Nëse je në dyshim për këtë që të shpallëm, atëherë pyeti ata që kanë lexuar Librin para teje! -Allahu i Madhëruar i thotë Profetit të Tij: "Nëse dyshon a është e vërtetë ajo që Zoti ka shpallur apo jo, atëherë pyeti ata që e lexonin Librin hyjnor ose shpalljet e mëparshme, para teje. Pyeti ata dijetarë të drejtë, që e shfaqin të vërtetën dhe kurrë nuk e fshehin atë. Ata patjetër do të të miratojnë dhe do të dëshmojnë se ajo që të është shpallur është e vërteta e sigurt dhe në përputhje me shpalljet e Zotit që ata i njohin dhe i kanë pranuar.” Dikush mund të pyesë: Shumë ithtarë të Librit, jehudë e krishterë e kundërshtuan dhe mohuan Profetin e fundit të Zotit, Muhamedin a.s. Ata nuk pranuan ftesën e tij, që të jetonin sipas Shpalljes e fesë që Ai solli nga Zoti. Atëherë, si është e mundur që Zoti e urdhëron Profetin e Tij që të kërkojë dëshminë e tyre dhe ta konsiderojë atë si argument për vërtetësinë e tij si profet dhe vërtetësinë e Shpalljes dhe fesë së tij?! Përgjigjja për këtë pyetje është si vijon: Nëse dëshmia i atribuohet një grupi ose pasuesve të një drejtimi të caktuar, ose banorëve të një vendi, atëherë qëllimi është për ata nga mesi i tyre që janë të besueshëm e të drejtë. Ndërsa të tjerët, edhe pse mund të jenë më të shumtë në numër, janë të papërfillshëm dhe nuk i përfshin ai tekst. Dëshmia, që të jetë pranueshme, duhet të bazohet në dituri, sinqeritet dhe drejtësi. Nga ana tjetër, është fakt historik se ishin të shumtë priftërinjtë e murgjërit e krishterë dhe dijetarët judej që e besuan Shpalljen që iu dha Muhamedit (a.s)nga Zoti i botëve. I tillë ishte p.sh. Abdullah Ibn Selami, e shumë e shumë të tjerë, të cilët pranuan Kur'anin në kohën e Profetit, të kalifëve pas tij dhe më vonë. I tillë ishte edhe Keab el Ahbari. Dëshmia e ithtarëve të Librit, për të cilën aludohet, bazohet në Librin që ata pasojnë, pra, në Teurat. Nëse në Teurat gjendet diçka që pohon dhe përputhet me atë që gjendet në Kur'an, duke dëshmuar për saktësinë e saj, atëherë edhe nëse të gjithë ithtarët e Librit do të binin dakord që ta refuzonin, do të ishte e pavlefshme dhe e parëndësishme. Ky mohim nuk e rrëzon vërtetësinë e Profetit dhe të Shpalljes së Tij. Mendohu me kujdes! Allahu i Madhëruar e urdhëroi Profetin e Tij që të argumentonte saktësinë dhe vërtetësinë e Shpalljes së Tij me dëshminë e ehlu kitab-it, madje ta bënte këtë haptazi, ndërkohë që shumë prej tyre ishin shumë të përbetuar për ta penguar e shkatërruar thirrjen e Muhamedit a.s. Nëse ata do të kishin ndonjë mundësi për ta refuzuar atë që tha Zoti, do ta kishin bërë. Por duke qenë se ata nuk mundën ta mohonin diçka të tillë nga njëra anë, dhe besimi i një pjese të madhe të tyre në këtë Shpallje madhështore nga ana tjetër, ishin argument shumë i fortë që tregonte vërtetësinë e Kur'anit e saktësinë e tij si fjalë e Zotit. Gjithashtu, nuk është e vërtetuar që shumica e ehlu kitab-it e refuzuan ftesën e Muhamedit. Përkundrazi, ka shumë fakte se shumica e tyre e pranoi atë, me zgjedhje të lirë. Në kohën e Profetit a.s, shumë vende ishin të besimit të krishterë ose hebre. Nuk zgjati shumë dhe shumica e banorëve të Shamit, Misirit, Irakut dhe rrethinave të tyre, që në të shkuarën ishin djepe të …