Muslim99Muslim99
← Tafsir library

10. Yunus

Jonas · Meccan · 109 ayahs

سُورَةُ يُونُسَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 51–60 of 109

51

أَثُمَّ إِذَا مَا وَقَعَ ءَامَنتُم بِهِۦٓ ۚ ءَآلْـَٰٔنَ وَقَدْ كُنتُم بِهِۦ تَسْتَعْجِلُونَ

A mos vallë, vetëm atëherë kur të ndodhë – besoni në të? A, tash po besoni, e madje më parë e nxitonit dënimin?!

Vallë, vetëm pasi të ndodhë, do ta besoni atë? Tani e besoni atë, kur më parë kërkonit përshpejtimin e tij? - Kështu, imani që shfaqet në momentet e zbritjes dhe ekzekutimit të ndëshkimit të Zotit është i pavlerë. Në momentet e përjetimit të ndëshkimit, kur të pretendojnë se besojnë, do t'u thuhet në formë poshtërimi e nënçmimi: "Tani e besoni atë, kur më parë kërkonit përshpejtimin e tij?” Është rregull i pandryshueshëm i Zotit që të pranojë pendimin para zbritjes së ndëshkimit. Por nëse ndëshkimi fillon të ekzekutohet, atëherë besimi nuk i vlen më. Kështu na tregon Zoti për Faraonin, i cili, kur po mbytej, tha: “Besoj se nuk ka zot tjetër veç Atij të Cilit i besojnë bijtë e Izraelit. Edhe unë jam nga muslimanët.” [Junus 90]. Atij iu tha: "Vallë, tani po beson, ndërsa më parë kundërshtoje dhe ishe prej shkatërrimtarëve?!" [Junus 91]. Gjithashtu, i Lartësuari thotë: "Kur u erdhën të dërguarit me Shenja të qarta, ata u mburën me diturinë e vet, por atëherë i goditi ai (dënimi i Zotit) me të cilin talleshin. Dhe kur e panë Dënimin Tonë, thanë: “Ne i besojmë Allahut, që është Një dhe i mohojmë ata që i adhuronim veç Tij”. Por besimi i tyre pasi panë dënimin Tonë, nuk u bëri dobi. I tillë është ligji i Allahut që ka vepruar ndaj robërve të Tij. Dhe kështu u shkatërruan mohuesit e Allahut.” [Gafir 83 - 85]. Ndërsa këtu thotë: “Tani e besoni atë, kur më parë kërkonit përshpejtimin e tij?!" Pra, tani pretendoni se besoni, ndërkohë që vetë e kërkonit përshpejtimin e dënimit?! Ky është rezultati i veprave tuaja. Ky është ai që kërkonit t'ju vinte sa më shpejt.

52

ثُمَّ قِيلَ لِلَّذِينَ ظَلَمُوا۟ ذُوقُوا۟ عَذَابَ ٱلْخُلْدِ هَلْ تُجْزَوْنَ إِلَّا بِمَا كُنتُمْ تَكْسِبُونَ

E pastaj, u thuhet zullumqarëve: “Shijoni dënimin e përhershëm! Dhe, nuk dënoheni ndryshe, përveç ashtu si keni punuar”.

Më në fund, atyre që bëjnë padrejtësi, do t’u thuhet: “Shijoni dënimin e përjetshëm!” -Kështu do t’u thuhet zullumqarëve Ditën e Gjykimit, kur t’u jepet i plotë shpërblimi për veprat e tyre: "Shijojeni tani ndëshkimin e përjetshëm!". Ndëshkimi do të jetë i përjetshëm dhe nuk do t'u lehtësohet as për një çast të vetëm.“Mos, vallë, po dënoheni më shumë sesa e meritoni?!” -Kjo erdhi prej mohimit të Zotit dhe të drejtës së Tij, prej mohimit të profetëve dhe shpalljeve, prej poshtërsisë e mosbindjes dhe prej shfrenimit në kalimin e kufijve.

53

۞ وَيَسْتَنۢبِـُٔونَكَ أَحَقٌّ هُوَ ۖ قُلْ إِى وَرَبِّىٓ إِنَّهُۥ لَحَقٌّۭ ۖ وَمَآ أَنتُم بِمُعْجِزِينَ

Ata kërkojnë shpjegim prej teje: “A është e vërtetë ajo?” Thuaj: “Po pasha Zotin tim, ajo padyshim është e vërtetë, e ju nuk do të mund t’i shmangeni!”

Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij dhe i thotë:Ata kërkojnë t’u tregosh: “A është e vërtetë ajo?” -Mohuesit, në formë arrogance e inati, të pyesin: A është e vërtetë ajo? A është e vërtet ringjallja e robërve në ditën e premtuar për llogarinë e drejtë? A është e vërtetë që njerëzit do të ringjallen e tubohen për t'u llogaritur me drejtësi e shpërblyer sipas veprave të tyre? A do të shpërblehen për veprat e mira e bindjen ndaj Zotit, dhe a do të ndëshkohen për mosbesimin dhe veprat e këqija? Thuaju atyre, duke u betuar për vërtetësinë e kësaj përgjigjeje dhe duke ua shoqëruar me argument të qartë dhe të prerë:Thuaj: “Po, pafsha Zotin tim! Ajo është mëse e vërtetë, dhe ju nuk do të mund ti shmangeni”. -Nuk ka dyshim për këtë. Ju nuk do të mund t'i shmangeni Zotit dhe ringjalljes. E si mund t’i shmangeni Atij që ju krijoi nga hiçi, kur nuk ekzistonit fare. Kështu, Ai ka për t'ju ringjallur e për t'ju shpërblyer sipas veprave tuaja.

54

وَلَوْ أَنَّ لِكُلِّ نَفْسٍۢ ظَلَمَتْ مَا فِى ٱلْأَرْضِ لَٱفْتَدَتْ بِهِۦ ۗ وَأَسَرُّوا۟ ٱلنَّدَامَةَ لَمَّا رَأَوُا۟ ٱلْعَذَابَ ۖ وَقُضِىَ بَيْنَهُم بِٱلْقِسْطِ ۚ وَهُمْ لَا يُظْلَمُونَ

Kur çdonjëri që ka bërë zullum, sikur të kishte ai tërë pasurinë e botës, ai do të jepte krejt atë, për të shpëtuar (nga dënimi). Ata do të fshehin pendimin kur të shohin dënimin, e do të gjykohen mes tyre me të drejtë dhe nuk do t’u bëhet padrejtësi.

Çdokush që ka dëmtuar vetveten, edhe sikur të kishte gjithë pasurinë e botës, do ta flijonte atë si dëmshpërblim. -Ditën e Gjykimit, ata që janë zhytur në padrejtësinë e kufrit, poshtërsive dhe mosbindjes, do ta jepnin gjithçka që ka në tokë, qoftë ar, argjend a gjithçka tjetër, si kompensim për të shpëtuar nga ndëshkimi i Allahut. Por kjo nuk do t'u vlejë aspak. Atë ditë, mundësia e vetme për të fituar të mirat dhe për të shpëtuar nga të këqijat, për të marrë shpërblimin ose ndëshkimin, është veçse nëpërmjet veprave të mira dhe atyre të këqija në këtë botë.Kur të shohin dënimin, ata do ta fshehin dëshpërimin. Atëherë, mes tyre do të gjykohet me të vërtetën, pa iu bërë aspak padrejtësi. -Të padrejtët fshehin në shpirt dëshpërimin e tyre, dhe do të donin që të kishin mundësi pendimi, por ka kaluar koha kur pendimi bën dobi. Ata do të gjykohen me drejtësi të plotë, që nuk ka asnjë grimë padrejtësie.

55

أَلَآ إِنَّ لِلَّهِ مَا فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۗ أَلَآ إِنَّ وَعْدَ ٱللَّهِ حَقٌّۭ وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَهُمْ لَا يَعْلَمُونَ

A! me të vërtetë, të Perëndisë janë të gjitha që gjenden në qiej dhe në Tokë. A! me të vërtetë, premtimi i Perëndisë është i vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dijnë.

Nuk ka dyshim se Allahut i takon gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë. Kini kujdes! -Në këtë botë ekzekutohet ligji i Tij i krijimit e i kaderit, por edhe ligjet e fesë dhe të jetës së krijesave, është po Ai që i vendos. Është po Ai, i vetëm në pushtetin e Tij, që do të ekzekutojë mbi krijesat edhe ligjin e Tij të shpërblimit dhe ndëshkimit me drejtësi. Prandaj thotë:Premtimi i Allahut është mëse i vërtetë, por shumica e tyre nuk e dinë. -Prandaj dhe nuk përgatiten për takimin me Allahun, madje refuzojnë ta besojnë Atë, edhe pse argumentet për vërtetësinë e Tij janë sjellë të sakta dhe të pacenuara. Argumentet kanë ardhur qoftë në planin logjik, ashtu edhe në atë tekstual, përmes shpalljeve e profetëve të mbështetur nga Zoti me mrekulli.

56

هُوَ يُحْىِۦ وَيُمِيتُ وَإِلَيْهِ تُرْجَعُونَ

Ai jep gjallëri dhe vdekje dhe tek Ai do të ktheheni.

Është Ai që jep jetë dhe vdekje, dhe vetëm tek Ai do të ktheheni. - Është Allahu Ai që ka në dorë jetën dhe vdekjen dhe të gjitha llojet e administrimit dhe rregullimit të çështjeve të krijesave. I gjithë pushteti është në dorën e Allahut dhe Ai nuk e ndan me asnjë tjetër këtë pushtet. Tek Ai do të ktheheni të gjithë Ditën e Gjykimit dhe Ai do t'ju shpërblejë për veprat tuaja, të mira ose të këqija.

57

يَٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ قَدْ جَآءَتْكُم مَّوْعِظَةٌۭ مِّن رَّبِّكُمْ وَشِفَآءٌۭ لِّمَا فِى ٱلصُّدُورِ وَهُدًۭى وَرَحْمَةٌۭ لِّلْمُؤْمِنِينَ

O njerëz, ju ka ardhur madje këshilla (Kur’ani) nga Zoti juaj, ilaç për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.

O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj. Ai është Udhëzim dhe Mëshirë për besimtarët. -Allahu i Madhëruar, duke nxitur krijesat që t’i përkushtohen Kur'anit madhështor, bën disa prej përshkrimeve më të bukura të tij, që njëkohësisht janë edhe domosdoshmëri për krijesat. Kur'ani përmban gjëra, pa të cilat njerëzit nuk mund të bëjnë dot. I Madhëruari thotë: "O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj." Kur'ani përmban “meuidha”, domethënë këshillë ose qortim. Ai ju këshillon që të ruheni nga ato vepra që sjellin zemërimin e Allahut dhe bëjnë të meritueshëm ndëshkimin e Tij. Por “meuidha”, në fakt, është më shumë sesa thjesht këshillë. Ajo është këshillë që na kujton rreth veprave të këqija, që Zoti nuk i do, por që tregon edhe pasojat e hidhura që ato vepra sjellin. Kështu meuidha i bën zemrat të frikësohen dhe të motivohen më shumë për ta pranuar këshillën dhe për t'u larguar nga ligësitë. Kur'ani është, gjithashtu, shërim i asaj që ndodhet në kraharor. Zemra është e sulmuar gjithmonë nga këto gjëra:1. Sëmundja e epsheve dhe shfrenimi për të përmbushur dëshirat e devijuara, të cilat bëhen pengesë që robi të nënshtrohet e të jetojë sipas ligjit të Zotit dhe fesë së Tij.2. Nga sëmundjet e dyshimeve e paditurisë, që cenojnë sigurinë dhe diturinë e njeriut për besimin e saktë.Këshillat e Kur'anit janë të shoqëruara me inkurajime e kërcënime, me premtime për shpërblim dhe kërcënime për ndëshkim. Ato veprojnë dhe ndikojnë thellë në zemrën dhe shpirin e njeriut, duke bërë që tek ajo të lindë respekti për Zotin dhe droja nga ndëshkimi i Tij, por edhe shpresa për shpërblimin e mirësitë e Tij. Nëse në zemër lindin këto ndjenja dhe forcohen me leximin e vazhdueshëm të Kur'anit, kjo zemër bëhet e nënshtruar, duke i dhënë përparësi asaj që do Zoti, kundrejt dëshirave të njeriut. Me fjalë të tjera, kuptimet e fuqishme dhe ndikuese të Kur'anit e bëjnë zemrën të nënshtruar për të adhuruar Zotin, me mënyrën që Ai e dëshiron dhe madje të ndiejë kënaqësi me këtë adhurim. Gjithashtu, Kur'ani e bën zemrën ta shohë të urryer e të shëmtuar çdo shfrenim të nxitur nga shejtani i mallkuar. Gjithashtu, argumentet e prera të Kur'anit, të shtjelluara bukur dhe qartë, largojnë nga zemrat çdo sëmundje dyshimi e pasigurie rreth të vërtetës. Përmes këtyre argumenteve, zemra arrin në gradën më të lartë të sigurisë e diturisë. Kështu, kur zemra shërohet nga këto dy lloj sëmundjesh dhe gëzon shëndet të plotë, të gjitha gjymtyrët e pasojnë e i nënshtrohen asaj. Me përmirësimin dhe rregullimin e zemrës përmirësohen dhe rregullohen gjymtyrët e veprat e tyre. Ndërsa me sëmundjen dhe prishjen e saj sëmuren e prishen edhe gjymtyrët e veprat e tyre. Kur'ani është gjithashtu hudâ (udhëzim) dhe rahme (mëshirë). Hudâ është dituria rreth të vërtetës dhe puna sipas saj. Ndërsa rahme është çdo lloj mirësie e begatie, çdo lloj shpërblimi në këtë jetë dhe në ahiret, nëse ndjek udhëzimin e këtij Kur'ani. Në këtë mënyrë, hudâ është mjeti më i rëndësishëm dhe më i domosdoshëm. Ndërsa rahme është qëllimi dhe motivi më i plotë dhe i mrekullueshëm që mund të synohet dhe që nxit për punë të …

58

قُلْ بِفَضْلِ ٱللَّهِ وَبِرَحْمَتِهِۦ فَبِذَٰلِكَ فَلْيَفْرَحُوا۟ هُوَ خَيْرٌۭ مِّمَّا يَجْمَعُونَ

Thuaj: “Me dhuntinë e Perëndisë dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më mirë se ajo që grumbullojnë ata”.

Thuaj: “Vetëm për Mirësinë e Allahut dhe Mëshirën e Tij gëzohuni!” -Allahu i Madhëruar na urdhëron që të gëzohemi dhe, jo vetëm kaq, por ta shfaqim gëzimin e lumturinë tonë me mirësinë e Kur'anit dhe të imanit që Ai na ka dhuruar. Thotë i Lartësuari: “Vetëm për Mirësinë e Allahut dhe Mëshirën e Tij gëzohuni!” Mirësia e Allahut është Kur'ani madhështor. Ai është mirësia më e madhe që i Madhëruari na ka dhuruar me bujarinë e Tij. Gjëja e dytë me të cilën duhet të gëzohen besimtarët është mëshira e Tij. Mëshira është feja dhe imani, besimi i pastër dhe korrekt, është dashuria për Allahun, njohja e Tij dhe adhurimi i Tij si një i vetëm. Kështu, me të tilla mirësi le të gëzohen ata që patën fatin që t’i njohin dhe t’i kenë. Le të gëzohen me këtë Kur'an madhështor, të mrekullueshëm dhe të ruajtur, që gjithmonë do të jetë me ta. Le të gëzohen me këtë fe të pastër, të ruajtur e të sigurt, që Zoti e zgjodhi për ne dhe u kënaq me të. Islami është feja e vetme e pranuar nga Ai. Gëzohuni me njohurinë për Zotin, me dashurinë për Të dhe me adhurimin e Tij si një i vetëm. Këto të ofrojnë ëmbëlsinë e jetës, kënaqësi të pandërprera dhe lumturi të përjetshme.“Kjo është shumë herë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë”. -Këto janë shumë më të mira se stolitë e kësaj bote, që njerëzit mbledhin për veten e tyre. Kënaqësitë dhe stolitë e dynjasë janë të përkohshme dhe shumë të vogla në krahasim me kënaqësinë e një jete të denjë në adhurimin e Zotit. Veç kësaj, mirësia e fesë dhe besimit sjell lumturinë e të dy jetëve. Mes dy kategorive nuk mund të bëhet asnjë krahasim. Çdo stoli e kësaj bote është e papërfillshme në krahasim me ahiretin e përjetshëm dhe të pafundmë. Dynjaja është e shkurtër; ajo shkon drejt fundit shumë shpejt. Allahu i Lartësuar na urdhëroi që të gëzohemi e ta shprehim haptaz këtë gëzim për mirësinë e Kur'anit dhe të imanit, sepse kjo i sjell shpirtit kënaqësi, ambicie, forcë dhe më shumë gjallëri. Gjithashtu, ajo nxit mirënjohjen për Allahun dhe lavdërimin e Tij. Ajo forcon lidhjen me Allahun dhe mirënjohjen ndaj Tij dhe i jep robit forcë, gjallëri dhe jetë. Ajo i jep një dashuri të fortë për diturinë e dobishme dhe për njohjen e Allahut, i jep dashuri për imanin e pastër. Gëzimi dhe lëvdimi për mirësinë e Kur'anit dhe të imanit e shtojnë, e theksojnë dhe forcojnë edhe më shumë atë iman. Ky lloj lëvdimi është i pëlqyeshëm, ndryshe nga të lëvduarit me të mirat e kësaj bote ose me gjëra të kota; këto janë të qortueshme, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në Kur'an, kur na tregon për historinë e Karunit: “Karuni ishte nga populli i Musait, por ai i kaloi kufijtë (në padrejtësi) kundër tyre. Ne i patëm dhënë aq shumë pasuri, saqë çelësat e tij mezi i bartnin edhe njerëzit më të fuqishëm. Populli i vet i tha atij: “Mos u gëzo tej mase, sepse Allahu nuk i ata që e teprojnë në gëzim!" [Kasas 76]. Po kështu na njofton Allahu rreth atyre që gëzonin dhe lëvdoheshin me atë që zotëronin, kundrejt mesazhit të profetëve: "Kur u erdhën të dërguarit me Shenja të qarta, ata u mburën me diturinë e vet, por atëherë i goditi ai (dënimi i Zotit) me të cilin talleshin.”. [Gafir 83].

59

قُلْ أَرَءَيْتُم مَّآ أَنزَلَ ٱللَّهُ لَكُم مِّن رِّزْقٍۢ فَجَعَلْتُم مِّنْهُ حَرَامًۭا وَحَلَٰلًۭا قُلْ ءَآللَّهُ أَذِنَ لَكُمْ ۖ أَمْ عَلَى ٱللَّهِ تَفْتَرُونَ

Thuaj: “Çka mendoni ju për ushqimin, që ua ka zbritur Perëndia, e ju prej tij keni bërë diçka të ndaluar e diçka të lejuar?” Thuaj: “A ju ka lejuar Perëndia atë, apo po ia shpifni Perëndisë?”

Thuaj: “A e shihni atë që Allahu e ka zbritur për ju si furnizim, ndërsa ju e konsideroni një pjesë të tij të ndaluar e një pjesë të lejuar?” -Idhujtarët shpiknin ligje e betime të kota, përmes të cilave bënin të lejuar atë që Zoti e kishte ndaluar dhe bënin të ndaluar atë që Zoti e kishte lejuar. Duke qortuar dhe refuzuar këtë vepër të ulët dhe të dënueshme, Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “A e shihni atë që Allahu e ka zbritur për ju si furnizim, ndërsa ju e konsideroni një pjesë të tij të ndaluar e një pjesë të lejuar?” Pra, a i shihni kafshët të cilat Zoti jua bëri lejuara dhe të mira për ju? Kush është ai që trilloi dhe i bëri disa të lejuara dhe disa të ndaluara? Duke i qortuar dhe kërcënuar, i Madhëruari thotë:Thuaj: “Vallë, Allahu ju dha leje për këtë apo ju shpifni rreth Allahut?” -Por dihet mirë se Allahu kurrë nuk i ka lejuar ata për diçka të tillë. Prandaj kuptohet se ata kanë shpifur e trilluar gjëra, për të cilat do të japin llogari e do të mbajnë përgjegjësi.

60

وَمَا ظَنُّ ٱلَّذِينَ يَفْتَرُونَ عَلَى ٱللَّهِ ٱلْكَذِبَ يَوْمَ ٱلْقِيَٰمَةِ ۗ إِنَّ ٱللَّهَ لَذُو فَضْلٍ عَلَى ٱلنَّاسِ وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَهُمْ لَا يَشْكُرُونَ

Çka mendojnë ata që shpifin gënjeshtra për Perëndinë, - në Ditën e Kijametit? Me të vërtetë, Perëndia është bamirës i madh i njerëzve, por, pjesa dërmuese nuk e falenderojnë Ate.

Çfarë do të mendojnë Ditën e Kijametit ata që shpifin rreth Allahut? -Çfarë mendojnë ata të mjerë se do të bëjë Zoti me ta Ditën e Gjykimit? A e dinë ata të mjerë se zemërimi i të Plotpushtetshmit dhe ndëshkimi i Tij është i ashpër dhe i drejtë? Thotë i Madhëruari: "Ata që trilluan gënjeshtra ndaj Allahut, do t’i shohësh në ditën e kijametit me fytyra të nxira. A nuk është në xhehenem vendi i kryeneçëve (mohues të besimit)?" [Zumer 60].Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk falënderojnë. -Mirësia dhe bujaria e Allahut ndaj njerëzve është e madhe dhe e paanë, por shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës. Ata jo vetëm që nuk falënderojnë Krijuesin, por i përdorin ato mirësi për të bërë vepra të liga e për të shprehur mosbindje ndaj Tij. Një tjetër formë mosmirënjohjeje është edhe kur ato mirësi që Zoti i ka bërë të lejuara, ata ua bëjnë haram njerëzve, duke shpifur për Zotin. Janë të pakët ata që i njohin dhe i pranojnë mirësitë e Allahut, e lavdërojnë Dhuruesin dhe ato mirësi i përdorin për t'iu bindur sa më mirë Atij. Me këtë ajet mund të argumentohet se, në origjinë, të gjitha ushqimet janë të lejuara, përveç atyre që Sheriati i Zotit i ka përcaktuar si të ndaluara. Allahu i kërcënoi e i qortoi rëndë ata që e bëjnë të ndaluar atë që Ai e ka bërë hallall dhe e ka zbritur për ta. Qoftë të lejuarat, qoftë të ndaluarat janë qartësuar nga vetë Zoti.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.