وَإِذَآ أَذَقْنَا ٱلنَّاسَ رَحْمَةًۭ مِّنۢ بَعْدِ ضَرَّآءَ مَسَّتْهُمْ إِذَا لَهُم مَّكْرٌۭ فِىٓ ءَايَاتِنَا ۚ قُلِ ٱللَّهُ أَسْرَعُ مَكْرًا ۚ إِنَّ رُسُلَنَا يَكْتُبُونَ مَا تَمْكُرُونَ
Kur Na, pas të keqes që i goditi, u dhamë njerëzve të shijojnë mëshirën, ata përsëri bënë intriga me argumentet Tona! Thuaj: “Perëndia është më i shpejtë në dënimin e ngatërrestarëve”. Me të vërtetë, të dërguarit (engjëjt) Tonë shënojnë intrigat tuaja.
Ne i mëshirojmë njerëzit pas së keqes që i godet. Mirë po, ja, ata përsëri bëjnë kurthe kundër argumenteve Tona. -Allahu i Lartësuar, me mëshirën e Tij, bëri të mundur që njerëzit të përjetojnë mirësi pas vështirësive e vuajtjeve, shëndetin e mirë pas sëmundjeve, pasurinë pas varfërisë, sigurinë pas frikës etj. Por edhe pse sapo kanë kaluar vuajtje e dhimbje, ata harrojnë çfarë ka ndodhur dhe nuk e falënderojnë Zotin për mirësinë e dhuruar dhe mëshirën e Tij, por vazhdojnë me intrigat dhe shfrenimin e tyre. Prandaj i Madhëruari thotë: “ata përsëri bëjnë kurthe kundër argumenteve Tona”. Ata luftojnë në emër të së kotës dhe devijimit, duke dashur që të mbulojnë të vërtetën dhe udhëzimin e Zotit. Por i Madhëruari thotë:Thuaj: “Allahu është më i shpejti në thurjen e planeve(kundër mohuesve)”. S’ka dyshim, të dërguarit Tanë(melekët)regjistrojnë gjithçka që thurni ju. -Intrigat dhe kurthet e padrejta godasin veçse thurësit e tyre. Qëllimet e tyre të zeza u kthehen pas koke. Ata nuk kanë për të shpëtuar dhe do të merren në përgjegjësi për çdo ligësi që kanë shkaktuar. Melekët e Zotit shënojnë çdo gjë që ata bëjnë dhe Allahu i ruan ato shënime, e pastaj do t’u japë ndëshkimin më të plotë dhe të merituar.