Muslim99Muslim99
← Tafsir library

10. Yunus

Jonas · Meccan · 109 ayahs

سُورَةُ يُونُسَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 71–80 of 109

71

۞ وَٱتْلُ عَلَيْهِمْ نَبَأَ نُوحٍ إِذْ قَالَ لِقَوْمِهِۦ يَٰقَوْمِ إِن كَانَ كَبُرَ عَلَيْكُم مَّقَامِى وَتَذْكِيرِى بِـَٔايَٰتِ ٱللَّهِ فَعَلَى ٱللَّهِ تَوَكَّلْتُ فَأَجْمِعُوٓا۟ أَمْرَكُمْ وَشُرَكَآءَكُمْ ثُمَّ لَا يَكُنْ أَمْرُكُمْ عَلَيْكُمْ غُمَّةًۭ ثُمَّ ٱقْضُوٓا۟ إِلَىَّ وَلَا تُنظِرُونِ

Tregoju historinë e Nuhut! Kur ai popullit të vet i tha: “O populli im, nëse u është i rëndë qëndrimi im në mesin tuaj, dhe këshillat e mia me dokumente të Perëndisë, e unë jam mbështetur vetëm te Perëndia, - atëherë, bashkë me shokët (idhujt) tuaj, vendosni për mua, dhe vendimi juaj le të mos fshihet, e pra, zbatoni në mua; e mos pritni!

Tregoju atyre historinë e Nuhut, kur i tha popullit të vet: “O populli im! Nëse e keni të rëndë qëndrimin tim mes jush dhe këshillat e mia përmes ajeteve të Allahut, atëherë dijeni se unë i jam mbështetur vetëm Allahut.” -Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit të Tij të dashur që t'i tregojë popullit të tij historinë e Nuhut dhe përpjekjet e tij kolosale për t’i ftuar ata në rrugën e drejtë. Ai i ftoi ata për një kohë të gjatë, që ta adhuronin Allahun si një të vetëm dhe të largoheshin nga idhujtaria. Profeti Nuh qëndroi mes tyre 950 vjet, duke i ftuar t'i bindeshin dhe nënshtroheshin Zotit, por kjo ftesë u shtoi atyre veçse shfrenimin. Ata i shprehën urrejtjen e tyre për ftesën e tij të vazhdueshme për një kohë kaq të gjatë. Megjithatë, Nuhu asnjëherë nuk tregoi lodhje e plogështi në misionin e tij, por u thoshte: Nëse qëndrimi im dhe këshillat e mia, që përcjellin shpalljet e qarta të Zotit, nuk ju bëjnë dobi dhe ju duken të vështira e të rënda, atëherë dijeni se unë i jam mbështetur Allahut. Ai është forca ime kundër mohimit dhe refuzimit tuaj. Ai është mbrojtja dhe streha ime, nëse ju dëshironi të më luftoni e dëmtoni. Vetëm Allahut i mbështetem që të më ruajë nga çdo gjë e keqe që synoni kundër meje. Ushtritë e Tij janë ushtarët dhe ndihmëtarët e mi. Sfida është e hapur për ju, që të ndërmerrni gjithçka keni mundësi për të më luftuar e ndaluar.Prandaj, së bashku me zotat tuaj, vendosni si do të veproni kundër meje dhe mos e mbani të fshehtë vendimin tuaj! Zbatojeni atë kundër meje e mos më jepni asnjë afat! -Mblidhuni kundër meje që të gjithë ju, pa përjashtuar askënd dhe duke shpenzuar të gjitha energjitë e pushtetin tuaj. Madje ftoni edhe idhujt tuaj, që i adhuroni dhe iu nënshtroheni veç Allahut, Zotit të botëve. Madje, mos e mbani fshehtë luftën dhe përpjekjet kundër meje, por shfaqini haptazi. Bëni çkeni për të bërë, për të më dëmtuar dhe ndaluar, dhe mos vononi asnjë çast për të më dhënë afat. - Kjo qe një sfidë e jashtëzakonshme, që tregonte vërtetësinë e tij si Profet i Zotit dhe saktësinë e mesazhit që ai sillte prej Zotit. E si mund ta bënte këtë sfidë dikush që nuk kishte fis e ushtri që ta mbështeste?! Vetëm i mbështeturi nga Zoti i botës mund të bënte të tillë sfidë. Profeti Nuh, në këtë mënyrë, e rrëzoi arsyetimin e tyre, ua hodhi poshtë fenë dhe ua shau idhujt, gjë kjo që shkaktoi urrejtje e armiqësi të madhe në zemrat e tyre. Nga ana tjetër, ata kishin fuqi që ta ndëshkonin ashpër, si hakmarrje. Ndërsa profeti i Zotit u tha: "... së bashku me zotat tuaj, vendosni si do të veproni kundër meje dhe mos e mbani të fshehtë vendimin tuaj! Zbatojeni atë kundër meje e mos më jepni asnjë afat!” E, megjithatë, ata nuk mund t'i bënin asgjë për ta ndaluar?! Nga kjo kuptohet se ai ishte profet i vërtetë, i mbështetur nga Zoti, ndërsa ata ishin mashtrues me pretendimet e tyre.

72

فَإِن تَوَلَّيْتُمْ فَمَا سَأَلْتُكُم مِّنْ أَجْرٍ ۖ إِنْ أَجْرِىَ إِلَّا عَلَى ٱللَّهِ ۖ وَأُمِرْتُ أَنْ أَكُونَ مِنَ ٱلْمُسْلِمِينَ

E, nëse ktheheni (nuk i dëgjoni këshillat), unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi. Shpërblimi im është vetëm te Perëndia. Mua më është urdhëruar të jem në anën e muslimanëve”.

“Por, nëse ju ktheni shpinën,(dijeni se)unë nuk kërkoj asnjë shpërblim prej jush. Shpërblimi im është vetëm prej Allahut. Unë jam urdhëruar të jem musliman.”. -Nëse ju i ktheni shpinën sfidës, atëherë kjo është një shpërfillje e pajustifikuar, që meriton ndëshkimin. Ju po i ktheni shpinën një të vërtete të mbështetur me argumente, për t'ju përkushtuar të kotës, e cila është shumë e qartë dhe lehtësisht e dallueshme. Megjithëkëtë, unë nuk ju kërkoj ndonjë shpërblim në këmbim. I vetmi shpërblim që unë pres është ai i Zotit tim. Gjithashtu, unë nuk ju kërkoj diçka që vetë nuk e veproj. Unë jam i pari që e bëj atë të cilën ju kërkoj:

73

فَكَذَّبُوهُ فَنَجَّيْنَٰهُ وَمَن مَّعَهُۥ فِى ٱلْفُلْكِ وَجَعَلْنَٰهُمْ خَلَٰٓئِفَ وَأَغْرَقْنَا ٱلَّذِينَ كَذَّبُوا۟ بِـَٔايَٰتِنَا ۖ فَٱنظُرْ كَيْفَ كَانَ عَٰقِبَةُ ٱلْمُنذَرِينَ

Por, ata, e quajtën gënjeshtar, kurse Ne e shpëtuam atë dhe të gjithë ata që ishin në anije me të. Dhe i bëmë ata zëvendës (të atyre që u zhdukën) kurse, i fundosëm ata që përgënjeshtruan dokumentet Tona. Shikoje se si ishte përfundimi i atyre që ishin paralajmëruar.

Ata e përgënjeshtruan atë, -Ata e refuzuan përsëri, edhe pse Profeti i ftoi natën dhe ditën, fshehtazi dhe haptazi. Ftesa e tij u shtonte atyre veçse largimin e shfrenimin. Atëherë, Allahu i Lartësuar e shpëtoi profetin Nuh dhe besimtarët që hipën me të në anijen që Allahu e kishte urdhëruar të ndërtonte. Pasi Nuhu e ndërtoi anijen nën mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e Allahut, uji nisi të shpërthente nga çdo drejtim, madje edhe nga furrat e zjarrta:...por Ne i shpëtuam atë dhe të tjerët që ishin bashkë me të në anije. -Nuhu (a.s) e zbatoi urdhrin e Zotit. Ndërkohë, Allahu urdhëroi qiellin të lëshonte shi me vrull dhe urdhëroi tokën të shpërthente në lumenj të rrëmbyer. Kështu u bashkuan uji i qiellit dhe ai tokës. Në mes kësaj katastrofe, Zoti e mbarti anijen me dërrasa të mbërthyera me gozhdë. Ajo lundronte nën përkujdesin e Zotit.Pastaj Ne i bëmë ata trashëgimtarë(të Tokës), kurse ata që mohuan ajetet Tona i përmbytëm. -Kështu, nga njëra anë, Allahu e shfarosi popullin që nuk besonte dhe që i konsideronte të rremë profetët dhe shpalljet hyjnore, ndërsa nga ana tjetër, e hodhi begatinë në pasardhësit e Nuhut (a.s.). Të vetmit që trashëguan tokën ishin pasardhësit e profetit Nuh (a.s.), të cilët u shpërndanë në të gjitha anët e botës. Ndërsa të tjerët Allahu i përmbyti, sepse ata nuk i pranuan argumentet e qarta.Shikoje se si ishte përfundimi i atyre që ishin paralajmëruar. -Shkatërrimi, poshtërimi dhe mallkimi i pandërprerë do t’i ndjekë ata në çdo shekull dhe në brezat më pas. Për ta do të dëgjosh veçse nënçmim e mallkime. Le të jenë të kujdesshëm dhe të frikësohen ata të mjerë që mohojnë profetët dhe nuk besojnë shpalljet e Zotit, se edhe ata i pret e njëjta gjë!

74

ثُمَّ بَعَثْنَا مِنۢ بَعْدِهِۦ رُسُلًا إِلَىٰ قَوْمِهِمْ فَجَآءُوهُم بِٱلْبَيِّنَٰتِ فَمَا كَانُوا۟ لِيُؤْمِنُوا۟ بِمَا كَذَّبُوا۟ بِهِۦ مِن قَبْلُ ۚ كَذَٰلِكَ نَطْبَعُ عَلَىٰ قُلُوبِ ٱلْمُعْتَدِينَ

Pastaj, pas tij – u dërguam pejgamberë popujve të tyre e ata u sollën argumente atyre, por nuk deshën të besojnë atë që e kishin përgënjeshtruar më parë. Kështu, Ne, ua vulosim zemrat atyre, që kalojnë kufirin.

Pastaj, pas tij, Ne u çuam të dërguar popujve të tyre. -Edhe pas Nuhut (a.s), Allahu i Madhëruar dërgoi profetë, që të qortonin dhe ftonin në besimin e drejtë popujt e tyre, që nuk besonin. Ata i ftonin në udhën e drejtë dhe i këshillonin për t’u ruajtur nga rrugët e shkatërrimit e poshtërimit. Allahu i Madhëruar na tregon se Ai e ka ndihmuar çdo profet me mrekulli të qarta e madhështore, që tregonin vërtetësinë e Shpalljes dhe besnikërinë e tyre si lajmëtarë të Zotit.Ata sollën Argumente të qarta, por ata nuk e besonin atë që më parë e kishin mohuar. -Duke qenë se ata nxituan për të mohuar, kur u ardhën profetët, Allahu i Madhëruar i ndëshkoi duke ua vulosur zemrat dhe duke ua bllokuar rrugët e imanit, të cilat i kishin të hapura më parë. Kjo i ngjan ajetit tjetër kuranor: “Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit)për herë të parë, dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre.”. [En’am, 110]. Edhe këtu thotë në vijim:Kështu, Ne ua vulosim zemrat atyre që i kalojnë kufijtë. -I vulosim ato, që të mos hyjë asnjë mirësi. Pa dyshim, Allahu i Madhëruar nuk u bën asnjë padrejtësi, por janë ata që i bëjnë padrejtësi vetvetes, duke refuzuar të vërtetën kur i paraqitet dhe duke e quajtur që në fillim gënjeshtër e të pabesueshme.

75

ثُمَّ بَعَثْنَا مِنۢ بَعْدِهِم مُّوسَىٰ وَهَٰرُونَ إِلَىٰ فِرْعَوْنَ وَمَلَإِي۟هِۦ بِـَٔايَٰتِنَا فَٱسْتَكْبَرُوا۟ وَكَانُوا۟ قَوْمًۭا مُّجْرِمِينَ

Pastaj, pas tyre, iu dërguam Musain dhe Harunin – Faraonit dhe parisë së tij – me mrekullitë Tona, por ata u sollën me mendjemadhësi (nuk besuan), meqë ishin popull mëkatarë:

Pastaj, pas tyre, Ne dërguam Musanë dhe Harunin me Argumentet Tona, te Faraoni dhe paria e rrethit të tij. Por ata treguan kryelartësi, sepse ishin popull keqbërës. -Pas gjithë atyre profetëve që Zoti dërgoi në popujt mohues, që i konsideruan shpalljet hyjnore gënjeshtra e trillime, Ai dërgoi Musain, birin e Imranit. Musai quhej edhe Kelimur-Rahman, domethënë Ai të cilit Zoti i foli. Ai ishte një nga pesë profetët më të zgjedhur dhe ndër më të mëdhenjtë, të cilëve u është shpallur ligj madhështor dhe i gjerë. Së bashku me të, Allahu i Madhëruar dërgoi edhe vëllain e tij, Harunin, si krah dhe mbështetës. Ai i dërgoi ata te Faraoni dhe paria e shtetit të tij, sepse populli ndiqte rrugën e tyre. Zoti i pajisi ata me mrekulli dhe shenja madhështore, që tregonin se mesazhi që sollën nga Zoti ishte i vërtetë. Në themel të tij ishte njësimi i Zotit në adhurim dhe largimi i njerëzve nga adhurimi i idhujve. Por ata u treguan arrogantë me padrejtësi, edhe pse kishin siguri të plotë se ato shenja dhe Shpallja ishin të vërteta nga Zoti. Ata ishin popull keqbërës, i padrejtë dhe mosbesues.

76

فَلَمَّا جَآءَهُمُ ٱلْحَقُّ مِنْ عِندِنَا قَالُوٓا۟ إِنَّ هَٰذَا لَسِحْرٌۭ مُّبِينٌۭ

kur u erdhi e Vërteta prej Nesh, ata thanë: “Kjo, me të vërtetë, është magji e qartë!”

Kur u erdhi e vërteta e sigurt nga Ne, ata thanë: “Kjo nuk është gjë tjetër, veçse magji e qartë!”. -Ajo që iu paraqit atyre ishte e vërteta më e madhe dhe më e rëndësishme. Ajo erdhi prej Zotit, të Cilit i janë nënshtruar të gjitha krijesat. Ai është Zoti i botëve, i Cili përkujdeset dhe rregullon çështjet e krijesave, me mirësinë e bujarinë e Tij. Kështu, edhe pse kjo e vërtetë u erdhi prej Zotit dhe përmes një profeti besnik si Musai, ata e refuzuan dhe nuk u nënshtruan për të jetuar sipas saj. Madje, thanë: “Kjo nuk është gjë tjetër, por veçse një magji e qartë”. Allahu i poshtëroftë! Nuk u mjaftoi refuzimi i Shpalljes dhe Profetit, por e konsideruan atë edhe si magji, e cila është ligësia më e madhe. Magjia është mashtrim real. Kështu, ata e konsideruan të vërtetën më madhe e më të qartë si mashtrimin më të madh dhe trillimin më të kotë.

77

قَالَ مُوسَىٰٓ أَتَقُولُونَ لِلْحَقِّ لَمَّا جَآءَكُمْ ۖ أَسِحْرٌ هَٰذَا وَلَا يُفْلِحُ ٱلسَّٰحِرُونَ

Musai tha: “A mos vallë, për të Vërtetën thuani (se është magji), pasi që ju ka ardhur juve? A kjo është, magji? E, magjistarët nuk shpëtojnë!”

Musai tha: “Së vërtetës që ju ka ardhur, po i thoni magji?! E si mund të jetë magji ajo?!” -Duke i qortuar për mospranimin e të vërtetës, të cilën mund ta refuzojnë veçse njerëzit më të padrejtë, Musai u tha: "A po i thoni kësaj të vërtete magji?! Mendohuni pak, o të mjerë, dhe shikoni me kujdes çfarë përmban kjo e vërtetë! A mund t’i thuhet asaj magji?! Nëse e shikoni ftesën e Zotit me kujdes, do ta kuptonit lehtë se ajo është një e vërtetë e pamohueshme. Pastaj mendoni mirë edhe një fakt tjetër:“Magjistarët kurrë nuk gjejnë shpëtim.” -Ata nuk mund të fitojnë as në dynja dhe as në ahiret. Shikoni pëfundimin e secilës palë dhe se kujt do t'i takojë shpëtimi e fitorja! Më pas, për të gjithë u bë e qartë se i fituari ishte Musai (a.s), që arriti mirësitë e kësaj jete dhe të jetës tjetër. Megjithatë, duke i dhënë fjalës së Musait dhe ftesës së tij tjetër drejtim, ata thanë:

78

قَالُوٓا۟ أَجِئْتَنَا لِتَلْفِتَنَا عَمَّا وَجَدْنَا عَلَيْهِ ءَابَآءَنَا وَتَكُونَ لَكُمَا ٱلْكِبْرِيَآءُ فِى ٱلْأَرْضِ وَمَا نَحْنُ لَكُمَا بِمُؤْمِنِينَ

E, ata thanë: “A mos ke ardhur ti të na kthesh neve nga ajo, në të cilën i kemi gjetur etërit tonë, e ju të dyve t’u takojë pushteti në Tokë? E, nuk duam t’u besojmë ju dyve!”

Ata thanë: “A ke ardhur të na largosh nga ajo ku i gjetëm prindërit tanë, për t’ju mbetur juve pushteti në tokë?!”. -Vallë, ti ke ardhur që të na pengosh nga tradita e të parëve tanë, që adhuronin idhujt, dhe na urdhëron që të adhurojmë Allahun si Një të vetëm? Për ata, besimi dhe tradita e të parëve ishte argument i pakundërshtueshëm, që mund të hidhte poshtë të vërtetën me të cilën erdhi Musai (a.s). Pastaj thanë:“Ne nuk kemi për t’ju besuar kurrë ju të dyve.”. -Ju dëshironi veç të merrni udhëheqjen dhe të na dëboni nga vendi ynë. Kjo ishte një mënyrë për të çoroditur masën e gjerë dhe për të shmangur vëmendjen e tyre nga thelbi i çështjes. Gjithashtu, ata synonin të ngjallnin urrejtje për Musain, duke e paraqitur atë si destabilizues dhe shkatërrues. Sigurisht, këto shpifje dhe trillime ndaj Shpalljes hyjnore dhe qëllimeve të një profeti nuk vlejnë aspak dhe nuk mund të konsiderohen si argument. Çdokush që vështron në thellësi të çështjeve arrin ta bëjë dallimin. Faktet dhe argumentet e vërteta nuk mund të hidhen poshtë me trillime e shpifje. Ata që e refuzojnë të vërtetën e mbështetur me fakte e mrekulli, përmes shpifjeve e trillimeve të pabaza, tregojnë për dobësinë e paaftësinë e tyre që të polemizojnë me kundërshtarin. Nëse do të kishin argumente të sakta, nuk do të thoshin: “Qëllimi yt është ky e ai”. Nuk ka rëndësi a është i vërtetë apo jo pretendimi i kundërshtarit. Rëndësi ka argumenti mbi të cilin ti mbështet refuzimin tënd të tezës së tjetrit. Nga ana tjetër, çdokush që e njihte Musain dhe thelbin e ftesës së tij e dinte mirë se ai nuk kishte asnjë qëllim për të qenë sundimtar. Ashtu si të gjithë vëllezërit e tij profetë, qëllimi i tij ishte udhëzimi i krijesave në rrugën që është në të mirë të tyre. Kështu, qëllimi kryesor i shpifjeve të tyre shprehet me fjalët: “Ne nuk kemi për t’ju besuar kurrë ju të dyve.”. Domethënë, kundërshtonin për inat e mendjemadhësi, e jo për shkak se ftesa e Musait nuk ishte e mirë apo e mbështetur me argumente nga Zoti. Nuk është se ata ishin të paqartë apo të pasigurt në vërtetësinë e Shpalljes që solli Musai. Ata thjesht ishin të padrejtë, që këmbëngulnin në inatin dhe padrejtësinë e tyre. Ata dëshironin sundimin dhe tiraninë në tokë, pra, pikërisht atë për të cilën akuzuan profetin Musa (a.s).

79

وَقَالَ فِرْعَوْنُ ٱئْتُونِى بِكُلِّ سَٰحِرٍ عَلِيمٍۢ

Faraoni tha: “M’i sillni të gjithë magjistarët e shkathët!”

Faraoni tha: “Më sillni të gjithë magjistarët më të zotë!”. -Duke kundërshtuar të vërtetën që solli Musai dhe duke mashtruar parinë rreth tij dhe popullin e tij, Faraoni tha: “Më sillni këtu të gjithë magjistarët më të zotë”. Pra, sillni çdo magjistar të aftë, që bën magji të fortë. Përhapeni lajmin në çdo anë të Egjiptit, që të vijnë të gjithë llojet e magjistarëve.

80

فَلَمَّا جَآءَ ٱلسَّحَرَةُ قَالَ لَهُم مُّوسَىٰٓ أَلْقُوا۟ مَآ أَنتُم مُّلْقُونَ

Pasi erdhën magjistarët, Musai u tha: “Hedhni ç’keni për të hedhur!”

Kur erdhën magjistarët, Musai u tha: “Hidhni ç’keni për të hedhur!”. - Kur magjistarët u mblodhën dhe bashkuan në ditën e përballjes së madhe, Musai (a.s) u tha: “Hidhni ç’keni për të hedhur”. Ai i sfidoi duke i ftuar të jepnin maksimumin e tyre, pa u kufizuar në asgjë. Ai e bëri këtë, sepse ishte i binduar për fitoren e premtuar nga Zoti i gjithësisë. Musain nuk e shqetësonte aspak se çfarë magjish të frikshme e të mëdha do të sillnin ata.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.