Tempullin e largët (Jerusalemi), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’ia dëftuar atij disa nga dokumentet Tona. Ai (Perëndia), me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.

I Dëlirë(e i Lavdëruar)qoftë Ai, që e mbarti adhuruesin e Tij(Muhamedin a.s.)natën nga Xhamia e Shenjtë(Qabeja)drejt xhamisë "Aksa"(në Palestinë),... -Allahu i Lartësuar e dëlirëson dhe e lavdëron Veten, sepse Ai është vërtet i pastër nga çdo mangësi dhe e metë. Veprat e Tij janë madhështore dhe mirësitë e Tij janë të pafundme. Ndër mirësitë më të mëdha është edhe kjo ngjarje madhështore, e njohur si udhëtimi i Israsë dhe Miraxhit. I dëlirë dhe i lavdëruar është Ai që e mori adhuruesin e Tij të dashur, profetin e Tij të zgjedhur, Muhamedin, në këtë udhëtim të pashembullt dhe të mrekullueshëm, nga Xhamia e Shenjtë (Qabja) në xhaminë Aksa, në Palestinë. Qabja është xhamia më e zgjedhur, në mënyrë absolute. Edhe xhamia Aksa është nga xhamitë më të zgjedhura, pasi ka qenë faltore e shumë profetëve të Zotit. Ai ishte një udhëtim fantastik, në të cilin Profeti i Zotit përshkoi një distancë shumë të largët brenda natës, vajtje e kthim. Allahu i Madhëruar i tregoi Profetit të Tij shumë nga shenjat e mëdha të Tij, duke e forcuar edhe më shumë udhëzimin, dritën, qartësinë dhe dallimin e së vërtetës nga e kota. Kjo ngjarje dëshmoi për kujdesin e madh, për butësinë, mëshirën dhe dashurinë, me të cilën Allahu e trajtoi Profetin (a.s.). Allahu i Lartësuar ia lehtësoi atij të gjitha rrugët e mirësive dhe të udhëzimit, duke i dhënë sukses në to. Mirësitë me të cilat e mbuloi këtë profet ia kalojnë të gjitha mirësive që Ai u dhuroi të parëve dhe të fundmëve. Ajeti tregon se Israja filloi pjesën e parë të natës dhe nisja ishte nga Xhamia e Shenjtë, Qabja. Megjithatë, ka hadithe të sakta që tregojnë se nisja u bë nga shtëpia e Ummu Hanit. Atëherë, duke pajtuar ajetin me hadithet, kuptojmë se vend i shenjtë në Mekë nuk është vetëm xhamia, por një sipërfaqe më e gjerë, mes së cilës edhe shtëpia e Ummu Hanit. Rrjedhimisht, shpërblimet e shumëfishuara që lidhen në Qaben vlejnë për të gjithë territorin e shenjtë të Mekës. Ky udhëtim u krye me trup dhe me shpirt, sepse përndryshe ngjarja nuk do të ishte ndonjë veçori e madhe për Profetin. Hadithet rreth Israsë dhe Miraxhit janë të shumta dhe të sakta. Në to përmendet hollësisht se çfarë shenjash madhështore pa dhe dëshmoi Profeti (a.s.) në atë udhëtim. Në fillim, Profeti udhëtoi nga Qabja në Bejt el Makdes (Xhaminë Aksa) në Palestinë, e pastaj, prej atje u ngrit lart në qiej. Ai u ngjit mbi shtatë qiej dhe pa Xhenetin dhe Zjarrin. I Dërguari (a.s.) takoi edhe disa profetë të tjerë atje, në gradat dhe qiejt e tyre përkatës. Në takimin e mrekullueshëm dhe të pashembullt me Zotin e qiejve dhe të Tokës, atij fillimisht iu bë detyrim falja e 50 vakteve namaz. Por, sikurse është treguar në hadithe, Profeti (a.s.) vazhdoi të kërkonte lehtësim nga Zoti i tij, derisa përfundoi në pesë vakte namaz të detyrueshëm. Megjithatë, edhe pse ato janë vetëm 5 vakte, Allahu i Madhëruar premtoi që shpërblimin e tyre ta japë si për 50 vakte. Ky profet i zgjedhur dhe umeti i tij fitoi këtë natë lavdi dhe mirësi, që vetëm Zoti i di dhe i ka përcaktuar. Vëreni me kujdes! Allahu i Lartësuar e ka emërtuar Muhamedin me fjalën "Abdehu" - "Robin e Tij", që do të thotë "Adhuruesin e Tij". Kështu është cilësuar Muhamedi (a.s) në tre kontekste të …

2

وَءَاتَيْنَا مُوسَى ٱلْكِتَٰبَ وَجَعَلْنَٰهُ هُدًۭى لِّبَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ أَلَّا تَتَّخِذُوا۟ مِن دُونِى وَكِيلًۭا

Dhe ia dhamë Musait Librin dhe e bëmë atë udhërrëfyes për bijtë e Israelit – (duke u thënë atyre): “Mos merrni përpos Meje kurrfarë përfaqësuesi,

Ne i dhamë Musait Librin(Teuratin)dhe e bëmë atë udhërrëfyes për bijtë e Izraelit. -Në shumë ajete, Allahu i Madhëruar përmend profetësinë e Muhamedit (a.s) dhe atë të Musait (a.s), duke përmendur afërsinë e librave e ligjeve të tyre. Teurati dhe Kur'ani janë dy librat më madhështorë të Zotit. Gjithashtu, ligjet e tyre janë më të zgjedhurit nga Zoti. Ata janë profetët më të zgjedhur dhe ndjekësit e tyre janë më të shumtit në numër. Allahu i Madhëruar thotë: "Ne i dhamë Musait Librin dhe e bëmë atë udhërrëfyes për bijtë e Izraelit." Allahu i dhuroi Musait Teuratin, nëpërmjet të cilit bijtë e Israelit do të gjenin dritën e udhëzimit, për të ecur nëpër errësirat e injorancës e për të gjetur diturinë rreth të vërtetës. Më e madhja porosi e kësaj shpalljeje të Zotit ishte:Mos merrni asnjë mbrojtës tjetër përveç Meje (që t'ia besoni çështjet tuaja), - Për plotësimin e këtyre porosive u shpallën edhe librat, që njerëzia ta adhuronin Allahun si një të vetëm, përmes ligjeve dhe mënyrës që Ai kishte përcaktuar. Allahu i Madhëruar i shpalli librat për t’u treguar se si të kthehen e t’i shprehin Atij pendimin e nënshtrimin dhe për ta zgjedhur Atë si të vetmin kujt t’ia besojnë çështjet e tyre të jetës dhe të fesë. Ata u urdhëruan që të mos e lidhin zemrën e shpresën me krijesat, të cilat nuk kanë asgjë në dorë dhe nuk mund të të sjellin asnjë dobi.

3

ذُرِّيَّةَ مَنْ حَمَلْنَا مَعَ نُوحٍ ۚ إِنَّهُۥ كَانَ عَبْدًۭا شَكُورًۭا

(O), pasardhësit e atyre që Ne i bartëm me Nuhun (në barkë)!” Ai (Nuhu) me të vërtetë, ka qenë rob mirënjohës (i Zotit).

O pasardhës të atyre që Ne i bartëm(i shpëtuam)së bashku me Nuhun! - Allahu i Madhëruar u drejtohet të gjithë pasardhësve që rodhën nga Nuhu (a.s), të cilët Ai i barti në anije. Kështu, Allahu i drejtohet gjithë njerëzimit dhe u kujton se:Vërtet, ai ishte shumë mirënjohës(ndaj Allahut). -Ky është një lëvdim për Nuhun, për shkak të mirënjohjes së tij ndaj Allahut. Kjo është gjithashtu një nxitje për umetin që ta marrin Nuhun si shembull për mirënjohjen që tregoi ndaj Zotit. Le të shërbejnë këto ajete që gjithmonë t’i kujtoni mirësitë e Allahut, i cili i shpëtoi besimtarët dhe i mbyti gjithë të tjerët.

4

وَقَضَيْنَآ إِلَىٰ بَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ فِى ٱلْكِتَٰبِ لَتُفْسِدُنَّ فِى ٱلْأَرْضِ مَرَّتَيْنِ وَلَتَعْلُنَّ عُلُوًّۭا كَبِيرًۭا

Dhe Ne u kemi shpallur në Libër bijve të Israelit: “Ju me të vërtetë, do të bëni dy herë ngatërresa në Tokë dhe do të tregoni mendjemadhësi të tepërt.

Ne u kumtuam bijve të Izraelit në Libër se “Ju do të bëni dy herë shkatërrime në Tokë dhe do t'i kaloni kufijtë duke bërë padrejtësi në të.” -Allahu ua ka përmendur në librat e tyre se ata do të bëjnë shkatërrime në tokë dy herë. Ata do ta mbushin botën me poshtërsi e gjynahe, me mosmirënjohje për Zotin, me tirani e krime, me mendjemadhësi e arrogancë. Allahu na tregon se, kur të ndodhë njëra nga këto, Allahu ka për t’u vendosur mbi kokë armiqtë e tyre, që t’i shtypin dhe kështu të shijojnë hakmarrjen e Zotit. Këto paralajmërime u jepen si kërcënim, që ata të kthehen, të kujtojnë porositë e Zotit dhe të besojnë.

5

فَإِذَا جَآءَ وَعْدُ أُولَىٰهُمَا بَعَثْنَا عَلَيْكُمْ عِبَادًۭا لَّنَآ أُو۟لِى بَأْسٍۢ شَدِيدٍۢ فَجَاسُوا۟ خِلَٰلَ ٱلدِّيَارِ ۚ وَكَانَ وَعْدًۭا مَّفْعُولًۭا

E, kur erdhi premtimi i parë prej atyre dyjave (ngatërresave), i dërguam kundër jush robërit Tanë, të fuqishëm luftëtarë, dhe u sollëm gjerë e gjatë nëpër tokën tuaj. Ky ishte premtimi i kryer (dënimi).

Kur erdhi koha për shkatërrimin e parë, Ne dërguam kundër jush disa nga robërit Tanë - luftëtarë të fuqishëm e të ashpër, të cilët e shkelën(dhe e shkatërruan)çdo cep të vendit tuaj. Kështu u përmbush ai premtim. -Kur erdhi koha për shkatërrimin e parë, Allahu thotë: "Ne dërguam kundër jush disa nga robërit Tanë...". Kjo do të thotë që Ai vendosi si ndëshkim për ta që të nxirrte disa njerëz, që ishin “luftëtarë të fuqishëm e të ashpër, të cilët e shkelën çdo cep të vendit tuaj." Ata ishin luftëtarë të guximshëm, të sprovuar e të armatosur rëndë, të cilët ju mposhtën e shpartalluan, ju robëruan fëmijët e morën pasuritë tuaja. Ata hynë në tempullin tuaj dhe e shkatërruan atë. Kështu ndodhi, sepse e kishit merituar. Dijetarët e tefsirit kanë mendime të ndryshme në lidhje me këtë ushtri shkatërimtare, por të gjithë janë unanimë se ata ishin mohues, pra, jobesimtarë. Disa thonë se ishin nga Iraku, të tjerë thonë se ishin nga Gadishulli Arabik. Allahu i Lartësuar bëri që ata t’i shpartallonin bijtë e Izraelit, të cilët e kishin tepruar me poshtërsitë dhe mosbindjen ndaj Zotit. Ata kishin braktisur një pjesë të madhe të Ligjit të Zotit dhe i kishin kaluar kufijtë.

6

ثُمَّ رَدَدْنَا لَكُمُ ٱلْكَرَّةَ عَلَيْهِمْ وَأَمْدَدْنَٰكُم بِأَمْوَٰلٍۢ وَبَنِينَ وَجَعَلْنَٰكُمْ أَكْثَرَ نَفِيرًا

Pastaj, ua kthyem sërish juve (fuqinë e sulmit) kundër tyre dhe u ndihmuam juve me pasuri dhe djem dhe u bëmë në numër më të madh ushtarësh. –

Pastaj, Ne jua kthyem juve sërish sundimin kundër tyre, ju mbështetëm me pasuri e me djem... -Jua shtuam pasuritë, jua shtuam pasardhësit dhe ju fuqizuam mbi armiqtë tuaj.... dhe ju shtuam shumë në numër. -Ju bëmë më të shumtë se armiqtë tuaj në numër, në mbështetës dhe aleatë. Kjo ndodhi për shkak të kthimit tuaj në besim, kur u bëtë bamirës e të përulur para Zotit tuaj. Ky është shpërblimi i bamirësisë. Allahu i Lartësuar thotë më tej:

7

إِنْ أَحْسَنتُمْ أَحْسَنتُمْ لِأَنفُسِكُمْ ۖ وَإِنْ أَسَأْتُمْ فَلَهَا ۚ فَإِذَا جَآءَ وَعْدُ ٱلْءَاخِرَةِ لِيَسُۥٓـُٔوا۟ وُجُوهَكُمْ وَلِيَدْخُلُوا۟ ٱلْمَسْجِدَ كَمَا دَخَلُوهُ أَوَّلَ مَرَّةٍۢ وَلِيُتَبِّرُوا۟ مَا عَلَوْا۟ تَتْبِيرًا

Nëse bëni mirësi, bëni për vete. E, nëse bëni keq, i bëni vetes. E, kur erdhi premtimi i dytë, i dërguam Ne ata (armiqtë tuaj) për t’ju nxirë fytyrat tuaja, dhe që të hyjnë ata në tempull, sikundër që patën hyrë herën e parë dhe të shkatërrojnë plotësisht çdo gjë që e pushtojnë.

Nëse bëni mirë, atë e keni për veten tuaj... -Çdo mirësi e besimit do t’ju vlejë pikërisht juve, në të dyja jetët. Ju e vërejtët këtë mirësi që në këtë botë, me ndihmën dhe triumfin që Zoti ju dhuroi mbi armiqtë tuaj, pasi iu bindët Atij për të jetuar sipas besimit të pastër....e nëse bëni keq, atë e bëni kundër vetes. -Nëse shpërfillni besimin, dëmi do të jetë për ju, pikërisht ashtu siç ndodhi kur armiqtë ju nënshtruan dhe poshtëruan.Por kur të vijë koha e fundit... -Kur ju, o judej, të përhapni shkatërrimin në tokë për herë të fundit, atëherë do të bëjmë që mbi ju të godasin sërish armiqtë tuaj....fytyrat tuaja do të shëmtohen... -Ai do t’jua shëmtojë fytyrat, kur të shihni fitoren e armikut mbi ju, të cilët do t’ju skllavërojnë.... kur ata të hyjnë në tempull sikurse hynë herën e parë -Këtu bëhet fjalë për xhaminë Aksa në Palestinë.... dhe të shkatërrojnë gjithçka që shkelin. - Ata do të rrënojnë shtëpitë, faltoret dhe të mbjellat tuaja.

8

عَسَىٰ رَبُّكُمْ أَن يَرْحَمَكُمْ ۚ وَإِنْ عُدتُّمْ عُدْنَا ۘ وَجَعَلْنَا جَهَنَّمَ لِلْكَٰفِرِينَ حَصِيرًا

Behet që Zoti juaj t’ju mëshiroj, e nëse ju ktheheni (në të keqe), Na kthehemi (në dënim) kundër jush. Dhe xhehennemin e kemi bërë burg për mohuesit”.

Shpresohet që Zoti juaj t’ju mëshirojë(nëse pendoheni), -Shpresohet që Allahu t’ju mëshirojë dhe ta kthejë gjendjen në favorin tuaj. Vërtet, Allahu i mëshiroi dhe u dhuroi pushtet në tokë, por i paralajmëroi për t’u ruajtur nga gjynahet e mosbindja:... por, nëse ju ktheheni (në gjynahe), edhe Ne do të kthehemi(me ndëshkime). -Nëse ktheheni dhe bëni poshtërsi, edhe Ne kthehemi me ndëshkim mbi ju. Kështu ndodhi kur ata u kthyen në mosbesim e poshtërsi. Allahu dërgoi tek ata Muhamedin (a.s), profetin e Tij besnik, dhe i dënoi nëpërmjet tij. Ky ishte ndëshkimi e poshtërimi i tyre në këtë botë. Ndërsa për ndëshkimin e ahiretit Allahu thotë:Ne e kemi bërë Xhehenemin burg për jobesimtarët. - Ata do të hidhen me forcë në Zjarr e do të qëndrojnë përjetësisht në të. Në këto ajete ndihet edhe kërcënimi për popullin e fundit, për muslimanët, që të jenë të kujdesshëm e të ruhen nga gjynahet, se, nëse e bëjnë këtë, i pret i njëjti ndëshkim si bijtë e Izraelit. Ky është rregulli i Zotit, që nuk ndryshon dhe nuk të fal. Çdokush që sheh se si jobesimtarët sundojnë mbi muslimanët e kupton se kjo ndodh për shkak të gjynaheve dhe largimit të tyre nga feja e Zotit. Nëse muslimanët e zbatojnë Librin e Zotit dhe traditën e Profetit të Tij, atyre ka për t’iu dhuruar patjetër triumfi dhe do të lartësohen mbi të gjithë armiqtë e tyre.

9

إِنَّ هَٰذَا ٱلْقُرْءَانَ يَهْدِى لِلَّتِى هِىَ أَقْوَمُ وَيُبَشِّرُ ٱلْمُؤْمِنِينَ ٱلَّذِينَ يَعْمَلُونَ ٱلصَّٰلِحَٰتِ أَنَّ لَهُمْ أَجْرًۭا كَبِيرًۭا

Me të vërtetë, ky Kur’an udhëzon kah ajo që është më e drejtë dhe i sihariqon besimtarët që punojnë vepra të mira, se ata, me të vërtetë, do të kenë shpërblim të madh,

Allahu i Lartësuar na njofton për rëndësinë dhe madhështinë e Kur'anit, për faktin se:Ky Kur’an(madhështor)udhëzon në rrugën më të drejtë... -Kur'ani udhëzon tek më e drejta dhe më e përkryera, për sa u përket veprave dhe moralit. Ai që ndriçohet nga mësimet e Kur'anit do të jetë nga më të përkryerit dhe më të udhëzuarit në të gjitha aspektet dhe çështjet.... dhe i përgëzon besimtarët që bëjnë vepra të mira se do të kenë një shpërblim të madh. -Ata bëjnë punë të mira, qoftë të detyrueshme, qoftë vullnetare e të pëlqyeshme. Këta do të kenë një shpërblim të madh, të cilin Allahu e ka përgatitur për t’i nderuar në vendin e bujarisë së Tij. Askush nuk mund t’i përshkruajë ato mirësi, veç Zotit.

10

وَأَنَّ ٱلَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ بِٱلْءَاخِرَةِ أَعْتَدْنَا لَهُمْ عَذَابًا أَلِيمًۭا

e, atyre që nuk besojnë në jetën tjetër, u kemi përgatitur dënim të dhembshëm.

Kurse për ata që nuk besojnë në Jetën Tjetër, Ne kemi përgatitur një dënim të dhembshëm. -Kur'ani përmban jo vetëm përgëzime, por edhe kërcënime. Ai flet për frytet e besimit të drejtë dhe të veprave të mira, nga njëra anë, dhe për mënyrat e veprat që bëjnë të merituar ndëshkimin, nga ana tjetër.

Al-Israa 17:10Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.