Muslim99Muslim99
← Tafsir library

10. Yunus

Jonas · Meccan · 109 ayahs

سُورَةُ يُونُسَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 31–40 of 109

31

قُلْ مَن يَرْزُقُكُم مِّنَ ٱلسَّمَآءِ وَٱلْأَرْضِ أَمَّن يَمْلِكُ ٱلسَّمْعَ وَٱلْأَبْصَٰرَ وَمَن يُخْرِجُ ٱلْحَىَّ مِنَ ٱلْمَيِّتِ وَيُخْرِجُ ٱلْمَيِّتَ مِنَ ٱلْحَىِّ وَمَن يُدَبِّرُ ٱلْأَمْرَ ۚ فَسَيَقُولُونَ ٱللَّهُ ۚ فَقُلْ أَفَلَا تَتَّقُونَ

Thuaj: “Kush ju ushqen juve nga qielli dhe Toka? Ose, kush mund të krijojë të dëgjuarit dhe të pamurit? Dhe kush mund të nxjerrë të gjallin nga i vdekuri dhe të vdekurin nga i gjalli? Dhe kush i drejton gjërat? Ata do të thonë: “Perëndia”. E ti (o Muhammed!) thuaj: “E, përse atëherë nuk i ruheni atij?”

Idhujtarët, - edhe pse adhuronin idhujt, për të cilët Allahu nuk u kishte dhënë asnjë argument, - e besonin dhe pranonin se Allahu është i vetmi për sa i përket rububije-s. (Njëshmërisë së Tij në Zotërimin dhe sundimin mbi krijesat) Në këto ajete i Lartësuari këshillon që t’u kujtojmë idhujtarëve diçka që ata e pranojnë, për t’i bërë të reflektojnë dhe të kthehen në rrugën e drejtë, domethënë në njësimin e Zotit edhe në çështjen e uluhije-s (Njëshmërisë së Tij në meritën e adhurimit të Tij si Një dhe i Vetëm.) Thotë i Madhëruari:Thuaj: “Kush ju furnizon me ushqim nga qielli e toka dhe kush e ka në dorë dëgjimin e shikimin tuaj?" -Mendohuni pak, o idhujtarë të mjerë, kush është i vetmi që ju lëshon nga qielli rriskun me shiun? Po prodhimet nga toka kush i nxjerr? Kush e ka bërë tokën të përshtatshme për të marrë prej saj gjithçka që ju nevojitet? A nuk është Zoti ai që i krijoi ato dhe që i ka nën sundimin e pronësinë e Tij? Kush e ka në dorë dëgjimin e shikimin tuaj? Zoti veçon këto dy mirësi të domosdoshme (dëgjimin e shikimin) për të na kujtuar edhe shumë e shumë mirësi të tjera, që vijnë poshtë tyre për nga rëndësia. Nuk ka dyshim se këto të dyja janë nga mirësitë më të dobishme dhe më të rëndësishme që Zoti jep dhe krijon."Kush e nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe kush e nxjerr të vdekurin nga i gjalli?" -Ai e nxjerr jetën nga diçka e vdekur, si p.sh. bimët e pemët nga një farë, ose një jobesimtar e bën besimtar, ose nxjerr zogun nga veza ose raste të ngjashme. Ai e nxjerr edhe të vdekurin nga i gjalli, siç ndodh me të kundërtat e atyre që u përmendën."Kush është Ai që rregullon çdo çështje? Ata do të thonë: “Allahu”. -Kush është Ai që administron dhe rregullon çështjet e krijesave të botës së sipërme dhe asaj të poshme. Tedbir-i (përkujdesi)i Tij është gjithëpërshirës dhe absolut, nga i cili nuk përjashtohet asgjë. Kështu, nëse i pyet ata për diçka të tillë, do të thonë: Allahu, sepse e pranojnë gjithçka prej rububijes dhe njëshmërisë së Zotit në këto çështje. Atëherë, duke i bërë të mendojnë e gjykojnë drejt, thuaju:Thuaj: “Atëherë, nuk keni frikë?” -A nuk i frikësoheni ndëshkimit dhe zemërimit të Tij? Ju nuk keni asnjë mundësi tjetër për t’i shpëtuar atij, por veçse duke e njësuar Atë në adhurim. Adhurojeni vetëm Atë me sinqeritet dhe ashtu si ju ka urdhëruar Ai përmes shpalljes së Tij. Largojuni njëherë e mirë poshtërsive dhe adhurimit të idhujve dhe nënshtrohuni të adhuroni Zotin si një të vetëm dhe të jetoni sipas shpalljes së Tij.

32

فَذَٰلِكُمُ ٱللَّهُ رَبُّكُمُ ٱلْحَقُّ ۖ فَمَاذَا بَعْدَ ٱلْحَقِّ إِلَّا ٱلضَّلَٰلُ ۖ فَأَنَّىٰ تُصْرَفُونَ

Ky është Perëndia, Zoti juaj i vërtetë. E, çka keni pas së vërtetës, përpos humbjes? E, ku shkoni ju atëherë?

"Ai është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. Pas të vërtetës nuk ka asgjë tjetër, veç kotësisë." -Ai i cili e përshkroi Veten e Vet me këto cilësi është Zoti juaj dhe i Adhuruari juaj. I vetmi që ju duhet ta adhuroni, ta doni e t’i thurni lavde të sinqerta është Allahu, sepse Ai është i vetmi që ka krijuar gjithçka dhe përkujdeset për krijesat e Tij me mirësitë e pafundme të dhuruara prej Tij. Ai është e vërteta e pamohueshme, ndërsa gjithçka tjetër është e kotë dhe e pavërtetë. Allahu është i vetmi që krijon e rregullon, i vetmi që administron çështjet e krijesave. Nuk ka mirësi që të mos e ketë fillesën nga Ai. Vetëm Ai i sjell mirësitë dhe vetëm Ai të ruan dhe shpëton nga ligësitë. Ai ka emrat më të bukur, që janë tregues të cilësive të plota dhe madhështore. Ai është Bujari i Lartësuar dhe Krenar. Atëherë natyrshëm vjen pyetja dhe habia:"Atëherë, si po i ktheni shpinën?" -Si i shmangeni dhe largoheni adhurimit të Atij që ka këtë përshkrim, dhe i përkushtoheni adhurimit të krijesave që janë të varfra e të pafuqishme? Si adhuroni diçka që nuk ka në dorë asnjë mundësi për dëm apo dobi as për veten e vet, që nuk ka në dorë të japë jetën apo vdekjen dhe nuk ka pushtetin të ringjallë?! Edhe nëse bëhet fjalë për të ndërmejtësuar, ata mund të ndërmjetësojnë tek Zoti veçse me lejen e Tij. Atëherë, çfarë kuptimi ka përkushtimi i adhurimeve ndaj tyre, kur edhe ndërmjetësimi është në dorë të Zotit?! Ata nuk zotërojnë asnjë thërrmijë pushteti në asnjë drejtim. Kështu, i mallkuar dhe i shkatërruar qoftë çdokush që adhuron diçka tjetër veç të Vetmit e Madhështorit, dhe mjerë e mjerë për atë që e mohon Atë! Ata nuk kanë mend dhe me vetëdije braktisin besimin e vërtetë, të dëshmuar dhe të sjellë nga Zoti. Kështu ata shkatërrojnë jetën e këtushme, fenë dhe ahiretin e tyre.

33

كَذَٰلِكَ حَقَّتْ كَلِمَتُ رَبِّكَ عَلَى ٱلَّذِينَ فَسَقُوٓا۟ أَنَّهُمْ لَا يُؤْمِنُونَ

Kështu u sendërtua (realizua) fjala e Zotit tënd, te ata që bënë çrregullime; se, me të vërtetë, ata nuk do të besojnë.

Ky është vendimi i drejtë i Zotit tënd kundër të shfrenuarve. Ata kurrë nuk do të besojnë. -Në argumentet e qarta dhe faktet madhështore që Zoti solli përmes shpalljeve dhe profetëve, ka shenja dhe mësime të mjaftueshme për të mençurit. Ata janë një kujtim i mjaftueshëm për ata që kanë devotshmëri, i druhen dënimit të Tij dhe nënshtrohen të adhurojnë Atë përmes ligjit e shpalljes së Tij. Në to ka udhëzim të qartë për të gjithë botën. Çdokush mund të gjejë udhën e drejtë dhe, nëse jeton sipas saj, Zoti do ta ndihmojë e do t’i dhurojë udhëzimin e plotë. Por atyre që shfrenohen dhe nuk nënshtrohen të jetojnë sipas udhëzimit të Tij, për ta është i pashmangshëm dënimi dhe humbja. Ata kurrë nuk kanë për të gjetur besimin, derisa të zbatojnë e pasojnë Shpalljen e Zotit. Vetëm kështu Ai do t'ua dhurojë besimin e udhëzimin e plotë.

34

قُلْ هَلْ مِن شُرَكَآئِكُم مَّن يَبْدَؤُا۟ ٱلْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُۥ ۚ قُلِ ٱللَّهُ يَبْدَؤُا۟ ٱلْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُۥ ۖ فَأَنَّىٰ تُؤْفَكُونَ

Thuaj: “A ka ndër shokët tuaj (idhujtarë që i adhuroni ju) ndonjë që mund të krijojë prej kurrgjëje, e pastaj (pas vdekjes) përsëri ta kthejë (në jetë)?” Thuaj: “Perëndia krijon prej kurrgjëje, e pastaj e përsërit atë (në jetën e amshueshme)!” E, si shmangeni ju (nga besimi në Perëndinë)?

Allahu i Madhëruar në këto ajete, na tregon se sa të pafuqishëm dhe të dobët janë idhujt e idhujtarët. Ata nuk zotërojnë asnjë cilësi e përshkrim hyjnor, që të meritojnë adhurimin e krijesave. Allahu është i vetmi që meriton adhurimin e tyre. Le të mendojë njeriu në kotësinë e adhurimeve kushtuar atyre idhujve të dobët dhe të varfër. Thotë i Madhëruari:Thuaj: “A ka prej idhujve tuaj ndonjë që ta fillojë krijimin e pastaj ta rikthejë atë?” -Allahu i Lartësuar është i vetmi që e nis krijimin nga hiçi dhe ka fuqi e pushtet për ta rikthyer atë krijim sikurse e nisi. Askush nuk e ka këtë pushtet. Pikërisht këtë të vërtetë synon të përhapë kjo fjali pyetëse, së cilës i dihet përgjigjja. E si mundet që krijesat të bëjnë diçka të tillë? Ato janë shumë të dobëta dhe të pafuqishme. Prandaj natyrshëm vjen përgjigjja nga çdokush me natyrë të pastër dhe mendje të shëndoshë. Allahu i Madhëruar thotë:Thuaj: “Allahu e nis krijimin dhe sërish e rikthen atë. Atëherë, si i largoheni së vërtetës?” -Allahu i Madhëruar e bën këtë pa pasur nevojë për ndihmëtarë apo partnerë. Atëherë, si devijoni rrugë dhe i largoheni adhurimit të të vetmit që e meriton atë, të vetmit që e fillon krijimin dhe ka fuqinë ta rikthejë atë?! Si mundet që ta lini adhurimin e të Plotpushtetshmit dhe të adhuroni ata që nuk mund të krijojnë gjë dhe që vetë janë të krijuar.

35

قُلْ هَلْ مِن شُرَكَآئِكُم مَّن يَهْدِىٓ إِلَى ٱلْحَقِّ ۚ قُلِ ٱللَّهُ يَهْدِى لِلْحَقِّ ۗ أَفَمَن يَهْدِىٓ إِلَى ٱلْحَقِّ أَحَقُّ أَن يُتَّبَعَ أَمَّن لَّا يَهِدِّىٓ إِلَّآ أَن يُهْدَىٰ ۖ فَمَا لَكُمْ كَيْفَ تَحْكُمُونَ

Thuaj: “A ka ndër shokët tuaj (idhujtarë që i adhuroni ju) ndonjë që mund të udhëzojë në rrugë të drejtë?” Thuaj: “Vetëm Perëndia udhëzon në rrugë të drejtë! E pra, a është më e merituar të shkosh pas atij që udhëzon në rrugë të drejtë, apo ai, i cili as vetën nuk është në rrugën e drejtë, përveç, nëse e shpie dikush atë? E, çka keni. Si po gjykoni ju ashtu?!”

Thuaj: “A ka ndonjë prej idhujve tuaj që ta drejtojë ndonjë të humbur tek e Vërteta?” -Kush mund ta qartësojë të vërtetën ashtu si Zoti?! Kush mund të sjellë udhëzimin e plotë, të inspirojë dashurinë për të dhe të japë forcë për të jetuar sipas tij, ashtu si Zoti?! Askush nga idhujt tuaj nuk ka në dorë qoftë edhe një grimcë mundësi udhëzimi. Ajo është e gjitha në dorën e Zotit, që thotë:Thuaj: “Vetëm Allahu udhëzon për tek e Vërteta.” -Allahu i Vetëm dhe i Pashoq udhëzon drejt së vërtetës nëpërmjet argumenteve e fakteve që ka sjellë. Vetëm Ai mund të inspirojë për të ndjekur udhëzimin e drejtë dhe mund të japë forcë për të punuar e jetuar sipas tij, duke e zbukuruar dhe bërë të dashur të mirën në zemrat e të zgjedhurve dhe duke e bërë të shëmtuar dhe të urryer mosbesimin, shfrenimin dhe mosbindjen në zemrat e tyre. Vetëm Ai mund të forcojë dhe aftësojë robin që të ndjekë rrugën më të mirë e të drejtë."Atëherë, a është më e drejtë të shkohet pas atij që udhëzon për tek e Vërteta, apo pas atij që nuk mund të udhëzojë, vetëm nëse udhëzohet prej dikujt tjetër?" -E si mund të preferohet dhe të adhurohet një krijesë, e cila është e dobët dhe nuk mund të udhëzojë as veten e vet, për shkak se është e humbur dhe e paditur? Të tillë janë idhujt që ata adhurojnë: të pafuqishëm e të paditur, që nuk mund të udhëzojnë as veten e aq më pak të udhëzojnë adhuruesit e tyre."Atëherë ç’është me ju, si gjykoni kështu?!" - Përse keni këtë gjykim të kotë dhe të pabesueshëm?! Si mund të gjykoni se mund të adhurohet dikush tejtër veç Allahut. Pas gjithë atyre fakteve e argumenteve që tregojnë se Allahu është i vetmi i Adhuruar, është i papranueshëm një gjykim i tillë.

36

وَمَا يَتَّبِعُ أَكْثَرُهُمْ إِلَّا ظَنًّا ۚ إِنَّ ٱلظَّنَّ لَا يُغْنِى مِنَ ٱلْحَقِّ شَيْـًٔا ۚ إِنَّ ٱللَّهَ عَلِيمٌۢ بِمَا يَفْعَلُونَ

Shumica veprojnë vetëm sipas hamendjes. Me të vërtetë hamendja nuk e plotëson të vërtetën. Perëndia, pa dyshim di mirë atë që punojnë ata.

Shumica e tyre pasojnë veçse hamendësime; por hamendësimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës. -Nga të gjitha këto del qartë se idhujt e tyre nuk zotërojnë ndonjë cilësi hyjnore as në veten dhe as në veprat e tyre, që të meritojnë të adhurohen bashkë me Allahun e Lartësuar. Madje ato janë plot mangësi, që e bëjnë të kotë çdo adhurim përkushtuar atyre. Atëherë për çfarë arsye i konsideroni ata si zota veç Allahut?! Përgjigjja më e saktë do të ishte se ky është një mashtrim dhe zbukurim që shejtani e bën në zemrën e njeriut. Kjo është shpifja më e shëmtuar dhe humbja më e frikshme. I mallkuari ua zbukuron kotësinë dhe, me kalimin e kohës, ajo bëhet besim i fortë dhe i palëkundur në zemrat e tyre. Ata mësohen me të dhe nënshtrohen për ta pranuar si të vërtetë, ndërkohë që ishte veçse një kotësi dhe mashtrim. Prandaj, i Madhëruari thotë: "Ata të cilët adhurojnë idhuj në vend të Allahut, shkojnë pas hamendësimeve, dhe nuk bëjnë gjë tjetër, por veçse gënjejnë.” [Junus 66]. Ndërsa në këtë ajet thotë: "Shumica e tyre pasojnë veçse hamendësime, por hamendësimi nuk është asgjë ndaj të vërtetës." Kështu, në të vërtetë, ata që lusin dhe adhurojnë idhujt veç Allahut, nuk pasojnë asgjë. Në realitet, Allahu i Lartësuar nuk ka partner dhe të barabatë me Të. Këtë e hedh poshtë qoftë logjika, qoftë agumentet e shkruara nga shpalljet e Zotit. Ata thjesht pasojnë supozime dhe hamendësime. Ndërkohë që Allahu i Madhëruar thotë: "...por hamendësimi nuk është asgjë ndaj të vërtetës." Ata i emërtuan si "zota" dhe i adhuruan ata ashtu si Allahun. Thotë i Madhëruari: "Ata (idhujt)nuk janë gjë tjetër, vetëm se emra, që ju dhe prindërit tuaj i caktuat. Allahu nuk zbriti për ta ndonjë fakt. Por ata ndjekin vetëm hamendësimet dhe dëshirat e veta, megjithëse prej Zotit të tyre u ka ardhur udhëzimi i qartë." [Nexhm 23].Allahu di gjithçka që ata bëjnë. -Prandaj Ai do t’u japë atyre ndëshkimin më të rëndë e të meritueshëm.

37

وَمَا كَانَ هَٰذَا ٱلْقُرْءَانُ أَن يُفْتَرَىٰ مِن دُونِ ٱللَّهِ وَلَٰكِن تَصْدِيقَ ٱلَّذِى بَيْنَ يَدَيْهِ وَتَفْصِيلَ ٱلْكِتَٰبِ لَا رَيْبَ فِيهِ مِن رَّبِّ ٱلْعَٰلَمِينَ

Kyr Kur’an nuk është i trilluar prej askujt, por vetëm është shpallur prej Perëndisë, për të vërtetuar shpalljet e mëparshme, dhe të shpjegojë dispozitat; në të s’ka dyshim (ka zbritur) nga Zoti i gjithësisë!

Ky Kur'an nuk është i tillë që të mund të bëhet nga dikush tjetër veç Allahut, por është vërtetues i asaj që ishte më parë dhe shtjellues i qartë i Librit (Ligjit të Zotit). Nuk ka dyshim se ai është(zbritur)nga Zoti i botëve. -Është e pamundur dhe as që mund të përfytyrohet që dikush të mund të sjellë një libër si Kur'ani. Ky libër është, sikurse thotë i Madhëruari: "Nuk ka dyshim se ai është nga Zoti i botëve". Kur'ani është një libër i paarritshëm nga krijesat. Sikur të mblidhen njerëzit dhe xhinët për të sjellë qoftë edhe një kapitull të ngjashëm me të, nuk mund t'ia arrijnë. Kur'ani është libri i Allahut. Kur'ani është fjala që e ka thënë dhe e ka folur Zoti i botëve. E si mundet që dikush nga krijesat të mund të flasë diçka të tillë, apo qoftë edhe diçka që mund t’i afrohet fjalës së Krijuesit të botës?! Fjala përmban madhështinë e folësit të saj dhe të atributeve të tij madhështore. Vetëm nëse supozojmë se dikush i afrohet Allahut në madhështinë dhe cilësitë e Tij, mund të mendohet se ai mund të sjellë një fjalë të ngjashme me të. Nëse dikush do të pretendonte diçka të tillë, pra, që është i ngjashëm me Zotin në cilësitë e Tij, dhe të thotë se mund të sjellë Shpallje si Ai, atëherë Zoti do ta ndëshkonte menjëherë dhe pa vonuar. Por Allahu i Lartësuar e zbriti Kur'anin si mëshirë për botët dhe si argument për të gjithë robërit. Kur'ani është gjithashtu: "...vërtetues i asaj që ishte më parë", domethënë i shpalljeve të mëparshme të Zotit. Librat dhe shpalljet e Zotit janë vërtetues e mbështetës të njëri-tjetrit. Kur'ani dëshmon për vërtetësinë e shpalljeve të mëparshme dhe vërtetësinë e profetëve të shkuar. Nga ana tjetër, edhe shpalljet e mëparshme dëshmojnë për vërtetësinë e Kur'anit dhe besnikërinë e Profetit të fundit. Ata të gjithë kanë paralajmëruar për këtë libër madhështor dhe këtë profet besnik. Kështu, Kur'ani është vërtetim i asaj çfarë kanë parathënë profetët e parë. Kur'ani gjithashtu është: "…shtjellues i qartë i Librit (Ligjit të Zotit)", domethënë është sqarues i hallallit dhe haramit, i ligjeve të fesë, por edhe tregues i ligjeve të kaderit dhe krijimit të Zotit. Ky libër pëmban lajme të vërteta e të sigurta rreth të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes. E si të jetë ndryshe, kur Zoti thotë: "Atij (Kur'anit) nuk mund t’i atribuohet e pavërteta nga asnjë anë. Ai është Shpallje prej të Urtit, të Lavdëruarit.” [Fussilet 42]. Pra, nuk ka asnjë lloj dyshimi për këtë fakt. Kur'ani është el hakul jakin - e vërteta e sigurt. Ai është Shpallje e Zotit të botëve, i Cili përkujdeset dhe administron të gjitha çështjet e krijesave të Tij, përmes mirësive, mëshirës dhe bujarisë së Tij. Ndër aspektet më të rëndësishme të përkujdesit të Tij është edhe shpallja e këtij Libri, në të cilin janë përfshirë e shtjelluar të gjitha mirësitë dhe udhëzimet e vyera, si ato fetare, ashtu edhe ato që kanë të bëjnë me rregullimin e jetës së kësaj bote. Përmes Kur'anit, Allahu i Lartësuar i edukon robërit e Tij me moralin më të lartë dhe me cilësitë e virtytet më të mrekullueshme.

38

أَمْ يَقُولُونَ ٱفْتَرَىٰهُ ۖ قُلْ فَأْتُوا۟ بِسُورَةٍۢ مِّثْلِهِۦ وَٱدْعُوا۟ مَنِ ٱسْتَطَعْتُم مِّن دُونِ ٱللَّهِ إِن كُنتُمْ صَٰدِقِينَ

Ose ata thonë: “Ai (Muhammedi) e ka trilluar atë (Kur’anin)”. Thuaj: “E pra, silleni ju një sur të ngjashme dhe thirrni (në ndihmë) kë të doni, përpos Perëndisë, nëse jeni të drejtë”.

Mos, vallë, po thonë se atë e trilloi ai? -Mohuesit dhe mosbesimtarët inatçorë, të mbushur me urrejtje dhe armiqësi shpifin dhe thonë se Kur'ani është i trilluar nga Muhamedi. Drejtoju këtyre mashtruesve që shpifin dhe kërkojnë një argument, që do të nxjerë në pah mashtrimin e shpifjen e tyre nëse nuk e sjellin:Thuaju: “Sillni ju një sure të ngjashme me të dhe thërrisni në ndihmë kë të doni, veç Allahut, nëse jeni të sinqertë në atë që thoni!”! -Nëse ju mund të sillni diçka të ngjashme me Kur'anin, atëherë pretendimi juaj qëndron. Në të kundërt, ju jeni mashtrues dhe refuzues të së vërtetës. Por, sigurisht, që është e pamundur që ata të bëjnë diçka të tillë. Nëse do të mundeshin, do ta kishin bërë atë dhe do të pretendonin se e kanë pushtetin për ta bërë diçka të tillë.

39

بَلْ كَذَّبُوا۟ بِمَا لَمْ يُحِيطُوا۟ بِعِلْمِهِۦ وَلَمَّا يَأْتِهِمْ تَأْوِيلُهُۥ ۚ كَذَٰلِكَ كَذَّبَ ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِهِمْ ۖ فَٱنظُرْ كَيْفَ كَانَ عَٰقِبَةُ ٱلظَّٰلِمِينَ

Ata e mohojnë atë (Kur’anin) pa e kuptuar me themel çka ka në të e pa i ardhur akoma as shpjegimi i tij; po kështu, kanë mohuar edhe ata para tyre; e shiko, si kanë përfunduar zullumqarët!

Ata e mohuan atë(Kur'anin)pa marrë dituri të plotë rreth tij dhe pa u ardhur plotësisht shpjegimi i tij. -Duke qenë se ata tregojnë qartë pafuqinë e tyre përballë sfidës së Kur'anit, u kuptua se ajo që pretendojnë është e kotë dhe e pabazuar në fakte e argumente. Nga e gjithë kjo kuptohet qartë se ajo që i shtyn këta të mjerë që të mohojnë dhe refuzojnë Kur'anin, që përmban të vërtetën, e cila qëndron mbi çdo gjë, është shumë e kuptueshme: "...ata e mohuan atë pa marrë dituri të plotë rreth tij." Domethënë, ata nuk kanë dije të mjaftueshme rreth këtij libri. Nëse do të kishin marrë dije të mjaftueshme rreth tij dhe do ta kuptonin saktë atë, atëherë patjetër që do të nënshtroheshin para tij dhe do të gjenin forcë e motiv për të jetuar sipas tij. Allahu i Lartësuar thotë se ata e mohojnë Kur'anin 'pa u ardhur plotësisht shpjegimi i tij'. A thua sikur presin të realizohet ndëshkimi që u kërcënohet, që pastaj të besojnë. Atyre akoma nuk u ka ardhur ndëshkimi që paralajmëron ky libër, prandaj vazhdojnë në të kotën dhe në paditurinë e tyre rreth këtij libri, të mashtruar nga afatizimi që u ka bërë Zoti, i Cili është Bujar dhe i Mëshirshëm. Mohimi i tyre i ngjan mohimit të popujve të shkuar. Ata nuk duhet të nxitohen dhe të presin realizimin e ndëshkimit me të cilin i kërcënon ky libër, por mjafton të shohin se si ishin ndëshkimet e popujve të shkuar:Ja, kështu mohonin edhe ata që ishin përpara tyre. Por shih se si qe përfundimi i keqbërësve. -Përfundimi i tyre ishte ndëshkimi shfarosës, që nuk la të gjallë asnjë prej tyre. Ky është një mesazh kërcënues i qartë. Le të kenë frikë, të ruhen dhe të mos vazhdojnë me mohimin e tyre, se përfundimi është i sigurt dhe i pashmangshëm, njëlloj si popujt që shkuan. Ky ajet na mëson, gjithashtu, që të sigurohemi mirë rreth një çështjeje të caktuar. Nuk lejohet që të pranojmë apo refuzojmë diçka pa marrë dije të nevojshme e të mjaftueshme rreth saj.

40

وَمِنْهُم مَّن يُؤْمِنُ بِهِۦ وَمِنْهُم مَّن لَّا يُؤْمِنُ بِهِۦ ۚ وَرَبُّكَ أَعْلَمُ بِٱلْمُفْسِدِينَ

Disa prej tyre besojnë në të, e disa nuk besojnë në të (Kur’an). E, Zoti yt më së miri i njeh ngatërrestarët.

Ka prej tyre që e besojnë atë, ashtu siç ka prej tyre që nuk e besojnë. Zoti yt i di më mirë ata që përhapin shkatërrimin. -Prej tyre ka nga ata që e besojnë Kur'anin dhe gjithçka që përmban ai, por ka edhe të tjerë që nuk e besojnë atë. Allahu di gjithçka për shkatërrimtarët, të cilët janë të gjithë ata që nuk besojnë në këtë libër nga inati, padrejtësisht dhe të prirur drejt shfrenimit dhe shkatërrimit. Sigurisht, ky është një kërcënim i frikshëm për ata të mjerë, se Allahu do t’i ndëshkojë për padrejtësitë dhe shkatërrimin e shkaktuar me mosbesimin e tyre. Ata do të vuajnë në dënimin më të rëndë, sepse edhe krimi i tyre është nga më të rëndët dhe më shkatërrimtarët.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.