Muslim99Muslim99
← Tafsir library

10. Yunus

Jonas · Meccan · 109 ayahs

سُورَةُ يُونُسَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 61–70 of 109

61

وَمَا تَكُونُ فِى شَأْنٍۢ وَمَا تَتْلُوا۟ مِنْهُ مِن قُرْءَانٍۢ وَلَا تَعْمَلُونَ مِنْ عَمَلٍ إِلَّا كُنَّا عَلَيْكُمْ شُهُودًا إِذْ تُفِيضُونَ فِيهِ ۚ وَمَا يَعْزُبُ عَن رَّبِّكَ مِن مِّثْقَالِ ذَرَّةٍۢ فِى ٱلْأَرْضِ وَلَا فِى ٱلسَّمَآءِ وَلَآ أَصْغَرَ مِن ذَٰلِكَ وَلَآ أَكْبَرَ إِلَّا فِى كِتَٰبٍۢ مُّبِينٍ

Ti nuk do të bësh asgjë, as nuk do të lexosh asgjë nga Kur’ani, as nuk do të punoni kurrfarë pune, e që Ne mos të jemi dëshmitar, kur ju të thelloheni në të. Nuk do të humbë nga Zoti yt as sa një thërmi peshe, në Tokë as në qiell, as më pak nga ajo as më shumë, e që të mos jetë e shënuar në Librin e qartë.

Sa herë që ju angazhoheni me ndonjë çështje dhe sa herë që lexoni ndonjë pjesë nga Kur'ani dhe sa herë kryeni ndonjë vepër, Ne jemi dëshmitarë të veprimeve tuaja. -Allahu i Madhëruar na tregon se Ai është Vështrues, Dëshmues e Mbikëqyrës i gjithçkaje që ndodh. Ai i mbikëqyr robërit e Tij në të gjitha gjendjet dhe lëvizjet e tyre. Kjo është një ftesë e bukur dhe e mrekullueshme nga i Gjithëdituri e Gjithëshikuesi, që ne të ndiejmë vazhdimisht mbikëqyrjen e Tij dhe në asnjë çast të mos e largojmë vëmendjen nga Ai. Kjo është një ftesë për t'u ngritur në gradën e ihsan-it. Allahu na vështron në të gjitha gjendjet dhe çështjet tona, si ato fetare, ashtu edhe ato që kanë të bëjnë me jetën e kësaj bote. Ai na dëgjon kur ne këndojmë Librin e tij, që ia ka shpallur Profetit të Tij. Çfarëdo pune që kryejmë, të madhe apo të vogël, Ai është dëshmues dhe mbikëqyrës i përhershëm i saj, në çastin kur e fillojmë, gjatë vazhdimit të saj dhe në përfundim. Kështu, ta ndieni mbikëqyrjen dhe vështrimin e Zotit në të gjitha gjendjet, fjalët dhe veprat tuaja. Mundohuni t’i kryeni ato me dëshirën dhe qëllimin e mirë për të rregulluar marrëdhëniet tuaja me Zotin, me Librin e Tij dhe Profetin e Tij. Përpiquni të përkryeni çdo adhurim në formën e kërkuar nga Zoti. Ato që ju kërkohen juve janë: punë të mira, nijet të pastër dhe kryerja e tyre sipas mënyrës që Zoti ka kërkuar përmes Shpalljes. Nga ana tjetër, kujdes me ato që Zoti juaj i urren, se Ai ju mbikëqyr dhe është i Gjithëditur rreth atyre që shfaqen dhe atyre që mbahen fshehur në gjoks. Ai thotë:Zotit tënd nuk mund t’i fshihet asnjë grimcë në Tokë dhe as në qiell, madje as më e vogël se ajo e as më e madhe. Çdo gjë është shkruar në Librin e Qartë. -Dëgjimit, shikimit dhe diturisë së Zotit nuk mund t'i fshihet asgjë, sado e vogël qoftë ajo apo e madhe. Ai ka përfshirë me diturinë e Tij gjithçka që ekziston dhe, çdo gjë që Ai di e ka shkruar edhe lapsi i Tij. Këta janë dy elementët e besimit të saktë në kaderin e Zotit:1. Të besosh se dituria e Zotit përfshin gjithçka.2. Të besosh se kjo dituri është shkruar nga Lapsi i Tij në Leuhi Mahfudh, sikurse thotë i Madhëruari: "A nuk e ke ditur se Allahu di për gjithçka që është në qiell e në tokë? E gjithë kjo është e shënuar në Libër dhe kjo është shumë lehtë për Allahun." [Haxh 70].Pa besuar këto çështje, besimi në kaderin e Zotit është i pasaktë dhe i papranuar. Allahu i Madhëruar i përmend shpesh ato së bashku.

62

أَلَآ إِنَّ أَوْلِيَآءَ ٱللَّهِ لَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ

A! Me të vëtetë, pë të dashurit e Perëndisë nuk ka frikë as pikëllim,

Allahu i Madhëruar na tregon rreth të dashurve të Tij të zgjedhur dhe shpërblimit të tyre të madh:Nuk ka dyshim se të dashurit e Allahut nuk kanë aspak frikë dhe as brengosje. - Kështu, ata janë të sigurt nga dy gjëra:1. Nga frika për atë që i pret në të ardhmen. Asgjë nuk e frikëson shpirtin e këtyre të zgjedhurve, për sa u përket gjendjeve nëpër të cilat do të kalojnë.2. Nga dëshpërimi e brengosja për gjithçka që ka kaluar. E si të frikësohen, kur ata lënë pas vepra të mira, pendim të sinqertë e bindje ndaj Zotit?!Duke qenë të sigurt nga frika për të ardhmen dhe brengat për të shkuarën, ata do të jenë gjithmonë të qetë dhe të lumtur. Ata do të shoqërohen gjithmonë nga mirësi të shumta, që vetëm Allahu i Lartësuar i dhuron. Më pas, duke na nxitur të bëhemi si ata, Allahu i Madhëruar na tregon cilësitë e tyre:

63

ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَكَانُوا۟ يَتَّقُونَ

për ata që besojnë dhe që i druajnë Perëndisë,

Ata besojnë dhe janë të devotshëm. - Kështu, së pari, ata besojnë Zotin, melekët, librat dhe profetët e Zotit, Ditën e Llogarisë dhe caktimin e të mirës dhe të keqes prej Tij. Besimi i tyre është korrekt dhe i bazuar në dritën që vjen nga Allahu i Lartësuar. Së dyti, ata e jetësojnë besimin përmes devotshmërisë, duke zbatuar urdhëresat dhe duke iu larguar ndalesave, në emër të dashurisë për Zotin, në formë nënshtrimi e përunjësie ndaj Tij, duke iu frikësuar ndëshkimit të Tij dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij.

64

لَهُمُ ٱلْبُشْرَىٰ فِى ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا وَفِى ٱلْءَاخِرَةِ ۚ لَا تَبْدِيلَ لِكَلِمَٰتِ ٱللَّهِ ۚ ذَٰلِكَ هُوَ ٱلْفَوْزُ ٱلْعَظِيمُ

për ta ka sihariq në këtë jetë dhe në tjetrën. S’ka ndryshim në fjalët e Perëndisë. Kjo është fitore e madhe.

Atyre u jepen përgëzime në jetën e kësaj bote dhe në Jetën Tjetër. -Çdokush që është i devotshëm ndaj Allahut, është edhe i dashuri ose miku i zgjedhur i Allahut. Përgëzimet që jepen në këtë botë janë fama dhe emri i mirë ndër njerëz, dashuria në zemrat e besimtarëve, ëndrrat e mira që shihen për ta dhe shumë e shumë shenja të butësisë, mëshirës dhe bujarisë së Zotit. Formë tjetër përgëzimi janë edhe lehtësimet e krijuara, udhëzimi për të kryer shumë vepra të mira, pajisja me morale të larta, si dhe largimi nga rrugët e ligësisë dhe veset. Ndërsa përgëzimi në ahiret fillon që në momentin e marrjes së shpirtit, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: "S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë” dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë, do t’u zbresin melekët (e do t’u thonë): “Mos u frikësoni e mos u pikëlloni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar! Ne jemi miqtë tuaj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Botën Tjetër. Atje ju do të keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaja dhe gjithçka që kërkoni. Kjo është dhuratë nga Ai që është Falës e Mëshirëplotë.”[Fussilet 30 - 32]. Pastaj përgëzimet vazhdojnë në varr, ku robi do të përgëzohet se Zoti është i kënaqur me të dhe ai do të kënaqet me Zotin dhe mirësitë e përjetshme. Megjithatë, përgëzimi i plotë do të jepet në ahiret, në momentin kur të hyjë në Xhenetet e mirësisë dhe të shpëtojë përfundimisht nga ndëshkimi i dhembshëm.Premtimet e Allahut nuk mund të ndryshohen. -Ajo që Zoti ka premtuar është e vërtetë e sigurt dhe askush nuk mund ta ndryshojë, tjetërsojë dhe as ta zëvendësojë. Ai është më i vërteti në fjalën dhe premtimin e Tij. Askush nuk ka mundësi që ta kundërshtojë e ndryshojë atë që Zoti e ka përcaktuar dhe vendosur në ligjin e tij.Kjo është fitorja e madhe. -Sepse ajo përmban shpëtimin nga çdo gjë që ti i druhesh dhe fitimin e çdo gjëje që ti e synon dhe e dëshiron. I Madhëruari e përkufizon “fitoren” me këta fatlumë, sepse askush tjetër nuk meriton të jetë i fituar dhe i sigurt, përveç atyre që kanë të plotë imanin dhe devotshmërinë. Si përfundim, përgëzimi përfshin çdo mirësi dhe mbarësi që Zoti e ka premtuar në dynja dhe në ahiret, për ata që kanë iman dhe devotshmëri. Zoti e solli fjalën “përgëzim” të papërcaktuar, pikërisht që ajo të përfshijë të gjitha llojet e përgëzimit, por me kusht, aritjen e imanit dhe të devotshmërisë.

65

وَلَا يَحْزُنكَ قَوْلُهُمْ ۘ إِنَّ ٱلْعِزَّةَ لِلَّهِ جَمِيعًا ۚ هُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلْعَلِيمُ

Mos të pikëlloj ty fjala e tyre. E, gjithë fuqia i përket Perëndisë! Ai dëgjon dhe di çdo gjë.

Mos u dëshpëro nga fjalët e tyre! -Mohuesit flasin e shpifin kundër teje, duke të cenuar ty dhe fenë tënde. Por ti mos u trishto për fjalët e tyre! Ata nuk mund të arrijnë lavdinë e vet me këto fjalë dhe as dëmtimin tënd.Pa dyshim, e gjithë krenia i takon vetëm Allahut. -Allahu ia jep krenarinë atij që Ai dëshiron dhe e privon nga ajo atë që Ai dëshiron. I Madhëruari thotë: "Kush dëshiron krenarinë (le ta dijë se), e tërë krenaria i takon Allahut (pra, vetëm prej Tij le ta kërkojë)! [Fatir 10]. Atëherë, kërkojeni krenarinë përmes bindjes ndaj Zotit, sepse menjëherë pas këtij ajeti i Lartësuari thotë: "Tek Ai ngjiten (të gjitha) fjalët e mira. Është Ai që i ngre lart punët e mira. Ata që kurdisin komplote të së keqes, ata do të kenë një dënim të rëndë dhe komplotet e tyre do të dështojnë." (Fatir 10). Adhurime nëpërmjet të cilave mund të synohet dhe të arrihet krenaria janë edhe ato që Allahu i Lartësuar i ka quajtur el kelimuŧ-ŧaj-jibu, domethënë fjalët e mira. Këtu bëjnë pjesë: leximi i Kur'anit, i traditës profetike, përcjellja e dijes së dobishme, tesbiĥ-u, shprehja e falënderimit dhe mirënjohjes për Allahun, thënia e shehadetit dhe çdo fjalë e mirë dhe e dobishme. Këto fjalë të mira ngrihen lart dhe paraqiten tek i Lartësuari. Nëse janë të sinqerta, Allahu i Lartësuar i përmend përmendësit e Tij në Veten e Vet dhe mes melekëve në qiell. Gjithashtu, adhurime janë edhe ato që Allahu i Lartësuar i quan el ameluŝ-ŝâliĥ- punë të mira, domethënë vepra të zemrës dhe të gjymtyrëve, të cilat është po Allahu i Lartësuar që i ngre lart, i vlerëson dhe i shpërblen me bujarinë e Tij. Kështu, nuk ka dyshim se, nëse ti je i bindur dhe i nënshtruar ndaj Zotit, atëherë e gjithë krenaria të takon ty dhe pasuesve të bindur të rrugës së Zotit. Thotë i Madhëruari: "... e tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por munafikët nuk e dinë këtë." [Munafikun 8]. Në vijim, i Lartësuari thotë:Ai dëgjon e di gjithçka. -Dëgjimi i Allahut i përfshin të gjithë zërat. Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë prej tyre. Dituria e Tij i përfshin të gjitha gjërat, të dukshmet dhe të padukshmet. Allahut nuk mund t’i fshihet asnjë thërrmijë në qiej apo në tokë, sado e vogël apo e madhe qoftë ajo. Kështu, Allahu e dëgjon fjalën tënde, i dëgjon edhe fjalët e armiqve për ty dhe i di me hollësi planet e tyre. Mjaftohu, atëherë, me faktin që Allahu i di nevojat dhe gjendjen tënde dhe që Ai është mëse i mjaftueshëm si kujdestar për ty. Nëse je i devotshëm ndaj Allahut, Allahu ka për të qenë i mjaftueshëm për ty.

66

أَلَآ إِنَّ لِلَّهِ مَن فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَن فِى ٱلْأَرْضِ ۗ وَمَا يَتَّبِعُ ٱلَّذِينَ يَدْعُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ شُرَكَآءَ ۚ إِن يَتَّبِعُونَ إِلَّا ٱلظَّنَّ وَإِنْ هُمْ إِلَّا يَخْرُصُونَ

A! Me të vërtetë, Perëndisë i përket pushteti i çdo gjëje që gjendet në qiej dhe në Tokë. E, ata që, pos Perëndisë, adhurojnë idhujtë, shkojnë vetëm pas hamendjeve dhe vetëm gënjejnë.

Me të vërtetë, Allahut i përket gjithçka që është në qiej dhe gjithçka që është në Tokë. -Allahu i Madhëruar na njofton se gjithçka në qiej dhe në tokë i përket Atij. Krijimi, sundimi e pushteti, dhurimi i krijesave i përket vetëm Atij si një i Vetëm dhe i Pashoq. Ai vepron dhe administron çështjet e tyre ashtu si Ai dëshiron. Të gjithë janë pronë e krijim i Allahut. Të gjithë pa përjashtim janë të nënshtruar, të përulur e të varfër tek Ai. Ata nuk meritojnë t’u bëhet asnjë lloj adhurimi dhe kurrsesi nuk mund të jenë ortakë e pjesëmarrës në atë gjë që i përket vetëm Allahut të Lartësuar. Prandaj i Madhëruari thotë:Ata të cilët adhurojnë idhuj në vend të Allahut, shkojnë pas hamendësimeve, dhe nuk bëjnë gjë tjetër, por veçse gënjejnë. -Ata ndjekin veçse supozime e hamendësime, të cilat janë asgjë para së vërtetës. Ata thjesht trillojnë besime të kota, që janë mashtrime, shpifje dhe padrejtësi. Nëse janë të vërtetë në atë që pretendojnë, se ata idhuj janë ortakë të Allahut, le të sjellin e të shprehin haptazi ndonjë atribut të tyre, me të cilin ata idhuj do të meritonin ndonjë grimë adhurimi. Sigurisht që kurrë nuk do të mund ta bëjnë diçka të tillë. A ka ndonjë prej tyre që krijon ndonjë gjë, që furnizon apo që ka nën pronësinë dhe sundimin e tij ndonjë krijesë? A mund të nënshtrojnë e administojnë ata natën dhe ditën, të cilat Zoti i ka bërë të domosdoshme dhe jetike për krijesat?

67

هُوَ ٱلَّذِى جَعَلَ لَكُمُ ٱلَّيْلَ لِتَسْكُنُوا۟ فِيهِ وَٱلنَّهَارَ مُبْصِرًا ۚ إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَءَايَٰتٍۢ لِّقَوْمٍۢ يَسْمَعُونَ

Ai (Perëndia) ua krijoi natën për të pushuar në të, kurse ditën për të parë. Me të vërtetë, në këtë ka argumente për njerëzit që dëgjojnë.

Është Allahu Ai i Cili e bëri natën për ju që të pushoni, ndërsa ditën të ndritshme. -Ju qetësoheni natën në gjumë e bini në qetësi të thellë kur errësira mbulon faqen e dheut. Nëse drita dhe aktiviteti juaj do të vazhdonte pandërprerë ju nuk do të gjenit prehje. Ndërsa ditën Zoti e bëri të shndritshme, që krijesat të shohin dhe të kërkojnë mirësitë e jetës së tyre si dhe të besimit e të fesë së tyre.Në këtë ka, vërtet Argumente për ata që dëgjojnë. -Për ata që dëgjojnë shpalljet e Zotit me qëllimin që të kuptojnë të vërtetën dhe ta pranojnë atë, që duan të udhëzohen tek e mira dhe e drejta e jo me dëgjim të mbuluar nga mendjemadhësia e inati; për ata argumentet dhe faktet e Zotit janë mëse të mjaftueshme. Me të tilla shenja, të mençurit argumentojnë se Allahu është i vetmi që meriton adhurimet, ndërsa çdo adhurim që nuk i bëhet Atij dhe çdo i adhuruar përveç Tij janë të kota dhe trillime. Allahu është i Buti, Mëshirëploti, i Gjithëdituri dhe i Urti.

68

قَالُوا۟ ٱتَّخَذَ ٱللَّهُ وَلَدًۭا ۗ سُبْحَٰنَهُۥ ۖ هُوَ ٱلْغَنِىُّ ۖ لَهُۥ مَا فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ ۚ إِنْ عِندَكُم مِّن سُلْطَٰنٍۭ بِهَٰذَآ ۚ أَتَقُولُونَ عَلَى ٱللَّهِ مَا لَا تَعْلَمُونَ

Kanë thënë: “Perëndia ka djalë”. I lavdëruar është Ai. Ai është i pastër, s’ka nevojë për asgjë. Të Atij janë të gjitha – ç’gjendet në qiej dhe në Tokë. Ju nuk keni asnjë argument për këtë. A thoni ju për Perëndinë, atë që nuk e dini!

Allahu i Madhëruar na tregon rreth shpifjes së madhe të idhujtarëve ndaj madhërisë së Tij:Ata thonë: “Allahu ka një bir”. Qoftë i lartësuar Ai! -I Lartësuari shpreh dëlirësinë e Tij nga kjo shpifje duke thënë: "Subhaneh"(Qoftë i Lartësuar Ai!) I pastër, i dëlirë, i lartësuar e larg çdo mangësie e të mete qoftë i Madhëruari, nga çdo shpifje që i adresojnë zullumqarët! Pastaj, duke shpjeguar edhe më hollësisht dëlirësinë dhe pastërtinë e Tij nga të tilla shpifje, Ai thotë:Ai është i Vetëmjaftueshmi. -Allahu është i Pasur, që nuk ka nevojë për asgjë. E gjithë pasuria e pushteti është në dorën e Tij. Të gjitha llojet e pasurisë, mbretërimit dhe pushtetit janë në dorën e Tij dhe vetëm të Tij. Allahu është absolut në zotërimin dhe sundimin e pasurisë së qiejve dhe tokës. Kështu, nëse është i Vetëmjaftueshëm dhe Jonevojtar, përse i duhet fëmija? Nevoja për fëmijë bie ndesh me pushtetin dhe pasurinë e Tij dhe me faktin që Ai është i Vetëmjaftueshëm. Ai që bën fëmijë ka vërtet nevojë për fëmijën dhe ka mangësi në pasurinë apo pushtetin e Tij. Argumenti i dytë:Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë. -Kjo është një fjali gjithëpërfshirëse, nga e cila nuk përjashtohet asgjë që ekziston. Qiejt, Toka dhe çdo krijesë tjetër, janë rob dhe pronë e Krijuesit. Kështu, ky përshkrim përjashton mundësinë që diçka e krijuar të jetë fëmijë i Zotit. Arsyeja është se fëmija ka natyrën e të atit, dhe si i tillë nuk mund të jetë krijesë dhe pronë apo e nënshtruar. Kështu, fakti që gjithçka në qiej e në tokë janë pronë e Zotit e përjashton që diçka prej tyre të jetë e lindur prej Tij. Argumenti i tretë:Ju nuk keni argumente për këtë. -A keni ndonjë argument që tregon se Allahu ka fëmijë? Nëse do të kishin ndonjë argument, do ta shfaqnin. Por duke qenë se edhe pas sfidës, ata nuk sjellin argument bindës, kuptohet se kjo është një kotësi dhe shpifje e madhe. Kjo është të flasësh për Zotin pa dituri e shpallje të ndritur, prandaj thotë i Madhëruari:Pse thoni për Allahun atë që nuk e dini? -Kështu, kjo është nga çështjet më të dënueshme e të ndaluara nga Zoti.

69

قُلْ إِنَّ ٱلَّذِينَ يَفْتَرُونَ عَلَى ٱللَّهِ ٱلْكَذِبَ لَا يُفْلِحُونَ

Thuaj: “Me të vërtetë, ata që shpifin gënjeshtra për Perëndinë nuk do të shpëtojnë”.

Thuaj: “Ata që trillojnë gënjeshtra për Allahun, nuk kanë për të gjetur shpëtim. Ata do të përjetojnë një kënaqësi të paktë në jetën e kësaj bote dhe pastaj vetëm tek Ne është kthimi i tyre. Ne do t’u japim të shijojnë dënimin më të ashpër, për shkak se nuk besojnë.”. - Ata nuk kanë për të arritur qëllimet e tyre dhe planet e tyre të zeza kurrë nuk do të realizohen. Ata thjesht do të përjetojnë njëfarë kënaqësie në shfrenimin që u ofron mohimi i Zotit dhe shkelja e kufijve të Tij, në jetën e kësaj bote. Ato kënaqësi janë shumë të pakta dhe pastaj shumë shpejt ata do të nisin të vetmuar rrugën e vështirë drejt llogarisë e ndëshkimit të përjetshëm. Tek Zoti është kthimi i tyre dhe i rëndë është ndëshkimi që i pret, për shkak të kufrit të tyre. Allahu nuk u bën asnjë padrejtësi atyre, por ata i bëjnë padrejtësi vetvetes.

70

مَتَٰعٌۭ فِى ٱلدُّنْيَا ثُمَّ إِلَيْنَا مَرْجِعُهُمْ ثُمَّ نُذِيقُهُمُ ٱلْعَذَابَ ٱلشَّدِيدَ بِمَا كَانُوا۟ يَكْفُرُونَ

(Do të keni) kënaqësi të shkurtër në këtë botë, e pastaj do të kthehen te Ne, dhe Ne, do t’u japim të shijojnë dënimin e ashpër për shkak se kanë mohuar.

Thuaj: “Ata që trillojnë gënjeshtra për Allahun, nuk kanë për të gjetur shpëtim. Ata do të përjetojnë një kënaqësi të paktë në jetën e kësaj bote dhe pastaj vetëm tek Ne është kthimi i tyre. Ne do t’u japim të shijojnë dënimin më të ashpër, për shkak se nuk besojnë.”. - Ata nuk kanë për të arritur qëllimet e tyre dhe planet e tyre të zeza kurrë nuk do të realizohen. Ata thjesht do të përjetojnë njëfarë kënaqësie në shfrenimin që u ofron mohimi i Zotit dhe shkelja e kufijve të Tij, në jetën e kësaj bote. Ato kënaqësi janë shumë të pakta dhe pastaj shumë shpejt ata do të nisin të vetmuar rrugën e vështirë drejt llogarisë e ndëshkimit të përjetshëm. Tek Zoti është kthimi i tyre dhe i rëndë është ndëshkimi që i pret, për shkak të kufrit të tyre. Allahu nuk u bën asnjë padrejtësi atyre, por ata i bëjnë padrejtësi vetvetes.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.