Muslim99Muslim99
← Tafsir library

10. Yunus

Jonas · Meccan · 109 ayahs

سُورَةُ يُونُسَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 81–90 of 109

81

فَلَمَّآ أَلْقَوْا۟ قَالَ مُوسَىٰ مَا جِئْتُم بِهِ ٱلسِّحْرُ ۖ إِنَّ ٱللَّهَ سَيُبْطِلُهُۥٓ ۖ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يُصْلِحُ عَمَلَ ٱلْمُفْسِدِينَ

E, kur i hodhën ata, Musai tha: “Atë që e keni sjellë ju, është magji. Me të vërtetë, Perëndia do ta shkatërrojë atë. Perëndia, me siguri, nuk do ta forcojë punën e ngatërrestarëve.

Kur ata i hodhën, Musai u tha: “Kjo që keni sjellë është, vërtet, një magji e madhe.” Pa dyshim, Allahu do ta asgjësojë atë. -Litarët dhe shkopinjtë që hodhën magjistarët u shfaqën si gjarpërinj që lëviznin. Atëherë Musai (a.s) tha: “Kjo është magji e vërtetë dhe shumë e madhe! Por megjithatë, Allahu i Lartësuar do ta shkatërrojë, sepse Allahu i Lartësuar nuk i jep sukses e nuk i bën vend të keqes dhe shkatërrimtarëve.” Me këtë magji, ata synonin që të luftonin dhe rrënonin të vërtetën. Ata i shpallën luftë të vërtetës dhe mbrojtësve të saj. A ka padrejtësi më të madhe se kjo?!Allahu kurrë nuk e përkrah veprën e keqbërësve. -Kështu do të ndodhë me çdo keqbërës e kriminel, që lufton të vërtetën. Çdo punë që kryen, çdo hile e kurth që thur kundër të vërtetës, çdo intrigë e plan ogurzi që ndërton kundër besimtarëve e të mirëve, të gjitha këto do të shkatërrohen. Edhe nëse planet dhe veprat e tyre duket sikur në ndonjë moment ecin dhe realizohen, përfundimi është i pashmangshëm: ata do të dështojnë e humbasin.

82

وَيُحِقُّ ٱللَّهُ ٱلْحَقَّ بِكَلِمَٰتِهِۦ وَلَوْ كَرِهَ ٱلْمُجْرِمُونَ

Perëndia, me premtimin e Tij e forcon të Vërtetën, e madje edhe sikur ta urrejnë mëkatarët!”

Me argumentet e Veta, Allahu e fuqizon të vërtetën, ndonëse keqbërësit e urrejnë këtë. - Ndryshe ndodh me vepërmirët, që përpiqen të rregullojnë duke synuar veçse kënaqësinë e Zotit. Veprat e tyre, bashkë me mjetet dhe rrugët që ata ndjekin për t’i realizuar ato, janë të gjitha të mira dhe të urdhëruara nga Zoti. Këtyre Zoti ua plotëson veprat, u jep begati dhe i bën të qëndrueshëm në to. Musai (a.s) hodhi shkopin e tij, i cili filloi të gëlltiste të gjitha ato magji që kishin hedhur magjistarët. Kështu, magjitë e tyre u shkatërruan dhe e kota që ata mbështesnin doli sheshit. Pasi iu bë e qartë e vërteta, magjistarët u përkulën menjëherë në sexhde për Allahun. Në këtë çast, Faraoni i kërcënoi se do t'ua priste duart e këmbët, por ata nuk i shqetësoi aspak ky kërcënim. Ata synonin faljen dhe mëshirën e Allahut, prandaj edhe qëndruan si malet në besimin e tyre. Nga ana tjetër, Faraoni, paria rreth tij e populli i tyre, përsëri nuk besuan dhe nuk nxorën mësim nga kjo ndodhi e jashtëzakonshme. Përkundrazi, ata vazhduan në të kotën e tyre, në mosbesim dhe në kalimin e kufijve.

83

فَمَآ ءَامَنَ لِمُوسَىٰٓ إِلَّا ذُرِّيَّةٌۭ مِّن قَوْمِهِۦ عَلَىٰ خَوْفٍۢ مِّن فِرْعَوْنَ وَمَلَإِي۟هِمْ أَن يَفْتِنَهُمْ ۚ وَإِنَّ فِرْعَوْنَ لَعَالٍۢ فِى ٱلْأَرْضِ وَإِنَّهُۥ لَمِنَ ٱلْمُسْرِفِينَ

Dhe Musait nuk i besoi askush, përveç një pakice nga populli i tij, nga frika se do t’i keqpërdorte ata Faraoni dhe paria e tij, e Faraoni – me të vërtetë, ishte zullumqar në Tokë dhe në të keqe kalonte çdo kufi.

Musait nuk i besoi askush, përveç një pakice nga populli i tij, prej frikës nga Faraoni dhe nga rrethi i tij, se mos i përndiqnin. Vërtet, Faraoni ishte kryeneç në Tokë dhe ishte nga ata që kaluan çdo kufi(në tirani e padrejtësi). -Vetëm një grup të rinjsh nga mesi i bijve të Israelit i besuan Musait. Imani kishte zënë vend në zemrat e tyre dhe ai i bëri të qëndrueshëm, me gjithë frikën e madhe nga përndjekja e Faraonit. Faraoni ishte diktator dhe tiran. Padrejtësitë dhe përndjekja që ai ushtronte ishin të ashpra, prandaj ishte normale që njerëzit të kishin frikë prej ndëshkimit të tij. I Madhëruari e përshkruan atë si ‘musrifin’, pra, nga ata që kalojnë çdo kufi në padrejtësi, tirani e egërsi. Ka një urtësi në faktin se Musain e besuan vetëm një grup të rinjsh. Të rinjtë janë më të prirur dhe me të shpejtë në përqafimin e të vërtetës, ndryshe nga të vjetrit, që janë rritur dhe brumosur me mosbesim, idhujtari, gjynahe e padrejtësi. Shkak për refuzimin është besimi i shtrembëruar dhe sëmundjet që u kanë zaptuar zemrat për një kohë të gjatë. Ato janë më larg të vërtetës sesa zemrat e të rinjve, që ende janë të pastra e të papërlyera.

84

وَقَالَ مُوسَىٰ يَٰقَوْمِ إِن كُنتُمْ ءَامَنتُم بِٱللَّهِ فَعَلَيْهِ تَوَكَّلُوٓا۟ إِن كُنتُم مُّسْلِمِينَ

Musai tha: “O populli im! Nëse besoni Perëndinë, mbështetuni tek Ai, nëse jeni musliman!”

Musai tha: “O populli im! Nëse vërtet besoni në Allahun, vetëm tek Ai mbështetuni, nëse jeni muslimanë!” -Musai (a.s) e porositi popullin e tij për durim dhe u kujtoi atyre që gjithmonë të kërkonin strehim e ndihmë tek Allahu, duke qenë të qëndrueshëm. Ai i porositi që të plotësonin dhe shprehin me vepra besimin e tyre: “Nëse vërtet besoni në Allahun, vetëm tek Ai mbështetuni, nëse jeni muslimanë!” Pra, zbatoni me kurajë atë që ju mëson besimi juaj. Mbështetjuni Allahut, vetëm Atij drejtojuni për ndihmë dhe sukses!

85

فَقَالُوا۟ عَلَى ٱللَّهِ تَوَكَّلْنَا رَبَّنَا لَا تَجْعَلْنَا فِتْنَةًۭ لِّلْقَوْمِ ٱلظَّٰلِمِينَ

Ata thanë: “Na ju kemi mbështetur Perëndisë. O Zoti ynë, mos na vënë në sprovë të popullit zullumqarë,

Ata u përgjigjën: “Allahut i mbështetemi. O Zoti ynë! Mos na sprovo me popullin keqbërës!” -Duke treguar gatishmërinë dhe përkushtimin në zbatimin e kësaj porosie, ata thanë: “Allahut i mbështetemi. O Zoti ynë! Mos na sprovo me popullin keqbërës!” Kështu, pasi shprehën përkushtimin e plotë të tyre, iu lutën Zotit: “O Zot! Mos u jep atyre pushtet e forcë mbi ne, që të na sprovojnë në besimin tonë, ose të na mposhtin e poshtërojnë, e kështu të mendojnë se janë në të drejtën e të thonë: “Nëse ndjekësit e Musait do të ishin me të vërtetën, ata nuk do të mposhteshin nga ne.”

86

وَنَجِّنَا بِرَحْمَتِكَ مِنَ ٱلْقَوْمِ ٱلْكَٰفِرِينَ

dhe shpëtona neve, me mëshirën Tënde, nga populli mohues!”

"...dhe, me mëshirën Tënde, na shpëto nga ata që të mohojnë Ty!” - Vetëm me mëshirën Tënde, ne mund të shpëtojmë nga sherri i tyre. Vetëm me mëshirën Tënde, ne mund të zbatojmë fenë tonë dhe të jetojmë sipas ligjit Tënd. Kështu do të shfaqim haptazi shenjat e besimit tonë, pa pasur kundërshtues e pengues.

87

وَأَوْحَيْنَآ إِلَىٰ مُوسَىٰ وَأَخِيهِ أَن تَبَوَّءَا لِقَوْمِكُمَا بِمِصْرَ بُيُوتًۭا وَٱجْعَلُوا۟ بُيُوتَكُمْ قِبْلَةًۭ وَأَقِيمُوا۟ ٱلصَّلَوٰةَ ۗ وَبَشِّرِ ٱلْمُؤْمِنِينَ

Na ia kemi shpallur Musait dhe vëllait të tij: “Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt dhe shndërroni ato në faltore dhe falni namazin! Dhe sihariqoi besimtarët!”

Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Gjeni vend për popullin tuaj në Egjipt!” -Pas masave shtrënguese të ndërmarra nga Faraoni e paria e tij kundër popullit të Musait duke dashur t'i mundonin dhe largonin ata nga feja e tyre, Allahu i Madhëruar i shpalli Musait:“Kthejini në faltore shtëpitë tuaja dhe faleni rregullisht namazin!” -Allahu i Madhëruar i urdhëroi që të ndërtonin shtëpi për t’u fshehur dhe për t’i kthyer ato në faltore, sepse nuk mund t’i kryenin ritet në objektet e përbashkëta të kultit. Më pas i porositi: “faleni rregullisht namazin!”, sepse ai është një adhurim që të ndihmon në të gjitha çështjet.“Përgëzoji besimtarët!” -Përgëzoji besimtarët se Zoti do t’u japë fitoren dhe pushtetin në tokë! Ai do t'u mundësojë që ta shfaqin haptazi fenë e tyre. Të jeni të bindur se, pas vështirësisë, vjen lehtësimi. Në fakt, lehtësimi vjen së bashku me vështirësinë. Dhe, vërtet, pasi çështja u ngushtua dhe sprova u ashpërsua, Allahu i Madhëruar solli çlirimin e lehtësimin. Në këtë kohë, kur Musai pa ashpërsinë dhe tiraninë e ushtruar nga Faraoni dhe ndjekësit e tij, i mallkoi dhe u lut kundër tyre, ndërsa Haruni bëri ‘amin’ për lutjen e Musait.

88

وَقَالَ مُوسَىٰ رَبَّنَآ إِنَّكَ ءَاتَيْتَ فِرْعَوْنَ وَمَلَأَهُۥ زِينَةًۭ وَأَمْوَٰلًۭا فِى ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا رَبَّنَا لِيُضِلُّوا۟ عَن سَبِيلِكَ ۖ رَبَّنَا ٱطْمِسْ عَلَىٰٓ أَمْوَٰلِهِمْ وَٱشْدُدْ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ فَلَا يُؤْمِنُوا۟ حَتَّىٰ يَرَوُا۟ ٱلْعَذَابَ ٱلْأَلِيمَ

Musai tha: “O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, por ata, o Zoti ynë, na largojnë nga rruga Jote! O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe vulosi zemrat e tyre, se ata nuk besojnë, përderisa të shijojnë dënimin e dhëmbshëm!”

Musai tha: “O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote dhe kështu, o Zoti ynë, ata po i largojnë njerëzit prej rrugës Sate.”. -Kuptimi: O Zot! Ti i ke dhënë Faraonit stoli të të gjitha llojeve, veshje e shtëpi luksoze, shërbëtorë e pasuri të mëdha. Kështu, nëpërmjet këtyre pasurive, ata mund të devijojnë njerëzit nga rruga Jote dhe t’i humbasin ata, duke u bërë shkak jo vetëm për devijimin e vetë atyre, por edhe të të tjerëve. Për këtë arsye, ata e kishin merituar mallkimin e Musait, i cili tha:“O Zoti ynë! Zhduke pasurinë e tyre dhe vulosi zemrat e tyre që të mos besojnë derisa ta ndiejnë dënimin e dhembshëm!”- Zhduki pasuritë e tyre duke ua shkatërruar ose duke ua shndërruar ato në gurë, që të mos kenë më asnjë dobi prej tyre. Lutja tjetër e Musait kundër tyre ishte: “...vulosi zemrat e tyre që të mos besojnë derisa ta ndiejnë dënimin e dhembshëm!” Pra, ashpërsoji zemrat e tyre, në mënyrë që të mos besojnë më, derisa të shohin ndëshkimin e Zotit. Musai (a.s) e bëri këtë lutje nga zemërimi i madh ndaj tyre dhe për shkak të diturisë së tij të plotë rreth Zotit dhe faktit se Ai do t'i ndëshkonte ata për krimet e tyre të pashembullta duke ua mbyllur portën e besimit dhe të kthimit tek Ai.

89

قَالَ قَدْ أُجِيبَت دَّعْوَتُكُمَا فَٱسْتَقِيمَا وَلَا تَتَّبِعَآنِّ سَبِيلَ ٱلَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ

(Perëndia) tha: “U pranua lutja e ju të dyve! Qëndroni ju dy dhe kurrsesi mos ndiqni rrugën e të padijshmëve!”

Ai tha: “Është pranuar lutja juaj. Prandaj përqendrohuni në rrugën tuaj e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë!” -Allahu i Madhëruar, duke iu drejtuar Musait dhe Harunit, tha: "Është pranuar lutja juaj. " Në fakt, ishte Musai që e bëri atë lutje, ndërsa Haruni bënte "amin". Kjo tregon se kur dikush thotë "amin" për një lutje të thënë nga dikush tjetër, ai konsiderohet sikur e ka bërë vetë atë lutje. Pastaj i Lartësuari i këshillon dhe i porosit ata që të jenë të qëndrueshëm dhe të duruar në rrugën e Tij dhe të vazhdojnë davetin, duke u larguar njëkohësisht nga injorantët e humbur, të cilët janë larguar nga rruga e drejtë e Tij. Ata ndjekin rrugët e zjarrit, në të cilat ftojnë edhe pasuesit e tyre. Allahu i Madhëruar e urdhëroi Musain që të nisej për udhëtim me bijtë e Izraelit natën, duke i treguar se ata do të përndiqeshin nga Faraoni dhe ushtria e tij. Dhe, vërtet, Faraoni dërgoi lajmëtarë në çdo qytet që të mobilizonin ushtarë për t'u vënë në ndjekje të Musait. Ai u tha: "Musai dhe populli i tij janë veçse një grup i vogël, që kanë shkaktuar zemërimin tonë." Kështu, Faraoni grumbulloi një ushtri të madhe me njerëzit që ishin afër dhe me ata që ishin larg. Ai u vu në ndjekje të Musait, i mbushur me armiqësi, zemërim dhe urrejtje të padrejtë, duke shkelur kufijtë e Zotit dhe duke dashur shkatërrimin e tiraninë në tokë. Por kujdes! Kur gjynahet dhe padrejtësitë shtohen dhe e mbulojnë një popull, atëherë dije se ndëshkimi është shumë afër e do të godasë ashpër.

90

۞ وَجَٰوَزْنَا بِبَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ ٱلْبَحْرَ فَأَتْبَعَهُمْ فِرْعَوْنُ وَجُنُودُهُۥ بَغْيًۭا وَعَدْوًا ۖ حَتَّىٰٓ إِذَآ أَدْرَكَهُ ٱلْغَرَقُ قَالَ ءَامَنتُ أَنَّهُۥ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا ٱلَّذِىٓ ءَامَنَتْ بِهِۦ بَنُوٓا۟ إِسْرَٰٓءِيلَ وَأَنَا۠ مِنَ ٱلْمُسْلِمِينَ

Na i bartëm Israelitët përtej deit, e ata i ndoqi Faraoni dhe ushtria e tij nga e keqja dhe armiqësia. E kur e arriti ate (Faraonin) mbytja (në det), tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë të bijtë e Israelit dhe unë jam musliman”.

Ne i kaluam bijtë e Izraelit përtej detit, ndërsa Faraoni dhe ushtria e tij i ndoqën nga pas, të mbushur me mizori dhe armiqësi kundër tyre. -Kur Musai me popullin e tij mbërritën në bregdet, Allahu i Madhëruar e urdhëroi atë që të godiste detin me shkopin e vet. Ashtu veproi dhe deti u nda në 12 shtigje, nëpër të cilat kaluan bijtë e Izraelit. Menjëherë pas tyre hynë dhe ushtria e Faraonit. Pasi populli i Musait doli tërësisht nga deti, ndërsa ushtria e Faraonit gjendej ende brenda në të, Allahu i Madhëruar urdhëroi detin ta përpinte me dallgët e tij Faraonin dhe ushtrinë e tij. Bijtë e Izraelit e panë me sytë e tyre ushtrinë e armikut të tyre që mbytej. Në kohën kur uji po i afrohej Faraonit dhe shkatërrimi i tij ishte afër, ai tha:Por kur ai po mbytej, tha: “Besoj se nuk ka zot tjetër veç Atij të Cilit i besojnë bijtë e Izraelit. Edhe unë jam nga muslimanët.” -Kështu, Faraoni dëshmoi se po e besonte Allahun si të vetmin që meriton të adhurohet, dhe askush tjetër. Pastaj tha: “...edhe unë jam nga muslimanët!” Pra, edhe unë do të jem si ata që binden e dorëzohen për të jetuar sipas fesë së Zotit dhe sipas Shpalljes që përcolli Musai.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.