Muslim99Muslim99
← Tafsir library

10. Yunus

Jonas · Meccan · 109 ayahs

سُورَةُ يُونُسَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 41–50 of 109

41

وَإِن كَذَّبُوكَ فَقُل لِّى عَمَلِى وَلَكُمْ عَمَلُكُمْ ۖ أَنتُم بَرِيٓـُٔونَ مِمَّآ أَعْمَلُ وَأَنَا۠ بَرِىٓءٌۭ مِّمَّا تَعْمَلُونَ

Nëse ata të përgënjeshtrojnë ty, thuaju: “Për mua janë veprat e mia, e për ju – veprat tuaja, ju jeni larg prej veprave që punoj unë, e unë jam larg prej veprave që punoni ju.

Nëse ata të mohojnë ty, thuaju: “Unë kam veprat e mia dhe ju keni veprat tuaja. Ju nuk përgjigjeni për atë që bëj unë e as unë për atë që bëni ju”. -Edhe nëse ata të mohojnë, nuk të besojnë dhe nuk e pranojnë ftesën tënde, ti vazhdo me durim e urtësi në davet. Dije mirë dhe vazhdimisht kujtoje se ti nuk je përgjegjës për veprat dhe llogarinë e tyre. Çdokush do të shpërblehet dhe mbajë përgjegjësi për punën e vet. Kujtoju edhe atyre këtë fakt të pamohueshëm: "Ju nuk përgjigjeni për atë që bëj unë, e as unë për atë që bëni ju”. Ngjashëm me këtë ajet është edhe fjala e Allahut, kur thotë: "Kush bën mirë, bën mirë për veten e vet, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes së vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve !" [Fussilet 46]. Gjithashtu: "Kush bën vepra të mira, bën për vete, e kush bën keq, bën kundër vetes. Në fund, te Zoti juaj do të ktheheni!" [Xhathijeh 15].

42

وَمِنْهُم مَّن يَسْتَمِعُونَ إِلَيْكَ ۚ أَفَأَنتَ تُسْمِعُ ٱلصُّمَّ وَلَوْ كَانُوا۟ لَا يَعْقِلُونَ

Ka prej tyre, që të përgjojnë. Por, a mund të bësh ti, që të dëgjojnë të shurdhëtit, të cilët skanë as mend?

Ka prej tyre që duken se të dëgjojnë me vëmendje ty. -Allahu i Madhëruar na tregon rreth disa mohuesve të Profetit dhe të Shpalljes që ai solli prej Zotit. Ai na tregon se ka prej tyre që duken sikur dëgjojnë. Ata shprehin njëfarë interesi për atë që Profeti (a.s) thoshte prej Shpalljes. Por, në fakt, ata nuk dëgjojnë me dëshirën dhe qëllimin për të mësuar dhe për të gjetur udhëzimin, por dëgjojnë të vendosur për të mohuar Shpalljen dhe me qëllimin e keq që të gjejnë ndonjë defekt dhe të çarë, për ta përdorur në qëllimet e tyre të këqija. Ky lloj dëgjimi, sigurisht që është shumë i padobishëm dhe nuk u sjell vepruesve asnjë të mirë. Nuk ka çudi që atyre t’u mbyllet para syve porta e udhëzimit të vërtetë dhe të plotë. Qëllimi i tyre i keq i privon ata nga dobia e dëgjimit të Shpalljes dhe atyre nuk u jepet sukses nga Zoti që të marrin udhëzimin e plotë, për të jetuar sipas asaj që dëgjojnë e mësojnë. Prandaj i Madhëruari i Urtë thotë:Por, vallë, ti do t’i bësh të shurdhrit të dëgjojnë, edhe kur ata nuk kuptojnë?! -Kjo pikëpyetje përmban brenda vetes një mesazh të sigurt dhe të padiskutueshëm. Ti nuk ke pushtet dhe mundësi që të bësh të dëgjojnë ata që janë të shurdhër dhe nuk mund të të dëgjojnë, edhe nëse u flet me zë të lartë, e sidomos kur i shton kësaj edhe faktin që ata nuk kanë logjikë dhe arsye, me të cilën të kuptojnë e arsyetojnë drejt. Sikurse është e pamundur që të bësh të dëgjojë një të shurdhër që nuk ka logjikë e arsye, po ashtu është e pamundur për ty që t'i bësh të dëgjojnë mohuesit e kjo t’u bëjë dobi. Po, është e vërtetë që ata dëgjojnë argumentet, dhe kështu nuk kanë asnjë justifikim e argument para Zotit, por qëllimet e tyre të këqija dhe refuzimi i së mirës i bën ata që të mos e arrijnë udhëzimin e plotë, që mund të përfitohet nga dëgjimi i Shpalljes së Zotit. Kjo portë e madhe diturie dhe mirësie u është mbyllur atyre të mjerëve. Të gjitha këto mesazhe që të afrojnë të mirën u janë privuar dhe penguar atyre të padrejtëve qëllimkëqij. Pastaj Allahu i Madhëruar përmend edhe mbylljen e rrugës së dytë të marrjes së informacionit dhe udhëzimit, që është rruga e shikimit. Thotë i Madhëruari:

43

وَمِنْهُم مَّن يَنظُرُ إِلَيْكَ ۚ أَفَأَنتَ تَهْدِى ٱلْعُمْىَ وَلَوْ كَانُوا۟ لَا يُبْصِرُونَ

Ka prej tyre, që të shikojnë ty. E, mos vallë ti do t’i udhëzosh në rrugë të drejtë të verbëtit, të cilët nuk shohin hollësisht (me mend)?

Ka prej tyre që duken se të shikojnë ty. -Ky shikim nuk ndikon tek ata. Sado që ta analizojnë gjendjen tënde, veprat e fjalët e tua të mrekullueshme, moralin tënd të lartë dhe jetën tënde model, ata nuk arrijnë të përfitojnë nga ky shikim.Por, a mund t’i udhëzosh ti të verbrit, kur ata nuk shohin? -Ashtu sikurse ti nuk mund të udhëzosh një të verbër, që nuk arrin të shohë asgjë, po në të njëjtën gjendje janë edhe këta të mjerë. Ti nuk mund t’i udhëzosh ata, edhe pse ata mund të shohin fizikisht, pasi ai shikim i tyre nuk ua mundëson udhëzimin. Ata janë të verbër dhe arrogantë. Shikimi dhe dëgjimi i tyre janë bllokuar dhe prishur. Atëherë, kush mund t’ua tregojë atyre rrugën e drejtë të së vërtetës? Shikimi dhe dëgjimi janë rrugët përmes së cilave përftohet dituria dhe njihet realiteti i gjërave. Shkatërrimi i tyre i mbyll rrugët e njohurisë dhe udhëzimit. Sigurisht që nuk mbulohen sytë e ballit, por verbohet zemra, që kanë në kraharor. Në ajet, i Lartësuari thotë: " ... ata të vështrojnë ty". Kjo tregon se për çdonjë që vështron gjendjen e Profetit (a.s), udhëzimin dhe traditën e tij, moralin e tij të pakrahasueshëm, veprat e tij aq të mira, besimin dhe fenë e pastër në të cilën ai të fton, të gjitha këto janë nga argumentet më të mëdha që tregojnë vërtetësinë e tij si profet i Zotit të botëve dhe për vërtetësinë e Shpalljes që ai solli nga Zoti. Për ata që dinë të vështrojnë dhe analizojnë, këto fakte janë mëse të mjaftueshme për të gjykuar mbi vërtetësinë e Muhamedit (a.s)dhe të Shpalljes që ai solli nga Zoti.

44

إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَظْلِمُ ٱلنَّاسَ شَيْـًۭٔا وَلَٰكِنَّ ٱلنَّاسَ أَنفُسَهُمْ يَظْلِمُونَ

Me të vërtetë, Perëndia nuk u bënë kurrfarë të keqe njerëzve, por njerëzit i bëjnë keq vetvetes.

Allahu nuk u bën asnjë padrejtësi njerëzve, por janë ata që i bëjnë padrejtësi vetes së tyre. -Ai nuk ua shton të këqijat dhe as nuk ua pakëson mirësitë atyre, por janë njerëzit që i bëjnë padrejtësi vetvetes. Kur u vjen e vërteta, ata nuk e pranojnë, por e shpërfillin atë. Atëherë, si ndëshkim, Allahu i Madhëruar ua vulos zemrat dhe ua mbulon shikimin dhe dëgjimin.

45

وَيَوْمَ يَحْشُرُهُمْ كَأَن لَّمْ يَلْبَثُوٓا۟ إِلَّا سَاعَةًۭ مِّنَ ٱلنَّهَارِ يَتَعَارَفُونَ بَيْنَهُمْ ۚ قَدْ خَسِرَ ٱلَّذِينَ كَذَّبُوا۟ بِلِقَآءِ ٱللَّهِ وَمَا كَانُوا۟ مُهْتَدِينَ

E, atë ditë kur do t’i tubojmë Na ata, do t’u duket atyre se vetëm një moment të shkurtër të ditës kanë bredhur në Tokë, aq sa për ta njohur njëri-tjetrin. Madje, janë të humbur, ata që kanë përgënjeshtruar takimin me Perëndinë, e nuk ishin në rrugë të drejtë.

Ditën e Tubimit, atyre do t’u duket sikur jetuan veçse një çast të ditës, sa për t’u njohur me njëri-tjetrin. Kanë dështuar, vërtet ata që nuk besojnë në takimin me Allahun dhe nuk ndjekin udhën e drejtë. -Allahu i Madhëruar na tregon se sa shpejt përfundon kjo dynja. Kur Allahu t’i tubojë njerëzit atë ditë që nuk ka dyshim, atyre do t’u duket se kanë qëndruar në dynja veçse një orë të shkurtër të ditës. Gjithashtu, do t’u duket sikur nuk kanë përjetuar asnjë të mirë dhe do të harrojnë çdo fatkeqësi. Ato çaste të shkurtra që do të mbajnë mend do të duken sikur kanë shërbyer veçse për t’u njohur mes njëri-tjetrit. Edhe atë ditë, ashtu si në dynja, ata do ta njohin njëri-tjetrin. Por të devotshmit do të shijojnë suksesin e tyre, ndërsa ata që kanë mohuar takimin me Allahun do të dëshpërohen e ndëshkohen. Ata nuk kanë qenë të udhëzuar në rrugën e drejtë dhe në fenë e vërtetë, duke humbur kështu mirësinë dhe lumturinë e përjetshme dhe duke u zhytur në Zjarrin përvëlues, të cilin e meritojnë plotësisht.

46

وَإِمَّا نُرِيَنَّكَ بَعْضَ ٱلَّذِى نَعِدُهُمْ أَوْ نَتَوَفَّيَنَّكَ فَإِلَيْنَا مَرْجِعُهُمْ ثُمَّ ٱللَّهُ شَهِيدٌ عَلَىٰ مَا يَفْعَلُونَ

Qoftë që të tregojmë Na ty, diçka nga ajo që u kemi premtuar atyre ose ta marrim shpirtin Na ty, te Na do të kthehen ata, e Perëndia është dëshmitar për që punojnë ata.

Edhe nëse Ne ta mundësojmë ty të shohësh(sa je gjallë)diçka nga ajo që u kemi premtuar atyre, por edhe nëse të marrim ty(në mëshiren Tonë), sërisht vetëm te Ne është kthimi i tyre. Allahu është dëshmitar i veprave të tyre. -Mos u trishto për këta mohues dhe as mos kërko përjashtimin e ndëshkimit për ta. Ndëshkimi do t’i godasë në mënyrë të pashmangshme: ose në jetën e kësaj bote, që ta shohësh me sytë e tu dhe të qetësohet zemra jote, ose në ahiret, pas largimit tënd nga kjo botë. Allahu i Lartësuar ka për t'i njoftuar ata për çdo gjë që kanë bërë. Ai i ka mbajtur ato shënim me hollësi e me drejtësi, ndërsa ata i kanë harruar. Allahu është mbikëqyrësi dhe dëshmuesi i gjithçkaje. Këto ajete janë sigurisht një kërcënim i ashpër për ta, por nga ana tjetër dhe një ngushëllim e qetësim i zemrës së Profetit a.s, të cilin e mohonte populli i tij plot urrejtje, inat dhe armiqësi.

47

وَلِكُلِّ أُمَّةٍۢ رَّسُولٌۭ ۖ فَإِذَا جَآءَ رَسُولُهُمْ قُضِىَ بَيْنَهُم بِٱلْقِسْطِ وَهُمْ لَا يُظْلَمُونَ

Çdo popull ka pasur pejgamber. Dhe kur atyre t’u vie pejgamberi, do të gjykohet mes tyre me të drejtë, dhe nuk do t’u bëhet zullum.

Çdo popull ka pasur të dërguarin e vet. Me t’u ardhur i dërguari, mes tyre do të gjykohet me drejtësi dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi. -Në të gjithë popujt e shkuar, Allahu i Lartësuar ka dërguar profetë, që t’i ftonin ata në teuhidin e pastër dhe në jetën sipas fesë dhe ligjit të Tij. Pasi profetët dërgoheshin me shenja e mrekulli, që tregonin vërtetësinë e tyre, një pjesë i besonin, ndërsa shumë të tjerë i mohonin. Atëherë, Allahu i Lartësuar gjykonte mes tyre me drejtësinë dhe urtësinë e Tij. Zoti nuk ndëshkon kurrë pa e bërë njerëzit të meritueshëm ndëshkimin me krimet e tyre. Për këtë arsye, le të bëjnë kujdes ata që mohojnë dhe të mos ecin në gjurmët e mohuesve të mëhershëm, që Zoti i ndëshkoi, se përndryshe i pret i njëjti fund si ata të mjerë dhe të harruar. Gjithashtu, të mos e shohin ndëshkimin sikur është shumë larg dhe të thonë:

48

وَيَقُولُونَ مَتَىٰ هَٰذَا ٱلْوَعْدُ إِن كُنتُمْ صَٰدِقِينَ

Ata thonë: “Kur do të plotësohet ky premtim, nëse thoni të vërtetën?”

Ata thonë: “Kur do të realizohet ky premtim, nëse thoni të vërtetën?” -Këto fjalë veçse e shtojnë edhe më shumë padrejtësinë e tyre, sepse ata ia kërkojnë ndëshkimin profetit, a thua se ai ka në dorë këtë çështje. Kështu, le ta dinë të mjerët se kanë të bëjnë me Zotin e gjithësisë. Profeti nuk ka asgjë në dorë, përveçse transmetimin e qartë të fesë dhe të besimit ndër njerëz:

49

قُل لَّآ أَمْلِكُ لِنَفْسِى ضَرًّۭا وَلَا نَفْعًا إِلَّا مَا شَآءَ ٱللَّهُ ۗ لِكُلِّ أُمَّةٍ أَجَلٌ ۚ إِذَا جَآءَ أَجَلُهُمْ فَلَا يَسْتَـْٔخِرُونَ سَاعَةًۭ ۖ وَلَا يَسْتَقْدِمُونَ

Thuaj: “Unë nuk jam në gjendje t’i bëj vetes as dëm as dobi, përveç asaj që dëshiron Perëndia. Çdo popull ka afatin e vet; kur t’i vijë ai, nuk mund ta shtyejnë (ata), për asnjë çast, e as ta shpejtojnë.

Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes sime as dëm, as dobi, veç asaj që dëshiron Allahu”. Çdo popull ka afatin e vet. Kur të vijë afati i tyre, ata nuk mund ta shtyjnë asnjë çast të vetëm dhe as ta përshpejtojnë. -Llogaria dhe ndëshkimi i drejtë është në dorën e Allahut të vetëm e të pashoq në pushtetin dhe mbretërimin e Tij. Ai e lëshon ndëshkimin e Tij mbi ta kur të vijë koha e përcaktuar prej Tij. E gjitha kjo ndodh sipas urtësisë së Tij hyjnore. Kur të vijë ai çast, ata nuk kanë mundësi ta vonojnë e as ta përshpejtojnë. Le të kenë frikë kundërshtuesit, që me injorancën e tyre kërkojnë përshpejtimin e ndëshkimit. Ata po kërkojnë përshpejtimin e një ndëshkimi që, po filloi të zbresë, askush nuk mund ta pengojë dhe largojë nga populli zullumqar e kriminel.

50

قُلْ أَرَءَيْتُمْ إِنْ أَتَىٰكُمْ عَذَابُهُۥ بَيَٰتًا أَوْ نَهَارًۭا مَّاذَا يَسْتَعْجِلُ مِنْهُ ٱلْمُجْرِمُونَ

Thuaj: “Çka mendoni ju, nëse ju vie dënimi i Tij natën apo ditën, pse e nxitojnë atë (dënimin) mëkatarët?”

Thuaj: “Më tregoni, nëse ju vjen dënimi i Tij natën ose ditën, çfarë pjese të tij kërkojnë keqbërësit që t’u përshpejtohet?” - Nëse ndëshkimi ju vjen gjatë natës kur jeni në gjumë, ose gjatë ditës kur jeni të zhytur në pakujdesi, çfarë prisni që t'ju shpëtojë? Atëherë do ta kuptoni se çfarë ndëshkimi kërkuat që t’ju përshpejtohet.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.